PROF.DR:LUFTULLA PEZA: TA BËJMË SHQIPËRINË MË TË PASUR, VETEN TONË MË TË LUMTUR

Tiranë, 12. 06. 2015 – Vendi ynë Shqipëria është vendi më i dashur për të gjithë ne, që jetojmë ose jemi të lidhur me te ngushtësisht. Shumë kush që jeton në Shqipëri nuk e ndjen shumë afër peshën e Atdheut, por për shumicën e atyre, që jetojnë për një kohë të gjatë jashtë Atdheut, e ndjejnë këtë dhe gjëja që i mungon më shumë është era e Atdheut, bukuria dhe fisnikëria e tij. Malet, fushat, përrenjtë, rrugicat, kalldrëmet, me të cilat kanë kujtimet e fëmijërisë dhe më të vonshme, gjuha e ëmbël shqipe, shokët, miqtë dhe gjithçka që lidhet me Atdheun, janë mjaft të shtrenjta. Por ka edhe nga ata që ruajnë kujtime të hidhura nga Atdheu i tyre, ata që kanë qenë nëpër burgjet politike ose nga padrejtësi të tjera, u mohohen të drejtat e tyre. Por në këto raste nuk ka faj Atdheu dhe as populli, por politikanët dhe zyrtarët e këqinj që e kanë drejtuar vendin.
Shqipëria, Kosova dhe trojet e tjera shqiptare në shtetet fqinj, janë atdheu ynë dhe ne duhet të punojmë, që atë tonë ta bëjmë më të bukur dhe të pasur, që aty të jetojmë të gjithë të lumtur. Sot punojmë për të tjerët: populli në mjerim, politikanët jetojnë në pasuri prrallore, rrisim fëmijët me sakrifica të mëdha dhe më pas ata shtegëtojnë në vendet e huaja, sepse nuk u janë krijuar kushte jetesa në vendin e tyre.

Vendi ynë ka nëntokë dhe mbitokë mjaft të pasur. Pasuritë minerale janë të shumta: uji me bollëk, kromi, bakri, nafta, hekuri-nikel, gurë ndërtimi dhe për çimento, xham vullkanik, xhavorre, diell etj., të cilat po të shfrytëzihen me nikoqirllek, japin mjaft vende pune dhe të mira materiale për popullsinë vendase, por edhe për të tjerët. Mbitoka gjithashtu është pasuri e madhe: 450 km. bregdet përbëjnë një arkë të madhe kursimi për vendin. Para disa vitesh një miku im çek vizitoi Shqipërinë dhe plazhin e Drurrësit dhe i mahnitur tha. “Ju shqiptarët keni një fushë të madhe plot me kokrriza ari, por nuk dini ti mblidhni”. Me të vërtetë kështu është. Por politikat këto 25 vjet e kanë dëmtuar mjaft bregdetin tonë, por ende prej tij mund të nxirren fitime të mëdha. Ti fillojmë ti japim plaxhet me qira për 30-50 vjet, Gjermania apo vendet e tjera të ndërtojnë aty qendra pushimi për shtetasit e tyre, ku hapen mundësi punësimi dhe furnizimi nga tregu ynë i bujqësisë. Për krahasim sjell se Greqia, fqinja ynë, vitin e kaluar ka pasur 24 milionë turistë, duke i sjellë fitime të mëdha ekonomike. Por para sa gjithash duhet të heqim halet, që derdhen në detet tona.
Por vendi ynë ka toka, fusha pjellore, livadhe për blegtorinë, pyje etj., ujra me bollëk dhe diell të bollshëm, të cila po të shfrytëzohen mirë do të sjellin fitime të mëdha për popullin.
Vendin tonë e dëmtojnë shumë mos zbatimi i ligjeve, korrupsioni i shtrirë në të gjitha qelizat e shoqërisë, mos funksionimi i pushtetit qendrorë dhe vendorë, sepse zyrat janë mbushur me të paaftë, ushtarë të partisë. Korrupsioni, mos zbatimi i ligjeve, prishja e qetësisë etj. vijnë nga puna e dobët e policisë së shtetit. Një organizëm i vogël është grupi, që organizon emisionin “Fiks Fare”, por kanë kapur shumë raste të korrupsionit dhe i kanë bërë publike, të faktuara mjaft bukur. Këtë punë edhe më mirë mund ta bënte policia e shtetit, por ajo nuk don, se është vetë e korruptuar. Policia jonë le të marrë shembull. Ajo duhet të përmirësojë punën e saj, që popullit ti kthehet jovetëm qetësia, por edhe jeta normale si në vendet e tjera. Policia nuk e ka problem, që ashtu si “fiksi” të ngrejë grupe 2-3 policësh civilë për të bërë atë punë që bëjnë ata të fiksit dhe të kapë të korruptuarit. Për korrupsion vitet e fundit u prish stacioni i trenit në Tiranë dhe po prishet ai i Durrësit, sepes kryetarët duan sheshe të ndërtojnë pallate, ku marrin nën dorë shuma të mëdha parash. Policia i din këto marrëveshje nën tavolinë dhe hesht.
Nga paaftësinë e zyrtarëve në ministrinë e kulturës ende gjuha shqipe nuk është instaluar në telefonat celularë, që shiten në Shqipëri apo Kosovë si gjuhët e tjera të botës, shqiptarët i shohin filmat të përkthyer me shkonja, në vend të dublimit të tyre në gjuhën shqipe. Këto na bëjnë të ndjehemi të diskriminuar ndër popujt e tjerë për punën e dobët që bën Ministria e Kulturës. Si njëra si tjetra nuk duan as para për tu realizuar, mjafton një vendim qeverie, për firmat që sjellin celularët në Shqipëri ose për televizionet, që kanë leje transmentimi.
Epidemia e varfërisë së skajshme dhe e papunësisë e ka pushtuar vendin, ku mjaft familjeve ju mungon edhe buka e gojës. Asnjë masë konkrete nuk ka për të dalë nga situata.
Të gjitha këto na kanë ulur kokën e krenarisë së ligjëshme për vendin tonë dhe po e detyrojnë popullin të largohet nga vendi. Vetëm gjatë vitit 2014 nga vendi u larguan rreth 47 mijë vetë, kryesisht të rinj dhe çdo muaj largimi vazhdon me ritme të shpejta. Po nuk u rregullua gjendja Shqipëria do të boshatiset nga rinia, e ardhmje e vendit, brenda pak vjetësh.
Mos të presim nga investorët e huaj, por vetë të punojmë më shumë për vendin tonë dhe ta bëjmë atë të lulëzuar për vete dhe për fëmijët tanë.
Në Shqipëri dhe Kosovë nuk duhet të ketë pension më të ulët se 30 mijë lekë/muaj, rrogë më të ulët se 50 mijë lekë / muaj dhe ndihmë sociale më të ulët se 15 mijë lekë/muaj. Vendi prodhon me bollëk, por qeveria ti mbledhë plotësisht taksat, kontributet shëndetësore dhe sociale dhe gjobat, por jo duke përjashtuar partizanët e saj dhe të menaxhojë më mirë burimet e të ardhurave dhe shpërndarjen e tyre. Sipas të dhënave zyrtare shumica e bizneseve në Shqipëri nuk paguajnë as taksa dhe as pagesat shëndetësore dhe sociale për punonjësit e tyre dhe kështu nuk ka para për spitalet, pensionet, ngritjen e rrogave etj.
SINDIKATAT TË TREGOJNË VETEN
Në luftën për ngritjen e mirëqenies në radhë të parë duhet të organizohen sindikatat, ato janë forcë e madhe, në se do të dinë ta luajnë rolin e tyre. Tashti jemi në prag të zgjedhjeve dhe sindikatat e arsimit, sindikata e pavarur, e minierave, e pensionistëve etj. duhet të vihen në detyrën e tyre. Ato duhet të kërkojnë tek partia në pushtet, që pretendon të fitojë zgjedhjet vendore dhe të bëjnë bisedime me kërkesa direkte: ulja e çmimit të rrymës elektrike të paktën në mesataren e çmimit në rajon. Deri tani çmimi i energjisë elektrike në rajon lëviz nga 6.1 cent /kw. në Serbi, që është më i ulti, në 11.6 cent/kw në Shqipëri, që është çmimi më i lartë në rajon. Kjo është paradoksale, jemi vendi më i varfër dhe energjinë elektrike, që e prodhojmë vetë, qeveria na e shet sa dyfishin që shitet në Serbi. Ky çmim i lartë jo vetëm që rëndon shumë qytetarët, por është bërë shkak për largimin e investorëve të huaj. Të kërkohet gjithashtu rritja e rrogave të ulta dhe mesatare me 20%, pensionet me 20 %, ngritja e kampit të pushimit për fëmijët në plazhin e Durrësit (ish kampi i pionerëve) etj. Për familjet me ndihmë sociale, rritja e ndihmës në 15 mijë lekë/muaj, 150 kw. rrymë elektrike falas, librat dhe mjetet e tjera shkollore falas për arsimin e detyrueshëm, pushim 10 ditor në plaxh për fëmijët e tyre falas etj. Banesat sociale të jepen falas, por pa të drejtë trashëgimie nga fëmijët, që më pas ti kthehet shtetit, për tju dhënë të tjerëve. Vetëm me këto kushte blloku zgjedhor që drejtohet nga PS do të fitonte votat e antarëve të këtyre sindikatave dhe organizatave. Këtë rol mund ta kryejnë edhe shoqata atdhetare-kulturore, të cilat për këtë mund të ngrejnë edhe një këshill kordinative të përbashktë.
ORGANIZATAT E VETERANËVE DHE E FAMILJEVE TË DËSHMORËVE
Këto organiza duhet të veprojnë në dobi të antarëve të vet dhe të mos sillen si leva të PPSh. Ata duhet të kërkojnë p.sh. nga qeveria ngritjen në 15 mijë lekë/muaj të ndihmës që jep shteti për ish partizanët e LANÇ, që luftuan për çlirimin e Atdheut nga fashizmi (vetëm për ata që kanë luftuar dhe jo për veteranët, që nuk kanë qenë partizan). Ish partizanëve duhet tu sigurohet transporti falas në të gjithë republikën, një biletë udhëtimi ajror falas në vit, ashtu si dhe në vendet e tjera demokratike. Familjeve të dëshmorëve tu kthehen menjëherë nga shteti pronat e konfiskuara nga rregjimi komunist dhe fëmijëve të tyre tu kthehet shpërblimi prej 10 mijë lekësh/muaj. Për pensionistët mbi 70 vjeç të sigurohet transporti publik në qytete falas.
Organizatat e grave duhet të luftojnë për më shumë respekt të shoqërisë ndaj nënave dhe përgjithësisht seksit të bukur, për të zënë vendin e merituar në shoqërinë tonë. Është e ligjëshme kërkesa për të rritur shpërblimin për nënat, sidomos për fëmijën e tretë. Nënave me bebet duhet tu sigurohet falas transporti qytetar.
Në këtë mënyrë duhet të veprojnë edhe sindikatat e tjera, organizatat etj., sepse kështu veprohet në vendet e tjera demokratike: plotëso kushtet e mia, të të japim votën, kjo duhet të jetë skema e bisedimeve dhe e marëveshjeve me shkrim. Po të luftojmë kështu populli do të ketë rritje të mirëqenies minimalje çdo herë që bëhen zgjedhjet.
FERMAT AKSIONARE BLEGTORALE DHE BUJQËSORE SHTET-PRIVATË
Kjo është një mundësi e madhe punsimi dhe fitimi. Pranë Tiranës ka qenë ferma e madhe frutore dhe blegtorale “Kurora e Tiranës”, që sot është lënë në mjerim. Kjo fermë ka pasur edhe sektorin e blektorisë me mijëra dhi, që kullotën e kishin pranë dhe jepnin pleh për fermën dhe mish. Ka edhe dy rezervuarë, që shërbenin për ujitje. Ferma u shkatërrua, pemët u prenë dhe dhitë u vodhën nga fanatikët e PD si vepër komuniste. Ferma duhet të ringrihet me investimin e shtetit, duke pasur si aksionarë pronarët e tokës dhe më pas shteti pjesën e tij mund tu a shesë aksionarëve. Ferma të tilla aksionare duhet të ngrihen me qindra në të gjithë vendin, sepse shtohet ndjeshëm punësimi dhe prodhimi.
Gjatë komunizmit farërat i prodhonim të gjitha në vend, sot importohe fara e jonxhës, patates, perimeve etj. Të ngrejmë sërisht strukturat e prodhimit të tyre. Qendra shkencore duhet të ngrihen edhe Dhinë e Hasit, Qenin Molos (sharit) etj., që janë specie tipike shqiptare dhe për to të kemi interes të veçantë, sepse do të ketë edhe fitime.
PËRPARËSI ZHVILLIMI I ENERGJISË DIELLORE
Kushtet tona për këtë degë ekonomike janë mjaft të përshtatëshme, sepse ¾ e vitit i kemi ditë me diell. Çatitë e shkollave, shtëpive dhe pallateve shërbejnë mjaft mirë për panelet diellorë për prodhim rryme. Përvojë mjaft të mirë në këtë drejtim ka në Taivan, Çeki etj.
DEMOKRATIZIMI I SHOQËRISË
Shqipëria sot mund të thomi se nuk është më vend demokratik, sepse asnjë organ i shtetit nuk zgjidhet nga populli. Të gjithë funksionarët e shtetit zgjidhen nga partitë politike, janë partizanë të tyre dhe ju shërbejnë vetëm atyre: presidenti i republikës, deputetët, gjyqtarët, nënpunsit, policët, komisionerët partiakë të zgjedhjeve, avokati i popullit, kontrolli i shtetit, drejtorët, mësuesit etj. deri tek roja i instirucionit. Të gjithë këta zgjidhen pa konkurse, duke vënë në plan të parë interesat e partisë. Populli është shndërruar në tufë delesh, që shkojnë në rrjesht për të votuar, pastaj votat e tij i rregullojnë komisionerë partiakë, atyre ju ngelet të shohin nga qielli për ndihmë. Në asnjë post nuk bëhet zgjedhja mbi bazën e aftësisë profesionale, por aktivitetit partiak. Të gjitha janë sanksionuar me ligje. Mjaft domethënës muajin e kaluar ishte kori i të rinjve amerikanë, që këndonin këngë patriotike shqiptare në shkallët e Kuvendit të Shqipërisë, që deputetët shqiptarë të mendonin dhe të punonin për popullin e tyre !!!.
Kështu shoqëria jonë mbjell papunsinë, varfërinë, shkatërrimin, largimin e rinisë etj.
Prandaj shoqëria duhet të luftojë që sa më shpejt presidenti dhe deputetët të zgjidhen nga populli dhe po nuk punuan për te ai nuk i zjgedh për herë të dytë. Populli i njeh mirë bijtë e vet, dhe vetëm kështu në kuvend dhe vendet e tjera me rëndësi, do të zgjidhen njerzit më të mirë, që do të luftojnë për interesat e popullit dhe të vendit. Vetëm kështu dhe me luftë të përditëshme mund të ngrejmë nivelin tonë të jetesës dhe ta bëjmë jetën tonë më të lumtur për vete dhe fëmijët tanë.
TROJET TONA ETNIKE
Shqipëria nuk është vetëm ajo brenda kufijve shtetëror, por me të gjitha trojet shqiptare rreth saj. Ato duhet të quhet si vendi ynë, sepse atje jetojnë vëllezrit tanë të një gjaku dhe gjuhe, janë varret e stërgjyshëve tanë dhe atje duhet të ruajmë kulturën dhe gjuhën tonë. Shoqëria jonë duhet të interesohet më shumë për shqiptarët, që jetojnë jashtë. Shtetet fqinj me politikën e tyre diskriminuese ndaj shqiptarëve, mundohen ti largojnë nga vendlindja e tyre: Ulqin, Tuz, Pllavë, Guci, Mitrovicë, Preshevë-Bujanoc, Medvedë, rajonet perendimore të Maqedonisë, dhe Çamëria. Këto rajone kërkohet të vizitohen regullisht nga zyrtarët, shoqatat vullnetare, grupet artistike, për tu njohur nga afër me problemet dhe afrimin e ndihmës. Marëdhëniet tona shtetërore me fqinjët duhet të kushtëzohen me kushtet, që u krijohen shqiptarëve autoktonë, që jetojnë atje. Është mjaft e dëmshme toleranca e tepruar e politikës sonë me shkelësit e të drejtave të shqiptarëve në Greqi, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi etj.

Bashkimin kombëtarë duhet ta ndërtojmë vetë me punën tonë për ditë.

Shqipëria me forcë ti kërkojë Greqisë heqjen e ligjit të luftës me Shqipërinë, me të cilin ajo mban të sekuestruara pronat e popullsisë çame dhe të njohë minoritetin shqiptar në Greqi. Vetëm kështu ju kthehen pronat dhe të drejtat e tjera çamëve. Neve duhet të kërkojmë që edhe Turqia të njohë minoritetin shqiptar, gjë që do të forconte miqësinë shqiptaro-turke.
Bashkimi kombëtar në Europë është përrallë pa fund. Mos presim që bashkimin kombëtarë të na i bëjnë të tjerët. Bashkimin kombëtarë duhet ta ndërtojmë vetë me punën tonë për ditë. Ndihma ndaj vëllezërve tanë, që jetojnë në trojet e tyre, që të ruajnë kulturën tonë dhe të mos braktisin vendlindjen, është kërkesë me rëndësi të veçantë për kombin tonë. Lumturia jonë lidhet ngushtë me lumturinë e shqiptarëve që jetojnë jashtë Atdheut.
Populli ynë duhet ta sjellë fatin e tij në duart e veta, të mos e lerë në duart e politikanëve. Vetëm me luftë të vetëdijshme dhe këmbëngulëse mund të fitohen të drejtat e nëpërkëmbura. Varfërinë nuk na e sollën të huajtë as vendi, që e kemi të pasur, të bukur dhe të begatë. Ajo u rrit nga besimi i verbët tek blloqet politike dhe për ta shporrur duhet vetë të punojmë më shumë. Tashti kemi rastin më të mirë, që kërkesat tona ti vemë në plan të parë dhe të këmbëngulim për tu zbatuar. Ndryshe jemi bashkfajtorë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura