Tiranë, 13 korrik 2018: Kombi, atdheu, populli, pas Revolucionit Francez fillohen të përdoren si sinonime. Ndjenja kombëtare përforcohet me anë të shpalosjes kolektive të simboleve, flamurë dhe himne ashtu si dhe heronj të historisë kombëtare. Me sprapsjen e fesë nga punët tokësore, kombi bëhet hyjnia e re për të mbajtur bashkë popullin e funksional Republikën, do thoshte Chabod tek “Idea e kombit”. Përdorimi i përbashkët i një gjuhe, përkatësia ndaj një tradite të përbashkët historike dhe kulturore, janë këto karakteret që përshkruajnë etnosin e një populli, duke formuar në terma hegelianë përmbajtjen “etike” të një komuniteti ose të një shteti. Patriotizmi është republikan pro Shqipëria ka de facto një Resprivata, një kastë që udhëheq vendin si plaçkë private e qytetarët si bujkrobër.
Për Gellner nacionalizmi është një parim politik që synon koinçidencën mes unitetit kombëtar dhe unitetit politik. Kundër këtij konceptimi që barazon shtetin totalitar me kombin del studjuesi italian Rusconi duke kujtuar këtu nacionalizmin liberal anglez apo nacionalizmin republikan francez. Kundër Gellner dhe Hobsbawn del dhe Lunaro në fjalët e Kalamandrei, kur kujton se atdheu prodhon një sens afrimiteti dhe miqësie, që lejon që edhe dy individë edhe pse të panjohur apo të ndryshëm për edukim apo profesion të ndihen pjesë e diçkaje të përbashkët dhe solidare nga brenda tyre.
Edhe K. Kohn pohon se “kombi nuk është vetëm një grup njerëzish që qendrojnë bashkë nga një ndjejnjë e përbashkët por dhe një grup që kërkon ta realizojë formën më të lartë të oprganizimit si është një shtet sovran. Ndjenja e kombit ka nevojë për shtetin kombëtar dhe forcimi i shtetit kombëtar forcon dhe kombin.
Shqiptarët nuk e konsiderojnë veten popull universal për të dominuar të tjerët si e kanë gjermanët (shih Friedrich Meinecke) apo primati i gjermanëve si shprehej Fichte.
Ndjenja e kombit ndërtohet mbi këto baza objektive dhe subjektive, nga një anë ekzistenca e një pasurie të përbashkët të memorieve, nga ana tjetër vullneti për të mbajtur në këmbë këtë trashëgimi. Nëse do e qendisnim me fjalët e Renan: “kombi është pra një solidaritet i madh, krijuar nga ndjenja e sakrificave kryer dhe nga ato që duhet të kryejmë ende së bashku. Parashikon një të kaluar, por përmblidhet në të tashmen nëpërmjet një fakti të prekshëm: konsensusi, dëshira e shprehur qartë për të vazhduar të jetuari së bashku. Ekzistenca e një kombi është një plebishit i përditshëm. Ky është kombi”. Pra nevoja që të prodhohet përditë një konsensus i lirë dhe i përgjegjshëm për të qendruar së bashku kundër çdo instance despotike që ndrydh këtë autonomi të njeriut dhe vjedh dëshirën e tij për të kontribuar lirisht për komunitetin e tij. Vetëm kështu kombi rritet shëndetshëm brenda e nuk bëhet agresiv jashtë. Si do të thoshte Giuseppe Mazzini i cili kishte martuar idealin e atdheut me parimin e lirisë, të lirisë për atdheun e vet dhe lirinë për të gjithë atdhetë e tjerë si një botë me krijesa të lira, sepse “atdheu është shtëpia e Njeriut, jo e skllavit”
Nga këto reflektime dalin dy konceptet e ndryshme për kombin. Një e tipit vullnetarist, bazuar mbi lirinë dhe konsensusin (eksperienca italiane dhe franceze) dhe një e tipit objektiv dhe natyror, si ajo e gjermanëve. Ishin antikët që arritën në fakt të realizonin një formë civilizimi origjinale e të ekuilibruar frymëzuar nga arritja e një rendi, apo realizimin e lumturive dhe respektin me civilizimet e tjera. Çdo popull meriton respekt dhe një vlerësim pa paragjykime, por që duhet kuptuar në një kontekst më të gjerë historik që shfaqet gjithmonë për të realizuar potencialet e tija.
Ishte Herder që çoi në kërkimin e origjinës së idesë së kombit të cilën e gjeti tek rrënjët e gjuhës. Kjo ishte dhe rruga që ndoqën rilindasit shqiptarë, duke mos vënë fenë por gjuhën dhe historinë e përbashkët shqiptare në themel të kombit. Kujtojmë këtu thënien e Pashko Vasos, e cila u bë motoja e Rilindjes Kombëtare: “feja e shqiptarit është shqiptaria”
Gjuha nuk shihej thjesht si instrument i mendimit, por motor i vetë mendimit dhe çdo aktiviteti shpirtëror e material, si kishin kuptuar stoikët e mandej Witgenstein e të gjithë filozofët e gjuhës dhe komunikimit. Kombi “kulturor” herderian do transformohej në komb “politik” me Rousseau, i cili përmbledh thelbin në dimensionin e vullnetit të përgjithshëm, që është vullneti i veprimit që pasqyron e përfshin interesin e gjithë kolektivitetit, brenda së cilit të gjithë duhet të identifikohen. Kombi nuk është më vetëm ndjenjë, si tek Herder, në kërkim të literaturës, folklorit dhe zakoneve popullore, por transformohet në vullnet, në lëvizje për vetërealizim. Pra kombi ndalon së qenuri thjesht si ndjenjë për tu bërë vullnet; ndalon së projektuari vetëm në të kaluarën për tu projektuar përpara nesh në të ardhmen; ndalon së qenuri vetëm kujtim historik për tu transformuar në normë jete për të ardhmen.
Duke iu rikthyer dallimit mes idesë së atdheut dhe nacionalizmit, është i rëndësishëm kontributi i M.Viroli i cili në veprën “Per amore della patria. Patriottismo e nazionalismo nella storia” dallon prioritetin mes dy këtyre vlerave: për patriotin, vlerat kryesore janë Republika dhe të jetuarit në liri, që vetëm Republika mundëson; për nacionalistin, vlerat supreme janë uniteti dhe pastërtia shpirtërore e një populli”.
Kurse në fjalët e Montesquieu: virtyti politik është dashuria për atdheun ose dashuria për barazinë sepe atdheu i vërtetë është vetëm ai vend ku çdo gjithsecili është qytetar dhe pjesëmarrës në sovranitet. Duket kështu sikur përsërit idetë e Rousseau se: atdheu i vërtetë është nëna e përbashkët që bën pjesëmarrës qytetarët në “administrimin publik”.
Në këtë linjë dhe John Stuart Mill mbi kombin si ideale emancipimi dhe solidariteti social. Ekziston një dallim i thellë mes patriotizmit republikan dhe atij monarkik. Një dallim i tillë qëndron në faktin se për një republikan atdheu i vërtetë është ajo Republikë ku të gjithë mund të jetojnë si qytetarë të lirë, të barabartë para ligjit dhe të barabartë për të drejta politike; për një monarkist atdheu i vërtetë është edhe monarkia, ku një njeri i vetëm trashëgon të drejtën për të komanduar dhe të tjerët duhet të binden. Për një patriot republikan besnikëria është vetëm ndaj Kushtetutës dhe institucioneve të Republikës, ndërsa për një monarkist besnikëria drejtohet ndaj personit të mbretit dhe dinastisë.
Ja pse është e rrezikshme ri-qarkullimi i ideve pro monarkisë në këto kohëra të turbullta. Ardhja e Zogut në pushtet nga të huajt u shoqërua me cedime territoriale apo pasuritë kombëtare në duart e të huajve, duke shtypur shpirtin republikan dhe revolucionin iluminist të Fan Nolit. Eksperienca greke romake franceze italiane prej të cilave u frymëzuan dhe rilindasit tanë, refuzonin në mënyrë kategorike idenë e monarkisë për të mbështetur atë të republikës. Rrezik që po na kanoset tani sërish si shpëtim duke shpikur mbretër të vjetër apo të rinj.
Një tjetër kancer është shpërthimi i korrupsionit si magma që mban bashkë sistemin e kësaj kaste antikombëtare. Kujtojmë fjalët e Dorias: Politikanët falsë, besojnë se do të mund të mbajnë nënshtetasit të zbutur e do fitojnë simpatinë e tyre, duke përhapur korrupsionin dhe vese të tjera (kumari, krimi, degjenerimi etj). Klerikët e kastës besojnë mbi faktin se njerëzit dashurojnë veset dhe prandaj duhet ti inkurajojnë të jetojnë një jetë meskine, por harrojnë se me kalimin e kohës vesi dhe korrupsioni bëhen aq të padurueshëm sa populli ngrihet dhe djeg të gjallë ata që themeluan këtë ndërtesë horrori.
Duket sikur këto rreshta janë shkruar për historinë e Shqipërisë. Transformimi i nomenklaturës komuniste në oligarki kapitaliste, transformoi dhe sundimin me shartimin e shantazhimit të dosjeve të krimeve të komunizmit me dosjet mbi korrupsionin reciprok. Kjo arriti kulmin dhe u transformua në “shkencë” nga Fatos Nano, i cili majmosi dhe shtoi oligarkët në dëm të ekonomisë, territorit që u shkatërruan nga babëzia e një kaste barbare. Ja pse shqiptarët kujtojnë periudhën e Nanos si “kohëra të arta” duke u mbjellë një kulturë parazitare e shkatërrimtare për kombin. Por dhe pse fillimi i demokracisë u shoqërua me nxjerrjen në krye të disa njerëzve pozitivë nga ana e PD, personalizimi dhe sulltanizimi i partisë zëvendësoi raportet demokratike me ato të besnikërisë dhe nënshtrimit ndaj “shefit të ri” të vjetër. Si pasojë shumë prej intelektualëve që iu bashkuan PD, filluan të largoheshin duke rikthyer partinë në moçal me injorantë mediokër hajdutë e oportunistë. Të njëjtën gjë dhe PS ku solidariteti mbahej mbi një superioritet trashëguar nga lidhjet me ish-sistemin. Të dyja partitë, pavarësisht aparencës, paraqisnin të njëjtën mënyrë funksionimi antidemokratik, antipopullor e antikombëtar. Kjo do dukej qartë në dakordësinë mbi të njëjta politika që u ndoqën ndër vite: deindustralizmin e vendit, goditjen ndaj ekonomisë së prodhimit, privatizimet e pasurive publike dhe dorëzimin e sektorëve strategjikë të huajve, transformimi në koloni importi, krijimin e një oligarkie e monopolesh importi, kontrolli i plotë i shtetit nga një kastë, pilotimi i zgjedhjeve, votës dhe vullnetit të popullit, kontrolli i medias dhe informacionit në vend, rritja e borxhit publik dhe taksave, krijimi i papunësisë strukturore, rroga mjerane dhe detyrimi për emigrim të shqiptarëve, administratë militante, presione, shantazhe dhe gjoba për çdo biznes që guxonte të dilte jashtë rreshtit.
Në ndihmë për reflektim vjen dhe mendimi i Renan mbi kombin: Një aspekt është të pasurit një trashëgimi përkujtimore, aspekti tjetër është konsensusi aktual, dëshira për të jetuar së bashku, vullneti për të vazhduar duke afirmuar së bashku këtë trashëgimi të krijuar ndër breza. Kombi – pohon Renan – është frymë, një parim shpirtëror. Vetëdijësimi kombëtar krijohet mbi këto baza, njëkohësisht objektive dhe subjektive, nga një anë ekzistenca e një pasurie të përbashkët me memorie, kurse tjetra është një vullnet i qartë për të mbajtur këtë trashëgimi. E në fund vjen përkufizimi propozuar nga Renan: “kombi është pra një solidaritet i gjerë, formuar nga ndjenja e sakrificës së kryer dhe nga ata që janë gati ti ribëjnë ato së bashku. Nënkupton një të kaluar, por që përmblidhet në të tashmen nëpërmjet një fakti të prekshëm: konsensusi, dëshira shprehur qartë për të vazhduar për të jetuar së bashku. Ekzistenca e një kombi është pra një plebishit i çdo dite, si ekzistenca e individit është një pohim i përhershëm i vetë jetës. Sot ekzistenca e kombeve është një gjë e mirë, madhe një domosdoshmëri. Ekzistenca e tyre është një garanci për lirinë, që nëse do të humbej nëse bota do të kishte vetëm një ligj dhe vetëm një padron. Fjalë që kujtojnë filozofinë e Kant mbi kombet, popujt dhe Evropën tek traktati mbi paqen.
Duke vijuar me mendimin e një tjetri filozofi si F.Meinecke, (Kozmopolitizmi dhe shteti kombëtar) duke dalluar dy grupe të mëdha, duke ndarë kombet në a)kombe kulturore e b)kombe territoriale, pra kombe të themeluara mbi një posedim kulturor fituar me sforcim të përbashkët dhe kombe që bazohen mbi një virtyt unifikues nga një histori e legjislacion i përbashkët. Gjuha, literatura, besimi i përbashkët janë posedimet kulturore më të rëndësishme, falë të cilave një komb mund të ngrihet e çimentohet. Meinecke, diskuton dhe metaforën e famshme të Renan se kombi është plebishit i përditshëm, duke shtuar se këto aspirata lindën me shpirtin e Revolucionit Francez të 1789, nga ideja e vetëvendosjes dhe sovranitetit të kombit, nga ideja pra e një Kombi Territorial që dëshiron të ketë Kushtetutën e vet, dhe të marrë në dorë fatet e politikës së vet. Vullneti faktik për tu bërë komb filloi me francezët e më vonë përfshiu dhe gjermanët apo italianët duke krijuar këto kombe të mëdha në Evropë.
Kontribut iluminist mbi kombin ka dhënë gjithashtu dhe Mazzini. Ideja e fjalës “komb” është lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me idenë e lirive civile dhe integrimin e një Evrope me popuj të lirë (jo degradim të popujve e sundim të elitave si sot). Atdheu për Mazzini është një bashkësi i njerëzve të lirë e të barabartë bashkuar paqësisht për një qëllim të njëjtë. Pra atdheu nuk është tufëzim por komunitet. Nuk ka atdhe aty ku uniformiteti i kësaj të drejte dhunohet nga ekzistenca e kastave, privilegjeve dhe pabarazive. Atdheu nuk është një territor: territori nuk është veçse baza. Atdheu është ideja që lind mbi këtë territor: është mendimi i dashurisë, ideja e unitetit që mban bashkë të gjithë në atë territor. Kjo duhet të ndodhë përpara se një komb vendos të hyjnë në lidhje me kombet e tjera që formojnë njerëzimin botëror. E kishin kuptuar dhe rilindësit tanë se pa organizim politik shqiptaria zbehet e shuhet si ka ndodhur me ata shqiptarë mbetur në trojet e vendeve fqinjë. Gjeopolitika nuk bëhet në hava, por lidhur me pozicionin gjeografik që ka vendi e nga ata që rrethohemi.
Frantz Fanon, tek vepra “të mallkuarit e truallit” pohon se: “Kombi nuk është vetëm konditë për kulturën, eferveshencën e saj, rinovimit të vazhdueshëm të sajën, thellimin e saj. Është dhe nevojë. Është mbi të gjitha betejë për mbijetesën kombëtare për të zhbllokuar ekonominë, kulturën, për të hapur dyert krijimtarisë e begatisë.
Për këtë arsye, atdheu i njerëzve të lirë lind kur vdes atdheu i monarkisë dhe oligarkisë apo regjimeve despotike. Si ka shpjeguar në mënyrë magjistrale Piero Calamandrei disa ditë pas rënies së fashizmit: “ndjenja që na përshkoi këtë ditë mund të përmblidhet pa retorikë në këtë fraze: rigjetëm atdheun”.
Patriotizmi civil është i papajtueshëm më forma institucionale monarkike e oligarkike. Edhe Rusconi dhe të tjerë, do të gjykojnë një tezë të republikanizmit intransigjentë duke refuzuar nacionalizmin të elitave financiare, monarkisë apo oligarkisë. Rusconi pranon se për të pasur qytetarë të mirë, nuk ka nevojë aspak për të forcuar unitetin fetar por ngritur kulturën dhe memorien e përbashkët patriotike. Edhe Gjergj Kastrioti dhe Hamzai, edhe Ismail Qemali dhe Esat Pashë Toptani, ishin shqiptarë dhe flisnin shqip, por kishin parime politike dhe morale të papajtueshme.
Nazionalizmi – shkruante George Orwell – nuk duhet të ngatërrohet me patriotizmin sepse përshkruajnë dy ide të kundërta. Për “patriotizëm” unë kuptoj devotshmërinë për një truall të caktuar dhe një mënyrë të jetuari që konsiderohet më e mira në botë, por pa dashur që këtë t’ia imponoj botës. Patriotizmi për natyrën e tij, është difensiv, qoftë ushtarakisht ashtu dhe kulturalisht. Kurse nacionalizmi, nuk mund të ndahet nga dëshira për dominim, jashtë dhe brenda. Ja përse nacionalizmi shtohet atje ku struktura e një shteti nuk është demokratike por elitiste, monarkike apo oligarkike, duke mbytur dhe pluralizmin e individualizmit shumërformësh brenda.
Konsiderata të ngjashme vlejnë dhe për dallimin propozuar nga Karl Deutsch. Patriotizmi është një sforcim për të promovuar interesat e të gjithë personave që kanë lindur dhe jetojnë në të njëjtin atdhe, ndërsa nacionalizmi synon të promovoj interesat e një grupi ose dinastie që sundon një territor të caktuar. Në këtë mënyrë del që nacionalizmi ndryshe nga patriotizmi, është patologji e një ndjenje natyrale e humane, që popujt kanë krijuar në rrugëtimin historik të tyre.
Në të njëjtin mendim shkon dhe Anderson që e analizon kombin nga aspekti antropologjik dhe e lidh me “dashurinë” që ai zgjon mes njerëzve të ngjashëm, që kanë të njëjtën gjuhë, e orienton pasione të përbashkëta. Prandaj dhe detyrimi që kemi ndaj atdheut është në radhë të parë ai për të mbrojtur lirinë tonë të përbashkët. Nga ky detyrim për lirinë na rrjedh dhe detyrimi, që nëse vendi është i pushtuar nga sundues të brendshëm apo të jashtëm, ta çlirojmë e jo të gjejmë lirinë në një vend tjetër. Në çdo vend tjetër mund të shijojmë porcione të lirive civile e politike, por nuk do jetojmë kurrë të lirë sipas kulturës sonë natyrore.
Të jesh patriot – vazhdon Anderson – do të thotë të luftojmë kundër cilido që përpiqet të vërë interesat personalë mbi ato komunitarë. Kombe të tillë implodojnë nga brenda, prandaj duhet që çdo interes individual duhet të harmonizohet me atë të përbashkët, si qeliza e shëndetshme brenda një trupi të shëndetshëm. Qeliza nuk lufton kundër trupit por as trupi kundër qelizës, si bën psh. regjimet autoritare duke zhdukur liritë personale e pronën private. Pra harmonizim e gjetje të ekuilibrit.
Për Makiavelin, dashuria për atdheun afron qytetarët mes tyre dhe i bën të konsiderojnë të mirat e përbashkëta si më të rëndësishme se ato që ai posedon individualisht.
Zoti – thonin Baballarët e Kishës – do Republikën dhe komunitetet civile dhe ai do trajtojë me dhimbsuri të gjithë ata që sakrifikojnë shpirtin për atdheun. Edhe Voltaire, në Dictionnaire philosophique, asimilon atdheun me Republikën. Atdheu – shkruan Voltaire – është një bashkim i familjeve të ndryshme, dhe individët provojnë për atdheun një afrim të tillë që ndjejnë dhe për familjen e vet. Në një atdhe të vërtetë e të drejtë, interesi i qytetarëve përkon me interesin e përgjithshëm të Republikës.
Si përfundim mund të themi, se rikuperimi i idesë të kombit si ndjenjë dhe projekt konkret (shteti komb dhe ekonomia kombëtare prodhimi) mbetet sot, ashtu si para një shekulli, prioriteti absolut i popullit shqiptar për të dalë nga gjendja e mjerueshme shpirtërore dhe materiale. Por kjo ide duhet të jetë fiziologjike – ashtu si rilindasit kërkonin – dhe jo patologjike, pra patriotizëm e jo nacionalizëm, demokraci e jo oligarki, Republikë e jo monarki. Besoj fuqishëm se ky është dhe drejtimi, ku duhet të drejtohen energjitë intelektuale e materiale të shqiptarëve, ashtu sikundër ky kontribut modest tentoi ta ilustronte me mendimin rilindas shqiptar dhe atë iluminist evropian.
(FUND)
___________________________________
DR.LEDIAN DROBONIKU: PSE DUHET TË RIKUPEROJMË IDENË E KOMBIT? (PJESA E PARË)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=7831
***
DR.LEDIAN DROBONIKU: PSE DUHET TË RIKUPEROJMË IDENË E KOMBIT? (PJESA E DYTË)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=7839
***
DR.LEDIAN DROBONIKU: PSE DUHET TË RIKUPEROJMË IDENË E KOMBIT? (PJESA E TRETË)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=7849