DR.LEDIAN DROBNIKU: DEMOKRACIA PJESËMARRËSE NORMALIZON SHQIPËRINË

Tiranë, 22. 07. 2016: – Pse një qeverisje si Zvicra sjell normalitetin në vend? – Pse nuk dëgjojmë për famën e politikanëve zvicerianë? E thjeshtë, atje vendosin qytetarët dhe politikanët zbatojnë! Jo vetëm populli shqiptar por dhe shumë rilindas ëndërronin një Shqipëri si Zvicra!
Kjo paralele nuk hiqej vetëm duke u nisur nga kushtet e ngjashme natyrore mes dy vendeve, por dhe nga stabiliteti që ofron ai sistem politik, megjithë etnitë e ndryshme që e përbëjnë.
Shqipëria ka një popullsi shumë më homogjene se Zvicra dhe ai sistem mund të funksionojë edhe më mirë sepse rrit kohezionin social dhe kombëtar. Demokracia Pjesëmarrëse (një rrugë e mesme mes demokracisë direkte dhe asaj përfaqësuese) përgjegjëson qytetarët për peshën e vendimeve të tyre direkt për gjërat, duke u identifikuar në një projekt të përbashkët që e ndërtojnë përditë. Në këtë mënyrë politika rimerr kuptimin origjinal, si një aktivitet i vetë qytetarëve vendimmarrës për fatet e komunitetit dhe jo politika si spektakël i një kaste që lufton për privilegje. Vetëm në një demokraci reale, problemet, divergjencat zgjidhen në harmoni nga vetë qytetarët, pa parti që u fryjnë ndasive për të fituar kapital elektoral.
Në një sistem të tillë ku vendimet merren direkt nga qytetarët, nuk formohen shumica hermetike, sepse ato ndryshojnë në bazë të temave të ndryshme. Kështu sipas rastit mund të formohet një shumicë për politikat e arsimit dhe një shumicë krejt e ndryshme për politikat e ambientit. Tirania e shumicës vendoset vetëm atje ku ka “demokraci” përfaqësuese, atje ku vendosin elitat dhe partitë, të cilat bllokojnë pjesë të popullit brenda një ideologjie të caktuar. Aty njerëzit ndalojnë së kërkuari të vërtetën sepse atë e prodhon partia dhe e shpërndajnë mediat me mercenarët e vet. Në këtë mënyrë populli mbetet minoren duke rendur pas partive dhe liderrrave për ti dhënë kuptim jetës së tyre. Politika degradon në lakimin e fytyrave në vend që të fokusohet tek problemet dhe zgjidhja e tyre. Ky spektakolarizim i politikës nuk rrëmben vetëm pasionet e njerëzve por dhe mirëqënien e tyre në duar të një kaste autoreferenciale dhe kleptokrate.

Nuk është rastësi që në Shqipëri, tezat për zgjerimin e demokracisë (që kërkojnë trasferim të pushtetit nga partitë drejt qytetarëve) anatemohen, eklipsohen apo përqeshen nga mbajtësit e pushtetit dhe qarku mediatik. Por dëshira për demokraci sado të sulmohet nuk mund të shuhet kurrë sepse është vokacion natyror i njerëzve, që kërkojnë në epokën e informimit të vendosin gjithmonë e më shumë. Shqiptarët po fillojnë të kuptojnë që ajo çfarë i bashkon regjimet e instaluara këto 100 vite në Shqipëri, është përjashtimi i popullit nga vendimmarrja direkte në favor të “elitave”.
Vizioni elitist nuk do sjellë kurrë normalitetin në vend, pavarsisht “përpjekjeve” të faktorit ndërkombëtar. Shqipëria ka prodhuar dhe vazhdon të prodhojë ende sot liderra maniakë dhe autoritarë që nuk e kanë problem të sakrifikojnë interesat e kombit për mbajtjen e pushtetit. Nga ana tjetër, qarqe antishqiptare e kanë shumë herë më të lehtë të kushtëzojnë jetën politike dhe ekonomike të vendit duke blerë apo shantazhuar disa oligarkë sesa të bindin një popull të tërë vendimmarrës për çdo temë. Doktrina politike dhe juridike pranon gjerësisht se siguria kombëtare dhe begatia e një populli të vogël është e lidhur fatalisht me demokratizimin dhe kontrollin e tij mbi makinën shtetërore. Shembulli i Zvicrës, që gjendet ndër vendet e para në botë për pasuri për frymë, për barazi dhe kohezion social, për klimë të biznesit, për respekt të natyrës, stabilitet dhe neutralitet ndërkombëtar është konfirmim i këtyre tezave. Ashtu si është konfirmim i së kundërtës shembulli i Shqipërisë që nuk njohu kurrë instalimin e demokracisë, por eksperimente me regjime autoritare dhe aventura pranë perandorive të ndryshme.
Ajo çfarë po ndodh sot me “reformën e radhës” është shembulli evident sesi kasta lufton për mbajtjen e privilegjeve duke sakrifikuar dhe sovranitetin kombëtar. Mediat e kastës bombardojnë pa reshtur prej muajsh popullin televiziv duke e detyruar të marrin qendrim për një reformë elitiste antidemokratike, që mban pushtetin brenda pallatit dhe nuk zgjeron sadopak vendimmarrjen qytetare. Reforma nuk parashikon hapjen e sistemit për qytetarët, lejimin e referendumeve, jurive qytetare, mundësinë për të zgjedhur qytetarët dhe jo partitë organet e reja, kufizimin e mandateve në vetëm dy për të hapur politikën ndaj njerëzve të rinj, kufizimin e shefit të partisë, demokratizmin dhe trasparencën efektive të partive politike etj etj.
Por pavarsisht spektakolarizimit të politikës, loja zgjidh “diktatorin e preferuar” ka filluar mos ti pëlqejë më shumicës së shqiptarëve. Rotacioni mes batalioneve të kastës po përkeqëson gjithmonë e më shumë situatën. Oligarkia është ngritur mbi një ADN plaçkitëse dhe ky ekuacion negativ nuk po mban më sepse së bashku me shqiptarët dhe kursimet e tyre po largohen edhe investitorët e huaj.
E gjendur në këtë pikë kasta po përgatit një kaos të organizuar që pakënaqësia e popullit të adresohet në një drejtim të parrezikshëm për vazhdimin e status quo-s dhe mbajtjes së privilegjeve. Populli sërish do synohet të përçahet drejt partisë dhe liderrrit të preferuar (se kush e donte reformën, se kush është më proamerikan etj) pa e kuptuar që në këtë mënyrë energjitë e tyre neutralizohen si vektorë me valenca të ndryshme.
Del parësore më shumë se kurrë në këto momente të vështira për kombin, që energjitë dhe njerëzit e tij më të mirë, të luftojnë beteja për demokracinë dhe kundër partitokracisë. Jo ajo demokraci, që trumbeton kasta dhe media, që ngatërron demokracinë me partitokracinë, votimin me vendimin, por demokracia e vërtetë që i jep pushtetin qytetarëve shqiptarë.
Ky pushtet nuk krijohet nga hiçi po u rrimerret partive-shtet që kanë zëvendësuar vullnetin e sovranit me atë të shefit të partisë në shërbim të klientëve të brendshëm dhe të lobeve ndërkombëtare. Çmilitantizimi i shtetit prej partive do zbusë konfliktet sociale të mbërthyera në një luftë klasash partiake për çdo aspekt të jetës. Raportet e forcës do zëvendësohen nga raportet e së drejtës, duke i dhënë fund pasigurisë juridike që mban të ngrira energji kolosale zhvillimi.
Dobësimi i partive zhduk dhe figurën e “udhëheqësit të lavdishëm” që merr popullin prej dore. Kjo mendësi mund të jetë e përshtatshme për situata lufte por jo për ndërtimin përditë të demokracisë, nga një popull që del nga gjendja e minoritetit dhe vendosë vetë fatet e tij pa ia deleguar partive, liderrave apo lobeve – si thoshte Kant. Ndërtimi i një shoqërie të drejtë, që respekton punën dhe talentet individuale, realizohet vetë nga qytetarët që braktisin ëndrrat për të qenë padronë virtualë dhe skllevër realë.
Nëse shumica dërrmuese e këtij vendi vuan të njëjtat halle, atëherë duhet të ndërgjegjësohet për të luftuar të njëjta beteja. Beteja që i bashkon të gjithë, është pikërisht zëvendësimi i këtij sistemi partiak që siguron privilegje për një pakicë në një sistem që siguron mirëqënie për të gjithë. Zëvendësimi i sistemit nuk nënkupton largimin e maskave të tij por ndryshime demokratike kushtetuese për formimin dhe kontrollin e institucioneve prej qytetarëve dhe jo partive.
Me instalimin e këtyre institucioneve demokratike do sigurohet qarkullim i shpeshtë i shërbëtorëve të popullit, i cili mbetet i vetmi mbajtës i sovranitetit pa ia dorëzuar partive. Miratimin e ligjeve nuk e bën vetëm parlamenti por dhe vetë qytetarët. Qytetarët do të vendosin si në Zvicër, me referendume që nga hapësirat publike, politikat energjitike deri tek rrogat e zyrtarëve! Parlamenti nuk zhduket dhe vazhdon të prodhojë ligje por ato nuk hyjnë në fuqi nëse populli i kundërshton me referendum. Kështu, asnjë partie nuk i shkon në mend të bëjë ligje antipopullore sepse populli i hedh poshtë pa pritur 4 vjet fundin e mandatit. Në fakt, në demokraci pjesëmarrëse mandati nuk është i bardhë, ku të zgjedhurit e popullit (jo vetëm deputetët, por edhe zyrtarë të tjerë të lartë si: Presidenti, Prokurori i Përgjithshëm, Avokati i Popullit, Governatori i Bankës kombëtare etj.) premtojnë një gjë dhe bëjnë një gjë tjetër. Ai mandat mund të të hiqet nga ata që ta kanë dhënë, në çdo moment dhe jo një herë në 4 vjet, nëse humbet besimin e qytetarëve. Kështu vetë qytetarët sigurojnë vazhdimisht higjenën e shtetit duke lehtësuar punën e gjykatave në mbrojtjen e të drejtave themelore. Vetëm kështu promovohen njerëz dhe energji pozitive në shërbim të komunitetit që punon si një i tërë, i bashkuar në larmishmëri.
Sigurisht Shqipëria nuk është identike si Zvicra, (nuk ka atë kulturë demokratike) por ka shumë gjëra më tepër se ajo, duke filluar nga një trashëgimi kulturore mijëra vjeçare dhe një diasporë, studentë e emigrantë në të katërta anët e botës, që mund të kontribuonin jo vetëm financiarisht por dhe me sjelljen e proçeseve të ndryshme të punës dhe bizneseve. Sigurisht ardhja e këtyre energjive nuk bëhet me sllogane partish, por duke i ngritur ato në institucion. Duke krijuar jo vetëm ministri për diasporën por dhe një senat vetëm për diasporën që të përfaqësohet e të ndikojë direkt në jetën institucionale, si emisarë të shqiptarisë në diplomacinë ekonomike të vendit.
E lam për në fund pasuritë përrallore të Shqipërisë, si një Zvicër me det, me liqene e lumenj, me pasuri nëntokësore dhe mbitokësore. Në këto kushte, një studjues i thjeshtë kupton, që ajo që duhet është vetëm një “sistem operativ” i aftë për të sinkronizuar dhe maksimizuar këto energji. Ky sistem operativ duhet të ketë koordinata dhe vlera të reja (jo antivlera si privilegjet, plaçkitja, përçarja dhe sundimi i një kaste) dhe si i tillë duhet të ngrihet mbi një Kushtetutë të Re, kësaj here jo dhuruar nga të huajt, por i miratuar nga qytetarët për qytetarët. Një Kushtetutë që çmonton sistemin e partitokracisë, që instalon demokracinë pjesëmarrëse, që garanton kohezionin kombëtar dhe që siguron një begati të përgjithshme ngritur mbi ekonominë e lirë dhe të ndershme.
Nëse ka një mundësi të vetme për të dalë nga gjendja e mjerimit material dhe shpirtëror, që të realizojmë ëndrrat dhe aspiratat tona, kjo kalon vetëm nëpërmjet ndarjes së fatalizmit mbjellë nga kasta dhe rigjetjes së hovit jetësor shqiptar. Ai hov dhe ato vlera që na lejuan mbijetesën nëpër shekuj si popull autokton dhe krenar i këtyre trojeve.
***
DR.LEDIAN DROBONIKU: NORMALIZIMI I SHQIPËRISË JASHTË PERANDORISË!
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=5521

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura