DR.GËZIM ALPION: KUR HISTORINË E SHKRUAJNË HISTORIANËT – SI KRISTO FRASHËRI

Pashtriku.org, 09. 07. 2015 – (“Meditime për monografinë e Kristo Frashërit “Ahmet Zogu: Vështrim Historik” Tiranë: Botimet M&B, 2014 ) – Në leksionin me temën “Përse Shqipërisë i duhen “intelektualë publikë'”, që zhvillova në “Qendrën e Studimit të Politikave Europiane për Zhvillimin Rajonal dhe Lokal” në Tiranë këtë vit, me 16 prill, një pjesëmarrës shprehu shqetësimin se në Shqipëri botimet shkencore nuk propagandohen sa duhet. Nuk mund të komentoj se sa bëhet në Tiranë në këtë drejtim. Ajo që di është se, ndërsa prezantimi i librave të prodhuar në masë dhe me cilësi të diskutueshme në Shqipëri është bërë diçka e modës, për monografinë e Kristo Frashërit “Ahmet Zogu: Vështrim Historik”, që u vu në qarkullim nga “Botimet M&B” në Tiranë vitin që kaloi, deri tani, nuk është bërë ndonjë prezantim. Duke parë zallahinë mediatike që bëhet në Tiranë për libra me tema të ndryshme, përfshirë botimet sensacionaliste për ndonjë figurë historike, nga autorë me kredenciale akademike dhe integritet profesional të diskutueshëm, Frashëri nuk e përmbajti dot habinë të përzier me një dozë pezmatimi të ligjshëm për heshtjen e plotë të mediave dhe Tiranës zyrtare ndaj librit të tij për Zogun.
Dhe kjo, në një kohë kur, jo rrallë, mediat shqiptare, të politizuara deri në palcë, turren pas politikanëve që i financojnë kur këta të fundit duket se janë në konkurrencë se kush e kush të arrijë më parë në prezantime librash që kanë për autorë sejmenxhinj, busulla morale e të cilëve anon gjithmonë në kahun e pushtetmbajtësit të radhës.

Përse injorohen veprat e një studiozi skrupuloz si Frashëri dhe trumbetohen me të madhe botime që nuk kontribuojnë në zgjerimin e njohurive apo rritjen e shijeve estetike të lexuesve?
Mos vallë në Shqipëri nuk ka auditor të etur për të kremtuar botime serioze që nuk i bëjnë fllad askujt dhe i qëndrojnë besnik vetëm paanësisë?
Apo ndoshta shkalla e izolimit (më shumë e vetimponuar sesa e diktuar), zemërngushtësia dhe xhelozia akademike kanë arritur në një shkallë edhe më të frikshme dhe të dënueshme se ç’mendohet në këtë kohë kur Shqipëria po vuan një ngërç të stërzgjatur intelektual?
Nuk them që botimet e autorëve të kalibrit të Frashërit t’u nënshtrohen promovimeve bajate, qëllimi i të cilave është mbulimi me lëvdatë sa hipokrite, aq edhe të pamerituara, i autorëve dhe librave që trumbetohen si kanonike, megjithëse të gjithë e dinë, përfshirë autorët, se janë të destinuara për harresë. Po kështu, nuk po rekomandoj që të shkruhen recensa për vepra të dijetarëve cilësore si Frashëri, thjesht meqë paçavure të tjera të botuara lartësohen pa asnjë arsye. Unë do të preferoja që për një vepër cilësore më mirë të mos shkruhej gjë sesa të shkruhej pa cilësi dhe jo për motivin kryesor: pra, propagandimin e dijes pa asnjë kusht.
Pavarësisht pezmatimit të justifikueshëm të Frashërit për harresën dhe injorimin e veprës së tij, ky studiues, ashtu si disa autorë cilësorë në Shqipëri, nuk shkruajnë për t’u vënë re apo për të mbledhur lëvdata. Për këtë kategori studiuesish, vlerësimet e tepruara rezervuar për liliputët letrarë dhe studiues të paskrupujt janë ofendim për intelektin. Ajo që më ka bërë përshtypje në lidhje me indiferencën ndaj studimit të Frashërit për Zogun është heshtja e historianëve.
Historia, si disiplinë shkencore, dhe historianët, si studiues, nuk e kanë pasur asnjëherë të lehtë gjatë gjithë historisë së ekzistencës së shtetit shqiptar. Kjo për shumë arsye, të cilat nuk mund të përmenden të gjitha apo trajtohen në thellësi në këtë shkrim. Fatkeqësisht, historia e Shqipërisë si fushë studimi ka një traditë të palakmueshme; ajo vazhdon të përjetojë një kaos endemik si rezultat i trysnive direkte apo të tërthortë nga politikanë me mendësi ‘monarkësh absolute’. Kjo nuk do të thotë se Shqipëria nuk ka pasur apo nuk ka historianë të mirëfilltë. Frashëri dhe veprat e tij dëshmojnë më së miri se në një situatë të tillë anormale, zëri i arsyes, logjika e ftohtë dhe përkushtimi i paanshëm akademik ndaj së vërtetës, gjithmonë mbijetojnë.
Problemi është se historianët e llojit të Frashërit nuk u vijnë për shtat satrapëve shqiptarë, gjë që shpjegon më së fundi edhe ‘preferencën’ që disa politikanë kanë manifestuar kohët e fundit për historianë të huaj. Për sqarim, nga arsimimi formal, unë nuk jam historian dhe, për pasojë, i ‘pakualifikuar’ të gjykoj një monografi të karakterit historik. Justifikimi im më i mirë se përse po shkel pa leje në një fushë si historia është se, si sociolog, gjithmonë i kam qëndruar konsekuent parimit veberian se historia zë vend primar në çdo studim të shkencave sociale apo humane, veçanërisht ato sociologjike.
Figura historike kontroversale si Zogu shpjegojnë edhe interesin e vazhdueshëm që ata ngjallin, veçanërisht ndër historianë, po edhe autorë të fushave të tjera. Megjithatë, vetëm një historian i paanshëm është në gjendje të japë një panoramë objektive, pa politizuar çështjet, por në të njëjtën kohë pa nguruar t’i thotë gjërat troç, pavarësisht se kujt i pëlqen apo i djeg troçësia. Në këtë drejtim, monografia e Frashërit, megjithëse e shkurtër, është një tekst që do t’ju shërbejë si historianëve dhe studentëve të historisë, ashtu edhe lexuesit të zakonshëm. Frashëri shkruan me një stil joshës dhe gjuhë koncize, ndërsa analiza dhe konkluzionet mbështeten vetëm në dokumente historike të interpretuara me objektivitet. Frashëri, me të drejtë, e vë theksin që në fillim në sajesat që vihen re në literaturën për Zogun. Në këtë drejtim, është e rëndësishme të theksohet se, si çdo politikan me ego të fryrë, edhe Zogu, nëpërmjet historianëve të oborrit, filloi të arnojë pretendime donkishoteskë për gjenealogjinë e tij ‘pejgamberiane’ si pinjoll i vonë i Skënderbeut.
Një ndër meritat e Frashërit në këtë vepër është se ka arritur të trajtojë në mënyrë koncize, pa tendencë, dhe hapur shumë çështje të ndërlikuara dhe sensitive në lidhje me Zogun si njeri dhe politikan, ashtu si edhe pasojat negative afatshkurtra dhe afatgjata të regjimit të tij. Ajo që e bën lexuesin të mendojë dhe reflektojë nga ky libër është se sa të përbashkëta negative ka politika shqiptare në metodat që përdor për të uzurpuar pushtetin dhe për të qëndruar në fuqi me çdo kusht. Kjo, fatkeqësisht, është e vetmja ‘vazhdimësi’ e dukshme në historinë e fragmentuar të shtetit shqiptar gjatë monarkisë absolute, komunizmit totalitar dhe aktualisht demokracisë plutokratike.
Me të drejtë, Frashëri i kushton vëmendje në këtë libër veçanërisht dy momenteve kulmore të regjimit të Zogut që cënuan drejtpërdrejtë dhe rëndë integritetin kombëtar të shtetit shqiptar, sovranitetin territorial, dhe pavarësinë e vendit. Bëhet fjalë për shpërblimin që Zogu i bëri Pashiçit, duke i dhuruar territore nga trungu i atdheut për ndihmën vendimtare të Serbisë në kthimin e tij në pushtet pas Revolucionit të Qershorit (1924), si dhe kapitullimin e regjimit zogist ndaj Musolinit. Largimit i Zogut nga Shqipëria një ditë para pushtimit, çështja e arit që mori me vete në mërgim, si dhe shpërndarja e qeverisë dhe mosorganizimi i saj në mërgim, e bënë Zogun përfundimisht një figurë që nuk mund të gëzonte kredibilitet në planin kombëtar dhe ndërkombëtar për të marrë përsipër drejtimin e rezistencën së Shqipërisë ndaj pushtuesve fashistë dhe nazistë.
Konkluzioni që lexuesi nxjerr nga narracioni i Frashërit për këto aspekte të rëndësishme të regjimit zogist, si dhe për tendencën e Zogut për të mos debatuar me kundërshtarët e tij politikë, eliminimi fizik që Zogu u bëri disa prej tyre, përdorimi nga ana e tij e ryshfetit për të siguruar besnikërinë e sejmenëve në parlament dhe krahina anembanë Shqipërisë për të konsoliduar dhe përjetësuar pushtetin e tij absolut është se ata përkojnë me karakterin e një njeriu që nuk ka asnjë skrupull për të kënaqur egon e tij. Ahmet Zogu në librin e Kristo Frashërit nuk është vetëm një figurë kontroversale apo thjesht negative. Ndër monografitë për Zogun që kam lexuar, kjo është një vepër që merr përsipër dhe arrin të realizojë me sukses identifikimin njëkohësisht jo vetëm të anëve të errëta të kësaj figure komplekse, por edhe aspektet pozitive të regjimit zogist. Frashëri thekson veçanërisht progresivitetin e reformave që u trashëguan nga qeveria e Lushnjes si dhe të reformave që u inicuan dhe përpjekjet e lavdërueshme për aplikimin e tyre gjatë sundimit të Zogut në fushën administrative, juridike dhe arsimore. Përpjekja për të paraqitur me objektivitet figurën komplekse të Zogut dhe regjimin e tij bënë që monografia e Frashërit të veçojë nga shumë vepra të tjera për Zogun të karakterit fund e krye panegjirik, tërësisht demaskues apo thjesht grotesk.
Si çdo historian i mirë, Frashëri e zbulon figurën e komplikuar të Zogut nëpërmjet materialeve arkivorë, dhe një numër botimesh që kanë për autorë vetë Zogun, sejmenë që i thurrën lavde si shpërblim për përfitimet personale, një numër kundërshtarësh (si ata që u pezmatuan me Zogun, pasi ai ua drodhi, ashtu edhe opozitarin-bashkëpunues Konicën, vitrioli i të cilit nuk motivohej thjesht nga hatërmbetje personale), dhe autorë të huaj, veçanërisht studiuesin amerikan Bernd Fischer.
Mënyra se si Frashëri e trajton në librin e tij kontributin e Fischer-it për sa i përket studimit të Zogut dhe regjimit të tij përbën një shembull të shkëlqyer se si studiuesit shqiptar duhet të angazhohen me veprat e kolegëve të huaj. Frashëri e vlerëson objektivitetin e Fischer-it, por edhe ofron kritikë konstruktive në lidhje me ndonjë mangësi në veprën e tij, gjë të cilën e bën jo në mënyrë tendencioze dhe me qëlllim denigrues, por gjithmonë brenda etikës akademike, duke u përpjekur të shpjegojë se çfarë mund ta ketë kufizuar perceptimin e Fischer-it në kohën kur shkroi librin e tij për Zogun, të botuar për herë të parë në gjuhën angleze në vitin 1984. Me qëndrimin e tij ndaj veprës së Fischer-it, Frashëri përcjell mesazhin në kohën e duhur se ndaj studiuesve të huaj nuk duhet të sillemi si inferiorë patologjikë, se studiuesit e huaj kanë po aq të drejtë sa studiuesit shqiptarë të merren me studimin e historisë dhe figurave historike shqiptare, dhe se të gjithë së bashku si studiues mund të përfitojmë nga arritjet dhe mangësitë e botimeve të njëri-tjetrit.
Përfundimisht, mund të them se unë e shijova leximin e monografisë së Frashërit për Zogun. Uroj që ky libër të tërheqë vëmendjen e lexuesve, veçanërisht të brezit të ri, që nuk di shumë për këtë figurë kontraversale, enigmatike dhe ekzotike si për ne shqiptarët, ashtu edhe për të huajt, një personalitet që është nxirë krejtësisht dhe padrejtësisht nga kundërshtarët e tij, si dhe lartuar kohët e fundit në një piedestal të diskutueshëm. Edhe ndonjë mangësi e vogël e këtij studimi si, për shembull, përsëritjet që vihen re aty këtu, veçanërisht në lidhje me dy veprimet antikombëtare të Zogut apo të tre reformave progresive të përmendura më lart, mund të evitohen lehtë në një ribotim të edituar. Këto përsëritje nuk janë gabime stilistikore; ata dëshmojnë dëshirën e Frashërit për të bindur ata që e glorifikojnë plotësisht apo e përçmojnë në ekstrem Zogun se ai nuk është as kundër, as në favor të tij.
Si historian me integritet dhe respekt për historinë si shkencë, qëllimi i parë dhe i fundit i Frashërit është të shikojë nëpërmjet mikroskopit të objektivitetit një figurë që luajti rol të rëndësishëm në fatet e vendit në një kohë kur përpjekjet e intelektualëve në diasporë për të sendërtuar ndërgjegjen kombëtar, për fat të keq nuk infektuan sa duhet drejtuesit e shtetit shqiptar që doli nga rrënojat e një kombi që kishte jetuar të shumtën e kohës ose i pushtuar, ose nën rrezikun konstant të pushtimit për afro 20 shekuj.
Duke lexuar veprën e Frashërit, mendja nuk ka se si të mos të të shkojë në pazarllëkun e viteve të fundit të Tiranës me Greqinë në lidhje me kufirin detar, ryshfetin, që mbetet tipar dallues i kohës tonë po aq se edhe gjatë regjimit zogist, dhe parlamentin shqiptar, dikur një instrument oborri, ndërsa sot një kuvend kunatash grindavece të diplomuara në vulgaritet. Monografia e Frashërit duhet t’ju shërbej si paralajmërim drejtuesve të Kosovës që të mos sillen si sekserë prostitutash në kurriz të vendit tani kur po diskutohen kufijtë. Asnjë kompromis me serbët dhe malazezët nuk vlen po që se për çmim ka tkurrjen e mëtejshme të trojeve. Çdo kompromis i tillë ka vetëm një emër: tradhëti kombëtare.
Thuhet se Çërçilli dikur ka thënë se Ballkani gjeneron më shumë histori se ç’mund të përtypë. Ndoshta. Është me vend të kujtojmë këtu edhe klishenë se historia përsëritet ngaqë njerëzimi nuk nxjerr mësime nga gabimet. Kjo është e vërtetë, veçanërisht për gadishullin Ballkanik. Por gjërat duhet dhe mund të ndryshojnë, veçanërisht në Shqipëri. Një mënyrë për të sjellë këtë ndryshim është tua besosh historinë historianëve. Të kuptohemi drejt: historianëve që nuk kanë çmim. Libri i Frashërit për Zogun tregon se ka të tillë.
___________________
– Kush është Gëzim Alpion –
– Gëzim Alpion
u lind në Peshkopi më 1962. Ai ka studiuar në Kajro për BA dhe MA, dhe në 1997 mbrojti doktoratën në Universitetin e Durhamit. Ai ishte lektor në Universitetet e Huddersfield, Sheffield Hallam, dhe Newman përpara emërimit në vitin 2002 në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin e Birminghamit (http://www.birmingham.ac.uk/index.aspx) ku aktualisht është Drejtor i Programeve të Kombinuara në Shkollën e Qeverisjes dhe Shoqërisë. Alpion është anëtar i bordit të disa revistave shkencore, përfshirë ‘Celebrity Studies’, që botohet nga Routledge. Fillimisht ai tërhoqi vëmendjen e mediave britanike me botimin dhe vënien në skenë në disa qytete angleze të dramave ‘Vouchers: A Tragedy’ (2001) dhe ‘If Only the Dead Could Listen’ (2008). Monografia ‘Mother Teresa: Saint or Celebrity?’ është botuar në gjuhën angleze nga Routledge në Londër dhe New York (2007), New Delhi (2008), dhe në gjuhën italiane nga Salerno Editrice në Romë (2008). Kjo vepër dhe vëllimet me esë ‘Foreigner Complex’ (2002) dhe ‘Encounters with Civilizations: From Alexander the Great to Mother Teresa’, botuar në Indi (2008) dhe Amerikë (2009 dhe 2011) nga Transaction Publications, janë vlerësuar shumë nga kritika akademike. Autor i një numri studimesh në revista shkencore dhe përmbledhje akademike, Alpion konsiderohet si eksperti më autoritar për Nënë Terezën në gjuhën angleze. Ai ka botuar artikuj në disa gazeta ndërkombëtare si ‘The Guardian’, ‘Hindustan Times’, ‘The Middle East Times’, and ‘The Hürriyet Daily News’.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

MIRËNJOHJE …

Vëllezërit Blend dhe Eris Ejupi dhurojnë shtatë laptopë (Macbook) për nevojat e shkollave të Podujevës Nga Alketa Zejnullahu…