Tiranë. 9 prill 2018: Një figurë e kulturës shqiptare e shekullit XVII është edhe Mati Dudesi. Për të flet për herën e parë Frang Bardhi, në një letër, që mban datën 8 shkurt 1637. Bardhi e përmend Mati Dudesin së bashku me dijetarin durrsak Stefan Gaspëri, duke theksuar se të dy “janë njerëz që meritojnë dhe po shkojnë duke u rritur në virtyte, sikurse kishin nisur për së mbari”.
Si Stefan Gaspëri, ashtu edhe Mati Dudesi, janë marrë me poezi dhe kanë shkruar vargje apologjike për mikun e tyre të ngushtë Frang Bardhin. Këto vargje në latinisht janë botuar në vitin 1635 në fjalorin latinisht-shqip të Bardhit, me qëllim që të lartësonin veprën shkencore dhe patriotike të këtij të fundit. Në librin “Bibliographie albanaise” (Laipzig, 1973, faqe 27), Emil Legrandi, duke bërë përshkrimin e fjalorit të Bardhit të vitit 1635, flet edhe për vargjet e Mati Dudesit “tri distiktë të Mati Dudesit Dalmatin që i adresohen autorit” – dmth Bardhit.
“Pasqyra e të Rrefyemit” përkthyer në shqip me shkronja latine
Pra është fjala për gjashtë vargje të karakterit kushtimor.
Ja përkthimi i tyre në gjuhën shqipe:
Në doni të hidhni një vështrim në fushëgjerat e Epirit,
Do të shihni qytetet që ngrihen jo larg botës Argolike,
Viset e gjeniut, luftëtar epirotas që dërrmoi kryeparët osmanë,
Duke i spërkatur me gjak anadollak gjysmëhënat e tyre.
Merreni këtë libër me dokumentet e gjalla të gjuhës arbërore,
Lexoni, rilexojeni e ruajeni si thesar përbrenda shpirtit tuaj!
Kjo poezi ka rëndësi për letërsinë e kulturën shqiptare të shekullit XVII. Ajo është me karakter patriotik dhe evokon figurën e gjeniut të lirisë, Gjergj Kastriotit –Skënderbeut, të cilin, sipas cilësimit të kohës, e quan “epirotas”. Ajo lartëson gjuhën arbërore, gjuhë e cila është shenja kryesore e kombit, siç do të shprehej edhe vetë Bardhi.
Aty bie në sy krenaria e madhe për gjuhën kombëtare, të cilën e ka folur Skënderbeu, gjuhë që u quajt e denjë si gjuhë kulture nga Frang Bardhi, duke i kushtuar një fjalor, vepër me vlera leksikografike, një ndër të parit e këtij lloji në Evropë, ndërkohë kur shumë kombe nuk e kishin ende një vepër të tillë.
Tani le të tregojmë diçka më shumë rreth figurës së Mati Dudesit.
Mbiemri Dudesi lidhet me shqipen Dudë. Më 1493 përmendet një Aleks Duda, kanonik i Drishtit. Prof. Dh. Shuteriqi e shpjegon Dudë, Duda me emrin e një lloj mani të zi, ose të mishit të dhëmbëve (“Studime filologjike” Nr. 1, 1981, f. 174). Kurse emri Mati është i përdorur shumë nga shqiptarët në mesjetë, sidomos në Veri. Sipas studiuesit kosovar, M. Tërnova, ndër antroponimet më karakteristike në Kosovë është emri Mati, i cili në defterët osmanë del i shënuar gjithmonë si emër edhe si mbiemër. Më 1427 përmendet një Mati nga Ulqini, më 1430 një Mati Spani etj.
Mati Dudesi ndoshta ka qenë moshatar me Stefan Gaspërin, i cili ka lindur dy vjet më pas Bardhit, në vitin 1608 e vdiq në vitin 1680. Mati Dudesi, si dhe Stefani, ka kryer kolegjin e Loretos. Ka mundësi të ketë vazhduar edhe studime më të larta në Romë.
Ç’u bë më vonë me Mati Dudesin? A shkroi ai edhe poezi të tjera? A shkroi edhe dokumente e shkrime që lidhen me Shqipërinë e kulturën tonë në shekullin XVII? Për fat të keq, të dhënat për Mati Dudesin janë të pakta.
Mati Dudesi, ashtu si Frang Bardhi, Pjetër Budi, Pjetër Bogdani, Gjergj Vlladanji, Stefan Gaspëri, Daniel Korteze, Lukë Bogdani, Lukë Suma, bën pjesë në bashkësinë e dijetarëve e të poetëve shqiptarë, që dhanë kontribut për zhvillimin e kulturës kombëtare shqiptare, për fuqizimin dhe ngritjen e saj në një hip të ri cilësor.
Dr.Moikom Zeqo