HAMDI HYSUKA*): POETË QË U NJOHËN DHE PA U PARË

Tiranë, 20 shtator 2020: Këtë fillim muaji shtator 2020, edhe pse në kushte bllokimi pandemie, qyteti Burrel i Matit kishte arsye për t’u ndjerë i bukur, festiv e mikpritës. I takoi poezisë, muzës poetike budiane, kësaj bukurie të rrallë shpirtërore me moshë të re 5-vjeçare, të ftonte poete e poetë gjithkombëtarë në një festival poezie krejt ndryshe. Duke i bërë nderë mbretëreshës sonë të fjalës së bukur, ftesës iu përgjigjën 52 autorë, 20 prej të cilëve për herë të parë. Me krijimet e tyre konkuruan autorët nga Mati, Përmeti, Prishtina, Shkodra, Saranda, Drezdeni i Gjermanisë, Tetova, Selaniku, Prizreni, Elbasani, Tirana, Metvegja, Detroiti dhe Florida e SHBA-së, Malësia e Madhe, Istogu, Kurbini, Durrësi, Tropoja, Vlora, Fieri, Podujeva, Dibra, Gramshi, Klina, Malësia e Madhe, Tivari, Londra, Kavaja; Novara, Bergamo dhe Astí të Italisë, Elbasani, Kuçova… Festivali u zhvillua në kushte të mospranisë shoqërore të konkuruesve dhe u transmetua live në portalin “mattv.al”, në platformat “Mat Televizion”, yotube dhe rrjetet sociale facebook dhe instagram. Për të gjithë, në këtë atmosferë poetike festive, u dha mesazhi kuptimplotë se si arti duhet të kërkojë rrugë e zgjidhje për t’i tejkaluar bllokazhet. Festivalit i parapriu botimi i vëllimit të parë “Stinë e blertë”, me poezitë më të zgjedhura të katër festivaleve të mëparshëm.
* * *
Edhe ky festival gjithkombëtar, në kujdesin e kryetarit të Bashkisë Mat, z. Agron Malaj, ishte festë e fjalës së ëmbël budiane, sepse poezia e kultivuar e kombit tonë zanafillën e ka në Mat. Kjo ngjarje artistike nderoi poezinë shqipe, poetët, por dhe Klubin Letrar “Pjetër Budi”. Me fjalët e tyre dinjitoze përshëndetëse festivalin e pasuruan kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, prof. Shyqri Galica, botuesi i gazetës “Nacional” z. Mujë Buçpapaj, prof. dr. Nikolla Spathari, kryetar i Klubit të Shkrimtarëve të Durrësit, poeti shkodran Ramazan Çeka etj. Vërtet arti dhe letërsia janë ura të padukshme miqësie, që lidhin popuj me njëri-tjetrin. Me drithërima shpirti, përmes videomontazheve, në ekranin e Mat Tv poetët derdhën frymëzimet e tyre. Me këtë formë festivali synuam të tërheqim vëmendjen e opinionit kulturor, duke qëndruar të bashkuar dhe të angazhuar për të mos lejuar një erozion të pritshëm intelektual, letraro-artistik, i cili do të nxirrte jashtë rrjedhave normale koherencën tonë kulturore, trashëgiminë dhe identitetin tonë, duke zbehur qëndrueshmërinë përballë këtyre realiteteve të reja.

* * *
Mati identifikohet me matjanë trima e të kulturës, por vitet e fundit, jashtë modestisë, dhe me Klubin Letrar “Pjetër Budi”, i cili përmes aktiviteteve që zhvillon mban në nivelin e kohës kulturën, poezinë. Edhe pa u parë poetët e shumë trojeve shqiptare e të diasporës në Mat u bashkuan, mes të cilëve: Basir Bushkashi, Haqif Heta, Kujtim Mateli, Rudi Berisha, Ramazan Çeka, Farida Ramadani, Namik Selmani, Llesh Murrani, Hysen Grajçevci, Rushit Ismajli, Kasam Shaqirvela, Dhimitër Nica, Anila Mihali, Valentina Kurti, Tyran Prizren Spahiu, Ermal Lala, Greta Kadare, Irena Gorrica, Majlinda Shaqiri, Sami Milloshi, Nikolla Spathari, Maxhun Osmanaj, Fatbardha Behri (Kaçi), Liza Brozi, Vladimir Shyti, Xhiliola Lamaj, Marjeta Shatro Rrapaj, Gëzim Buna, Zyra Ahmetaj, Myrteza Mara, Fatmir R. Gjata, Ramë Oraca, Ilmi Dervishi, Ligor Shyti, Pozaet Qose, Agim Desku, Rita Shkurtaj, Gjokë Dabaj, Xhavit Gasa, Adivije Hoxha, Mevlud Buci, Albi Lushi, Riza Doda, Trandafile Molla (Baja), Valbona Kaimi, Shaban Pllana, Sami Velçani, Irma Kurti, Ferit Rama, Bajram Canameti, Mefa Plaku, Ramije Ukaj.
Sipas vlerësimit të poetes sonë Lindita Doda, të gjithë bashkë në këtë festival u vumë përballë një rendi dhe forme të re komunikimi intelektual e artistik, që arti mos ta humbte sensin kulturor të krijimit të vlerave kulturore dhe artistike, mos të humbnim shprehitë tona më fisnike. Por dhe në këto kushte të konsumojmë vlera shpirtërore, për t’i dhënë hapësirë krijimit dhe krijimtarisë, duke sofistikuar marrëdhëniet tona, për të ndërtuar e mbajtur në këmbë urat e komunikimit, njëkohësisht për të vlerësuar krijuesit dhe arritjet e tyre.
Në emër të jurisë kryetarja Lindita Doda falenderoi poetët që gjetën forcën krijuese për t’u bashkuar me artin dhe për ta sfiduar këtë betejë të pashembullt. Sipas saj, ky ishte çmimi më i madh që të gjithë poetët fituan, pa përjashtim. Ndërsa vleresimi ishte specifik për të respektuar, krahas vlerave artistike, gjithëpërfshirjen, si vlerë tonën themelore identitare e kombëtare. U bënë vlerësime të poezive, jo të leximeve të poetëve. Juria i vlerësoi ato pa ditur emër autori dhe autoreje. Çmimet letrare për poezinë më të mirë në Festivalin e Pestë Virtual Gjithkombëtar të Poezisë “Muza Poetike Budiane” Mat, janë:
Çmimi I: poezia “Bota rrotullohet rreth boshtit të thyer”, e poetes Farida Ramadani, Shkodër.
Çmimi II: poezia “Shoh të ardhmen” e poetit Albi Lushi, Kavajë.
Çmimi II: poezia “Buqeta me tinguj” e poetit Namik Selmani, Çamëri.
Çmimi III: poezia “Diçka tek unë nuk vdes kurrë” e poetit Hysen Grajçevci, Prishtinë.
Çmimi III: poezia “Mbreti i shahut” e poetit Myrteza Mara, Vlorë.
Çmimi III: poezia “Shpirtvrarë e zemërplasur”, e poetit Riza Doda, Mat.
Ndërsa me Çmimin e karrierës, “Për krijimtari të suksesshme ndër vite me nivel të lartë artistik e mesazhe filozofike për të sotmen e të ardhmen”, u vlerësua poeti Basir Bushkashi, Mat dhe poeti Mevlud Buci, Dibër.
Poetëve fitues u urojmë suksese, me dëshirën që krijimtaria e tyre në të ardhshmen ta pasurojë edhe më shumë panteonin e kësaj poezie, veçanërisht të shenjtëruar midis poezive të të gjithë kombeve që na rrethojnë.
-Vitin tjetër, -u shpreh studiuesi dhe shkrimtari Gjokë Dabaj, -urojmë mos të ketë “pandemi” e të mblidhemi fizikisht, të gjithë bashkë, në Matin tonë të mirë e të bukur, për ta mbajtur gjallë e për ta rritur edhe më shumë frymën budiane të kujdesit ndaj fjalës dhe gjuhës shqipe, së cilës as sot rreziqet nuk i janë larguar.
* * *
Ishte kënaqësi konkurimi në këtë ngjarje kulturore të mirëorganizuar si rrallë ndonjëherë në hapësirat shqiptare. Këngëtarja Feride Kurti, Mjeshtri i Madh Ymer Nelaj, solisti Shkëlqim Farrici dhe instrumentisti Ikli Punavija e madhështuan mbrëmjen poetike, duke i dhënë shijen e bukur të traditës sonë popullore, me këngët dhe meloditë e përzgjedhura burimore nga treva e Matit.
Shumë prej poetëve e dinë si festohet poezia në vendin e origjinës, në qytetin e paharruar të muzës budiane. Por mbresat që morën ishin të mëdha, të paharruara. Në këtë mbrëmje të çmuar virtuale të gjithë ndjemë kënaqësi, miqësi, vlerësim, dinjitet, ndjenjë që shoqëroi secilin, me premtimin për t’u kthyer përsëri.
* ) kryetar i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve “Pjetër Budi”, Mat.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura