FAHRI DAHRI: AKTUALITETI LIDHUR ME ‘ÇËSHTJEN ÇAME’

Itali, 24 shkurt 2018: I.- Protestat në vartësi të problemeve.
Në çdo shoqëri njerëzore lindin probleme të cilat krijohen nga kundërshtitë e interesave mes individëve, grupeve shoqërore, shoqërive në tërësi me veprimet ose mos veprimet e institucioneve shtetërore. Kur institucionet shtetërore ndërmarrin veprime ose përgadisin drafte ligjesh që prekin interesat e grupimeve të caktuara, në shtetet me orientim të parimeve demokratike, subjektet përkatëse veprojnë, veç të tjerash edhe me të drejtën e protestave paqësore.

Në rastet kur duhen organizuar protestat, së pari kërkohet të përcaktohen çështjet kryesore të konceptimit të protestave. Në vetvete koncepti është formë e njohjes dhe e mendimit. Në këtë mënyrë gjykimi, çështjet kryesore që sjell ose mbart koncepti i protestave veçohen:
a) Me organizimin e protestave, duhet të bëhen të njohura se ç’farë ndryshimesh pritet të sjellin ato, sa efektive do rezultojnë ndaj objektit, qëllimit të organizimit? Nëse organizohen protesta, duhet saktësuar se kush subjekt përfiton dhe ç’farë?. Me kryerjen e protestave, përfitimet janë në favor të organizatorëve, apo ndryshimet përfitohen nga masa e protestuesave?. A sigurohet ndryshimi në dobi të shumicës – grupimit të interesuar?.
b) Shtyllat e të drejtave të njeriut, në përgjithësi janë tre: Jeta, liria dhe e drejta e pronës. Brenda tyre, të detajuara qendrojnë të drejtat e tjera si ato ekonomike, politike, sociale, kulturore, fetare por këto të drejta janë të një niveli tjetër, krahasuar me tre të parat. Sigurisht edhe për ‘to mund dhe duhen organizuar protesta. Organizimi i protestave për të kërkuar të drejta etnike, politike, sociale, ekonomike në një shtet kur ai nuk arrin të bëhet garant i të drejtës së jetës dhe i të drejtës së pronës, është si të luftohet me ajrin, me të padukshmen! Si konkluzion protestat paqësore organizohen në ato vende ku shtetet janë të konsoliduar si shtete të së drejtës dhe garantojnë zbatim të plotë të parimeve demokratike.

E kundërta, vërtetohet në vendet ku ligji dhe të drejtat themelore shkelen hapur, ku protestat edhe mund të organizohen, por nuk mund të priten arritje në ndryshimet që aspirohen. Janë këto kushte që duhen mbajtur parasysh, ndryshe bëhesh “ortak” me palën që dhunon jetën, privon lirinë, të drejtat e pronës. Në vendet ku parimet kryesore të demokracisë dhe të drejtat themelore të njeriut nëpërkëmben, protestat bëhen të papërshtatshme, akoma më keq kur zhurmat për protestat bëhen për përfitime politike personale.
Në këtë këndvështrim, lidhur me protestën e 24 shkurtit po shfaq disa mendime:
II.- Protesta e shkurtit 2018
Shoqata Politike Atdhetare Çamëria ka thirrur një protestë me 24 shkurt, përpara Ambasadës greke në Tiranë, me temën: “Çamëria nuk shuhet”,
Protesta, sipas njoftimit të publikuar në gazetën “Mapo”, datë 18/02/2018, përqëndrohet në deklarimet:
● Greqia ka kërkuar të mos përmendet emri “Çamëri” në tekstet shkollore shqiptare. Kështu ka bërë të ditur ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, në një letër përgjigje drejtuar deputetit Haris Theoharis.
● Duke iu referuar takimit të fundit të komisionit dypalësh për rishikimin e teksteve shkollore, zhvilluar më 18 janar 2018, dhe i cituar nga portali militaire.gr, ministri i Jashtëm grek shkruan:
“Pala greke insistoi në heqjen e kapitullit “Treva shqiptare në Greqi”, që është i papranueshëm dhe ofendues. Ka kërkuar gjithashtu heqjen e referimeve dhe hartave ku zona gjeografike greke paraqiten si “Çamëri” dhe të cilat për fat të keq dëshmojnë se shteti shqiptar mbetet i mbërthyer në koncepte anakronike nacionaliste, të cilat në radhë të parë i bëjnë dëm vetë Shqipërisë”.
Nisur nga këto deklarime, me të drejtë SHPAÇ deklaron:
“Në 24 shkurt ju ftojmë të gjithëve të bëhemi bashkë për të protestuar para ambasades greke, tek hyrja e bllokut të ambasadave ne rrugen e Durresit..”,
“…Ne duhet të jemi të gjithë aty, që ti tregojmë Greqisë dhe të gjithë ndërkombëtarëve që Çamëria nuk shuhet, se jemi gjallë dhe në këmbë…”
● Organizimi i protestën ka si objektiv që ti tregohet Greqisë dhe Ndërkombëtareve se “Çamëria nuk shuhet”.
Kërkesa është e drejtë, por jo e plotë. Protesta do ishte mirë të përqëndohet tek problemet që shtrohen për zgjidhje në takimet dypalëshe, që priten të finalizohen me nënshkrimin e dy K/ministrave.
Nga gazeta “Sot” (datë18/02/2018), informohemi se Kryeministri Aleksis Tsipras ka autorizuar fazën finale të negociatave për “shportën” e çështjeve të pazgjidhura mes Greqisë dhe Shqipërisë.
Sipas Top Chanell:
● Tashmë konsiderohet e mbyllur marrëveshja e detit, ku palët kanë detajuar çdo pikë të saj, madje kanë dakortuar edhe në hartë për ndarjen e re të vijës bregdetare dhe të zonës ekskluzive ekonomike.
● Ka përfunduar deri në detaje, madje pritet implementimi ndoshta brenda muajit mars ose prill, heqja e vulës apostile për legalizimet e dokumentave zyrtare shqiptare. Implementimi i kësaj marrëveshjeje, do të shërbejë në njohjen e certifikatave dhe dokumenteve zyrtare të lëshuara nga institucionet e shtetit Shqiptar.
● Ka përfunduar marrëveshja për heqjen e ligjit të luftës, ajo e përcaktimit në terren dhe mirëmbajtjen e piramidave të kufirit tokësor, marrëveshja e menaxhimit të krizave mes dy vendeve, çështjet e patentave, ajo e varrezave të të rënëve grekë në Luftën e Dytë Botërore, si dhe disa marrëveshje bashkëpunimi rajonal, çështja e pronave të komunitetit ortodoks, apo zgjerimi i detyrimeve për zonat minoritare, për të cilat, burimet i thanë Top Channel se pala shqiptare është zotuar të zgjerojë si zonat minoritare, por edhe mënyrën e përcaktimin e statusit të zonës minoritare.
● Burimet diplomatike në Athinë tregojnë se Tirana është zotuar të përmbushë të gjitha detyrimet që përmban konventa e mbrojtjes së minoriteteve, madje edhe t’i zgjerojë ato, përsa i përket programeve integruese të minoriteteve, kuotave të punësimit në administratë, por edhe me përfaqësimin e tyre politik, si në nivel lokal, edhe me atë qendror.
● Ndërsa detajet e fundit po konkretizohen në marrëveshjen e korrigjimit të teksteve shkollore, për të cilën palët kanë dakortësuar heqjen e termave irredentiste apo fyese për dy vendet. Burimet thonë se palët kanë rënë dakord për shmangien e termave gjeografike të cilat përcaktojnë zona si “Voroiepiri” për grekët apo “Çamëria” për palën tonë, për të cilat është rënë dakord që të mos përdoren në nivelet e larta të politikës.
● Burimet në Athinë thonë se pala shqiptare është zotuar për heqjen e termit “Çamëri” nga regjistri i gjendjes civile, kur bëhet fjalë për personat e lindur në fshatrat e zonës së Thesprotisë. Diplomatët e lartë grekë i thanë Top Channel se kjo çështje do të bisedohet në takimin privat familjar mes Tsipras dhe Ramës në Korçë, pak ditë përpara atij zyrtar që do të mbahet në Tiranë.
● Burimet thonë se në këtë takim të Korçës do të gjendet një zgjidhje në kuadër të asaj që quhet “Human Solution” për mospengimin me kufi të çamëve që dëshirojnë të vizitojnë vendlindjen e tyre, por edhe do të kërkohet një zgjidhje për këtë çështje, për të cilën pala greke thotë se nuk ekziston.
●●●
Kështu na paraqitet situata e probleme të shtruara për zgjidhje, sipas Top Chancell. Mbasi u njohëm me nivelin e mundshëm të arritur deri tani në takimin dypalësh, konstatohet se janë trajtuar dhe konkluduar disa çështje kryesore për tu shkruar në marrëveshjen ndërqeveritare. Ndërsa protesta, sipas shtypit, organizohet vetëm për të treguar se “Çamëria” nuk shuhet. Protestat në natyrën e tyre luajnë rol paraprirës, me synim ndikimi në vendimmarrjet. Në rastin konkret, do të ishte e justifikuar, që në fillim të ngritjes së komisioneve, të kërkohej pjesëmarrje në grupin e ekspertëve edhe nga komuniteti çam, pse jo, nëse do ishte e nevojshme edhe me protestë. Protesta që parashikohet të organizohet më 24 shkurt, nuk do ishte efektive, nëse përqëndrohet vetëm tek mos shuarja e emrit “Çamëri”. Mendoj se shteti shqiptar (pjesë e shtetit është edhe SHPAÇ), duhet të kërkojë me forcë dhe pa kompromis edhe zgjidhjen e këtyre problemeve:
– Njohja e të drejtave të njeriut, në përputhje me Konventat Ndërkombëtare, për komunitetin shqiptar të Çamërisë (të krishterë dhe jo të krishterë).
– Njohja e gjenocidit grek ndaj çamëve myslimanë dhe pranimi i të gjitha detyrimeve greke ndaj të drejtave të çamëve,
– Njohja e toponimeve të qyteteve dhe fshatrave të rajonit të Çamërisë, sipas emërtimeve të banorëve vendas autoktonë,
– Njohja e pakicës etnike shqiptare e çamëve të krishterë dhe të drejtat e tyre sipas ligjeve ndërkombëtare për minoritetet.
– Të kërkohet që në marrëveshjen dypalëshe të trajtohet me shkrim dhe të shprehet qartë qendrimi i të dy palëve për problemet e shqiptarëve të Çamërisë (për çamët e krishterë dhe çamët myslimanë) .
– Të kërkohet që pala greke të reflektojë qartë për zgjidhjen e problemeve dhe të arrijë të kuptojë se çamët myslimanë nuk kanë asnjë lidhje ma akuzat e pabaza të ngritura 73 vjet më parë nga protagonistët vrasës të shtetit Grek. Të tërhiqen dhe të mos mbeten plagjiaturë e ish mbretit dhe qeverisë nazi-fashiste greke të 74 viteve më parë.
●- Me protestën të kryhen veprime maturie, të arrihet në nivelin e “zgjidhjes përfundimtare”. Jo vetëm parrulla dhe zhurmë, as mburrje, as fjalë fyese, as nervozizëm. Nga drejtuesit kryesorë të protestës, të dilet me fjalime ku të tregohen masakrat greke dhe kërkesat e komunitetit. Folësit tu drejtohen qeverisë dhe shtetit Shqiptar, shtetit Grek si dhe Britanisë së Madhe (e cila duhet të rishikojë qendrimin e mbajtur nga misionerët e kohës së luftës). Thirrjet tu drejtohen SHBA dhe BE-së që ta marrin në dorë zgjidhjen e kësaj çështje, si problem ndërkombëtar, pasi janë shkelur haptazi dhe barbarisht Konventat Ndërkombëtare lidhur me të drejtat e njeriut.
Nëse nga takimi, çështja çame do të anashkalohet, të shkruhet qartë në marrëveshjen dypalëshe, se shteti shqiptar, i përgjegjshëm për mbrojtjen e problemeve kombëtare, çështjen do ta dërgojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.
Heshtja mbaroi, bashkë me ‘të dhe mashtrimet dypalëshe 100 vjeçare!
Zëri në protestë le të ngrihet, e rëndësishme është që zëri të arrijë të dëgjohet.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura