DR.JAKUP KRASNIQI: KOSOVA KA NEVOJË PËR REFORMA!

Prishtinë, 03. 09. 2014: Kur në shekujt XV-XVI, Selia e Shenjtë kishte arritur majat e despotizmit në emër të fesë e të Zotit, kur logjika njerëzore, mendimi i lirë, zbulimet shkencore e liria individuale paraqitnin jo rrallë një sakrilegj, në skenë me një guxim të pashoq doli reformatori i njohur gjerman, kleriku Martin Luteri. Martin Luteri jo vetëm që krijoi një fe të re, protestantizmin, por i vuri themelet e ndarjes së fesë nga shteti dhe kështu i dha impulse të reja progresit shoqëror dhe lirisë së individit, e cila liri sot është bërë flamur dhe simbol i shoqërisë së lirë, përveç aty ku kemi rikthimin e “idealeve” mesjetare, të sundimit të egër despotik e djallëzor. Në shekujt XV-XVI, Evropa kishte nevojë për një reformator të guximshëm, aty ku edhe është burimi i progresit të sotëm evropian, te guximi për të besuar e vepruar në avancim të lirisë, të drejtësisë e të barazisë. Ky trekëndësh magjik i nevojave njerëzore, në gjysmën e dytë të shekullit XVIII u bë flamur shprese i demokracisë amerikane e franceze për të ardhur deri në ditët tona. Ndërkaq, sot në Kosovën e lirë, të pavarur e demokratike, politika jonë ka nevojë imediate për një reformë të thellë, të përgjithshme e përmbajtësore, pa të cilën nuk ka zhvillim ekonomik e progres shoqëror. Reformat e mirëqena askund në botë, në asnjë kohë dhe në asnjë vend, nuk janë bërë nga despotët e tiranët apo në pajtim me ta, por as nga frikacakët puthadorë, qofshin ata edhe të quajturit intelektualë, por nga kundërshtarët e sundimtarëve të egër, nga ata që janë ideatorë e reformatorë të guximshëm të një fryme të re njerëzore e demokratike. Anipse njerëzishmëria në kohen tonë duket sheshit së është në krizë.

Me klasën aktuale politike s’mund të ketë asnjë reformë të mirëfillt! (sh.b)

Në përgjithësi, historia jonë e njëqind viteve të fundit, sidomos ajo e luftës çlirimtare, konfirmon katërçipërisht, se pa vendosmërinë e Adem Jasharit dhe brezit të tij në organizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk do të ndodhte çlirimi kombëtar i mbështetur nga SHBA-të, BE-ja dhe nga NATO-ja. Tani, ato reforma që duhet të ndodhin nuk e kërkojnë guximin dhe sakrificën e brezit të Adem Jasharit, komandantit legjendar të UÇK-së, e të mijëra dëshmorëve të kombit, por e kërkojnë një guxim njerëzor e intelektual për të këmbëngulur në sundimin e rendit e të ligjit në çdo segment të jetës në Republikën e Kosovës. Pa sundimin e ligjit, pa funksionalizimin e Sistemit të Drejtësisë, pa ndryshimin e mënyrës së qeverisjes, vështirë se do të bëhen një varg reformash që kaq shumë u duhen qytetareve të Republikës sonë. Qytetarët e Kosovës kanë nevojë jetike për një sërë reformash, disa prej të cilave po i përmend më poshtë.
1. Reforma në organizimin politik në Kosovë është më e domosdoshmja për faktin se nga organizimi dhe funksionalizimi i partive politike varet ndërtimi dhe funksionimi i institucioneve të shtetit. Sundimi despotik i partive politike nga liderët e tyre, që ka rezultuar me një ngulfatje të mendimit të lirë dhe kritik dhe në vend të tij favorizohet servilizmi ndaj mënyrës se “si vepron dhe mendon shefi” janë bërë pengesë e zhvillimit të demokracive. Pa një demokraci të brendshme, pa ide e mendim konkurrent politik a thua mund të reformohen e demokratizohen partitë tona politike? Pa ide e mendim të lirë e kritik, pa demokratizimin e jetës politike në Kosovë, vështirë që do të ketë funksionim demokratik e ligjor të institucioneve të shtetit, për të cilat institucione garojnë partitë politike në zgjedhjet e lira, të drejta e të fshehta.
2. Reformat në ekonomi dhe në sferat më vitale të jetës janë të ndikueshme dhe të kushtëzuara në masë të madhe nga reformat politike, janë ato të cilat e ngulfasin ose i dhënë një frymë të re reformave ekonomike në Kosovë. Rruga e deritashme e ndjekur në zhvillimin ekonomik me gjithë infrastrukturën ligjore joadekuate e ndikimet informale të politikës i kanë pamundësuar politikat zhvillimore në ekonomin tonë. Ky nivel i zhvillimit ekonomik që kemi ne e ka të pa mundshme absorbimin e fuqisë punëtore që janë në pritje e që kryesisht janë të rinj. Me këto politika ekonomike e këtë nivel të zhvillimit ekonomik a mund të“rehatohen”tridhjetëmijë të rinj që i shtohen çdo vit tregut të punës? A kemi reformatorë që do të na ofronte një rrugë të re zhvillimi, e cila do të siguronte punë për këta punëkërkues.
3. Reforma në Sistemin e Drejtësisë dhe depolitizimi i këtij sistemi është një nevojë e mbase edhe një domosdoshmëri e ngutshme për shtetin tonë të ri. Me gjithë reformat e kryera gjatë këtyre viteve, askush nuk është i kënaqur me azhuritetin dhe efikasitetin e pushtetit të tretë në Kosovë. Se ky sistem është larg reformimit, më së miri e tregon kërkesa e faktorit ndërkombëtar për të formuar Gjykatën Speciale. Kjo është dëshmia më e mirë se ky sistem, edhe pse një kohë të gjatë ka qenë i udhëhequr edhe nga ndërkombëtaret, ka dështuar. Por ky dështim nuk duhet të na dekurajojë, përkundrazi duhet t’i vazhdojmë e thellojmë reformat e këtij sistemi pa të cilin nuk bëhet dot shteti i së drejtës. Një gjë dihet, shteti me të padijshëm e puthadorë nuk është bërë,as nuk bëhet dhe as nuk mund të mbahet. Ishin me një brumë tjetër ata që për dekada u përballën me holokaustin serb deri sa e çliruan Kosovën. Kosova është shtet se ky ishte vullneti i njerëzve tanë nder vite, ne duhet ta bëjmë shtet të së drejtës.
4. Gjatë këtyre 15 viteve të shtetndërtimit, jo pak herë kemi dëgjuar për reformën në arsimin tonë, jo pak herë kemi dëgjuar për fushat e silikonit, për këtë e atë teknologji, por, në fakt, cila është gjendja reale në arsimin tonë? Çfarë reforme kemi bërë? Sa është e përputhshme ajo reformë me nevojat e tregut tonë? Cila është përgatitja e studentëve tanë në universitetet publike e ato private? Sa është në gjendje kjo shumësi e universiteteve dhe e kolegjeve të përgatitë kuadro të specializuara për nevojat e tregut të brendshëm dhe ati të jashtëm? Ç’cilësi mësimdhënieje dhe mësimnxënjeje kemi në shkollat e universitetet tona? Ç’cilësi mësimdhënësish kemi, me theks të veçantë të atyre të arsimit të lartë? Dhe krejt në fund, sa është i besueshëm sistemi ynë arsimor? A mund të krenohemi me nivelin e edukimit, të arsimit e të dijeve që marrin fëmijët tanë, në të gjitha nivelet e arsimit? Cila është gjendja në arsimin profesional? A ia kemi përshtatur nevojave të vendit, arsimin profesional? Sa i zhvilluar është ky lloj i arsimit tek ne? Cili është interesimi i institucioneve të shtetit ndaj nxënësve dhe studenteve të avancuar? A avancohen këta në institucionet tona apo i “rehatojmë” akrabatë dhe të dëgjueshmit e shefave?! Një gjë dihet, shteti me të padijshëm e puthadorë nuk është bërë,as nuk bëhet dhe as nuk mund të mbahet. Ishin me një brumë tjetër ata që për dekada u përballën me holokaustin serb deri sa e çliruan Kosovën. Edhe fenomeni i shkuarjes për të luftuar në luftën më të pakuptimtë të zhvilluar ndonjëherë, siç është ajo në Sirisë është pasoj e edukimit dhe e arsimit jo adekuat që merret në familjet e në shkollat tona të të gjitha niveleve.
5. Reforma në shëndetësinë tonë kanë kërkuar dhe kërkojnë politika më të qarta e më të studiuara. Deri më tani nuk kemi pasur politika të qarta shëndetësore. Nuk kemi pasur planifikim të duhur e profesional dhe as menaxhim adekuat të mjeteve që ky sistem ka pasur në përdorim. Deri me tani pothuajse të gjithë njerëzit që kanë menaxhuar me shëndetësinë e Kosovës, kanë arritur ta shkatërrojnë shëndetësinë publike dhe shëndetin publik, kanë arritur ta degradojnë profesionin e mjekut specialist duke u dhënë hapësirë kasapëve dhe matrapazëve të ndryshëm që i kanë hapur rrugë një privatizimi të egër e grabitqar. Reforma që duhet të bëhet në sistemin e shëndetësisë duhet të pamundësojnë shpërdorimin e parasë publike për interesa private. Hyrja në fuqi e Ligjit për Sigurimet Shëndetësore do të ndihmonte shumë në reformimin e sistemit shëndetësor publik. Reformat edhe në shëndetësi vështirë se arrihen pa reformatorë shëndetësor dhe pa vullnetin politik të qeveritarëve.
***
Reformat në jetën shoqërore e demokratike nuk janë revolucionet e njohura nga historia, por pa to nuk ka progres shoqëror e demokratik. Në vendet demokratike reformat nuk realizohen me lehtësi, por në vendet despotike kërkojnë si sakrificën po aq edhe guxim dhe ndërgjegje të lartë qytetare. Nga ne, do të varet se a do të mobilizohemi që të dëshmojmë guximin e nevojshëm politik, intelektual, kombëtar dhe profesional për t’i dhënë Kosovës Formën e Re që ajo ka nevojë për avancimin drejtë shoqërive demokratike të tipit euro-amerikan.
– Autori është Kryetar i Këshillit Kombëtar të NISMËS për Kosovën.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura