DR.MATHIEU AREF(ARIF MATI): NDIKIMET E PELLAZGJISHTES SË LASHTË NË GJUHËN GREKE, LATINE DHE GJUHËT E TJERA

Paris, 16. 06. 2014 – Le të shqyrtojmë fillimisht ndikimet e shumta të pellazgjishtes së lashtë apo thrako-ilirishtës në dy gjuhët më të mirënjohura europiane: greqisht dhe latinisht. Sot këto gjurmë janë ende për tu korrigjuar në fjalorin e këtyre dy gjuhëve. Të gjitha këto fjalë që ne do të studiojmë këtu i kanë mbijetuar ndryshimeve të shumta, përzierjeve apo shkatërrimeve të ndryshme gjuhësore. Pra ato kanë kapërcyer, pa pengesa më shumë se tridhjetë shekuj.
Unë nuk do të zgjatem në forma të ndryshme gramatikore apo sintaksore të përbashkëta, jo vetëm në gjuhën greke dhe latine, por edhe në gjuhë të tjera të mëvonshme europiane, madje të Azisë perëndimore, të cilat as do të na sillnin ndonjë gjë domethënëse as do të na sqarojnë njohuritë për zanafillën e gjuhëve më të lashta dhe fjalëve të tyre, të cilat kanë arritur të mbijetojnë. Këtë detyrë po ia le gjuhëtarëve specialistë të lëmit të gjuhësisë.
Këto mbetje gjuhësore janë tri llojesh. Pikësëpari ato kanë të bëjnë me toponimet dhe oronimet. Janë fjalët më të vjetra, të cilat ne i njohim sepse kanë të bëjnë me emërtimet e lashta të përdorura nga popujt e parë të Europës për të emërtuar një mal, pyll, shkëmb, kep, luginë, det, liqen apo pellg, rrjedhë uji, vend i banuar (fshat, qytet..), etj. Këto emra janë më të lashtët, të cilët përcillen nga brezi në brez dhe janë të ngulitura përgjithmonë në kujtesën e njerëzve.

– Dr.Mathieu Aref ( Arif Mati ) – 

Më pas vijnë emrat e përveçëm, të cilët na i jep onomastika e teksteve greke të autorëve antikë (Homeri, Hesiodi, Arkiloku, Hekateu i Miletit, Herodoti, Helanikosi i Mitilenit, Tukididi…) të tilla si antroponime dhe eponime, emra të hyjnive (teonime) dhe emra të popujve (etnonime).
Së fundi fjalë të vjetra të llojit të përgjithshëm, shumë prej tyre mjaft të ndjeshme ndaj ndryshimeve që kanë të bëjnë me jetën e përditshme : me pi, me ngrënë, me fjet, me bë, me sjell … qielli, toka, retë, shiu… fusha, drithërat, metalet, etj. Pjesa më e madhe e fjalëve kanë kaluar në shumë gjuhë, popullsitë e të cilave kanë kaluar nga afër apo nga larg popujve të Europës të dalë nga një trung i vetëm etnik (i llojit Homo-pelasgus !) të tillë : Pellazgët, Lelegët, Ligurët, Karianët, Lisianët, Egjeasit (Tirreno-Etruskë, Eteokretasë..), Fillistinë, Trakë, Frigjianë, Trojanë (Dardanë, Teukrë..), Ilirë (Autariatë, Dasaretë, Enkelë, Dardanë, Panonianë, Venetë, Dalmatë, Liburnë..), Tesprotë (Epirotë, Molosë, Kaonë…), etj. Përveç kësaj në planin antropologjik të gjithë këta popuj kishin një karakter brakicefal tepër të theksuar, d.m.th. kishin kokë të rrumbullakët (aq të gjerë sa edhe të gjatë) pra e kundërt me dolikocefale (kokë vezake ose në formën e topit të rugbisë). Ky fenomen brakicefal rigjendet te shqiptarët e sotëm, pasardhës të vërtetë të Pellazgëve në Europë.
Pra këtu nuk është fjala të shpjegojmë të tilla përputhje me sanskritishten dhe gjuhë të tjera relativisht të vonshme të mbiquajtura indo-europiane ose indo-iraniane ose të tilla të tjera me rregulla (gramatikore, sintaksore, apo fonetike) që shpesh me kalimin e kohës janë modifikuar për shkak të lëvizjeve të popullsive ose kanë ndjerë të papriturat e përmbysjeve gjuhësore të krijuara mjaft vonë nga pushtime të ndryshme.
Në të vërtetë, duke mos dashur të bëj një kurs të lartë të gjuhësisë, gjë që nuk është aspak qëllimi i veprës që keni në dorë, kam ndërmarrë studime krahasuese dhe hulumtime etno–gjuhësore, të cilat më kanë mundësuar hyrjen në burimet e vetë gjuhëve të vjetra, t`i analizoj si ka qenë, falë konfrontimeve të ndryshme, krahasimeve, përputhjeve dhe nganjëherë disa kontradiktave të dukshme dhe falë asaj çfarë zotëron gjuha shqipe dhe mbi të gjitha të dialektit të saj geg, i cila është idioma më e vjetër e dalë drejtpërdrejt nga gjuha thrako-ilire dhe si rrjedhojë nga pellazgjishtja e lashtë. Përveç kësaj dialekti geg paraqet përafërsi të shumta me ionishtën e lashtë (paraardhës e greqishtës sipas Herodotit) si në planin leksikor, atë sintaksor gjithashtu edhe atë fonetik.
Është pikërisht kjo pellazgjishte e lashtë, e cila nuk ka qenë marrë në konsideratë. Më saktë i është dhënë një rëndësi e jashtëzakonshme Mikenëve (emër i shpikur nga arkeologët sidomos pseudo-arkeologu Heinrich Schliemann), ndërkohë që disa kanë pohuar se “Pellazgët i kishin paraprirë Grekët në vendin që do të bëhej Greqi”. E kanë trajtuar Linearin B (varianti i dalë nga Lineari A, linear kretas) si një gjuhë proto–greke, ndërkohë që deshifrimet e Ventris dhe Kadvik (1952–1964 : Knossos, Mikenë, Pilos, Tebë..) nuk kanë sjellë veçse terma që kanë të bëjnë me listat e përllogaritjeve të prodhimeve të ndryshme tregtare, lista inventarësh, të cilat nuk kishin asgjë letrare: pra ato nuk mund të na japin të dhëna për jetën shoqërore, ekonomike ose politike, për gjuhën dhe as për zanafillën e këtyre popujve. Ja përse është ngjitur historia e Greqisë deri te Mikenasit. Deshifruesit tanë të shquar dhe ithtarët e tyre nuk e kanë patur parasysh se bëhej fjalë për një gjuhë parahelene, pra jo greke, meqenëse Grekët nuk ekzistonin ende dhe ndër të cilët ne nuk kemi as edhe një lloj gjurme përpara shekullit VIII para Krishtit. Nëse mund të gjenden disa fjalë që në dukje të bëjnë të mendosh për greqishten, është se shumë më vonë kjo e fundit ka bërë huazime shumë të mëdha në pellazgjishten e lashtë. Megjithatë kjo gjuhë nuk është “zhdukur”, siç është përsëritur shpesh në të gjithë manualet e historisë nëpër shkolla, universitete dhe manuale popullarizuese dhe enciklopedi të ndryshme të historisë antike, por ajo ka lënë gjurmë të mëdha jo vetëm në gjuhën e sotme shqipe, pasardhësja e saj nëpërmjet thrako-ilirishtes, por gjithashtu në pjesën më të madhe të gjuhëve indo-europiane.
Pra është hallka pellazge që ka munguar në hulumtimet e kryera deri në ditët tona. Në të vërtetë teoritë e gabuara, pistat e gabuara ose gabimet e vlerësimit, të cilat nëpërmjet specialistëve të parë të gjuhësisë moderne u janë transmetuar ithtarëve të tyre dhe që duke i ripërsëritur pafundësisht me kalimin e kohës u pranuan dhe më në fund u trajtuan si fakte të përcaktuara. Përveç kësaj një tjetër mangësi ka pllakosur të gjitha këto studime dhe hulumtime: etno-gjuhësia dhe kronologjia e saj. Në të vërtetë janë ngatërruar elementet gjuhësore të mëvonshme me ato më të lashta. Gjithashtu është bërë një projektim a posteriori e elementeve pak a shumë të dhëna nga autorë antikë, pa vendosur kronologjinë e tyre të vërtetë apo iu verifikuar burimin. Në nivelin e komentarëve të ndryshëm ka patur pasaktësi të mëdha sepse është nisur mbi bazën e interpretimeve dhe të rindërtimeve jo shumë bindëse. Unë nuk mund të rri pa kujtuar se duhet bërë kujdes kur të lashtëve iu atribuohen ide moderne.
Prandaj po paraqes studimin që ka të bëjë me “fjalët”, të cilat kanë qenë huazuar prej gjuhës greke, latine dhe gjuhë të tjera europiane më të vonshme nga pellazgjishtja e lashtë ose thrako-ilirishtja.
Pra, po rinis analizën për tri burimet kryesore gjuhësore që përforcoi me elemente të tjera bindëse, argumentimin tim mbi vërtetësinë historike të pellazgjishtes së lashtë dhe lidhjen e saj të ngushtë me shqipen e sotme, “fosile e gjallë” e asaj që ka qenë gjuha parahelene e vendit, të cilin Grekët do ta quanin “Heladë” (rreth shekullit VIII madje shekulli VII para erës sonë), të cilën Romakët do ta quanin “Graecia” (Greqia) rreth shekulli IV–III para erës sonë. Do të kujtoj këtu vetëm elementet më domethënës. Për më shumë hollësira lexuesit do t`i duhet t`i referohet kapitujve të ndryshëm të lidhur me përputhjet gjuhësore.
(“Shqipëria (histori dhe gjuhë) odiseja e pabesueshme e një populli parahelen” – Plejad, Tiranë 2007, Faqe 356/359)

***
I – Antroponimet, teonimet, eponimet, etnonimet

Le të fillojmë me perëndinë më të dëgjuar, të cilën Grekët ua morën Pellazgëve: Zeusin. Ky emër ka qenë komentuar për një kohë të gjatë në bazë të emrit të Perëndisë fuqiplotë të Panteonit olimpian. Autorët grekë nuk kanë kërkuar të njohin zanafillën e emrave të mitologjisë së tyre, aq më tepër që ata nuk ishin gjuhëtarë (shkencë moderne e shfaqur në fund tëshekullit XIX dhe fillimit të XX të erës sonë). Pra ata kishin trashëguar një farë numri të emrave të perëndive pa arritur të kuptojnë domethënien dhe për të cilat dhanë interpretimet e tyre, duke i përqasur ato nga ana fonetike me fjalorin e tyre (greke). Janë vetëm gjuhëtarët dhe helenistët modernë, të cilët kanë vendosur ta shpjegojnë zanafillën e tyre nëpërmjet krahasimeve me gjuhë të tjera (shpesh të dala nga e njëjta stampë) dhe në veçanti me sanskritishten, e trajtuar nga gjuhëtarë të shumtë si njehsori “Geiger” për të gjitha gjuhët e mbiquajtura indo-europiane, ndërkohë që kjo gjuhë në raport me pellazgjishten e lashtë është tepër e vonshme. Pra gjendemi përpara një dileme të çuditshme : interpretimi që bëjnë Grekët dhe ai i bërë nga autorët modernë, mbi të gjitha në planin e një zanafille gjuhësore.
Përsa i takon Zeusit, elementi thelbësor i zanafillës së tij etnike, përveç përputhjeve gjuhësore me shqipen e sotme dhe epiteteve të shumta të Homerit, duke i cilësuar Pellazgët hyjnorë, është një frazë e përmendur në Iliadë (Kënga XVI, 234/236), e cila provon zanafillën pellazge (e vetmja fraza e shpëtuar nga ndërfutjet e ndryshme dhe që i ka shpëtuar manipulimeve të logografëve grekë); “Akili – : Zeus mbret, Dodonasi, perëndi e hershme, Pellazg, i cili mbretëron mbi Dodonë, në këtë vend të ashpër të Sellëve, të profetëve me këmbë të palara kurrë dhe që flenë përdhé !” Grekët kanë dashur ta lenë në heshtje këtë, qoftë edhe se nuk e kanë kuptuar domethënien, meqenëse do të quheshin autoktonë (të lindur nga toka) pra pasardhës të Pellazgëve. Ndërkohë që të gjithë autorët të Greqisë arkaike (shekulli VII/VI para Krishtit) dhe të epokës klasike (shekulli V dhe IV para Krishtit) kanë pohuar se Pellazgët ishin banorët e parë të Greqisë “përpara mbërritjes së Grekëve” dhe se gjuha e tyre nuk ishte greqishtja, pra ishte një gjuhë barbare.. Prandaj Grekët nuk mund të ishin “autoktonë” dhe as me prejardhje nga Pellazgët. Ja çfarë na thotë në lidhje me këtë Herodoti (I, 57, 58) : “Cila ishte gjuha e Pellazgëve ? Nuk mund ta them me siguri; por nëse lejohet të hamendësosh në bazë të pasardhësve të sotëm të Pellazgëve, të vendosur në Krestoni, mbi Tirrenët (ata që dikur ishin fqinj të popullit që ne e quajmë Dorian dhe që banonin në vendin që ne e quajmë Thesaliotidë) dhe të Pellazgëve që kanë themeluar Plakinë dhe Skilakën mbi Helespont (ata që dikur kanë banuar me Athinasit) dhe sipas shumë të tjerëve të përmendur, gjithashtu pellazgjikë, megjithëse kanë ndërruar emrin, mund të them, duke e gjykuar nga këta popuj, se Pellazgët flisnin një gjuhë barbare. Pra nëse nuk është e njëjtë kjo për gjithë racën Pellazge, popullit të Atikës i cili është Pellazg, i është dashur të ndërrojë gjuhën duke u kthyer në popull Helen”. Këto linja mendimesh janë të qarta si drita e diellit. Ja përse emri i Zeusit në thelb shpjegohet falë gjuhës shqipe dhe jo me anë të gjuhës sanskrite, greke apo ndonjë gjuhe tjetër ashtu si edhe do ta përcaktojmë.
Δioς (Dios) është qoftë interpretim fonetik i emrit të Zeusit (ζεuς) të bërë nga Helenët e parë pas pushtimit të vendit të Pellazgëve, qoftë edhe një emërtim i mëvonshëm. Gjuhëtarët shpejt i kanë bërë një përqasje me sanskritishten “Dyaus”, prej nga vjen latinishtja “Deus” (Zoti) dhe dies (ditë). Tashmë kam folur për Zeusin në kapituj të shumtë. Këtu thjesht do të kujtoj dy legjendat e njohura për vendlindjen e tij : njëra nxjerr si vendlindje të tij Kretën (Mali Ida ose Dikte) dhe tjetra e nxjerr vendlindjen e tij jo shumë larg malit Lise në Arkadi: në secilin rast të dy këto vende ishin të populluara gjithashtu nga Pellazgët. Për ta shpëtuar nga tërbimi i Kronosit, nëna e tij Rea e lau në lumen Neda dhe ia dha Tokës Mëmë (Gaea, Gé), e cila e dërgoi në Kretë në malin Dikte sipas disave, në malin Ida sipas disa të tjerëve) ku ajo ua besoi kujdestareve të sigurta, nimfave Adrastea dhe Ida, bija të mbretit të Kretës, Meliseus. Ato e vunë në një djep të artë. Adrastea për ta argëtuar i bëri si dhuratë një sferë të formuar me rrathë të artë”. Kuretët arritën të mbulojnë të qarat e foshnjës falë vringëllimave të armëve të tyre dhe në mënyrë që Kronosi të mos ta dëgjonte ekzekutuan një vallëzim luftëtarësh (që më vonë u bë “Pirrika” dhe që vallëzohet ende sot në Shqipëri dhe Kosovë). Zeusin e ushqeu dhia Amaltea.
Në këtë rast, unë do të mjaftohesha me këtë shembull të lindjes së Zeusit. Në të vërtetë gjithçka rrethon historinë e lindjes së tij provon karakterin pellazg të Zeusit dhe të Panteonit të tij olimpian: të gjitha emrat që figurojnë në paraqitjen gjeneanologjike të mëposhtme shpjegohen me lehtësi me anë të gjuhës së sotme shqipe.
– Kronos = Koh ro, Koh ron = koha që vazhdon në vijimësi; ai apo Kronosi që rendit kohën. Kjo fjalë është në zanafillë të fjalës “kronologji” (shkenca e kohërave, renditjes dhe datave të ngjarjeve historike). Kronos është një figurë mitologjike. Rrallë ka qenë objekt i ndonjë kulti fetar dhe është Saturni te Romakët.
– Rea = Re, Reja = Në gjuhën shqipe ekzistojnë dy homonime; njeri do të thotë “me re, qiell i mbuluar me re” dhe tjetri “nusja, bashkëshortja (e reja)”. Emri i babait të saj Uranos në gjuhën shqipe do të thotë “U vranë (s) = qiell i vranët”, ndërkohë që te Grekët do të thotë “qiell me yje”. Emri Rea, bija e “qiellit të vranët”, në gjuhën shqipe është më pranë domethënies të babait të saj. Përkundrazi Grekët e shpjegojnë emrin nëpërmjet një shtrembërimi të fjalës εα (era, në greqisht) që do të thotë tokë. Por Rea ishte një hyjni e mirëfilltë pellazgo–kretase.
– Gaea, Gaia = Dheja, dhé = Toka; Gji, gjija, gjini (gegë) = Ge, qoftë në shqip “gjiri, apo gjinia (fisi)”.. toka që të ushqen. Ky emër ka një tjetër ortografi Gé. Kjo ka të ngjarë të lidhet me një shtrembërim fonetik të pellazgo shqipes “dhé” (th në gjuhën angleze). Në të vërtetë emri Gaea sipas kozmogonisë se Hesiodit personifikonte tokën “Toka gjatë formimit”. Gaea është trajtuar nga të gjithë si një hyjni tipike pellazge.
– Zeusi = Za, Zani, Zë = zëri (i Zeusit). Në të vërtetë zëri i Zeusit paraqitet me anën e fëshfëritjes së gjetheve të shenjta të lisit të shenjtë të Dodonës (kryeqyteti i kultit të Pellazgëve) në Tesproti (i bërë më vonë Epir). Është orakulli më i shenjtë i antikitetit, i cili pas mbërritjes së Grekëve u zëvendësua me atë të Delfit, i cili u bë vendi i parë i shenjtë grek (shekulli VIII–VII para Krishtit). Vendi i vetëm vend i shenjtë i orakullit, i denjë për emrin e tij, i përmendur nga Homeri është ai i Dodonës. Ai nuk ka përmendur atë të Delfit (vetëm një herë te Odiseja IX, 561 por bëhet fjalë për një ndërvendosje). Ai ka përmendur emrin e Pitos shkëmbor (vend i shenjtë kushtuar Febos, i gjendur në viset e Delfit të ardhshëm). Nuk ka më përmendje të Olimpit (orakull i Zeusit) as të Lojërave Olimpike. Arsyeja e mungesës së këtyre ngjarjeve është se ato kanë qenë më të vonshme se Homeri. Përsa i takon emrit zanafillor të Zeusit ne zotërojmë një dëshmi vendimtare, atë të Porfirit (Jeta e Pitagorës). Ja mbishkrimi, thotë ai, që Pitagora gdhendi në varrin e Zeusit: Pitagora për Zeusin… “këtu prehen eshtrat e Zan, i cili quhet Zeus”. Pitagora ishte një pellazgo-tirrenian nga Samosi. Pra Pitagora del se e njihte gjuhën e të parëve të tij, meqenëse e njihte emrin pellazg Zeus si Za, Zan, Zanë (dialekti geg). Te emrin “Zeus” gjuhëtarët kanë kujtuar se kanë zbuluar fjalën sanskrite Dyaus.. (Zoti i gjithëfuqishëm, zoti qiell). Është i famshmi “Zeus pater”, i shndërruar nga Latinët në Dius ose Deus pater dhe më pas në “Iupiter” pra Jupiter (Zoti baba)! Është një nga ankesat kryesore etno-gjuhësore që mund t`i bëhen gjuhësisë moderne madje duke prekur edhe vetë zanafillën e mitologjisë greke. Në dialektin toskë thuhet “zëri, zë”.
– Adraste = A drashtë, E drashtë = ajo që frikësohet, që ka frikë (nga Kronosi).
– Ida = I dha = i dha Ajo që i ka dhënë (Zeusit). Ida është emri i dy maleve, njeri në Kretë dhe tjetri në Troadë edhe ky një tjetër vend pellazg. Në të vërtetë Trojanët rrjedhin nga Dardanët, popull thrako-ilir i Ballkanit. Rigjenden në veri-perëndim të Azisë e Vogël (në veçanti në Troadë) dhe në Kretë përputhje toponimike të përbashkëta për të dy vendet.
– Kuretët = Ku rret, Ku rretet (gegë); Ku rrit, Ku rritet (toskë) = aty ku u rrit (Zeusi). Prej kësaj rrjedh emri i Kretës vend ku “u rrit Zeusi”. A nuk kanë pohuar autorët antikë se Kuretët ishin banorët e parë të Kretës?
– Amaltea = E mielta (E mjelta) = Ajo që ka mëkuar, apo që i ka dhënë qumështin e saj (Zeusit).
– Meliseus = Malësi = Ky emër rrjedh nga një prej fjalëve më të lashta “mal” pra mali. Ka të ngjarë të bëhet fjalë për një “mbret i malësive” (mbreti i Idas në Kretë ?) ose mbret malësor. Në shqip “malësi” do të thotë vend me male dhe “malësor” është diçka që ka të bëjë me malin apo “Malësiu, malësori” dihet që është banori i maleve.
***
Është e qartë që gjithçka që ka të bëjë me Zeusin, me hyjnitë e lashta kryesore dhe me fenë pellazge të trashëguar nga Grekët shpjegohet falë gjuhës shqipe. Me këtë rast meqë po flasim për Zeusin, është interesante të shënojmë që fjala “skeptër” shpjegohet me anë të gjuhës shqipe. Në të vërtetë kjo fjalë vjen nga ajo fjalë që emërton skeptrin e Zeusit, një lloj shkopi që ka në krye një kokë shqiponje. Shkreptima dhe shqiponja, dy emblemat e gjithëfuqishme të Zeusit. “Sqep shqiponje” dihet se në shqip thuhet sqep, skep. Në fillim skeptri ka të ngjarë të jetë quajtur “Skep” nëpërmjet shtrembërimit fonetik sipas vetë natyrës të gjuhës greke, pra skep… tron (άχηπσου). Përveç kësaj fjala spelaion në ship “shpellë e jonë” (fjala zanafillore e fjalës “speleologji”), që do të thotë shpellë në greqisht, nxjerr zanafillën e Pellazgëve (Njerëz të Shpellave), emri i të cilëve shpjegohet me anë të gjuhës shqipe “Shpellë-azg”, rrënja e së cilës është “shpella”. Disa malësorë të Shqipërisë së Veriut (krahina e Matit, p.sh.) e quajnë shtëpinë e tyre “shpeja”, reminishencë e banesës së tyre parahistorike(shpellë)! Për të konfirmuar ethnonimin “njerëzit e shpellave” Armenët (pélasgo-Phriggjian) e kanë mbajtur një prapashtesë “azg, azk” (prapashtesë përcaktuese që cakton «kombin, popullin»). Kjo prapashtesë shpjegon pikërisht termin e përdorur nga grekët “PEL-AZG-OS”, që në shqip është shumë i qartë : njerëzit e shpellës (Shpell’azg, term i shtrembëruar me prapashtresën greke “os” = Pelazg-os). Prapashtesa greke “ion” është tipike pellazge (i onë = i jonë, që na përket ne, siç është edhe rasti i detit jonian, det i Pellazgëve dhe më pas i Ilirëve) siç do ta vërejmë në një nga paragrafët e mëposhtëm.
Mirëpo ne e dimë se Zeusi ka lindur në një shpellë dhe se lindja e tij sipas legjendës ndodhi në Arkadi ose në Kretë. Me anë të silogjizmit Pellazgët (Njerëz të shpellave) janë pra njerëz të Zeusit (të lindur në një shpellë) d.m.th pasardhës të tij. Për më tepër Shqiptarët e sotëm e quajnë vetëm “bij të shqipes”. Kjo nuk ka asgjë për tu çuditur meqenëse të gjithë tekstet antike provojnë se Zeusi ishte Pellazg, se Pellazgët ishin banorët e parë të Greqisë, të cilët ua përcollën Grekëve fenë e tyre dhe një pjesë të madhe të trashëgimisë së tyre kulturore, madje edhe atë gjuhësore. Unë do të shtoja një tjetër element domethënës që na jep Pauzani (I–VI, 16, 5) duke na treguar një variant tjetër të emrit të Zeusit: Zotos. Në të vërtetë nëse nuk marrim parasysh prapashtesën e famshme dhe patjetër të domosdoshme greke “os”, atëherë zbulojmë rrënjën Zot. Sot në Shqipëri perëndia thuhet edhe Zot, cilido qoftë besimi fetar i banorëve të saj (katolikë, ortodoksë ose myslimanë). Së fundi, do të shënoja që në gjermanishten e vjetër ka një tjetër variant të emrit të fundit Ziu, Got (i kthyer në Gott) : krahasuar me Zan dhe Zot. Emri i fundit ka të ngjarë të jetë një shtrembërim i mëvonshëm i fjalës za, zan, zani, kuptimi i së cilës në gjuhën shqipe (zëri) është ruajtur gjatë tri mijëvjeçarëve. E vërteta historike e Pellazgëve dhe vijimësia e gjuhës së tyre janë të pamohueshme edhe nëse nuk iu pëlqen atyre për të cilët skepticizmin e barazojnë me kokëfortësinë e tyre. Shpresoj që vepra që keni në dorë tu japë atyre sqarimet e nevojshme dhe do t’ua bëjë të mundur ta shohin në një kënd më të mirë vështrimi historinë parahelene.
Lloji i shembujve të lartpërmendur nuk mungon. Gjithsesi në këtë kapitull, me qëllim që të mos bëj shumë përsëritje do të kufizohem për të sjellë shkurtimisht disa elemente thelbësore, për të cilët ju do të gjeni hollësira në kapitujt që trajtojnë “përputhjet gjuhësore”.
* Promete, Titan, biri i Jafetit dhe i Temis-it është ai që formëzoi me argjilë, njerëzit me figurën e Perëndive (“Prue me dhé = e sjellë me dhé) ndërkohë që Grekët e interpretojnë emrin e tij me “parashkuesi”;
– Akili (Aspeitos = Asht’shpeit = “i shpejti”);
– Afroditë (Afër dita = ajo çfarë është afër ditës, pra drita, agimi);
– Hera (Era = era, një nga atributet e Erës);
– Demetra perëndesha e grurit dhe e mbirjes së tij (Dhé motër = tokë–motër? Nënë; toka që të ushqen);
– Kore, perëndesha e të korrave dhe bija e Demetrës (Korr, Korra = korrësja; ajo u quajt më vonë Persefoni dhe i kaloi ditët e fundit të saj pranë Hadit në botën e përtejme);
– Hadi perëndia e të vdekurve dhe e botës së përtejme (Ha dekës ai që ha të vdekurit);
– Ares (Erz = nderi “bej luftë “ do të thotë të mbrosh “nderin”);
-Apolon (“A po luan” = a po luajnë… ky emër ka dalë nga një frazë e Mbretit Midas gjatë garës të muzikës midis Apolonit, Marsias dhe/ose Panit);
– Artemis, motra binjake e Apolonit (arë të miell = arë e mbjellë);
– Tetis, Nereidë dhe më e shquara e perëndive detare (Deti);
– Menmozina, nëna e Muzave (Men mësoi = ajo që u mëson kulturën apo që është e zgjuar);
– Menelau (Men e la = ai që ka humbur mendjen);
– Agamemnoni (E ka menue = ai që e ka menduar, shqyrtuar);
– Laerti, babai i Uliksit dhe i matur, i urtë (le urtë = ka lindur i urtë);
– Uliksi/Odiseja, i famshëm për udhëtimet e tij (Udhësi = udhëtar);
– Telemaku (Të leu mek = thirrja e Penelopës në mbërritjen e Uliksit; “të ka lindur djalë!”);
– Penelopa (Penë e lyp = ajo që nevojë për fill);
– Titans (Të tan= të gjithë);
– Hesiona, e lidhur me zinxhirë nga babai i saj Laomedoni, mbreti i Trojës (E zanë = e zëna, e kapura);
– Ajaks (A Gjakës = gjakësor, vrasës);
– Atrides “pasardhësit” e Atres, “familja” e Atresë (Atrët = prindërit, familja);
– Olimpia (O e lumta = e lumja);
– Aleksandër (Ka le si n` andërr = ai që ka lindur si në ëndërr), etj.
– Kranaenët, Pellazgët e Athinës (Krena, Krenar=prijës ose njerëz krenarë dhe të lavdishëm);
– Dalmatët, popull ilir i bregut lindor të Adriatikut (Delmat, Delmatët = delet, rritësit e deleve):
– Pella, kryeqyteti i Maqedonisë (Pela, pelë);
– Thesalia, Maqedonia dhe Traka ishin të famshme për rritësit e kuajve);
– Romë, qytet i themeluar nga Romulus (Romak në dialektin geg do të thotë “i rrumbullakët, ai që ka kokë të rrumbullakët”);
– Tirrenos është biri i mbretit lidian Atis; Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë (Tirrenia është emri i grek i Etrurisë);
– Turan është një mbretëreshë etruske; Tuski është emri latin i Etruskëve;
– Tusculum është emri i një qyteti antik të Italisë që gjendej në rajonin e Maleve Albanais dhe Tosk është emri që mbajnë sot Shqiptarët e Jugut); pra Tirrenos, Tirrenia, Turan, Tuski, Tusculum, Tosk e Tirana janë të lidhura ngushtë me vetë zanafillën etno-gjuhësore,
– Lelegët është emri i lashtë i Karianëve, banorë të lashtë të Kretës dhe të ishujve të Egjeut përpara se të kalonin në Azinë e Vogël (Le lesh, Le me lesh = të lindur me qime ose njerëz leshtorë);
– Ligurët, popull i lashtë i Mesdheut perëndimor (veri–perëndim i Italisë, Franca juglindore deri në luginën e Ronit), emri i këtij populli tjetër pellazg shpjegohet gjithashtu nëpërmjet gjuhës shqipe = Lëkurë, likurë = “lëkura” dhe më gjerë “njerëz të veshur me lëkurë”;
– Liburnët, popull ilir (Le burrë = i lindur burrë, i lindur trim);
– emri i Epirit (në greqisht Epeiros) shpjegohet me gjuhën shqipe Epër, Epëri (rrënja e emrit Epir pa prapashtesën greke “os”), që do të thotë “i epërm, lart, në lartësi” në lidhje me Greqinë e gjendur më poshtë etj.
(“Shqipëria (histori dhe gjuhë) odiseja e pabesueshme e një populli parahelen” – Plejad, Tiranë 2007, Faqe 359/368)
***
Nuk mund ta mbyll kapitullin pa u ngritur kundër këtij lloj vërshimi të përgjithshëm kundrejt asaj që do ta quaja nga ana gjuhësore e saktë që ka konsistuar dhe konsiston gjithmonë në rimarrjen e disa pohime të gabuara apo pista të gabuara të përpunuara nga pjesa më e madhe e pararendësve të gjuhësisë moderne të fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, të përsëritura nga ithtarët e tyre që i kanë trajtuar si fjalë Ungjilli, pa asnjë lloj reflektimi paraprak, pa as edhe kritikën më të vogël dhe akoma më pak “pa ngritur ndonjë dyshim”. Midis këtyre devijimeve gjejmë faktin se kanë vendosur unanimisht ekzistencën e një prirjeje gjuhësore ballkanike, ku shqipja është jo vetëm e nënvlerësuar, por e zhytur në këtë masë gjuhësh heterogjene (greqisht, sllavisht, bullgarisht apo turqisht), ku përbën veçse një idiomë që ka ndjerë ndikime të ndryshme ndër të cilat greqishtja, latinishtja, sllavishtja ose turqishtja përfaqësojnë thelbin e huazimeve gjuhësore, sikur të ishte fjala për një gjuhë hibride! Ky është kulmi, pasi gjuhëtarët të mbyllur hermetikisht në disiplinat e tyre, të verbuar nga bindjet e tyre të pandryshueshme, siguritë e tyre apo hipotezat e tyre të paqëndrueshme, jo vetëm që nuk kanë mbajtur parasysh mendime të kundërta me ideologjinë e tyre (janë të shumtë ata që që kanë thënë me zë të lartë të vërteta të hedhura poshtë njëherësh apo të mbetura në sirtar, etj.) por as nuk kanë zgjeruar fushën e tyre të hulumtimeve falë njohurive të dala nga disiplinat e tjera, as nuk kanë shfrytëzuar zbulimet apo rezultatet që deshifrojnë studimet e shumta dhe hulumtimet, të cilat hedhin dritë mbi zanafillën etno-gjuhësore të popujve parahelenë.
Në të vërtetë ata nuk kanë vendosur asnjë lidhje, nga njëra anë midis Pellazgëve, Thrakëve, Frigjianëve, Etruskëve dhe Ilirëve dhe nga ana tjetër Shqiptarëve të sotëm dhe mbi të gjitha gjuhëve të tyre respektive.
Ja përse gjuhësia moderne, e ngërthyer në kullën e saj të fildishtë ka mbetur në qorrsokak dhe e mbyllur në bindjet e saj pafundësisht të vjetra dhe brenda pistash të gabuara, të huazuara qysh prej më shumë se një shekulli nga autorë të shumtë.
Unë nuk do të shpalos këtu mendimet e përgjithshme që kanë të bëjnë me problemet lidhur me Gjuhësinë (cf kapitulli në lidhje me këtë). Thjesht do të vëreja se përveç kësaj ngatërrese të koklavitur mund vetëm të jepen disa të pavërteta të nxjerra kundër gjuhës shqipe.
Kjo ka qenë shumë pak e studiuar si gjuhë dhe mbi të gjitha nuk ka qenë vendosur konteksti i saj i vërtetë etno-gjuhësor për arsye të të gjitha llojeve të mangësive, gabimeve historike dhe kronologjike, polemikash të vazhdueshme dhe të një neglizhence ose të një ngurrimi të dukshëm (nga ana e gjuhëtarëve) për të ndihmuar studime të ndryshme dhe hulumtime ekstra-gjuhësore.
Prova për këtë është se disa gjuhëtarë shqiptarë kanë përshtatur përfundimet e mjeshtërve të tyre gjuhësorë të Perëndimit ose të ish Europës Lindore. Në të vërtetë po marr si shembull mendimin e tre gjuhëtarëve dhe filologëve shqiptarë që i kanë orientuar studimet e tyre në mënyrë të veçantë në gjuhën shqipe dhe ndërfutjet e saj në kontekstin gjuhësor ballkanik. Filologu dhe gjuhëtari shqiptar Eqrem Çabej nuk ka vendosur lidhje të ngushta midis Pellazgëve, Trakëve, Frigjianëve nga njëra anë dhe Ilirëve nga ana tjetër. Ai, ashtu si gjuhëtarë të tjerë shqiptarë dhe për arsye më të fortë ata të huaj, janë kufizuar në studimin strikt të shqipes aq sa si gjuhë e gjallë aq edhe si strukturë gjuhësore, aq edhe si element gjuhësor që bën pjesë në një kompleks rajonal, të cilin ata e quajnë ballkanik. Gjuha shqipe është paraqitur, së dyti, si një gjuhë që bën pjesë në një kompleks rajonal me përafërsi të shumëfishta dhe interferenca gjuhësore që përfshijnë gjuhën greke, serbe, bullgare, shqipe, turke, rumune. Në asnjë pjesë të studimeve të tyre nuk figuron gjuha ilire (dhe si rrjedhojë gjuha shqipe) si një nënshtresë thelbësore në këtë kontekst ballkanik. Përkundrazi në këtë plan këta gjuhëtare kanë rihapur të njëjtat teza të kapura nga një pjesë e madhe e mjeshtërve të tyre të huaj: ata nuk kanë kryer asnjë përqasje dhe as nuk kanë zbuluar asnjë përafërsi midis pellazgjishtes, frigjianes, trakishtes, dako-getes dhe ilirishtes!
(“Shqipëria (histori dhe gjuhë) odiseja e pabesueshme e një populli parahelen” – Plejad, Tiranë 2007, Faqe 462-463-464)
(…)
(Fragmente nga libri “Shqipëria (histori dhe gjuhë) odiseja e pabesueshme e një populli parahelen” – Plejad, Tiranë 2007 (përkthyer nga libri i botuar në gjuhën frenge – në Paris/2003.)

========================

DR.MATHIEU AREF(ARIF MATI): TRILOGJIA ‘PELLAZGËT

– ILIRËT – SHQIPTARËT’ DHE ZANAFILLA E TYRE ETNO-GJUHËSORE
https://pashtriku.org/index.php?kat=45&shkrimi=2892

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura