PROF.DR.FATMIR SHEHU&ING.GJEOLOG KADRI RAMA: NAFTA DHE POLITIKA!

Tiranë, 15 janar 2018: Si është përdorur për synimet e pushteteve industria e naftës. Një vështrim kronologjik dhe krahasimtar për këtë pasuri të madhe kombëtare nga sundimi zogist, te regjimi komunist dhe periudha pas vitit 1990. Cilat janë arsyet që kjo pasuri nënvleftësohet dhe lihet pas dore aktualisht?
***
Një nga asetet më të rëndësishme që ka ekonomia jonë për fat, është industria e naftës dhe e gazit si dhe rezervat jo të pakta të naftës dhe të gazit që ka nënëtoka jonë. Është vërtetuar shkencërisht edhe kapaciteti naftë-gas mbajtës i territorit shqiptar që është realtivisht i madh. Fakti që kjo industri në vëndin tonë ka një një histori prej një shekulli, tregon se ajo ka qënë një industri vitale ashtu siç është deri më sot në të tërë botën. Është fakt se as një shtet në botë nuk heq dorë nga zhvillimi i industrisë së naftës, aq më shumë kur e disponon këtë pasuri siç e disponojmë ne.
Politika me naftën
Në bilancin energjitik të botës kjo industri zë 60% të nevojave për energji. Në vendin tonë ajo zë rreth 40% , shifër kjo që tregon rëndësinë e kësaj dege të ekonomisë. Industria e naftës ka lozur role të ndryshme në ekonominë shqiptare në funksion të rregjimeve dhe politikave që ka janë ndjekur në vendin tonë. Kështu gjatë rregjimit të Mbretërisë, si kërkimet dhe shfryrëzimi i naftës, u lanë në dorë të shoqërive të huaja, kryesisht italiane. Ndërsa me ardhjen në pushtet të regjimit komunist, industria e naftës dhe e gazit u shtetëzua plotësisht duke u bërë tërësisht pronë publike. Deri në vitin 1947 në industrinë tonë të naftës kishin dorë dhe jugosllavët që deshnin ta përvetësonin këtë pasuri të vyer të vendit. Mbas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, qeveria komuniste i dha kësaj industrie një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit që ishte tërësisht i rrënuar nga lufta dhe me një prapambetje të theksuar ekonomike dhe sociale. Gjatë kësaj kohe u realizua një organizim total i industrisë së naftës dhe gazit duke e futur këtë industri në një cikël të mbyllur teknik dhe teknologjik dhe gjithmonë e administruar dhe subvencionuar financiarisht nga shteti.
Një gjë e tillë zgjati në një periudhë relativisht të gjatë kohe, nga çlirimi i vendit e deri në vitin 1990, kohë kur në Shqipëri u vendos një sistem pluralist dhe ekonomia e centralizuar u zëvendësua me atë të tregut të lirë. Mirëpo, pas vitit 1990, industria e naftës, si gjithë industritë e tjera të vendit, pësoi një mëtamorfozë sipas konceptit: “të minimizohet vlera nëpërmjet shkatërrimit që të shitet (blihet) lirë”, pa një strategji të qartë të zhvillimit si në fushën e kërkimeve, ashtu dhe në atë të shfrytëzimit të rezervave të gjetura që nuk ishin të pakta. Të njëjtin fat patën dhe ndërmarjet e prapavijës si uzinat, shërbimet, etj.
Gjatë kësaj kohe, kompania shtetërore që ngeli nga sistemi socialist Albpetrol sh.a me që trashëgoi një ekspertizë të nivelit të lartë tekniko-shkencor (dy institute shkencore dhe shumë byro, laboratore dhe ekipe teknologjike) si dhe një numër të madhe ndërmarrjesh (rreth 45) dhe punonjësish (rreth 19 mijë) dora-dorës u katandis deri më sot, në një mikro ndërmarrje, me një prodhim krejt minimal të naftës, pa asnjë rentabilitet vetëfinancues (nuk ka ushqyer punonjësit e saj dhe i ka shkurtuar vazhdimisht) pa le të bëjë investime në fushat e zhvillimit dhe të ishte kontributor për ekonominë në tërësi.

E themi këtë se kompanitë shtetërore të naftës në mbarë botën mbajnë një peshë të madhe të halleve të ekonomisë së vendit. Meqë është rasti mund të themi se pothuaj gjithë peshën e luftës që bëri Kroacia me Serbinë e Millosheviçit po thuaj e suportoi kompania e Naftës INA Naftaplinë. Industria jonë naftës, fatkeqësisht deri në ditët e sotme ka ruajtur vetëm emrin si të tillë, pasi aktualisht është një ndërmarje pa ndonjë mundësi zhvillimi si në tregun e brendshëm pa le në tregun e jashtëm.
Gjatë kësaj periudhe, pothuaj 30-vjeçare, nga të gjitha qeveritë tona të kësaj periudhe është ndjekur strategjia e dhënies me koncesion të aktiviteteve në industrinë e naftës – e njëta paradigmë që është praktikuar edhe gjatë rregjimit të Zogut. Shumë kompani të huaja koncesionare në fushën e shfrytëzimit të rezervave të zbuluara, kanë ardhur, kanë fituar (edhe kanë humbur) dhe kanë ikur duke e lënë industrinë tonë të naftës dhe të gazit në një gjendje pothuaj të mjerueshme – pa qëndrushmëri zhvillimi dhe pa ndonjë perspektivë të qartë. Po kështu, në fushën e zbulimit të rezervave të reja të naftës dhe të gazit kanë ardhur e kanë ikur shumë kompani që kanë bërë kërkime në tokë dhe në det dhe deri tani nuk ka ndonjë raportim zyrtar konkret në rritjen e rezervave të naftës dhe të gazit.
Me sa dimë, nuk ka ndonjë shtesë rezervash nafte dhe gazi mbi atë bilanc të trashëguar që ishte i dokumentuar zyrtarisht në kohën e ndryshimit të sistemeve plitike. Megjithatë, bilanci i rezervave industriale dhe gjeologjike që u trashëgua nga sistemi i mëparshëm politik është goxha i madh dhe shumë atraktiv për të vazhduar investimet për rritjen e shkallës së kategorive të rezervave të zbuluara si dhe në rritjen e tempeve dhe të nivelit të prodhimit të naftës dhe gazit në Shqipëri.
Shifra dhe fakte
Deri më sot shifra rekord e prodhimit të naftës ka qënë ajo e vitit 1974 ku u arrit një prodhim vjetor i naftës bruto në një nivel 2.4 milionë tonë.
Nga ecuria e prodhimit të naftës në Shqipëri duket qartë se prodhimi i naftës me fluktuacione të vogla duke filluar nga viti 1957, vit që u zbulua vëndburimi i Marinzës që bashkë me Patosin, rezulton që të jetë një nga më të mëdhenjtë në Europë, ka pasur një trend rritjeje deri në vitin 1974-1975, vite ku arriti prodhimin maksimal rekord që deri më sot nuk është tejkaluar.
Më tej, mbas vitit 1975, trendi i ecurisë së industrisë së naftës për arsyet që dihen, ka qenë në rënie, me një deklinitet jo shume intensiv, deri në vitin e ndryshimeve të sistemit 1990. Nga viti 1990 e më këtej, deri në vitin 2000, vërehet një rënie me deklinitet të theksuar e prodhimit të naftës dhe të gazit. Në këtë periudhë, në prodhimin e naftës punuan disa kompani të vogla koncesionare që faktikisht, për shkak të investimeve jo shumë të mëdha dhe të përdorimit të teknologjive jo potenciale që përdorën, nuk arritën të siguronin ndonjë nivel prodhimi të shquar.
Me ardhjen dhe fillimin e punës së Kompanisë koncesionare kanadeze Bankers Petroleum në vitin 2004, vërehet një rritje graduale e prodhimit të naftës nga kjo kompani dhe në total prodhimi i naftës në vënd në vitin 2014 u rrit deri sa arriti një shifër prej 1,368,328.64 tonë. Në këtë shifër kontributori më i madh është Bankers Petroleum ndërsa kompanitë e tjera koncesionare që kanë punuar në vëndburimet e tjera të Shqipërisë kanë një pjesë shumë të vogël të kontributit.
Në fakt kjo kompani nuk bëri gjë tjetër veç se aplikoi një teknologji që specialistët tanë e kishin propozuar me kohë si dhe ishte shpuar pusi i parë horizontal në formacionet karbonatike në vëndburimin e naftës Ballsh – pusi Ballshi 135/H. Fakti që specialistët shqiptarë e kishin këtë ekspertizë e tregoi dhe shpimi u dhjetë puseve horizontalë në vëndburimin e Visokës, i mbeshtetur plotësisht si projektim dhe në operacione shpimi nga specialistët shqiptarë dhe nga pajisje të kompanive shqiptare, një prej të cilave dhe më e kompletuara është Albdrilling sh.a e grupit të kompanive BOLV-OIL sh.a . Kjo tregoi se marrja e kompanive kanadeze dhe kroate të shpimit dhe të shërbimit, për të realizuar projektime dhe shpime në vëndburimin e Patos-Marinzës ka qenë i pa studiuar, gjë që ka rritur mjaft shpenzimet në shfrytëzimin e rezervave të këtij vendburimi gjigand. Fatkeqësia është se sondat e vendit ku futet dhe ajo e Albdrilling sh.a janë pa punë.
Edhe kompania shtetërore Albpetrol nga viti 2004 e këndej ka pasur një prodhim fare të vogël me rënie të theksuar, ku vrehet tendenca për të minimizuar aktivitetin, duke i dhënë vendburimet e naftës kompanive të tjera.
Përvoja 100 vjeçare
Nga gjithë kjo eksperiencë njëqindvjeçare e industrisë tonë të naftës rezulton se: Vendi ynë ka prodhuar një sasi të përgjithshme nafte prej rreth 50 milionë tonë, dhe se ka arritur të aplikojë gjithë metodat që njihen aktualisht në botë, të nevojshme për kërkimet e naftës dhe gazit (si metodat e kompleksit gjeologo-gjeofizik), duke zbuluar rreth 6 vendburime nafte, tre gazi dhe dy gazokondesati si në formacionet ranore dhe karbonatike; ka arritur të shpojë puse të thellë me thellësi maksimale deri në 6700 m në kushte shumë të vështira gjeologo-teknike dhe teknologjike, ka shfryrëzuar nafta me viskozitet super të lartë, ka aplikuar metodat e dyta dhe intesifikuese në të gjithë spektrin që njeh teknologjia bashkëkohore e shfrytëzimit të naftave si injektimin e ujit dhe të gazit, injektimin e lëndëve tensioaktive, injektimin e avullit, metodën e djegies nëntokësore (metodë kjo që mund të përdoret fare mirë në shfrytëzimin e shtresave qymyrmbajtëse dhe shtresave bituminoze), metodat e injektimit të holluesit, përdorimin e pompave me burmë, pompave me hap të gjatë, ngrohjen fundore etj etj. Po kështu mjaft arritje u shënuan dhe në fushën e shërbimeve të prapavijës, ku përmblidhet një spektër i gjërë punimesh që nga remonti (madje dhe i prodhimeve të reja) i pajisjeve dhe makinerive, gjeofizika kantjerale, proceset e çimentimit dhe intesifikuese, ndërtim, transport, rrugë dhe bazamente etj.

Nga kjo pikëpamje e themi me përgjegjësi se specialistët shqiptarë gjatë një periudhe prej 100 vjeçare, që ka aktivitet industria e naftës, kanë grumbulluar një eksperiencë mjaft të madhe në të gjithë ciklin e kësaj industrie, duke filluar që nga studimet, përgjithësimet dhe projektimet gjeologjike me koeficent suksesi të kënaqshëm, në teknologjinë e shpimit të puseve të thellë e shumë të thellë në kushte shumë të komplikuara gjeologo-teknike, në teknologjinë e përpunimit të vendburimeve të naftës dhe të gazit si në gëlqeror dhe në ranor, si dhe në teknologjinë e nxjerrjes, kondicionimit, trasportit dhe përpunimit të naftës dhe gazit. Fakti që industria e naftës në përiudhën 1960 deri në 1990 u drejtua plotësisht me sukses në të gjitha fushat e aktivitetit të saj nga specialistët tanë si dhe sigurojë prodhimin shumë herë më të madh në kuadrin e prodhimit total që është realizuar deri më sot, tregon qartë se specialistët shqiptarë janë plotësisht në gjendje që ta menexhojnë me kompetencë industrinë tonë të naftës dhe të gazit si dhe kanë kapacitete të dalin me sukses dhe në tregun e jashtëm të kësaj industrie.
Specialistët tanë
Ky konkluzion shumë i rëndësishëm duhej të ishte pasur parasysh që në momentin që gjithë industria jonë e naftës kaloi në një sistem tjetër menaxhimi mbas vitit 1990. Për këtë janë dhënë dhe mendime dhe propozime konkrete në masmedje dhe në forma të tjera gjatë gjithë kësaj kohe nga specialitët tanë mjaft kompetentë të kësaj industrie komplekse. Përgjegjësinë e mbajne organet e ekzekutimit të çdo periudhe mbas vitit 1990, që nuk janë thelluar në këto vrejtje dhe mendime nga ekspertët tanë të kësaj industrie me vlera të mëdha për ekonominë kombëtare.
Tanimë është vërtetuar plotësisht që specialistët shqiptarë kanë qënë dhe janë të aftë që të marrin në dorë gjithë ciklin e punimeve që përmbledh industria e naftës dhe e gazit. Në se bëhet pyetja: a janë në gjendje specialsitët shqiptar e naftës dhe gazit që të ndërmarin projekte dhe të udhëqin operacione të ndryshme në industrinë e naftës? Kjo pyetje pa as më të voglin mëdyshje, është vërtetuar nga koha dhe ka vetëm një përgjigje pozitive dhe konkretisht: specialistët shqiptarë janë plotësisht të aftë që të realizojnë studime, përgjithësime, projekte dhe aplikime në të gjithë ciklin e punimeve që kërkon industria e naftës duke punuar jo vetëm në vend por dhe në tregun botëror të industrisë së naftës dhe gazit.
Atëhere del pyetja: Pse nuk aktivizohet ky potencial pasurie dhe ky aset intelektual që ka Shqipëria në industrinë e naftës, por po lihet që dora dorës të degradojë dhe në vend të tij të vijnë pa qenë e nevojshme dhe pa asnjë leverdi për ekonominë tonë, ekspertë dhe pajisje të huaja si kanë ardhur këto tre dekadat e fundit? Është e pafalshme që një sasi jo e vogël e valutës gjatë kësaj përiudhe, nëpërmjet kompanive koncesionare, ka fluturuar jashtë thesarit shqiptar.
Pikëpyetje për kompanitë e huaja
Është thënë disa herë që në Shqipëri nuk kish pse të kërkohej ardhja e kompanive të huaja, sidomos në fushën e shfrytëzimit të rezervave të gjetura, të cilat janë si bakllavaja në tavolinë që në mënyrë figurative, vetëm lugën kërkon. Këtë punë mund ta bënin fare mirë qeveritë shqiptare, në se merreshin masat që mund të merreshin. Mund të ishte e nevojshme ardhja e kompanive të huaja për kërkimet dhe gjetjen e rezervave të reja të naftës dhe të gazit që nuk mungojnë, sepse këto operacion e kanë një risk relativisht më të lartë. Megjithatë, mund të thuhet se edhe në fushën e kërkimit dhe gjetjes së rezervave të reja të naftës dhe gazit nuk ka pasur pothuaj as një rezultat për përmirësimin e bilancit kombëtar të rezervave , me gjithë shpenzimet e bëra që rëndojnë dhe buxhetin e sotëm apo të ardhshëm të vendit. Praktika që është ndjekur deri tani si në fushën e nxjerrjes së naftës nga vendburimet e zbuluara dhe në fushën e kërkimeve në det dhe në tokë, tregon se kjo industri nuk ka pasur ritmet e zhvillimit të kohës kur kjo industri në të gjithë ciklin e saj ka qenë në dorë të specialistëve shqiptarë. Mandje këtu do nënvizuar më forcë që kompanitë e huaja që kanë ardhur këtu, nuk kanë pasur ndonjë obligim kontraktual, si palë pronare që jemi, për të marrë në konsideratë eksperiencën e gjatë që kanë pasur specialsitët shqiptarë të naftës të të gjitha fushave. Një gabim i tillë e tregon fakti se rezultatet e arrira nga specialitët shqiptarë, jo vetëm nuk janë tejkalur por janë shumë mbrapa arritjeve të tyre. Ky është fakt i pamohueshëm.

Deri më sot është përdorur si alibi për mosfutjen në aktivitet të ekspertizës komplekse që kanë specialsitët shqiptarë në fushën e industrisë së naftës fakti që kompanitë e huaja që kanë ardhur në Shqipëri janë mbështetur pothuaj totalisht në ekspertizën e specialistëve të tyre, të cilën ata e konsiderojnë të nivelit të lartë. Po të shohësh rezultatet konkrete, mund të thuhet se kompanitë e huaja që kanë punuar në Shqipëri në industrinë e naftës, nuk kanë siguruar tregues prodhimi më të larta se ato që kanë siguruar specialistët shqiptarë në secilin vëndburim ekzistent. Një gjë e tillë vërehet se nga viti 1990 e këndej, me gjithë harxhimet e mëdha që janë bërë në fushën e kërkimeve (rreth 400 milionë dollarë) nuk janë zbuluar po thuajse fare rezerva të reja nafte dhe gazi. Edhe rezervat që informohen se janë zbuluar në zonën e Beratit po vonohen shumë në fazën e vlerësimit dhe të shfrytëzimit të tyre.
Ne mendojmë në bazë të eksperiencës që kemi, që në Shqipëri janë gati për t’u zbuluar edhe 3-4 vëndburime me thellësi mesatare 3500 m, të cilat i kemi lokalizuar. Po ashtu edhe treguesit teknikë, teknologjikë dhe ekonomiko-financiarë të operacioneve të kryera në shpimin e puseve si dhe në manaxhimin e vendburimeve kanë qenë shumë më larg arritjeve të kohëve kur drejtoheshin nga specialistët shqiptarë. Po të shihet aktiviteti i operacioneve të shpimit që janë kryer nga kompanitë e huaja, psh në vendburimin e Marinzës, rezulton se është më i kostueshëm; ndërsa të puseve të thellë të kërkimit janë shumë herë më të kostueshëm dhe të shoqëruar me shumë avari dhe komplikacione e deri në mos arritjne e objektivit të projektuar (pusi Delvina-34) etj.
Strategji për nxjerrjen e naftës nga kriza
Tanimë, në bazë të argumenteve të sipërtreguara, mendojmë se ka ardhur koha që industria e naftës dhe e gazit të lihet në dorë të kompanive që aktualisht ekzistojnë dhe specialistëve shqiptar. Nuk ka as një sens që vëndburimin e Patos-Marinzës, Ballshit, Gorisht- Koculit, Amonicës, Cakranit, Delvinës etj., të lihen në një gjendje të tillë, në dorë të koncesionarëve të huaj që shpesh kanë qënë kompani fantazmë, që mund të thuhet me plot gojën se aktualisht nuk punohet. Vendburimi i Marinzës këto kohët e fundit i shitur nga Kompania Bankers Petroleum u ble nga një kompani kineze Geo Jade e cila po ecën shumë ngadalë në drejtim të rritjes sës prodhimit të naftës. Ajo nuk duhet që t’ia lejojë vetes (por dhe shteti ynë nuk duhet ta lejojë) që të lërë një vëndburim potencial i cili edhe vitet e fundit tregoi që mund të arrijë një prodhim mbi një million tonë në vit, pa prodhim sepse prodhimi i naftës është në interes jo vetëm të kompanisë koncesionare, por dhe të vetë ekonomisë së vendit duke filluar që nga taksat dhe në punësimin e njerëzve dhe kompanive të tjera shqiptare të shërbimit.
Po ashtu vendburimet e tjera të naftës kanë një prodhim shumë larg nivelit potencial sepse koncesionarët mjaftohen vetëm në plotësimin e interesave të tyre financiare (duke realizuar shfrytëzimin po thuaj në potencialin natyral të vendburimeve) ndërsa këto vendburime, nëpëmjet planeve të zhvillimit dhe investimeve të nevojshëme kanë mjaft mundësi por edhe detyrime për të plotësuar kërkesat e ekonomisë shqiptare, e cila i ka si asete potenciale për zhvillimin e saj. Është e pa lejueshme që vendburimi i gazit-kondensat të Delvinës që ka rreth tridhjet vjet që është zbuluar nga specialistët shqiptarë dhe akoma nuk ka përfunduar konturimi pa le vënia e tij në eficencë të plotë ekonomike. Po kështu dhe pusi Osmënzezës -4, i cili gjatë shpimit pati shenja shumë të mira për zbulim nafte të hollë – u ndërpre në mënyrë abuzive pa arritur projektin. Ky pus mendojme se është afër zbulimit të rezervave të reja dhe mendojmë se Shelli që me sa dimë ka koncesion në këtë zonë, të bashkëpunojë me kompaninë Albdrilling sh.a. duke përdorur mundësitë teknike dhe ekspertizën lokale që ka kjo kompani dhe të realizojë shpimin e lënë përgjysem apo të shpojë një pus të ri dublor, dhe kësisoj të shpejtojë zbulimin e këtyre rezervave që sigurisht do jenë pronë e kompanisë Shell – Albdrilling do bëjë vetëm shërbimin e shpimit. Kjo do shpejtojë zbulimet e kativitetit të kërkimeve që po bënë Shelli duke futur në eficencë dhe mundësitë potenciale lokale. Është për të vënë duart në kokë që termocentrali i Vlorës rri në konservim dhe në të njejtën kohë Shqipëria importon energji elektrike.
Atëhere pse u ndërtua ky TEC dhe pse nuk vihet në punë kur ne kemi rezerva gazi të zbuluara (një nga të cilat janë ato të vëndburimit të Delvinës që nga ekspertët tanë konsiderohet gjigand) dhe ka mundësi të zbulohen të tjera rezerva gazi. Pra edhe një herë e themi se është koha që për zhvillimin e industrisë së nafës dhe të gazit të aktivizojë potencialet tekniko-financiare të vendit.
Ashtu siç thamë, Shqipëria ka ekspertizë të plotë që të sigurojë menaxhimin dhe zhvillimin e industrisë së naftës në pikëpamje tekniko-shkencore. Këtu vlen të përmendet fakti se në vend ka dhe institute shkencore private që lidhen me industrinë e naftës si Ins-albdrilling etj. Po kështu është planifikuar që të ngrihet Instituti i Naftës nga shteti ynë dhe ky problem ka vite që po tiret dhe stërtiret sikur është një problem i pa njohur. Mendojmë se vendi, po të bëhen përpjekjet dhe hulumtimet e nevojshme, ka asete financiare dhe teknike për realizimin e këtij zhvillimi. Aktualisht në industrinë e naftës ka kompani shërbimi siç është kompania Albdrilling sh.a e cila ka teknikë dhe ekspertizë të plotë për shpimin e puseve deri në thellësinë 4000m dhe sonda dhe gjithë mundësitë e saj janë ngrirë se Industria e Naftës nuk po punon. Po ashtu ka ekspertizë të plotë në drejtim të lëngut larës, të çimentimit të kollonave, të gjithë operacioneve të kompletimit të puseve dhe përfundimit të tyre me çelësa në dorë. Po kështu kjo kompani ka gjithë pajisjet e nevojshme të fjalës së fundit për realizimin e shpimeve horizontale deri në 90 gradë etj. Një numër kompanish shqiptare, operojnë në industrinë e naftës për ndërtimin e rrugëve dhe objekteve të tjera si rezervuar, tubacione, stacione pompimi etj.
Në industrinë e naftës ka dhe kompani që merren me punimet e remontit të puseve të naftës dhe gazit si dhe me realizimin e proceseve të intensifikimit të naftë-gas dhënies etj. Gjithë ky potencial që ka tanimë Shqipëria mund të vihet në eficence në favor të rritjes së prodhimit pa pritur dhe bërë thirrje kompanive të huaja, të cilat, siç e ka treguar praktika vijnë, fitojnë dhe ikin. Edhe tendera mund të bëhen, dhe në tenderim të ftohen kompanitë e huaja, por kemi bindjen se ato do jenë më inferiore nga të gjitha pikëpamjet ndaj kompanive shqiptare. Duhet të vihet objektivi dobiprurës që të futen në aktivitet kompanitë shqiptare që kanë punësuar dhe do punësojnë shqiptarë, kanë investuar potencialet shqiptare, dhe kontribuojnë nga të gjitha drejtimet në ekonominë shqiptare duke mos e lënë djersën dhe pasuritë tona të shfrytëzohen pa efektivitet dhe të migrojë në bankat e tjera.
Kompanitë koncesionare që janë në fushën e shfrytëzimit duhet që në se nuk realizojnë programet e zhvillimit që duhet t’u vihet detyrim nga shteti, nuk duhet t’u rifreskohet kontrata dhe të ritenderohen duke futur kompani dhe kapitale shqiptare. Mendojmë që industria jonë e naftës duhet dhe mund të punojë vetëm po ta marrinë në dorë kapitalet shqiptare, të cilat tanimë jane të mundshme si teknikisht dhe financiarisht si kompania Albdrilling sh.a, BOLV-OIL, Silvi, Alba Star, Super star etj. Deri më sot është gjetur si pengesë se për të punuar në industrinë e naftës kompanitë shqiptare nuk kanë mjete teknike dhe financiare. Ky është një koncept i gabuar dhe pa vlerë sepse gjithë kompanitë e naftës në botë punojnë me mjetet financiare të bankave sepse ato (kompanitë e naftës) disponojnë një aset shumë të sigurt dhe me vlerë që janë: rezervat e naftës dhe gazit të vërtetuara në mënyrë shkencore. Edhe Bankers Petroleum me sa dimë, mjetet financiare i siguroi duke vënë si kolateral rezervat e naftës të vëndburimit gjigant të Patos-Marinzës. Bankat japin kredi për koleterale shumë më pak të sigurta se sa rezervat e naftës dhe gazit që ka nëntoka jonë që janë asete gjigande dhe të vërtetuara shkencërisht se janë të sigurta. Ështe paradoksale që industria jonë e naftës tenton në shkurtimin e vëndeve të punës. Duhet thënë se edhe tani që çmimi I naftës është disi delikat, industria e naftës dhe gazit në botë është nga më potencialet për të hapur vende pune.
Kohët e fundit, me realizimin e projektit të gazsjellësit TAP, vëndi ynë ka një punë kolosale për të realizuar në drejtim të gazifikimit. Deri tani, megjithë se gazsjellësi TAP po punohet të përfundojë në vitin 2020, akoma nuk po duket aktivizimi në territorin shqiptar në drejtim të masave që duhen marrë që nga krijimi i rezervuarëve nëntokësorë të gazit e deri ne ndërtimin e rrjetit magjistral dhe më tej të rrjetit shpërndarës të gazit. Studime dhe projekte konkrete ka. Pse nuk bëhet organizimi i zbatimit të studimeve dhe projekteve sepse me kalimin e kohës i shkaktohen shumë dëme ekonomisë së vendit. Vendet e tjera e kanë gazifikuar vendin me kohë, neve duhet të fillojmë një sahat e më shpejt nga puna.
Industria e naftës në vendin tonë ka një supermaci të veçantë që duhet kuptuar dhe vlerësuar sepse ndodhet në afërsi me një nga tregjet e mëdhenj të botës së konsumit, që janë vendet ballkanike dhe europiane që i kanë shumë defiçitare produktet e naftës dhe gazit. Shqipëria është me fat që e ka këtë pasuri që po ta menaxhojë siç duhet, jo vetëm nuk duhet të importojë siç importon, por dhe ka mundësi të sigurojë kapacitete eksportuese duke rritur të ardhura të nevojshme. Është e palejueshme që nafta që prodhohet në vend ka licencën të eksportohet duke ulur shumë përfitimet që ka ekonomia jonë nga kjo pasuri dhe lënë batall rafineritë e vendit dhe punonjësit e tyre. Ka shumë vende në botë, duke përmendur Greqinë, Italinë etj, që nuk kanë prodhim nafte apo kanë shumë pak dhe kapacitetin e përpunimit e kanë disa fish sepse kuptohet leverdia e ekonomisë së vendit. Edhe industria e përpunimit nuk po punon dhe sjell dëme sa të duash!
Për naftën dhe gazin janë bërë luftëra që ta kenë në dorë këtë pasuri të madhe – ne e kemi dhe po e lëmë mbas dore dhe pa futur në eficencë ekonomike, në radhë të parë se nuk punohet siç duhet punuar, sepse dihet se jemi nominuar për të nxënë mend: shqiptari i varfër që shkel mbi flori! Atëhere nga do e sigurojë Shqipëria rritjen ekonomike dhe sigurimin e mirëqenies dhe parametrave të tjerë ekonomiko-financiarë dhe minimizimin e migracionit në se nuk mbështetet tek një pasuri e tillë që e ka fat që e ka, e cila jo vetëm nuk e pengon zhvillimin e degëve të tjera të ekonomisë – përkundrazi e ndihmon zhvillimin e shpejtë dhe të qëndrueshëm të tyre.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura