DR.MOIKOM ZEQO: DE RADA I PAVDEKSHËM SI APOTEOZË LETRARE

Tiranë, 30 gusht 2017: Më 21 qershor 1829, kur ishte 15-vjeç, De Rada në një letër që i dërgon të vëllait Konstandinit, i la të shkruar edhe një sonet në Italisht. Ky me sa dimë është krijimi poetik i parë i De Radës. Më 1832, 18 vjeç, De Rada shkruan poemën “Odiseu” me strofa treshe danteske (tercina), me katër këngë me temë shqiptare. Poema është një ndikim nga leximi i Bajronit. Vetë De Rada thotë se u frymëzua nga Dantja dhe nga “Basviliana” e Montit. Në fakt forma danteske e strofave ka karakter formal. Rrëfimi poetik është më tepër bajronian. Këtë poemë De Rada e botoi më 1847 në Napoli. Poema ka edhe pesë distikë dhe 11 strofa katërshe anakreontike – 1370 vargje gjithsej. Ja kushton zonjës Karolina Santangjelo, që thuhej se rridhte nga familja e Skënderbeut. Në parafjalë De Rada thotë se kish lexuar “Historinë e Republikës Italiane” të Sismondit. Në poemë flitet për djaloshin e ri Odiseun të mërguar nga Shqipëria. Ai zbarkon në Greqi, pastaj vjen në Italinë e Jugut. Ndalon te lumi i Kratit. Djaloshi gjen mikpritje në kullën e prijësit plak, Perlatit. Ky i fundit vajton me lahutë largimin nga Shqipëria. Vajza e hijshme Eloda bie në dashuri me Odiseun. Të rinjtë martohen. Këtu kemi një subjekt se si është themeluar kolonia arbëreshe në katundin Specano. Vetë Odiseu paraqitet si biri i Pal Golemit të Arbërisë. Prijësi plak Perlati kish luftuar dikur si një nga mbrojtësit e Stefingradit. Në vitet 1832- 1833 De Rada boton në italisht poemën “Krutani i mërguar”. Pothuaj kemi një përsëritje dhe një ngjasim formal me “Odiseun”. Në gazetën “Omnibus” të arbëreshit Vinçens Toreli në Napoli, De Rada botoi gjatë viteve 1834-1836 këtë poezi dhe proza poetike: 1. “Për vdekjen e Francesko Panes”, sonet (më 5 prill 1834); 2. “Vallja” ode, (më 2 janar 1836); 3. “Ode shqiptare” (9 janar 1836); 4. “E verbra” poezi me vargje tetëshe, me rimë të alternuar (20 shkurt 1836); 5. “Këngë për vdekjen e Skënderbeut” (20 shkurt 1836); 6. “Arie e vashës së Ambrakisë” (8 tetor 1836). Jup Kastrati shënon se në Arkivin e Shtetit janë dhe tetë proza të shkurtra në italisht të De Radës (ende të papublikuara).
Në gusht të vitit 1836 De Rada boton në Napoli librin “Milosao”. Në parafjalën e shkruar në Maki më 20 tetor 1824, poeti dëshmon se libri ishte gati për shtyp dy vjet përpara botimit. Hyrjen e poemës ia kushton mikut të tij arbëresh Rafael Xagarezes. Në librin e Milosaos ai e riboton edhe më 1847 dhe më 1873, përherë me ndryshime. Vënia e datave nëpër kangjelet të kujton pikërisht atë që ka bërë edhe Ugo Foskolo në veprën “Letrat e fundit të Jakopo Ortis”.
Më 20 shtator 1839 ndërsa ishte në burg De Rada përfundoi veprën “Histori e re lirike shqiptare”. E përgatiti për botim si libër më vete, duke e quajtur “Këngë historike shqiptare” të Serafina Topisë, grua e princit Nikollë Dukagjini. Censura e ndaloi botimin e librit. Por, kemi botime të tjera më 1843, 1897. Të gjitha variantet kanë edhe ndryshime të përhershme. Subjekti i poemës ka në qendër dilemën e dashurisë. Princesha e imagjinuar Serafina Topia e flijon dashurinë e saj për Bozdar Stresin dhe u martua me Nikollë Dukagjinin me qëllim që të realizohej bashkimi i Jugut me Veriun e Shqipërisë. Poema ka edhe tituj të tjerë, si: “Një pasqyrë e jetës njerëzore” dhe si nëntitull “Jeta e Serafina Topisë, princesha e Dukagjinit” dhe fragmente të këngëve të saj në shekullin XV (në 1897). Markianoi ka thënë për këtë poemë: “Poema, si në formën e jashtme dhe në konceptimin e saj është një dramë e gjerë me nota tragjike të fuqishme, që mund të zbërthehet në një tetralogji madhështore”. Gualtieri thotë: “Skena e vdekjes së Bozdarit është vertete e denjë për penën e Shekspirit”. Ndihet te kjo poemë ndikimi i “Jerusalemit të çliruar” të Tasos. Më 30 qershor 1844 De Rada boton italisht novelën “Djana”. Subjekti zhvillohet në Spanjë. Garcia de Silva aristokrat dashurohet me Djanën, fshatare. Vashën e ka grabitur një maur. Por i dashuri e shpëton. Më pas, vajza pi helmin. Epilogu është tragjik. Përsëritet edhe në këtë prozë që të kujton letërsinë kavalareske, madje romanin “Guerrin Meschino”, arketipi i dyjor i dashurisë së Milosaos me Rinën.
Në tetor të vitit 1847 De Rada boton në italisht tragjedinë “Numidët”. Në fillim e kishte shkruar në arbërisht. Pastaj e ktheu, edhe për qëllime botimi në italisht. Tema historikisht lidhet me Kartagjenën e lashtë. Vlera artistike është e pakët.
Më 1847 De Rada boton poemën “Histori të Shqipërisë” (ose “Shqipëria nga viti 1460 – 1485)”. Poema përfshin katër novela poetike: “Ana Maria Kominiate”, “Adine”, “Nata e Krishtlindjeve” dhe “Videlajde”. Më pas kjo poemë është quajtur edhe si “Rrëfime të arbërit”.
Në vitin 1861 njohu dritën e botimit në italisht “Parime të estetikës”. De Rada botoi atë që quante vepër madhore të tij poemën “Skënderbeu i pafan”. U shkrua prej De Radës për gati pesëdhjetë vjet me radhë (1834 – 1884).
De Rada ka bërë botime të kësaj vepre në vitet 1872 dhe 1873 dhe më 1877 dhe më 1884. Por një pjesë e dorëshkrimeve të vijimit të poemës mbetën pa botuar dhe ndodhen sot në Bibliotekën qytetare të Kozencës në Itali dhe në Bibliotekën Mbretërore të Kopenhagenit. Kaq shumë rëndësi i jepte De Rada kësaj vepre sa në një letër të tij të 12 prillit 1901 ai thotë: “Nuk mund të më gjykoni me drejtësi, po nuk e lexuat edhe një herë këtë poemë timet të reformuar. Aty pasqyrohet një faqe e jetës, e ndryshme dhe e vetme pas asaj që na ka dhënë Homeri pagan.”. Në të vërtetë “Skënderbeu i pafan” është roman në vargje, me histori të trilluara e personazhe realë e imagjinarë. Ka një analogji të jashtme me “Legjendën e shekujve” të Viktor Hygoit. Por, është e ndryshme në konceptim dhe në poetikë. Poema e De Radës ngjan me një koleksion ëndrrash dhe vegimesh, të gjitha tragjike të historisë në shekullin XV. Historitë janë të alternuara dhe shpesh nuk ndërlidhen. Toponimet gjeografike janë edhe në Europë edhe në Azi. Përmenden princër, heroikë, por edhe fatkeq. Përshkruhet edhe Skënderbeu në rininë dhe në kulmin e famës së tij. Disa herë kjo poemë e De Radës të kujton “Romancero e Cidit”.

– Jeronim De Rada dhe Moikom Zeqo –

Më 1834 De Rada nxjerr një vepër të re poetike “Rënia e mbretërisë së Shqipërisë”. Më 1891 poeti boton dramën historike në italisht “Sofonizba”, që ia kushton princeshës Adele Pinjatelli Strongoli, që kishte prejardhje shqiptare. Varianti i parë i De Radës ka qenë arbërisht. Subjekti është historia e bijës së Asdrubalit të Kartagjenës për të cilën flasin edhe Tit Livi, Dion Kasi, Fabiani, Diodor Xonara. Drama “Sofonizba” të kujton dramën e mëhershme “Numidët”. Por të dy dramat e De Radës tregojnë qartë se niveli i përshkrimit, dimensioni dialogues, parashtrimi dramatik nuk arrin asnjëherë në kuota të paharrueshme artistike.
Më 1892, në katërqind vjetorin e zbulimit të Amerikës nga Kristofor Kolombi u botua në Milano një antologji me krijime nga shtatëqind e ca firma shkrimtarësh, dijetarësh, linguistësh, diplomatësh, etnografësh, historianësh, nga të katër anët e botës. Në këtë antologji De Rada përfshihet me “Ode arbëreshe” prej 66 vargjesh monokolonë. E përfshirë në dy faqe, me dy shtylla: arbërisht dhe italisht në secilën faqe. Vepra e fundit e De Radës u botua pas vdekjes së tij, më 1903. Tre vjet më pas, më 1906, u botua poema “Gjon Huniadi”. Përfshin 579 vargje. Subjektin e poemës “Gjon Huniadi” De Rada e mori nga Marin Barleti. Ky është koleksioni i veprave letrare të De Radës. Jashtë këtij koleksioni mund të jenë dorëshkrime që dihen, por nuk janë përgatitur për botim, ose dorëshkrime që mund të zbulohen në të ardhmen.
Vepra letrare e De Radës duhet thënë është bilingue. Ky bilinguizëm ka qenë i natyrshëm dhe i kuptueshëm historikisht. Nuk duhet harruar se edhe kryeveprën e tij Pjetër Bogdani e botoi më 1685 në bilingue: në shqip dhe në italisht. Parimi i botimit të të njëjtit tekst në dy gjuhë, krah njëri-tjetrit dhe përballë është një parim i vjetër i shumë botimeve në botë. Ky parim është sendërtuar shpesh në botimin e “Librit të Shenjtë”, domethënë të Biblës, për realitetet e tjera linguistike edhe të vetë Kuranit. Krahasimi i dy teksteve në dy gjuhë bazohet në matricën e tekstit të vet. Por, kjo matricë sipas semanikave gjuhësore dhe të natyrës së secilës gjuhë mund të japë skeletin informativ tekstor, por nuancat e mëshirimit leksikor morfologjik i bën në mënyrë të tillë ku kuptimi i identikes absolute nuk ekziston dhe nuk mund të ekzistojë. Është folur shumë për De Radën si poet arbëresh dhe që shpiku strukturat artistike të një letërsie të kultivuar mjeshtërisht. Por, nuk do të ishte i plotë portreti i tij linguistik, sepse ai e ka në substancë një portret linguistik në dy gjuhë. De Rada, si autor në gjuhën italiane, është i kondicionuar në të gjitha aspektet, mundësitë dhe pamundësitë pikërisht nga niveli, qartësia, e njohjes së italishtes nga ai vetë. De Rada në fëmijëri nuk e ka njohur italishten. Ai ka folur për vështirësitë e mëdha të komunikimit, kur shkoi për herë të parë në kolegj. Italishtja për të ishte gjuha e dytë, por jo gjuha e nënës. Nëse krijimet e tij të para janë në italisht, kjo duhet parë si refleks i shkollimit të tij. Pastaj me të drejtë i përkushtohet me rolin e një apostulli, lëvrimit gati titanik të arbërishtes. Megjithatë, në shumicën e rasteve ai nuk harron, por ngulmon që tekstet e tij poetike në arbërisht t’i japë në mënyrë paralele edhe në italisht. Për studiuesin e thukët, më saktë, për tekstologun linguistik, është e qenësishme të dijë se nëse përkthimet në italisht janë bërë vetëm e vetëm nga De Rada apo në procesin e përkthimit në italisht ai është ndihmuar nga të tjerë, më me përvojë në këtë gjuhë. E vërteta është në mes. De Rada është përpjekur ta përkthejë veprën e tij edhe në italisht, por gjithmonë sinteza e fundit e teksteve ka qenë e parë dhe e riparë nga të tjerët. Është diçka krejt normale. Por nuk mund të flitet për De Radën si një poet italian. De Rada nuk është një poet italian i mirëfilltë. Italishtja e tij ka mangësira dhe parë nga pikëpamja e sotme e gjuhës moderne italiane paraqitet si një variant arkaik dhe i prapambetur i gjuhës standarde italiane. Materia linguistike e italishtes së De Radës ka reminishenca nga leximet e tij, nga njohjet dhe komunikimet në këtë gjuhë, sidomos në mjediset e Napolit. Ai ka lexuar natyrisht edhe përkthimet e kryeveprave të letërsisë europiane që janë përkthyer në italisht. Ky ka qenë një burim i madh informacioni për të, por kuptimshëmria artistike shumë e thellë e njohjes ka pasur kufizime. De Rada thotë që në rini ka mësuar edhe frëngjisht. Nuk e di nivelin e përvetësimit të frëngjishtes nga De Rada. Ai citon emra autorësh francezë, të poetëve, dramaturgëve dhe filozofëve. Ai flet edhe për ndikime që më pas i ka shmangur, si Lamartini. Përmend librat e De Stal, Shatobrianit. Por nuk kemi dorëshkrime në frëngjisht nga De Rada. Nuk ka një përpjekje të një bilinguizmi të dytë, d.m.th arbërisht – frëngjisht, përveç bilinguizmit të parë – arbërisht – italisht. Gjuha e tretë nga e cila mund të ketë lexuar diçka De Rada është gjermanishtja. Ai ka kërkuar me ngulm ta mësojë gjermanishten sipas një metode vetjake, të kokëkrisur dhe pa didaktikë dhe teknikë mësimi. Ai i ka shkruar Dora D’Istrias se po mësonte gjermanishten sipas mënyrës së vet. Dimë përgjigjen e Dora D’istrias, e cila i thotë se një mënyrë e tillë e të mësuarit të gjermanishtes ishte krejt e pamundur. Pra, njohja e gjermanishtes nga De Rada do të ketë mbetur në një nivel sipërfaqësor. Ose e një komunikimi në përgjithësi. Këto janë të dhënat për gjuhët e gjalla me të cilat kontaktonte De Rada. Por në veprat e De Radës kemi edhe citime në dy gjuhë të vdekura: “në greqishten e vjetër dhe në latinisht”. Këto citime i përdor disa herë. Por kryesisht në formë citatesh. Mungojnë tekstet e gjatë të referencës. Babai i De Radës, Mikele, ka qenë mësues i këtyre dy gjuhëve të vdekura. Vetë De Rada shprehet që e ka mësuar më me ngulmim latinishten. Kryesisht nga veprat e Ciceronit. Njohja e greqishtes së vjetër ngjan se është e një niveli më sipërfaqësor. Po rikthehem edhe një herë te ideja e bilinguizmit të De Radës. Ky bilinguizëm i përngjason edhe pozicionit ndarës dhe ndërlidhës midis dy botëve. Italia është atdheu i dytë i arbëreshëve. Arbëria është atdheu i parë. Mjediset e dyfishta gjuhësore e ngjizin bilinguizmin. Por, analizat filologjike në shumë kuptime veprojnë në një realitet të vdekur. Realiteti quhet i tillë për shkak se është një realitet i përfunduar, i pabëshëm dot më. Letërsia nuk është linguistikë. Letërsia ngrihet mbi linguistikën për shkak të asaj që thotë. Linguistika është e tillë për atë çka ajo sendërton. Ndërsa letërsia kumton, linguistika organizon kumtimet.Por për një studiues më të shumanshëm vepra e De Radës në italisht i ka gjithashtu edhe dy aspekte. Aspektin e shkrimit italisht për veprat parësore në arbërisht, çka do të thotë që italishtja përdoret si një gjuhë e dytë, ose si shpjeguese. Dhe aspektin e dytë kur De Rada shkruan drejtpërdrejt në italisht pa pasur parasysh që më parë një tekst arbërisht. Këtu kemi një ndryshim. Ndryshimi është i rëndësishëm. Në rastin e përkthimit në italisht stili kërkon përputhshmërinë, nganjëherë edhe gjetjen e fjalëve për të realizuar një kuptim më të përafërt të tekstit në arbërisht. Në këtë rast përputhshmëria nuk është asnjëherë e plotë. Në rastin kur De Rada ulet e shkruan drejtpërdrejt në italisht, në këtë rast përkthimi është i përjashtuar, pasi nuk ka nevojë për përkthim. Ai shkruan në italisht, domethënë e koncepton që në fillim në italisht veprën. De Rada e ka kuptuar që italishtja është një gjuhë e rëndësishme e kulturës europiane. Është gjuha e Dantes dhe e shumë poetëve të tjerë të mëdhenj, që në Rilindjen Europiane konstruktuan modernitetin e Europës Borgjeze dhe të shkatërrimit të strukturave teologjike të Mesjetës. De Rada i shkruan shumë nga librat e tij kryesisht që lidhen me të famshmen tezë së origjinës pelazgjike të shqiptarëve, të studimit të gjuhës shqipe, të etimologjive, gramatikës etj., tema të cila ai kërkon t’u japë formën e traktateve gjuhësore në italisht. Ai ka shkruar gati një korpus të tërë për rrafshin studimor në italisht. Për më tepër ky korpus studimor nuk ka të bëjë fare me Italinë. Ka të bëjë me Arbërinë, kujtesën historike të shqiptarëve, gjuhën, traditat e tyre. Pra, bilinguizmi i De Radës nga të gjitha pikat që mund ta marrësh përherë fokusohet te Arbëria. Vetë koncepti i Arbërisë e ka një dyzim. Është fjala për Arbërinë e origjinës, pra për Shqipërinë e koordinatave gjeografike të origjinës, por edhe për Arbërinë, e migruar, zhvendosur, në formën e kolonive arbëreshe, kryesisht në Italinë e Jugut dhe në Sicili. Pra, Arbëria e Parë që ka binjakëri me Arbërinë e Dytë, por në dy gadishuj të ndryshëm, që i ndajnë detet Adriatik dhe Jon. De Rada i ka të dyja Arbëritë të njehsuara. Ai është kapur fort pas kësaj nyjeje konceptuale, por De Rada njeh Arbërinë e Dytë. Në Arbërinë e parë ai nuk vajti asnjëherë. Nuk e pa dot. Nuk e njohu në mënyrë të drejtpërdrejtë. Nuk ishte kaq e pamundur në kohën e tij që të mos shkoje dot në një nga limanet e Shqipërisë. Gjithsesi Arbërinë e parë ai e ka njohur nga ngjarjet politike dhe publicistika. De Rada ka njohur Arbërinë e Dytë. Më saktë ka njohur, po të përdorim një term më konvencional, “Arbërinë Kalabreze”. Kjo krahinë me fshatra disa shekullorë, e ruajti gjuhën arbëreshe deri në atë fazë të dyzimit kur dukej se fuqia e kësaj gjuhe po ftohej, për të arritur në atë çast fatlum dhe të jashtëzakonshëm që lindi dhe formësoi një poet të madh si De Rada. Në një farë mënyre Arbëria deradiane është konkrete dhe e ravijëzuar qartësisht dhe, kryeqyteti i saj është fshati i vogël Maki, prej gjashtëqind banorësh, nuk kishte as xhandarë, as gjykatës dhe që jetonte gati një jetë të lirë në natyrë, si në një ëndërr rusoiane. De Rada dialektin kalabrez të arbërishtes e ringjalli. Tek ai u ngulit ideja se ky ishte një dialekt i madh. Ky mbivlerësim nuk i përgjigjej realitetit. Dialekti i De Radës ishte ai i një të folmeje toske arkaike plot ndikime gjuhësore të greqishtes, por edhe të italishtes. Duke kultivuar dialektin kalabrez të arberishtes, De Rada strukturoi një utopi linguistike. Duke mos e njohur realitetin gjuhësor në Shqipëri, De Rada mendonte se dialekti i tij ishte gjuha e vërtetë e shqiptarëve, të cilën e mbartën me vete kur u larguan nga atdheu i pushtuar nga osmanët. De Rada mendonte se kjo ishte një gjuhë më vendase, më autentike, e pakontaminuar gjuhësisht. Aq më tepër se ishte një gjuhë e princërve dhe e bujarëve arbëreshë, gjuhë që duhet ta ketë folur edhe vetë Skënderbeu. Sipas De Radës ai kishte në dorë materialin gjuhësor më imediat dhe më ekskluziv të shqipes dhe pikërisht në këtë mënyrë ai do të krijonte gjuhën universale shqipe për të gjithë shqiptarët kudo ku ndodheshin dhe ishin. Ai e dinte se shumë poetë të Greqisë së vjetër kishin jetuar në ishuj jashtë Greqisë kontinentale dhe kishin kultivuar gjuhën e poezisë dhe të filozofisë. Pse të mos ndodhte një gjë e tillë e përafërt edhe me vetë De Radën? De Rada ishte i vetëdijshëm që po bënte krijime që si kish bërë askush më parë. Dhe në këtë pikë ai kishte plotësisht të drejtë. Por, duke qenë krijues i këtij kalibri të shquar De Rada mendonte që dialekti kalabrez i arbërishtes së tij, do të bëhej për shkak edhe të mbartjes së vlerave artistike të larta, gjuha e ardhshme e Shqipërisë së gjeneratave të reja. Padyshim që ky është dështimi i një projekti. I një projekti të pamundshëm dot. Kështu De Rada është heroi i një disfate. Hero i një disfate linguistike, sepse rezultoi që arbërishtja e tij në statusin e një enklave, sado që mund të stimulohej nga një poet i madh nuk mund të zëvendësonte proceset e pandalshme strukturore të gjuhës shqipe, që ishin shumë të mëdha pikërisht në shekullin XIX. Nëse De Rada është heroi i një disfate kjo duhet kuptuar konvencionalisht. Sepse në të vërtetë krijimtaria e tij në arbërisht është e pavdekshme. E paharrueshme dot. De Rada kishte gjithashtu një mendim se karakteri arkaik i gjuhës mund të reflektonte pasuri më të mëdha të brendshme. Ai shkruan: “Gjuha greke pas Homerit dhe gjuha italiane pas Dantes u bënë më të pasura, por ky pasurim nuk i shtoi gjë sasisë së energjisë që kanë pasur ato që në lindjen e tyre.” Ky mendim e kthen shikimin në të kaluarën e gjuhëve, por jo në të ardhmen e tyre. gjuhët natyrore ose ato që quhen të pakultivuara, pra gjuhët ku mungon kultura e shkrimit, kultura e fiksimit dhe ndërhyrjes individuale të autorëve, janë më të pasura në pikëpamje gramatikore, madje edhe më të larmishme në sinoniminë e leksikut. Por procesi evolutiv i gjuhëve nuk mund të ndalet. Disa herë De Rada shpreh habinë e tij se si gjuha e baladave arbëreshe paraqet një thjeshtësi dhe një unitet më të madh dhe zanafillor me natyrën. Ai e ndjen se kur fillon ta kultivojë këtë gjuhë popullore e ka tepër të vështirë dhe ngandonjëherë të pamundur. Natyrisht që tërë krijimtaria e De Radës është një kulturë shkrimore e mirëfilltë. Por, në formulimet e tij gjuhësore ruhet përherë diçka nga gjuha e folur parashkrimore e arbëreshëve që kanë të bëjnë me traditën dhe kujtesën. Sidoqoftë De Rada eci drejt ndryshimit të asaj që quhet gjuha natyrore. Ai ishte krijues dhe si i tillë do ta rikonceptonte gjuhën. Do ta ribënte gjuhën. Ai nëpërmjet gjuhës krijoi poetikën e tij. Pra, mund të thuhet se kreu procesin e trupëzimit artistik, ndërsa shpirti i fjalëve i kapërcente vetë fjalët e lashta për të qenë një lloj “panteizmi mendor universal”. De Rada kish dijeni për krijimet e poetëve shqiptarë bashkëkohës. Ai e dinte se një poet i madh lirik, si Serembe, zgjodhi të shkruante në një gjuhë më moderne, që përbënte një sintezë të arbërishtes me shqipen e përdorur nga rilindësit shqiptarë në bregun e përtejmë. De Rada kishte njohur edhe disa vepra të Naim Frashërit. Dihet që në arkivin e De Radës ai kishte edhe një kopje të poezisë së famshme “O moj Shqypni” të Vaso Pashës. Ai natyrisht i lexonte dhe i kuptonte këto poezi të shkruara në shqip që kapërcenin dialektin e tij kalabrez të arbërishtes. Por duke ruajtur atë që quhet miniera gjuhësore e së kaluarës De Rada mendonte të ishte konservativ dhe nëpërmjet pikës së të kaluarës të zotëronte të ardhmen linguistike të shqiptarëve. Shekulli XIX ishte edhe shekulli i madh i zhvillimit gjuhësor të shqipes. Njësia e kombit shprehej me njësinë e gjuhës. Ekzistenca e dialekteve përbënte një paradhomë shpesh me shumë kundërthënie dhe paradokse, por që çonte drejt projektit të formalizmit standard të një gjuhe mbidialektore, të një shqipeje më gjithëpërfshirëse. Në këtë syshikim projekti gjuhësor i Naim Frashërit ishte i pashembullt. Naim Frashëri e pastroi shqipen nga huazimet e tepruara persiane, arabe dhe turke, pra, nga mbishtresat orientale për ta bërë më autentike dhe më universale. Projekti revolucionarizues i gjuhës, e kam fjalën për projektin Naimjan, rezultoi se kishte një të ardhme strategjike. Pra, aty ku De Rada nuk mundi të arrinte, arriti Naimi. Naimi duhet kuptuar jo vetëm si një prijetar i pashembullt gjuhësor, por edhe si një poet shumë i madh që i dha vlera të papërsëritshme poezisë shqipe. E kam thënë edhe herë të tjera që De Rada dhe Naim Frashëri janë vëllezërit dioskurë të letërsisë moderne shqipe.
***
Çështja e Romantizmit Europian është ripare nga studiuesit e sotëm sipas konotacioneve të reja. Kjo sepse romantizmi ka një rëndësi të pazëvendësueshme dhe stacionare në letërsinë botërore. Mendimtarët e postmodernizmit i janë kthyer idesë së një Romantizmi të Ri. Më qartë nga të gjithë këtë e ka shprehur sidomos Egdar Morin. Ai e quante shekullin XXI si shekulli më i mundshëm i një kryengritjeje të Poezisë. Janë të gjitha kushtet e mundshme për një Kryengritje të poezisë. Kjo kryengritje është në fakt e treta. E para është kryengritja e romantikëve në shekullin XIX. E dyta është kryengritja e surrealistëve në shekullin XX, kundër banalitetit global, borgjez, sunduar nga teknokratët. Dhe, në perspektivë mund të arrihet te një Zbulesë e Re e Poezisë. Madje edhe politika ka nevojë qoftë edhe ajo më e brutalizuara, për shtysën krijuese që mund t’i japë asaj poezia. Shoqëria sot duket sikur e ka mbyllur me çelës poezinë. E internuan poezinë në botën e argëtimit intelektual. I privuan asaj rolin e saj shoqëror që e ka pasur jetik. Qytetërimi perëndimor sundohet nga ndarja midis botës së realitetit dhe botës së teknikës, të praktikës, të hedonizmit dhe të racionalizmit. Kryengritja e parë e romantikëve ishte edhe kundër pushtetit të ri të borgjezisë dhe pasojave që mund të sillte industria dhe shkatërrimi i natyrës. Kryengritja e dytë e surealistëve ishte kundër frikës së luftës dhe kundër padrejtësive shoqërore. Por kryengritja e tretë e poezisë, ajo e një romantizmi të ri, do të jetë një kundër sulm kundër depërtimit të botës së banalitetit. Madje dhe politikanët që të fitojnë një identitet të vërtetë do të kenë nevojë për këtë kryengritje poetike. Në politikë kjo do të thotë mbrojtje e cilësisë së jetës dhe e kuptimshmërisë. Njeriu përjeton dy jetë: atë që ne e quajmë jeta e rëndomtë dhe që është dita praktike e ditëve kalendarike, por dhe një jetë virtuale e një infinitiv kibernetik. Po jeta poetike? Po kënaqësia nga poezia? Nëse nuk ekzistojnë këto bota robotizohet. Gjuha i humbet anaforat e analogjive dhe të aluzioneve, sendëzimi bëhet absolut. Në botën e rëndomtë ekziston shikimi. Vetëm në botën poetike shikimi është një depërtim më i thellë. Por të shkruarit e vargjeve nuk do të thotë se kemi poezi. Poezia është diçka tjetër. Universi nuk paraqitet thjesht si një makinë deterministe, që nuk përmban asgjë poetike. Më shpesh universi kuptohet si një mbretëri e çrregullsisë dhe e kaosit. Entropia na çon te Eukalipsi. Por universi ka qenë përherë mjedisi i poetëve të mëdhenj. Nëse nuk ndodh kryengritja e tretë poetike, e profetizuar nga Edgar Morine, atëherë përse duhet të kemi shpresë? Nëse njeriu teknologjik nuk do të jetë edhe njeri poetik, atëherë përse duhet të jetë njeri?
***
Studimi mbi Romantizmin është përherë një studim mbi modernitetin. Romantizmi në shekullin XIX është një kalim i rëndësishëm kulturor nga estetika dikur e nderuar e qëndrueshmërisë, që mbështet mbi besimin në një ideal të pabesueshëm dhe transcendent të bukurisë te estetika e të paqëndrueshmes dhe imanentes, vlera themelore të së cilës janë ndryshimi dhe risia. Para romantizmit bukuria në art kundroi si model i përjetshëm, si racionalitet i kuptimit të ligjeve të bukurisë. Madje, edhe si gjendje e transedentales në përgjithësi. Romantizmi ishte një reagim dhe thyerje e ideve bazë të klasicizmit. Vendi i parë ku ndodhi procesi i demitizimit të klasicizmit padyshim është Franca.
Romantizmi shpalosej kështu si një program i ri estetik që rrënonte autoritetin estetik tradicional. Poeti francez Bodleri, ju kundërvu estetikisht traditës së mëparshme me konceptin e bukurisë universale dhe ka shkruar: “Moderniteti është kalimtarja, ajo që arratiset tutje, e pasigurta, gjysma e artit, gjysma tjetër e së cilës është e përjetshmja dhe e pandryshueshmja”. Bodleri kërkon ndryshueshmëri të përhershme. Ideja e mësipërme e Bodlerit është edhe kundër romantizmit, në një mënyrë paraprake ai përgatit një tjetër letërsi të së ardhmes, ku ka një ndeshje përherë të papajtueshme të vlerave që përkojnë me kohën e objektivizuar, shoqërisht të matshme të qytetërimit kapitalist (koha si një produkt pak a shumë i çmuar që vidhet dhe shitet në treg) me kohën vetjake, subjektive, private, zgjatja imagjinative e së cilës ringjallet nga shpalosja e vetvetes. Pikërisht ky identitet i fundit i kohës dhe i vetes përbën themeloren e modernistes. Kështu modeli estetik zbulon disa nga arsyet e thella të krizës dhe të tjetërsimit prej modernitetit tjetër të quajtur romantik. Kështu shkohet drejt unit të izoluar, për shkak se veprimtaria shoqërore është çhumanizuar dhe çshenjtëruar dhe se kudo zotëron një relativizëm i pakufishëm.
Në kohën e sotme sipas mendimtarëve Harry Levin, Irvin Hou, Lesli Fitdles, George Steiner bota jeton në postkulturë, më saktë në kitch kulturë. Sipas tyre kemi një përjetim të shkëputjes së skajshme të kulturës prej strukturës shoqërore. Shkëputje të tilla historikisht shtrojnë udhën për një revolucion më të drejtpërdrejtë shoqëror. Revolucioni i ri ka nisur tani në dy mënyra kryesore. Së pari, pavarësia e kulturës, e arritur në art ka filluar tashmë të zhvendoset në arenën e jetës. Temperamenti postmodernist kërkon që ajo çka më parë sajohej me fantazi dhe imagjinatë, tani duhet luajtur njëlloj edhe në jetë. Midis artit dhe jetës nuk ka më dallim. Çdo gjë që dallohej në art dallohet edhe në jetë. Së dyti, stili i jetës, dikur i praktikuar nga një rreth i ngushtë, tani kopjohet nga “shumë” dhe mbizotëron skemën kulturore. Kështu është arritur në kitch kulturë. Kitch kultura sot është zotëruese dhe realizon një standardizim të gjithçkaje. Kështu, që me të drejtë Matei Calenischu mendon se “moderniteti i ri estetik duhet kuptuar si një koncept krizë i përfshirë në kundërshtinë e trefishtë dialektike me traditën, me modernitetin e qytetërimit borgjez, me idealet e tij të racionalizmit, nevojshmërisë dhe progresit dhe së fundi me vetveten për sa kohë që e percepton veten si traditë e re, ose si formë autoriteti”.
Po ç’lidhje ka kjo situatë e re mendore e shekullit XXI me De Radën? Ka megjithatë të bëjë me pafundshmërinë e të lexuarit të De Radës si model romantik. Por leximi përherë e ringjall një model. Shumë elementë të shpalosur sot qoftë në termat konvencioanalë të modernizimit qoftë dhe të pastmodernizmit kanë të bëjnë me sekretet e mbijetimit të arti. Nëse një romantik si De Rada grish jo vetëm për leximin e letërsisë së tij, por edhe për leximet e sotme të epokës sonë, atëherë shikojmë qartë dhe me një optikë të re, se si studimin e një klasiku të tillë si De Rada mund ta aktualizojmë edhe në përzgjedhjen e shijes artistike, por edhe në debatin e përditshëm të ideve dhe të koncepteve.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura