Tiranë, 23 prill 2018: “Kultura zë vendin e vrimës së fundit të kavallit dhe ka një injorim injorant prej medieve dhe ekraneve tona ndaj veprimtarive letrare e artistike”- Kështu do të shprehej Koçi Petriti, në një intervistë të dhënë dhjetë vjet më parë, ndër të rrallat intervista të tij, pasi ai nuk e pëlqente dukjen dhe zhurmën, por punoi fort në heshtje gjersa mbylli sytë, katër vjet më parë, me 20 prillin e vitit 2014. E teksa çështjet e pasqyrimit të kulturës në medie vijojnë të jenë në të njëjtën pozitë, pra siç i ka përcaktuar profesori, portreti i tij si poet e si studiues kërkon një analizë të hollësishme dhe një distancë kohore që të shfaqet në një dritë të plotë.
Nuk mund të injorohet ne heshtje boshllëku që la largimi nga kjo botë i poetit dhe njeriut të dashur për shumëkënd në botën shqiptare. Boshllëku, jo thjesht në planin njerëzor, i kolegëve, studentëve dhe atyre që e njohën profesorin, por në vendin që ai zuri në letërsinë shqipe, qysh me botimin e librin të parë “Lirikat e majit” në vitin 1962.
Historia e letërsisë shqipe do të ketë punë për t’i dhënë përgjigje pyetjes për ardhjen e njëkohshme të breznisë së poetëve të viteve ’60, të cilët ia ndryshuan fatin letërsisë sonë në tërësinë e saj: në Shqipëri, në Kosovë dhe në diasporë, megjithëse ndërkomunikimi mes tyre nuk ekzistonte. Koçi Petriti erdhi me këtë valë poetësh, por me individualitetit e vet poetik, të pangjashëm me askënd tjetër dhe me themele të ngritura mbi poezinë shqipe të traditës.
Koçi Petriti
Poezia e fazës së parë krijuese të tij ishte “e zhveshur” nga temat e mëdha dhe përcillte mesazhe ideoartistike e filozofike të botës shpirtërore në trajtën e lirikës së dashurisë, peizazhit e meditimeve rinore.
Në vargjet e veta solli struktura ritmike nga më të larmishmet, duke nxjerrë kështu në pah edhe natyrën e pasur të shqipes për realizimin e parimeve themelore fonetike dhe gramatikore të gjuhës sonë. Poezia e tij e kësaj periudhe, e botuar në vëllimin “Lirikat e majit” dhe në vëllimin poetik “Quaderni”, botuar pas 52 vjetësh nga periudha e krijimit (pasi konsideroheshin dorëshkrime të rrezikshme për kohën në të cilën u ngjizën), meritojnë një studim më të thellë për të kuptuar specifikat e botës poetike dhe larminë e madhe kompozicionale e ritmike të këtij autori.
Poezia e mëvonshme e Koçi Petritit, veçanërisht ajo e botuar gjatë periudhës së komunizmit, nuk do të njohë kulmet e këtyre dy vëllimeve, për shkak të ndrydhjes së shpirtit të tij krijues dhe paradokseve e kthesave të errëta në të cilat u gjend shumë herë gjatë jetës së vet. Këtë e pranon edhe vetë autori, kur shprehet se “nga poet i virgjër i lirikave fillova të përpunohem e të kultivohem jo në kuptimin e shkollimit po në atë të kërkesave të kohës.”
Koçi Petriti pati si vokacion kryesor të jetës së vet poezinë dhe për këtë arsye, portreti i tij është më i qartë në këtë lëmi në raport me angazhimin e tij si studiues i letërsisë. Përvijimi i portretit të Koçi Petritit si studiues dhe si pedagog duket sikur padrejtësisht ka mbetur në plan të dytë.
Ndonëse në fushën studimore ka botuar vetëm katër libra, njohësit e veprave të tij konstatojnë se këto janë tekste thelbësore për zbërthimin e krijimtarisë letrare të disa autorëve shqiptarë. Duke qenë edhe vetë poet, ai arriti të depërtonte në skutat më të thella të labirinteve poetike të autorëve të letërsisë shqipe, të tillë si Martin Camaj, Ndre Mjeda, Ernest Koliqi, Naim Frashëri, Lasgush Poradeci e deri tek studimet për poezinë e Xhevahir Spahiut, Anton Paplekës dhe Jorgo Bllacit. Përvoja gati gjysmëshekullore si mësimdhënës i letërsisë, e bëri atë jo vetëm të analizojë në thellësi veprën e këtyre autorëve, por edhe t’i përcjellë me një gjuhë të qartë e konkretizuese, një stil ky i pazakontë në raport me gjuhën e drunjtë që përdoret përgjithësisht nëpër tekstet akademike, të mbingarkuara me teorizime e citime.
Ashtu siç ishte komunikues me të gjitha nivelet e lexuesve në poezinë që shkroi, ashtu ishte edhe në studimet e veta, metodik e konkret për të ngulitur konceptet. I përkorë në gjuhë dhe i kthjellët në argumente, ai ka vendosur një gurë themeli të fortë në shkencat letrare dhe në zbërthimin e disa prej autorëve më të rëndësishëm të letërsisë shqipe.
Të gjithë ata që e kanë pasur pedagog profesor Koçiun, besoj se i mbajnë mend lëvizjet e tij me këmbë, të shoqëruara me “pam-pam-pam-pam-pam-paaaam”, që e përdorte me studentët si një lloj formati më të gjallë e më të perceptueshëm për të kuptuarit e ritmit të vargut dhe të magjisë së gjuhës poetike. Njëlloj si ky ritëm ishte poezia e tij, studimet metodike e monografike dhe e gjithë jeta e vet.
Deri në fund të jetës pati një dëshirë të skajshme për të jetuar aktivisht dhe mbeti me buzëqeshjen e përhershme të stampuar në buzë. Me një vandak projektesh e shkrimesh të lëna në mes; me një mori shënimesh, skicash, madje edhe të një romani që mbeti i papërpunuar, ai mbylli sytë përgjithnjë, duke e ndalur ritmin e orës biologjike, por duke na lënë pas jehonën e punës së vet shumëvjeçare krijuese e studimore, për të cilën duhet ende punë për ta nxjerrë në dritë e për t’i dhënë vlerën e merituar.