MOIKOM ZEQO: HISTORIA IME ME LIDHJEN E SHKRIMTARËVE DHE ARTISTËVE TË SHQIPËRISË

Pashtriku.org, 25. 05. 2013 – (Intervistë e shkrimtarit Moikom Zeqo dhënë gazetares Fatmira Nikolli) – Shkrimtarët shqiptarë, as nuk kanë qenë e as nuk janë sot me kulturën për të mbrojtur kolegët. Shkrimtarët shqiptarë me një provincionalizëm egoistik kurrë nuk i kanë mbrojtur kolegët e kritikuar. Kjo tregon një mungesë emancipimi dhe dinjiteti të çuditshëm. Domethënë ai që kritikohej, ishte i mbytur, nuk kishte mbrojtje, nuk kishte asnjë fjalë të mirë. Kishte shumë frikë përreth dhe shkrimtarët nuk kanë ditur kurrë të mbrojnë njëri-tjetrin, madje as kolegët e talentuar as ata që i kishin edhe miq personalë. Kjo është e vërteta… Në procesverbalet e mbledhjeve të Lidhjes, të “Dritës”, ”Nëndorit” dhe sidomos të organizatës së partisë së Lidhjes kanë qenë rregjistruar historitë e vërteta jakobinase të Lidhjes. Në to kishte shumë vigjilencë delirante ideologjike, mllef, poshtërsi, banalitet, larje hesapesh, mënjanime, servilizëm partiak, idiotësi, një klimë persekutimi të vazhdueshme ndaj talenteve të vërtetë, që nuk ishin servilë dhe klientelistë. Me sa di unë dikush i ka zhdukur, kur ato duhet të ruheshin dhe të arkivoheshin për vetë historinë e letërsisë.
F.NIKOLLI: Në cilat vite keni punuar pranë Lidhjes së Shkrimtarëve?
M.ZEQO:
Unë kam qenë në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve për tre vjet, si redaktor letrar në gazetën “Drita”. Shkova në këtë institucion në vitin 1971. Isha i vetmi nga gjenerata ime që kisha botuar dy libra, një kur isha në maturë, 1968 “Vegime për…”, ndërsa të dytin në vitin 1970 dhe titullohej “Qyteti Feniks”. Nuk kam pasur asnjë përkrahje për tu emëruar në gazetën “Drita” përveç faktit se isha një shkrimtar i njohur që në atë kohë. Bëhet fjalë për kohën kur unë isha 20, 21, 22 dhe 23 vjeç, moshë që sot e gjykoj shumë të re sepse ka kalur shumë kohë. Në Gazetën “Drita” unë kam punuar me gjithë shpirt dhe si dëshmi janë poezitë e shkrimet që kam botuar në atë kohë. Në librin “Qyteti Feniks”, që ishte një vepër me nivel estetik dhe nuk kishte asnjë temë politike, po ecja drejt një lloj poezie që nuk qe botuar deri atëherë. Qe një poezi estetike, tjetërlloj, që synonte nivelin e poezisë më të mirë europiane. Në atë kohë unë kisha mësuar frëngjisht dhe lexoja Pierre Reverdy, Apollonaire-n, Poul Eluar dhe Lorkën. Poezia ime ishte jashtë estradizimit politik, jashtë temave të programuara politike. Kisha një lloj poezie tërësisht jashtë tematikës politike dhe skemës së realizmit socialist që ishte krejtësisht e dallueshme në aspektin estetik.

Dhimitër S.Shuteriqi (1915-2003)

F.NIKOLLI: Si u prit poezia juaj e ndryshme nga të tjerët? 
M.ZEQO: Fillova të botoj disa cikle në gazetën “Zëri i rinisë”, “Drita” dhe në revistën “Nëntori”. Nuk e kisha idenë se kjo poezi mua do të më rrezikonte dhe do të më ndryshonte jetën, apo që do të ndikonte aq shumë në jetën time. Mbaj mend që i kam dërguar një cikël të madh poezish për të lexuar në atë kohë, kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve, Dhimitër Shuteriqi. Si frankofon dhe erudit që ishte, ai më kishte dhuruar disa libra frëngjisht, mes të cilëve ishte edhe një libër që atij ia kishte dhuruar vetë me dedikim Poul Eluar. Kur ka lexuar tufën time me poezi, ai ka qenë i vetmi njeri që më ka thënë: Moikom, ti je i talentuar, njeri i mirë, por ki kujdes me këtë lloj poezie, sepse mund të kesh probleme të rënda me të. Ai ishte i vetmi që më këshilloi në atë kohë, askush tjetër dhe ishte jo më pak se kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve.
F.NIKOLLI: Si erdhi sulmi ndaj poezisë?
M.ZEQO:
Nisi me një artikull të kritikut zyrtar Razi Brahimi. Ai kishte botuar një libër mbi poezinë shqipe dhe në një diskutim që u bë në Lidhjen e Shkrimtarëve unë e kritikova shumë atë duke e konsideruar librin shumë konservativ. Brahimi në veprën e vet, bënte disa kritika të gabuara për poezinë e Kadaresë dhe në diskutim e mbrojta Kadarenë. Unë në gazetën “Drita” punoja si redaktor, bashkë me një shokun tim të shkollës së lartë që quhej Thanas Dino. Ai shkruante tregime, ndërsa unë poezi. Gjatë pushimeve të verës në vitin 1972, unë fillova të përktheja vetë poezi, nga Eluari, Lorka etj dhe Thanasi që nuk kishte botuar asnjëherë poezi i ndikuar nga to e botoi një cikël të vogël me poezi. Në këtë cikël ishte një poezi që titullohej “Unë jam fik deti”, që nuk ishte më shumë se 5 rrjeshta. Për këtë poezi u botua një artikull i ashpër kritik në gazetën “Drita” nga Razi Brahimi, që ishte kritik kryesor i asaj kohe dhe u hodh ideja se tani në poezinë shqipe ka filluar të ndikojnë shumë imitimet e poezisë botërore moderniste. E këtu, nisi kjo histori bizare dhe gati e pashëmbullt në krejt Europën. Megjithatë, unë vijova ende të botoja poezi pa e pasur idenë se çdo të ndodhte më pas. Për mendimin tim, nisma për të kritikuar letërsinë e quajtur moderniste, erdhi nga Lidhja e Shkrimtarëve, nga persona që ishin shkrimtarë, kritikë pranë saj. Kështu, erdhi Pleniumi i IV në vitin 1973, i cili ka qenë më grotesku, në historinë e kulturës shqiptare, por dhe të politikës, një nga fatkeqësitë më të mëdha të terapisë shtrënguese të totalitarizmit komunist shqiptar, të ngjashme me një Natë Valpurgjike të kulturës dhe të historisë. Shumë mbledhje bëheshin në atë kohë, dhe bëheshin kritika krijimtarie e nga ndër më të kritikuarit isha unë.
F.NIKOLLI: Çfarë solli për shkrimtarët pleniumi?
M.ZEQO:
Në krye të lidhjes ishte Dhimitër Shuteriqi, por në këtë Plenium u hoq ai i kritikuar. Kryetar erdhi Dritëro Agolli. U quajtën rrezik i madh gabimet estetike, sidomos hermetizmi, por gabimet ideore. Nga gjithë poetët, bëhej fjalë sidomos për mua sepse unë kisha shumë poezi hermetike. Cilësohesha më emblematiku i hermetizmit në atë kohë. Në mbledhjet e Lidhjes kishte shumë instruktorë nga Komiteti Qëndror i Partisë, e po ashtu mbledhje u bënë në gazetën “Drita” e në revistën “Nëndori”. Poezia ime shihej me teleskop iodeologjik dhe me mikroskop politik. Ishte hera e parë që poezia përjetonte një lexim të tillë grotesk, diabolik, inkuizicionist, deri në fjalë të veçanta, ose edhe në një fjalë të vetme. Mua m’u kritikuan poezitë edhe për ndikime me figura letrare të pakuptueshme edhe për kuptime të cilat ishin negative për kohën dhe politikisht. Në dy vargje unë shkruaja “Stina me sandale gjethesh / kërcente mbi ajër”, më kanë bërë pyetje pa fund. Çdo të thotë kjo, pse, qysh? Ishte absurditet, dhe unë shpjegohesha me aq sa mundja. Metafora trajtohej egërsisht politikisht, me një banalitet të tmerrshëm, idiotesk, ndërkohë që metafora në shekuj është një nga figurat kryesore letrare në poezi.
F.NIKOLLI: Çfarë ndodhi me ju pas kritikave?
M.ZEQO:
Mua dhe Thanas Dinon, na hoqën nga puna si redaktorë letrarë në gazetën “Drita”, madje edhe nga Tirana. Na u bënë edhe karakteristikat zyrtare, shumë negative dhe të ashpra, edhe pse ne ishim 23 vjeç. Kur ma dha karekteristikën në zyrën e tij Driteroi, i revolutuar e kam kundërshtuar dhe i kam thënë se nuk është ashtu siç ishte shkruar. Mua, në vend që të më kthenin në Durrës, më dërguan mësues për tri vjet në fshatrat e Rrogozhinës. Shkoja dhe kthehesha përditë. Nisesha në orën 5:30 të mëngjesit me tren dhe kthehesha me të fundit pastaj. Thanasin e çuan në fshatin Picar. Mbaj mend që këto mbledhje, u kthyen në seanca të gjyetisë së shtrigave me një delir mesjetar, tamam inkuizicion. Një tjetër mbledhje u bë në revistën “Nëntori” ku unë kisha botuar një shkrim për ”Ekspozitën e Pranverës”, që sillte risi të reja në artet figurative, ku lavdëroja sidomos tabllonë “Mbjellja e pemëve” të Edi Hilës. Meqë ekspozita u kritikua shumë rëndë, u morën dhe me mua që e kisha lëvduar e përkrahur në artikull, i vetmi në “Nëndori”. Në mbledhjen e atjeshme më ka mbrojtur vetëm një njeri që unë nuk ia harroj kurrë. Redaktori, piktori dhe historiani i artit Andon Kuqali kishte thënë se shkrimin e kishte bërë ai e jo unë për të mbrojtur. Në fakt e kisha shkruar unë. Gjesti i Andonit qe i pashëmbullt dhe i guximshëm.

Tiranë, Qershor 1973: Plenumi i IV i KQ të PPSH-së

F.NIKOLLI: I botuat më pas poezitë e kritikuara? 
M.ZEQO: Ka një histori të gjatë me to. Duke mos ditur se do të bëhej Pleniumi i IV, unë i kisha bërë gati për t’i botuar në një libër me titullin “Peshku me krahëza fluture”. Ndërkohë, unë ato ia kisha dhënë edhe poetit të shquar Rrahman Dedja nga Kosova, kur ai pati ardhur në hotel “Dajti” në Tiranë pak para Pleniumit IV. Libri u botua në Kosovë në vitin 1974 me titullin “Brenda vetes”, në një kohë që mua me kishin hequr nga “Drita”. Redaktor i librit ka qenë Anton Pashku dhe në Kosovë ka pasur jehonë të madhe. Unë vetë e kam marrë vesh vite më vonë se ishte botuar dhe është futur në disa antologji. Ishte i vetmi libër shqiptar që është botuar jashtë vendit pa leje. Kjo për kohën përbënte një skandal, një herezi, sepse pikërisht pozitë e kritikuara nga Pleniumi IV ishin botuar në Prishtinë, pra në mënyrë gati klandestine dhe jashtë rregullave shtetërore të botimit në Shqipëri. Në mbledhjet që bëheshin në organizatat e partisë, filloi të thuhej se Moikom Zeqo do të futet në burg. Këtë e ka thënë një shkrimtar që punonte tek “Zëri i Popullit“ dhe ma ka treguar Xhevair Spahiu që ishte në organizatën e partisë së kësaj gazete. Por, ajo që mua më ka bërë përshtypje, është fakti se asnjë shkrimtar nuk e ka mbrojtur njëri-tjetrin.
F.NIKOLLI: Pse ndodhte kjo?
M.ZEQO:
Shkrimtarët shqiptarë, as nuk kanë qenë e as nuk janë sot me kulturën për të mbrojtur kolegët. Shkrimtarët shqiptarë me një provincionalizëm egoistik kurrë nuk i kanë mbrojtur kolegët e kritikuar. Kjo tregon një mungesë emancipimi dhe dinjiteti të çuditshëm. Domethënë ai që kritikohej, ishte i mbytur, nuk kishte mbrojtje, nuk kishte asnjë fjalë të mirë. Kishte shumë frikë përreth dhe shkrimtarët nuk kanë ditur kurrë të mbrojnë njëri-tjetrin, madje as kolegët e talentuar as ata që i kishin edhe miq personalë. Kjo është e vërteta. Pas Pleniumit të IV, shkrimtarët e Shqipërisë kanë botuar shkrime pa fund, kush e kush më shumë, duke sulmuar letërsinë me ndikime të huaja. Në këto shkrime unë jam një nga emrat kryesorë që lakohet. Madje jam lakuar deri edhe në revistën “Hosteni”.
F.NIKOLLI: Si ishit trajtuar tek “Hosteni”?
M.ZEQO:
Unë kisha bërë një poezi që quhej “Poezia për lopën”, ku thosha se si lopa që ha barin dhe e kthen në qumësht, edhe poezia kthen në vizione shumë gjëra, relitetin. Kritika te “Hosteni” qe poshtëruese. Në moshën 24 vjeçare e mbylla punën me poezinë. Para zhgënjim e neveri të madhe dhe fillova jetën e vështirë të mësuesit të letërsisë, duke udhëtuar gati 100 kilometra me tren çdo ditë papushim vajtje ardhje se shtëpinë e kisha në Durrës. Një ditë lexova një mendim të Klod Levi Strosit që thonte se “historia është një strehë transedencale“ dhe gjeta ngushëllim në studimin e historisë antike dhe arkeologjinë me një pasion gati shpëtimtar dhe ngushëllues. Kisha vendosur të mos shkruaja më asnjë varg poetik. Vetëm 15 vite më vonë, botova libër tjetër me poezi, por edhe mund të mos isha marrë më për shkak të asaj që kishte ndodhur.
F.NIKOLLI: Ai ishit i vetëm në Rrogozhinë, apo kishte njerëz që kujtoheshin për ju?
M.ZEQO:
Shkrimtari i parë që ka ardhur e më takuar atje, ka qenë Petro Marko. Ai mori trenin, edhe vetë ishte i kritikuar, dhe erdhi. Për mua kjo ishte përkrahje. Një herë tjetër, gjatë një vizite në atë zonë, ka ndaluar edhe Ismail Kadare. Duke e gjykuar pas kaq kohësh, mund të them se çështja e kritikës në atë kohë të bënte të rrezikoje çdo gjë. Mund të ishe shumë i pastër dhe i ndershëm, por nëse kritikoheshe mbeteshe vetëm. Më pas, nuk të shoqëronte njeri dhe çdo gjë bëhej më e vështirë. Më pas, është bërë një plenium i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve më 1982, ku u kritikua Kadareja për hipertrofizmin, zmadhimin e temës historike e mua mu kritikuan tre libra për fëmijë, në fakt të sukseshëm si “Kalorësit dardanë”, ”Heroi detit Nanas dhe shpendi i Tokës Guraks” dhe “Pedagogu i Kopernikut“ e të mendosh që ishin vetëm libra me tregime historike për ilirët, abërit etj.

Dritëro Agolli

F.NIKOLLI: Ju nuk u kthyet më në Lidhje? 
M.ZEQO: Ne, jo vetëm që nuk u kthyem më në Lidhje, por të tërë ata që kanë ardhur në Lidhje pas Pleniumit të IV, kanë qenë sipas parametrave ideologjikë, flas për parametrat e vendosura rigorozisht mbas Pleniumit IV. Nuk kishte si të ishte ndryshe. Kjo nuk mund të mohohet. Unë dhe Thanasi ishim të rinj, as 24 vjeç, por nuk u kthyem kurrë dhe dot më.
F.NIKOLLI: Pse?
M.ZEQO:
Vetëkuptohet pse, ne nuk konsideroheshim më të denjë, as të sigurtë, nuk kishim imunitet, as konsideratë besueshmërie në fushëm e letërsisë së partishme. Ja pse nuk u kujtuan më për ne. Askush nuk na mbrojti as të të thoshte përshembull, janë shumë të rinj etj. U trajtuam egërsisht dhe pa shpirt. Dhe për çfarë? Për metaforat poetike! Në procesverbalet e mbledhjeve të Lidhjes, të “Dritës”, ”Nëndorit” dhe sidomos të organizatës së partisë së Lidhjes kanë qenë rregjistruar historitë e vërteta jakobinase të Lidhjes. Në to kishte shumë vigjilencë delirante ideologjike, mllef, poshtërsi, banalitet, larje hesapesh, mënjanime, servilizëm partiak, idiotësi, një klimë persekutimi të vazhdueshme ndaj talenteve të vërtetë, që nuk ishin servilë dhe klientelistë. Me sa di unë dikush i ka zhdukur, kur ato duhet të ruheshin dhe të arkivoheshin për vetë historinë e letërsisë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura