Pashtriku.org, 29. 11. 2014 – (Strasburg, 27 nëntor – Deputetja e Parlamentit Evropian Tanja Fajon ka vlerësuar se Rezoluta për të akuzuarin e Hagës, Vojisllav Sheshel, e cila është aprovuar sot, është “hedhje e zjarrit në kashtë”, transmeton FoNet.) Duke paralajmëruar se nuk do ta nënshkruajë Rezolutën, Fajon ka vlerësuar se me aprovimin e saj “po u përgjigjemi provokimeve të Sheshelit dhe po ndikojmë që mediat t’i kushtojnë vëmendje, pikërisht në kundërshtim me atë se si do të mund të reagonim”. “Unë do të vazhdoj të përpiqem për përkrahjen e Serbisë që të realizojë përparimin sa më të shpejtë dhe reformat e nevojshme, që edhe më tutje të kultivojë marrëdhëniet e mira me shtetet fqinje, sidomos me Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë dhe me Maqedoninë”, ka theksuar Fajon. Kjo agjenci nuk përmend nëse Fajon ka përmendur edhe Kosovën, si një shtet me të cilin Serbia duhet të përmirësojë marrëdhëniet. /Koha.net/
Kështu po shkruajnë mediet sot./28.11. 2014/
E nderuara eurodeputete Fajon,
Fillimisht dëshiroj të të falënderoj për angazhimet tuaja në Parlamentin Europian dhe të ndërtimit të marrëdhënieve të mira të PE-së me Kosovën dhe Shqipërinë, përkatësisht me Kuvendet e këtyre vendeve. Neve na vije mirë që Ju angazhoheni dhe e përkrahni Serbinë për të ndërtuar marrëdhënie të mira me vendet fqinje, të cilat i përmendni edhe veç e veç. Por në mesin e vendeve fqinje nuk e përmendet Kosovën e cila është vend fqinjë si të gjitha vendet tjera të Ballkanit Jugperëndimor. Ky fakt me ka habitur goxha shumë, për faktin se e njoh angazhimin tuaj në PE për Kosovën e pavarur, të cilën pavarësi e ka vlerësuar pozitivisht edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Veç kësaj Republika e Kosovës është e njohur nga Republika e Sllovenisë. Marrëdhëniet e mira me Sllovenin janë edhe më të hershme. Madje edhe Parlamenti Europian, është institucioni i parë i BE-së që e ka njohur pavarësinë e shtetit të Kosovës dhe ka ndërtuar marrëdhënie bilateral me Kuvendin e Kosovës. Puna e të cilit është vlerësuar nga eurodeputetet e ngarkuar për bashkëpunim me të gjitha vendet e Ballkanit Jugperëndimor.
– Eurodeputetja Tanja Fajon –
Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, ka pasur takime zyrtare me të gjithë Kryetarët e PE-së. Pastaj kemi pasur për shtat vite takime pune të përbashkëta, si me të gjitha Kuvendet tjera të rajonit tonë. Si në kohën kur Komisioni i PE, për bashkëpunim me vendet e rajonit tonë është udhëhequr nga eurodeputetja Doris Pack dhe më pas nga eurodeputeti Eduard Kukan. Drejtuesit e Komisionit i falënderoj shumë për bashkëpunimin që kemi pasur për shtat vite me radhë. Përveç këtyre, pas çdo takimi kemi nxjerrë Deklarata të përbashkëta të dakorduara.
Unë dëshiroj që mos përmendja e emrit të Kosovës (fqinji i Serbisë me të cilen ajo ka marrëdhënie më të ndërlikuara), është një harresë e rastit!
Shpresoj që të jemi mirëkuptuar.
Ish Kryetari i Kuvendit të Kosovës e tani deputet,
Dr. Jakup Krasniqi
Prishtinë, më 29.11.2014
………………………………………………………………..