DR.MOIKOM ZEQO: ANTIFASHIZMI SHQIPTAR

Tiranë, 7. 11. 2016: Të kuptuarit e historisë, është një nga provat më të mëdha mendore dhe të intelektualitetit sipëror të çdo kombi. Përvoja e mijëvjeçarëve tregon skajëzime të kobshme, triumfe të përkohshme të subjektivizmit, deformime të monopolizuara politike. Megjithatë historia nuk e bjerr dot substancën e saj dhe karakterin shkencor të padyshimtë, pavarësisht koncepteve dhe ideve relativiste, shpesh dhe alternativiste.
Çdo histori në vetvete është e shumëfishtë. Rrafshet politike, ekonomike, luftarake, kulturologjike, mund të studiohen në vetvete, por matrica e sintezës dhe e sinkretizimit është e plotfuqishme, në mënyrë që të pjesshmet të modelojnë të plotën, me një besueshmëri të kriticizmit shkencor, për të treguar të vërtetën e patjetërsueshme. Kjo do të thotë, që shkenca e historisë ka një karakter konceptual të mirëfilltë dhe është shumë më tepër se sa faktografia, apo kronologjitë e fosilizuara. Kjo kërkon një seriozitet të jashtëzakonshëm, që shpreh shkallën e lartë të vetëdijes së çdo kombi, jo vetëm në lidhje me vetveten, por edhe me të tjerët, sepse karakteri universal nuk mund të shmanget. Duke mos qenë parime, ose postulate teorike këto që thashë më sipër, bëjnë që ne, shqiptarët, sidomos tani në Mijëvjeçarin e Tretë, nën ndriçimin e proceseve të mëdha botërore të globalizmit, të rifitimit me përpjekje të vazhdueshme të një demokracie autentike dhe zhvillimit, të konceptojmë dhe të shkruajmë historinë, larg fallsifikimeve dhe mitizimeve të panevojshme, përtej mohimeve ekleziastike, duke vërtetuar kështu provën tonë më të madhe të emancipimit kombëtar dhe mbarënjerëzor.
Idea, për ta ringritur të rikonceptuar ngjarjen epokale të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare lidhet në substancë me europianizmin tonë modern, me zhvillimin e pandalshëm të kombit dhe të shoqërisë shqiptare, me optimizmin konceptual të të ardhmes të Shqipërisë të krejt historisë së saj, që ka skalitur identitetin dhe individualitetin tonë si popull, si kulturë dhe si qytetërim. Rikonceptimi i historisë së luftës nuk është fatalisht diçka e pamundshme, por absolutisht diçka e domosdoshme.

Shekulli XX është një shekull i madh dhe i jashtëzakonshëm edhe për ne shqiptarët. Fillimshekulli shpalli urbi et orbi Shtetin e Pavarur shqiptar, kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht. Kjo është Porta e Hapur për të gjitha ngjarjet deri në ditët e sotme, madje edhe për të gjithë ditët, që do të vijnë. Këtu është mbijetesa, madje dhe të tëra sekretet e vetëkuptueshme të zhvillimit dhe të së ardhmes.
Antifashizmi botëror është një kulturë e re dhe shumë e lartë e njerëzimit në shekullin XX. Lindja e fashizmit në Itali në vitin 1922 dhe e nazizmit në Gjermani më 1933, krijoi një situatë apokaliptike, nga më të rëndat dhe më katastrofiket në krejt historinë e njerëzimit. Benito Mussolini dhe Adolf Hitler qenë dykrenorja e përbindëshit, që kërcënoi gjithçka, që vuri në pikëpyetje vetë ekzistencën e kombeve, të qytetërimit europian dhe atij njerëzor me idenë absurde të perandorive totalitariste të spastrimit etnik dhe racor të një modelimi absurd dhe paranojak të një historie tjetër, të barbarizuar dhe të viktimizuar në sistem. Rreziku i fashizmit dhe i nazizmit nuk u kuptua që në fillim. Diplomacia europiane qe shpesh e plogët dhe respektonte konjukturat pa largpamësi. Këtë e vërteton Pakti i Munihut, tërë periudha para shpalljes zyrtare të Luftës së Dytë Botërore është deri diku një triumf ideologjik dhe fuqizim i paparë ndonjëherë i forcave ushtarake të agresorëve nazistë dhe fashistë. Midis konfuzioneve, paqartësive gjithsesi ndërgjegja e popujve po përpunonte një proces reagimi, duke mprehur instinktet e vetëmbrojtjes dhe duke kuptuar më në fund përmasat e llahtarshme të katastrofës.
Janë shkruar mijëra e mijëra libra për Luftën e Dytë Botërore, janë shfrytëzuar arkivat, por asgjë nuk është bërë në mënyrë shteruese dhe përfundimtare. Gjithmonë ka një cak të rifillimit, për të studiuar pambarimisht Luftën e Dytë Botërore. Kjo vlen dhe për historiografinë shqiptare, por edhe për historiografinë e huaj, që është marrë dhe merret me Shqipërinë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në këto rrethana, mund të them të vështira, Muzeu Historik Kombëtar ndërmori nismën për të bërë Projektin Muzeumologjik për ngritjen e Pavionit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Kjo nismë pati mediatizim të jashtëzakonshëm dhe u shoqërua me debate nga më të skajshmet, por një gjë nuk u vu kurrë në dyshim, që Projekti Muzeumologjik duhej të sendërtohej patjetër. Muzeumologët e Muzeut Historik Kombëtar, Këshilli Shkencor pranë institucionit, akademikët dhe profesorët, specialistë të fushës, me një tendosje të pazakontë punuan për të bërë realitet përurimin e ekspozitës përfaqësuese të rezistencës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Për afro tre muaj u punua në Arkivin e Shtetit, u shfrytëzua Arkivi i Muzeut Historik Kombëtar, një bibliografi shumë e pasur e botimeve dhe e shtypit të kohës në fondet e Bibliotekës Kombëtare, si dhe krejt literatura e botuar historiografike e të huajve për këtë çështje madhore.
Kështu u arrit që Projekti Muzeumologjik të pasurohet dhe të saktësohet, të shmangen subjektivizmat dhe politizimet e panevojshme, qoftë të majta dhe qoftë të djathta, për të arritur kështu te një përvojë e re institucionale për të bërë realitet këtë aksion muzeumologjik shumë të rëndësishëm dhe kryesor.
Antifashizmi Shqiptar është pjesë e Antifashizmit Botëror. Në mesin e shekullit XX, populli shqiptar me një vetëdije të admirueshme qe pjesëtar i një Aleance Botërore të Antifashizmit, ngjarje kjo që ndodh një herë në 2000 vjet.
Është hera e parë në histori që shqiptarët morën pjesë në një aleancë botërore të përmasave dhe të ngjarjeve kaq të thekshme dhe kaq sakrifikuese dhe madhështore.
Për të bërë më të qartë për vizitorët dhe studjuesit konceptin e këtij Projekti, nënvizojmë se muzeumologjia ka specifikën e vet, duke qenë një disiplinë shkencore e mëvehtëshme, ndonëse e pashkëputur nga historia, nga të gjitha disiplinat e saj përbërëse. Kategoria e historicitetit është jo thjesht kronologjike, por është ajo materie, që nuk pranon asnjë lloj amnezie qoftë kolektive, qoftë individuale. Respektimi i historicitetit është baza, paraqitja e dokumenteve autentike dhe e fakteve, është struktura, larg komenteve politike, apo retorikave butaforike, pasuria e madhe e relikteve të heronjve dhe pjesëmarrësve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare përbën koleksionin më monumental dhe intim, që ka mbetur i amshuar, duke mbartur ekzotikën tragjike të ngjarjes të paharruar. Këtu dallon edhe muzeumologjia, këtu është autenticiteti i saj dhe vlerat. Muzeumologjia nuk është identike me librat historikë, që janë shkruar dhe do të shkruhen, por as thjesht me korpusin arkivor. Pikat e ndërlidhjes janë të pamohueshme, gërshetimi është mjeshtëria dhe thelbi i muzeumologjisë, dallimshmëria e saj disiplinore, ka kështu një karakter integrues të padyshimtë.
Disa kritere kryesore janë respektuar sipas logjikës së mësipërme: është synuar, që të paraqiten ngjarjet e veçanta dhe kryesore brenda gjithë ngjarjes madhore në kufijtë kronologjikë. Personalitetet politikë dhe ushtarakë janë vënë në një raport të vetëkuptueshëm me pjesëmarrjen popullore në luftën e armatosur, morale dhe intelektuale kundër fashizmit. Janë paraqitur foto të paretushuara dhe janë rivendosur të gjitha figurat antifashiste, të cilët janë likuiduar dhe janë mohuar për arsye politike, duke bërë kështu një akt sa moral edhe shkencor të respektimit të së vërtetës.
Është respektuar zhvillimi kronologjik. Është interesante, gjë, që nuk duhet harruar, se Lufta e Vlorës më 1920, kur shqiptarët i hodhën në det italianët, pati një reagim të çuditshëm nga ana e Mefistofelit të Fashizmit, Benito Musolinit, i cili siç dihet e mori pushtetin dhe eksperimentoi shtetin e parë totalitar fashist, më 1922. Musolini shkroi disa artikuj, ku çlirimin e Vlorës nga shqiptarët, e quajti më të rëndë se sa Kaparetoja, e disfatës së italianëve nga austriakët në Luftën e Parë Botërore. Mussolini profetizoi rikthimin në Shqipëri pra, që më 1920 konceptohet zanafilla e pushtimit fashist italian të 7 prillit 1939. Një dijetar i urtë, paqësor, si Sotir Kolea i shkruan një letër në frëngjisht shkrimtarit të madh, por që u bë ideolog i fashizmit, italianit Grabriele d’Anuzio, duke e kritikuar me guxim, se si ka mundësi një shkrimtar i famshëm si ai, të kërkojë pushtimin e Shqipërisë së vogël, kjo gjë e vë në dyshim lavdinë e shkrimtarit dhe është antinjerëzore dhe antihistorike.
D’Anuzio me një stil patetik të kobshëm Disfatën e Vlorës e metaforizoi me thënien “Tani Italia i ngjan një kori të madh të tredhurish, se një Sikstinë pa Mikelanxhelon”. Ai me honorarët e tij bleu 40 milion fishekë për të vrarë shqiptarët. Ky aspekt ndoshta episodik, i zgjeron konotacionet e tij. Intelektualët e shquar shqiptarë me shumë guxim e kritikuan lindjen e fashizmit që në zanafillë, qoftë atë italian, qoftë nazizmin gjerman. Të guximshme janë skicat e Nonda Bulkës në horizontin e një talljeje universale të dy diktatorëve të mëdhenj Duçes dhe Hitlerit. E habitshme është profecia e Migjenit të madh në parabolën gati surrealiste “Të korrurat”, ku tregon metaforikisht popullin, që mbjell grurë dhe befas mbijnë topat. Ironikisht njerëzimi do të hajë hekur, pra instrumentet tragjike të vdekjes. Migjeni vdiq një vit para pushtimit fashist të Shqipërisë. Por para se sa të buçiste pushka, mitralozi i Mujo Ulqinakut, Migjeni i parapriu me idetë e shkruara me një lakonizëm tronditës “miqësisë” të stërnipërve të ilirëve, të romakëve, që do të nënkuptonte pushtimin, për ta bërë Shqipërinë “Bregun e pestë të Italisë”. Edhe mendja e fuqishme e Fan Nolit e stigmatizoi fashizmin, por edhe liriku delikat universal Lasgush Poradeci kritikoi idetë e librit të Hitlerit “Main Kampf” dhe persekutimin e hebrenjve, që çoi në holokaustin e tmerrshëm. Të pafundme janë shkrimet e shqiptarëve në organet e shtypit brenda dhe jashtë Shqipërisë, kundër ideve fashiste, pa harruar dhe vetë depërtimin e ideve fashiste në Shqipëri, me shëmbëlltyra të qarta, madje dhe organizative. Lufta e Spanjës ku morën pjesë vullnetarë shqiptarë, personalitete të shquar, si Skënder Luarasi, Mehmet Shehu, Mane Nishova, Petro Marko, Teni Konomi, Ramiz Varvarica, Musa Fratari, Xhemal Kada, Asim Vokshi, Urfi Agolli, Thimio Gogozoto, Dhimitër Kosta, Gjyzepina Shkupi etj., qe një parathënie e përgjakshme e Luftës së Dytë Botërore në vitet 1936-1938, një aspekt i armatosur ndërkombëtar i antifashizmit, ku shqiptarët reaguan trimërisht dhe sakrifikuan, larg çdo lloj indiference. Poema “Adelante Camerades” e shkruar nga antifashisti Mehmet Shehu e shpreh qartë këtë gjë. Mbretëria e Zogut ndodhet përballë rrezikut të pushtimit. Acarimet e mbretit Zog me Italinë, në vitet 1931-1933, kanë kuptimin e tyre. Por Paktet Politike të Shqipërisë me Italinë në vitet 1926-1927 qenë pararoja e pushtimit ekonomik për të përfunduar në pushtimin ushtarak më 1939. Ditari gati cinik i kontit Çiano, e shpjegon tërë strategjinë e pushtimit. Çiano, duke i treguar Mussolinit një gur minerali kromi nga Shqipëria, i tha atij fjalët proverbiale: “Ja, fiqtë e Kartagjenës!”. Nëse Roma e lashtë e mundi Kartagjenën, Italia fashiste nuk kishte asnjë skrupull për të pushtuar Shqipërinë. Mbreti Zog i bëri përpjekjet diplomatike për ta kundërshtuar një pushtim ushtarak të Shqipërisë, por faktet tregojnë, që ai nuk organizoi as rezistencën popullore. Më 5 prill, ai kishte drejtuar një thirrje demokracive perëndimore, ndërsa më 6 prill iu drejtua Antantës Ballkanike, por pa asnjë sukses. Ultimatumi i Mussolinit u artikulua nga armët e gjeneral Guzzonit. Në orën 5,30 të mëngjesit të 7 prillit 1939, të Premten e Shenjtë, Durrësi, Vlora, Shëngjini dhe Saranda u sulmuan prej 22.000 trupa të mbështetura prej 400 aeroplanësh, 300 tanke të lehtë dhe 12 anije luftarake. Shqiptarët bënë demonstrata të mëdha në ditët e mëdha të prillit dhe kërkuan armë, por armët nuk iu dhanë. Luftime të ashpra u zhvilluan në Durrës, ku spikati heroizmi i Mujo Ulqinakut, dhe i vullnetarëve si dhe një kontigjenti të vogël trupash, me Abaz Kupin si komandant i mbrojtjes së Durrësit. Ata që u vranë më 7 prill kundër pushtimit nuk do të harrohen. Rezistenca, ndonëse simbolike e popullit, u bë në të tëra pikat e zbarkimit. Italianët në Durrës lanë afro 400 të vrarë, kurse dokumentet thonë, që u vranë 700 italianë në krejt Shqipërinë. Jo i vogël qe edhe numri i shqiptarëve, që u sakrifikuan. Italianët, sipas studjuesit amerikan Fischer, u ndeshën në mungesën e veprimeve prej Zogut, Qeverisë dhe ushtrisë së tij. Në vend nuk kishte asnjë përpjekje serioze për qëndresë, as udhëheqje nuk kishte. Në këtë krizë përfundimtare Zogu veproi keq. Interesimi i parë i mbretit në atë ditë fatale ishte vetëm për shpëtimin e familjes së vet. Zogu thjesht nuk kishte energjinë e mjaftueshme të udhëhiqte një luftë të tillë. Është e qartë, se ai nuk besonte shumë në idenë e qëndresës. Fischeri merret dhe me aspektin grotesk të ditës së 7 prillit, duke thënë se një shembull veçanërisht trishtues qe një rrobaqepës i qytetit të Durrësit, i quajtur Reuf Xhuli, të cilin Andre Ryan e gjeti duke përgatitur flamuj italianë prej basme ditën, që italianët po shkelnin Shqipërinë. Një shkallë trimërie, të çuditshme tregoi ish kryeministri Mehdi Frashëri, i cili filloi të transmetonte në radio me iniciativën e tij sulme të forta në disa gjuhë të huaja kundër pushtimit të vendit si dhe t’i drejtonte paralajmërime Musolinit. Ai madje organizoi një numër të rinjsh të armatosur me revole. Por kur trupat e pushtimit arritën në portat e Tiranës ai kërkoi strehim në Legatën Turke, duke mos pranuar njëkohësisht të nënshkruante një deklaratë në mbështetje të italianëve. Filippo Anfuso, ndihmësi kryesor i Çianos i tha atij, ndërsa po shihte nga avioni brigjet e Durrësit “Në rast se shqiptarët do të dispononin një brigadë zjarri të pajisur mirë, ata mund të na kishin hedhur në Adriatik”. Çiano shënon në ditarin e tij “Nuk ka më Shqipëri të pavarur”.
7 prill 1939 është dita e parë e pushtimit fashist, por edhe dita e parë e rezistencës së armatosur antifashiste të popullit shqiptar. Të Premten e Shenjtë u kryqëzua Jezu Krishti. Simbolika për shqiptarët qe pikërisht ky kryqëzim. Përtej rastësisë e Premtja e Shenjtë do të ishte jo vetëm vdekja e përkohshme e Pavarësisë së Shqipërisë, por edhe çasti i Ringjalljes së saj nëpërmjet luftës popullore. Ngjarjet që pasojnë më pas, lidhen me një përpjekje groteske për “fashistizimin e Shqipërisë” dhe kolonizimin e saj.
Lufta italo-greke është një tjetër akord i tragjedisë, tashmë ballkanike. Shqiptarët qenë kundër kësaj lufte. Askush nuk mund të krijojë mistifikime dhe alibira të kobshme historike. Faktet dhe dokumentet e vërtetojnë qartësisht këtë gjë. Atentati i djaloshit Vasil Laçi, kundër Viktor Emanuelit gjatë vizitës së tij të fundit në Shqipëri, ka gjithashtu jo vetëm një simbolikë shqiptare, por edhe ndërkombëtare. Ndërkohë, reagimet e shqiptarëve kundër pushtimit qenë të shumanshme.
Ndër të parat çeta antifashiste në Europë qe ajo e Heroit Popullor dhe të lavdishëm Myslim Peza. Ndërkohë, si kudo në krejt kontinentin idetë komuniste kishin depërtuar edhe në Shqipëri. Grupet komuniste, të pafuqishme dhe me grindje me njëri-tjetrin nuk bënë dot asnjë lloj rezistence më 7 prill. Grupet komuniste arritën më në fund, nën trysninë e ngjarjeve dhe të ndërgjegjësimit për të krijuar më 8 Nëntor 1941 Partinë Komuniste Shqiptare. Ky është një moment historik shumë i rëndësishëm dhe i pamohueshëm dot nga askush. Enver Hoxha dhe komunistët shqiptarë konceptuan dhe nisën në mënyrë ilegale dhe të shumanshme organizimin e qëndresës popullore për çlirimin e Shqipërisë. Kjo dukuri nuk qe vetëm në Shqipëri, po në krejt kontinentin. Antifashizmi i PKSH është një gjë reale dhe e patjetërsueshme. PKSH ka meritën historike dhe rolin kryesor. Përveç komunistëve kishte dhe atdhetarë të tjerë, madje me bindje jo komuniste, të cilët nuk e donin fashizmin. Kjo situatë inkandeshente çoi në organizimin e Konferencës së Pezës në vitin 1942 si një nga kuvendet mbarëkombëtare më të rëndësishme, më vizionare, dhe më të mençura në krejt historinë e kombit shqiptar. Retrospektiva na ndihmon për të përafërsuar me Kuvendin e Lezhës së Gjergj Kastriot Skënderbeut më 1444, apo Lidhjen Shqiptare të Prizrenit më 1878, që evokohen në substancë edhe tek Konferenca e Pezës. Dokumentet origjinale arkivore e paraqesin Konferencën e Pezës të paretushuar dhe ashtu si ka ndodhur në të vërtetë. Për të bërë më të plotë dhe më të kuptueshme fizionominë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, kemi dy dimensione: dimensionin politik të ngjarjeve konceptuese dhe udhëheqëse të krejt Luftës si dhe dimensionin ushtarak të organizuar të luftës. Në dimensionin politik Konferenca e Labinotit, Kongresi i Përmetit dhe Mbledhja e Beratit kanë rëndësi vendimtare. Duke respektuar historicitetin janë dhënë nëpërmjet dokumenteve formimi i organizatave të tjera politike si Balli Kombëtar dhe Legaliteti, aktet e themelimit dhe programet e tyre, si dhe Takimi i Tapizës dhe Mbledhja e Mukjes. Dokumentet autentike plotësojnë kuadrin historik, por gjithashtu nëpërmjet dokumenteve po autentike tregohet realisht roli konkret i armatosur i partizanëve, por dhe degradimi në kolaboracionizëm i shumë elementëve, të quajtur nacionalistë. Çuditërisht këtë gjë e tregojnë qartë dokumentet e oficerëve anglezë, që veproni në Shqipëri. Dimensioni ushtarak është diçka shumë serioze në organizimin e luftës, siç është krijimi i Shtabit të Përgjithshëm me komandant Spiro Moisiun dhe komisar Enver Hoxhën, më pas Komandant i Përgjithshëm, krijimi nga çetat te batalionet dhe brigadat partizane. Këto përbëjnë edhe thelbin e gjithçkaje, kalimin në një fazë cilësisht më të re, të luftës së organizuar. Dokumentet e shtatmadhërive të ushtrisë italiane dhe asaj gjermane, që ekspozohen për herë të parë, janë dëshmia nga pika e kundërt e shikimit e asaj, që ndodhi në të vërtetë në Shqipëri. Karakteri masiv i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare është i gjithmbarshëm në qytete, në fshatra dhe në krahina të largëta, nga Jugu në Veri. Shkëlqimi i trimërisë shqiptare tregon një vitalitet të habitshëm. Kjo gjë, u kuptua dhe u konfirmua ndërkombëtarisht dhe zyrtarisht nga aleatët e mëdhenj, nga Anglia, SHBA dhe BS. Kjo njohje institucionale lidhet jo rastësisht me partizanët dhe të tërë strukturën e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, të drejtuar nga Enver Hoxha. Ky konfirmim është një rezultat, ka qenë një njohje e vështirë plot peripeci, por gjithsesi qe një njohje objektive dhe historike. Ushtria Nacionalçlirimtare tregoi aftësi të mëdha, kurajo dhe moral të lartë. Një tjetër akt i jashtëzakonshëm qe urdhri për kalimin e divizioneve dhe formacioneve ushtarake përtej kufirit shtetëror të Shqipërisë për të çliruar Kosovën dhe viset e tjera të Jugosllavisë deri në Vishegrad. Ky është një akt unikal në historinë e kombit shqiptar. Nuk janë lënë në harresë edhe kontributi i partizanëve minoritarë, të cilët kanë heronjtë e tyre të luftës, as inkuadrimi i popullsisë çame në formacionet partizane shqiptare, por edhe në ato greke të EAMI-it.
Një gjë e re dhe e veçantë që vihet në dukje për herë të parë është veprimtaria e aleatëve, kryesisht e anglo-amerikanëve në Shqipëri.
Ka një numër të madh dokumentesh, që e tregojnë këtë veprimtari, ashtu siç ka edhe dëshmorë të këtyre misioneve, që u vranë për lirinë e Shqipërisë. Nuk janë lënë në harresë as kontributet e ushtarëve etnikë të huaj, si p.sh. antifashistët italianë të batalionit “Antonio Gramshi”, as bashkëpunimi me partizanët jugosllavë, grekë dhe maqedonë. Kjo plotëson kuadrin ballkanik dhe rajonal të Luftës Antifashiste të armatosur, duke plotësuar në shumë aspekte dhe elemente Aleancën Antifashiste Botërore në përgjithësi.
Një kënd më vete përbën fakti unikal në Evropë, që populli shqiptar, qe i vetmi popull në kontinent, që nuk tradhëtoi dhe dorëzoi asnjë hebre në duart e nazistëve, si dhe shumë prej këtyre hebrenjve luftuan si partizanë me armë në dorë. Një faqe gjithashtu më vete përbën heroizmi i fëmijëve, i rinisë dhe gruas antifashiste.
Në këtë aspekt edhe pasqyrimi i krijimtarisë së tyre letrare, i ditareve, letrave, përbën një motiv shpirtëror të klasit të parë. Pasqyrimi i masakrave të popullit shqiptar, hap një ekran të tragjedisë. Me mijëra janë të pushkatuarit, të internuarit në kampe fashiste përqendrimi, të vrarët në tortura, nga më makabret. Kuptimplotë është ç’varrosja nga dheu e Kajo Karafilit të vrarë nga kolaboracionistët, gjoja për ta poshtëruar pas vdekjes. Operacionet ushtarake janë dhënë nëpërmjet një hartografie të shkëlqyer, një punë shkencore e imët, dhe e kujdesshme. Nuk janë harruar gjithashtu dhe veprimtari të tilla si Spitali Partizan, elementet e ndërlidhjes ushtarake, dokumentet e Shtabit të Përgjithshëm, një pasuri e tërë e taktikave dhe përvojave operacionale moderne të luftës. Të gjitha këto përbëjnë një trashëgimi të paçmuar, tregojnë një kulturë të shkencës ushtarake në rritje në mënyrë graduale një aftësi të riorganizimeve, si dhe të talentit ushtarak të personaliteteve të luftës, që treguan talente të admirueshme. Historia mbas Operacionit famëkeq të Dimrit të gjermanëve, me emrin e koduar “Gjenerali Dimër”, sidomos Lufta për Çlirimin e Tiranës, veprimet e brigadave partizane, sidomos të Brigadës së Parë, të drejtuar nga Mehmet Shehu etj., tregojnë forcën elastike, mençurinë, moralin shumë të lartë të çlirimtarëve, me bindje të palëkundur për fitoren përfundimtare. Shkëlqejnë emrat e heronjve të tillë të luftës, si Myslim Peza, Haxhi Lleshi, Baba Faja Martaneshi, etj. Afro 90 Heronj të Popullit janë pararoja e dhjetra mijëra dëshmorëve.
Një gjë e pashembullt arkivore lidhet me fondin fotografik të bërë gjatë luftës, në arkivin e MHK janë afro 25.000 negativa, ky fond fotografik ka pasqyruar ngjarje si asnjëherë tjetër në histori më parë. Këto foto të bëra shpesh nga fotografë të thjeshtë, jo profesionistë, ose nga vetë pjesëmarrësit e luftës kanë të koncentruar në celuloid një ekzotikë të papërsëritshme dhe një autenticitet tronditës. Një vlerë të veçantë historike ka fotografia e Nako Spiros në Tiranë, përpara ndërtesës së Institutit të sotëm të Akademisë së Arteve, duke shpallur para popullit Çlirimin më 29 nëntor 1944 të Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë. Kjo gjë konfirmohet edhe nga dokumentet ushtarake gjermane.
Shqipëria është i vetmi vend europian, që u çlirua nga populli dhe brigadat partizane. Ky është një fakt historik që kuptohet brenda rrethanave historike të kohës. Çlirimi i Shqipërisë nga pushtimi nazifashist është një nga fitoret më të mëdha historike të popullit shqiptar. Nderimi për të rënët dhe sakrificat është i përjetshëm.
***
Për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare është botuar një literaturë shumë e gjerë. Kjo literaturë pasurohet vazhdimisht. Përveç memuareve dhe studimeve monografike janë botuar edhe libra nga autorë të huaj, seriozë, si p.sh. studiuesi amerikan Bernd J. Fischer “Shqipëria gjatë luftës 1939-1945”. Fischer ka bërë një histori jo vetëm të analizës politike dhe ushtarake, por edhe të analizës ekonomike, të gërshetimit të faktorit shqiptar me atë ndërkombëtar. Amerikani Fischer, në mënyrë të paanshme dhe objektive ka dhënë një model konceptual të analizës, duke shfrytëzuar burime arkivore dhe dokumente të shumta. Fischer thekson se vetëm gjatë Luftës së Parë Botërore, shteti i porsakrijuar shqiptar u shkel dhe u pushtua jo më pak se nga 6 ushtri të huaja. Përsa i përket Luftës së Dytë Botërore, Fischer thotë se lufta në Shqipëri filloi më herët dhe zgjati më shumë. Italianët hynë dhe e pushtuan Shqipërinë në prill 1939, shumë më parë se sa pushtimi gjerman i Polonisë dhe përpara se Lufta e Dytë Botërore të shpallej zyrtarisht, ndonëse shumë shqiptarëve ky fakt nuk i duket i tillë. “Në një farë kuptimi, lufta në Shqipëri mund të shihet si një miniaturë e luftës, që u zhvillua në Ballkan dhe në Europë të marra së bashku. Megjithatë, gjatë kësaj lufte Shqipëria vuajti prej gjithë të këqijave të saj, për të mos thënë më shumë.
U gjetën kolaboracionistë për të ngritur sipas avazit qeveritë kukulla, ndërkohë që qëndresa filloi të organizohej për ndëshkimin e tradhëtarëve dhe dëbimin e pushtuesit. Sikurse edhe në rajone të tjera të Europës, qëndresa u përvijua sipas linjave politike.
Për Aleatët, rezultoi vështirë, se cili grup duhej mbështetur, ndonëse ata luajtën një rol të rëndësishëm në drejtimin dhe furnizimin e trupave të qëndresës. Më në fund pushtuesit u dëbuan dhe kolaboracionistët u dënuan si dhe në rajonet e tjera të Europës. Në mbarim të luftës, rreth fundit të vitit 1944, komunistët nuk kishin kurrfarë kundërshtari real dhe arritën të kapnin si udhëheqjen ushtarake dhe atë politike”. Fischeri thotë me të drejtë se “lufta e nxori Shqipërinë jashtë një forme izolimi, por njëkohësisht e vërtiti atë në një formë tjetër. Edhe përpara luftës, Shqipëria ishte në të vërtetë vendi më i izoluar i Europës. Përvoja e kohës së luftës e vuri detyrimisht Shqipërinë në kontakt me të huajt dhe me armët e tyre”. Gjithashtu Fischer thekson, se çdo aspekt i qytetërimit shqiptar u mat me përvojën e kohës së luftës. “Nuk është e mundur të kuptosh shqiptarët – diçka që po bëhet gjithnjë e më e domosdoshme me hapjen e Shqipërisë ndaj pjesës tjetër të botës së kohëve të fundit, pa një kuptim të qartë të Shqipërisë gjatë kohës së luftës. Ndoshta Lufta e Dytë Botërore mund të të trajtohej tej mase, por në këtë rast të kuptuarit e Shqipërisë gjatë periudhës 1939-1945 është vendimtar, nëse kërkojmë të trajtojmë në mënyrë të zgjatur shqiptarët e fundviteve 1990. Ndërkohë që Shqipëria po përpiqet për herë të parë të bëhet pjesë e Europës në kuptimin e vërtetë të fjalës dhe po nxirret e papërgatitur për t’u shfaqur nën dritat e skenës ndërkombëtare, si rrjedhojë e tragjedisë në vazhdim të Ballkanit të viteve 1990 dhe kolapsit shqiptar të vitit 1997, të kuptuarit e viteve të luftës, të cilat kontribuan aq shumë për t’i dhënë formë shtetit dhe kombit shqiptar gjatë 50 vjetëve të shkuar, do të ishte shumë i dobishëm”.
Fischer thotë se disa ditë pas pushtimit të Shqipërisë, Presidenti amerikan Rusvelt, bëri ndërhyrjen e tij të parë në politikën europiane, duke i bërë thirrje Hitlerit dhe Mussolinit, të jepnin garanci se ata nuk do të sulmonin 29 vende, të përcaktuara në një listë, për një periudhë 10 vjeçare. Ajo çka është më e rëndësishme, Britania e Madhe dhe Franca lëvizën menjëherë për të garantuar Greqinë dhe Rumaninë kundër çdo agresioni. Në Athinë, ambasadori britanik, i dorëzoi Qeverisë greke, garancinë pa kushte se Londra nuk do të lejonte, që Korfuzi, apo ndonjë pjesë tjetër e Greqisë të pushtohej prej italianëve. 10 ditë më vonë, britanikët shpallën mobilizimin e detyruar ushtarak, lëvizje kjo, që dukej se shënonte një ndryshim themelor në politikën e jashtme të Londrës. Menjëherë pas këtij zhvillimi kuptimplotë, Londra nënshkroi një pakt me Ankaranë. Është shumë i rëndësishëm konkluzioni i Fischer se: “në një farë kuptimi, ngjarjet e Shqipërisë shënuan një etapë të rëndësishme në procesin e ndërtimit gradual të Koalicionit Antifashist për shkatërrimin e fashizmit. Gjithashtu, mund të pohohet se flijimi i Shqipërisë nuk shkoi kot, ndonëse shqiptarët nuk do të ngushëlloheshin dot kurrsesi prej një fakti të tillë.” Të mprehta dhe serioze janë mendimet e Fischer për ndërtimin “e Shqipërisë italiane”. Ai e përshkruan shkrimtarin Ernest Koliqi, që u bë Ministër i ri i Arsimit në qeverinë shqiptare fashiste si një “Eminenca Gri” i Italisë në Shqipëri, dhe se emri i Koliqit ishte njollosur nga kompromisi, që kish bërë me italianët, dhe se ai bënte pjesë në listën e personave, që paguheshin nga Çiano personalisht. Më 13 prill 1939 Këshilli i Madh Fashist italian miratoi bashkimin e shpallur nga Asambleja Kushtetuese Shqiptare, ndërsa tri ditë më vonë, në Itali doli një ligj, që autorizonte dhe shpallte pranimin e Kurorës së Shqipërisë nga Viktor Emanueli. Në 15 prill 1939, Verlaci kryesoi një delegacion shqiptar në Romë, në të cilin bënin pjesë 49 vetë, që do të vendosnin zyrtarisht t’i jepnin Kurorën Shqiptare Viktor Emanuelit III. Anëtari më i shquar i delegacionit, veç Vërlacit, ishte peshkopi ortodoks Visarion, i cili menjëherë pas pushtimit italian nuk la gjë pa bërë për të mirëpritur pushtuesit, dhe fitoi në këtë mënyrë përbuzje të përgjithshme. Gjatë fjalës së pranimit të kurorës së Viktor Emanuelit, si dhe gjatë fjalës së Mussolinit, shqiptarët ishin në ankth të dëgjonin fjalën “pavarësi”, por ata nuk e dëgjuan këtë gjë aspak. Më 1939 u aprovua Kushtetuta, e cila e institucionalizoi bashkimin personal midis Shqipërisë dhe Italisë, duke vulosur humbjen e Pavarësisë Shqiptare. Çiano shënoi në ditarin e tij “Operacioni për tredhjen e Shqipërisë, pa bërë pacientin të klithë nga dhimbja – aneksimi, tani praktikisht është realizuar”. Kjo Kushtetutë bëri që krejt pushteti politik të përqendrohej në duart e diktatorit Duçe, nëpunësit e tij ekzekutivë qenë shefat e departamenteve të shtetit sundues dhe bashkë me ta ka edhe një guvernator të përgjithshëm. Në të njëjtën kohë, Guvernatori i Përgjithshëm ushtron kontroll mbi regjimin kukull, i cili shërben si tampon midis autoriteteve të shtetit sundues dhe popullsisë së vendit të nënshtruar. Më 23 prill 1939 Jakomoni, përfaqësuesi i plotfuqishëm italian nga rangu i ambasadorit, u emërua Mëkëmbës i Parë. Ky u bë kështu sundimtar i vërtetë i Shqipërisë. Më 3 qershor 1939, Ministri kolaboracionist Xhemil Dino, nënshkroi me Çianon në Pallatin Kixhi një traktat, që bënte shkrirjen e shërbimeve diplomatike dhe konsullore midis Italisë dhe Shqipërisë. Më 26 maj 1939, qeveria e Kryeministrit Verlaci, “propozoi” shkrirjen e ushtrisë së vogël shqiptare prej 6 batalionesh dhe 6500 ushtarë me ushtrinë perandorake italiane. Ky ndryshim u miratua nga ligji italian i 13 korrikut 1939. Pushtuesit i dhanë rëndësi performancës politike. Që në 11 prill 1939, Çiano sajoi një grup shqiptarësh “që kërkonin formimin e Partisë Fashiste Shqiptare”. Më 23 prill 1939, Akile Starace, Sekretar i Partisë Fashiste Italiane, arriti në Shqipëri dhe me dy luftanije, veprime këto, të ndërmarra për të shpallur themelimin e Partisë Fashiste Shqiptare. Më 6 qershor 1939, Partia Fashiste Shqiptare shpalli statutin e vet, por u pajis me një kryesi të organizuar dhe me një Këshill vetëm në mars 1940. Sekretar i përgjithshëm i Partisë Fashiste Shqiptare u shpall Tefik Mborja. U krijua dhe Organizata e Gruas Fashiste si dhe “Ente Asistenzza Fassista”. Një orvatje trashanike u bë për të rekrutuar shqiptarë jashtë Shqipërisë si anëtarë të Partisë Fashiste Shqiptare, por kjo përpjekje dështoi. Statuti i Partisë Fashiste Shqiptare i përjashtonte çifutët, gjë që kishte karakter racist. Tani e tutje Shqipëria dhe Italia konsideroheshin si territor i vetëm, përsa i përket doganave, po në sistemin doganor italian. Politika fashiste italiane u bë zotëruese në gjithçka. Tashmë Shqipëria ishte “La quinta sponda” (“Bregu i pestë”) i Italisë. Më 28 tetor 1940 8 divizione italiane me rreth 140.000 vetë sulmuan Greqinë gjatë një fronti të gjatë rreth 200 km. Ky operacion qe një katastrofë për italianët, shqiptarët u ngritën në demonstrata kundër pushtimit të Greqisë dhe të rekrutuarit shqiptarë i braktisën formacionet e tyre. Lufta italo-greke krijoi një alibi të rrezikshme deri në ditët e sotme, të të ashtuquajturit “ligji i luftës” midis Shqipërisë dhe Greqisë. Është paradoksale mbijetesa e këtij absurdi deri më sot. Më 17 maj 1941, Viktor Emanueli III ju bë atentat gjatë vizitës së tij në Shqipëri nga djaloshi Vasil Laçi. Shtypi fashist e përshkruan Vasil Laçin si një njeri, që ishte “nën nomatisjen e një çmendurie poetike”. Në maj 1941 fashitët bastisën 1.130 shtëpi, 21.131 shqiptarë u quajtën armiq të shtetit dhe 5.270 shqiptarë u internuan. Fischer, flet për Myslim Pezën si udhëheqës i një çete antifashiste, i cili kish qenë kundërshtar i hershëm i Zogut. Luftëtarë antifashistë qenë edhe Baba Faja Martaneshi etj. Ndërkohë zhvillimet brenda Shqipërisë qenë të pareshtura. Dokumentohet veprimtaria komuniste në Shqipëri që në fillim të viteve 20. Në 1928 organizohet KONARE (Komiteti për Çlirimin Kombëtar). Veprimtari më aktiv i kësaj periudhe ishte Ali Kelmendi. Kominterni dërgoi në Shqipëri Koço Tashkon, i cili mbriti më 1937 dhe gjeti 4 grupe komuniste në grindje me njëra-tjetrin me gjithsej 200 anëtarë. Grupi komunist i Korçës mbështeti Kominternin. Në shkurt 1939 u arrestuan dhe iu bë gjyqi shumicës së grupit komunist të Shkodrës. Më 8 nëntor 1941 u themelua Partia Komuniste Shqiptare. Krijimi i Konferencës së Pezës më 1942, qe një ngjarje madhore. Sipas Fischer-it Myslim Peza qe kthyer në një legjendë në Shqipëri. Konferenca e Pezës, përcaktoi programin: 1. Luftë pa kompromis kundër pushtuesve fashistë e tradhëtarëve, për një Shqipëri të lirë, të pavarur e demokratike. 2. Organizimi i gjithë shqiptarëve në front, për çlirim kombëtar pa dallim klase, bindjeje politike, feje dhe krahine. 3. Këshillat nacional-çlirimtare të ngriheshin kudo si organe të pushtetit popullore. 4. Kryengritja popullore e armatosur duhej të popullarizohej dhe të përgatitej për fazën e saj të fundit, si rrjedhojë logjike e luftës partizane. Mospërmendja e reformave rrënjësore shoqërore në këtë platformë synonte të tërhiqte mbështetjen e jokomunistëve. Këshilli i përgjithshëm mbikëqyrte këshillat nacionalçlirimtare dhe njësitë partizane.
Krijimi i organizatave të tjera politike si Balli Kombëtar dhe Legaliteti qenë në thelb një kundërvënie ndaj Partisë Komuniste dhe lëvizjes partizane, thotë Fischer. Por një konstatim i tillë nuk ishte një gjë, që duhej thjeshtëzuar. Është fakt se shumë intelektualë me formim kulturor të këtyre organizatave kanë patur edhe traditë edhe veprimtari atdhetare, gjë që nuk mund të mohohet. Figura të tilla si Lumo Skëndo, Abaz Ermenji, Isuf Luzaj, Safet Butka etj., kanë veprimtari kulturore dhe letrare. Një pjesë e tyre qenë antizogistë dhe qenë të aspiruar nga idetë e demokracive perëndimore. Ata nuk e donin komunizmin por pjesëmarrjen e komunistëve në luftën e armatosur antifashiste nuk e vlerësuan me objektivitet, duke e parë si një pikë kundërshtimi të vazhdueshëm, pra si një opsion përjashtues nga të gjitha pikëpamjet. Por kjo ishte në kontradiktë me vetë dukurinë e boshtit antifashist botëror, që u sendërtua jo nga përjashtimet e ndërsjellta doktrinore, sepse shtete me sisteme të ndryshme politike madje antagoniste nga pikëpamja doktrinore si Bashkimi Sovjetik komunist dhe Anglia me SHBA, kështjella të konceptit shoqëror të demokracive perëndimore arritën të ngrihen mbi dallimet e kontrastet dhe të bashkojnë forcat në një luftë të koordinuar kundër nazifashizmit botëror. Shembulli i këtyre tre shteteve të mëdha në momentin historik duhej të qe kuptuar më mirë nga tërë atdhetarët në Shqipëri, qoftë jokomunistë, qoftë dhe komunistë. Le të marrim shembullin e Francës. Në luftuan si antifashistë edhe komunistët por edhe nacionalistët e De Golit. Nëse De Goli nuk do të luftonte statusi i tij moral në histori nuk do të ekzistonte. Peteni, qe heroi i Verdunit, hero i Luftës së Parë Botërore në Francë. Por Peteni me Qeverinë e tij të Vishisë u bë një kolaboracionist me nazistët, madje duke ligjësuar edhe persekutimin e hebrenjve. Pas luftës Peteni u dënua me pushkatim si tradhëtar, më pas dënimi i tij u ndërrua në burgim të përjetshëm. Askush nuk e fali kolaboracionizmin e tij. Nëse Franca nuk e fali kolaboracionizmin pse Shqipëria nuk duhet ta dënojë kolaboracionizmin? Pse shembulli i Francës është i pakritikueshëm dhe diçka e pranueshme? Kolaboracionizmi qe një dukuri universale në Europë. Qeveritë Kuislinge shqiptare janë një shëmbëlltyrë e qartë dhe e neveritshme. Kjo optikë është e vlefshme edhe për shqiptarët. Moskuptimi i kësaj optike është një marrëzi. Si Balli Kombëtar ashtu dhe Legaliteti ndoshta nuk e donin pushtimin fashist të Shqipërisë në programet e tyre. Ata ngritën edhe disa grupe të armatosura, patën lidhje me aleatët anglo-amerikanë, madje edhe me partizanët, por mosmarrëveshjet për një bashkëpunim midis tyre morën një karakter fatal, të pariparueshëm më. Figura të tilla si Abaz Kupit për një kohë të gjatë u quajtën si figura potenciale, për t’u integruar në luftën e armatosur. Bënë dhe aksione të veçanta, madje si Hysni Lepenica e Skënder Muço u vranë nga pushtuesit. Shumë nacionalistë patën procesin e tyre të evolucionit në dy skaje: një pjesë e madhe u hodhën me forcat partizane sidomos në 1944 kurse një pjesë e tyre, për fat të keq degraduan në kolaboracionistë. Duhet një studim i gjerë dhe i hollësishëm për të rikonstruktuar me objektivitet historinë e këtyre organizatave, duke bërë diferencime të elementëve të ndryshëm, por pa mohuar faktin e rezultatit final deri në çlirimin e Shqipërisë.
Krijimi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare qe një fazë cilësisht e re e luftës së armatosur.
Më 24 korrik 1943 anëtarët e Këshillit të Madh Fashist e rrëzuan Mussolinin, i cili u arrestua. Badoglio shpalli kapitullimin e Italisë Fashiste më 8 shtator 1943. Fischer thotë “padyshim shqiptarët kontribuan jashtë mase në këtë ngjarje”. Në korrik 1943, italianët kishin në Shqipëri 8 divizione me mbi 100.000 trupa. Fischer nuk ngurron të thotë se “Shqipëria ka një meritë të veçantë për rënien e Mussolinit e kapitullimin e Italisë” Ndërkohë nazistët gjermanë ndërhynë. Në gusht 1943 gjermanët pushtuan Shqipërinë me afro 6000 trupa. Ata bënë masakrën shembullore në fshatin Borovë. Pushtimi gjerman qe llahtarisht më i rëndë. Fillon kështu një fazë e re e luftës antifashiste. Gjeneralët italianë si Ezio Rossi dhe Dalmazzo ju dorëzuan trupave gjermane së bashku me armatimet dhe pajisjet. Gjermanët zunë rob në Shqipëri 90.000 italianë, ndërsa 45.000 italianë u shpërndanë në Shqipëri dhe shumë prej tyre u bashkuan me trupat antifashiste shqiptare. Kështu u krijua batalioni i famshëm “Antonio Gramshi”, me antifashistë italianë. Gjermanët luajtën me kartën e “Shqipërisë së Madhe” por ushtruan një diktaturë të egër në Shqipëri. Gjeneralët gjermanë Neubacheri dhe Theodor Geijb qenë të pamëshirshëm. Ata vendosën të shkatërronin LNÇ. Sipas Fischer udhëheqësit e Ballit Kombëtar ishin të bindur, se gjermanët duhej të qëndronin në Shqipëri vetëm për një kohë të shkurtër dhe se gjermanët mund të përdoreshin kundër kundërshtarëve të tyre partizanë. Asambleja si organ ekzekutiv i pushtimit gjerman, zgjodhi si kryetar të saj Lef Nosin, anëtar i spikatur i Ballit Kombëtar. Qeveritë kuislinge shqiptare në diktatin gjerman i shërbyen pushtimit. Mehdi Frashëri pranoi të kryesonte Këshillin e Regjencës. Të tëra qeveritë kuislinge artikuluan mbështetje ndaj nazizmit. Gjermanët sollën në Shqipëri mbi 36.000 trupa. Sipas gjeneralit nazist Neubacherit duhej të bëhej “një mobilizim kombëtar kundër komunistëve”. Nazistët organizuan një batalion prej 170 vullnetarësh nga Kosova si instrument i sigurisë së rendit në Shqipëri.
Naubacher nëpërmjet nazistit Scliev arriti të marrë garancinë e Mithat Frashërit, se sidoqoftë Balli Kombëtar, ndonëse qe deklaruar kundër forcave të Boshtit gjatë pushtimit italian nuk do të merrej asnjë veprim armiqësor kundër gjermanëve. Elementët e Ballit Kombëtar dhe të Legalitetit, përveç disa kundërsulmeve sporadike nuk i angazhuan forcat e tyre në luftën kundër gjermanëve. Ndërkaq, partizanët sulmuan nazistët gjermanë në të gjithë vendin. Kjo gjë vërtetohej nga dokumentet gjermane. Mbas marrëveshjes së Mukjes Balli Kombëtar në 7 tetor 1943 u urdhërua nga Këshilli i tij Qendror të ndalonte çdo veprim armiqësor kundër gjermanëve.
Në këtë fazë sipas Fischerit, shumica e anëtarëve të Ballit Kombëtar rrëshqitën në një kolaboracionizëm më të plotë se ç’kishin pasur me italianët. Çetat e Ballit Kombëtar nisën t’i informonin gjermanët rreth veprimtarisë së LNÇ, më pas ata filluan të merrnin fonde nga gjermanët dhe fituan mundësinë të blinin armë si nga qeveria kolaboracioniste ashtu dhe nga gjermanët. Shumë shpejt ata morën në administrim zona të tëra të vendit në emër të dy palëve. Rreth fillimit të shkurtit 1944 oficerët britanikë njoftonin, se për partizanët po bëhej tepër e vështirë të sulmonin gjermanët, pasi shpesh njësitë gjermane mbuloheshin nga Balli Kombëtar dhe forcat e tij – të cilat luftonin aktivisht kundër partizanëve, e ishin bërë tashmë pjesë normale e çdo force gjermane. Kjo lëvizje e Ballit Kombëtar qe një lëvizje taktike e përllogaritur, e cila doli katastrofike, por Fischer ve në dukje se “provat për këtë kolaboracionizëm janë të shumta, por të dënosh të gjithë elementët e Ballit kombëtar si kuislingë do të ish një padrejtësi për shumë nga anëtarët e tij”. Është fakt që më 1944 shumë anëtarë të Ballit u hodhën me partizanët. Në nëntor të vitit 1943 vetë Këshilli i Ballit Kombëtar, nën drejtimin e Mithat Frashërit u dorëzoi britanikëve një dokument të nënshkruar, ku thuhej se Balli Kombëtar dëshironte të luftonte kundër gjermanëve. Por Fischer thotë se “Qysh nga momenti i pushtimit gjerman, pavarësisht nga disa përjashtime, rregulli i Ballit Kombëtar ishte kolaboracionizmi”. E njëjta optikë analizë është edhe për Legalistët. Abaz Kupit e kishte mundësinë potenciale të një mbështetjeje të gjerë, por Fischer thotë “Kupi vazhdoi të ishte i pavendosur dhe të ndiqte një politikë mosluftimi”. Akoma më tej faktet tregojnë se “Kupit dhe prijësit e Veriut, si dhe Balli Kombëtar rrëshqitën gradualisht në kolaboracionizëm. Kupi, si dhe Bajraktari, nënshkruan një besë, një pakt mossulmimi me gjermanët. Ndërkohë forcat partizane vepronin. Operacionet e koduara gjermane synuan shkatërrimin e tërë antifashizmit. Në janar 1944 gjeneral brigadieri E.F.Davies, Komandant i oficerëve britanikë në Shqipëri dhe njëkohësisht oficeri me gradë më të lartë, që vepronte në Shqipëri u plagos prej një çete të Ballit Kombëtar dhe iu dorëzua gjermanëve. Pas zënies rob të Daviesit misioni britanik thuajse u shkatërrua plotësisht. Kjo përbënte një goditje të rëndë për prestigjin britanik dhe meqenëse bashkë me Davies-in në duart e gjermanëve ra edhe ditari i tij, u desh dhe një farë ndryshimi në planin e mëparshëm. Gjermanët, të vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj ngjarjeje, njoftonin rreth saj në gazetën zyrtare “Volkischer Beobachter”. Në shkurt 1944, Neubacheri vlerësonte se në një mënyrë ose në një tjetër mbi 10.000 nacionalistë ndihmonin gjermanët të përndarë përafërsisht në 15 grupe, prej të cilave gati gjysma ishin të Ballit Kombëtar. Operacioni gjerman i Dimrit dështoi. Partizanët provuan se ishin më shumë elastikë se sa e kishin parashikuar vetë gjermanët britanikët ose shumë shqiptarë. Sipas Margaret Hasluck tek “partizanët zotëronte disiplina, energjia dhe qartësia e qëllimit”. Qëllimi i partizanëve për rivendosjen e Shqipërisë së pavarur në një sistem shoqëror të ngritur mbi barazinë, qe diçka, për të cilën shumë njerëz qenë gati të sakrifikonin. Në të kundërtën, të pakët ishin ata që qenë të gatshëm të bënin të tilla sakrifica për rivendosjen e sistemit shoqëror të Zogut, i cili ishte i qartë se kishte dështuar. Rigjallërimi i forcave gjermane u ndihmua gjithashtu edhe nga rifillimi i parashutimeve nga britanikët. Në dhjetor 1943 detashmenti ajror 334, njësia, që përgjigjej për furnizimin e shqiptarëve u zhvendos nga Tokra e Libisë në Brindizi. Në janar 1943 u parashutua 25,8 ton materiale, prej të cilave 6,5 ton ju hodhën nacionalistëve të Veriut. Në shkurt u hodhën 20,6 ton, nga të cilat nacionalistëve ju shkuan 7,3 ton. Në mars sasia arriti në 29 ton dhe në prill 27,8 ton, por kësaj here ky furnizim shkoi i tëri në favor të partizanëve. Mirëpo, ky material ishte shumë pak në krahasim me nevojat e përgjithshme të partizanëve, ndaj ndihma materiale e hedhur nga britaniku, thotë Fischer, nuk mund të vërehet si vendimtare. Deklarata e Britanikëve dhe Aleatëve e dhjetorit 1942, e cila bënte thirrje për rivendosjen e Shqipërisë së Pavarur mbetej themeli i politikës britanike. Në tetor 1943 Foreign Office pati një vëmendje më të madhe ndaj Shqipërisë. Por një marrëveshje e shkruar dhe e firmosur nga Mithat Frashëri, sipas së cilës Balli Kombëtar duhej të niste luftën kundër gjermanëve, nuk u vu kurrë në zbatim dhe qe thjesht një retorikë. Kështu gjenerali Davies, siç thotë në kujtimet e tij në dhjetor 1943, rekomandoi një ndryshim rrënjësor në politikën britanike në Shqipëri. Ai telegrafoi se denoncimi i Ballit Kombëtar dhe i zogistëve ishte tashmë diçka e domosdoshme. Partizanët kishin hasur në njësi të përziera gjermano-balliste dhe Kupi nuk kishte lëvizur ende. Davies rekomandonte, që Qeveria Britanike të deklarohej shpejt, përfundimisht dhe hapur në mbështetje vetëm për partizanët. Ky ishte dhe mesazhi i fundit i tij. Mbas disa ditësh, ai u kap rob nga gjermanët i tradhtuar nga ballistët. Vakumi që krijoi kapja rob e Daviesit, u plotësua në Jug të vendit nga dy shefa misioni Norman Wheeler dhe Alan Palmer dhe nga Bill Mc Lean në Veri. Philip Lake, shef i seksionit shqiptar të COE-s vizitoi Shqipërinë për një periudhë dyjavore në mars 1944 dhe njoftoi se aftësitë luftarake të partizanëve në betejë ishin përmirësuar së tepërmi. Më 15 prill 1944 Hoxha u dha urdhër UNÇSH për fillimin e ofensivës në krejt territorin e vendit. Në këto kushte pushtimi gjerman u dobësua së tepërmi. Fischer thotë se futja e anëtarëve të Ballit Kombëtar në qeverinë kuislinge gjermane në shkurt 1944, në vend që të forconte këtë të fundit, kishte dobësuar faktikisht Ballin Kombëtar dhe kishte minuar në krejt vendin ndikimin e tij. Rrjedhojë e drejtpërdrejtë e ofensivës partizane në Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut, ishte pranimi i postit të kryeministrit nga zogisti Fiqiri Dine. Dine morri pjesë në ofensivën e gjermanëve kundër partizanëve më 1943, në krahinën e tij të Dibrës. Një rol progjerman të tmerrshëm luajti Xhafer Deva, brutaliteti dhe korrupsioni i të cilit ishte i tmerrshëm. Një çetë nacionaliste nga Dibra, e udhëhequr nga Halil Alia, që kish bashkëpunuar si me italianët ashtu dhe me gjermanët, njësi të divizionit “Skënderbeu” dhe me 800 apo 1000 njerëz të Kupit morën pjesë në kundërofensivën gjermane, më 18 gusht 1944. Kështu, sipas historianit amerikan Fischer “bixhozi zogisto-nacionalist kishte dështuar”. Më 28 gusht 1944, kryeministri Dine dha dorëheqjen, gjë që shënoi fundin e planit nacionalist zogist për sigurimin e një fitoreje jo komuniste në Shqipëri me ndihmën e gjermanëve. Ajo shënoi gjithashtu, fundin e përpjekjeve të Gjermanisë, për të ruajtur rendin në Shqipëri, nëpërmjet përdorimit të forcave shqiptare bashkëpunëtore – si dhe fundin e versionit gjerman të Shqipërisë së Pavarur. Por Amery dëshmon, se midis viktimave qenë dhe rreth 40 anëtarë probritanikë të Ballit Kombëtar, të cilët u arrestuan nga gjermanët dhe u dërguan në Kampin e Përqendrimit në Semlin të Jugosllavisë së pushtuar. Skënder Muço, udhëheqës i një çete të Ballit Kombëtar dhe anëtar i këshillit të tij qendror, që kish ngulur këmbë për opozitë aktive ndaj gjermanëve u pushkatua. Divizioni SS “Skënderbeu” për fat të keq mori pjesë në djegie fshatrash dhe në vrasjen e

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura