DR.JAKUP KRASNIQI: NGULFATJA E DEBATIT NË KUVENDIN E KOSOVËS! TURPI KA ADRESË – GJYKATËN KUSHTETUESE DHE PAKICËN PARLAMENTARE (PDK)!

Prishtinë, 03. 10. 2014: Sigurisht që varet shumë se nga cili këndvështrim e shikon çështjen. Dikush mund të thotë se shumica parlamentare e dalë nga zgjedhjet e 8 qershorit 2014, tregoj pa fuqinë e saj vendimmarrëse!? Ndoshta edhe kanë të drejtë! Por ky nuk ishte qëllimi. Qëllimi ishte, t’u tregoj atyre që e kanë suspenduar vullnetin e qytetarëve të Kosovës e në rastin konkret anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese; t’i tregoj opinionit publik të Kosovës, vëzhguesve ndërkombëtar në Kosovë dhe të gjithë të interesuarve për të ditur se çka po ndodh te ne, se ndërprerja e vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit, është dashur të bëhej në Kuvendin e Kosovës, ashtu siç parashihet në Rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës. Dhe pa dyshim shumica parlamentare tregoi kulturë institucionale e parlamentare. Me një fjalë, suspenduesëve të Kuvendit ua dhanë një leksion demokratik e parlamentar se kush ka të drejtë ta shtyjë seancën e thirrur. Sjellja e pakicës parlamentare, është jo demokratike dhe aspak parlamentare, ose se paku diçka të tillë nuk e njeh praktika parlamentare europiane. Ndonëse pakica e dukshme parlamentare po mundohet ta hedhë fajin të shumica parlamentare, e cila po sillet me kulturë e maturi të skajshme. Por të gjithë ketë po e bënë për hir të Republikës së Kosovës, për të cilën populli ynë ka sakrifikuar shumë.
Këto ditë, një opinionist, ju drejtua deputetëve përmes një pyetje se “A po ju vjen marre”? Natyrisht që deputetet, të cilët bartin edhe një pjesë të sovranitetit qytetar (neni 2 i Kushtetutës), nuk mund të ndjehen mirë, por a janë deputetët problemi që gjendja në Kosovë është e tillë? Pa hyrë në çështjen, janë apo nuk janë deputetët meritor për përgjegjësinë qytetare që kanë marr në zgjedhjet e qershorit, ata dikush me metoda jo demokratike, jo parlamentare dhe jo ligjore po i pengon në kryerjen e detyrave të tyre kushtetuese. Ndoshta pyetja duhet të shtrohet edhe ndryshe, apo na vjen marre si shoqëri e organizuar politike, intelektuale, akademike, si medie, si shoqëri civile e madje edhe si zgjedhës për gjendjen e krijuar. Se të gjithë jemi fajtor për zgjedhjet që i kemi bërë. Çka kemi zgjedhur ne si kategori shoqërore të organizuara dhe si qytetarë? Pse po i “fusim krejt në një thes”? A po i kontribuojmë zgjedhjes së problemit politik me këtë qasje? Me këtë oportunizëm ndaj gjerave më vitale për vendin, a mund t’i zgjidhim problemet e grumbulluara gjatë gjithë këtyre viteve? Me oportunizëm e pa ndjesi qytetare, me heshtje e nënshtrim, në cilin vend dhe cili popull arriti zhvillimin ekonomik e demokratik dhe progresin shoqëror? Dihet se pa i adresuar qartë e saktë problemet dhe pa u angazhuar seriozisht ato nuk zgjidhen.

Turpi ka adresë – Gjykatën Kushtetuese dhe pakicën parlamentare (PDK)!

Ne, jo pak herë gjatë këtyre viteve kemi dëgjuar të thuhet shumëçka në adresë të Kuvendit, si institucion dhe deputetëve të zgjedhur, të cilët i kemi parë jo pak herë sesi janë trajtuar nga “të fuqishmit” e partive politike. I kemi parë jo pak herë se çfarë diktati i janë nënshtruar e në ç’pozita të vështira janë gjendur ata në sytë e botës. Kuvendi si institucion më i lartë i vendit është udhëhequr nga shefi i opozitës, i cili zakonisht ka qenë Kryeministër, veçmas pas pavarësisë së shtetit tonë.
Qeveria menaxhon me paranë publike (buxhetin) dhe me pasurinë publike e kombëtare në përgjithësi. Të themi shkurt e shqip: turpi ka adresë – Gjykatën Kushtetuese dhe pakicën parlamentare e cila, përveç që e ka ngulfatur debatin brenda vetvetes, ajo tani po e pengojnë debatin dhe në Kuvendin e Kosovë, për çka edhe është i thirrur ai. Kuvendi është shtëpia e demokracisë, vendi i bërjes së ligjeve, i marrjes së vendimeve dhe i mbikëqyrjes se institucioneve që zgjidhen nga ai, dhe për të gjitha këto çështje debatohet paraprakisht.
Pakica parlamentare do të duhej ta hapte debatin e brendshëm, pse nuk po gjejnë aleat për të qeverisur? Çka kanë bërë udhëheqësit e kësaj pakice parlamentare që të vijnë në një situatë ku askush nuk u beson të qeverisë me ta?
– Pse, atëherë kur ishit edhe humbës e kishit shumë shokë e pak profiterë, arrinit edhe të qeverisnit pa ndonjë vështirësi?
– Me shokë fituat dy herë, ndërsa qeverisët me profiterë!?
– Derisa tani, që keni pak shokë e shumë profiterë, edhe pse jeni koalicioni i parë i dal nga zgjedhjet e fundit, jeni humbësit e pas zgjedhjeve?
– Pse keni humbur besimin e bashkëluftëtarëve me të cilët keni themeluar e organizuar partinë (më parë keni udhëhequr luftën çlirimtare e cila solli lirinë dhe pavarësinë)?
– Pse nuk kanë asnjë aleat për të qeverisur?
– Pse ata e kanë humbur besimin te të gjithë?
Le t’i hedhin një sy përbërjes së deputetëve të Kuvendit.

Sa deputet të Vetëvendosjes, Aleancës dhe NISMA-s dikur ishin anëtarë të PDK-së. Ata që e braktisën logjikën despotike të funksionimit të PDK-së nuk habiten me logjikën absolutiste që mundohet lideri i saj t’ia imponojë të gjitha institucioneve të shtetit të Kosovës!
E them me bindje të plotë, praktika parlamentare europiane njeh shumë raste kur partia më e madhe e dalë nga zgjedhjet ka mbetur në opozitë, pse nuk ka gjet partner qeverisës, por, po kjo praktikë parlamentare, nuk e njeh asnjë rast të ngjashëm, me këtë që po ndodhë në Kosovë. Ku pakica parlamentare i ka uzurpuar të gjitha institucionet e shtetit! Kësaj praktike jo demokratike e jo parlamentare, aspak kushtetuese, nuk mund t’i themi tjetër, veçse uzurpim i shtetit nga pakica parlamentare, kësaj ndryshe në teorinë politike të demokracisë i thonë: TIRANI E PAKICËS!

– Autori është Kryetar i Këshillit Kombëtar të NISMËS për Kosovën.

_____________________________________

/Ilustrimi është i pashtriku.org, sh.b/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura