KOLORET CUKALLI: PËR MOIKOMIN DHE SINOPSET E HISTORISË

Tiranë, 2 qershor 2019: Mësuesi hyn në klasë dhe vë mbi tavolinë “Librin e Sinopseve”. Autori Moikom Zeqo.

Fatkeqësia jonë është që nuk jemi një komb udhëtarësh.

Ndaj është e vështirë t’i kuptojmë ata që udhëtojnë. Kemi pasur flutura, por jemi një komb pa elefantë.
Në ballkonin tim në katin e 7-të është përherë vjeshtë, dhe do t’i kisha parë elefantët.
Moikomit nuk i vjen me mjaft kendellje, por me shpoti përafrimi i kuptueshëm i tij me Borgesin.

Kanë klimën e metaforave universale.
Sa e vështirë duhet të jesh të ndërtosh një qytet të banueshëm?
Një qytet që nuk të vret sytë, ku tek bari në kënd të mund të takosh Petro Markon që të tregon histori me Ali Pashë Tepelenën?
Sa e vështirë është të ndërtosh arkitektura të papërfunduara që të mbushen me dritë e jo me pështyma?
Me sa duket, ne nuk jemi komb ndërtuesish.
Shqipëria ka mbaruar së ndërtuari, dhe i ngjan një karabinaje të ndërtuar pjesë-pjesë e në shumë dekada nga katundarët buzë arës së tyre – me beton por pa art, me shumë dhoma por pa shpirt, me dritare por pa sy, me gra por pa bukuri, me meshkuj por pa poetë, me fëmijë por pa gëzim.
Shqipëria nuk i ngjan muzeut Veksen, sepse çdo çrregullsi aktitekturore është bërë nga padija e egërsia, jo nga çmontimi artistik i ferrit tonë të përditshëm.
Atdheu – për aq sa mund të ketë sens kjo fjalë sot – është një ndërtesë që mund të shembet në çdo çast.
Unë do kisha dashur që Shqipëria të ishte ndërtuar si ngrehina e librave që ka ngritur Moikomi.
Por, ne nuk jemi aq shumë komb me fantazi.
“Malli” ynë nënkupton gjithmonë diçka që ndodh në të shkuarën, por jo në të shkruarën.
Ti nuk paguan në MET.
Më saktë, paguan aq sa do.
Dhe pastaj kalon me shpejtësi përmes korridoreve të panumërt ndërsa epokat, botët, egjiptianët e grekët, dinastitë kineze, absurdët e magjikët të kalojnë anash.
Nuk kam qenë kurrë në Gjinar, as në Valsh.
Udhëtojmë larg, por nuk udhëtojmë brenda.
Natën, më duket sikur më ndjek pas Krishti Onufrian Trifytyrësh.

Mua më ka ndodhur vetëm me Borgesin e me Moikomin që të udhëtoj epokat pa paguar asgjë, arkitektura imagjinate të pafundme e të lira, të pambaruara e vezulluese, të takoj njerëz që nuk u di as gjuhën pa pasur ankthin e kontaktit me flokët e një partizani që barten në shami të vjetra që nga koha e luftës.
Është e vështirë të rrish në katin e 7-të pa zbritur poshtë me ashensor, në përditësinë e problemeve e kotësive të Shqipërisë.
Një komb në shpërgënj që grindet e që nuk ia ndërron askush pelenat.
Burri me kapele në kokë i quajtur Moikom ecën përbri bareve te ish-Ekspozita.
Shqiptarët sot nuk janë dyer, janë kryesisht sedilje.
Prej të paktëve, ai është një derë për diku.
Mund ta thërras e të flasim për letërsinë, për ata që kanë ikur e për ata që janë.
Por ne vrapojmë shumë pa arritur askund.
Libri i Sinopseve është i vështirë për t’u gjetur.
Ne shkruajmë shumë e lexojmë pak.
Studentët e fotokopjojnë dhe nisen drejt kafeneve me fotokopjet nën sqetull.
Pas 2 muajsh, nga ato fletë me gjurma pluhuri karboni (pasojë e makinave fotokopjuese të amortizuara nga materialet e dobëta që sjellin studentët) do të marrin jetë si subbjekte moikomiane 12 filma të shkurtër.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura