ENIS VELIU: PRIVATIZIMET MILIONËSHE NGA POLITIKA!

Prishtinë, 06. 05. 2014 – Kanë kaluar dy vjet prej që zëvendëskryeministri i Kosovës, Behxhet Pacolli, ka akuzuar publikisht politikanë se i kanë kërkuar 3.6 milionë euro për privatizimin e hotelit “Grand” në Prishtinë dhe në heshtje ky skandal është shuar. Askush deri më tash nuk ka nxjerrë një përfundim për akuzat publike me emra dhe mbiemra, që Pacolli i ka bërë lidhur me këtë proces, derisa “Grand”-i vazhdon të mbetet rast i pezulluar, i cili njëkohësisht pasqyron gjendjen reale të procesit kriminal të privatizimit në Kosovë. Emrat e përmendur të politikanëve sekserë të rastit të “Grand”-it nga vetë goja e Pacollit, nuk kanë rezultuar me asnjë hetim.
Pacolli vendosi të flasë për “Grand”-in edhe pse nuk është blerja e parë e tij në këtë proces. Për më shumë se një dekadë në këtë proces janë përfshirë edhe shumë politikanë të tjerë të cilët kanë arritur që të blejnë ndërmarrje, toka e fabrika. Blerjeve në këtë proces i janë futur politikanë nga të gjitha partitë kryesore politike në vend:
– PDK,
– LDK,
– AAK,
– VV dhe
– AKR.

Ata të cilët figurojnë me emra në këtë proces, janë:
– Sami Lushtaku nga (PDK), i cili ka privatizuar shumë hektarë në vlerë prej qindra mijëra euro dhe lokal në qendër të Prishtinës, në vlerë prej mbi 1.1 milionë euro,
– Florin Krasniqi nga “Vetëvendosja” ka qenë pjesëmarrës me mbi 2.5 milionë euro në këtë proces,
– deputeti Ramiz Kelmendi nga AAK-ja po ashtu është fitues i shumë pronave nga ky proces, sikurse edhe
– Fatmir Rexhepi, ish-ministër i Punëve të Brendshme nga LDK-ja.

Biznesmenët e AKR-AAK-VV-PDK’së!

Pacolli prin me privatizime
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behxhet Pacolli, edhe më tutje vazhdon ta mbajë primatin si njëri nga pjesëmarrësit më të mëdhenjtë në procesin e privatizimit në Kosovë, njëkohësisht edhe akuzuesi më i rëndë i këtij procesi.
Zyrtarisht në formularin e deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), në vitin 2013 Pacolli kishte vetëdeklaruar se është pronar i dy ish-Ndërmarrjeve Shoqërore, por në realitet numri i tyre është shumë më i madh.
Në formularët e AKK-së Pacolli ka deklaruar se është pronar i hotel “Iliria” dhe hotel “Grand” në Prishtinë, si dhe pronar i disa lokalëve afariste të privatizuara në kompleksin te “Qafa” në Prishtinë.
Ai është pronar edhe i objektit të ish-“Farmed” në Lagjen e Spitalit në Prishtinë, ku prej vitesh në të është i vendosur misioni i EULEX-it në Kosovës, Fabrikës së Tubave në Ferizaj, por edhe depove të tregtisë së Kosovës në periferi të Prishtinës, ku prej vitesh ai zhvillon biznes me qeramika dhe pajisje të sanitarisë.
Po ashtu, të njëjtat burime kanë bërë të ditur se Pacolli po ashtu është pronar i një sipërfaqe të konsiderueshme të tokës në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë, ku më herët në atë tokë çdo të martë është organizuar tregu i kafshëve.
Gazeta ka provuar që për këtë çështje ta kontaktojë zëvendëskryeministrin Pacolli nëpërmjet telefonit, por ai nuk është përgjigjur. Gazeta po ashtu Pacollit i ka dërguar pyetje edhe përmes këshilltarit të tij Jetlir Zyberaj, por deri të hënën në mbrëmje nuk ka marrë përgjigje në pyetjet e dërguara.
Lushtaku 1.1 milionë euro në privatizim
Nga ky privatizim ka përfituar edhe Sami Lushtaku. Ai në vitin 2006 përmes procesit të privatizimit në vend ka privatizuar një sipërfaqe të madhe të tokës, ku vlera e llogaritur, sipas tij, është 500 mijë euro. Në po të njëjtin vit, Lushtaku ka privatizuar edhe një lokal 400 metra katrorë në Prishtinë për 600 mijë euro. Bazuar në të dhëna të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve (ARBK) del se Lushtaku është pronar edhe i dy bizneseve tjera që nuk i ka deklaruar fare. Bëhet fjalë për Ndërmarrjen “Mega” të regjistruar në vitin 2006, si dhe ndërmarrjen tjetër “Qëndresa” të regjistruar dy vite më vonë.
Florin Krasniqi i VV’sëka shumë biznese të padeklaruara në AKK!
– Aktiv në procesin e privatizimit ka qenë edhe Florin Krasniqi, deputeti i “Vetëvendosjes” në Kuvendin e Kosovës. Ai në vitin 2006 ka privatizuar ish-Fabrikën e Biçikletave në Pejë për 2 milionë e 500 mijë euro.
Ashtu sikurse Pacolli e Lushtaku edhe deputeti Krasniqi ka në pronësi biznese, të cilat nuk i ka deklaruar fare në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Bëhet fjalë për kompaninë “Hidro-Ereniku” të regjistruar në vitin 2010 me katër punëtorë, si dhe kompaninë “Lumi Lloqan” të regjistruar po ashtu në vitin 2010 me vetëm 4 punëtorë. Gazeta të hënën disa herë ka provuar që të kontaktojë përmes telefonit me deputetin Krasniqi, por gjatë gjithë kohës ai nuk ka pasur qasje në numrin e tij të telefonit.
Kelmendi pas Pacollit
Ramiz Kelmendi, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Kuvendin e Kosovës, është njëri prej politikave që më së shumti ia ka parë hairin procesit të privatizimit në vendin tonë.
Ai nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, dhe më pas Agjencia Kosovare e Privatizimit ka blerë sipërfaqe të mëdha të tokave, por edhe objekteve në qytete të ndryshme të Kosovës. Kelmendi ka vetëdeklaruar se në vitin 2006 ka privatizuar një sipërfaqe të tokës për 600 mijë euro.
Ai edhe në vitin 2003 ka privatizuar një sipërfaqe të tokës për 275 mijë euro. Edhe në vitin 2006 Kelmendi ka blerë një tokë për 70 mijë euro. Këtë vit përmes AKM-së ai ka blere edhe 2.5 hektarë tokë tjetër në vlerë prej 851 mijë euro. Kelmendi të blejë ka vazhduar edhe në vitin 2011, i cili ka arritur të blejë një ndërtesë së bashku me një sipërfaqe të tokës për 3 milionë e 901 mijë euro.
I kontaktuar nga gazeta, deputeti Kelmendi thotë se në të gjitha rastet ka marrë direkt pjesë në procesin e privatizimit, e jo nëpërmjet të afërmve, apo personave tjerë.
“Unë gjithmonë kanë marrë pjesë vetë. Deri më tash kam privatizuar disa objekte, por edhe prona, sepse kam ofruar çmim më të mirë, por ka pasur raste edhe kur nuk kam fituar fare”, ka thënë Kelmendi për “Zërin”. Ai ka thënë se në çdo proces të privatizimit ka respektuar të gjitha rregullat dhe ligjet që janë në fuqi në vendin tonë.

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura