Prishtinë, 08. 10. 2014: NISMA për Kosovën shpreson e beson në të ardhmen e ndriçime të shqiptarëve dhe të qytetarëve të tjerë të Kosovës. Atdheu ynë ka një histori të gjatë të lavdishme e të vështirë mbijetese, përgjatë historisë shqiptarët kanë treguar se dinë t’ia dalin mbanë edhe në rrethana të vështira robërie e trysnie. Ne, shqiptarët e Kosovës jemi dëshmi e gjallë e një energjie pozitive dhe aftësie të rrallë për t’u përshtatur me kohën e me hapësirën e re të pas vitit ’99. E kemi lënë pas të shkuarën e dhimbshme plot sfida dhe kemi ndryshuar rrënjësisht mënyrën e jetës sonë në funksion të integrimit në një botë rregullash të reja progresive e solidariteti, por kemi shumë punë e shumë rrugë për të bërë deri te realizimi i ëndrrës se shqiptarëve, për shtetin e së drejtës.
Nuk është vetëm sfidë e Nismës sesi do ecim bashkë tutje me të gjithë ata që e duan zhvillimin e demokracisë, ndërtimin e shtetit të së drejtës, zhvillimin ekonomik dhe krijimin e mirëqenies qytetare, sfida është për secilin subjekt politik e qytetar që mendon politikisht e kombëtarisht për një përmbajtje të re të politikës shtetndërtuese. Kosova, me një parti qytetare me moral politik dhe e bashkuar rreth saj, mund t’i kalojë sfidat që koha ia ka parashtruar popullit dhe shtetit tonë – Republikës së Kosovës. Siç janë:
– Sfida e ndërtimit të shtetit të së drejtës,
– shtetin e zhvillimit ekonomik,
– shtetin e drejtësisë sociale,
– shtetin e dijes e të shëndetit,
– shtetin e integruar në institucionet euro-atlantike.
Këtë duhet ta ndjejnë, ta shohin e ta preki çdo qytetar i saj, kudo që punon e jeton.
Ne jemi nisur në një rrugëtim të ri politik me synimin që të ndërtojmë një solidaritet të ri në mes qytetarëve tanë, solidaritet i mishëruar në një kontratë të re sociale, ku çdo e drejtë e njeriut tonë është një përgjegjësi e një numri shumë herë më të madh të bashkëqytetarëve tanë, sesa numri i anëtarëve të Nismës për Kosovën. Kauza politike e shqiptarëve për shtetndërtim është shumë herë më e madhe sesa kauza e anëtarëve të Nismës, prandaj ne po e kërkojmë mbështetjen qytetare në çdo cep të Kosovës. Nuk mjafton vetëm fakti se me NE është dija, dashuria, drejtësia, përkushtimi dhe vendosmëria për ta ndryshuar gjendjen dhe ndërtuar shtetin e së drejtës. Realiteti i krijuar pas zgjedhjeve të 8 qershorit 2014, e kërkon domosdonë e një partie qytetare në Republikën e Kosovës. Një parti qytetare rreth se cilës bashkohen segmentet e organizuar të shoqërisë sonë që pajtohen me parimet politike, ekonomike e sociale të qytetarisë.
Dr.Jakup Krasniqi, Kryetar i Këshillit Kombëtar të NISMËS për Kosovën.
Sot, 15 vjet pas lirisë së Kosovës, shoqëria shqiptare në Kosovë ka ndryshuar shumë, krahasuar me vitet e vështira të robërisë së deri djeshme. Sot, mes vullnetit qytetar dhe politikës është krijuar një hendek i madh që kërkon ndryshim të thellë rrënjësor e përmbajtjesor. Nisma për Kosovën duhet të ndahet qartazi e pa ekuivoke nga politika e shurdhër që nuk ka veshë e sy t’i dëgjojë e t’i shikojë drejt në sy hallet dhe kërkesat e shqiptarëve, që s’ka guxim e as gojë që t’u flasë njerëzve për problemet e përditshmërisë së tyre hapur e çiltër. Qe tu thonë qytetarëve: Kosova edhe pse ka, burime të shumta pasurore, është prej nëntë vendeve më të varfra të Botës. Me mënyrën si kemi qeverisur deri sot, me qasjen që kemi ndaj punës si shoqëri, me nivelin e tashëm të sundimit të ligjit, ky vend nuk mund të ketë zhvillim ekonomik e shoqëror. Ata që nuk guxojnë t’i shohin gjendjen reale ekonomike e as dëgjojnë hallet e popullit, nuk e kanë vullnetin politik e njerëzor që t’i zgjidhin problemet që i kanë krijuar vetë gjatë një qeverisje të keqe. Ata, të vetmen metodë të punës e kanë, joshjen përmes mashtrimit, duke len prapa zhgënjimin.. Qytetari i zhgënjyer e ka të vështirë të shkëputët nga e kaluar, të cilën nga zhgënjimi mund ta ëndërroj me nostalgji, prandaj obligimi ynë është që ta shkëpusim si nga zhgënjimi ashtu edhe nostalgjia dhe ketë e bënë vetëm zhvillimi i ri ekonomik e shoqëror i Republikës sonë.
Nisma për Kosovën, dhe së bashku me të edhe qytetarët, duhet të ndahen një herë e mirë nga politika që nuk prodhon siguri e stabilitet, që nuk ka mendje e zemër e besa as shpirt që t’i shohë e ndjejë vështirësitë e shqiptarëve dhe qytetarëve të tjerë të këtij vendi. Është në interesin e shumicës qytetare, vendosja e një baraspeshe sociale. Pa baraspeshë sociale nuk mund të ketë as paqe sociale. Kosova me pasurinë njerëzore, tokësore e nëntokësore që ka, nuk e meriton ketë shkallë të varfërisë e të mjerimit social. Por këto pasuri kërkohet dije, vullnet e përkushtim për ti shfrytëzuar në të mirë te të gjithëve.
Nisma për Kosovën, me të gjithë ata që e kërkojnë ndryshimin, duhet të reflektojnë ndjenjën e pasionit që zakonisht i entuziazmon njerëzit për politikë demokratike e progresiste, duke i ndarë ata një herë e mirë nga politika që s’mund të transmetojë tutje energjitë pozitive dhe vlerat e kombit tonë. Ky promotor i ndryshimeve progresiste është duke na munguar, madje shumë.
Nisma ka synim që t’i përfshijë qytetarët shqiptarë e komunitetet pakicë në një projekt të ri shprese e besimi për një të ardhme të përbashkët. Por, këtij projekti të ri duhet t’i bashkohen intelektualët e rinj, ekspertët e aftë dhe shumica e qytetarëve të vendit tonë që nuk jetojnë “sot për nesër”. Duhet të bashkohen me të gjithë ata që e duan me zemër e shpirt dhe pa hile nënqiellin tonë të përbashkët të quajtur: Republikë e Kosovës. Duke dhënë opinione, duke bërë ndonjë shkrim të mirë, një analizë të mirë, duke formuar ndonjë shoqëri civile apo ndonjë institut demokratik, në vendin ku pushtetet nuk janë të ndara e ligji nuk sundon, ndryshimi i duhur për ketë vend e ketë popull nuk mund të ndodhë pa një bashkim të fuqishëm. Bashkimi i qytetarëve në një parti qytetare progresiste, mund dhe duhet ta sjellë ndryshimin dhe përparimin për popullin tonë.
Nisma për Kosovën dëshiron të bëhet instrument në shërbim të çdo shqiptari e qytetari që do të ndryshojë jetën, duke u angazhuar aktivisht në rrethin e tij ku ai apo ajo jeton e punon.
Nisma do të ndihmojë të reja e të rinj që sinqerisht punojnë të ndryshojnë ambientin e tyre të punës e të jetës për një të ardhme më të mirë. I bëjmë thirrje çdo gruaje a vajze që do të ndryshojnë pozicionin e vet shoqëror dhe t’i bashkohet Nismës për ndryshime se nuk do të pendohen. Kërkojmë nga çdo familjeje që i beson ndryshimit të gjendjes së saj të vështirë ekonomike e sociale, jo me fajin e saj, t’i bashkohet karvanit të ndryshimeve. Ndryshimin mund ta bëjnë vetëm qytetarët e bashkuar rreth një nisme e përgjegjësie të re, rreth një morali të ri politik e progresist.
I premtojmë çdo punëmarrësi se Nisma do ta ndihmojë në ndryshimin e kushteve të punës për punëtorin dhe çdo sipërmarrësi që angazhohet të ndryshojë cilësinë e shërbimit e të teknologjisë që i duhet për suksesin në investime e prodhim. I premtojmë çdo organizate joqeveritare që dëshiron dhe ka synim ta ndryshojë sadopak shoqërinë tonë, e cila ka mbetur tejet mbrapa ekonomikisht, se me ne vjen ndryshimi i madh që i duhet Kosovës. Në presim nga gjenerata e re, nga intelektualet dhe ekspertet që t’i bashkojmë energjitë qytetare për një qeverisje të mirë e të lirë qytetare.
Nisma dëshiron të ndihmojë cilitdo komunitet të organizuar, që synon të ndryshojë cilësinë e hapësirës e të shërbimeve publike, se do ketë mbështetjen tonë. Nisma do të ndihmojë mediet e shkruara dhe elektronike për t’u shprehur, për të shkruar e folur lirshëm, për të thënë me guxim e kompetencë fjalën e lirë si dhe hulumtimin e lirë të medies. Nisma do të ndihmojë çdo intelektual e akademik, mjek e jurist, ekonomist e shkencëtar, që pretendon të ndryshojë politikën qeverisëse, cilësinë e jetës, të punës, të dijes e të shkencës, të arsimit e të shëndetësisë në Republikën e Kosovës. Asnjë nga këto nuk mund të arrihen, pa një bashkim të fuqishëm qytetar.
Kosova e sotme është në një krizë morale e politike, demokratike dhe ekonomike. Varfëria është ulur këmbëkryq në mesin tonë, në familjet tona. Papunësia është bërë sëmundje kronike dhe ekziston rreziku të mësohemi me këtë gjendje të mjerë. Bajraktarizmi mesjetar është bërë stil i qeveritarëve tanë rrahagjoks, korrupsioni është kthyer në sistem dhe po metastazon në tërë shoqërinë e Kosovës, te secili që mund të grabitë. Shumësia e ligjeve të pazbatuara po rritet nga dita në ditë, administrata publike është uzurpuar nga partiakët arrogantë e të pa dijshëm, gënjeshtra është bërë kulturë politike e politikanëve. Fyerjet, shpifjet, denigrimet e kundërshtarit dhe trajtimi politik i kundërshtarit si armik po merr përmasa shqetësuese. As degradimi i autoritetit te institucioneve të shtetit nuk ka të ndalur. Në institucionet tona, më vitale të shtetit është vendosur kultura e sundimit te despotëve aziatik.
Misioni dhe vizioni ynë është të hapim një faqe të re në jetën politike të Kosovës, të demokracisë qytetare e të drejtësisë sociale. Kemi obligim kombëtar e qytetar që tranzicionin demokratik ta përmbyllim duke e refuzuar pa hezituar kapitalizmin pa moral e grabitqar të tranzicionit, krimin dhe korrupsionin, monopolin dhe nepotizmin. Nga kjo që u tha, është bërë domosdoshmëri që ta kemi një Parti Qytetare e cila të bëhet udhërrëfyesi moral dhe politik i Kosovës demokratike.
Ne mbështesim ekonominë e tregut, tregun e lirë, por jo shoqërinë e tregut për përfitime të jashtëligjshme, përfitime këto që qëllim final kanë sundimin dhe jo qeverisjen për qytetarin. Ekonomia e tregut nuk mund të funksionojë pa rregulla të qarta ligjore, pa institucione që nuk lejojnë pasurimin e një pakice dhe varfërimin e shumicës qytetare.
Ne i pranojmë rregullat e ekonomisë moderne të tregut dhe tregtinë e lirë, por jemi dhe duhet të jemi mirë të organizuar për t’iu kundërvënë fuqishëm kapitalizmit primitiv e banditesk, ku lulëzon informaliteti, arbitrariteti dhe dhuna e shndërruar në krim të organizuar.
Kosova e Drejtësisë Sociale do të jetë një demokraci ekonomike e bazuar në transparencën e tregjeve, nxitjen e sipërmarrjes dhe mbrojtjen e konsumatorëve.
Kosova e Drejtësisë Sociale do të jetë një demokraci sociale që bazohet në jetësimin e plotë te të drejtave kushtetuese, ku e drejta për punë duhet ta zë vendin që i takon. Kosova e Drejtësisë Sociale do të jetë një demokraci politike që promovon aftësinë e institucioneve për të përfaqësuar shoqërinë qytetare.
Rruga e Nismës është një rrugë e filluar me vështirësi, e menduar dhe e planifikuar gjatë, por është rrugë që ngjall optimizëm e shpresë, se e tillë është rruga e Kosovës kah ardhmëria me shumë vështirësi, besim e shpresë. Programi i Nismës për Kosovën është një libër i hapur që kërkon të plotësohet e të zgjerohet çdo ditë e çdo orë nga ekspertet dhe shkencëtarët e rinj të Kosovës se pavarur. Ne si NISMË kërkojmë që së bashku me qytetarët ta nisim një rrugë te re për Kosovën, për qytetarët e saj të mrekullueshëm dhe të durueshëm. Parti e një fryme të re qytetare i duhet Kosovës së pavarur, sovrane dhe demokratike. Hapja e rrugëve të reja, kurdo e kudo ka qenë dhe është e vështirë, por ato nuk bëhen dot pa ia nisur vizionarët e zhvillimit e të progresit.
– Autori është Kryetar i Këshillit Kombëtar të NISMËS për Kosovën.