DR.MOIKOM ZEQO: ‘FJALORI I KHAZARËVE’ I SHKRIMTARIT SERB MILORAD PAVIҪ

 (Tiranë, 20. 02. 2013) – Shtëpia Botuese “ONUFRI” 2012, botoi kryeveprën e shkrimtarit Milorad Paviçit “Fjalori i khazareve“- një çudi letrare, e pazakontë, shqipëruar mrekullisht nga Ahmet Selmani. Një ngjarje e vërtetë letrare në shqip. Milord Paviç, shkrimtar serb, i lindur në 1929 “mes katër lumejve të Parajsës, në orën 8 e 30-të, në të aguar, nën shenjën e Akrepit, dhe pas horoskopit actek të Gjarpërit” është gati i çmendur dhe i fandaksur pas palimpsesteve, vetëkuptohet, duke qenë ballkanik i tmerrshëm, i zgjuar, delirant dhe sfidues i pamëshirshëm. Ka shkruar librat “Pejzazh i vizatuar me çaj”, “Ana e përbrendëshme e erës”, “Dashuri e sprasme në Konstandinopojë”, “Loja e Tarotit”, “Demi dhe Peshorja”, por kryevepra e tij e përbindshme, e dragojtë është libri “Fjalori i Khazarëve”.

Ky libër i paparë ndonjëherë mëton të rikonstruktojë një dorëshkrim apokrif të vitit 1691 dhe të humbur, ose shkatërruar në 1692, dhe i mbetur virtualisht në mbamendjet e pasigurta dhe të dyshimta të tri librave: Librit të Kuq të kronistëve të krishterë, Librit Jeshil të kronistëve islamë dhe Librit të Verdhë të kronistëve hebrej. Libri, kinse është rishkruar me 100.000 fjalë dhe sipas rubrikave paralele të një fjalori të trefishtë. Nuk mjafton kjo, por shkrimtari e paraqet në dy variante: në variantin femëror dhe në atë mashkullor. Kështu dogma e palimpsesteve bëhet e padurueshme, shpesh dhe qëllimisht me një vështirësi gati kriminale. Khazarët janë një popull antik në Kaukaz që në mesjetë u konvertuan me dëshirë si fisi i trembëdhjetë, krahas dymbëdhjetë fiseve të njohura të Izraelit. Historia e tyre është gojëdhanore, d.m.th në tërësi e trilluar dhe njëkohësisht e vërtetë. Përpara kësaj lemerie të pasaktë raca e historianëve do të pikëllohej plot dëshpërim, kurse raca e shkrimtarëve, përkundrazi do të ngazëllohej. Librin “Fjalori i khazarëve” e kam lexuar në fillim në frëngjisht dhe pastaj në anglisht, duke u trysnuar dyfish nga ide palimpsestike e gjithëmbarëshme. Për fat të mirë, nuk e kam lexuar (se s’mund dot) në origjinalin serb, sepse s’do ta përballoja përshtypjen e pandalshme, d.m.th të trefishtë. Në dimensionin e katërt emocional unë do të paraqisja pa krenari dhe akribi simetrike diçka në gjuhën shqipe.

Shkrimtari serb – Milord Paviç.

*   *   *

Po tentoj të ravizoj, po në formën e një palimpsesti fragmentar, të shkëputur, diçka nga Libri Jeshil, orientalistik ndoshta dhe kuranor, sufist dhe shiitist: KHAZARËT – arabisht khazar, kinezisht k’osa, emri i popullit me prejardhje turke. Emri rrjedh nga fjala turke qazmak (endem, shpërngulem) apo nga quz (ana e malit e kthyer kah veriu). Mund të haset edhe emri aq-khazar, që do të thotë khazarë të bardhë. Ata me siguri e kanë marrë këtë emër për t’u dalluar nga khazarët e zinj (qara-khazar) të cilët i përmend Ishtakhri. Prej vitit 552 khazarët sipas të gjitha gjasave i kanë takuar mbretërisë perëndimore turke dhe ndoshta kanë marrë pjesë në marshimin e kaganit të parë të turqve perëndimorë drejt fortifikatës persiane Sul apo Darband. Në shekullin e gjashtë rajonet në veri të Kaukazit i mbanin sabirët (njëri nga dy fiset e mëdha hune). Por, Masudi-kronisti në shekullin X thotë se, turqit i kanë quajtur Mazarët “sabirë”. Sido që të jetë, kur burimet myslimane i përmendin hazartë, s’dihet se a është fjala gjithnjë për të njëjtin popull. I tërë populli, siç duket e kishte parasysh dytësorin e vet, si dhe sunduesi i tyre. Së këndejmi, emri i tyre, i khazarëve të zinj dhe të bardhë mund të kuptohet në tjetër mënyrë: pasi khazar në arabishte do të thotë zog i zi dhe i bardhë, mund të supozohet se khazarët e bardhë i kanë paraqitur ditët, ndërsa khazarët e zinj netët. Sido që të jetë, në fillim të historisë së vet të shënuar khazarët kishin ngadhnjyer mbi një fis të fuqishëm nga veriu, të quajtur w-n-d-r dhe përmenden në dokumentin Hudu al lam (Viset e botës). Burimet islamike i quajnë khazarët si bujq dhe peshkatarë të shkathët. Është një luginë në tokën e tyre ku dimrit mblidhet shumë ujë dhe prej tij krijohet liqene. Këtu gjuajnë peshkun që aq shumë majmet sa që e pjekin fare pa yndyrë, në yndyrën e vet. Pastaj, pasi në pranverë thahet uji, në këtë luginë mbjellin grurë i cili i plehërosur mirë nga plehu i peshqve jep fryt të pasur, kështu që në të njëjtin vend, në të njëjtin vit fitojnë një korrje të grurit dhe një të peshqve. Janë aq të shkathët, saqë në drurë u mbijnë guacka. Ata i lakojnë degët e drurëve që gjenden në bregun e detit, me gurë i lidhin përfundi dhe pas dy vjetësh aq ngjiten aq xhinxhivalle pas degëve, kështu që vitin e tretë i lirojnë degët dhe nxjerrin nga uji sasi të mëdha të guackave me shije të mrekullueshme. Nëpër mbretërinë khazare rrjedh një lumë që ka dy emra, sepse njëra degë e lumit në të njëjtin shtrat rrjedh nga lindja në perëndim, ndërsa tjetra nga perëndimi në lindje. Emrat e këtyre lumenjve janë emrat e dy viteve kalendarike të khazarëve. Sepse, khazarët mendojnë se gjatë katër stinëve të vitit gjithnjë kalojnë dy e jo një vit, me ç’rast njëri rrjedh në drejtim të kundërt nga tjetri (si dhe lumi i tyre kryesor). Që të dy me këtë rast i përziejnë ditët dhe stinët si letra, e së këndejmi përzihen ditët e dimrit me të pranverës dhe ato të verës me të vjeshtës. Dhe s’është vetëm kjo: njeri prej dy viteve khazare rrjedh nga e kaluara drejt të kaluarës. Khazarët në një shkop i gdhendin të gjitha përjetimet më të rëndësishme në jetën e vet, ndërsa këto shenja janë në formë të kafshëve që shënojnë gjendje dhe disponime, e jo ngjarje. Në formën e kafshës që më së shpeshti paraqitet në shkopin ia ndërtojnë varrin pronarit të shkopit. Së këndejmi varret në varrezat e tyre janë të ndara në grupe, varësisht se a janë në formën e tigrit, zogut, deves, maces së egër apo peshkut, vesë apo dhisë. Khazarët mendojnë se në errësirën më të thellë të Detit Kaspik një peshk pa sy numëron si orë kohën e vetme të saktë të gjithësisë. Në fillim, sipas legjendave khazare, çdo gjë e krijuar, e kaluara dhe e ardhmja, të gjitha ngjarjet dhe gjërat kanë notuar të shkrira në lumin e zjarrtë të kohës, qeniet e mëparshme dhe të ardhshme të përziera si sapun me ujin. Çdo gjë e gjallë ka mundur në atë kohë të krijojë çdo gjë tjetër dhe më vonë perëndia khazare e kripës ua ka kufizuar autokracinë dhe i ka gjykuar që të mund të lindin vetëm gjallesa të ngjashme me veten. Ai e ka ndarë të kaluarën nga ardhmëria duke e mbikqyrur. Ai vetvetiu krijon mbarë botën, por edhe e gëlltit dhe përtyp çdo gjë që është e vjetër, në mënyrë që botën sërish ta vjellë të përtërirë. Fatet e të gjithë llojeve njerëzore, libri i popujve është i shkruar në gjithësi, ku çdo yll paraqet çerdhe dhe jetë tashmë të formësuar të një gjuhe apo një populli. Kështu kozmosi është amëshim i dukshëm dhe i koncentruar në të cilin drithërojnë fatet e llojeve njerëzore, si yje. Khazarët dijnë t’i lexojnë ngjyrat si të ishin shenja muzikore, shkronja, apo numra. Faltoret e tyre janë punuar sipas një rendi të saktë dhe të caktuar më parë, dhe kur lidhen japin pamjen e Adam Ruhanit, engjullit të tretë, simbolit të princeshës khazare dhe sektit të saj të klerikëve. Personi i një ëndrre kalon te khazarët në ëndrrat e tjera dhe khazarët mund ta përcjellin prej fshati në fshat. Ekzistojnë klerikë nga sekti i princeshës Ateh të cilët udhëtojnë pas këtyre personave nga ëndrra në ëndërr dhe i shkruajnë jetëshkrimet e tyre, si jetëshkrimet e shenjtorëve apo profetëve me përshkrime të gjera të vdekjeve. Këto gjahtarë të ëndrrave nuk i do kagani khazar, por nuk mund t’i dëmtojë. Gjahtarët e ëndrrave gjithnjë mbajnë me vete nga një gjeth të një bime të cilën atje e kultivojnë dhe e quajnë “ku”. Kur gjethi i këtillë vihet në të çarën e pëlhurës së anijes apo në plagë, çdo gjë arnohet dhe shërohet sa çel e mbyll sytë, si vetëvetiu. Ekziston një vend i tillë në Itil (metropolin khazar), ku dy vetë, po edhe njerëz krejtësisht të panjohur, kur kalojnë njëri pranë tjetrit në të ardhmen marrin çdonjëri emrin dhe fatin e atij tjetrit dhe e vazhdojnë jetën në rolet e ndërruara, sikur t’i kishin ndërruar kapelet. Ndër ata që presin në atë vend për ta ndërruar fatin me ndonjë tjetër, me këdo, më së shumti ka khazarë.

Kopertina e librit të Milorad Paviç’it në anglisht.

*  *  *

Tërë teksti i mësipërm është shkronjërisht i saktë, monumental. Por shkronjat ndaj janë shpikur, më tepër për të amëshuar të rremën, se sa të vërtetën, por nuk duhet të shqetësohemi aspak për këtë gjë të pashmangshme. Pavic është i pakujdesshëm dhe në shumë mënyra ortodoks brilant, por Shehrezade e përrallave arabe të 1001 netëve e ka torturuar keqas në çdo përfytyrim, ide dhe imazh. Duke e patur të dobët instiktin e rregullit antologjik ai krijon, pa frikën e një plagjiature të mundshme dhe të rrëmujëshme figurën e Princeshës khazare me emrin Ateh, që ngjan si klithmë shpirti, që s’është gjë tjetër veçse një palimpsest, gati rutinor, por dhe i pazakontë i Princeshës Shehrezade, e cila nga ana e saj është gjithashtu palimpsest i princeshave pa emra, të sektit të pafund dhe të plotfuqishëm të matriarkatit të amazonave dhe patriarkatit të Hirusheve të pafat. Milorad Pavic nuk nguron të japë tri biografi virtuale të princeshës Ateh, që për hir të arketipit të Trinitetit hinduist, por edhe të krishterë, përbëjnë Një të vetme. Princesha Ateh më tepër na pikëllon me inteligjencën e saj mistike, sa më shumë mësojmë për këtë personazh në artikulimet e kulturave dhe qytetërimeve të ndryshme aq më e fshehur dhe okulte bëhet jeta e saj. Po citoj: Princesha ATEH, (fillimi i shekullit IX) – sipas dokumenteve islamike në pallatin e kaganit khazar jetoi një kohë kushërira e perandorit, e njohur për nga bukuria. Para lokaleve të saj rrinin roje qen të mëdhenj me qime të argjendta që rrihnin me bisht veten. Rrokullisnin në fundin e mushkërive bashkëtingëlloret si gurë ndërsa para se të flenin mblidhnin bishtat e gjatë si litarë anijesh. Princesha Ateh kishte sy të argjendtë dhe në vend të kopsave mbante zile, kështu që sipas kumbimit të tyre mund të kuptohej në rrugë, se a vishet princesha apo zhvishet për të rënë në gjumë. Por, zilet e saj kurrë s’dëgjoheshin. Princesha përveç mençurisë kishte edhe atë dhunti që ishte jashtëzakonisht e ngadalshme. Frymonte më rrallë sesa të tjerët teshtinin dhe në ngadalësinë e vet kultivonte urrejtje të thellë ndaj çdo gjëje dhe çdokujt. Por dashuri mundej të përjetonte vetëm në ëndërr. Kështu, Princesha Ateh në tërësi iu kushtua sektit të gjahtarëve të ëndrrave, klerikëve khazarë që merreshin me krijimin e një lloji të versionit tokësor të atij rregjistrit qiellor të cilin e përmend Libri i Shenjtë. Shkathtësia e saj dhe e tyre i mundësonte që në ëndrrat e të tjerëve të dërgojë porosi, mendime të vetat apo të huaja e madje, edhe sende. Princesha Ateh mundej t’i vijë në ëndërr njeriut, më të ri se vetja njëmijë vjet dhe çfarëdo sendi mund t’i dërgonte personit i cili e ëndërron. Është i përkushtuar një veprim i tillë i Princeshës Ateh. Kishte futur një herë një çelës në gojën e vet dhe kishte pritur derisa e kishte dëgjuar muzikën dhe zërin e njomë të një femre të re duke i shqiptuar këto fjalë: -Veprimet në jetën e njeriut janë sikur gjellërat, ndërsa mendimet si erëzat. Nuk do të kalojë mirë ai që do t’i kripë qershitë apo që në shëllirë do t’i ngjyejë kulaçet… Kur ishin shqiptuar këto fjalë, çelësi nga goja e princeshës ishte zhdukur dhe ajo, thuhet, e kishte ditur se kështu është bërë ndërrimi. Çelësi i kishte shkuar atij të cilit i ishin drejtuar fjalët, ndërsa fjalët, në vend të çelësit, i kishin ardhur Princeshës Ateh. Si astar i këtij petku të ngadalësisë në të folurit e saj shprehej një prirje tjetër – kurrë s’përqendrohej gjatë në një objekt dhe në bisedë me njerëzit kërcente si zogu nga dega në degë. Por prandaj, disa ditë më vonë sërish i kthehej papritur rrëfimit të nisur dhe e vazhdonte edhe pa e pyetur atë që dikur kishte refuzuar të shqyrtonte, duke u humbur pas mendimeve të veta flatruese. Kjo mungesë e plotë e të dalluarit të gjërave të rëndësishme në bisedë nga ato të dorës së dytë dhe indiferenca e përsosur ndaj të gjitha në polemikën khazare. Në të vërtetë, Princesha Ateh ishte poeteshë, por e vetmja që u ruajt nga fjalët e saj është: “Dallimi midis dy “po-sh” mund të jetë më i madh se midis “po” dhe “jo”. Mendohet se në përkthimet arabe është ruajtur një numër i poezive të saj apo i teksteve të krijuara nën përkujdesjen e saj. Posaçërisht i kanë tërhequr hulumtuesit e rrethanave khazare në kohën e transformimit të këtij populli këngët kushtuar polemikës khazare. Sipas një mendimi, këto kanë qenë këngë dashurie dhe madje më vonë janë përdorur si argumente në polemikën në fjalë, kur kronistët e kësaj polemike kanë nisur t’i shënojnë ngjarjet. Si do që të jetë, në këtë polemikë Princesha Ateh mori pjesë me zjarr të madh dhe me sukses ngadhnjente mbi pjesëmarrësit hebrenj dhe të krishterë në polemikë. Tipologjia e Princeshës Ateh është prizmatike, e ndërmjetme. Letërsia krijon kështu jo thjesht personazhin, antropomorfizmi letrar bëhet i ndërlikuar, vezullues, me një besim në fakt mosbesues. Ky evoluim metafizik i personazhit klasik është si një grishje e së ardhmes së rrezikshme e shpesh të paarritshme. Princesha Ateh nuk është Hamleti dhe njëkohësisht ka diçka hamletiane, kufijtë e dallimit bëhen flu. Mendoj se proza ballkanase ka fuqi rinovuese për krejt letërsinë botërore. Një tjetër figurë rebele e popullit khazar është i egri Jabir Ibën Akshani, shtegëtar, muzikant që i bie veglave popullore kordofone me 13 gishta, (në një dorë ka 6 dhe në tjetrën 7 gishta), jeton në shekullin e IX, vdes në shekullin e XIII, ringjallet në vitin 1699, martohet në vitin 1982 në Stamboll, pastaj e pikasin me pasaportë belge për të kaluar si klandestin kufirin italo-francez, here-herë e gjejnë këtë Jabir Ibën Akshanin, kur hapet “Varri i Shejtanit” në Selanik, duke thithur llullën e duhanit, këmbëkryq, zhduket duke qeshur vetëtimthi, ndërsa tymi i llullës vazhdonte të ngrihej mes eshtrave. Kjo optikë të kujton strukturat mitike të Eposit Shqiptar të Veriut. Personazhi palimpsest është një nga trillet ndërkohore dhe ndërhapësinore të gadishullit të egër ilirik, ballkanik, hipertrofik, skizofrenik, haluçinativ, madhështor, vetëvrasës, letrar, hokatar. Populli khazar është një popull historik, por që i përket më tepër njerëzimit të ëndrrave. Ky popull është identifikues: psh, lexuesit e të gjitha kohërave. Khazarët janë subjekt dhe objekt i përsiatjeve, dyshimit, të së vërtetës dhe gabimit. Khazarët janë populli palimpsest. Nuk ka rëndësi shkrimtari që e shkroi librin, madje as libri në vetvehte. Krijimi i khazarëve nga hiçi, dalja nga vulgariteti i errët në dritën përfytyruese është sekreti i kësaj dëshmie të patjetërsueshme.Aeternum vale.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

ASAJ

ASAJ Ti që troket në mendjen time Ma mbushë shpirtin plotë gëzi Je freskim i zemrës sime Jetës…