REXHEP KASUMAJ: NJË FOTOLEXIM I PAHIR

Berlin, 19 maj 2018:
1.
Njëj dite maji që ringjallte ëndrrat e mekura, vështroja foton e rrallë.
Për një çast, disi vetishëm, do ikja në kohë të ardhme për ta parë me sytë e një kujtimi të veçantë. Dhe thashë me vete: ja, kështu e shohin ata që do vijnë pas nesh. Një fragment i ngrirë në dëshminë e tij.

Por ç’dëshmi vallë?
Meqë të vërtetat shqiptare edhe mbi ngjarje të kryera, janë relative, fluide dhe të ndrrueshme si drejtimet e erës në vjeshtën bojhiri, ndoshta nuk dihet ngjyra e saj. Por unë e vërej të posavënë kompozicionin përmasor, të paarkivuar akoma me fusnota e legjenda të stisura.
2.
Fotoja përpiqej t’i ngjante, madje t’i bënte sfidë një tjetre, të vjetër mbi 100 vjet, e shumë të dashur për zemrat tona. Do t’ketë qenë shkrepja e zhdërvjelltë e ndonjë pasionanti që kishte kapur ata në tryezë pune: të rëndë dhe plot merak për Kosovën që përfaqësonin në takimin euroballkanës në Sofje të Bullgarisë.
Njëri që shfaqej ballas, tashmë i thinjur, kur instinktivisht do pikasë t’i kanoset humbja e diellit të lirisë private, rrëfehet si në altar se s’kish ndjerë kurrë aromën e gjakut në fushëluftë. Dhe, me gjasë, kjo është e vërteta e tij, e jo kur pohon të kundërtën: isha me armë në aksione guerile! Sepse, a s’duhej të ishte dikush dhe komandant rezidencash prehëse dhe fondesh ku derdhej vuajtja e njeriut dhétretur?

Pastaj, bri tij, si i fshehur e me shikim ngulitur grykshëm në kafen që kish para, dukej kompanjoni tjetër. Një zëhollë, shpesh i çjerrë nga fjalët e pista, rreket të ofrojë imazhin e luftëtarit të paepur. E vetmja provë dehëse është një pamje e fiksuar në negativ ku shihet me një pushkë, mbase gjuetie, në dorë. Por negativi i filmit do shndërrohet shpejt në pozitivizëm të zejes politike. Tituj fuqie, pasuri, glamuritet, tinëzi – janë tiparet identifikuese të staturës së tij.
Ndërkaq përhihet dhe profili i dikujt që të kujton karvanin mushkave të ngarkuara n’për male të thepisura. E që, pa mbërritur mirë në log zjarri, m’udhë e sipër, pësonin shndërresën sublime në vezullinë e kamjes së pafund. Dhe, s’e di pse, por teksa e ndjek në rravgimet politike, disi më bëhet se është antipodi tragjik i zonës së fisme nga vjen, atje rrëzë bjeshkëve me plisa dëbore.
Mirëpo në krye të galerisë peshërëndë jepet madhnueshëm autori i famshëm i “Nënës Serbi”. Është personazhi i eksperiencave kaukazjane, i pëshpërimave nga netët e bukura të Kremlinit dhe takimeve të fshehta në Surçin…Pa patur gjë para vetes, dukej i heshtur. I menduar. Sikur survejon e ndërvete thotë: po ne njihemi të gjithë. Një amzë përlindëse kishim që, më pas, në zhvillim motesh, do merrte formën e maskave të ndryshme sipas roleve që paracaktoheshin në dramën popullore…
3.
Në mbarim të këtij fotoleximi, do t’më vinte si relikt përmbylltar, vargu i poetit Podrimja. Dhe rezultonte i saktë deri në përskajim absolut: “Kosova i përket të gjithëve, por më së shumti atyre që banojnë varret”.
Natyrisht, më parë se për vdektarët anonimë të shuar në rrethim familjarësh e lulesh, vargu flet për ata që i dhanë një tjetër provë etnie e gjaku truallit atnor. Dhe tani ose janë harruar në vetminë e gropës, ose, në tymnajë turri për ngjitje në shkallaret pushtetorë, dikush, si Behluli i parodisë, do recitojë biografinë e vet tek gurvarri i tij…
E pra, do të ftillohen për ne e historinë, dy botë të Ushtrisë çlirimtare. Njëra, e martirëve të flijimit dhe e dyta, poashtu e martirëve, por e llojit të ri të tyre. Uzurpatorë lavdie, ata bëjnë Rendin e martirëve të veçantë: të dhunës, mashtrimit dhe rendimenteve pjellore të hajnisë kombëtare.
E janë aq shumë sa druajmë që nuk mjaftojnë sheshet e ngushtë dhe fushat e pakta për mauzoletë madhështorë që do i nxijnë dritën jetës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura