Tiranë, 02. 02. 2017:
Ndonjë fatkeqësi natyrore?
Mbaruan punët e nuk ka më punë për të bërë?
Realizuam të gjitha potencialet tona?
Nuk ka njerëz për të punuar, nuk ka burime natyrore, nuk ka para?
Jo të gjitha këto janë dhe me bollëk madje !!!
Por atëherë çfarë nuk shkon?
Ndoshta, ndoshta, modeli i gabuar???
No, i’ts the economy, stupid!
Kështu e ka ekonomia!
Ekonomi tregu, të përgjigjet dhe njeriu më i thjeshtë, me një besim të vendosur sikur e ka kuptuar me të vërtet së çfarë është ajo.
Jetojmë në kohën e slloganeve dhe dizinformimit industrial, e vetmja industri që u realizua me sukses këto 2 dekada. Çdo njeri është i prirur tu japë shpjegim problemeve, pavarsisht nëse ato janë fryt i llogjikës së tij apo përsëritjes së slloganeve parafabrikuara diku.
Diskutimet për ekonominë, në erën e dizinformimit industrial, nuk ndryshojnë shumë nga ato mbi fushat e tjera sociale. Llogjikës racionale, fitore e iluminizmit evropian, i mbivendosen sllogane të thjeshta si dogma fetare, prandaj të pakritikueshme, prandaj je ose besimtar ose heretik i mallkuar.
Në këtë totalitarizëm modern, flitet për ekonominë sikur ka vetëm një tip ekonomie, flitet për kapitalizmin sikur ka vetëm një lloj kapitalizmi, e kështu me radhë për tregun, punën, konkurrencën etj. “Shkencarët” e kësaj disipline jo shkencore, duan ta konsiderojnë ekonominë, jo si disiplinë sociale që varet nga nevojat e shoqërisë, por si një shkencë ekzakte me formula e grafikë hipnotizues për të mbajtur qytetarët larg. Nëse vërtet do të ishte një shkencë ekzakte, të gjithë do i kishin zbatuar këto formula mekanike dhe problemet do të ishin zhdukur.
Por kështu nuk ka ndodhur e nuk ka si të ndodhë sepse ekonomia është një aktivitet social dhe krjon raporte pushteti, të cilat mund të jenë në shërbim ose të gjithë komunitetit ose vetëm një pjese të tij. Për çdo koncept të saj mund të gjesh argumenta dhe kundëragumenta, varet se nga cila anë zgjedh të pozicionohesh: nga shumica e varfër apo pakica e kamur, punësimi apo kapitali, solidariteti apo konkurrenca etj.
Nevojat dhe problemet e shoqërisë janë komplekse e nuk mund të shpjegohen apo zgjidhen vetëm nga “specialistë idjotë” si ekonomistët apo juristët, por vetëm nëpërmjet një bashkëveprimi social, vetëm nëpërmjet një formimi të plotë e multidisplinor, pasi problemet atje jashtë në botën reale janë komplekse e jo të ndarë me departamente. Nëse nuk kupton filozofinë e jetës, antropologjinë dhe psikologjinë e njeriut, nevojat sociologjike, historinë dhe vlerat e vendit tënd, atëherë edhe konceptet dalin të përmbusura. Pa dashje trasformohesh në një makinë të çmendur dhe njeriu të duket si një send i çfarëdoshëm që flaket pasi përdoret ose kur na ka më vlerë.
Me të drejtë John Maynard Keynes shprehnte me shqetësim se “tashmë problemi nuk qëndron shumë tek dalja e ideve te reja sesa shplarja nga toksina e ideve të vjetra”. Keynes, një mendimtar liberal, u mundua me punën e tij të shpëtonte kapitalizmin qoftë nga armiq të jashtëm, si komunizmi, ashtu dhe nga difektet e tij të brendshme, si ishte trauma sociale shkaktuar nga Depresioni i Madh i 1929-ës. Adoptimi i reformave të tij në vendet perëndimore i dhanë botës një prosperitet për dekada me radhë duke mbajtur larg hijet e komunizmit. Kudo u krijua një begati e përgjithshme, shërbime publike të aksesueshme, një shtresë e mesme sepse me anë të punës fitoje më shumë sesa me interesa kapitali. Si pasojë Demokracia u forcua dhe kapitalizmi morri një fytyrë humane në të mirë të shoqërisë dhe popujve. Por kjo rritje e pushtetit të qytetarëve u shoqërua me humbjen e pushtetit të elitave financiare e lobeve pas tyre.
Kjo përmbysje e forcave nuk do te tolerohej për shumë kohë.
Shumë shpejt kursi do të ndryshonte.
Pushteti duhej rekuperuar, por kjo nuk mund të bëhej pa “mbështetjen” e masave, mediave dhe katedrat e universitetit. Kudo Shteti fillon të sulmohet, si i korruptuar, sepse “jo-efiçent” dhe e vetmja zgjidhje është privatizimi i asaj që deri dje ishte publike. Shumë shpejt, ekonomistët keynezianë zhduken për ti lërë vendin ekonomistëve neo-liberalë të përshtatshëm me trendin dhe interesin e klasës dominante. Nuk është shumë e vështirë për peshqit të ndjekin rrjedhën e lumit, sidomos kur bëhet fjalë për lumenj financiarë që të sigurojnë fonde për karrierën, antarësi bordesh, projekte dhe botime që mbështesin idetë e këtij sistemi dogmatik dhe antishkencor.
Ekonomia u rikthye në shtratin fetar me dogmat e Rikardos, Say-s, Maltusit, Hayekut dhe Friedmanit. Tregu konsiderohet si një entitet magjik që zgjidh gjithçka, lëvizjet i bën dora e padukshme, konkurrenca është e vetmja luftë për njeriun ujk, fiton më i forti në këtë darvinizëm social, kurse puna nuk konsiderohet më si e drejtë por si çdo kosto tjetër për makinerinë e tregut. Shteti ndalon së qenuri mbrojtës i interesit publik dhe – si thotë Foucault – i shërben vetëm tregut, zaptohet nga “elitat” për ti shërbyer interesave të veçantë.
Duke iu kthyer rastit shqiptar, këtu futemi në një rreth vicioz, sepse të gjithë “intelektualët” kritikojnë “shtetin” se ka bllokuar tregun, se pushteti oligarkik favorizon monopolet dhe vret konkurrencën dhe iniciativën e lirë. Por në të njëjtën kohë, që e kritikojnë heqin të vetmen mundësi për të normalizuar shtetin: demokracinë pjesëmarrëse. Ngatërrojnë pushtetin me shtetin, harrojnë se mekanizmi i tregut përputhet me mekanizmin e këtij pusht-(sh)teti, se përqendrimi i parasë koinçidon me përqendrimin e pushtetit politik. Prandaj konstitucionalizmi modern e vuri tregun nën kontrollin e demokracisë, aty ku tregu ndan e fragmentizon shoqërinë, demokracia e rikompozon në mënyrë që shoqëria dhe faktorët e prodhimit të funksionojnë në nivele optimale.
Ekonomistët dhe intelektualët shqiptarë në përgjithësi, kanë një një aversion ndaj demokracisë sepse ose janë të konvertuar prej ideologjisë komuniste (të ekonomisë së planifikuar) ose kanë formim neoliberal, besimtarë të tregut magjik me duar të padukshme. Modelet që këta u shpërndajnë studentëve dhe opinionit publik janë elitiste dhe antidemokratike, duke bërë që vetë të përvuajturit të adhurojnë ideologjinë e padronëve, të mundohen të bëhen dhe ata të tillë e jo të ndryshojnë këtë sistem, thellësisht të padrejtë.
Ideologjia dominante dhe mendimi unik, është ai elitist me sfond shumpeterian, që e konsideron politikën, aktivitet të një elite, sepse qytetarët nuk kuptojnë, se ata nuk janë largpamës, se demokracia ka kosto, se populli manipulohet, se vendimet janë populiste etj etj. Kjo lloj ideologjie të bën të besosh që shteti, për të mbrojtur interesin publik të shumicës duhet të drejtohet nga pakica, nga një “elitë e ndritur”. Aq i fortë është ky mendim sa të gjithë presin me sytë nga qielli se kush do vijë për të shpëtuar Shqipërinë.
I njëjti vizion karakterizon dhe mendimin për ekonominë. I ashtëquajtur model “trickle-down”, ku primare është, që një pjesë e vogël të stërpasurohet dhe pastaj pasuria do të rrjedhë vetë nga sipër për të tjerët. Po kështu nuk ka ndodhur dhe nuk do ndodhë kurrë sepse pasuria është pushtet dhe askush nuk dëshiron ta ndajë atë me të tjerët, deri sa këta të fundit ndërgjegjësohen dhe organizohen për ta rimarrë atë. Ky lloj kapitalizmi ultrafinanciar është thellësisht antihuman sepse po godet ekonominë reale, po prodhon papunësi, po çmonton shtresat e mesme dhe të drejta fituar ndër dekada në Perëndim, po prodhon popuj endacakë e konfliktualitet si kurrë më parë. Jo vetëm ekonomistë, por sociologë e filozofë e deri tek Papa (Evangelii gaudium) kanë kundërshtuar këtë model si shkatërrimtar për bashkëjetesën paqësore mes njerëzve, mes popujve dhe të ardhmen e planetit.
Por cili është ky model, që i është imponuar edhe Shqipërisë dhe mbështetet me fanatizëm e miopi prej të gjithë klasës politike dhe klerit të sistemit?
I ashtëquajtuari neoliberizëm, është një paketë reformash ekonomike e politike (Washington consensus) që iu imponua të gjitha vendeve me bekmin e FMN-se dhe BB-së, tashmë në shërbim të aksionierit të tyre, ShBA-së dhe jo komunitetit ndërkombëtar, si ishte misioni fillestar. Këto reforma konsistonin në: dorëzimin e sovranitetit politik dhe monetar të shteteve, neutralizimin e demokracisë, përqendrimin e pushtetit politik, ekonomik e financiar, hapja ndaj tregjeve dhe kapitalit ndërkombëtar, privatizime të çdo pasurie publike, heqjen dorë nga politikat industriale dhe ato të punësimit, rritjen e borxhit publik dhe ndërkombëtarizimin e tij, shkrirjen e bankave tregtare me ato financiare etj.
Aderimi i Shqipërisë në komunitetin ndërkombëtar u kushtëzua me aprovimin e shpejtë të këtyre reformave. Kjo ishte muzikë për veshët e nomeklaturës shqiptare, të cilët gjetën një ideologji dhe partnerë të rinj, për të ruajtur e forcuar pushtetin e tyre elitist, edhe duke shitur interesat e kombit.
Populli shqiptar, i kërkoi mikut të tyre të ri, ShBA-së dhe sekretarit Bejker, një plan Marshall për Shqipërinë. Por ato investime nuk erdhën kurrë. Si përgjigje morën “këshillën” për adoptimin e terapisë shok, të zbatuar aq me devotshmëri prej të ndjerit Pashko dhe të “vjetrit e rinj”. Edhe pse kaq fort e kritikuar prej ekonomistëve e nobelistëve si Stiglitz, kjo “deformë” fshiu nga dheu industrinë shqiptare, krijoi papunësi totale duke detyruar shqiptarët të marrin arratinë si një popull endacak. Por nga ana tjetër, krijoi bazat për oligarkinë e re “ekonomike” që përvetësoi dhe shkriu pasuritë e një populli të tërë për 1 lek. Shpresa, se këta do të bëheshin kapitenë të ekonomisë së prodhimit shqiptar, ishte një iluzion, sepse këta jo vetëm nuk meritonin këtë pasuri si të paaftë që ishin, por tashmë do luftonin për mbajtjen e një sistemi politik oligarkik banal që të ruante e shtonte këto privilegje. Si pasojë Shqipëria do të kthehej në një ekonomi koloni importi dhe i gjithë shteti do punonte për këtë antiprojekt duke krijuar një spirale të rrezikshme.
Kështu “kapitalistët” shqiptarë nuk do ishin sipërmarrës të prodhimit si në vendet normale, por “kapitalistë” spekullativë dhe të importit.
Importimi siguronte valutë e të ardhura të shpejta, pa ndërmarrë ndonjë risk në kohë, pa lodhje e pa projekte të komplikuara.
Importi krijon raporte kushtëzimi me botën e politikës, me konçesione e afera doganore. Këtu interesat përpuqen e të gjithë ata që kanë pushtet “kënaqen”, pavarsisht se prodhimi vendas bie, papunësia merr përmasa biblike dhe territorri katandiset e boshatiset.
Të vetmin kontakt me masat e ruante partia si monopol, e jo ndonjë klasë borgjeze prodhimi që u krijonte punë qytetarëve e krijonte lidhje në territor.
Shndrrimi i politikës në një luftë mes bandave partiake, rrit pasigurinë e një biznesi prodhimi për pasojë mënyra më e shpejtë është pasurimi nëpërmjet liçencave dhe importit të klientëve të kastës.
Por për të mos pasur konkurrentë të këtyre mallrave importi, duhet në radhë të parë të mos lejohet prodhimi vendas, duhet çmontuar industria, bujqësia, e çdo aktivitet tjetër prodhues.
Shqipëria është i vetmi vend që krijoi kaos me pronën, me sistemin gjyqësor, me trasparencën e kapitalit, me urbanizimin e shërbimet publike. Pa këtë gjunjëzim të ekonomisë së prodhimit dhe mjegullës ligjore e financiare, privilegjet e kastës do ishin të rrezikuara.
Kjo ekonomi importi, gjithashtu kënaq dhe “fak-torin” ndërkombëtar që shohin Shqipërinë si një treg zhbllokimi të eksporteve të tyre e mandej i japin përkrahje një kaste antikombëtare.
Kjo skemë piramidale, do të mbahej në këmbë kryesisht me remitancat e emigrantëve ose rritjen e borxhit publik në shifra alarmante.
Rritja e borxhit publik dhe ndërkombëtarizimi i tij, është një masë afatgjatë për të lidhur duart çdo qeverie që mos të dalë nga “kursi” sepse tashmë e ekspozuar.
Shteti duhet mos të ndërhyjë në orientimin e ekonomisë drejt prodhimit të brendshëm
Shqipëria duhet të mos industrializohet dhe ekonomia mos të prodhojë vlerë të shtuar dhe kështu të lejojë dhurimin e burimeve natyrore lobeve të huaja.
Bashkë me humbjen e sovranitetit politik e ushtarak, kasta nuk hezitoi të dorëzonte dhe sovranitetin monetar. Banka e Shqipërisë vihet në shërbim të kësaj politike, duke lejuar përqendrimin e kapitalit në dëm të një ekonomie zhvillimi dhe punësimi. Sot me normën e interesit afër “0” ka mbaruar dhe misioni i saj pasi bankat e nivelit të dytë janë të mirëkapitalizuara dhe të shkëputura nga realiteti shqiptar
Në erën e kapitalizmit, shqiptarët nuk kanë në duar kapitalin, bankat e tyre. Për pasojë preferohet që depozitat e shqiptarëve prej miliarda euro të shkojnë jashtë, me instrumenta finanicarë, në vend që të kreditonin biznesin vendas. Të vetmet kredi janë ato për konsumatorë të mallrave të importit dhe mohimi për kreditimin e biznesit vendas me justifikimin e kredive të këqija. Me një bursë inekzistente bankat janë të vetme operatorë finanicarë duke krijuar një asimetri asfiksuese.
Miti i investitorëve të huaj vazhdon dhe sot si një përrallë e bukur. Por të vetme investime të huaja që erdhën janë ato spekullative duke marrë në kontroll sektorët strategjikë si banka, naftën, minierat, porte e aeroporte, komunikacion e telekomunikacion. Shqipëria privohet prej miliarda euro në vit që jo vetëm i merren këtij populli por as nuk injektohen në ekonomi në formën e investimeve.
Lulëzimi i ndërtimit kaotik, asgjësoi mbi 20 miliardë euro, qytetet dhe bregdetin shqiptar. Në vend që ky lum financiar të ishte orientuar me politika shtetërore drejt sektorëve prodhues, vazhdon të ushqejë kastën edhe sot e kësaj dite si u duk qartë me planin e ri të Tiranës, bazuar akoma mbi betonin.
Rrogat duhet të vazhdohen të mbahen të ulëta, në mënyrë që ekonomia e pakët e prodhimit mos të bëjë investime teknologjike por të mbështetet tek aktivitetet bazuar mbi punën e lirë. Në këtë darë shqiptarët “shijojnë lirinë” duke ngritur lokale e parukeri me shpresën se kështu do ngrihet ekonomia. Por dhe kjo nuk do e ketë të gjatë me lulëzimin e qendrave të mëdha tregtare duke përqendurar gjithmonë e më shumë pasurinë në pak duar.
Mijëra studentë nuk do gjejnë kurrë punë profesionale sepse ekonomia mbahet në nivele banale dhe kasta favorizon fasoneritë dhe biznese skllavëruese edhe për qëllime elektorale.
Këto politika deflative, duke mbajtur rrogat e ulëta, godasin konsumin e bashkë me të kërkesën agregate, si pasojë me rrallësinë e parasë në qarkullim, ekonomia e prodhimit humbet marzhin e fitimit duke krijuar akoma më shumë papunësi e akoma më shumë rroga të ulëta. Një spirale që rrit skarsitetin artificial të parasë, nuk lejon kreditimin e biznesit prodhues, mban artificialisht të fortë monedhën shqiptare, gjë që ndihmon vetëm importet dhe shtrenjton prodhimet shqiptare që zëvendësohen mjaft mirë me ato skadente importi.
Sindakatat merren në kontroll dhe punëtorët kërcënohen jo vetëm nga sipërmarrësit privatë por dhe nga vetë adminitrata shtetërore apo partitë.
Pa ekonomi prodhimi Shqipëria të vijojë të mbetet një rezervë të papunësh me kosto të lirë, të gatshëm për deportim në ekonomitë e zhvilluara. Kjo i intereson edhe kastës shqiptare për shfryrjen e zemëratës sociale dhe vijimit të ardhjes së remitancave për ekonominë e tyre të importit
Por remitancat fillojnë të ulen dhe i vetmi burim mbetet borxhi i jashtëm duke përshpjetuar kolapsin financiar
Ekuacioni i plaçkitjes nuk mban më, lufta mes bandave ashpërsohet dhe pushteti duhet të forcojë radhët, duke rritur numrin e policisë, rritur dozën e propagandës, goditjen selektive ndaj bizneseve, mediave dhe qytetarëve.
Sistemi që krijuan jo vetëm që prodhoi rënie ekonomike por dhe degradim shoqëror e kulturor, prostitucion dhe kriminalitet të shpërhapur, pseudointelektualë që perfeksionojnë vetëm artin e të lëpirit me fundshpinën e radhës, turrma të rinjsh injorantë me çertifikatë që shohin zgjidhjen tek rreshtimi pranë partisë.
Por çfarë duhet bërë?
Sigurisht, ndryshimi i kursit dhe realizimi i reformavë politike dhe ekonomike të kundërta me ato që u ndoqën përgjatë tranzicionit.
Nëse nuk kemi shtet por vetëm pushtet, atëherë duhet të ndërtojmë shtetin si mbrojtës i interesit publik dhe atij kombëtar.
Nëse nuk kemi shtet që mbron interesin publik, nuk do kemi as ekonomi tregu të lirë por lojra mes lobeve dhe klaneve.
Nëse qytetarët sovranë janë shpronësuar nga partitë dhe lobet, atëherë duhet instualuar demokracia pjesëmarrëse ku vendimet merren nga qytetarët dhe nuk delegohen më. Shoqëria dhe ekonomia funksionon e zhvillohet si një e tërë pa krijuar ishuj piratësh e det fukarallëku.
Nëse paraja ka përmbytur politikën, duhet një divorc i menjëhershëm në mënyrë që politika të flasë për hallet e 99%-shit, aksioni politik mos të varet nga financa e parlamenti mos të mbushet me lekaristë, injorantë e militantë.
Nëse kudo ka një klimë korrupsioni, populli e di se peshku qelbet nga koka, prandaj një largim i gjithë drejtuesve të lartë shtetërorë, partiake, ekonomikë, mediatikë e akademikë, është i domosdoshëm ashtu si një shtrydhje qelbi që duhet ta kishim bërë kohë më parë pa ricikluar fytyrat e kastës.
Kthimi i llogaridhënies në vend me dënime të përjetshme për abuzimet e zyrtarëve të lartë shtetërorë si dhe konfiskimin e gjithë pasurisë vjedhur popullit shqiptar.
Nëse pushteti deri tani ka ndërhyrë për krijimin e një ekonomie koloni importi, misioni i shtetit të ri duhet të jetë kalimi në një ekonomie prodhimi
Teoria e stadeve të Rostow, por dhe para tij të F. List, provuan se një shtet nuk mund të futet në garën globale pa ngritur më parë industrinë e tij dhe këtë nuk e bën dot “privati” pa bashkëpunimin e shtetit që rimerr e ringreh sektorët strategjikë, industrializon vendin, rrit avantazhet krahasuese në sektorë të ndryshëm, si dhe klimën dhe oportunitetin e biznesit. Përndryshe çfarë kuptimi ka shkëmbimi i lirë rikardian, kur nuk shkëmben dot asgjë por vetëm importon. Këtu dy dekada vendi ra një stad më poshtë dhe duhet rekuperuar ky stad pa ngelur në stanjacion të përjetshëm si vend afrikan.
Historia ka treguar se vendet e zhvilluara si ShBA, Japonia, Italia, Korea e Jugut etj realizuan modernizimin e tyre me ndërhyrjen e fortë të shtetit direkt ose me masa protektive. Autori kino-amerikan, Chang, në librin e tij, “samarritanët e këqinj” provon se vendet e zhvilluara diktojnë receta kundërprodhuese për vendet e botës së tretë.
Kurse nobelisti Stiglitz, argumentonte që nga herët se terapia shok ishte e gabuar dhe shkatërrimtare për vendet e dala nga komunizmi si dhe argumenton për një demokratizim të globalizimit jo diktuar nga “shpata amerikane”. Nobelisti tjetër Krugman, gjithashtu dëshmon tregtinë e padrejtë mes vendeve të zhvilluara e atyre në zhvillim duke tharë risurset e këtyre vendeve dhe lënë në stanjacion.
Ekonomistët teologë shqiptarë të liberalizmit, ngatërrojnë ekonominë shqiptare me atë globale, flasin për një botë si e dëshirojnë ata dhe jo se si funksionon ajo në të vërtetë, mbrojnë parime që vetë vendet e zhvilluara i shkelin me këmbë, mjafton të shohësh politikën europiane e amerikane mbi bujqësinë, kapitalin, borxhin publik etj etj.
Përqendrimi i pushtetit dhe kapitalit nuk është rastësi por rregull në një kapitalizëm pa frena si është ai sot. Ky lloj kapitalizmi projektuar mbi eksportin dhe jo prodhimin vendas, nuk promovon cilësinë por produkte të këqija sepse bazohet mbi koston pavarsisht se si realizohet ajo, duke shkatërruar natyrën, duke krijuar produkte toksike e kancerogjene, duke bazuar mbi punë skllavëruese, vetëm e vetëm që kapitali të optimalizojë fitimin në shkallë planetare. Nuk ka se si shpjegohet se çfarë i mungon Shqipërisë që të importojë atë çka mund ta krijojë fare mirë vetë. Kjo lloj gare është një spirale e drejtuar poshtë drejt degradimit dhe jo lart drejt begatisë së popujve. Prandaj nuk duhet kthyer as në izolim komunist por as në shqyerje të plotë, por një rrugë të mesme ku prodhojmë çfarë mundim vetë e pjesën tjetër në një balancë tregtare të ekulibruar. Zhvillimi i turizmit krijon një moltiplikator të fuqishëm për të rekuperuar valutën së bashku me defluksin e emigrantëve shqiptarë dhe të ardhurat nga sektorët strategjikë.
Kthimi i Bankës së Shqipërisë, në varësi të Republikës së Shqipërisë. Ndryshimi i misionit të saj drejt zhvillimit dhe punësimit dhe jo më në shërbim të privilegjeve të kastës. Skarsiteti artificial i parasë, përforcon superpushtetin e klientëve të kastës, botës së krimit dhe paralizon biznesin prodhues. Shqipëria duket sikur është në euro dhe pa qenë në euro, me një monedhë të fortë artificiale duke mos përfituar as interesa të ulta të borxhit sikur të ishte në Euro. Fisher, shpjegonte se dy jamë mënyrat për të qenë kompetitivë të një ekonomie: 1) ose të ulësh normën e shkëmbimit 2) ose të ulësh rrogat. Por rrogat janë në kushte mbijetese, në një cikël vicioz që godet kërkesësn agregate, rrit papunësinë, ul investimet dhe rrit më tej gapin teknologjik me vendet e zhvilluara.
Pabarazia e thellë, si shpjegon Pikety e para tij Keynes e shumë të tjerë, jo vetëm nuk është e drejtë por pengon zhvillimin e ekonomisë së përgjithshme. Ëndrra liberale se të pasurit do investojnë pasuritë e tyre, kthehet në makth nëse këto pasuri mbeten të ngrira, ose më keq akoma çohen jashtë Shqipërisë në forma të ndryshme. Sot psh kemi 4 miliardë euro kursim dhe vetëm 140 milion euro investim.
Prandaj dhe ndryshimi i politikës fiskale, mqs jemi vendi që taton më pak të pasurit, duhet të orientohet drejt pasunikëve të mëdhenj që përfituan këto dekada dhe jo biznesit të vogël apo qytetarëve. Metodat për ndalimin e rrjedhjes së valutës jashtë ekzistojnë.
Shqipëria është jo vetëm i vetmi vend që nuk ka bankat në duart e shqiptarëve por nuk ka as banka publike. Prandaj, krijimi i bankave publike në ndihmë të bujqësisë apo turizmit janë deçizive për uljen e perceptimit të riskut. Ashtu sikundër do të ishte ndalimi i menjëhershëm i bankave tregtare nga ato financiare, për të shndrruar bankën në misionin e saj si agjente e zhvillimit të territorit.
Rinegocimi i borxhit publik, sepse i kontraktuar nga qeveri të korruptuara. Kjo është një praktikë e njohur ndërkombëtarisht nëse arrestojmë të gjithë kryeministrat, ministrat e financës dhe governatorët e bankës kombëtare këto dekada. Kthimi i parave vjedhur popullit shqiptar e mbajtur në banka të huaja do të ishte një kusht për kthimin e borxhit publik përkundrejt po këtyre bankave.
Por asnjë nga këto masa nuk do të ishin afatgjata nëse nuk realizojmë bashkimin me Kosovën si e vetmja mënyrë për të rritur masën tonë kritike në betejat globaliste tregtare, ekonomike, financiare dhe ushtarake.
Të gjitha këto masa japin sinjalin e ngritjes së vendit, mobilizimit të forcave materiale e shpirtërore, duke shërbyer si magnet për mijëra të të diplomuar jashtë shtetit, biznesmenë me njohuritë e tyre prodhuese si dhe qindra mijëra shqiptarë nëpër botë.
Ky duhet të jetë një program kombëtar për Normalizimin e Shqipërisë moderne për dekadat në vazhdim e sigurisht nuk mund të bëhet nga arkitektët dhe përfituesit e këtij sistemi, me metodat dhe isntrumentat e këtij sistemi, me forcat ekonomike e mediatike të këtij sistemi.
Prandaj vota, rotacioni, beteja për emra e sigla është një luftë e rremë që legitimon status quo-n. Ajo që duhet është përmbysja e forcave në lojë, e fuqizimit të borgjezisë së prodhimit kundër asaj së importit, kundër monopoleve e lobeve.
Por borgjezia shqiptare nuk e bën dot këtë pa ndihmën e qytetarëve shqiptarë, pa një ndërgjegjësim të shumicës së heshtur që vuan nën thundrën e 3% barbar, antikombëtar, inojrant e militant.
Kushtet sociale, kombëtare e ndërkombëtare po piqen për këtë revolucion civil e paqësor. E rëndësishme është të shpejtojmë kët kohë e mbi të gjitha mos të gabojmë si në të kaluarën tonë, duke riprodhuar forma totalitarizmi të ri, por duke demokratizuar vendin dhe ekonominë, duke mos lejuar më përqendrimn e asnjë pushteti pas partive dhe lobeve, duke mos rrezikuar lirinë e shqiptarëve por duke instaluar demokracinë pjesëmarrëse, e i dhënë çdo shqiptari instrumenta të vërtetë për të kontribuar në ngritjen e shtetit dhe ekonomisë shqiptare.
Koha për një Shqipëri Normale!
Koha për patriotët dhe progresistët të përgatisin këtë rrugëtim demokratik!
Postime të Lidhura
Dr.Abdulla Mehmeti: Çfarë i pret shqiptarët në Maqedoni pas zgjedhjeve parlamentare të 12 prillit?
Tetovë, 10 janar 2020: 2020: Asgjë e re, pavarësisht se cila parti politike e shqiptarëve do të fitojë…
BEQIR ELSHANI: UDHËTIMI I OBELISKUT PREJ LUKSORIT NË PARIS
Suedi, 22. 04. 2015 – Nëse sipas fjalës së urtë latine thuhet që Roma nuk është ndërtuar për…
PROF.DR.LUFTULLA PEZA: NJË PËRGJIGJIE SHKENCORE – INJORANTES POLITIKE ELENI THEOCHAROUS
Golem – Durrës, 16 nëntor 2018: Injorantja politike, eurodeputja qipriote Eleni Theocharous ka ardhë disa herë në Shqipëri…
SHERADIN BERISHA: TË LUMTË GLAUK!
Pashtriku, 1 shkurt 2020: Sot Glauk Konjufca i dha fund ngërcit të krijuar në procesin e bisedimeve LVV-LDK,…