DR.MOIKOM ZEQO: MARIN BARLETI PËR GJUHËN SHQIPE

Tiranë, 26. 10. 2016: Në librin “Rrethimi i Shkodrës”, botuar në 1504, Barleti shënon: “Na patën rënë në dorë disa shkrime, më tepër fragmente sesa anale, në të cilat flitej më shumë për rindërtimin që i bënë këtij qyteti (Shkodrës) stërgjyshërit tanë, sesa për ndërtimin e tij. Ishte shkruar aty në gjuhën popullore se një farë Roza me motrën e vet Fa qenë themelueset e para të Shkodrës, prandaj fortesa e saj quhej Rozafa. Pra Barleti na dëshmon i pari për një legjendë ndërtimi të shkruar në gjuhën popullore, në shqip, fakt ky që ka rëndësi për folkloristikën tonë.
Gjuhën shqipe, të cilën Barleti e gjen të shkruar në Shkodër para shekullit XV, para pushtimit osman, ai e përmend si “gjuhë epirotase”, kurse shqiptarët si “epirotas”. Në librin “Historia e Skënderbeut” Barleti jep mendime edhe për origjinën e gjenezën e popullit shqiptar e të gjuhës së tij. Ai thotë se epirotët quhen edhe “arbër” dhe se “prej këtyre ka rrjedhur gjuha epirote ose arbërore”.
Në librat e tij Barleti ka shkruar edhe emra, kryesisht sponime, në formën e tyre fonetike shqipe, si dhe ka përkthyer emra të thjeshtë e të përbërë nga shqipja në latinisht. Kështu, për rastin e parë në “Historia e Skënderbeut” (libri IV) përmend toponimin:
– “Busegiarpeni” (“Buzëgjarpëri”) pastaj
– “Mocres” (për malin e Mokrës),
– “Redoni” (për kepin në veri të Durrësit),
– “Lachi” (për kepin e Lakit);
Në librin XI për emrin e një fushe shkruan “nostri Livand apellant” d.m.th. “tanët e quajnë Livand”; pra me “tanët”. Barleti kupton bashkatdhetarët e tij shqiptarë dhe emrin e fushës Livand e jep shqip.
Në librin XIII të “Historisë së Skënderbeut” përmend edhe “Chiurilium” për Currilat e Durrësit. Por, duke na dhënë emrin e qytetit të Krujës, Marin Barleti bën i pari shpjegimin shkencor etimologjik të këtij emri, i cili dokumentohet qysh në shekullin IX. Barleti shënon: “Aty (në qytetin e Krujës) ka kroje të begatshme e të pashtershme, bile emrin e ka marrë prej tyre, se në gjuhën shqipe krua d.m.th. tregon burimet”. Barleti është i pari shqiptar që bën shpjegimin etimologjik të një emri të vendit të tij. Ky shpjegim i emrit Krujë është krejtësisht i vërtetë dhe i pranuar nga shkenca etimologjike moderne. Prof. Çabej këtë shpjegim të Barletit e gjen të drejtë dhe thekson se fjala “krua” është e fondit të lashtë indoevropian.
Së fundi duhen vënë në dukje fjalët shqipe që Barleti i përkthen në latinisht si p.sh.,
– “Pulchra” (për “Luginën e Bukur”),
– “Albulas” (për “Ujët e Bardhë”),
– “Petralba”, (për “Gurin e Bardhë”).
Po të mos ishte shqiptar dhe po të mos e njihte gjuhën shqipe, Barleti s’kish si t’i përkthente këto toponime në këtë mënyrë, pra edhe këto dëshmojnë për njohjen e natyrës së shqipes dhe të shpjegimeve etimologjike të saj.

DËSHMI TË LASHTA TË POEZISË SË KULTIVUAR NË SHQIPËRI
Herodoti thekson se pellazgët, të cilët ishin parahelenikë e kishin një gjuhë “barbare”, nderonin tempullin e Zeusit pellazgjik në Dodonë. Homeri te eposi i “Iliadës” (kënga XVI, vargjet 234-235) këndon pikërisht për Zeusin e Dodonës pellazgjike. Dihet se orakujt në Dodonë shqiptoheshin në formë poetike, në vargje. Gjuha patjetër ka qenë e lidhur me ilirishten, por kjo trashëgimi e stërmotshme poetike e orakujve dodonas nuk është ruajtur. Siç shprehet arkeologu S. Dekaris, që ka studiuar Dodonën, “rituali në orakullin e Dodonës nuk ka asnjë paralele me ritualin e religjionit grek”. Kjo tregon një veçanësi dhe origjinalitet të karakterit etnik e kulturor.
Dijetari i shekullit II të erës sonë, Pauzania, dëshmon për një epigramë prej tri vargjesh kushtuar Kleostenit nga Epidamni ilir, i cili ishte shpallur kampion olimpik në Olimpiadën e 66 (viti 516 para erës sonë), për një mbishkrim prej katër vargjesh në një monument të bërë nga banorët e Apollonisë së Ilirisë (monumenti qe vendosur në Olimp të Greqisë) të shekullit V para erës sonë, si dhe për dy mbishkrime të tjera poetike që lidhen me emrin e Pirros së Epirit (318-272 para erës sonë).
Poezia tek ilirët e vjetër natyrisht ka qenë me karakter ritual, në funksion të ritit pagan. Dijetari anglez N.G.L. Hamond, duke studiuar poemat homerike dhe ritin ilir të varrimit, kërkon të shpjegojë origjinën e epikës së lashtë. Hamondi vë në dukje se “varrimi me tuma ka qenë i përbashkët si për pre-ilirët dhe për pre-grekët. Do të vemë në dukje këtu një pikë interesante. Varrimi me tuma ka pushuar në Greqinë mikene, madje dhe në Kalafoni përpara vitit 1400 para erës sonë. Megjithatë, kur Akili nderon Patroklin në “Iliadë”, ai përdor metodën e varrimit me tuma që në atë kohë përdorej vetëm në Shqipëri…. Mbasi Shqipëria ka qenë dhe është atdheu i heronjve”. (Shih kumtesën e Hamondit te “Kuvendit I i studimeve ilire”, vëllimi I, faqe 160-161).
Kohët e fundit kemi mundur të gjejmë fakte e dëshmi të reja të poezisë së kultivuar në viset ilire. Në librin “Romische villen in Panonien” (“Qytetet romake në Pannoni”) botuar nga B. Thomas, faqe 271-273, botohet teksti i një kushtimi poetik në latinisht për një ilir të ditur me emrin Valer Dalmati. Ky kushtim është incizuar me skalitje mbi një pllakë bronzi 565 m e 350 mm e përbëhet nga 8 distiktë të rregullt e ritmikë, në hekzametër. Këtë mbishkrim poetik me rëndësi e ka botuar Teodor Momseni, i cili tërheq vëmendjen kur thotë se i përket si kohë fundit të shekullit IV e fillimit të shekullit V të erës sonë. pllaka prej bakri ka qenë e dispozuar për t’u vendosur në një bust të Valer Dalmatit, brenda në atriumin e vilës së tij në Panoni (në Hungarinë e sotme), midis qyteteve Mursa e Sopiane. Momseni thekson se Valer Dalmati qe nga fisi ilire i panonëve.
Një dijetar tjetër, Alfeldi (“Untergang der Romer herrschaft in Pannonien”, Berlin-Laipzig, 1926) mendon se poezia e kushtuar Valer Dalmatit i takon viteve 387-394, pra shekullit IV të erës sonë. Kjo poezi, sipas stilit panegjerik të kohës, i është kushtuar Valer Dalmatit nga banorët e provincës së Logdunencis (Lionit, në Francë), për të mirat që u ka bërë ky i fundit. Ja poezia në fjalë e përkthyer:
Fryma e drejtësisë e futur në ligjet e respektimi i tyre
për Valer Dalmatin që vetë ligj e parim i diktuar nga besimi i drejtë.
Ai zotëronte dymbëdhjetë shkrimet e që thelluar në detyrat e pretorit
si dhe në vendimet e të diturve të shenjtë.
Ky ishte interpretues dhe zbatues i ligjeve,
i njihte mirë dhe i zbatonte po aq mirë.
Për meritat e shumta o qeveritar shumë i drejtë Valer,
për të mirat e pafund të është ngritur kjo përmendore,
të cilën e vendosëm duke dëshmuar dëshirat e të gjithëve,
shëmbëlltyrë që e dërgojmë deri larg në atdheun tënd panon.
Që këtej respektojmë ofiqin suprem të prefekturës
e të ndjekim ty gjithë gëzim e kënaqësi me këtë ogur.
Secili që do të dijë se me ç’dashuri je largësuar
le ta ketë këtë dëshmi nga epitafi i këtij monumenti,
që i ngriti Valereit provinca e Lionit,
që ia kushtoi mbrojtësit të vet me mirënjohje.

Nga ky tekst mësojmë se Valer Dalmati ka pasur edhe kulturë juridike e se ka bërë 12 shkrime (ligje). Pra kushtimi poetik dhe ngritja e monumentit s’ka qenë e rastësishme për këtë figurë të botës ilire.
Monumente mbivarrorë me mbishkrime poetike janë gjetur edhe në Durrës, Apolloni, Ballsh e gjetkë.
Kështu, Prashniker, në librin “Muzakhia und Malakastra”, Wien, 1920, në faqen 194, figura 110, na jep tekstin e një mbishkrimi poetik prej 5 vargjesh kushtuar një figure të shekullit VI të erës sonë me emër Viktorian, i cili ka bërë ndërtime në Ballsh të Shqipërisë e ka qenë njeri i afërt i perandorit Justinian të Bizantit (ky perandor ka qenë me origjinë ilire). Në mbishkrim thuhet:
Nuk do të lihet në rrugët e harresës/ emri i shkëlqyer i Justinianit/ edhe kur koha e gjatë dhe e panumërueshmja duke u moshuar/ do të mbulojë dhimbjet e Viktorit/ e të sjelljeve të tij të ndritura.
Në fakt, me emrin e Viktorinit lidhen jo një, por tri mbishkrime poetike që janë bërë të njohura nga arkeologët. Viktorini ka pasur një funksion të lartë që lidhej me ndërtimet e kohës, të cilat nën sundimin e Justinianit kanë qenë të shumta.
Prashnikeri përmend edhe një poezi tjetër në latinisht prej 14 vargjesh në një monument të një Robert i Monte Fortit, vdekur më 20 shtator 1108 në Shqipëri, i cili ka qenë kalorës kryqtar i ardhur nga Anglia. Fakti i kësaj poezie në latinisht në një mjedis mesjetar shqiptar flet për atë se në vendin tonë në shekullin XII poezitë në vargje latine njiheshin e lexoheshin, natyrisht nga një pakicë, kryesisht klerikë të kulturuar të kohës.
Karl Paçi në librin “Das sandschak Berat in Albanien”, Wien 1904, faqe 50 na jep dhe dy vargje të skalitura në një monument brenda manastirit të Zvërnecit në Vlorë.
Vargjet janë:
Këtu shtrihet Kantos Karanxhas, burrë mjekrosh
me prejardhje (rrënjë) fisnike, llastar fisnik.
Nuk mund të themi gjë të saktë për njeriun të cilit i kushtohet ky distikt. Vëmë në dukje se Ana Komnena përmend një dukë me emrin Argyr Karanxha, i cili në shekullin XI qe dërguar nga Konstandinopoja në qytetin e rëndësishëm të Durrësit, ku u shqua dhe mbeti në të. Mendojmë se Kantos Karanxha do të ketë lidhje fisnore me personin e mësipërm që na kumton Ana Komnena.
Tani disa përfundime
Siç e pamë, gjatë shekujve në vendin tonë ka dëshmi që vërtetojnë se poezia ka qenë e kultivuar e pa dyshim që kjo poezi ka pasur edhe një farë publiku të vetin të kohës. Është e vërtetë që këto poezi apo epigrame të karakterit kushtimor ose funerar kanë qenë bërë në gjuhë të huaja kulture si greqishtja e latinishtja – dukuri kjo e vërtetuar edhe te popuj të tjerë të Evropës, të cilët i kanë përdorur këto gjuhë thjesht si gjuhë kulture e që nuk mohon aspak karakterin e tyre etnik e të kulturës së tyre kombëtare – e se për ne ka rëndësi që poezia e kultivuar lidhet, me ndonjë përjashtim, me mjedisin e figurat ilire e shqiptare, se ata s’kanë munguar ta shpallin me krenari e tendencë identitetin e tyre, si p.sh., poeti ilir Medaur Lucen Tarkuat Basianal. Nga ana tjetër, këto dëshmi poetike kanë edhe vlerë historike e dëshmojnë për lidhjet me kulturat e popujve fqinjë e për njohjen e këtyre kulturave nga të parët tanë, të cilët ditën të krijonin e të bënin që të mbijetonte kultura iliro-shqiptare në shekuj.

______________________
Rrethimi i Shkodres (Marin Barleti) – Vleresimet për librin

RRETHIMI I SHKODRES ABCStory 10 Nentor 2013

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura