HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (32)

HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (32)

Nga Sabit Alidema, Pashtriku – 29 Korrik 2021

SHPALIME KUJTIMESH TEUTA KRYEZIUN- ALIDEMAJN

Ishin ditët 1985 dhe 1986; atëherë kur nëpër shumë shkolla e ndërmarrje kishin filluar përndjekjet e shumë intelektualëve për padëgjueshmërinë politike të tyre, andaj një “fat” i tillë e përcolli edhe kolegen tonë të punës, të ndjerën Zonjën Teuta Kryeziun – Alidemajn.

Se si kanë rrjedh këto ngjarje të pamira shfletojmë dosjen e punës së Zonjës Teuta, e cila në aktivitetin e Arkivit të Qytetit punoi më 17 korrik të vitit 1992. Shih 1. vendimin e Marrëveshja 04-Nr.10-5 e datës 24.01.1986, ku Komiteti Komunal i Prishtinës në bashkëpunim me Sekretariatin për Arsim e Kulturë, arrijnë marrëveshje për kalimin e zonjës Teuta Alidemaj nga Shkolla Fillore “Hasan Prishtina” në Arkivin e qytetit të Prishtinës si profesoreshë e pedagogjisë. (Shih.fotokop.nr.1)

2.Me fletëdërgesën për dorëzimin e dosjes së punëtores – Nr.36 të datës 05.02.1986 – Arkivit të Qytetit Prishtinë në dy gjuhët:

3.Vendimi 02- Nr. 19/3-86 të datës 17.02.1986 mbi pranimin e Znj. Teuta në Arkivin e qytetit Prishtinë në vendin e punës arkivore në Shërbimin e rregullimit të Përpunimit të lëndës Arkivore.

4.Deklarata e të ndjerës Znj. Teauta Kryeziu – Alidemaj mbi pranimin e akteve dhe ligjeve vetëqeverisëse të Arkivit në fuqi (Shih fotkop. Nr.4)

5.Vendimin 01-Nr.222/1 të dt 17.07.1992 mbi largimin e të ndjerës Znj. Teuta Kryeziu – Alidemaj nga Arkivi i qytetit (Shih fotkop.Nr.5)

Pasi kisha rastin të njihesha me të që nga kalimi i saj në Arkiv dhe punonim në të njëjtën zyrë pune…

Ishte kënaqësi e llojit të vet të kishe një kolege bashkëpunëtore dhe pikë së pari një shok(shoqe) të madhe e të sinqertë dhe për çdo bisedë ajo jepte vlerësimin e vet kritik.

Për Teutën kalimi nga kolektivi i Shkollës Fillore “Hasan Prishtina” në AQP nuk ishte i lehtë as i thjeshtë. Ajo vërehej në fytyrë, në sjellje e në disponim se si e përjetonte këtë zhvendosje të punës e të profesionit të saj.

Mirëpo, falë rrethit shoqëror, ku u gjend ajo për një kohë shumë të shkurtër u adaptua dhe u ambientua edhe me punë edhe me shokë e shoqe të punës, në kolektivin e punë së re. Pas ca kohësh si në shaka e pyesnim: – ku është më mirë, në shkollë me fëmijë, apo këtu në arkiv?

Është shumë më mirë të punosh me fëmijë, me nxënës, në profesionin tënd – thoshte ajo. Shoqet e saja të shkollës, ku kishte punuar me vite me to, e vizitonin edhe në Arkiv, madje e vizitonin edhe nxënësit e klasës së saj, jo vetëm në Arkiv, ku punonte ajo, por edhe në shtëpi të saj.

Ishin vite të vështira ato për Zonjën Teuta, sepse ajo kishte mbetur në shtëpi vetëm me djalin dhe dy vajzat e saja. Halili vuante burgun.

Mirëpo, ajo qëndronte krenare, nuk dorëzohej, duke i përballuar të gjitha vështirësitë e jetës deri në momentin e ndarjes nga jeta.

Askush në kolektivin tonë të punës nuk kishte as një vërejtje për punën dhe sjelljen e Teutës. Çdokund për të kishte fjalë falënderimi, me gjithkënd ishte e afërt dhe gojëmbël. Atë e njohim si të tillë dhe nga ajo dhe bashkëshorti i saj, ndonëse nuk ishte në Kosovë, u ndamë shokë e miq të saj dhe të familjeve të tyre me kujtimet më të mira.

Shpreh mendimin e të gjithëve se na mungon ajo dhe sinqeriteti i saj. Prandaj kolektivi i Arkivit të Qytetit të Prishtinës me respekt përkujton Teutën dhe Halilin…Lavdi!

Prishtinë, më 26.06.2005

Drejtoria e Arkivit, HYSNI HALILAJ, drejtor i Arkivit të Prishtinës

(Dorëshkrimi i vet)

HALIL ALIDEMA- NJERIU QË SHKRUANTE HISTORINË DHE BËNTE HISTORI

(disa kujtime për mikun dhe shokun e idealit, Halil Alidemën)

Thonë, njerëzit më shumë se gjithçka i afron e i bashkon vuajtja e përbashkët. Për Halilin kisha dëgjuar edhe më parë. Ndonjëherë edhe ishim parë shkurt. Kishim këmbyer edhe ndonjë fjalë, ashtu kalimthi… Por, për t’u njohur, u njohëm në një nga qelitë e burgut famëkeq të quajtur CZ. Aty mësuam se edhe kishim kaluar të njëjtin kalvar. Kishim qenë në të njëjtat bodrume të UDB-së dhe i kishim dëgjuar goditjet, klithmat e rënkimet e njëri-tjetrit, mbase edhe kishim kaluar nëpër të njëjtat duar. Ishte një njohje a rinjohje e pazakonshme, në rrethana dhe në kohë krejt të pazakonshme. Prandaj, për mua mbetet e paharrueshme.

Ishte viti i tretë që po kaloja krejtësisht i vetmuar. Jo vetëm në qeli, por edhe në oshtinë e shkurtër që më lejohej isha vetëm, fillikat. Të vetmit me të cilët mund të këmbeje ndonjë fjalë ishin gardianët ose eventualisht ndonjë i burgosur nga qelitë fqinje ose nga ata që sillnin ushqimin. Thjesht njeriu harronte si flitet, si bisedohet… Në rrethana të tilla vjen gardiani e më thotë: “bëji plaçkat gati, do shkosh gjetiu…” Ndjeja edhe gëzim, por edhe shqetësim e pasiguri. Ku po më dërgonin, vallë…? Me kë do të më vendosnin? Vetmia ishte e rëndë, por qëndrimi i përbashkët në të njëjtën kthinë me lloj-lloj të burgosurish, nga kriminelët e vagabondët më famëkëqij e deri te skizofrenët, psikopatët, maniakët e deviantët më të pështirë e më të zinj ishte edhe më e rëndë. Nuk e thoshin kot: “nuk është gjë burgu, çka janë të burgosurit…”

Eprori që po më transferonte, (i cili më kishte thënë e kishte motrën, të martuar në Shqipëri), ishte një nga të rrallët që silleshin mirë. Ai sikur e kuptoi hallin tim dhe më tha: “do të jesh me një vendas tëndin, edhe ai si ti politik, do të bisedoni, do të debatoni e do të zhvilloni pikëpamjet tuaja…” Kjo, s’do mend më pëlqente fort, por ec e beso. Do të ishte aq mirë sa më tingëllonte e pabesueshme. Prandaj, edhe me t’u futur në qelinë e re, kërkova ta shoh njeriun që gjeta brenda. M’u duk fytyrë e njohur. Përshëndeta me kokë, dhe lëshova plaçkat. Ai më zgjati dorën dhe u prezentua: Halil Alidema .. Unë u stepa, por e mora shpejt veten. Thashë, kjo duhet të jetë lojë. Ky nuk mund të jetë kurrsesi Halil Alidema. Kush do të më lejoj mua të jem bashkë me të dënuarin kryesor të grupit që ishte bërë i njohur si grupi i intelektualëve? – Lojë e UDB-ës, nga ato mjeshtëroret, – atij i thashë emrin, por vetvetes i thashë: hapi sytë … Disa ditë vazhduam kështu. Unë bisedoja me Halilin, i bindur se po bisedoja me zosinë e tij, i sjellë me detyrë speciale. Hiqesha sikur nuk dyshoja, por në të vertetë bindja ime ishte se ai nuk ishte Halil Alidema.

Edhe Halili nga ana e tij kishte pasur të njëjtin dyshim. Vetëm pas disa ditësh ne u bindëm se ishim ata të vërtetit. Por edhe atëherë ishim të bindur se na kishin bashkuar me sherr; ose qe ne të hapeshim e ata të na përgjonin ose të konfrontoheshim duke qenë se iu përkisnim dy organizatave të ndryshme, sipas tyre rivale. Këtu ata pastaj të vazhdonin lojën e tyre…

Nuk ndodhi as njëra dhe as tjetra. Ndodhi krejt e kundërta. Me Halil Alidemën nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Dhe mbase për këtë nuk na lanë gjatë bashkë.

Halili ishte njeri i mirë me kuptimin e plotë të fjalës. Njeri me shpirt të madh dhe plot njerëzi. Ishte i afërt, i drejtpërdrejtë, shumë komunikativ, popullor dhe i ëmbël në bisedë; ishte modest, i çiltër dhe hokatar; ishte intelektual i formuar dhe atdhetar, me horizont të gjerë dhe me shumë erudicion; ishte nacionalist, por jo shovinist, ishte mbi të gjitha liridashës, humanist e përparimtar. Ishte trim dhe i vendosur, por njëkohësisht shumë i arsyeshëm, i përmbajtur dhe largpamës…

Ne gjetëm gjuhë të përbashkët, dhe e përsëris me njerëz si Halil Alidema nuk kishe si të mos gjeje gjuhë të përbashkët. Bisedonim gjat, ditën, natën, sidomos shëtitjes. Bisedonim për të gjitha, u muar vesh me kujdes, dhe pothuajse gjithmonë vinim në përfundime të përbashkëta. Gjatë bisedës me Halilin ne kishim gjetur se jo vetëm kishim vizion të njëjtë, por edhe se familjarisht kishim prejardhje të njëjtë dhe jo fort të largët. Ndodhte shpesh që kur debatonim, here-herë gjatë, fillimisht edhe me dallime e kundërshtime ndonjë çështje, vinte një çast kur Halili do të ndalej dhe shtronte pyetjen: po çfarë rrënje pate ti? Kur unë i përgjigjesha, ma kthente, edhe unë të njëjtën e kam. Po si ta quajnë sugarin, më thoshte, Yll apo jo? Po edhe e imja Yllkë është. Ose do të më shikon, do të më thoshte H. Ti, H unë… kemi një rrënjë, kemi një yll polar orientues, jemi prandaj një edhe një do të jemi…

Kjo më ka pas nxitur që të shkruaj, ato ditë, një vjershë kushtuar Halil Alidemës, me titullin H. Kam të shkruara edhe poezi të tjera që përshkruajnë atmosferën e atyre ditëve të përbashkëta në CZ., por kjo poezia H. e cila, sado modeste për nga vlerat artistike, për mua paraqet diç të veçantë.

H.

(Halil Alidemës)

Asnjëherë ne s’ishim parë,

E prapë qenkemi njohur mirë;

Se na lindi e njëjta baltë,

E njëjta kohë e vështirë.

I njëjti Diell ne na skuqi,

Ne kaluam të njëjtat shtigje,

Ëndrrat, jeta ne na i puqi,

Dhe na hodhi në të njëjtat brigje.

U kuptuam ne fare lehtë,

Se të njëjtën dhimbje ndjemë në këmbë;

Flasim gjuhë krejt të njëjtë,

Se na dhemb i njëjti dhëmb.

Ne mund të flasim me gjuhë zemre,

Me gjuhë sysh, pa fjalë, pa zë…

Se ne në fakt kemi një emër,

Të njëjtin emër me shkronjën H.

X.’83.CZ

Shkruante edhe Halili. Dhe shkruante mirë… Halili kishte edhe shije, por kishte edhe përvojë krijuese. I lexonim bashkë poezitë, i komentonim dhe bisedat zgjateshin e zgjateshin pa mbarim. I lexonin poezitë edhe të burgosurit tjerë, ashtu nga qelia në qeli. Ç mbrëmje e kthenim në koncert a në orë letrare. Kështu, me këngë e me vargje lirie, e sfidonim burgun dhe hekurat që na ndanin.

Për mua mbeten të paharruara copëza bisedash me Halilin. Fëmijëria e tij e trazuar e pa fëmijëri, rrëfimet e shumta që i kishte mbledhur ai nga oda në odë për të bëmat e njerëzve të Anamoravës, Karadakut e gjithë Kosovës; rinia e tij në kohë të keqe, në kohë të zullumit rankoviçist dhe aksionet e tmerrshme të “otkupit”, “mbledhjes së armëve” e “vizikave” për në Turqi… Novela e pashkruar për dashurinë e pafat, me vashën që lëngonte nga sëmundja e pashërueshme. Punën pioniere si mësues ne Firajë, në fshatrat tjera malore; jetën e varfër studentore dhe përpjekjet e atëhershme atdhetare; luftën politike e atdhetare për flamurin e Universitetit, por edhe luftën politike atdhetare, si volejbollisti më i mirë i Kosovës dhe jo vetëm i Kosovës.

Në kujtesën time, i ruaj si të veçanta rrëfimet e Halilit për dashurinë e tij të madhe për Teutën, “mbretëreshën, pehrri, të Kryezinjve të Gjakovës, për mbretëreshën e Halilit, që bredh nga fshati në fshat, nga kasollja në kasolle, për të filluar krejt nga fillimi jetën e re, plot ëndërra rinore, djaloshare e vashërore…”

E donte fort Teutën dhe nuk e fshihte dashurinë e jashtëzakonshme për të. I shkruante shpesh letra dhe i mbushte ato metafora e ndjenja zemre. Njëherë kur po e lexoja një nga letrat e saposhkruara, më pyeti nëse kisha ndonjë vërejtje; I thashë se kisha përshtypjen se kishte përsëritur shpesh fjalën e dashur, e dashur, kurse emrit Teutë ishte harruar t’i vërë ë-në në fund. Ma ktheu: – Dakord, por le të mbeten ashtu si janë. Për të dashur e kam fort të dashur, kurse edhe për ë-në e di se emrat femërorë marrin ë në fund, por qe besa, Teutën e kam burrërore të rrallë dhe le të mbetet pa ë.

Do të ishte dëm i madh nëse novelat e rrëfyera të Halilit kanë mbetur të pashkruara.

Do të mjaftonte që të shkruheshin ashtu siç i tregonte dhe ato do të ishin të përkryera.

I donte së tepërmi edhe fëmijët e tij, Fliste me mall për ta. Fliste për të ardhmen e dëshiruar të ëndërruar të tyre. Ato ditë sa qëndruam bashkë ai shkroi edhe një poemë të titulluar Letër Yllkës. Unë e përshkrova dhe e fsheha bashkë me poezitë e mia. Me gjasë është e vetmja kopje e ruajtur. Pas vdekjes se Halilit, e kam botuar në gazetë.

HALIL ALIDEMA

YLLKËS

Kujtimet rrokullisen ortek,

Nëpër rropamën e së kaluarës,

Si dallgë të tërbuara,

Dhe përplasin njëra-tjetrën në kohë.

Si nëpër deje të tokës së çarë;

Gjaku i turbulluar

Herë zbehet, herë ndizet,

Nëpër damarët e ngërthyer të trupit…

Se dhuna s’e ndal dot rrugën e kujtimeve,

E të pakapshme mbeten

Si ëndërrime të lashta,

Që ende dergjen në agoni;

Dhe them:

“Sa rëndë gërryeka malli

Bija ime!”

Deri në përqafimin tonë

Sikur ndërron, çirrnoset,

Sikur më ndrydhet një çikë buzëqeshja e çiltër,

Në vezullimin e lotit të ngrohtë

Që gurëzohet në mollëzën e faqes së njomë,

Se pritja ndryshe e ndrydhë kohën

E zemra ndërron udhën e saj,

E do të dal nga kraharori,

Se natë më natë këputen

Vargonj të lidhur në shekuj,

Tinguj të dhimbjes

Lënurin kërhanët e kohës lehonë,

Sinfoni e gjatë deri në pafundësi,

Sinfoni e shurdhër

Mbetur nëpër intervale të kohës…

Dhe prapë,

Nëpër timpanin e veshëve,

Si jehonë e zanave-lemeri,

Më trumbetojnë të pakëputura

Çirrjet edhe thirrjet e vogëlushes

Që vrapon deri në përqafimin tim,

Që pret e mbetet në grila,

Dridhet nga të ftohtit, nga veriu,

Dhe më buzëvajë shkëput fjalë:

“E pamë babanë

Ishte mirë se ishte i gjallë…

Ishte i hollë dhe i këputur,

Por i fortë dhe i qëndrueshëm…”

Eh bija ime

Dhe ju vogëlush të trollit të çarë,

Sikur shumë herët,

Koha ua ngarkoi peshën e saj,

Edhe në fytyrën tuaj të përvuajtur

Po lë gjurmë kjo natë, kjo ndarje,

Që e nesërmja do ta gjykojë,

Me vulën e turpit do ta mbulojë…

Shumë net të gjata paska jeta bija ime

Net kur përpëlitet jeta dhe qëndresa,

Net të gjata, net pa gjumë.

Të errta si futa,

Që s’mbaruakan kurrë,

Kur vetminë e kisha mike

Dhe më mbështillej si plaf i zi…

Buzëqeshjet tua

Si bozhure t’Kosovës

Që vetëm në atë truall mbijnë

Edhe n’breg të humnerës më bënin që ta mund vdekjen.

Dhe kështu nëpër pëlhurën e mjegullës

Hallakas ndonjë kujtim të ngrohtë,

Të ruajtur diku nëpër mote,

Pranë sofrës dhe pranë lojërave

Ti vije në përqafimin tim

Dhe me fjalëza cicërime zogu

Më thirrje herë baba, herë bablok,

Por sonte

Në drithërimën e duarve

Dëgjoj oshtimë,

Dëgjoj gurgullimën e gjakut, që vlon

 Në fotografinë përballë,

Që më rri kundruall

Si engjëll i trembur

E lëmshi i kujtimeve këput fillin

Herë m’i lidhë nyjet, motet e djeshme

Të tjerruara nëpër flakën e thirrjeve,

Që ishin va e pa va.

Belbëzime foshnjore ishin

Cicërimë zogjsh ishin…

Cila fjalë i këputi?

Cila dorë i ndali…?

Eh, bija ime sa thellë po gërryeka malli,

Kur koha bëhet e shurdhër

Kur pritja e ndrydh kohën

E koha e lidhë në vargojë vetveten

Ti do të rritesh me mocanikë bija ime,

E kur fle në gjumë, mbase do të trembesh

Se druaj

Ëndrra të rënda pjellin këto kohë,

Pjellin dhe fantazma,

Lëkundin perdet e tmerrit…

Por në mëngjes do t’i harrosh

Dhe them me të drejtë

Që kurrë të mos i kujtosh

Në lojën që ta sjellë dita

Se dita thonë sjellë gëzimin…

E natës, ruaju.

Se ajo thonë zgjon trishtime,

Se unë edhe në pragun e pamundësisë,

Çdo ditë ta ruaj lotin

Dhe buzëqeshjen e çiltër

Dhe ta ndezë purpurin nëpër shkronjat e emrit,

Nëpër rrezet e diellit,

Dhe në sfondin e gjithësisë,

Emri yt do të qëndisë tokën

Me një copë diell

Edhe në këto bregore…

Pra, bija ime

Mbill bozhure në atë kopsht,

Se ato vetëm mbijnë,

Në ato fusha kaltërore.

Ku ylberi prek brigjet e ndara

Qëndisë ato fusha me lulëkuqe

Dhe thurë kurora mbi lapidarë.

Pra s’qenka çudi,

Pse kaq rëndë peshon sot malli,

Pse kaq thellë gërryen zjarri,

Për një fjalë të urtë, të lashtë

Durimi i djegur në pritje gjatë

Që të rritesh me prindër bashkë.

CZ.tetor.83

Sa janë poezitë, tregimet e letrat që ka shkruar Halili e që ku ta dish se ku janë tretur, ku ta dish se në çfarë dosje kancelarish ruhen…?

Halili i donte shumë shokët e tij të idealit me shumë respekt e dashuri fliste për Ukshin Hotin, për Ekrem Kryeziun, për Aliun, Sefedinin, Shemsiun… Me orë të tëra fliste për secilin prej tyre. Dhe fliste kryesisht mirë. Fliste për anët e tyre të mira. Me respekt të jashtëzakonshëm fliste për veprimtarët si Adem Demaçi, Metush Krasniqi, Hysen Tërpeza, Rexhep Mala etj, disa prej të cilëve edhe i kishte njohur drejtëpërdrejtë.

Halil Alidema, ishte njerëzor, kishte një shpirt të ndjeshëm e poetik, por në të njëjtën kohë kishte edhe karakter të fortë liridashës, militant e revolucionar. Muaj e vite të tëra ai kishte përjetuar tortura nga më të egrat e shtazarake, por nuk ishte mposhtur. I kishin thyer dhëmbët, brinjët. I kishin dërrmuar trupin e tij prej sportisti korpulent, ishin munduar t’ia thyenin edhe shpirtin, por shpirti i tij ishte i pathyeshëm. Edhe qëndrimi në burg për Halilin ishte vazhdim i veprimtarisë; ishte konsolidim i radhëve dhe përgatitje për betejat e reja. Kthim prapa nuk ka dhe nuk guxon të ketë, thoshte Halili. Lëvizja jonë ka hyrë në fazën vendimtare dhe tani duhet të përgatitemi për luftën finale. Ai ishte i bindur në nevojën e shfrytëzimit të forcave të luftës politike, por nuk kishte dilemë për pashmangësinë e ballafaqimit të armatosur me çizmen shoviniste serbomadhe. Moto e tij. Qysh atëherë, ishte porosia e ideologut të Lëvizjes shqiptare Sami Frashëri: Ta kërkojmë me të mirë, por edhe pushkën ta kemi plotë. Kjo mbeti edhe kredoja e angazhimit të tij politik pas lirimit nga burgu. Halil Alidema ishte nga të parët që i u vesh organizimit të alternativës së re politike të viteve nëntëdhjetë, ishte ndër themeluesit, organizuesit dhe profilizuesit e lëvizjes së padhunshme politike, kur ajo kërkohej, por ishte ndër të parët që e braktisi atë, kur pa se ajo po degjenerohej në të kundërtën e saj. Sërish ai u detyrua t’i hyjë punës ilegale dhe të jetojë si ekzil e ilegalitet, i ballafaquar edhe me pasojat e burgut që i kishin rrënuar shëndetin. Ai ishte ndër ideatorët dhe themeluesit e alternativës së armatosur çlirimtare dhe gjithë angazhimi i tij gjatë viteve të fundit të jetës së tij ishte në funksion të saj. Halil Alidema, pa dyshim është njëri ndër prijatarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe epopesë së saj. Qysh atëherë ai shtronte nevojën e ngritjes së një force të fuqishme të armatosur, të denjë për t’iu kundërvënë me sukses forcës policore ushtarake serbomadhe. Koha tregoi se sa vizionare dhe largpamëse ishte ajo që propagandonte dhe bënte Halil Alidema.

Halil Alidema ishte edhe tip studioz me përgatitjet e afiniteteve intelektuale shkencore. Ai kishte lidhje të forta me rrethet shkencore kosovare dhe respektohej në këto rrethe. Konsideratë të veçantë kishte për Doktor Ali Hadrin, me të cilin edhe ishte në relata të veçanta. Ai po përgatiste tezën  e doktoraturës dhe edhe në burg fliste me ëndje për angazhimet e tij shkencore. Fliste jo vetëm për angazhimet e tij individuale, por edhe për nevojën e një strategjie të punës shkencore, si pjesë e projektit të madh të zgjidhjes së çështjes së pazgjidhur shqiptare. Obsesion i tij ishte ngritje e organizimit tonë intelektual e shkencor në nivelet që kërkonte koha dhe sfida e ballafaqimit me kundërshtarë të tillë të rrezikshëm siç ishin Akademia Serbe e Shkencave.

Rrallë, shumë rrallë hasen personalitete si Halil Alidema, që kanë shkrirë në mënyrë aq të natyrshme e funksionale në personalitetin e tyre veprimtarinë dhe intelektualin, poetin dhe aksionistin, humanistin dhe militantin, revolucionarin dhe shkencëtarin dhe mbi të gjitha njeriun e mirë dhe atdhetarin e kulluar.

Halil Alidema ishte nga historianët e pakët që jo vetëm shkruajnë historinë e mëparshme, por njëkohësisht edhe bëjnë historinë e re kombëtare.

I tillë do të mbetet gjithmonë, në kujtesën time, miku dhe shoku i idealit Halil Alidema.

Hydajet Hyseni

SI E NJOHA HALIL ALIDEMËN

Me kërkesën e zotëri Sabit Alidema, i afërt nga gjaku me të ndjerin Mr. Halil Alidemën, i cili me vëtiniciativë i ka hyrë një punë sa humane e njerëzore, po aq e vështirë për të shkruar një monografi mbi jetën dhe veprimtarinë politike, atdhetare në kontributin për luftën, çlirimin e Kosovës.

Të shkruash për Halilin, është sa vështirë aq edhe nderë. Në aspektin kombëtar janë çështjet e pastra. Ai rrjedh nga një familje atdhetare nga Pozherani, familje kjo e cila kurrë nuk e ndali punën për të kontribuar, për çlirimin e Kosovës dhe të trojeve tjera shqiptare, të cilat që nga Lufta e Parë Ballkanike (vjeshtë 1912) u okupuan nga Serbia dhe Mali i Zi. Unë këtu nuk e kam ndërmend që të shkruaj biografinë e Halilit, që nga fëmijëria, të bëjë një jetëshkrim për të.

Halilin për të parën herë e njoha në qershor të vitit 1958, kur një grup të rinjsh nga Ferizaj dhe rrethina erdhën për të dhënë provimin pranues në Shkollën Normale në Prishtinë. Atëherë na dolën përpara për të na strehuar dhe rehatuar Xhemajl Kasumi, Skender Lamaxhema dhe Halil Alidema, të cilët na morën dhe na strehuan në Internatin e Normales së Prishtinës. Që të tre ishin lojtarë të ekipit, Normalisti të Prishtinës në hendboll. Nga kjo kohë e kam njohur, por në mënyrë sipërfaqësore dhe atë më tepër nëpërmjet të tjerëve.

Me Halilin kemi filluar të shoqërohemi pas ardhjes sime në Prishtinë. Më për së afërmi pasi kam regjistruar studimet pasuniversitare të historisë, në vitin shkollor 1972-73. sa më kujtohet Halili në këto vite filloi të punojë si referent për studentët e shkallës së tretë në Fakultetin Filozofik. Populli thotë “Trimi trimin e respekton”, Halilin e pranon në këtë vend pune prof. Dr. Ali Hadri, i cili në këtë kohë ishte dekan i këtij Fakullteti. Pra, e pranon në punë dhe i mundësoi që si jurist që ishte Halili, të regjistrohet në studimet pasuniversitare në degën e historisë. Kështu pa shkëputje nga puna, Halili mbaroi studimet e shkallës së tretë të historisë dhe në vitin 1979 mbrojti tezën e magjistraturës me titull: “Traktati i shën Stefanit i vitit 1878 dhe Ballkani”, në të cilën trajtoi çështjen shqiptare edhe në Kongresin e Berlinit. Më kujtohet fortë mirë, kur unë dorëzova tezën e doktoranturës në gjysmën e shtatorit të vitit 1979, pas disa dite më thirri dhe më kumtoi se e kishte lexuar dorëshkrimin tim dhe më tha: “Ta dishë se deri më tani një kësi lloj doktorate nuk është mbrojtur në këtë fakultet, e kam fjalën në aspektin kombëtar, po ty zoti të ndihmoftë, e ishalla e lejojnë për ta mbrojtur. Unë si shok dhe që është me interes kombëtar, një kopje të këtij dorëshkrimi nëpërmes të lidhjeve të mia kam arritur që ta dërgojë në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ndonëse edhe më parë jam njohur, por te e drejta nuk kemi pasur bashkëpunim më të thellë, posaçërisht në punën ilegale. Nga kjo kohë më tepër më ka kontaktuar, por edhe informuar për gjëra që nuk ishin për opinion.

Këtu po përmendi vetëm rastin kur më 1981 pasi patën filluar demonstratat, të cilat u bënë kërkesa dhe revoltë gjithëpopullore e Kosovës. Në prill-maj organet shtetërore nëpërmjet të PKJ-së filluan të ashtuquajturin diferencim partiak.. në një mbledhje kishin ngja përleshje dhe njëri nga kolegët (profesor) kishte filluar të bëjë diferencim, duke thënë se ata të cilët kanë qenë kurdoherë kundër Jugosllavisë nuk mund të jenë profesor në këtë Universitet. Halili më tregoi se për atë që kishte diferencuar kolegun e vet nuk kishte besuar që mund të jetë aq njeri i lig. Unë iu përgjigja se në atë rast ka mund të jetë një moment i lig apo të kenë pasur ndonjëherë mosmarrëveshje dhe këtë ka mundur ta bëjë si hakmarrje kundër tij, gjë që pas një kohe kjo gjë u vërtetua.

Më 13 nëntor 1981, Halili bashkë me Mr. Ukshin Hotin dhe disa shokë të tjerë arrestohen nga organet e UDB-së. Më 1982 u dënuan. Halili u dënua me 11 vjet burg. Thënë të vërtetën po të ishte Halili i lig, ka mundur me qitë në burg shumë shokë, e në mesin e të mundshmëve kam qenë edhe unë. Por Halili ka mund të japë shpirtin, por shokët jo. Kështu për derisa ishte në burg bashkëpunimi ka qenë i ndërprerë. Ndonjëherë kontakte kemi mbajtur nëpërmjet gruas së tij, zonjës Teuta, kur shkonte për vizitë në burg. Pas daljes nga burgu vazhdoi punën patriotike kombëtare, me inkuadrimin e tij në “Frontin Popullor”, ku isha edhe unë. Kjo ishte organizatë ilegale, e cila ishte paraprijëse e formimit të Partisë së Unitetit Kombëtar Shqiptar – UNIKOMB, të cilën e formuam në muajin maj të vitit 1991. Duhet thënë se në fund të vitit 1989, u formua Lidhja Demokratike e Kosovës e para në Kosovë, si parti apo lëvizje politike legale. Që të dy ishim anëtarë të LDK-së që në Kuvendin e Parë të LDK-së në fillim të majit 1991, të mbajtur në Salla e Medresës “Alaudin” në Prishtinë, në marrëveshje me Halilin, në fund të diskutimit iu drejtova kryesisë, “Prej sodit udha e mbarë pa mue”, nuk kemi mundur të pajtohemi me politikën pacifiste Rugoviane, prandaj përgatitjet që kishin filluar një kohë shumë më parë, në muajin maj 1991 legalizuan për opinion UNIKOMB-i nuk ka qenë e mundur që të regjistrohet askund ngase programin e partisë ne parashihnim çlirimin e Kosovës edhe me luftë.

Në UNIKOMB u anëtarësuan numri më i madh i anëtarëve të Frontit. Unë që nga fillimi në UNIKOMB isha nënkryetar i parë, prof. Dr. Masar Kodra ishte në Maqedoni, kurse dr. Bahri Brisku për Mal të Zi. Nënkryetarët ishin të zgjedhur për trojet etnike shqiptare në Jugosllavinë e atëhershme. Diku nga gjysma e muajit korrik 1991 u mbajt Kuvendi i parë në të cilin u zgjodhën organet dhe personat e caktuar në postet e cekura. Vazhdoi formimi i degëve të partisë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Maqedoni. Në këtë kohë në Maqedoni patën formuar degë vetëm në Shkup, në Tetovë ishte në formim. Po ashtu edhe me Halilin e kaluam një natë në Gostivar, për formimin e degës. Kështu ishte puna deri më 3 shtator 1991, kur Halil Alidema si kryetar i UNIKOMB-it ishte detyruar ta lëshojë Kosovën. Rasti ndodhi kështu: atë ditë në mbledhje të Këshillit Koordinues të partive politike të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova (tani kryetar i Kosovës) pasi kishte dalur jashtë nga dhoma, ku mbahej mbledhja (në selinë e LDK-së) kur hynë në mbledhje e lajmëron Halilin me zë të ulët në vesh se janë, duke e pritur dy njerëz të sigurimit jugosllav. Halili duke pasur përvojë në punën ilegale – atdhetare, nuk u dorëzohet, por kërcen nga dritarja pasi ishte ndërtesa përdhese, dhe me atë rrugë del në Shkup. Me këtë ditë merr fund puna dhe qëndrimi legal i Halil Alidemës në Kosovë – për jetë. Në Shkup së pari u vendos në lagjen shqiptare të Muhaxherëve, pastaj në lagjen Hasanbeg. Nga fillimi i tetorit kaloi në Tiranë, qytet në të cilin jetoi deri në vdekje, më 19.3.1996.

Bashkëpunimi i sinqertë dhe pa hile për çështjen kombëtare ka vazhduar. Për ta njoftuar Halilin shkonim pa tjetër dy herë në javë, dikush nga kryesia me autorizimin tim apo vetë, kam shkuar në Shkup dhe e kam informuar për çdo gjë. Kjo ishte e mundshme pasi nuk kishte ndonjë kufi të fortë me Maqedoni. Me largimin e Halilit nga Kosova, defakto punët e kryetarit më mbetën mua për t’i kryer. Çdo punë e kam kryer në marrëveshje më kryesinë dhe atë edhe për punët më të vogla. Në këtë kohë kishim filluar me formimin e njësive ushtarake, si i quanin në atë kohë “Forcat Mbrojtëse”. Kjo punë ishte tejet sekrete edhe për shumicën e anëtarëve të kryesisë, po edhe për dy nënkryetarët e tjerë (Dr. Masar Kodrën dhe Dr. Bahri Briskun). Shpirti më duhet, nuk e kam pasur besimin e duhur që në rast dekonspiracioni ishte më mirë që ata të mos dinë gjë. Këtë e kisha nga përvoja. Kështu mbas shkuarjes së Halilit, më sa më kujtohet është formuar edhe dega në Pejë. Mitingu është mbajtur në kino Jusuf Gërvalla, të cilën degë vetë e kam promovuar, pastaj në Vushtrri, në Mitrovicë, në Skenderaj. Ndërsa në qytetet tjera të Kosovës kanë qenë të formuara. Pas shkuarjes së Halilit janë formuar edhe dy degë të UNIKOMB-it në Kumanovë, kurse në Preshevë dega e kësaj partie nuk ishte shumë e qëndrueshme. Po ashtu kam formuar degën në Tetovë, kurse në Kërçovë, në Dibër dhe në Strugë kam pas vënë kontaktet dhe fillova punën në formimin e këshillave iniciative, të cilat kanë mbetur në atë rang deri nga fundi i muajit shkurt të vitit 1992 kur unë kam dhënë dorëheqje në UNIKOMB.

Sipas marrëveshjes, Halili nga Shkupi shkoi në Tiranë, hapi zyrën e UNIKOMB-it dhe filloi jetësimin e marrëveshjes ndërmjet Presidencës së Shqipërisë dhe “Frontit Popullor” të nënshkruar më parë, për formimin e llogoreve në Shqipëri, për ushtrimin e djemve dhe vashave kosovare për përgatitje ushtarake, për ushtrinë e ardhshme të Kosovës UÇK-në.

Puna intensive, me shpirt për çështjen kombëtare e Halilit, bëri që më sa më kujtohet në fillim të muajit nëntor 1991, filloi ushtrimi i djemve, të Kosovës, për luftën e ardhshme kundër okupatorit serb,luftë për të cilën ishim të bindur se duhej të ndodhte – nëse dëshironim çlirimin e Kosovës. Pra, politika dhe programi i kësaj partie parashihte përdorimin e të gjitha mjeteve për t’u çliruar nga okupatori serb. Përgatitja e djalërisë për luftë, në fakt filloi nga UNIKOMB- i , në llogoret në Tiranë, pastaj në Burrel, ku oficerët shqiptarë në grupe ushtronin rininë kosovare. Grupi i parë sa më kujtohet ka shkuar në fillim të nëntorit dhe atë prej 30 vetave nga vise të ndryshme të Kosovës. Në këtë grup ka bërë pjesë edhe heroi i popullit Zair Pajaziti – Ismeti. Nga kjo kohë kontaktet e Halilit me mua kanë qenë vetëm nëpërmjet njerëzve që lëviznin. Nuk di shumë për shkaqet që ndikuan te Halili, pse ai filloi të sillet pak më ndryshe. Si duket UDB-ja i kishte pas përzier gishtat edhe te ne, në parti , e ndoshta edhe te disa anëtarë të kryesisë. Populli thotë: kur i përzien gishtat dreqi, nuk shkon gjë mbarë. Kur i pata thënë Halilit se njerëz, që i kishte futur Halili në kryesi, nuk kanë qenë as për partinë tonë. Halilit atëherë iu duk se i fola fjalë të rënda, por fatkeqësisht këto dolën të sakta, pasiqë më vonë e larguan edhe nga kryetari. Ai atëherë më pat thënë se unë po frikësohem dhe duhet të punojë më tepër. Këto dhe të tjera gjëra filluan të më rrezikojnë lirinë e lëvizjes, rrezikohesha për burgosje. Në fillim të dhjetorit u bë një tentim atentati në makinën time, në rrugën Tetovë-Shkup, ku kishim shkuar për çështje kombëtare dhe partiake bashkë me Abdullah Bytyçin ekonomist, anëtar i Kryesisë së UNIKOMB-it. Kështu kishte edhe më shumë veprime subversive nga ata anëtarë nga të cilët unë që më parë kisha rezerva. Fatkeqësisht, Halili kishte dijeni për këta e në vend që të mbante lidhjet me mua, mbajti lidhje me ata që edhe i bënë Puçin, më 1993 dhe ia morën postin e kryetarit.

Kështu me veprimet e pamatura të Halilit, u detyrova të japë dorëheqje nga posti i nënkryetarit të UNIKOMB-it, një organizëm që isha bashkëkrijues me një program që ishte punuar sipas idealit. Në mbledhjen e Kryesisë, më 28.2.1992, në prani të Halilit, i cili këto ditë kishte ardhur në Kosovë ilegalisht, dhashë dorëheqje nga posti i nënkryetarit. Deri atë ditë nuk kam qenë i vendosur që të japë dorëheqje, por kur para meje Halili koketoi me ata që pastaj i erdhën për koke, nuk munda të duroj më. Nuk shkova kurrë më në parti, por kurrën e kurrës nuk pushova së vepruari për çështjen e çlirimit të trojeve shqiptare nga okupatori serb.

Halili, përveç që formoi dy llogore në rrethinën e Tiranës për ushtrimin e djemve dhe vajzave kosovare për luftë- pjesëtarë të UÇK-së, me mjetet financiare të mbledhura në diasporë, tentoi të sjellë armatim për UÇK-në. Deri në prill të vitit 1993 në llogoret e përmendura kanë ushtruar 1800 meshkuj dhe femra shqiptare nga Kosova, Maqedonia dhe Presheva. Më 14 nëntor 1992 në Tiranë formohet Shtabi Operativ – si trupë ndihmëse, me autorizime të veçanta për organizimin me persona të verifikuar, për udhëheqjen e kësaj trupe. Ky shtab formoi organizma aktiv me njerëzit e specializuar për veprime të aksioneve të sigurta më veprim praktik në Kosovë si : a) për zbulim dhe përgjim; b) për luftë diverzante dhe kidnapim (të njerëzve me peshë politike dhe shtetërore), c) për luftë guerile dhe mbrojtje, dhe për strehim të popullatës së rrezikuar, d) për propagandë, luftë civile në qytet dhe në ndërtesa, dh) për luftë psikologjike dhe kundërinformim. Shtabi operativ ishte konspirativ dhe kishte një fuqi organizative dhe të gatshme për aksionet konkrete.

Halili për çlirimin e Kosovës ishte për bashkëpunim edhe me kundërshtarët politikë. Kështu e ftoi Bujar Bukoshin (atëherë kryeministër i Qeverisë së Kosovës ekzil), të cilit i bënë me dije se pa luftë Kosova nuk do të çlirohet, por ti bashkojmë forcat. Bënë me dije Bukoshin se rinia e Kosovës ishte duke bërë stërvitje ushtarake në llogoret e Tiranës dhe të tjera dhe i thoshte: “ne do të luftojmë”.

Për rrjedhat në kryesinë e UNIKOMB-it dhe marrëdhëniet e mia, qoftë me parti apo me kryetarin e saj, Mr. Halil Alidema, kanë qenë tejet të reduktuara edhe pse ka mjaft gjëra, për të cilat ka të dhëna, por unë nuk kam qenë aktor dhe pjesëmarrës në ato punë, prandaj preferoj që të flasin të tjerët. Në fund mund të them me përgjegjësi të plotë se puna e Halil Alidemës në çështjen kombëtare është shumë e madhe, meritat e tij dhe të partisë së Unitetit Kombëtar janë të mëdha. Rrjedhat në parti pas fundit të vitit 1992 nuk kanë qenë të kënaqshme. Kanë marrë kahje karrieriste, te disa anëtarë të kryesisë në Prishinë dhe mohim të kryetarit që ishte në Tiranë, më 1993, sa që formojmë kryesi paralele. Kjo del edhe nga gazeta “Rilindja” e vitit 1993. të flasësh për veprimtarinë e Halilit duhet të shkruhen një mori veprash. Gjeneratat ia pranofshin dhe ia pagofshin punën dhe meritat e tij për çlirimin e Kosovës.

Prof.dr. Liman Rushiti – Prishtinë, më 4.04.2005

  • VIJON – 

___________________

HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (31)

Nga Sabit Alidema, Pashtriku – 28 Korrik 2021

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura