DR.MOIKOM ZEQO: KRYEMINISTRI EDI RAMA NA BEFASOI ME DEKLARATËN PËR FUTJEN E MËSIMIT TË FEVE NË SISTEMIN ARSIMOR!

Tiranë, 13. 04. 2016: Kryeministri Edi Rama i befasoi të gjithë me deklaratën për futjen e mësimit të feve në sistemin arsimor, madje si një instrument mbrojtës të një lloji terapie të çuditshme morali. Krejtësisht e panevojshme, e pakuptueshme kjo deklaratë e bërë nga institucioni i Kryeministrit, që është një institucion kryesor kushtetues. Kjo deklaratë është në thelb antikushtetuese. Kushtetuta e Shqipërisë, me gjithë pasaktësitë dhe gollet që ka në vetvete, si dhe edhe elemente hibride të saj, të paktën e përcakton qartë karakterin substancial laik të pushteteve, që buron nga juridiciteti si doktrinë në thelb e laicitetit dhe e normave kushtetuese, aspak teologjike. Qytetërimi modern është një qytetërim juridik, të paktën nga Revolucioni francez e deri në ditët tona dhe jo një qytetërim teologjik.
Deklarata e Edi Ramës ështe jashtë parametrave kushtetues. Futja e mësimit të fesë në shkollat tona është një gjë as e arsyetuar dhe as e argumentuar, as kombëtare dhe as juridike. Laiciteti i shtetit është një fitore kolosale e njerëzimit.
Sipas Monteskjesë, fetarizmi i politikës, si dhe politizimi i fesë janë formulime katastrofike dhe që sjellin një konfuzion të pariparueshëm. Është tjetër gjë, nëse në shkolla të studiohej fjala vjen historia shkencore e feve, apo studimi krahësimtar i religjioneve siç janë në librat e mjeshtërve të mëdhenj të analizës dhe sintezave në këtë rrafsh, si Mircea Eliade, apo Frayzer.

Mendoj se deklarata e Ramës është thjesht një lapsus ilinguae, ose diçka jo e menduar seriozisht dhe thellë. Shpresoj që kjo deklaratë të harrohet sa më shpejt. Jemi në shekullin e XXI. Që në shekullin e 19-të, pra rreth tre shekuj më parë rilindasit tanë të mëdhenj e kishin shumë të qartë laicitetin e shtetit. Në këtë pikë më mbetet të shpreh një keqardhje shumë të madhe.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura