FATMIR GJYRIQI: SHQIPTARËT DREJT ËNDRRËS EUROPIANE!

Pashtriku.org, 22. 10. 2013 – (Historia e një vuajtjeje) – Duke filluar me dyndjet sllave të shekullit të VI dhe të VII, më pas me shpërnguljet masive në kohën e arbëreshëve e deri në vitet e trazuara të tranzicionit dhe luftës së Kosovës, emigracioni shqiptar ka një histori plot dhimbje, vuajtje, suksese dhe nostalgji. Të detyruar për tu “shtyrë” brenda territoreve të tyre, apo për të lënë vendin e tyre shumë shqiptarë kanë lëshuar rrënjë në vende ku ata ndoshta nuk kishin dashur apo nuk duan të jenë, por fati i dhimbshëm i tyre ua detyroi. Lindin, rriten, arsimohen, dashurojnë dhe dashurohen, por edhe integrohen në shoqëri, që shumë herë nuk janë edhe aq mikpritëse sa ç’duken. Ndërkohë fati dhe malli për truallin e humbur bën, që një pjesë e brendshme e shpirtit të tyre të mbetet përgjithmonë në atdhe. Qëndrueshmëria apo luhatjet e kësaj ndjenje apo dhimbjeje për secilin janë relative dhe sa konstruktive apo e vlefshme është kjo për veten, familjet apo për atdheun e tyre, është pyetje që ngelet pa përgjigje.
Duke qenë pjesë e pandashme gjeografike dhe historike e Europës në 20 vjeçarin e fundit integrimi europian është kthyer në qëllimin e përbashkët të shqiptarëve, i cili pavarësisht realiteteve të ndryshme ku ata jetojnë i bashkon në rrugën e mundimshme drejt saj. Ky integrim europian përmban në vetvete edhe shpresën e pashuar për të bashkuar trojet etnike. Ky qëllim u përforcua pas pamundësisë për të realizuar bashkimin e tyre në mënyrë direkte, duke u bazuar tek parimi i të drejtës së popujve për vetëvendosje. Tek shqiptarët brenda vendit, ana politike e integrimit europian, interpretohet vetëm si nje aspekt teknik, i cili merr zgjidhje me liberalizimin e vizave. Në këtë interpretim të gabuar kanë ndikuar reklamimi i një jete luksose dhe shpeshherë jo reale nga një pjesë e emigranteve, si dhe papërgjegjshmëria e politikanëve shqiptarë, e shoqëruar kjo edhe me kontributin e pamjaftueshëm të mediave. Emisionet edukative, qoftë për fëmijë apo edhe për të rritur të Radio Tiranës apo mjaft dokumentare dhe programe artistike të Televizionit Kombëtar Shqiptar me qëllim informimin e opinionit publik mbarëshqiptar ndikuan në rritjen e ndërgjegjes kombëtare. Fatkeqësisht në vitet e tranzicionit dhe të pasluftës së UÇK-së këto emisione ja lanë vendin programeve “argëtuese”. Mundësia e informimit përmes tyre, për shkak edhe të politizimit të tepruar, lë për të dëshiruar. Shqiptarët në emigracion të ndodhur nën trysninë e vazhdueshme të dy kulturave dhe realiteteve të ndryshme, përballen me integrimin në kontekstin social të përshtatjes me gjuhën, kulturën, tregun e punës dhe legjislacionin e shoqërive ku ata jetojnë. Malli për vendin e lënë pas, trauma kombëtare apo edhe ajo personale e shoqëruar shumë herë edhe me pamundësinë ekonomike për të ngushëlluar vetveten me një status ekonomik më të lartë sesa të bashkëkombësave të tjerë, bëjnë që kontaktet sociale në vendet ku ata jetojnë të jenë të vakëta. Këtë boshllëk social nuk e mbushin as edhe kontaktet farefisnore apo ato me bashkëkombas të tjerë, marrëdhëniet me të cilët shpeshherë mbizotrohen nga smira dhe mendjemadhësia. Shfrytëzimi jo vetëm financiar, por edhe ai shpirtëror, i shoqëruar ky edhe me një ndasi dhe konfliktualizëm karshi bindjeve të kundërta politike, i motivuar nga individë dhe parti politike nga vendi i origjinës, vetëm sa e ka thelluar këtë hendek. Për shumë vite me radhë vendin e organizimeve arsimore apo kulturore e kanë zënë takime politike, që organizohen nga “bajraktarë” emigracioni me lidhje farefisnore apo interesash ekonomiko-politike me të parin e partisë. Organizime të tilla, që për nga natyra përpiqen të imitojnë “logjet e burrave”, ku i pari i fisit flet dhe të tjerët nga frika e trajtimit si një dele e zezë, ia bëjnë amin, ia pamundësojnë emigrantit shqiptar dhënien e mendimit të lirë, proces ky që ndoshta falë kontakteve me shoqërinë perëndimore ku ai jeton, është në formim e sipër. Më tej mendimi politik mbetet në kuadrin e drekave apo kafeve sporadike, të nesërmen e të cilave nuk mbahet mend se për çfarë është folur. Edhe pse kalvari i vuajtjeve të mosintegrimit apo mungesës së dokumenteve dhe lejes së punës një ditë merr fund, mungesa e një jete të pasur sociale bën që dhimbja e shkaktuar të lërë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e emigrantit shqiptar. Kështu ai nuk izolohet vetëm ndaj vendit dhe familjes së tij, por shpeshherë në mënyrë të vetëdijshme edhe ndaj vetvetes. Kjo ka bërë që emigracioni shqiptar të fragmentarizohet dhe gjetja e një emëruesi të përbashkët të bëhet gjithnjë e më e vështirë. Sukseset individuale të disa individëve, të cilët falë mbështetjes familjare, arsimimit, punës dhe zotësisë së tyre e kanë gjetur veten dhe kanë shkruar histori suksesi, nuk e zvogëlojnë aspak problematikën e lartpërmendur, pasi shumë të tjerëve nuk u ka buzëqeshur i njëjti fat.

Shumë nga ata, që kanë patur një fëmijëri të vuajtur ekonomikisht mbajnë mend që pothuajse gjithmonë në trastën që prindërit mbanin me vete, ata na sillnin bukë ose libra. Prandaj nuk ka se si të mos jetë e vërtetë thënia e tyre: -„kur e ke barkun bosh nuk mëson dhe s’ka si të të lindin as ide“. Duke jetuar në një jetë sociale ku diskutohet, qoftë edhe me nota të larta, mungesa e një sigurie relative ekonomike i ka bërë shqiptarët në vendin e tyre më të plogët se ç’duhet. I mbyllur ne labirintin e diskutimit dhe debatit pa fund ai vetëm zgjidhje nuk gjen. Horizonti i ngushtë dhe paaftësia për të dalluar malet përtej luginës bën, që individët, të cilët ofrojnë zgjidhje logjike apo qoftë pjesërisht të drejta të shikohen si gënjeshtarë dhe matrapazë. Pjesa dërrmuese kanë mbetur në një pllajë të rrethuar me male, nga ku rrezja e shikimit vetëm sa ngushtohet dita-ditës. Realitetet dhe botët e ndryshme shpirtërore ku ata jetojnë i kanë larguar ata aq shumë nga njëri-tjetri, sa të qenit shqiptarë nuk arrin ti bashkojë.
Ndërkohë që situatat në vendin tonë ndryshojnë me ditë dhe zhvillimi, mjerimi apo kaosi ekonomiko-social vetëm sa shtohet ose ndryshon formë, në kujtimet e emigrantit mbetet një imazh i shkuar i vendlindjes, i parë ndoshta me nuanca të theksuara nostalgjike. Fakti që politika apo të bërit politikë nuk ia cënojnë jetën e përditshme, e bëjnë atë më të guximshëm apo “largpamës“ në trajtimin e problemeve ditore të vendit, çështje në të cilat jo vetëm parlamentarët, por sidomos elitat tona akademike jo rrallë herë kanë dështuar.
Për shqiptarët që jetojnë në atdhe, mërgata është një masë e paditur, e cila ka humbur kontaktet me realitetin dhe nuk e njeh situatën e vërtetë në vend. Ajo cilësohet si naive, romantike, “patriotike” si dhe e paaftë të konceptojë mungesat apo problemet që ka vendi. Për këtë arsye ajo nuk dëgjohet ose mendimet e saj në mënyrë sistematike nënvleftësohen, madje shpeshherë ajo nuk ka as të drejtën për të dhënë mendime. Krejt e kundërta ndodh kur flitet për të ndihmuar ekonomikisht. Në rastet kur mërgata nuk është e sigurtë në projekte shpeshherë korruptive dhe pa interesa ekonomike, ajo “preket” pikërisht me argumentat e lartpërmendur, me të cilët ajo është përqeshur deri më parë. Dëshira e theksuar për të drejtuar, qoftë edhe aty ku nuk zotërohet dija dhe arsimimi përkatës, ku nuk ka interesa personale, por thjeshtë një dëshirë e pakontrolluar për të penguar të tjerët, është kthyer në sportin më të dashur popullor të shqiptarëve. Ligë kjo e vetme, e cila arrin ti bashkojë shqiptarët pa dallim krahine, bindjeje politike apo feje. Kjo ka sjellë një klimë mosbesimi, saqë ata dita-ditës vetëm sa i largohen njeri-tjetri dhe realizimi i projekteve të përbashkëta bëhet i pamundur.
Pjesëmarrja aktive e shqiptarëve nga të gjithat trevat dhe mërgata në Luftën E UÇK-së, si dhe pritja vëllazërore e të shpërngulurve të saj në të gjitha trevat shqiptare bashkë me mbështetjen indirekt të shtetit shqiptar, përforcojnë idenë, që kombi ynë në rast rreziqesh di të mbrohet dhe bashkohet. Ironik është fakti, që me kalimin e rreziqeve ky afrimitet shuhet. Duket se gjuha e përbashkët dhe ndjenja e atdhedashurisë nuk mjaftojnë për ti bashkuar ata në kohë paqeje. Kështu ata nuk janë bashkë kur festohet ngritja e flamurit, kur duhet të mbrojnë të drejtën e tyre për bashkimin e trojeve shqiptare dhe as kur mësojnë gjuhën e tyre amtare. Në shumë vende të perëndimit shkollat e Gjuhës Shqipe funksionojnë akoma sipas marrëveshjeve ndërshtetrore të kohës së ish- Jogusllavisë dhe në shumicën e rasteve drejtohen nga mësues me origjinë nga Kosova dhe Maqedonia. Përgatitja e pamjaftueshme, politizimi i mërgatës, hezitimi, pamundësitë idividuale bashkë indiferentizmin e Shteti Shqiptar ka bërë që këto shkolla të mos kthehen në qendra të shqiptarizmës.
Ironia e fatit
“Në një bodrum të errët në rrugën e zymtë Hudson, Boston, Sotir Peci filloi atë vit (1906) botimin e përjavshëm të gazetës Kombi me të ardhurat e punës së tij të krahut, – në atë kohë ai ishte punëtor fabrike për arsye të mosnjohjes së anglishtes, – dhe me disa kontribute vullnetare nga një grup shqiptarësh. Njerëzve të cilëve ua dërgoi gazetën, në fillim falas, u erdhi çudi nga kjo punë; ata jo vetëm që s’kishin parë gazetën shqip, por ishin fare analfabetë. Rrjedhimisht, z. Peci, që ishte njëkohësisht redaktor, drejtues dhe shtypës, u detyrua të shkonte e të shpjegonte vetë se ç’ishte në të vërtetë ajo copë kartë. Nga 5.000 shqiptarë që llogariten të kenë qenë në atë kohë në Shtetet e Bashkuara, as njëzet nuk bëheshin që dinin shkrim dhe këndim (marrë nga “The Albanians: An ethnic history from pre-historic times to the present” E. Jacques; cituar nga Moody prill 1989, f.78).
Për ta shtypyr Kombin duheshin tre njerëz: Peci, Noli dhe një hallkë tjetër e rëndësishme e zinxhirit, Efthim Naçi. Ky ishte njëkohësisht radhitësi, “djalli i shtypit” dhe pompuesi i makinës së shtypshkronjës. Ajo ishte një shtypshkronjë e veçantë, që vihej në punë me anë të lëvizjes me këmbë. Pa përfytyroni, nëse mundeni, Nolin në të djathtë duke ushqyer makinën me letër, Eftimin në mes duke pompuar me sa fuqi kishte që makina të shtypte faqet dhe Pecin në të majtë që nxirrte prodhimin përfundimtar. Eh ç’ditë të lumtura ishin ato (marrë po nga E. Jacques; cituar nga Broun 1989, f.33)!
„Biri i shqiptarit është bashkëpatriot i Skënderbeut, trashgimtar i fortë si shkëmbi, që i përket një rrace luftarake dhe gjithmonë të pamposhtur! I shpejtë, energjik, skeptik, gjithnjë në lëvizje dhe nuk e duron dot mbikqyrjen. Për të mbi gjithcka tjetër është LIRIA.“ (Arthur John Evans 1877)
A thua ta ketë patur fjalën vetëm për të parët tanë, te cilët kush më pak dhe kush më shumë, brenda apo jashtë trojeve të tyre kontribuan për vendin e tyre? Shembujt e shoqatave kulturore shqiptare si ajo Bashkimi, Drita apo Vatra e kanë zënë shoqata fitimprurëse, të cilat përveç djersës dhe kontributit social të emigrantëve, plaçkisin edhe ndonjë fond jo të vogël, të dhënë nga organet përkatëse të vendeve mikpritëse për integrimin, ruajtjen e kulturës dhe traditës së anëtarëve të tyre dhe jo për pasurim të drejtuesve të shoqatave. Ata kujdesen vazhdimisht që edhe emrat apo simbolet e këtyre shoqatave ti gërshetojnë me iniciale apo simbole, që jo vetëm të tregojnë “integritetin” ndaj vendeve ku jetojnë, por njëkohësisht të shprehin edhe një dozë qoftë edhe të vogël “patriotizmi”, të cilin e shpalosin sa herë u duhet. A nuk është për të qarë! Me cilët nga personazhet e mësipërme duhet ti krahasojmë ata?
Që në fillimet e viteve ‘90 të shekullit të kaluar, në shumicën e rasteve disa nga familjet shqiptare “përzgjodhën” emigrantin e sotëm nga numri relativisht i bollshëm i anëtarëve të familjes, për ta dërguar në perëndim si krah pune. Emigranti duke u vetëmohuar financoi ndërtimin e kullave 2 apo 3 katëshe në vendlindje, në të cilat ai sot është pa pjesë. Grupimet politike të vendit janë kujdesur në mënyrën më të zellshme për të minuar të tashmen dhe të ardhmen e emigrantëve të sotëm. Dikë duke e ndarë nga familja, dikë duke e ndarë nga e dashura apo ëndërrat e rinisë dhe shumë prej tyre duke i lënë edhe më të pashkollë se ç’kanë qenë. Shtetet informale që ata kanë ndërtuar nuk e mbrojnë emigrantin nga kompanitë fantazmë të siguracioneve apo udhëtimit, nga kontrollet e doganave, dhe as nga gjobat e shumta të policëve vendas dhe atyre të huaj, të cilët bashke me punotëret e shërbimeve të tjera shtetërore, mezi presin të marrin “pjesën” e tyre nga djersa dhe mundi i emigrantit. Ndërkohë që shumica e shtëpive apo bizneseve të ndërtuara nga emigrantët në vendlindje u shkatërruan nga lufta ose nga organet komunale për “mungesë së lejes së ndërtimit”, mbrojtjen e të cilave ua pati premtuar politikani vendas, sarajet apo biznesi i këtyre të fundit lulëzojnë. Ata jo vetëm që janë pasuruar, por edhe veten, gruan dhe fëmijët e tyre i kanë “shkolluar” në universitetet e shumta që ata kanë sot. Shumë përpjekje për rikthim apo pjesëmarrje të intelektualëve të diasporës në projekte të vendit të tyre janë injoruar duke ua përqeshur atyre qoftë arsimimin në vend, apo atë jashtë vendit.
Revoltë dhe zhgënjim
E drejta e popullit shqiptar për të bashkuar trojet e veta e deklaruar njëzëri nga i gjithë populli shqiptar në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit edhe pas luftës së UÇK-së mbeti përsëri një aspiratë e së ardhmes. Duke qenë se qeveritë shqiptare të Tiranës në shumicën e rasteve janë mjaftuar me faktin, që kjo e drejtë eshtë e mbrojtur me kushtetutë dhe partitë politike, të cilat dolën nga rradhët e UÇK-së u detyruan ta moderonin këndvështrimin e tyre, lindja e lëvizjeve të reja politike si “Vetëvendosje!” në Kosovë apo “Aleanca Kuq e Zi” në Shqipëri, u pa si rreze shprese. Duke përdorur mitin e “Bashkimit Kombëtar” ato tërhoqën vëmendjen e opinionit publik mbarëshqiptar dhe arritën të bëheshin alternativa konkuruese politike si dhe të fitonin përkrahjen e pakufizuar të mërgatës shqiptare.
E drejtur nga ish-organizatori i demostratave të studentëve dhe nga një prej “revolucionarëve” të fundit të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje! u krijua dhe u mbijetoi të gjitha represioneve të qeverisë, UNMIK-ut, EULEX-it, por edhe stigmatizimeve të pabaza të kundërshtarëve politikë apo të ndërkombëtarëve, të cilët janë mësuar tashmë ta qeverisin Kosovën me një grusht politikanish të blerë. Falë devijimit të idealeve dhe punës së pamjaftueshme të klasës politike në Kosovë, Albin Kurti, i cili në fillimet e veta ngjasonte më tepër me një “të panënshtruar” të viteve ’68, arriti brenda një kohe të shkurtër të bëhej faktor jo vetëm sigurie, të cilën ai “shkundi” disa herë, por edhe në mendimin e pavarur në trevat dhe mërgatën shqiptare.
Albin Kurti ka ditur të sillet si shpëtimtari “Skënderbe”, vizionari “Aleksandër i Madh” apo edhe si “Bonaparti-shqiptar” në mesin e demonstruesve të vet dhe ia ka arritur të mbajë larg çdonjërin, i cili nuk i është nështruar “diktatit” të Lëvizjes së tij. Shumë prej atyre, që nuk iu ofruan në mënyrën që ai deshi, ai nuk ua mundësoi kurrë një mundësi të dytë, qoftë edhe për një autogram apo fotografi për “facebook”. Por koha tregoi që përpjekjet e tij për ta paraqitur “Bashkimin Kombëtar” dhe bashkëpunimin e ndërsjelltë Shqipëri-Kosovë si bosht kryesor të punës së Lëvizjes nuk kanë qenë të mjaftueshme. Ai me Lëvizjen e tij jo vetëm që nuk arriti të “fuste këmbët” në asnjë prej qyteteve të Shqipërisë, por nuk mundi as ti shtrijë dorën dhe të bashkëpunojë me asnjë lëvizje apo forcë të ngjashme politike në Shqipëri. Mosmarrja pjesë e saj në tryezat e mëdha politike, apo mosorganizimi prej saj i takimeve me akademikë dhe intelektualë të pavarur si në mërgatë, Kosovë dhe në Shqipëri, bashkë me mungesën e saj në festimet e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, përforcojnë edhe një herë faktin se kësaj Lëvizjeje i mungojnë potencialet e duhura, për të realizuar programin e vet. Pavarësisht se në Kosovë dhe Shqipëri ka jo pak intelektualë dhe punëtorë, të cilët mosha apo vorbullat nepotike të punësimit në organet shtetërore i kanë mbajtur larg, në asnjërën nga platformat qeverisëse të Vetëvendosjes nuk shihen gjurmët e punës së këtyre specialistëve apo e grupeve të përbashkëta përkatëse të punës. Përveç tranzicionit të mundimshëm, fillimi i viteve ’90 solli edhe dyndjet e para të studentëve nga Kosova, të cilët me mbarimin e luftës u angazhuan jo vetëm në sferat ekonomike dhe politike, por edhe në ato akademike të Kosovës. Ata vazhdojnë edhe sot të ruajnë kontaktet qoftë miqësore apo akademike me kolegët e tyre në Shqipëri. Po ashtu në Shqipëri ka një numër të konsideruar mësuesisht dhe pedagogësh, të cilët jo vetëm që kanë ligjëruar në ambientet arsimore dhe akademike të Kosovës në kuadrin e shkëmbimeve të viteve ’70, por që këtë bashkëpunim e vazhdojnë edhe sot. Ballafaqimi i këtyre përvojave do të kishte nxjerrë një program arsimor më të qartë dhe urat e komunikimit apo njëhsimit të sistemit arsimor me Shqipërinë në platformën e saj qeverisëse do të ishin bërë më të kuptueshme. Janë pikërisht këto përvoja dhe kontakte, që së fundi po i përdor Partia Socialiste e Shqipërisë, e cila së paku në letra, duket që do të realizojë atë më shpejtë dhe më mirë.
Pavarësisht se Lëvizja Vetëvendosje! duke iu referuar indeksit aktual të çmimeve, deklaron se 170 € është rrogë mujore, e cila “garanton vetëm varfërinë”, ajo nuk planifikon një “rrogë dysheme” apo pagesë për orë pune minimale, e cila të mundësonte mbijetesën, por e merr atë si referencë bazë në përllogarijen e taksave mbi të ardhurat mujore. Vetëdeklarimi i pasurisë së politikanëve në Kosovë, do të ishin argument i mjaftueshëm për të kuptuar domosdoshmërinë e futjes së një kufiri të ardhurash maksimale, mbi të cilën niveli i taksave do të duhej të ishte më i lartë se vlera prej 30%, me të cilën kjo Lëvizje mendon të taksojë të ardhurat mujore mbi 1.700 €. Në Gjermani kjo njihet edhe si taksa e të pasurve dhe taton me vlerën 45% të gjitha ata që fitojnë mbi 250 mijë € në vit. Po ashtu në të gjithë projektin fiskal bie në sy mungesa e një platforme për “bashkimin fiskal” me Shqipërinë, gjë të cilën kjo lëvizje pretendon ta ketë edhe si moto kryesore.
Gjatë një analize tëe ngjashme të të gjithë “Alternativës Qeverisëse” të Vetëvendosjes si në aspektin politik, ushtarak, arsimor dhe ekonomik, bie në sy mungesa e theksuar e fjalorit dhe terminologjisë së fushave përkatëse, fakt ky që përforcon edhe një herë idenë, që në hartimin e kësaj strategjie nuk kanë punuar grupe të përbashkëta nga Shqipëria dhe Kosova, jo vetëm kaq, por aty mungojnë edhe specialistët e duhur, qoftë edhe të njërës palë. Boshti kryesor i kësaj alternative anon më tepër nga pozicionimi i Republikës së Kosovës në raport me Shqipërinë, gjë e cila të krijon më tepër përshtypjen e krijimit të një “konfederate”, të cilën e proklamojnë edhe qeveritë aktuale, sesa platforma për “shkrirjen” e shtetit të Kosovës, si të barabartë me atë të Shqipërisë.
Ëndërra e parealizuar e integrimit europian, gjendja katastrofale e ekonomisë shqiptare, trajtimi përçmues i emigrantëve shqiptarë, mungesa e ashpërsisë së pritur nga ana e opozitës kundrejt makutërisë së qeverisë, si dhe mungesa e ëndërrave e rinisë shqiptare e kishin bërë të domosdoshëm lindjen e një force politike të modelit të Vetëvendosjes në Shqipëri. Ndrojtja e tepruar e kësaj së fundit për “të kapërcyer” kufijtë dhe shtrirjen drejt Shqipërisë, çoi në lindjen apo formimin e Aleancës Kuq e Zi, e cila nuk bëri gjë tjetër veçse “kërceu në dasmën”, që do të duhej të ishte e Vetëvendosjes. Figurat e dyshimta që e drejtonin, “personalizimi i luftës” opozitare, si dhe paaftësia për të bërë kompromis, vetëm sa ia përshpejtuan rënien asaj dhe “parisë” së saj, që ndërkohë nuk u ka mbetur vetëm të ngrohen në hirin prej kashte të “zjarrit patriotik” të kësaj lëvizjeje, trajektorja e së cilës ishte planifikuar dhe shihej që në fillim. Në kundërshtim me Aleancën Kuq e Zi, e cila filloi të shkërmoqej përpara se të thellonte ndikimin e vet në mërgatën shqiptare, Lëvizja Vetëvendosje! falë domosdoshmërisë më të madhe, lidhjeve dhe përvojës së ndërsjelltë me mërgatën dhe ndoshta edhe qëllimit të vërtetë të saj, arriti që përpara se të përhapej në shumë qytete të Kosovës, të kishte përfaqësitë e veta në perëndim. Duke mos i njohur problemet mërgatës, duke përdorur standarte të dyfishta të moralit dhe respektit ndaj ligjeve të vendeve ku jetojnë emigrantët, por edhe duke mos marrë parasysh përvojat e hidhura të këtyre të fundit në grumbullimin apo menaxhimin e kontributeve qoftë financiare, materiale dhe intelektuale, komunikimi i Lëvizjes Vetëvendosje! nga Prishtina me mërgatën për shumë vite ka pësuar një ngërç të dyanshëm. Mbajtja e kontakteve vetëm me një pjesë sipërmarrësisht të suksesshëm, pjesa dërrmuese e të cilëve deri më tani drejtojnë sipërmarrje të vogla dhe të mesme në fushën e gastronomisë dhe ndërtimit, pavarësisht shpirtit të iniciativës dhe aftësive organizative të këtyre të fundit, nuk i zëvendëson asnjëherë takimet me intelektualë, studentë apo zanatçinj. Ndoshta këta të fundit janë më “dorështrënguar” në kontributin financiar, por atyre nuk u mungojnë aftësitë, dijet dhe guximi për të shkëmbyer mendime apo për të ofruar alternativa të reja. Nga ana tjetër të ashtëquajturat kontribute financiare të kujtojnë mbledhjet e 3%-shit nga “qeveria shëtitëse” e viteve ’90 apo letrat e shpagimit të mëkateve, të ashtëquajturat indulgjenca të kishës katolike në mesjetë. Kësaj problematike i shtohet edhe mosangazhimi apo mungesa e interesit e emigrantëve nga Shqipëria në aktivitetet e pakta që ata organizojnë, gjë e cila tregon edhe një herë “kufijtë” tanë krahinorë.
Reflektim
Atdhedashuria, institucioni i Besës dhe Mikpritja si thesare të trashëguara ndër shekuj në familjet tona janë vlerat identifikuese unikale, mbi të cilat mbështetet mbijetesa jonë kombëtare. Kontributi i pakufizuar i mërgatës shqiptare përmes shoqatave të krijuara anë e mbanë botës, si dhe numri relativisht i lartë i mërgimtarëve, që ngjeshën radhët e dalëzotësve të kombit tonë gjatë luftës së UÇK-së, përforcojnë idenë që këto virtyte të kombit tonë mërgata shqiptare i mbart kudo me vete. Duke trashëguar gjenetikisht vetëmohimin dhe dëshirën për emancipim, femra shqiptare ka ditur ta mbajë të lidhur familjen, e cila pavarësisht dhimbjeve, brengave dhe krizës së pashmangshme të ekonomisë ka treguar qëndrueshmërinë e vet. E drejta e saj për emancipim dhe mendim të lirë politik, duke ruajtur vlerat e saj unikale do të jetë një sfidë e madhe e shoqërisë shqiptare. Organizimi kulturor dhe artistik i mërgimtarëve për të bashkuar vullnetin e shqiptarëve të të gjitha trevave për ruajtjen e identitetit tonë kombëtar, nën shembullin dhe motivimin e rilindasve, do të fitonte një ngjyrim tjetër. Në qendrat kulturore dhe artistike kombëtare brezat e fëmijëve të emigrantëve jashtë vendit do të kishin një tryezë kombëtare, e cila jo vetëm që do ti afronte njëri me tjetrin, por ashtu si prindërit e tyre, do ti ushqente shpirtërisht dhe politikisht. Në këtë mënyrë mërgata do të reflektojë më shumë dije, kulturë dhe emancipim, gjëra për të cilat, në rrugën e mundimshme të integrimit europian, vendi ynë ka nevojë më shumë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura