XHEVAT BISLIMI: ZGJEDHJET NË PDK PARALAJMËROJNË FUNDIN E NJË VAZHDIMËSIE

(Viti, 02. 11. 2012) – Zgjedhje të rregullta apo të jashtëzakonshme para kryesisë së PDK-së, propozimi për zgjedhje është paraqitur si kërkesë e Statutit të Partisë!? E vërteta është se zgjedhjet në PDK-së prej vitit 2005 mbahen çdo katër vjet. Zgjedhjet e fundit nuk qenë mbajtur pas katër, por pas pesë vjetësh. Ato u mbajtën në vitin 2010. Shtyrja për një vit ishte krejt e paarsyeshme. Kuvendi (Kongresi) i vitit 2010 u mbajt me një nxitim dhe parregullsi të paparë, me duartrokitje të zjarrta (ishte dëshirë e “shefit”)! Organet e zgjedhura nga ky kuvend kanë mandat katërvjeçar. Dikush thoshte se ky kuvend (i fundit) është mbajtur sa për të kënaqur ligjin! Po të gjitha kuvendet dhe veprimet tjera partiake, institucionale, shtetërore… bëhen për ta kënaqur-respektuar ligjin.
Mirëpo, në PDK Statuti, Programi dhe rregullat zbatohen si ligji në dorën e Maliqit: zgjedhjet mund të bëhen edhe pas dy vjetësh, edhe pas katër vjetësh edhe pas pesë vjetësh! Se si bëhen, pse bëhen, kur bëhen, nga kush bëhen, si zbatohen… e di “shefi”! Kjo parti kishte dhe ka nevojë për një Kuvend të jashtëzakonshëm, sepse PDK-ja dhe qeverisja e saj komunale (vendore) dhe qendrore ka dalë nga shtrati dhe ka ikur nga vetvetja, prandaj ishte i domosdoshëm (mos)miratimi i këtij shpërfytyrimi të PDK-së me votën e anëtarëve të saj. Kjo do të kërkonte një debat paraprak të shtruar, të gjerë dhe të thellë, pastaj një identifikim dhe regjistrim të plotë të anëtarësisë (gjë që nuk e kemi), pastaj zgjedhjen e të gjitha strukturave dhe organeve (nga seksioni e lartë) sipas sistemit një anëtar, një votë.
Vetëm kështu do të “kënaqej” dhe respektohej demokracia, si dhe do të verifikohej dhe respektohej vullneti i anëtarëve të kësaj partie (pronë e të cilëve është PDK-ja) për ose kundër këtij shpërfytyrimi dhe kësaj daljeje nga shtrati të PDK-së. Vetëm me këtë proces dhe sistem zgjedhor mund të përmbusheshin këto dy kritere themelore të një shoqërie demokratike: vullneti i anëtarëve dhe demokracia. Kurse zgjedhjet që po bëhen do të vërtetojnë dhe përmbushin dy kritere themelore të shoqërive të njohura si jodemokratike: diktatin dhe vullnetin e “shefit”!!

Këta Shefa, janë Statuti dhe Programi i PDK-së që bëjnë ligjin e Maliqit, dhe të cilët po përgatiten për prurje të reja fekaljesh “çegevariane” me afinitet “qytetar” brenda PDK-së, gjatë këtij procesi zgjedhor!

……………………………………….

“Dhunimi” i PDK-së arriti kulmin kur u formua koalicioni, me të cilin edhe Behgjet Pacolli u bë “kryetar” i Kosovës e më vonë zëvendëskryeministër i parë!! Deri këtu nuk kishte fyerje dhe poshtërim më të madh për anëtarin e PDK-së dhe për Kosovën. Kjo parti u “dhunua” edhe me “përzgjedhjen” e ministrave. “Dhunimi” i fundit dhe si duket përfundimtar nisi me kërkesën dhe këmbënguljen që PDK t’i mbajë zgjedhjet një vit e gjysmë pas Kuvendit (në kundërshtim me statutin dhe vendimet e Kuvendit të vitit 2005 për kohëzgjatjen e mandateve të organeve të Partisë). Kjo kërkesë nuk ishte e PDK-së. Ajo vinte nga jashtë. Edhe data për fillimin e zgjedhjeve ishte vendosur nga jashtë. Në kryesi u bë një AMIN, si zakonisht!!
Pse po bëhen zgjedhjet në muajin festiv të NËNTORIT? Muaji NËNTOR, sidomos ky i sivjetmi, është muaj festiv për shqiptarët kudo që janë në botë. Ky muaj shënon majat e ngjarjeve, datave, figurave dhe fitoreve të kombit tonë. Më 28 Nëntor Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, kthehet dhe ngrit FLAMURIN e qëndresës, luftës për liri, – Flamurin e Ringjalljes dhe mbijetesës shqiptare, – në Krujë. Po më 28 Nëntor, Plaku i Urtë, Ismail Qemali, me bashkëmendimtarët, bashkëveprimtarët dhe bashkëluftëtarët e tij, ngriti flamurin kuq e zi dhe SHPALLI Pavarësinë e Shqipërisë. Ngjarje kulmore, madhore dhe shpëtimtare për ruajtjen dhe fuqizimin e qenies dhe FARËS shqiptare. Shteti shqiptar, me kryeqytet Tiranën, përbën vetëm një të tretën e Shqipërisë. Por, falë këtij shteti, kësaj SHPRESE, shqiptarët në pjesën më të madhe të Shqipërisë së pushtuar qëndruan, luftuan, mbijetuan dhe aty-këtu fituan një pjesë të të drejtave të tyre kombëtare, politike, kulturore e demokratike.
Falë, kryesisht (pse jo edhe kryekëput), këtij shteti-kësaj SHPRESE (pa harruar përkrahjen e miqve tanë) në fund të shek XX u çlirua gati gjysma e Shqipërisë Verilindore, Kosova, e pushtuar nga Serbia. Në këtë DATË madhore dhe të lavdishme të kombit tonë, më 28 Nëntor, lindi Ai që do të bëhej shpresa, themeli dhe çatia e Luftës Antipushtuese Çlirimtare në mbarë Shqipërinë Verilindore e më gjerë, deri në Çamëri, lindi Komandanti Legjendar, ADEM JASHARI. Prandaj, secili shqiptar me dy bërthama në kokë mund ta kuptojë që edhe SHPALLJA e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u bë pikërisht më 28 Nëntor, datë e menduar dhe e zgjedhur nga drejtuesit e UÇK-së për të dëshmuar vazhdimësinë dhe tërësinë e një kombi, të një toke (gjeografie), të një gjuhe, të një kulture dhe të një historie, të një SHQIPËRIE (nuk ndodhi kështu edhe me shpalljen e pavarësisë së Kosovës!!). Në këtë MUAJ, më 2 nëntor, qëndruan dhe ranë me armë në dorë për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë edhe dy bijë dhe dy viganë të kombit shqiptar, Afrim Zhitija e Fahri Fazliu.
Populli shqiptar pa përjashtim, edhe në kushte të terrorit dhe gjenocidit sllavo-grek, ka jetuar dhe ka shpresuar te ky muaj, te kjo DATË – 28 NËNTORI, të cilën e festonte edhe në kohën e errësirës dhe tmerrit që pushtuesi kishte vendosur dhe mbjellë kudo në tokat e pushtuara të Shqipërisë. Këtë vit po bëhet një shekull – njëqind vjet liri e pavarësi për një të tretën e Shqipërisë, njëqind vjet përpjekje, qëndresë, luftë dhe flijime të papara për çlirimin e dy të tretave të Shqipërisë nga zgjedha barbare sllavo-greke. Rezultat i këtyre përpjekjeve është çlirimi i një pjese të madhe të Shqipërisë Verilindore, Kosovës. Kush do të duhej më shumë se PDK-ja të festonte me anëtarët dhe strukturat e saj këtë njëqindvjetor?! Kjo çështje u bisedua edhe në mbledhjen e Kryesisë, por “fituan” ata që kishin vendosur jashtë organeve të Partisë që këtë MUAJ të shenjtë, këtë muaj festiv, këtë KRYEDATË të kombit shqiptar ta “shndërrojnë” në një muaj gare (mundjeje), në një muaj shtyrjesh me bërryla, pështyrjesh, shpifjesh, ndërskamcash… midis atyre që do të duhej të mendonin dhe organizoheshin për të kujtuar, shënuar dhe festuar KRYEDATËN dhe KRYFESTËN shqiptare.
Të bënin një lloj bilanci të punës dhe sukseseve-dështimeve tona, realizimit të programit tonë, nga njëra anë, dhe të ndërtonin projektin-vizionin (pamjen) e të ardhmes së kësaj Partie dhe të këtij vendi, si pjesë e pandarë e kombit shqiptar dhe e Shqipërisë. Edhe në caktimin e datës së zgjedhjeve “fituan” ata që në PDK shohin vetëm “grazhdin” e tyre: pozitat, privilegjet, përfitimet (kryesisht të paligjshme)… Vetëm fytyrën e ADEM JASHARIT dhe emblemën e UÇK-së nuk e shohin dhe nuk do të donin ta shihnin kurrë në fytyrën e PDK-së. Është për keqardhje që ambiciet e tyre për rrënimin e vlerave liridashëse, demokratike, kombëtare, civilizuese dhe morale të PDK-së, por edhe ambiciet e tyre për gllabërimin e pasurive të këtij vendi po i realizojnë përmes disa njerëzve “tanë”!!
Zgjedhjet edhe për të larguar vëmendjen nga bisedimet me Serbinë Kosova ka hyrë në një fazë mjaft “kritike” për “normalizimin” e marrëdhënieve me Serbinë. Kjo është aq e vërtetë sa nuk besoj se del kush dhe e kundërshton. Por, ky “normalizimi” i marrëdhënieve mund t’i kërkoj Kosovës dhe popullit shqiptar të paguaj përsëri një çmim të “vogël” (haraç). Për këtë situatë dhe pozitë të vështirë të Kosovës, përveç NATO-s (Fuqive të Mëdha, edhe sipas Gjeneralit Klark), është përgjegjëse Qeveria dhe institucionet që Shpallën Pavarësinë dhe që po qeverisin edhe sot. Janë këto institucione që nisën mbrapshtë zbatimin e planit të Atisarit (mjaft i dëmshëm për Kosovën). Në vend se të këmbëngulnin që zbatimi i planit të Atisarit të niste në Veri kjo Qeveri (e sotmja dhe e djeshmja) nisën zbatimin e tij në Viti!! Por, po të kihet parasysh përpjekja, angazhimi dhe këmbëngulja e një “grupimi” të fuqishëm (pushtetshëm) në PDK për ikjen, shkëputjen dhe ndarjen e PDK-së nga e kaluara e saj, nga vlerat që ishin përmbledhur dhe bashkuar në UÇK, e që ishin vlera të idealeve të popullit shqiptar, është e “kuptueshme” edhe përpjekja për të ikur, për t’u shkëputur dhe për t’u ndarë nga Tirana dhe nga identiteti shqiptar i PDK-së dhe për të përqafuar identitetin imagjinar “kosovar”!!
Si përfundim do të thoja se zgjedhjet në PDK dhe Kuvendi i saj zgjedhor do të shënojnë përmbylljen-fundin e një vazhdimësie, kurse një nëntori fillimin e këtij fundi. Këtë “profeci” e kisha për PDK-në, kurse për Kosovën vazhdoj të besoj dhe do të besoj gjithmonë se Ajo është e “dënuar” (si mbarë kombi shqiptar) të ecën pandalshëm dhe pakthyeshëm në rrugën e saj shqiptare. Këto janë procese, që të paktën deri sot nuk ka mundur t’i ndalë asnjë “grupim”, shtet apo perandori. Në krye të këtij shkrimi vendosa një citat të Zh. Fushes, ndërsa në fund të tij po vendos mendimin e artë të mikut tim, H. S: “Aty ku të gjithë mendojnë si shefi unë as shef nuk jam, as mendim nuk kam”.
– Autori është anëtar i Kryesisë së PDK-së.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura