Prishtinë, 26. 11. 2015: Kryeministrat e Kosovës që kanë biseduar që pesë vite në Bruksel me Daçiqin e më pas me Vuçiqin, është mirë që t’i tregojnë qytetarëve të Kosovës: A kanë biseduar në Bruksel me Serbinë për UJMANIN (Gazivodën) dhe pasuritë e tjera të Kosovës. Sigurisht që ai as për Trepçën nuk mendon ndryshe.
Nëse kanë folur, a ua kanë bërë të ditur, Vuçiqit, Daçiqit e bashkëpunëtorëve të tyre se deri ku shtrihen kufijtë e Kosovës? Nëse ua kanë treguar në ato bisedime se deri ku janë kufijtë e Kosovës, dhe nëse i kanë normalizuar marrëdhëniet me Serbinë?! Atëherë si shpjegohet fakti që Gjuriqi një zyrtar i lartë i Serbisë të deklaroi, edhe pas “normalizimit” të marrëdhënieve me Serbinë, të deklaroi: “Absolutisht. Gazivoda është e jona ( thotë Gjuriqi – nënvizimi im) dhe e jona do të mbetet” , transmeton portali serb “Kurir”, përcjell Koha.net.
Ndërsa kohë më parë shefi i tij, Vuçiqi, pas refuzimit që Kosova të anëtarësohej në UNESCO dhe të deklarimit të zyrtarëve të Kosovës, se kishte marrëveshje që Serbia mos ta pengonte Kosovën në anëtarësimet në organizmat ndërkombëtar, ai do të thotë me mburrje: “Kjo edhe ka qenë njëra nga arsyet pse nuk kam dashur të pranohej propozimi i parë i Marrëveshjes së Brukselit në të cilin shkruante se ne duhej ta përkrahnim hyrjen e Kosovës në OKB. Të gjithë ministrat tjerë, pos Vulinit dhe meje, kanë qenë që të pranohej kjo pikë, edhe Daçiq e të tjerë kanë qenë atëherë për. Unë kam thënë se kjo nuk vjen në konsiderim. Edhe kur erdhën presionet, unë kam thënë se Beogradi nuk do ta pranojë këtë”.
Se qeveritarët serbë, nuk janë të gatshëm t’i normalizojnë marrëdhëniet me Republikën e Kosovës, është edhe fakti, se Kryetari i Serbisë as ka treguar ndonjë interesim për tu përshëndetur me Kryetaren e Kosovës, zonjën Jahjaga në takimin e Samitit të Bërdos në Kroaci. Ndërsa në fakt refuzimi me qeveritarët serbë, do të duhej të vinte nga qeveritarët tanë. Nga kjo duhet të mësojnë kryetarët tanë dhe të tregojnë më shumë dinjitet në ato takime!
Më poshtë po ua afrojmë atë që mediat tona raportuan për fjalën e Gjuriqit.
Gjuriq: Gazivoda është e jona dhe e jona do të mbetet
25 Nëntor 2015
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka deklaruar sot se hidrosistemi i Gazivodës, i cili gjendet në Zubin Potokut në veri të Kosovës, është me rëndësi të jashtëzakonshme, se është i yni dhe se i yni do të mbetet.
Gjuriq , pas vizitës në hidrocentralin dhe në pendën e liqenit në Gazivodë, ka deklaruar se hidrosistemi i Gazivodës ka rëndësi të jashtëzakonshme si nga aspekti ekonomik ashtu dhe ai politik dhe se ai ka potencial të madh zhvillimor.
Në pyetjen nëse Beogradi mbetet te qëndrimi se nuk do ta dorëzojë pronësinë e Gazivodës te Prishtina, Gjuriq është përgjigjur: Absolutisht. Gazivoda është e jona dhe e jona do të mbetet , transmeton portali serb “Kurir”, përcjell Koha.net.
“Nuk duhet ta theksoj shumë se sa i rëndësishëm është ky liqen për ne dhe pse kryeministri Vuçiq është fuqimisht në politikën e ruajtjes së pasurisë sonë, përfshirë edhe Gaziovodën”, ka thënë Gjuriq duke shtuar se Qeveria e Serbisë ka dëshirë që plani për turizmin vendor të shfrytëzohet edhe në territorin e Kosovës .
“Potenciali i këtij liqeni për turizmin është xhevahir për veriun Kosovës”, tha Gjuriq i cili pasi tregoi se cilat komuna të Kosovës furnizohen me ujë nga Gazivoda, tha se dy të tretat e liqenit gjenden në Kosovë e një e treta në Serbi.