DR.MOIKOM ZEQO: DEKALOGU POETIK LASGUSHIAN

Tiranë, 21 shkurt 2018: Në librin tim “LASGUSHI I PANJOHUR”, botuar në 2017, kam harruar pa përfshirë dhe një esse timen të vitit 1999, kushtuar 100 vjetorit të Lasgush Poradecit.
Ja teksti i essesë, që e plotëson librin:

***
Në vitin ndarës dhe bashkues të mijëvjeçarit të dytë me mijëvjeçarin e tretë, në 1999, u identifikuan gati në mënyrë profetike viti i sakrificave vigane dhe lirisë së Kosovës me 100 vjetorin e lindjes së një poeti, i cili lumin Drin e bënte të rravgonte shumë kohë më parë mes përmes të asaj Shqipërie, që ka qenë dhe asaj Shqipërie që do të jetë.
Poezia e Lasgush Poradecit është kështu një simbol zodiakal i papërsëritshëm dhe gati pothuaj i vetmi në shumë kuptime kohore dhe estetike.
Ndoshta më shumë se kujtdo vargu i famshëm “Fluturoi dhe shterg i fundit, madhështor, me shpirt të gjorë” i përshtatet vetë poetit.
Ai do të jetë gjithmonë një shterg i fundit, ai nuk mund të përsëdytet më kurrë në amëshim.
Ai është një qenie e mbyllur përfundimisht por vetëm si moshë fizike, ai është një qenie e hapur ndoshta si ajo sfera e Blez Paskalit, qendra e së cilës është në çdo pikë të hapësirës.
Përsiatjet e rrafshit interpretues janë të pafundme, këto përsiatje na bëjnë vetëm të kuptojmë diçka pa arritur asnjëherë deri në fund.
Ja pse, kritika letrare sa ka një karakter empirik, sepse nuk ka saktësi matematikore dot, aq ka dhe një karakter mendor metafizik.
Ndërthurja në këtë rast është mjeshtëria më e lartë dhe vështirësia më kolosale.
Gjithsesi ne pasardhësit jemi skajëzuar në vlerësime sipërore, po sipas vështrimeve të ndryshme shpesh dhe botëkuptimore.

Lasgush Poradeci (1899 – 1987)

Qytetaria poetike e Lasgushit në Republikën e Letrave Shqipe dhe Botërore është e padiskutueshme më dhe i përbuz doktrinat idealiste dhe materialiste.
Le të më lejohet përvujtërisht të skicoj disa nga paradokset e mrekullueshme e ndoshta të përjetëshme të veprës poetike lasgushiane.
1.Lasgush Poradeci është poeti që vendosi raportin e ri të estetikës duke bërë një pikë të palëkundur të rëndesës në poetikën shqipe.
Kjo përparësi e estetikës nuk është vetëm poetike.
Lasgushi e ka emancipuar poezinë shqipe ndërmjet një estetike, si pakkush në të gjithë shekujt letrarë të Shqipërisë.
2. Eseja e Eqrem Çabeut për Lasgush Poradecin është një mrekulli konceptuale, ku akribija e dijetarit është e mbushur me pasionin e fuqishëm të njohësit të thellë të misterit dhe të sekreteve të krijimtarisë mendore.
Eseja e Çabeut nuk është një ultima verba por është fakt, që esetë e tjera, apo studimet e tjera janë tejet larg kësaj kënge të fundit të mjellmës, e cila çuditërisht është edhe e para.
Çabeu e quan Lasgushin poetin që Shqipëria do t’ia falte një ditë botës dhe në të vërtetë ja fali. Ja fali pikërisht ahere kur Çabeu e kish bërë parashikimin, pjesa e mëtejshme e krijimtarisë së Lasgushit nuk është se e ngriti akoma më cilësisht, çudia kishte ndodhur vitet e mëpasshme vetëm treguan mbijetesën e kësaj çudie.
Çabeu është i pari që në rrafshin krahasimtar të poezisë evropiane kërkon të bëjë një bashkëkohësi të denjë të Lasgushit.
Çabeu bën një vërejtje të hollë të llojit antropologjik të poetit, duke theksuar se „Poradeci është larg nga të qenët një njeri latin“ dhe të krijimtarisë së tij, e cila ka një emocion shpesh të përafërt me ekstazën.
Si plotësim të mendimit Çabeu thotë se „Niçes i pëlqente poezia latine e Horacit, stili latin i Montenjit, po pak të mëdhenj kanë qenë aq shumë të munduar nga demoni i mendimeve kaotike sikurse Niçe“.
Ky mendim brilant i Çabeut është shumë sipëror.
Lasgush Poradeci ka qenë i munduar nga përbrenda nga një demon i madh i pasioneve lirike dhe i vrulleve të paepshme.
Dhe vërejtja tjetër e Çabeit, që duket gati si herezi ose blasfemi për kritikët pedantë dhe vullnetmëdhenj, se Lasgushi nuk është poet lirik në kuptimin me të vërtetë të fjalës, më shpesh vjershat e tij janë drama dhe shumë prej syresh tragjedi të vogla. Shquan prologun, aktin e parë të dramës, kulmin e dramës, është plotësisht e vërtetë.
3. Vendi i Lasgushit në hierarkitë letrare nuk mund të përcaktohet as me dekret mbretëror dhe as me plebishit.
Lasgushi është ai që është në shumësinë e hierarkive.
Ai nuk është i vetmi poet i madh i shqiptarëve, por nuk është as shumë i ngjashëm me të tjerët.
Ai i ka krijuar një hapësirë të pakufishme lirikës shqiptare, po pa zënë dot vendin e De Radës, të Serembes dhe të Naim Frashërit.
Klasifikimet e skajshme dhe kulti i Lasgush Poradecit është tashmë një gjë deri diku e kapërcyer, sepse çdo lloj kulti nuk është gjë tjetër veçse një formë intelektualiste e injorancës ose e besëtytnisë.
Lasgushi është i vetëmjaftueshëm, s’ka nevojë për asnjë lloj kulti.
4. Lasgushi nuk ka lindur në boshllëk.
Ai është vërtet një sintezë e re, po jo pa një materie paraprake.
Ndër poetët kryesore, që mund të kenë shërbyer si guida e Virgjili për Danten për Lasgushin mund të përmend: Naim Frashërin, Asdrenin si dhe poetë të tillë botërorë si Emineskun, Bodlerin, Mysenë dhe Lamartinin.
Do të përmendja këtu dhe poetët e mëdhenj të Vedave indiane.
Për Emineskun, Lasgushi ka bërë doktoratën dhe është ndër të parët studiues shqiptarë që përdor metodën krahasimtare. Botimi i kësaj doktorate në gjuhën shqipe është vërtet një ngjarje për kritikën dhe eseistikën shqiptare.
Shumë motive në poezinë e Lasgushit kanë një frymëzim më shpesh formal nga Eminesku.
Lasgushi e kuptoi risinë e modernizimit të poetikës shqipe nga Asdreni dhe nganjëherë e shpall si akt shpirtëror Asdrenin. Në të vërtetë dy poezitë kryevepra të pazakonta kushtuar Naim Frashërit tregojnë diçka tjetër, diçka më tepër sesa miti atdhetar, sepse në mënyrë absolute dhe jo rastësisht Lasgushi e bën përmendoren e dyfishtë poetike për Naim Frashërin.
5. Lasgush Poradeci bëri një modernizim të poetikës sonë në hullinë që e ka ditur dhe e di vetëm ai.
Me sa duket kjo hulli e hapur do të mbetet vetëm e mbyllur. Vetëm kështu ka kuptim kjo hulli.
6. Lasgush Poradeci është një murg iluminist i Liqenit të Ohrit.
Ai është poeti më i madh rreth e qark perimetrit të këtij liqeni.
Në kohëra të largëta, në zanafillë të historisë, ndanë liqenit të Ohrit ka shkëlqyer saga mitologjike e Kadmit të Tebës, i cili erdhi këtu dhe u bë mbreti i Enkelejve dhe lindi djalin e quajtur Ilir, që u bë eponim i popullit të madh ilir.
Liqeni është ikona kryesore onufriane e Lasgush Poradecit. Kulti i liqenit të kujton ndikimin e largët intelektual të famshëm të Lamartinit për liqenin, i cili është një det i vogël i mbyllur mes tokës.
Me liqenin e Ohrit, Lasgushi lidh vetësakrificën e pelikanit, i vetmi shpend i cili kur zogjtë e tij kanë uri, u jep copa mishi nga trupi i vet.
Kjo është një eukaristi, që krishterimi i dha një simbolikë absolute.
Eukaristia dhënia e bukës dhe e verës ka të bëjë me dhënien e trupit dhe gjakut të Krishtit tek të tjerët.
Pelikani ka simbolizuar kështu vetë Krishtin dhe në ikonografinë ballkanike por edhe atë perëndimore figura e pelikanit është gjithmonë ashtu siç është figura e mjellmës për të simbolizuar Zeusin, duke krijuar tek mjedisi njerëzor formën prej shpendi të shenjtë të Krishtit.
Poezia e famshme e Lasgushit “Vdekja e Nositit” ka të bëjë me një poezi me të njëjtin subjekt të Alfred De Mysesë.
Por nuk bëhet fjalë për imitim, as për plagjiaturë vulgare. Përkundrazi, bëhet fjalë për një nga kryeveprat poetike më të mëdha të poezisë shqipe.
Jo vetëm pelikani, që Lasgushi e quan Nosit (dhe ndoshta Bodleri e quan Albatros apo Pëtëfi e quan lejlek, dhe Kici e Mjeda e quajnë bilbil), për Lasgush Poradecin ka një rëndësi kryesore ikonografike identifikimi i vetes si poet me Zogun e Qiejve.
Kjo është figura e Shpirtit të Shenjtë.
Nga triniteti dalim kështu tek një motiv i strukturuar poetik. Zogu i qiejve i Lasgush Poradecit ka qiellin e poezisë dhe është metafora e madhe e një epifanie të amshimit.
Ky zog i qiejve klith: “Est ubi gloria nunc poesiae?” (“Ku është lavdia e poezisë”)
7. Ndonëse është një lirik i thugët, që ka parasysh subjektin e dyfishtë, apo dualizmin njerëzor të sekseve që janë Adami dhe Eva, të quajtur në shqip Trimi dhe Vasha, Lasgush Poradeci e këndon dashurinë si një forcë të plotfuqishme, por pa seksualitet. Është e çuditshme të vihet re që në poezitë e dashurisë së Lasgushit ka një platonizëm të pabesueshëm, duket se dashuria për Lasgushin është vetëm shpirtërore, kurse raporti seksual, që është një raport i qenieve tokësore, është gati i anashkaluar, gati i mohuar dhe s’di pse Erotika e Lasgush Poradecit të kujton dashurinë midis qenieve sipërore, të epërme, siç janë engjëjt, për të cilët nuk dihet se çfarë seksi kanë.
Erotika e poezisë së Lasgushit vërtet ka një karakter baladik popullor, por njëkohësisht ajo ngrihet drejt një bote metafizike dhe mund të thuhet se modelet platonike të ideve janë të parapëlqyera nga ky poet shpallet si një natyrë krijuese dhe paradoksale duke patur parasysh edhe formulën e Turtulianit “Diabulus Simia Dei” (“Djalli imiton Zotin”).
Kam gjetur për herë të parë një përkim tepër interesant të poezisë së vedave indiane me poezinë e Lasgush Poradecit.
Vargjet e poezisë “Përjetësia”:
Nër shteg bashkimi, që ti s’di se si
bashkohesh brenda me përjashtësi
bashkohesh jashta me përbrendësi
bashkohesh thellë me përjetësi.
Kanë një binjakëzim të çuditshëm, me një strofë të marrë nga vedat që kanë një lashtësi marramendëse.
Unë kam gjetur nga leximi i vedave më saktë nga libri i quajtur « Upanishad » këtë tekst të vjetër hindu si më poshtë :
« Kjo gjallërohet dhe s’gjallërohet.
Kjo gjë është larg dhe fare pranë,
Kjo gjë është brenda gjithçkaje,
Kjo gjë është jashtë gjithçkaje ».
Çabeu ka vërejtur me saktësi artikulimin poetik të mistikës. Tek De Rada kemi mistikën katolike, tek Naim Frashëri kemi mistikën bektashiane, kurse për mendimin tim tek Lasgush Poradeci kemi artikulimin e mistikës së vedave.
Lasgushi është një poet tërësisht panteistik, spinozian. Panteizmi tek Lasgushi është lëvizja e yjeve, vallja e tyre, gjallesa e gjithçkaje madje edhe e vetë vdekjes.
Panteizmi i Lasgushit është mohimi më i shkëlqyer i vdekjes dhe i qetësisë. Panteizmi i Lasgushit është konkretisht « Anima mundi » (« Shpirti i botës »).

9. Në planin krahasimtar evropian të poezisë Lasgushi është mjeshtër i vonuar i simbolizmit.
Kjo nuk duhet harruar jo thjesht për arsye të kaq tekanjoz dhe kaq naiv siç është Lasgush Poradeci.
Poezia erotike e Lasgushit ka një vuajtje të vazhdueshme, por nuk ka tragjikë sociale dhe kjo gjë duket gati si një paradoks.
10. Lasgush Poradeci hyn tek poetët me vizion mesianik. Figuracioni biblik është edhe i dukshëm edhe i fshehtë. Mesianizmi i Lasgushit e shndërron atë në një nga pleqtë madhështorë të vizioneve të Apokalipsit që pa Shën Gjoni kur ishte i internuar në ishullin Patnos.
Ky mesianizëm ka të bëjë me besimin, që koha e lashtë është në të ardhmen, se poezia është materie e kësaj kohe të artë, se poezia është e vetmja alkimi e besueshme.
Të paktën besimi mesianik i Lasgushit për Kosovën qe më i sigurt sesa profecitë e Nostradamit.
Pak ose aspak është folur për disa ndikime të fuqishme te Lasgushi nga poezia e madhe mistike e Lindjes.
Dihen ca shënime të pakta të Lasgushit në mënyrë admiruese për vedat indiane.
Ai ka studiuar sanskritishten.
Dëshmia më e madhe në këtë drejtim është poema kryevepër e tij e quajtur “Kamadeva”. Përveç poemës ka dhe një poezi me të njëjtin titull.
Sipas vedave Kama është një shpirt motër e Marutës pjesë e shpirtit të natyrës.
Kama është ekuivalent i Erosit, ose i Kupidit.
Fjala “Deva” në sanskrisht do të thotë “Perëndi”, “Hyjni”. Kamadeva është kështu hyjnia e dashurisë, një kombinim i konceptit hyjnor të dashurisë të një periudhe arkaike, së bashku me konceptin androgjin, ku koncepti seksual kundërshtohet nga koncepti joseksual.
Sidoqoftë Kamadeva ka një natyrë demoniake.
Sipas një legjende budiste Kamadeva e prek tokën dhe merr prej saj forcë universale.
Me Kamadevën lidhet ideja apo praktika e “Karecës”, që në latinisht është veprimi i quajtur “Coitus Rezervatus”.
Kjo praktikë seksuale e Lindjes, është njëkohësisht edhe rit në filozofinë tantrike.
Kamadeva e Lasgush Poradecit ka të bëjë kështu me një nga ndikimet më të mëdha budiste në poezinë shqipe, ku natyra demoniake, saktësisë.
E vërteta duhet respektuar.
Lasgushi i jep shumë rëndësi strukturës simbolike në çdo poezi të tij. Pak a shumë skema e çdo poezie ka të bëjë me ngritje (lartësi), me një rënie (vdekje) dhe me një ringritje (ringjalljen). Simbolizmi poetik i Lasgushit ka të bëjë me kthimin e ritmit dhe të fjalëve me një arketip muzikor disa herë tepër të rreptë. Lasgushi është një pitagorist i muzikës së poezisë, madje disa herë tingëllimi i fjalëve synon të ketë karakter onomatopeik.
Kjo gjë nuk duhet parë si formalizëm, apo thjesht si një truk a trill magjistar.
Simbolizmi muzikor i Lasgushit nuk është jashtë semantikës. Por është pikërisht ky simbolizëm, që e bën fatalisht gati të papërkthyeshëm në gjuhët e tjera poezinë e Lasgush Poradecit.
Lasgushi ka krijuar një magji të madhe për shqiptarët, por kjo deri diku është një mrekulli ezoterike sepse s’mund të shndërrohet në gjuhët e tjera të botës.
Megjithatë guxoj të shprehem se poezia s’ka të bëjë fare me fjalën, ndonëse paraqitet me anë të fjalëve.
Poezia ashtu si Logosi nuk është vetëm fjalë por edhe qenie njerëzore apo hyjnore.
Poezia është diçka e brendshme thelbësisht, jo aq një vernik i jashtëm sesa një dritësim i thelbit.

Për poezinë e Lasgushit mund të thuhet qartë formula e paharruar në shekuj: “Verba tene, res sequentur” (“Kur ke fjalët sendet vijnë pas”).
100 vjetori i Lindjes së Lasgush Poradecit në vitin 1999, gjithsesi është një ringjallje e re e tij.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura