DR.MOIKOM ZEQO: FAIK KONICA DHE LETËRSIA UNIVERSALE

Tiranë, 31. 07. 2015 – Faik Konica dhe Jorge Luis Borgesi nuk e kanë njohur kurrë njëri-tjetrin. Tek kjo frazë pohuese (ose mohuese, – që janë e njëjta gjë) fjala “kurrë” ka diçka prej infiniti të vrazhdë, ose të një kaosi dhe boshllëku mizor, kundërshti dhe fatalitet. Ndonëse të papërputhshëm dot, pa asnjë “rendes vous” shqiptari sqimatar dhe argjentinasi erudit kanë patur të përbashkët “të tretët”, – kanë lexuar të njëjtët shkrimtarë dhe kanë shkruar për ta, për Homerin, Virgjilin, Danten, Servantesin, Shekspirin, poezinë moderne, sagat atike dhe mesjetare.
Formula: A e njeh C, por edhe B e njeh C, ahere A dhe B edhe pa e njohur njëri-tjetrin, prap janë me një binjakëri misterioze, ndonëse jo gjenetike, është një hulli e sigurtë shpjegimi dhe mbase argumentimi hipotetik.
Kjo hap rrugë dhe hapësira të reja përsiatjesh dhe na siguron një metodë konceptuale dhe të plleshme rindërtimesh të biografive të panjohura (ose të pjesëve të zhdukura të biografive të njohura).
Midis Konicës dhe Borgesit ka disa përkime të hatashme (a thua të rastësishme?), një afrimi enigmatik dhe substancial të shijeve estetike dhe idesh të epërme, delikate dhe të stërholluara.
Borgesi e ka bërë një studim “Për një varg të Apolineri”(“Sur un vers d’Apollinaires”) ndërkohë që miqësia intelektuale e Konicës me Apolineri ka qenë proverbiale. Një miqësi e pashembullt.
Nëse Konica është më i përmbajtur, Apolineri e adhuron pa asnjë drojë, apo skepticizëm ironik. Apolineri e quan Konicën një “Pierre Bayle të dytë”. Apolineri ka shkruar kujtime për Konicën, dhe kur Konica nuk ishte as 31 vjeçar e bën edhe personazh bizar në një roman të tij.

Jorge Luis Borges (1899 – 1986) dhe Faik Konica (1875 – 1942)

Konica i shkruan letra Apolinerit me një kaligrafi të huazuar nga shkrimi i Petrarkës, me pseudonimin Beniamin De Casseres, një lloj poezie në prozë, mbushur me fraza filozofike dhe imazhe biblike, ku përmendet Gëtja dhe Bethoveni etj.
Konica ka lindur në 1876. Borgesi në 1899 (Konica ahere qe 23 vjeç). Jetë të ndryshme. Çuditërisht të dy patën pasione deri dhe konceptime gati të njëjta.
Studimi kriticist filogjik dhe estetik i Konicës për përkthimet e Homerit ka ngjashmëri me esenë e çmuar të Borgesit për “Përkthimet e Homerit”.
Argumentet dhe sqima tek të dy tingëllon e një rendi të inteligjencës, të krahasimtarisë elegante dhe ironisë erudite.
Të dy shkruajnë për Carlyle-it, Shelley-in, Thomas de Quincey-in, Danten, Xavier de Maistre-in, Servantesin, Shekspirin, Shopenhaurin, Edgar Allan Po-en, Arthur Rimbaud-in, Giambatisto Vico-n.
Të dy adhurojnë përrallat arabe të “Njëmijë e Një Netëve”. Konica bën diçka më konkrete: i përkthen në shqip.
Xavier de Maistre-i e mbiquan Konicën “enciklopedi lëvizëse”. Borgesi është i tillë gjithashtu. Ndoshta edhe më i çuditshëm, por një sfidant krenar me një modesti të pabesueshme, – një formë e një përkorje dinake.
Të dy kanë nderim të brendshëm dhe elitar për Remy De Gourmont-in.
Secili e mban portretin e Gourmontit në studion e vet.
Gourmonti nuk ka shkruar asnjë rresht për Borgesin (nuk pati mundësi ta njihte) por për Konicën ka bërë një esse të epërme. Gourmont-i e quan Konicën si “dijetar shqiptar që duket se është familjarizuar me shumicën e gjuhëve të mëdha të Europës dhe të Azisë, me afro 200 gjuhë të gjalla dhe të vdekura”. Dhe Apolineri shton “ky shqiptar i ditur është në llojin e vet, dy herë më i përbindshëm se Argusi dhe Briareu”. (Argusi qe heroi mitik me 100 sy dhe Briareu një tjetër hero miti me 100 duar.)
Le të më lejohet skepticizmi në këtë rast. Shijet e njëjta, njohuritë paralele nuk janë ende argumente përcaktues ashtu siç janë edhe rastësitë e mistershme dhe kaotike.
Konicologu i spikatur Luan Starova ka meritën e një vështrimi me te përputhshëm, të një ideje më të pabesueshme por edhe unike. E bën një përqasje më tronditëse.
Përmend prozën e Borgesit “Studimi i veprës së Herbert Kvejnit”, botuar në 1941. Proza është tipike (emblematike) borgesiane. Herbert Kvejni është një shkrimtar i shpikur, që s’ka ekzistuar kurrë, por kinse për të kanë shkruar emra të shquar dhe realë të kohës.
Më 5 qershor 1904, në revistën “Festin d’Esope”të Apolinerit Konica boton në frëngjisht prozën “La plus colossale mystification de l’histoire de l’espéce humaine”(“Mistifikimi më kolosal në historinë e racës njerëzore”). Proza koniciane është e pazakontë. Është edhe trill edhe shkencë. Flet për filologët e shastisur si dijetarët ëndërrimtarë të ishullit Laputa të Swiftit. Përshkruan orjentalistët e shumëditur dhe të marrë, të cilin shpikin gramatika të gjuhëve që nuk ekzistojnë dhe që kanë në dorë “një farë çelësi diturak, që duke zhvendosur frazat dhe fjalët i shndërrojnë gramatikat në traktate pornografike”.
Debatet imagjinare janë këlthitëse dhe të zymta.
Ka një episod surrealist: një orientalist i ndërkryer mori në dorë një libër të një farë Bujhrakap-i, botuar në Benore, më 1884 me titullin “Santalis Reading Book”. Me një lëvizje të gjallë e flaku librin duke thirrur: “Çfarë? Një libër santali? Nga na mbiu një gjuhë e re? A s’keni turp të gjithë? Pos idiomës santali do të na pillni padyshim dhe gjuhën e zhivës!”
Një tjetër dijetar flet për mënyrën se si te një gramatikë e sanskrishtes të zbulosh dicka (pa kabalë, pa optikë gnostike) si një përkthim të librave me pervesitete seksuale të Markezit Sad.
Maniera e perceptimit konician ngjan me atë borgesian.
Le të kujtojmë dhe kryeveprën e Borgesit “Tlon Uqbar Orbis Tertius”, ku meditimet skandaloze për gjuhën tlonase ngjajnë me shpotitë lemeritëse të Konicës.
Borgesi ngre lart Marsel Schwob-in, librin e tij “Jetë imagjinare”të cilin e pati model imitimi. Konica i përgjigjet kërkesës së Apolinerit për të shkruar diçka për Schwob-in “nga vepra e tij shumë e këndshme ka shumë njohuri tejet të copëzuara ndaj s’marr përsipër për të shkruar për të.”
Konica ka diçka të përbashkët me Schwob-in, por dihet që është dembel dhe mospërfillës krenar.
Tani le të përqendrohemi. Borgesi u bë shkrimtar botëror pa një të dytë. Konica nuk u bë shkrimtar botëror. Por në llojin e vet ai është pa një të dytë.
Konica është përherë fragmentar, ka shkëndija gjeniu, por nuk strukturohet (ndoshta me qëllim) si i tillë.
Ai i kishte kuptuar letërsinë si palimpsest. Borgesi e ktheu gati në një doktrinë letrare palimpsestin.
Konica vdiq në 1942. Borgesi në 1992.
Por kishin disa aftësi perceptuese të përbashkëta. Edhe pa njohje konkrete me njëri-tjetrin midis tyre ka ndërlidhje të padukshme enigmash dhe identitetesh.
Diçka të Konicës mund ta rizbulosh tek Borgesi.
Diçka e Borgesit paraprihet tek Konica.
Janë të një race të rrallë të njerëzimit monoton dhe të pafund. Secili në fatin e vet. Borgesi mes aurës magjike të famës, Konica në errësirën e një kinse harrese
Por në këtë raport dritë-hije e konceptojmë një grafike të pavdekshme: atë krijuesit të madh, i cili arrin në lartësitë marramendëse, ku s’kanë asnjë rëndësi më emrat, fytyrat, biografitë, gjuhët madje dhe fatet vetjakë.
Dikur Paul Valery-a (në 1938) shkroi: “Historia e letërsisë s’duhet të jetë historia e autorëve dhe e të papriturave të karrierave të tyre a e karrierave të veprave të tyre, por Historia e Shpirtit si prodhues dhe konsumues i letërsisë. Një histori e tillë mund të hartohet pa përmendur as edhe një shkrimtar.”E mrekullueshme!
S’kemi nevojë për katalogë ku pranë germës B të vihet edhe germa K
Në Historinë e Shpirtit Konica dhe Borgesi i shkatërrojnë pengesat, tabutë. Janë i njëjti Shpirt i Botës.
Sub aeternitas!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura