FAHRI DAHRI: VEPRIME BRUTALE DHE PËRJASHTUESE GREKO-SHQIPTARE (*) NDAJ SHQIPTARËVE TË ÇAMËRISË (2)

Itali, 9 prill 2019: (Me rastin e 75 vjetorit të gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë)
Ka ardhur momenti që enigma e Çamërisë të mësohet dhe të vërtetat të shkruhen. Këtë synon kjo trajtesë, e cila do të përqendrohet në disa aspekte të qarta të sjelljeve qeveritare të të dy shteteve, brenda të cilëve ka frymuar një popullsi disi e veçantë nga popujt dhe fiset me të cilët ndante të mirat dhe të këqijat në vazhdimësinë e jetës.

Brutalitetet dhe përjashtimet do ti shtjellojmë duke i veçuar në tre grupime:
I
Ishte nismëtar shteti Grek, i cili me strategjinë e detyrimit të besimit ortodoks, shënjestroi zhdukjen e banorëve të Thesproti/ Çamërisë.
II
Ishte shteti Shqiptar, i cili devijoi nga detyrimet kushtetuese dhe njerëzore, duke mos ruajtur dhe mbrojtur në tërësi familjen, farën dhe fisin e tij.
III
Është shteti Grek që mbahet tek akuza qorre: “Na ishte dikur…..”.
●●●
Shtjellim:
I.-Shtjellojmë pjesën e shtetit Grek (1912-1945).
Ishte nismëtar shteti Grek, i cili me strategjinë e detyrimit të besimit ortodoks, shënjestroi zhdukjen e banorëve të Thesproti/ Çamërisë.
Urrejtja dhe agresiviteti helen ndaj shqiptarëve të Çamërisë, është që nga “Megalloidea”, por forcën goditëse e rriti në vitet 1912-1945 dhe vazhdon në saje të mbështetjes së vendimmarrjeve europiane, përfshirë edhe disa përfaqësues të shtetit Amë, të cilët inspirohen edhe nga qendrimet e dyshimta të disa prej akademikëve dhe historianëve tanë.

Shqiptarëve të Çamërisë, siç dihet tashmë, shteti Grek u a ka përvetësuar pasuritë në dy periudha:
a) Shqiptarëve të besimit mysliman të Çamërisë që ju përvetësua pasuria, sipas marrëveshjes greko-turke të Lozanës (Conference de Lausanne sur les Affaires du Prache Orient, 1922-1923). Në atë marrëveshje, shqiptarët e Çamërisë u trajtuan qëllimisht si popullsi turke dhe të shkëmbyeshëm. Grabitja e parë e tokave çame u krye nga 1923 deri në vitin 1930.
b) Periudha e dytë ishte gjatë Luftës së Dytë Botërore, me akuzën mashtruese se gjoja shqiptarët myslimanë të Çamërisë bashkëpunuan me pushtuesit.
●●●
Ende pa u bërë fakt kalimi i rajonit të Çamërisë nën pushtetin e Greqisë, u organizua kurthi i parë, ku u mblodhën 72 burra nga paria e fshatrave çame. Të mashtruar se do të mblidheshin për tu caktuar myftarë, bandat e delijanaqërve i masakruan, i vranë, i therën, u coptuan kokat dhe trupet me sopata e hanxharë.
Që nga viti 1913 filluan persekutimet dhe trajtimet përjashtuese të banorëve nga të gjitha të drejtat si shtetas grekë. U çpronësuan, u nënvleftësuan dhe u trajtuan nga ardhësit aziatikë, nga që shteti grek i u dha pronat e çamëve, si hyzmeqarë në pronat e tyre. U quajtën të padëshiruar, sepse shteti Grek u hoqi edhe identitetin duke i trajtuar si turq, kjo nga keqinterpretimi dashës, që i bëhej atyre si besimtarë myslimanë. U quajtën tradhëtarë të kombit grek, sepse para 300 vjetëve dhjetëgjyshërit e çamëve ndërruan besimin, si rrjedhojë “mëkatin” e tyre do ta paguajnë, gjithëmonë sipas parimeve greke, pjellat e asaj ”fare” sa të ketë jetë mbi Dhé. Megjithëse në atë kohë nuk kishte shtet Grek, por ishte i pranishëm ndikimi i kishës ortodokse- bizanti!?.
Lexuesi, me pak vëmëndje, do të kuptojë se fenomeni i trashëgimisë së “mëkatit”, në praktikën greke, do të përsëritet edhe me nipërit e stërnipërit e banorëvë myslimanë të Çamërisë, që sipas akuzës bajate gjoja ishin bashkëpunëtorë me okupatorin në L2B. Edhe këto pjella, pavarësisht fakteve dhe realitetit, do të quhen bashkëpunëtorë me ish okupatorët e para “100” apo 200” viteve.
Anashkalojmë rëndesat historike të pafundme që i kanë ndodhur atij komuniteti për të vazhduar me temën.
A kanë bashkëpunuar banorët e rajonit të Çamërisë me okupatorin?
– Debatet, thëniet dhe kundërthëniet për vërtetimin e kësaj akuza, llogjikisht dhe dokumentarisht, me gjykimin njerëzor të fakteve marrin fund me ditarët e oficerëve gjermanë, të cilët kanë deklaruar se për kohën e qëndrimit në Rajonin e Çamërisë, nuk kanë kryer luftime kundër forcave ushtarake greke.
– Është e dokumentuar pjesmarrja e një numri të vogël banorësh të Çamërisë (60 deri 70 veta), nën influencën e vllezërve Nuri dhe Mazar Dino, me ushtrinë gjermane dhe EDES-in (forcë e djathtë politike greke që kishte marrëveshje me okupatorin për të luftuar forcat partizane greke), që, siç u tha, nuk kanë zhvilluar luftime kundra fshatrave greke, por ishin të inkuadruar me ‘ta.
– Është e dokumentuar gjithashtu pjesmarrja e mbi 700 djem e vajzave nga shqiptarët e rajonit të Çamërisë, nën ndikimin e disa personave të parisë filaqote (Dematëvë) e të tjerë, që u inkuadruan me forcat luftarake të partizanëve grekë që drejtohej nga EAM-ELLASI, forcë politike e majtë greke që luftonte kundër pushtuesve të shtetit Grek. (disponohet lista me emrat e 656 djemëve dhe vajzave çame të inkuadruar në forcat partizane greke).
Gjithkush le ta gjykojë, analizojë dhe të konkludojë, vetëm mbi bazën e të vërtetave, nëse qëndron ose jo akuza greke se: “çamët paskan bashkëpunuar me okupatorin”, duke mbajtur në konsideratë faktet e mësipërme dhe raportet:
• Masën e pjesmarrjes së djemëve e vajzave çame me gjermanët dhe EDES-in;
• Masa e pjesmarrjes së djemëve e vajzave çame me partizanët grekë të EAM-ELLAS-it; dhe
• Qëllimet e dy forcave politike greke ndaj çlirimit të vendit ( EDES dhe EAM).
Këto argumente janë të vlefshme për t’ju ardhur në ndihmë lexuesve në gjykimmarrjen e tyre të pavarur.
● Absurditeti i djeshëm dhe i sotëm grek, qëndron tek mbajtja e dy pozicioneve të kundërta ndaj të njëjtit problem (sipas supozimit grek), ndaj ish okupatorëve italo-gjermanë që shkuan në Greqi për ta pushtuar (me të cilët nuk ka pretendime për të kaluarën; ka ndërtuar dekada më parë marrëdhënie të mira bilatelare); dhe ndaj banorëve myslimanë të Çamërisë, të cilët ishin me familjet, pronat dhe në vendin e tyre, që vazhdohet edhe sot, mbas 75 viteve, duke i akuzar se paskan badhkëpunuar me “armikun” e falur!?.
Edhe ky qëndrim grek tregon se banorët autoktonë të rajonit të Çamërisë nuk kanë qenë armiq ndaj shtetit Grek, përkundrazi tregohet e vërteta se shkaku i agresivitetit grek ndaj çamëve qëndron tek shtrirja e helenizmit në trojet e rajonit të Çamërisë. Rajon i përcaktuar mjaft qartë që nga lashtësia, si vend i banuar me popullsi pellazgo-epirote, aspak në njëllojshmëri me grekët e djeshëm dhe të sotëm.
Akuza e gjetur greke për bashkëpunim të çamëve me gjermanët, veç absurditetit llogjik, është dhe një bumerang, i cili përgënjeshton akuzën bajate. Kjo qartësohet me faktin se nëse çamët do kishin bashkëpunuar me forcat ushtarake gjermane kundër shtetit Grek, atëhere me një gjykim të ftohtë dhe të drejtë, lind pyetja si ishte e mundur që forcat gjermane të bashkëpunonin dhe mbronin çamët, kur ata ishin në marrëveshje mos luftimi me forcën politike të djathtë greke-EDES-in?. Nëse çamët akuzohen si bashkëpunëtorë me gjermanët dhe gjermanët bashkëpunonin me EDESI-in, kur EDES-i i masakroi çamët, na rezulton se edhe gjermani është bashkëpunëtor me EDES-in kundër çamëve. Një akuzë kjo për çamët, që vetëm në llogjikën mashtruese greke mund të gjejë kuptim.
Mbi bazën e akuzave shpifëse, shteti Grek ndërrtoi taktikat dhe strategjitë afatshkurtër e afatgjata për çfarosjen e asaj popullsie, e cila me ekzistencën e saj i ndjell ankth të pashuar Greqisë, prandaj ajo çirret pa pushim ditë e netë se “Çështja Çame” nuk ekziston dhe se emëri “Çamëri” duhet të zhduket nga historia!.
Labirinthet e politikës greke, megjithëse janë tepër të kuptueshme për qëllimet e tyre djallëzore, arrijnë të ulen “këmbëkryq” në mendjet e disa vendimmarrrësve europianë, të cilët favorizojnë me të padrejtë shtetin Grek në dëm të shteteve fqinje, duke cënuar rëndshëm parimet e demokracisë për një bashkëjetesë paqësore dhe bashkëpunim reciprok mes shteteve!.
● Një nga ligjet korruptive të shtetit Grek, në dëm të demokracisë dhe të parimeve të të Drejtave Universale të Njeriut, është ligji i mohimit të çdo të drejte njerëzore që ajo ndërmori kundër gjithë ish shtetasve grekë që nuk kishin pranuar “kombësinë” greke, për tu rikthyer në vendin e tyre, qoftë edhe si vizitorë në territorin e shtetit Grek, këtu përfshiheshin edhe shqiptarët e dëbuar të Çamërisë.
● Gjatë luftës civile greke, e cila u zhvillua në vitet 1946-1949, ndërmjet forcave të djathta dhe forcave të majta, është trajtuar edhe problemi i shqiptarëve të Çamërisë. Është pranuar dhe faktuar dëbimi i dhunshëm i tyre nga forcat ushtarake të EDES-it. Vrasjet e pafajshme, shpërngulja e dhunshme dhe tërësore e një komuniteti, të cilat kanë ndodhur në vitet 1944-1945 nën udhëhiqjen e kriminelit Napoleon Zerva.
● Në dokumentet historike (*), edhe sipa historianëve, është për tu theksuar kërkesa e kryetarit të Qeverisë së Përkohshme Greke, Marko Vafiadhis (²), i cili krahas disa kërkesave, i ka parashtruar Enver Hoxhës kërkesën që çamët e dëbuar dhunshëm (emigrantë në Shqipëri), të inkuadroheshin në ushtrinë Demokratike Greke, e cila udhëhiqej nga komunistët grekë.
Marko Vafiadhis, paska ardhur në Tiranë më 24 shtator të vitit 1947, me cilësinë si Kryetar i Qeverisë së Përkohshme Demokratike. Vafiadhis në takimin që pati me një anëtar të Byrosë Politike të KQPPSH, i parashtroi qeverisë shqiptare disa kërkesa:
– kërkonte nga shteti Shqiptar, që çamët e dëbuar prej Greqisë të rekrutohen dhe të dërgohen në malin Gramoz, për të luftuar përkrah kryengritësve grekë.
– Të dërgohen për ushtrinë demokratike Greke 3.000 deri 4.000 djemë dhe burra emigrantë çamë, nga mbi 18 mijë shqiptarët çamë myslimanë që jetonin në Shqipëri, si rrjedhojë e dëbimit të tyre prej forcave të Napoleon Zervës.
– kërkoi rekrutimin e djemve dhe burrave refugjatë grekë, shumica e të cilëve ishin të etnisë maqedonase, që ndodheshin në Shqipëri.(Ish demokratët grekë të dëbuar nga Greqia që ndodheshin brenda territorit të shtetit shqiptar-F.D.).
– Të gjithë të rekrutuarit e mundshëm të organizoheshin në 3-4 qendra për tu dërguar në ndihmë të Ushtrisë Demokratike Greke.
– të vazhdohej të ndihmohej Ushtria Demokratike Greke me furnizime armatimesh të ndryshme dhe të krijoheshin mundësira për ndihma ekonomike me ushqime, veshje, etj.
Pala shqiptare, lidhur me kërkesën e palës greke, për rekrutimin e refugjatëve çamë, për momentin e konsideroi të pa arritshme mbasi:
● Refugjatët çamë të dëbuar nga Çamëria, nuk pranonin të shkonin në luftë përkrah forcave komuniste greke (¹).
● Argument tjetër në mos rekrutimin e tyre, ishte dyshimi që kishin udhëheqësit shqiptarë se edhe po të pranonin, rekrutët (refugjatët) çamë do të binin nën ndikimin amerikan.
Në atë kohë dhe në ato rrethana, pala shqiptare i dha përgjigjen palës greke se: “Tash për tash, kjo nuk është e mundur, duke marrë parasysh interesat e Ushtrisë Demokratike Greke, por do të bënin ç’të mundeshin të ndihmonin në kohën e duhur me ato që kishin mundësi…”.
Më pas, në muajin mars 1949, pala shqiptare e mori në shqyrtim dhe u përpoq ta realizonte kërkesën greke.
Ngjarjet e mësipërme, krahas rëndësisë historike, siç u tha më sipër, marrin rëndësi të veçantë edhe për faktin se politikanët grekë të asaj periudhe, e kanë pranuar të vërtetën se shqiptarët e Çamërisë ishin përzënë nga shtëpitë e tyre në Greqi nga forcat raciste të Napoleon Zervës.
● Klauzolat intriguese në hartimin dhe miratimin e ligjeve, lidhur me të drejtat e minoriteteve dhe pakicave në shtetin Grek, vihen re qartësisht edhe në ligjet e nxjerra prej tij në vitet 1972 –1982. Gjatë këtyre viteve, qeveritë greke nxorën ligje ku lejonin që çdo shtetas grek i përzënë të rikthehej dhe të merrte pasurinë ose dëmshpërblimin. Për realizimin e rikthimit, në ligj ishte vendosur kushti se të falurit për tu rikthyer, duhej të kishin kombësinë greke (kombësia greke përcaktohet mbi bazën e besimit ortodoks) si dhe gjatë kohës së mërgimit duhej të kishin mbajtur qëndrim grek.
Këto klauzola në ligj, përjashtuan shqiptarët çamë dhe sllavo-maqedonasit e Egjeut. Shqiptarët çamë myslimanë, me qëndrim në Shqipëri, siç dihet, ishin bërë shtetas shqiptarë në bllok në vitin 1953 dhe u ishte hequr shtetësia greke.
● Dhënia e shtetësisë shqiptare në bllok, të gjithë çamëve në vitin 1953, ishte rezultat i marrëveshjeve të fshehta me dy qeverive, si kërkesë e qeverisë Greke në prag të amnistisë së shtetit Grek, ku do të faleshin të gjithë ish shtetasit grekë të dëbuar. Shteti Grek nuk donte që çamët e dëbuar të riktheheshin dhe për të mos përfituar nga amnistia greke, kërkuan nga qeveria shqiptare e kohës, që t’u jepej shtetësia shqiptare. Ashtu u veprua. Me atë akt, çamët u përjashtuan nga amnistia dhe nuk u kthyen në vatrat e tyre amëtare.
Vijon
Shënim:(²). Marko Vafiadhis, ishte një politikan me emër i cili pasi jetoj rreth 23 vite në Bashkimin Sovjetik, u kthye në Greqi në vitin 1983. Më 1989-1990 ishte deputet i partisë PASOK-ut në Kuvendin e Greqisë.
Itali, më 09/prill/ 2019.- Fahri Dahri
_____

FAHRI DAHRI: FISI AGESTAEANS, FISI I PLAKONISË SË LASHTË RRON KRENAR TEK FISI I SOTËM I ÇAMËRISË (*) Pjesa I
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=8648

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura