DR.JAKUP KRASNIQI: MASAKRA E MANASTIRIT (9 GUSHT 1830) DHE PASOJAT E SAJ

Prishtinë, 03. 04. 2015 – Fillimi i shekullit XIX për popujt e Ballkanit (Ilirikut) ishte shekulli i formimeve të kombeve dhe të shteteve të tyre, për çka edhe kishin një mbështetje të pakursyer nga shtete të fuqishme të Evropës së kohës. As shqiptarët nuk mbeteshin pas popujve të tjerë të rajonit për idenë kombëtare, për shkëputjen nga Porta e Lartë, kur ajo por shfaqte shenjat e para të dobësimit që kulmoi disa dekada më vonë, më saktë me luftërat ballkanike 1912-1913 dhe rrjedhimisht edhe me Luftën e Parë Botërore. Nga historia na është bërë e ditur përpjekja e Pashallëqeve të Mëdha (i Shkodrës dhe i Janinës) për t’u shkëputur nga vartësia anadollake. Veç kësaj, shqiptarët kontribuuan jo pak, madje ishte evidente kjo, në krijimin e shteteve kombëtare në Ballkan e më gjerë (Egjipt, etj.). Diku drejtpërdrejt e diku tërthorazi. Por, pa dyshim, në mënyrë të veçantë ndihmuan shumë në krijimin e shtetit grek. Me krijimin e shteteve kombëtare të Ballkanit, Stambollit iu hap rruga e “hakmarrjes” me një përqendrim të koncentruar represiv ushtarak ndaj shqiptarëve dhe idesë kombëtare të tyre, legjitime, si e të gjithë popujve përreth.

Mehmet Reshit Pasha (1780–1839)

Në vitin 1830 Lufta e Pashallarëve të Pashallëqeve të Mëdha për autonomi e shkëputje nga Sulltani ishte në përfundim e sipër. Sulltani me njerëzit e tij të hierarkisë së lartë shtetërore dhe ushtarake (aty ku kishte edhe shumë shqiptarë), nga radhët e osmanëve dhe të shqiptarëve, ishin në kërkim të gjetjes së rrugës për nënshtrimin përfundimtar të Shqipërisë e të shqiptarëve si komb i pavarur si gjithë të tjerët. Edhe pse Porta e Lartë ndërmori shumë ekspedita dhe luftëra për nënshtrimin e shqiptarëve, për shuarjen e idesë së kombit shqiptar, duke ua mohuar çdo mëvetësi gjuhe e kombi, populli shqiptar sa vinte e po konsolidohej. Por as Sulltani nuk po rrinte duarkryq. Ushtritë e shumta osmane, pas një rezistence të gjatë të pashallarëve të jugut e të veriut, duke përdorur të shpeshtën luftën brenda llojit, pra luftën e njërit kundër tjetrit, ia arriti ta pushtojë Kështjellën e Janinës, selinë e Pashallëkut me nam, e më pas edhe atë të Shkodrës. Por, as ndarja e kokës nga trupi i “Luanit të Shqipërisë” e as mundja e Bushatllinjëve, Stambollit nuk i sollën rezultate te dëshiruara. Sulltani kishte dhënë urdhrin e prerë: “Shqipëria duhet nënshtruar me hekur, zjarr e barot”. Për këtë kishte urdhëruar vrasësit e gjithkohshëm, vrasësit me pagesë, nga radhët e osmanëve dhe të shqiptarëve. Dhe kjo nuk ishte diçka e re, shqiptarët i kishin ndihmuar Sulltanit që nga koha e Skënderbeut, mbase edhe më herët. Siç do shihet më vonë, vrasësi te stërvitur denbabaden urdhrin e kishin marrë me seriozitet të plotë. Në këtë drejtim, një pasha nga Shqipëria kishte qenë më i “zgjuar”. Kishte zbuluar formulën për nënshtrimin e shqiptarëve, për pengimin e kombit shqiptar, për zgjatjen e jetës së shtetit osman në Shqipëri (pashallarët e tillë kurrë nuk i munguan Shqipërisë, as në vitet e 80-ta të shek. XIX, as më vonë). Formula ishte e thjeshtë: “kërkohej me çdo kusht e pa zgjedhur mjete, zhdukja në pabesi, eliminimi i krerëve të kombit e të shtetit në formim”. Në ato momente ky ishte ilaçi më i mirë dhe i mundshëm për vrasjen e idesë se kombit e të shtetit të shqiptarëve – Shqipërisë.
Formimi i këtij kombi (me shumë besime), që shqiptarizmin e kishin zbuluar jo vetëm si udhërrëfyes por edhe impenjim (zotim), do të qe krucial për shpëtim, duke qenë se shqiptarët ishin kryengritës e luftarakë,ndaj për sulltanin ishin “mosmirënjohës”, “bukëshkalë”, “pis milet” dhe ai do të kërkonte që të shtyhej së paku edhe për një shekull çështja e tyre, siç mendonin e pretendonin dhe filoosmanët dhe osmanet e tjerë të çdo soji e sorollopi. Por kështu nuk mendonin shqiptarët!Ndaj, Porta e Lartë,për të arritur qëllimin më ogurzi duhej të organizonte atë “Gostinë e Krimit” për të treguar fuqinë ushtarake të ushtrisë së“reformuar” osmane. Për shqiptarët kjo nuk ishte hera e parë që në Tokën e tyre, ku kishin lindur, punuar e jetuar që nga zanafilla, të huajt më se një herë po ua shtronin “Gostinë e Krimit”. Një e tillë që edhe ajo e 9 gushtit 1830,të cilën historia jonë e njeh me emrin “Masakra e Manastirit”.
Po si ndodhi kjo “gosti e përgjakshme”?
Më 9 gusht të vitit 1830,pasi qe planifikuar në detaje plani djallëzor, i asaj që më vonë do të merrte dhenë si “Masakra e Manastirit”, Mehmet Reshit Pasha i kishte ftuar feudalët shqiptarë (natyrisht, përpos besnikëve), për t’i njoftuar me formimin e ushtrisë së re osmane të “organizuar” sipas sistemit evropian. Ky ishte shkaku për organizimin e paradës ushtarake dhe më pas edhe i “gostisë” enkas për shqiptarët. Në momentin kur ushtria e re po kalonte para feudalëve shqiptarë, i drejtuan armët nga tribuna dhe brenda pak minutash 800 deri 1000 feudalë e krerë shqiptarë vriten pamëshirshëm. Siç dihet, kohë më parë, koka e njërit syresh kishte arritur deri në Stamboll, derisa trupin ia kishin lënë në Janinë, një lloj metafore kjo e fatit gjithëshqiptar “një komb – dy kontinente!”.Natyrisht, e gjithë kjo u bë sipas urdhrit të Sulltanit të “lartmadhërishëm”. Një gosti e njëjtë qe organizuar edhe në Janinë nga i biri i Mehmet Reshit Pashës, por ajo qe e përmasave më të vogla. Pasoja e prerjes së kokave të kombit, shqiptarëve në histori u kushtoi shumë. Madje, fatkeqësisht, ajo nuk qe as hera e fundit. Histori të tilla, shqiptarëve që nuk e mësojnë si duhet historinë, u përsëritën shpesh!

Intenca permanente e këtyre “gostive” ishte më se e qartë: me “gosti” të tilla, vrasje e prerje kokësh, internime e burgime të ngulfatej zëri i lirisë e drejtësisë, që po merrte përmasa gjithnjë e më gjithëpërfshirëse, dhe, kësisoj, shqiptarët të mbeteshin edhe për ndonjë vit pa prijësit liridashës kur atëbotë fqinjët tjerë ballkanas, njëri pas tjetrit po e fitonin kush pavarësinë e kush autonominë me primesa gllabërimi të gjithë hapësirës territoriale shqiptare, e vlerësuar asokohe hiç më pas se 100.000 km2. Vetëm shqiptarëve po iu mohohej kjo e drejtë e natyrshme, siç u mohohej edhe e drejta për shkollë e gjuhë shqipe.
Shqiptarët e lodhur nga luftërat mbi 500-vjeçare, kjo “gosti” (epo, historia njeh edhe “Natën e Shën Bartolomeut, e 24 gushtit 1572, apo “Natën e kristaltë” të 10 nëntorit 1938, etj.!) sikur nuk u bëri ndonjë përshtypje. Heshtja apo fërkimi i duarve i një kategorie shqipfolësish edhe atëherë kur eliminoheshin krerët e kryengritjes shqiptare, i prijësve shpirtërorë, i arsimdashësve të kombit, edhe atëherë kur vriteshin, masakroheshin, helmoheshin, burgoseshin a syrgjynoseshin në dhera të huaja, ishte të paktë për shqetësim. Ishte e dhimbshme dhe shqetësuese se një pjesë të kësaj ploje të tmerrshme e paskëshin ndihmuar disa shqiptarë të ligj të cilët i kishin denoncuar rrejshëm bashkëkombësit e tyre para gjyqeve të të huajit.
Kishte shumë shqiptarë nga anë të ndryshme si nga qyteti e fshati që po i thoshin si me drojë njëri-tjetrit: Ç’i duhet sulltanit të shumë fuqishëm të merret me shqiptarët e pafuqishëm që kanë humbur shumë luftëra, që u janë bërë shumë padrejtësi, që kanë humbur shumë toka nga armiqtë e egër të Ballkanit, dhe që kanë luftuar për padishahun gjithandej nëpër botë? Po përse sulltani i gjithëpushtetshëm, me gjithë atë alamet perandorie që kishte dikur, madje edhe me “ndihmën” tonë, asnjëherë deri me tani nuk angazhoi ushtri për t’i mbrojtur interesat tona, të drejtat tona nga fqinjët grabitqarë të Ballkanit? Sulltani dhe Porta e Lartë është duke menduar vetëm për interesat e sulltanatin e tij. Ai, shumë toka të Shqipërisë i shiste sikur të ishin çiflig i tij. Shqiptarët, trashëgimtarët e ligjshëm të trojeve të tyre nuk pyeteshin për asgjë, duke u trajtuar si çifçinj në tokat e tyre stërgjyshore. Edhe më keq se kaq, ata po ndiqeshin, burgoseshin, vriteshin dhe helmoheshin në vatrat e tyre shekullore, pse kërkonin mëvetësinë e tyre. Sulltani nga verbëria,mbase edhe nga besnikëria që kishin shqiptarët për të, nuk arriti të kuptojë se gjuha e tij e komunikimit me shqiptarët kishte kohë që ishte bërë e papërdorshme.
Shekulli i ri që tashmë kishte ardhur me kërkesa imediate, po e kërkonte një gjuhë të re komunikimi mes njerëzve, qofshin ata të dobët apo të fuqishëm. Të shpeshtën, sundimtarët, të cilët fuqinë e marrin nga ne, njerëzit e thjeshtë, nuk dëshirojnë të kuptojnë se mbështetja për muri e më të dobëtit do të thotë shtyrje për një rezistencë dhe mobilizim të përgjithshëm, gjithsesi të imponueshëm.
Masakra e Manstirit, kjo Natë Shqiptare e Bartolomeut, Nata e Kristaltë e terrorit mbi shqiptarët pati pasoja të pariparueshme që reflektojnë edhe sot e gjithë ditën.
Koha e dëshmoi këtë, ndaj ka shumë punë për t’u bërë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura