DR.JAKUP KRASNIQI: A PO RRËSHQET DEMOKRACIA JONË NË TIRANI!

Prishtinë, 21. 10. 2015: Në të gjithë librat që merren me shpjegimin e fjalës demokraci zakonisht atë e shpjegojnë si sundim të popullit që në të shumtën interpretohet edhe si sundim i shumicës. Ky sundim i shumicës qytetare i quajtur demokraci ka kaluar në tri faza të mëdha të historisë: a) demokracia e drejtpërdrejt e qytet-shteteve (Greqi – Romën e vjetër), b) demokracia e tërthortë deri në vitin 1905, kur delegatët e zgjedhur nga zgjedhësit, caktonin deputetët e Parlamentit (Kuvendit) dhe c) demokracia përfaqësuese që del nga zgjedhjet e lira parlamentare (pas vitit 1905). Në demokracinë parlamentare, kanë pushuar zgjedhjet e tërthorta për Parlament, por vazhdohet me zgjedhjet e tërthorta për ekzekutivin i cili del nga votimi i shumicës parlamentare 1 (Knut Midgaard & Bjorn Erik Rasch; Demokracia – kushtet dhe pasojat, faqe 12). Në demokracinë parlamentare, ku qeveria zgjidhet nga Parlamenti (Kuvendi), formalisht ekziston mundësia për t’ia marrë besimin një qeverie e cila qeverisë keq, por në demokracitë e brishta, një gjë e tillë nuk ndodh. Kjo nuk po ndodh as tek ne.
Duke e parë se si po trajtohet vullneti i kombit nga qeveritarët tanë, e në mënyrë të veçantë sa i përket sovranitetit të vendit tonë, na përkujton konstatimin e A. D. Tokvilë, i cili thoshte: “Vullneti kombëtar është njëra ndër fjalët të cilën e kanë shpërdorur më të madhe intrigantët dhe despotët e të gjitha kohëve 2”. (Mbi demokracinë në Amerikë, faqe 57).

Nuk ka asnjë dyshim, se pas zgjedhjeve të tetë qershorit 2014, edhe despotët tanë në mënyrën më flagrante e kanë shpërdorur vullnetin e kombit, në emër të cilit po marrin vendime në dëm të së ardhmes së tij, dhe kjo sidomos po shihet me marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, për faktin se janë nisur nga premisat e gabuara, për këtë të fundit.
Demokracinë apo shtetin demokratik, Platoni e shihte si një formë të diktaturës së butë në të cilën do të sundonin mbretërit filozofë 3 (andrew heywood; politika, faqe 13) dhe filozofët ishin njerëzit më të urtë të Athinës apo qytet-shteteve në Greqinë Antike dhe Romën e lashtë. Ndërsa në shekullin tonë, demokracia është një sistem i avancuar, qëllimi i të cilit është për të penguar tiranin dhe për t’i ndihmuar vendimet e drejta, që në perspektivë ajo të ndihmonte marrjen e vendimeve kolegjiale 4 (Midgaard & Rasch, f. 15) në shërbim të kombit apo qytetarëve. Siç po shihet në kohën tonë, demokracia duhet të shërbej për të krijuar një konsensus për çështje të një rëndësie kombëtare. Ndërsa sa u përketë çështjeve që shkojnë përtej një mandati qeverisës, duhet të jenë të hapura në atë mënyrë që të gjithë pjesëmarrësit t’i kenë mendimet dhe propozimet e tyre. Këtu duhet llogaritur pesha e argumentit e në asnjë mënyrë forca e votës apo ndonjë mënyrë tjetër 5 ( po aty), si zakonisht e kemi parë gjatë këtyre viteve në Kuvendin tonë.
***
Nga kjo që u tha del se për të pasur institucione funksionale, të besueshme e demokratike është e domosdoshme që të sigurohet integriteti dhe legjitimiteti i Sistemit Zgjedhor 6 (po aty . 58).
Ne kemi pasur zgjedhje që janë vlerësuar si të “rregullta”, por vërtetë, sa kanë qenë të tilla?!
Sa besojnë qytetarët tanë, se vërtetë zgjedhjet ishin të rregullta?
Mënyra se si po qeveriset, si janë të ndara e të balancuara pushtetet, si po funksionojnë institucionet e pavarura, e në veçanti Sistemi i Drejtësisë, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese, le për të dëshiruar shumë, madje tepër shumë. Jo vetëm kaq, por gjatë këtyre viteve të lirisë, të pavarësisë e të demokracisë, a mund të themi se pushtetet i kemi të ndara, a mund të themi se, institucionet e pavarura kushtetuese janë të pa kapura politikisht?
Se demokracia jonë po rrëshqet në një tirani e cila nuk është si “diktatura e butë” e Platonit, e cila duhej të udhëhiqej nga “mbretërit filozof”, përkthyer në realitetin tonë, donë të thotë, nga njerëz të ditur, që dinë të qeverisin në të mirë të qytetarëve. Konsideroj që është e qartë për një numër të rëndësishëm të qytetarëve tanë, por çështja shtrohet: A ka politika jonë, vullnet politik për të marr seriozisht, ndërtimin e shtetit të së drejtës? Qofsha i gabuar, por unë nuk po e shoh ketë gatishmëri, pasi demokracinë, mashtruesit nuk e kanë asnjë predispozitë që ta instalojnë në qeverisjen e vendit.
__________
Referencat:
1. Knut Midgaard&Bjorn Erik Rasch; Demokracia -kushtet dhe pasojat, Rozafa, Prishtinë 2008, faqe 12.
2. A. D. Tokvilw: Mbi demokracinë në Amerikë, Dukagjini, Pejë 1998, faqe 57
3. andrew heywood; politika, Brezi ’81, Prishtinw 2008, faqe 13.
4. Midgaard & Rasch, Libri i cituar, f. 15.
5. Po aty.
6. Po aty

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura