DR.MOIKOM ZEQO: DE RADA DHE JAMES JOYCE, KALENDARI I TRILLUAR

Tiranë, 14 shtator 2017: Milosao e vitit 1836 e ka një spirancë kohore, pikërisht shënimin grafik të vitit të botimit, pra, një simbol kohor të tipografisë në Napoli, përtej anonimatit, një shpallje të aktit publik, më saktë një datëlindje të veprës.
Dhe kjo është diçka e vetëkuptueshme: shkrimtari boton dhe data e botimit krijon atë që quhet kalendari real i krijimtarisë.
Një kalendar vetjak që respekton kalendarin universal që njerëzit përdorin për një rregullsi komunikimi dhe ndërlidhjeje. Milosao është pra kështu si anija që sapo mbërriti në një port që e shohin të gjithë. Spiranca kohore, është gjithashtu sa konkrete aq edhe iluzore.
Pikërisht spiranca e vitit 1836 është në një mundësi ngritjeje të pafundme, që libri anije të nisë shtegtimet e mëdha në oqeanet e shpirtrave, aventurat e depërtimit dhe të zbulimit, për kontinentet e ishujt e panjohur, drejt një njerëzimi tjetër, që përbëhet nga pasardhësit, ndërsa paraardhësit janë zhdukur përgjithmonë.
Megjithatë De Rada nuk harron të bëjë një specifikim: ai e konsideron historinë e Milosaos si diçka që duhet besuar, edhe pse mund të mos jetë aspak e besueshme, sikur ka ndodhur, edhe pse nuk ka ndodhur në shekullin XV.

Midis shekujve XV-XIX janë edhe katër shekuj të tjerë, të cilët kapërcehen me një moskokëçarje dhe me një gjest prestigjiatori triumfues, për të bërë më saktë një rikthim drejt një të kaluare, por që poeti kërkon ta aktualizojë si një të tashme.
Në të vërtetë formalizimi i situatave kohore nuk është gjë tjetër veçse një subjektivizim i lirë i kohës, jo vetëm në konceptin filozofik, por edhe të kohës astronomike. Por De Rada përsëri e subjektivizon kohën.
Nuk mund të rrijë pa e subjektivizuar kohën.
Ai i ngjan atij skulptorit që modelon, prish dhe rimodelon plastikën e krijimeve të veta. Koha më e plotfuqishmja dhe më fatalja duket shpesh si një lodër për De Radën, ndonëse së brendshmi ai e di dhe e kupton fare mirë se nuk është kështu.
Milosao është vërtet kryevepra, por ka mbi të një mallkim të mospërfundimit të detajeve, mallkimin e mospërkryerjes përfundimtare, për të qenë gati si një kulturë biologjike e lëvizshme dhe e ndryshueshme përherë.
Nëse lindja e Milosaos finalizohet më 1836, për arsye se De Rada kërkon ta paraqesë atë, në variantet e mëpasshëm boton gjatë viteve pikërisht edhe pesë Milosao të përpunuara, të shtuara, të ndrequra sipas ideve të autorit, pra bën disa rilindje të së njëjtës vepër, ose motërzime jo përherë autentike, ndonëse ADN-ja e tekstit është dhe mbetet e njëjtë përfundimisht.
Ky koncept i rilindjeve (ah, miti i Feniksit!), nuk është kundërshtues, as mohues dhe sidomos nuk është tjetërsues.
Veprimet e De Radës duken paksa të çuditshme, dhe për fat të keq nuk janë të suksesshme.
Nuk janë të suksesshme sepse të gjitha variantet e mëvonshme për fat të keq nuk i afrohen freskisë dhe mrekullisë së variantit të parë.
Si ka mundësi që De Rada ka vepruar kështu?
Nuk mund të them se nuk ka qenë i vetëdijshëm.
Mund të shtoj se De Rada është poeti i parë në letrat shqipe, i cili ka një intensitet meditativ për veprën e tij, duke luajtuar pa paluhatshmëri e dilema, duke kryer pra procesin e një eksperimentimi të vazhdueshëm, dhe në këtë pikë të kujton deri diku punën që bënte piktori impresionist francez Koro, i cili pikturonte të njëjtën katedrale në mëngjes ose në muzg, ose edhe në stinë të ndryshme për të krijuar një lëvizshmëri ngjyrash dhe klimash pikturike për të shfaqur në këtë mënyrë një lloj shpirti, ose një Anima Mundi të pikturave të shumta, por që kishin të njëjtin subjekt.
Për Koron ky eksperimentim ka qenë i lavdishëm, dhe krijoi një shkollë artistike.
Në rastin e De Radës nuk ndodh një gjë e tillë kaq e pëlleshme dhe tërheqëse.
De Rada duke kërkuar një liri më të madhe të përpunimit të Milosaos, ka treguar më tepër një pedant të ri, një parashtrim formal, dhe në rregullimet e tij me kalimin e moshës elementi i arsyes duket se kërkon ta disiplinojë ndjenjën e dikurshme zanafillore.
Në poezinë shqipe ky është një rast unikal.
Unë nuk di një rast tjetër të ngjashëm.
Është tjetër gjë përpunimi ndoshta i një teksti, përsosja ende pa e botuar, apo dhe ndonjë rregullim fragmentar, por pa cenuar tërësinë që mund të bëjnë shkrimtarët. Por në çastin që vepra botohet ajo fiton një stad të palëvizshmërisë së kohërave.
Lamartini ka gënjyer kur ka thënë, se poemën e tij “Liqeni” e paska shkruar me një frymë, pra e ka improvizuar.

Jeronim de Rada (1814 – 1903)

Pas vdekjes së tij duke parë dorëshkrimet e Lamartinit studiuesit kuptuan se në fakt këtë poemë ai e kishte shkruar brenda një kohe jo të shkurtër, por kishte ngulmuar, kishte bërë një punë skalitëse, kishte përpunuar vargjet, figurat, strofat derisa i kishte dhënë një formë përfundimtare.
Kështu ndodh në përgjithësi dhe askush nuk habitet nga kjo gjë.
Më e habitshmja do të ishte nëse Shekspiri mbasi shkroi tekstin e jashtëzakonshëm të tragjedisë së Hamletit, t’i shkrepej vite më vonë dhe ta rishkruante këtë tekst ndryshe, të bënte variante, shkurtime ose plotësime, ta përpunonte ose ta shkatërronte tekstin dhe të gjitha këto të kishin vetëm një lidhje të qëndrueshme atë të emrit të Hamletit. Por kjo do të ishte një marrëzi!
Por ne e përmendim këtë përvojë të De Radës jo aq për ta kritikuar, por më tepër për ta kuptuar atë, artin por edhe tipin e tij njerëzor, virtytet krijuese, por edhe magësitë.
Në të tëra variantet e Milosaos pas vitit 1836 De Rada nuk mund të rrijë pa u ngacmuar nga brenda nga ideja e një kalendari të trilluar, e strukturës së një kronologjie të rreme, por gjithsesi brenda shekullit XV.
Në variantin më të kalendarizuar ai bën këto datime: dy këngët e para të Milosaos ai i daton, ose kinse i daton, më 27 korrik 1435 dhe 21 nëntor 1435. Pastaj janë këngët që i takojnë, sipas De Rada vitit 1436: 6 janar, 10 janar, 7 maj, 20 prill, 28 prill, pastaj kemi një rikthim të kalendarit përsëri mbrapsht 2 maj, për të kaluarën më 4 nëntor dhe 30 nëntor 1436. Pastaj janë këngët e vitit 1437: 26 shkurt, 15 prill, 12 maj, 12 qershor, 18 nëntor, 1437. Viti 1438, 9 prill, përsëri 9 prill, 19 maj, 29 maj, 17 qershor, 18 nëntor, përsëri 18 nëntor, 19 nëntor, përsëri 19 nëntor 1438. Viti 1439: 15 shkurt, 20 shkurt, 25 shkurt, 28 shkurt, 5 mars, 6 mars, 16 prill, 7 shtator. Nga viti 1439 kalohet (me mungesën e dy viteve) në vitin 1441: 4 korrik, 2 gusht, 30 shtator. Pastaj 1442: 27 mars, 21 maj, 30 qershor, 27 korrik, 21 shtator, 30 shtator 1442. Dhe në fund viti 1443: 8 shkurt, 20 prill, 7 nëntor 1443.
Ky kalendar i trilluar i viteve 1435 – 1443 shtrihet në harkun kohor prej tetë viteve.
Data e fundit e Milosaos ka një vlerë më të veçantë simbolike: më 7 nëntor 1443, kinse vdes heroi i poemës Milosao.
Pra, ka përcaktuar vdekjen e heroit në një datë fikse, diçka e rrallë sepse në përgjithësi në librat e shkrimtarëve personazhet nuk e kanëfare të domosdoshme një saktësi të tillë të frikshme dhe të kotë.
Po të shihet me kujdes kjo shpikje e një kalendari duket si diçka përrallore ose si një sens maniak i poetit.
Ai vendos simbole kohore në të gjitha këngët për të bërë të besueshme idenë e një kronike. E një kronike që duhet besuar se është një kronikë, por që nuk është aspak një kronikë. De Rada operon kështu në një kohë të trilluar
Kjo kohë e trilluar në përgjithësi është një kohë artistike e cila nuk është e ngjashme me kohën astronomike, ose dhe atë që e quajmë kohë historike, dhe kjo përbën një nga sekretet më të mëdha të krijimit letrar të të gjitha kohërave.
Madje është absolute që shkrimtarët jo vetëm nuk i shmangen kohës së trilluar, por edhe në suazat historike koha është pjesë e krijimit të pashtershëm dhe mundësive të rafigurimeve dhe përfytyrimeve të krijuesit në një funksion më të lartë sa estetik aq edhe metafizik, sa formal aq edhe të gjallë.
De Rada e kupton në të gjitha indet e tij se ai është krijuesi i Milosaos.
Ai është Ati dhe Milosao është Biri, a mund të ketë një Bir pa një At?Kurse Poezia eshte Shpirti i Shenjte !
Milosao i beson krijimit të tij jo vetëm si një fillim, por edhe si një vazhdim. I vetëdijshëm për Milosaon ai mistifikon dhe metamorfizon gjithçka që ka shkruar dhe këtë fakt letrar kërkon ta bëjë edhe në mënyrë arbitrare një fakt historik.
Procesi i historizmit të trillimit artistik te De Rada të shtie në mendime, por edhe të tërheq, sepse De Rada nuk e ka bërë këtë gjë rastësisht, por e ka menduar për një kohë të gjatë. Ai parapëlqen formën e kronikës për gjoja kultin e të saktës.
Kronika përmbajtësohet nga datat.
Historia është përherë e kronikizuar.
Kjo nuk ka asnjë dyshim për historianët.
Shkrimtarët janë ndryshe, madje shumë ndryshe dhe shumë herë të paparashikueshëm. Por shkrimtarët vec të tjerave nuk e kanë aq shumë të domosdoshme kultin e datimeve që kanë ndodhur ose nuk kanë ndodhur.
Le të përfytyrojmë një rikthim të Odisesë së Homerit në një ditar konkret me data të udhëtimeve, bëmave dhe aventurave të tij. a do t’i shtonte kjo gjë kryeveprës së pavdekshme të shekujve? Asnjë!
Mund të ketë shumë alternative të shkruari jo vetëm për ta kthyer në një kohë imagjinare çdo ngjarje historike që ka ndodhur në të vërtetë, por edhe për të historicizuar imagjinata apo ëndrra.
Letërsia zotërohet nga dimensioni jo historik, ndënëse mund të jetë produkt i një kohe të caktuar historike.
Magma e letërsisë, ajo që përbën materien e saj të përjetshme, gjithmonë i k atë këputura zinxhirët dhe prangat e kronologjive.
Le të rikthehemi përsëri te faktizimi i kronologjisë të trilluar deradiane.
Duke e parë me një sy krahasimtar dhe paralel me ngjarjet e shekullit XV lexuesi nuk mund të kuptojë asgjë, apo të kapë ndonjë aluzion, që ndoshta datat e mbivëna, si ato tabelat që shpjegojnë rrugët për udhëtarët që vijnë për herë të parë dhe i shohin në lartësi këto rrugë, që mund të kombinojnë me datat konkrete historike të shekullit XV, që kanë një domethënie dhe kuptueshmëri.
Nëse titullatura e poemës flet për Milosaon si biri i një sundimtari i Shkodrës në shekullin XV atëherë absurdi bëhet akoma më i madh.
Dihet se Shkodra e shek. 1435-1443, madje deri në vitin 1478 ka qenë një qytet nën sundimin venedikas. Nuk bëhet fjalë fare për ndonjë figurë historike, aq më tepër me titullin despot, që të ketë jetuar dhe sunduar në Shkodër.
Kjo krijon një paqartësi, sepse naiviteti i trillimit nuk ka të bëjë as me kuriozitetin sesa me një trill pa asnjë kuptim.
Doja të veçoja dy datat konvencionale: atë të këngës së parë, të datës 27 korrik 1435 dhe atë të fundit, të vdekjes së Milosaos në 7 nëntor 1443.
Vizioni i këngës së parë është më tepër pranveror për shkak të përtëritjes së ujërave, të drurëve dhe të një gjendjeje të ngazëlluar dhe madje entuziaste, kurse gjoja datimi në 27 korrik 1435 kalendarikisht e kalon në stinën e nxehtë të verës, madje të muajit nga më të nxehtët e vitit. Kështu që edhe përshtatshmëria formale, nuk ka asnjë funksion.
Për datën e vdekjes së Milosaos (datë hipotetike) 7 nëntor 1443 mund të kemi një ndërlidhje të largët, ndonëse shumë të tërthortë.
Sipas kronikës historike Gjergj Kastriot Skënderbeu erdhi dhe ngriti flamurin e tij heraldik në Krujë më 8 nëntor 1443.
Po a e ka ditur De Rada këtë fakt? Këtë fakt që e thotë Barleti?
Nuk jam i bindur që De Rada mund ta ketë ditur këtë fakt.
De Rada gjithsesi është një krijues i lirë në thelbin e tij.
Ai e koncepton kohën, madje duke e improvizuar.
Duke qenë jashtë kohe, ai krijon kohë, ose krijon kohë që në të vërtetë nuk është kohë. Ai mbetet i vetmi në poezinë shqipe që ka një lirshmëri kaq të papërmbajtur në lidhje me ritmin dhe rrjedhshmërinë objektive të lëvizjes së kohës.
Ai shpik kalendarin e shekullit XV duke qenë vetë në shekullin XIX, duke menduar që kalendari i shpikur do të marrë një vlerë testamentare edhe në shekullin XX, edhe në atë që quhet e ardhme, kinse lexuesit e kësaj të ardhmeje mund të luhaten, ose të tundohen për t’i besuar datat e tij të shënjuara simbolikisht.
Ka në letërsinë botërore një shembull të pashembullt: Xhejm Xhojs (James Joyes) Romani i tij “Uliksi” është një kryevepër stacionare në letërsinë botërore. Uliksi është një rishkrim i Odisesë së Homerit që mbart formën perëndimore të këtij emri si Uliks.
Askush në botë nuk e ka shkruar dot këtë kryevepër sa të mynxyrshme, aq edhe gjeniale të një polifonie universale linguistike, të ideve të pafundme, të kulturave dhe të qytetërimeve të krejt historisë së njerëzimit.
Xhejm Xhojsi nuk e ka ditur që në këtë botë ka ekzistuar De Rada.
De Rada vdiq më 1903.

James Augustine Aloysius Joyce (1882 – 1941

De Rada që gjithsesi iu afrua pavdekësisë për arsye të arketipit së dashurisë së Milosaos më Rinën, konceptuar me një origjinalitet të papërsëritshëm.
Një vit pas vdekjes së De Radës më 16 qershor 1904, djaloshi i talentuar dhe ambicioz, erudit dhe i papërballueshëm, krenar dhe i paturpshëm, Xhejms Xhojs takoi vajzën me emrin Nora (habitërisht pa asnjë bukuri tronditëse dhe hire të perëndishme, siç kanë qenë t’i etiketojnë poetët bukuritë femërore) dhe ra në dashuri me të dhe pikërisht në këtë ditë krejt të zakonshme dhe pas asnjë histori të veçantë për botën, pra që nuk ishte fare një ditë historike, Xhejms Xhojsi i tha Norës fjalën “Yes” (Po!).
E kush mund ta merrte me mend, e kush mund ta besonte se data 16 qershor 1904 nga një datë johistorike do të kthehej në një festë historike, dhe do të mbijetonte e quajtur si Bloom’s Day e që festohet nga të gjithë ithtarët jo vetëm irlandezë të Xhojsit, por nga të gjithë njerëzit e talentuar të botës që e kanë lexuar dhe e kanë kuptuar (ndonëse jo përfundimisht) sagën e ironisë kozmike dhe tokësore, alkiminë e gjuhëve dhe të shprehjeve, alternimet shpirtërore të epokave në kryeveprën e Xhejms Xhojsit.
Le ta mendojmë një paralele, që nuk është paralele.
Tërë kryevepra e Xhejms Xhojsit nuk ka data të tjera, pra nuk ka një kalendarizim të kohës.
I tërë veprimi i romanit të Xhojsit shtjellohet brenda distancës kohore të kufizuar midis mëngjesit dhe natës së vetëm një date, absolutisht një date, të 16 qershorit 1904.
Duket sikur për Xhejms Xhojsin datat e tjera janë krejtësisht të parëndësishme.
As datat para 16 qershorit 1904 as datat më pas.
Xhejms Xhojsi e mistifikon ditën e shpalljes së dashurisë së tij, gjë që jeta e provoi më pas se nuk kishte qenë ndonjë mrekulli apo akt i një perëndimi të perëndishëm.
Se edhe Nora e Xhejms Xhojsit (ah, sa nuk thashë Rina e Milosaos) jo vetëm se nuk ishte mahnitëse, por edhe e rëndomtë dhe aspak një shpirt binjak me një sens intelektual të përputhshëm.
Edhe Xhojsi bën subjektivizmin e kohës: tërë shekujt e njerëzimit përmblidhen në datën 16 qershor 1904. Pra, një datë është gjithë koha, ajo e fillimit dhe ajo e mbarimit, është koha që ka qenë, është, është koha që do të jetë deri në pambarim.
Ky konceptim ngjan me atë të Shën Augustinit i cili bëri përsjatje të pafundme dhe titanike për kohën, pa mundur ta kuptonte kohën, ndonëse bëri një formulim që koha është përherë e tashme, por në këtë të tashme është gjithmonë edhe e kaluara që ka ikur, edhe e ardhmja që vjen.
E tashmja kështu është uniteti i një Triniteti.
Duket sikur formula biblike e Trinitetit ka një fuqi paraprake ose mbushamendëse të shpjegimit.
Megjithatë koncepti i kohës është më nga të diskutuarit dhe më të debatuarit në filozofi, në shkencat ekzakte, në matematikë, në astrofizikë dhe në gjenetikë.
Formulat për kohën kanë pasur më tepër rolin e instrumenteve të arsyetimit, më saktë të afishimit të disa nocioneve të përafërta, por asnjëherë nuk është arritur në një kuptim substancial dhe përfundimtar.
Borgesi ka filozofuar shumë për këtë subjekt, me pyetjen: Ç’është koha?
A eksiton koha në të vërtetë?
Por, analiza për të paraqitur kohën e trilluar të De Radës rikrijon problemin e kohës dhe sado artificiale që mund të jetë një dukuri ose një mundësi e regjistruar e të shprehurit, pavarësisht subjektivitetit të pranueshëm ose të papranueshëm.
Prapëseprapë ai që e rilexon De Radën nuk mund të qëndrojë indiferent, dhe aq më tepër, i lëviz mendimi.
Sepse është e pamundur që mendimi të mos të t’i lëvizë, sepse sekretet edhe kur ato janë të mangëta të De Radës, ngjallin kërshëri dhe meditim të përhershëm.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura