Emri Iliridë dhe shqiptarët e Iliridës

EMRI ILIRIDË DHE SHQIPTARËT E ILIRIDËS

Trajtesë nga debati, me temë: “Republika e Iliridës  – zgjidhje fondamentale e funksionimit të barazisë në Republikën e Maqedonisë Veriore”, të organizuar nga Lëvizja Ilirida, në Tetovë, më 29 maj 2021.

Prof. Dr. Nebi Dervishi  – Tetovë, 29 maj 2021

Emri Iliridë dhe shqiptarët e Iliridës

Republika e Maqedonisë, e dalë nga Kuvendi i ASNOM-it (KAÇKM), në federatën Jugosllave u pranua në mbledhjen e tretë të AVNOJ-it, të mbajtur në nëntor të vitit 1945 në Beograd, me rastin e konstituimit të RFPJ-së, e përbërë nga 6 (gjashtë) republika (Kroacia, Sllovenia, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia dhe Serbia, në kuadër të së cilës ishin përfshirë edhe krahina e Vojvodinës dhe “obllasti” i Kosovës dhe Metohisë.

Krijimi i Republikës së Maqedonisë nga komunistët jugosllavë, në  fund të Luftës së Dytë Botërore, si dhe përfshirja e njëanshme e shtetit të ri federativ jugosllav me pranimin e “popullit maqedonas” (një konglomerat identitetesh i përbërë nga sllavë, bullgarë, shqiptarë ortodoksë,vllahë dhe të tjerë, i cili bazohej që në fillim mbi përkatësinë fetare të banorëve të krishterë ortodoksë, politikisht e shkëputi Maqedoninë nga “opsioni bullgar”, por jo nga anatema e një krijese artificiale, që i vinte sa nga një emërtim gjeografik jashtë realitetit historik, që i referohej antikitetit, e sa nga kthimi i shqiptarëve etnikë në pakicë (pjesëmarrja e të cilëve kapërcente atëkohë 30% e popullsisë së gjithëmbarshme, pa përfshirjen këtu edhe të shqiptarëve ortodoksë, me një shtrirje të gjerë, të asimiluar dhunshëm në serbë ose sllavë maqedonas, pas pushtimeve serbe nga viti 1912 e më pas.

Konferenca e Dytë e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të Jugosllavisë, e njohur me emrin AVNOJ, e mbajtur më 29 nëntor 1943 në Jajce (Bosnje) solli vendimin që Jugosllavia e ardhshme, e dalë nga lufta antifashiste, të organizohet në gjashtë njësi federative, të barabarta me të drejtën e shkëputjes, në mesin e të cilave ishte edhe Maqedonia. Vendimi që Maqedonia të shpallej njësi federative e Jugosllavisë, nuk kishte kurrfarë bazë as formale, meqë në Jajcë nuk kishte përfaqësues të Këshillave Nacionalçlirimtare dhe as nuk mund të kishte, ngaqë Maqedonia aso kohe ishte e ndarë midis Bullgarisë (me pjesën e Maqedonisë së Pirinit dhe të Vardarit me Kryeqytet Shkupin), dhe Italisë që kishte okupuar Prefekturën e Dibrës (Tetovë, Gostivar, Dibër, Kërçovë, e Strugën) në emër të Mbretërisë Shqiptare. Madje, edhe organizimi partiak i kësaj hapësire ishte i ndarë në dy pjesë; maqedonasit ishin të lidhur me PKB-në ndërsa ato pak celula të komunistëve shqiptarë, nga 1943, ishin të lidhur me PKJ-së. E ashtuquajtura PKJ për Maqedoninë, e themelua në Manastirin e Prohor Pçinskit, në afërsi të Kumanovës (edhe aktualisht në pjesën serbe), në të cilën u kooptuan formalisht dy – tre maqedonas që jetonin në Beograd (Kalishevski, Cërvenkovski, Gligorovi e të tjerë), ndërkohë që ajo drejtohej nga serbi Svetozar Vukmanoviq – Tempo, përgjegjës për ndërlidhjet midis komunistëve jugosllavë dhe atyre të Shqipërisë, që mbikëqyreshin drejtpërdrejt nga Josip Broz Tito. Ndërsa, Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar (ASNOM), gjithnjë sipas direktivës së grupit komunist pas kapitullimi të Bullgarisë fashiste, që u përcoll me futjen e aradheve partizane jugosllave dhe atyre bullgare. Në këto këshilla të dirigjuara nga partizanët jugosllavë do të përfshihen edhe disa shqiptarë, të  lidhur me komunistët jugosllavë dhe ata të Shqipërisë, që do të merren vesh për frontin e përbashkët antifashist.

Edhe në vitet e Luftës së Dytë Botërore, si mbarë populli shqiptar, ashtu edhe pjesa e tij që shtrihet në territorin e Maqedonisë u bashkua me forcat antifashiste, me shpresë dhe dëshirë se do të realizojë lirimin e vet kombëtar. Kjo çështje u aktualizua gjatë viteve 1941-1944, sa që udhëheqësit e Luftës nacional çlirimtare në Maqedoni, me qëllim që kjo popullsi të merr pjesë masovikisht në luftë, konstatonin: “Territori i Maqedonisë perëndimore nuk mund të quhet Maqedoni, pasi pjesën dërmuese e banorëve të saj e përbëjnë shqiptarët” dhe me qëllim që ato masovikisht të marrin pjesë në LANÇ u premtohej se pas përfundimit të luftës do t’u jepej autonomi sikurse Kosovës. Kjo shihet edhe nga një letër të cilën Kërste Cërvenkovski (Danko) ia drejtonte KQ të PK të Maqedonisë, më 7 korrik 1943. Kjo letër ruhet në Arkivin e Maqedonisë (K. 15 me nr,. 4663). Mirëpo, sistemi monist i instaluar në Maqedoni pas vitit 1944 / 45 përpiqej me të gjitha mënyrat që çështjen shqiptare në këto treva (trevat lindore shqiptare) që ta minimizojë, në veçanti kur janë shqiptarët në pyetje dhe të drejtat kombëtare të tij. Në mënyrë perfide bënte presione për të detyruar që të shpërngulen nga këto troje, duke përdorur metodat e Vaso Çubrilloviqit. Një politikë e tillë për popullin shqiptar në trevat lindore pati pasoja tragjike në zhvillimin e tij. Ato ishin të ngjashme me rrethanat e luftërave ballkanike 1912-1913, Luftës së Parë Botërore 1914-1918, dhe viteve 1952-1966, kur mijëra shqiptarë u detyruan që t’i lëshojnë vatrat e tyre etnike dhe të vendosen në shkretëtirat e Anadollit në Turqi.

Populli shqiptar i urtë dhe paqedashës në historinë e tij u përpoq që çlirimin e vet kombëtar dhe social ta sigurojë në kauzën e barabartë me popullin tjetër në Maqedoni në gjysmën e dytë të shek. XX. Mirëpo, kjo përpjekje nuk dha rezultate. Rrëzimi i sistemit monist në vitet 1990-91 ngjalli njëfarë shprese se sistemi shumëpartiak “me devizën demokratike” se edhe shqiptarët do t’i gëzojnë të gjitha të drejtat sikur populli maqedonas në shtetin e përbashkët të Maqedonisë. Mirëpo, ndodhi e kundërta. Ky popull në sistemin pluralist, që e zbatoi Maqedonia, u degradua keq, pasi kaloi nga kategoria popull, që e kishte fituar me mbledhjen e ASNOM-it më 1944, me Kushtetutën e vitit 1974, për t’u degraduar në pakicë kombëtare me të drejtat tejet të kufizuara, të cilat këtë popull e shndërruan në qytetarë të rendit të dytë.

Ky diskurs u përsërit edhe në vitin 1991, me rastin e shpalljes së deklaratës për pavarësi nga Kuvendi i Maqedonisë, tani shtet vetëm i kombit maqedonas, me çka, praktikisht, do të krijohen rrethanat kryengritëse, që plasi në Tanushë në fillim ë vitit 2001, si një luftë e papërfunduar rreth një shteti të pabarabartë.

Në të vërtetë, lufta e përfunduar dhe shteti i pabarabartë nxjerrin në pah gjithë problematikën shqiptare në Maqedoni, ku opsioni i barazisë, i mbështetur mbi të drejtën historike dhe autoktoninë, nga antikiteti e këndej, shfaqej si faktor krize në vend që të ishte e kundërta.

Populli shqiptar i gjetur në këto relacione, që nuk i siguronin jetë shoqërore, ekonomike dhe politike të barabartë dhe pozitë të elementit shtetformues, vendosi të shprehë dëshirën e vetë për vetëvendosje, e këtë e bëri nëpërmjet Referendumit të mbajtur më 11 – 12 janar 1992, i mbajtur në 17 komuna, nga gjithsej 34 komuna të atëhershme të Republikës së Maqedonisë, ku janë regjistruar gjithsej 383.539 votues, ku përkundrejt pengesave të mëdha nga ana e organeve të pushtetit, në Referendum dolën 360, 928 votues, prej të cilëve “Për” votuan 99.90% të votuesve. Së këndejmi, si fryt i aktit të referendumit u forma Kuvendi për Autonominë politike- territoriale të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë, i cili do t’i udhëhiqte punët rreth realizimit të kësaj kërkese të popullit shqiptar.

Pas përfundimit me sukses të referendumit, Kuvendi i Autonomisë e emëroi njësinë e re politike – territoriale me emrin “Ilirida”, emërtim ky që nuk kishte të bënte me realitetin antik e as ato të mëvonshme, për faktin se politikisht dhe etnikisht kjo hapësirë ka qenë e lidhur vetë me mbretërinë e Maqedonisë së lashtë dhe të Dardanisë.

Sipas hartuesve të projektit “Ilirida” – ishte emër i lumit që në kohën antike i lagte brigjet e tri Mbretërive Ilire: të Dardanëve, Pajonëve dhe Enkelejve. Ky lum kalonte prej vendeve të fiseve të Penestisë, në rrethinën e Uskanës antike dhe trevat e Pajonisë dhe derdhej në lumin AKS (Vardari i sotëm), në Dardani. Lumi Ilirida sipas disa historianëve shqiptarë të kohës më të re: si Prof. Ali Vishko, Prof. Masar Kodra, Prof. Jusuf Buxhovi, e ndonjë tjetër, është lumi i sotëm Treska. Kjo toponimi apo hidronimi nuk asocion me realitetin antik meqë hapësira e Maqedonisë së sotme historikisht dhe gjeografikisht në pjesën jugore i ka takuar Mbretërisë së Maqedonisë, ndërsa në atë veriperëndimore, nga Belizari antik (Velesi i sotëm) i ka takuar mbretërisë së Dardanisë, e ku Pajonët dhe Frigët (Brigët) konsiderohen si fise dardane. Në këtë aspekt, emërtimi Dardani, do t’i jepte peshë më të madhe etnike, po edhe politike, edhe për faktin se qytet kryesor Shkupi antik ishte kryeqytet i Dardanisë antike, si dhe kryeqytet i Vilajetit të Kosovës, në kohën kur atje do të shpallen dhe Katërmbëdhjetë pikat e Hasan Prishtinës, që i hapi rrugën pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, në Vlorë.

 Në harkun kohor, pas afro tridhjetë vitesh, shtrohet një pyete mjaft interesante. Pse Kuvendi për Autonomi Politike-territoriale të Shqiptarëve në Maqedoni u emërua “Iliridë” e jo Maqedoni apo Pajoni, dhe pse shqiptarë të “Iliridës” e jo të Maqedonisë ose të Pajonisë?

Fillimisht shtrohen disa dilema: Cili ishte territori i Iliridës, ku shtrihet ajo, ku janë kufijtë e saj, cila është historia, dokumentet arkivore, hartat e vjetra që bëjnë fjalë për ekzistimin e ndonjë krahine apo territori me emrin “Iliridë: qoftë në Antikitet, Mesjetë apo në Kohën e Re? këto shpjegime mendon studiuesi dhe analisti politik prof. Abdulla Mehmeti, duhet t’ia japin opinionit njohësit e mirë të historisë dhe studiuesit e tjerë seriozë, ndërsa parashtron edhe disa dilema:

Pse shqiptarët duhet të heqin dorë nga emri i lashtë, historik dhe gjeografik – Maqedoni, përkatësisht Makedhoni, Emadhi apo Pajoni? A mos pandehni se do të ndjehen më krenarë banorët shqiptarë në Maqedoni me emrin “shqiptarë të Iliridës”, më shqiptarë dhe më atdhetarë seç janë?

Emri Iliridë përgjatë historisë ndeshet tepër zbehtë, ose fare nuk përmendet si i tillë në literaturën historiografike apo hartat e vjetra të Gadishullit Ilirik dhe më gjerë të Evropës. Termi Iliridë është një sajesë mbi rrënjën e fjalës Iliri dhe Ilirik dhe nuk ka asnjë kuptim plotësues, as nuk paraqet diçka më tepër se kuptimi i këtyre emrave. Pse duhet të kufizohet ky emërtim vetëm me një territor të ngushtë, në Maqedoninë e sotme Perëndimore apo trevat  lindore shqiptare, ndërkohë që Iliria dhe Gadishulli Ilirik kanë përfshirë një territor mjaft të gjerë, duke kaluar edhe kufijtë e kontinentit të Evropës (Dardania, Troja në Azi të Vogël)?

Emri Iliridë është krijuar, aktualizuar si term politik dhe ka filluar të përdoret si i tillë pas vitit 1992, duke pretenduar t’u imponohet shqiptarëve ndarja territoriale, ndoshta edhe shkëputja e një pjese të vogël të Maqedonisë (dy – tre qytete, Dibra, Gostivari dhe Tetova), si pjesë e projekteve politike djallëzore serbe dhe një pjesë të pushtetit të atëhershëm në Maqedoni, më vonë të demaskuara si ide dhe projekt nga faktori ndërkombëtar, si i dëmshëm për shqiptarët, të ardhmen e tyre në këtë shtet, në kontekst të perspektivës evropiane dhe euroatlantike  të rajonit.

Emri Iliridë mund të përdoret edhe më tej, si pjesë e folklorit, apo si emër personal, të cilin me krenari mund ta mbajnë djemtë dhe vajzat të lindura pas vitit 1992, por assesi nuk kanë nevojë shqiptarët ta përdorin këtë emërtim si term politik, aq më pak shqiptarët në Maqedoni duhet të quhen shqiptarë të Iliridës, ose të pretendohet për në shtet me emrin Iliridë në territorin e Maqedonisë Veriore të sotme..

Termi Iliridë është përdorur dhe njëherësh edhe keqpërdorur fillimisht nga drejtuesit e PPD-së për nevojat politike ditore, pas realizimit të Referendumit për Autonomi Politik – territoriale të Shqiptarëve në Maqedoni (jo në Iliridë)  në 11- 12 janar 1992, e cila u bazua nga një projekt shkencor i papërfunduar për shqiptarët në Maqedoni, kryesuar nga prof. dr. Ali Vishko, në bashkëpunim me prof. dr. Masar Kodrën, si dhe në konsultim edhe me disa studiues të tjerë.

Sa më tepër të thellohesh e të hulumtosh e studiosh në lidhje me emërtimin “Iliridë”, tani pas tri dekadash, do të gjenden argument të mjaftueshme se projekti politik “Republika e Iliridës”, ka qenë një projekt i huaj, eksperiment i rrezikshëm politik, për kundërvënie të zgjidhjes së drejtë të çështjes shqiptare në Maqedoni, i ngjashëm me projektet e huaja të mëparshme nga gjysma e parë e shek. XX, të njohur si “Republika (franceze) e Korçës” (1916), dhe “Republika (serbe) e Mirditës (1926-27).

Duke analizuar rrethanat politike që u krijuan më 1992, tani pas afro tridhjetë vitesh rezulton se klasa politike shqiptare e kohës punën nuk e kishte marrë me seriozitetin e duhur, as kur e kishin shtruar kërkesën për Autonomi politik dhe territoriale dhe as kur ishin refuzuar, ngaqë në vend se të reagonin në përputhje me një strategji të hartuar me kohën dhe që duhej të nënkuptonte një kundërpërgjigje adekuate, qoftë edhe me veprim të njëanshëm drejt internacionalizimit të saj, partitë politike shqiptare, që e kishin vënë në veprim këtë çështje dhe e kishin organizuar shpet e shpejt, në të njëjtën kohë po zhvillonin negociata për pjesëmarrje në koalicionin qeveritar maqedonas, atëherë, por nuk është më mirë edhe sot.

 Partitë politike shqiptare që veprojnë në Maqedoninë Veriore, duhet ta ndryshojnë konceptin dhe strategjinë e veprimit ose të shkojnë në histori.

Këto tridhjetë vjet, që nga 1991, në koalicionet e bllokut politik maqedonas asnjëherë nuk kanë marrë pjesë partitë politike shqiptare, prandaj shtrohet pyetja: Pse atëherë faktori politik shqiptar nuk e ka krijuar agjendën kombëtare dhe strategji të vetën për zgjidhjen e shumë çështjeve me interes shtetëror, si dhe nuk kanë hartuar një koncept për zgjidhen e shumë problemeve, siç janë:

  • Definimi i konceptit të shtetit dhe sigurimi i mekanizmave për funksionimin normal të tij, në përputhe me realitetin etnik, fetar dhe gjuhësor;
  • Sigurimi i mekanizmave ligjorë për zgjidhjen afatgjatë të problemeve ndëretnike;
  • Përdorimi i lirë i flamurit kombëtar, pa kufizime ligjore, pa zvogëlimin e dimensioneve të tij dhe kushtëzimin për përdori vetëm në vendbanimet me mbi 50 % të popullsisë shqiptare;
  • Barazia e plotë e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare;
  • Përcaktimi i stemës dhe himnit të shtetit me përmbajte që i përgjigjet realitetit etnik, kulturor dhe historik të vendit
  • Përfaqësimi i drejtë dhe proporcional në udhëheqjen apo drejtimin e institucioneve të shtetit dhe integrimi i vendit në strukturat euroatlantike; zgjidhja e mosmarrëveshjeve me Greqinë dhe së fundi me Bullgarinë, si dhe çështje të tjera në interes të qytetarëve, të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare….

 Shtrohet pyetja vetvetiu: Cili është problemi i faktorit politik shqiptar për këtë sjellje të papërgjegjshme, defensive, indolente, jo produktive, jopolitike, johumane dhe jokombëtare?

Nëse realiteti i ri politik i krijuar pas pavarësimit të Maqedonisë më 1991, shqiptarëve ua ka kufizuar shumë të drejta, të cilat i gëzonin më parë, sidomos me kushtetuta e vitit 1974. Nëse kushtetuta aktuale e këtij vendi ua kufizon disa të drejta themelore, fushëveprimi politik dhe kapacitetet shtetformuese të shqiptarëve nuk mund të kufizohen, sepse ky realitet nuk korrespondon me parimet e të drejtës ndërkombëtare me traditën shtetformuese të shqiptarëve në këtë vend, dhe aq më pak me të drejtën historike të shqiptarëve, që këtë shtet ta ndjejnë e gëzojnë si të vetin dhe të përpiqen për ndërtimin dhe zhvillimin e tij në përputhje me interesat strategjike të shqiptarëve, jo si pakicë kombëtare, (pjesë e kombit siç e definon kushtetuta aktuale), por si komb shtetformues me të drejta të barabarta dhe të patjetërsueshme.

Ashtu siç do sillen shqiptarët në këtë shtet, ato të drejta edhe do t’i realizojnë në kuadër të tij, mbështetur në të drejtat universale dhe kapacitetet e veta, jo sipas konceptit të lidershipit aktual, i cili në vend se të merret me zgjidhjen e problemeve reale të shqiptarëve, vazhdon të merret vetëm me problemin e “marrjes” së pushtetit;  cila parti, ose cili bllok i partive politike do të jetë pjesë e pushtetit do të jetë interesi i “përkohshëm” i kësaj ose asaj partie, i njërit ose i tjetrit grupim politik të interesit, deri sa është në pushtet, zakonisht me ndihmën e partnerëve të tyre “strategjikë” nga blloku i partive politike maqedonase.

Mungesa e agjendës dhe strategjisë në nivel kombëtar ka mundësuar që në bllokun politik shqiptar të paraqiten madje opsione të ndryshme për zgjidhjen e çështjes shqiptare në Maqedoni, si: federalizimi, konfederalizmi, Autonomia politike territoriale e shqiptarëve, Republika e Iliridës, krijimi i Bashkësisë së komunave shqiptare, shkëputja e një pjese të territoreve me shumicë shqiptare dhe bashkëngjitja me shtetin amë (ide e Akademisë së Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë, e përkrahur nga partia VMRO – DPMNE – në koalicion me partinë shqiptare, pas konfliktit të armatosur të vitit 2001), bashkimi kombëtar në tërë hapësirën etnike, ku do të përfshiheshin edhe territoret e banuara me shumicë të popullsisë shqiptare në Maqedoni, si dhe ide të tjera, të cilat nuk kanë arritur deri më sot t’i imponohen argumentueshëm as faktorit shqiptar në vend dhe as faktorit ndërkombëtar.

 Duke analizuar situatën momentale politike që e ka kapluar vendin shtrohen një varg pyetjesh, si:

 Cilët duhet t’i preokupojë më tepër se shqiptarët, çështja e integrimit të vendit në strukturat euroatlantike? Kë duhet ta shqetësojë më tepër se shqiptarët mungesa e perspektivës zhvillimore ekonomike e vendit?

Cilët duhet t’i preokupojë më tepër se shqiptarët koncepti unitar i shtetit dhe statusi i tyre i definuar si pakicë, ndërkohë që shqiptarët realisht janë kombi më i madh në këtë shtet?

 Si mund të arsyetohet ky status poshtërues për shqiptarët, kur në shtetet e tjera të dala nga ish-Federata e Jugosllavisë, këto çështje janë rregulluar në mënyrë shumë më të drejtë se në këtë vend? Për shembull: statusi i serbëve në Bosnjë e Hercegovinë, të cilët përbëjnë më pak se 30% të popullsisë së përgjithshme dhe e kanë njësinë kushtetuese – juridike (shtetin) në kuadër të konfederatës së Bosnjë dhe Hercegovinës; ose çështja e përdorimit zyrtar të gjuhës serbe në Republikën e Kosovës, ku gjuhës serbe i njihet statusi i gjuhës zyrtare me përdorim në tërë territorin e shtetit, edhe pse serbët përbëjnë zyrtarisht vetëm 5 % të popullsisë së Kosovës?

Prandaj, është koha e fundit që partitë politike shqiptare që veprojnë në Maqedoninë Veriore ta ndryshojnë konceptin e tyre dhe strategjinë e veprimit, ose të shkojnë në histori, si parti politike të paafta për mbrojtjen e interesit kombëtar të shqiptarëve në këtë vend. Disa prej tyre duhet të shkojnë nga skena politike edhe me bagazhin e dyshimeve se janë krijuar dhe kontrolluar nga shërbimet e huaja dhe për mbrojtjen e interesave të tyre, jo për interesat e kombit shqiptar, në emër të të cilit janë thirrur, janë votuar dhe kanë ushtruar pushtet, bashkë me partnerët e tyre “strategjikë” të bllokut politik maqedonas.

Për mungesën e krijimit të konceptit me interes kombëtar dhe të strategjisë së veprimit të faktorit politik shqiptar, sigurisht që janë përgjegjës edhe qendrat e natyrshme të vendosjes në nivel gjithëkombëtar, Tirana dhe Prishtina, sepse kjo do të nënkuptonte edhe ndihmën e ndërsjellë dhe llogaridhënien, por përvoja e derisotme flet për një “mëvetësi” formale të veprimit, e cila mund të kuptohet vetëm si lajthitje e popullatës shqiptare, ndërsa partitë politike shqiptare në këtë vend shpeshherë lajkatohen vetvetiu nga qendrat e huaja, të cilat jo vetëm që kanë ndikim dhe interesat e veta strategjike, në kapital dhe resurse njerëzore, përmes shërbimeve sekrete të tyre. Tetovë, 29 maj 2021

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura