BORË E PARË NË VIGJILJE TË FESTAVE TË NËNTORIT

Nga Elife Podvorica – Jashari, Prishtinë 25. XI.2023 (e shtunë)

Uauu, thash me vete sapo pash orën që kishte shkuar 7h në mëngjes. Edhe më shumë zgurdullova sytë dhe habia ime mori formë në hapësirën që sa vinte e më rritej në bebzat e syve të mij, kur shikimi më ra pingul si shigjetë nga dritarja e katit të tretë dhe ç‘të shihja! Bora kishte zbardhur gjithë kulmet e shtëpive, bashkë me bredhat e lartë dhe pemët që u ishin rënduar degët.

Gëzim të papërshkueshëm ndjeva nga ky peisazh përrallor që mu çfaqë para syve. Pooor… menjëherë më shkoi mendja se a do të mund të dilja për ecjen e mëngjesit, sepse mesiguri njeri i gjallë i lagjes nuk e kishte provuar rrugën e mbuluar me borën e bukur.

Thashë hajt se ia dal. Edhe ashtu, unë jam gjithë ai “burri“ i lagjës që e nisi trafikun e para. Kështu, pas ritualit mëngjesor që e bëra fët e fët, me tezen Mide u nisëm për të shijuar këtë ditë të bukur nëntori. Bora e parë gjithmonë na i gëzon zemrat. Nuk e di përse, sepse ajo nuk sjellë lek, as nuk na i pakëson telashet e përditshmërisë sonë. Bile zakonisht edhe i shton ngapak, sidomos derisa të mbushen rrugët me rërën që e shkrinë ate. Tek ishim drejtuar tek restorani ku pijmë kafen e ngrohtë për shtatë palë qejfe duke diskutuar me nge për ditën që shkoi, telat nëpër shtyllat përgjatë rrugës, qitnin xixa, sikur të ishin dekor për Vitin e Ri. Nuk i bëzaja shoqërueses sime, sepse do të tmerrohej nga kjo gjë. Ajo ishte koncentruar tek rruga që të mos rrëshqiste, e nuk e kishte luksin që të ngrinte kokën më lartë se hapat që mezi gjenin vendin e duhur për tu hedhur në borën e lagur të trotuarit. Deri sa mbërrijtëm te restorani i zbukuruar për festat e fundvitit, ajo më rrëfeu si nusja e djalit nga Zvicra, i kishte blerë çizmet e përshtatshme pikërishtë për ditë të tilla dimërore.

Unë për veten time nuk bëzaja fare, sepse çdo hap që e bëja, ndjeja se si më lageshin qorapet brenda çizmeve të mia tejet të papërshtatshme për ditë të tilla. Por, nga gëzimi i borës së parë, e duroja këtë gjë, bashkë me krahun e rënduar, me të cilin e mbaja ate për të mos u rrëzuar rastësisht. Kështu që xixat e shtyllave, këmbët që sa vinin e lageshin, krahu i rënduar, dhe fjollat e borës që sa vinin e shtoheshin nga qielli i murrmë i rënduar nga retë e dendura, ishin peisazhi i kësaj ore të hershme mëngjesore.

Realisht u kënaqa shumë. Pemët me gjethet e skuqura vjeshtore, përbënin një harmoni të përkryer me borën e bardhë.

Këtë gjë ia kumtova edhe bashkëshortit, tek i cili ngadal po binte muzgu i një  dite që po kryhej nga ana tjetër e globit. Rastisi që kësaj here kishte edhe luksin që të flisnim me kamerë hapur dhe biseduam për shumë gjëra që këtu kishin rrjedhën e tyre në mungesën e tij disa ditëshe. U gëzua pa masë kur i tregova që mëngjeset në kryeqytetin tonë, qe sa ditë me radhë janë të qeta dhe dita e re me agimin e bardhë, fillon me bukurinë e heshtjes së një ditë të re që po fillonte prajshëm në madhështinë e fenomenit Univers. U gëzua shumë. Por edhe unë që në atë mori informatash andej e këndej kontinetnteve, nuk u habita t’i tregoja, sepse e meritonte këtë gjë. Lutem me shpirt që ky fenomen i padukshëm kryeqytetas, do të ik ashtu siç erdhi rrufeshëm e zëshëm që nga ditët e para të pasluftës. Por që vetëm qëllim mirë nuk ishte. Edhe qytetarët e kryqytetit, edhepse të përqëndruar këtyre ditëve të mbështjellura me ardhjen e “Black Friday”, nuk u ka shpëtuar kurrësesi ky detaj i rëndsishëm sa vet Liria e vendit tonë.

Kur jemi te shkronjat, menjëherë mendja mu hoq nga dhoma e tij dhe nga rrokaqiejt që ngadal po u binte velloja e natës. Mendja ime  me shpejtësi drite, udhëtoi nga ai cep i largët i kontinetit të Azisë, në qytetin e Manastirit që këtyre ditëve ishte mbajtur një manifestim i madh për themelimin dhe unifikimin e alfabetit të gjuhës sonë. Këtë vit i ra hise Artës që të ishte pjesë e këtij eventi, me paraqitjen e saj artistike me disa pjesë të bukura të kompozitorëve të huaj dhe shqiptar. Për këtë event kaq të rëndësishëm kombtar, ajo kishte begenisur të vishej bukur me ngjyrat kuq e zi. Pjesëmarrës kishte pasur përplotë atë ditë. Edhe ata që ishin pjesë e programit artistik, por edhe ata që kishin ardhur për t’u kënaqur në audiencë. Arta kishte takuar shumë njerëz intelektualë e atdhetarë, shumë artiste e aktore të gjeneratës më të hershme që kishin ardhur enkas nga vise të ndryshme shqiptare dhe ishte kënaqur shumë me prezencën e tyre.

Nuk kishte pasur asnjë figurë politike dhe asnjë media televizive.

Ku janë more, i thashë vetes sapo e vërejta këtë gjë. Përveç një fotografie profesioniste, asnjë televizion shqiptar nuk ishte për të shënuar këtë ngjarje qoftë si informacion ditor. Unë mbeta shumë e habitur. Gjithë ato channels që përveç gjërave tjera, janë të mbushura me jetën e Kardashianëve, VIP-ve të ndryshëm botëror e vendor, e të mos ishin pjesë e këtij eventi kaq të rëndësishëm kombtar. Ndjeva keqardhje për ta, sepse nuk do u shkonte huq prezenca aty. Do të kishin çfarë të regjistronin. Në pamjet e tyre televizive mesiguri do të hynin edhe aktoret nga Korça që kanë lënë nam me punën e tyre në dramën dhe filmin shqiptar këto 80 vitet e fundit, pastaj në skenë e kishin “Kardashiankën” shqiptare që përveç bukurisë dhe elegancës së saj në të veshur, kishte edhe zërin hyjnor që i zbukuronte veprat artistike që interpretonte me një sharm të veçantë artistik e shpirtëror. Them shpirtëror, sepse ajo e di shumë bukur historinë e alfabetit të parë shqip. Duke e ditur shumë korrekt e saktë këtë gjë, ajo kishte mundur që të dinte e mësonte edhe pesë alfabete të gjuhëve të huaja që fliten në planetin tonë. Por sonte, ajo kishte emocion tepër të veçantë. Në gjurmët e Nënës Terese, interpretonte në një ngjarje historike për kombin që i përkiste dhe ndjente një krenari në tërë qenien e saj të bukur, që nëna natyre kishte qenë shumë gjeneroze me te.

Pas mediave, menjëherë mendja më vajti tek shumë intelektualë shqiptar që i njohë, e aty nuk ishin prezent.

A thua ku janë? Më shkoi gjithë mbrëmja duke menduar në ta. Ku mund të jenë gjithë ata shkruajtës të librave pikërisht me këto shkronjat që sonte po përkujtoheshin me një krenari të veçantë nga organiztorët e mbrëmjes dhe gjithë pjesëmarrësve bashkë aty, që ishin mbledhur dhe po diskutonin miqësisht me njëri-tjetrin para dhe pas pjesës artistike të mbrëmjes.

Zot ruana, më shkoi gjithë mbrëmja pothuaj, duke mbetur me pamjen e të habiturës në fytyrë.

Nejse….. Arta dhe Kristina u ndanë shumë të kënaqura me pritjen e publikut në sallë dhe duartrokitjet e tyre të ngrohta e përplotë emocion. Morën shumë lavdata pas përfundimit të pjesës artistike dhe të gëzuara plotë shend e verë u nisën për në Kosovë, nga Manastiri i vjetër-qyteti kur dikur ishte i mbushur me shqiptarë dhe gëlonte nga aktiviteti patriotik e atdhetarë  i tyre që nga mesjeta e hershme arbërore. Ndërsa krejt në fillet e shek.XX, pikërisht  në datat 14-22 nëntor të vitit 1908, ishin mbledhur intelektualë e patriotë shqiptarë nga të gjitha hapësirat shqiptare, por edhe nga ata që jetonin larg tyre, për të vu themelet e gjuhës që na e kishte falur i madhi Zot, para shumë shekujsh.

Qoftë e bekuar përjetë gjuha jonë e ëmbël shqipe! Faleminderit juve figurave të shquara të kombit tonë, që pavarësisht sfidave e pengesave të rënda nga shumë armiq të popullit tuaj, ia dolët që të përcillnit deri në fund vullnetin e Zotit që bijtë e tij shqiptar të arrijnë të kenë gjuhën e njësuar shqipe. Gjuhë kjo që na mbajti gjallë frymën tonë kombtare ndër shekuj të shekujve!

Andaj, Gëzuar dita e alfabetit shqip! Qoftë i bekuar dhe u ruajtë në Shenjtërinë shqiptare për jetë e mot!

-Urimeeee bora e parë ! Po më shkruante përzemersisht Arbisa me Visarin nga Durrësi i ngrohët me diell…

Urimi i saj më shkëputi nga labirinthet historike të cilat bashkë me eventet e këtyre ditëve të Nëntorit festiv, do të mbështillen diku nëpër cepat e memories së viteve të pakthim…

 Dhe në fund, dua që shkrimi i kësaj dite nëntori me borë, të përfundoj me urimet e mia më të përzemërta për gjithë Festat e Nëntorit. Në veçanti, urime e gëzuar përjetësisht, 28 Nëntori – Dita e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Flamurit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut!

Urime e Gëzuar Nënave të Dëshmorëve që bijtë e tyre ranë në altarinë e Lirisë,

Urime gjithë intelektualëve e atdhetarëve shqiptar të të gjitha viseve,

Urime të rinjëve që pavarsisht jetës së tyre larg atdheut, flasin me dashuri e respekt gjuhën e tyre amtare dhe nderojnë Ditën e Pavarësisë dhe Flamurit Kuq e Zi,

Urime e Gëzuar tokës e qiellit shqiptar!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura