MBROJTJA E UKSHIN HOTIT PARA TRUPIT GJYKUES SERBË NË PRIZREN – SHTATOR 1994 (II)

Pashtriku.org, 15. 05. 2014 – Akuza themelore në këtë luftë të pakompromis dhe të njëanëshme, e cila nga ana e aktivistëve të ndryshëm, madje edhe me tituj profesorësh universitarë, shqyrtohej nëpër oda private nëpër fshatra të ndryshme të Kosovës, ishte në të vërtetë krejt e kundërt me akuzën e tanishme të prokurorit në këtë gjyq. Thuhej zatën se unë kisha qenë kundër bashkimit me Shqipërinë, bile edhe se unë po e pengoja atë bashkim. U tha dhe u bë shumëçka kundër meje atëbotë, por unë mendoja se është fjala për luftën e disa grupeve për pushtet dhe jo për luftën drejt avancimit të pozitës së Kosovës. Çuditërisht, askush nuk më mbronte në mënyrë të hapur as në Kosovë, as në Shqipëri, as në ish-Jugosllavinë, as në Serbi prandaj as në Evropë. Ndjehesha absolutisht i vetmuar dhe erdha gjer në konkluzionin se në të vërtetë atë Jugosllavi nuk e donte askush. Më çudiste vrazhdësia, intensiteti dhe vëllimi i një lufte të tillë. Kam qenë i shtyrë pothuajse gjer në prak të çmendurisë e të vdekjes, por pikërisht ky fakt më bindi se shkaku i kësaj lufte s’mund të ishte vetëm lufta për pushtet. E dija se ndaheshim rreth vlerësimit të ngjarjeve të vitit 1981, rreth vlerësimit të prioritetit të vendit dhe të subjektit të ndryshimeve demokratike nga viti 1990, rreth vlerësimit të fenomenit të gandizmit dhe të politikës së përditshme; rreth dhënies së përparësisë një numri të caktuar bartësish të ndryshimeve dhe të ngjashme, por e tërë kjo nuk mjaftonte që njeriu thjesht të ekskomunikohej nga bashkësia njerëzore. Për diçka të tillë duhej të ekzistonin shkaqe më të thella të cilat në të vërtetë edhe ekzistonin: ato gjithmonë vërtiteshin rreth bashkimit shqiptar dhe mendoj se është kohë e fundit që këtë çështje tani ta sqaroj në tërësi:
Gjatë qëndrimit në specializim në SHBA kam gëzuar një trajtim jashtëzakonisht të lartë. Kam qenë i emëruar nga ana e rektorit të Universitetit të Harvardit si hulumtues shkencor i pavarur. Me rastin e pranimit tek Zonja Rosalyn Carter në Washington DC kam qenë i zgjedhur si i vetmi njeri që do të përfaqësonte të gjithë specializantët dhe postdiplomistët e Evropës në SHBA. Në këtë cilësi kam marrë pjesë në shumë dreka dhe bisedime që i organizonin senatorë e kongresmenë të caktuar dhe përfaqësues të pushtetit në SHBA. Kam marrë pjesë aktivisht nëpër simpoziume të ndryshme shkencore dhe nëpër ligjërime të intelektualëve autoritarë të SHBA, dhe mendoj se me kontributin tim nëpër ato tubime dhe ligjërata kam krijuar emrin tim, përkatësisht, emrin dhe identitetin tim amerikan, i cili ishte i njëjtë me emrin tim këtu, por tani i njohur edhe atje. I kisha dyert e hapura për të gjitha kontaktet e mundshme dhe gëzoja shkallë të lartë të ndihmës teknike që nga një kabinet i stërmadh me makina shkrimi, ordinatorë, telefona, gjer ke ndihma skofiare e dy sekretareshave që punonin në prag të dyerve të zyrës sime. Mirëpo për të gjitha këto, për gjithë atë trajtim të lartë që m’u kishte siguruar atje, asnjëherë gjer më sot nuk e kam falenderuar qeverinë e SHBA-ve. Këtë gjë nuk e kam bërë jo vetëm për shkak se menjëherë pas kthimit në Prishtinë me 1979 jam përfshirë në vorbullën e ngjarjeve që pasuan së shpejti, por më tepër për shkak se gjithnjë deri më sot nuk kam pasur përgjigje të qarta në disa pyetje që më mundojnë edhe tani. Ishin të nevojshme kohë të mbushura me ngjarje që këtë më në fund ta kuptoja, në mënyrë që të dija edhe të pozocionohesha në raport me të. Tani kjo është e qartë. Prandaj, ndonëse duket e çuditshme për shkak të vendit dhe të kohës në të cilën po e bëj këtë, shfrytëzoj rastin që me gjithë zemër ta falenderoj qeverinë e SHBA-ve për qëndrimin tim atje gjatë vitit shkollor 1977-78. Mendoj se nuk është vonë, sepse këtë po e bëj sinqerisht dhe jo vetëm formalisht. Ajo është një qeveri e një vendi të madh, e një populli të mrekullueshëm me mundësi të pakufizuara. Këtë e bëj sinqerisht edhe për shkak se qeveria e këtij populli të madh, dhe e këtij vendi të madh, as përpara, as atëherë dhe as më vonë, kurrëndonjëherë me asgjë nuk e ka kushtëzuar qëndrimin tim atje. Asnjëherë nuk ka kërkuar çfarëdo shërbimi prej meje dhe ka qenë jashtëzakonisht korrekte me mua. Një gjë e tillë natyrisht imponon respekt. Ajo që mua ndërkaq atëherë më pengonte dhe që nuk arrija të kuptoja dot ishte paaftësia ime që t’i zbuloja qëllimet e vërteta amerikane kundrejt popullit shqiptar të cilit unë i përkisja. Dëshiroja të depërtoja pak më larg nga kundërvënia e tyre ndaj regjimit të Enver Hoxhës, por këtë gjë ata nuk ma mundësonin. Kisha vënë re se gjithë çka kishte të bënte me Shqipërinë ishte e vendosur në kuadër të studimeve sllave dhe kjo si në Harvard ashtu edhe në Universitetin e Çikagos, ashtu edhe në Bibliotekën e Washingtonit DC. Në të gjitha pyetjet e mia lidhur me këtë çështje ata nuk kishin përgjigje. Literatura e tyre politike si dhe literatura e historisë politike i shmangej përgjigjeve në këto pyetje. Madje edhe Robert Lee Wolf, një autor i vjetër i studimeve të famshme për Luftën e Dytë Botërore në këtë pjesë të Ballkanit, në studimet e veta i është shmangur përgjigjes në pyetjet e mia. Të njejtën gjë e ka bërë edhe Hans Morgenthao (babai i teorive politike ndërkombëtare amerikane); Jeremy Israel, nga Universiteti i Çikagos, Steven Burg , gjithashtu nga Çikago, Dov Ronen nga Harwardi, Erik Hamp nga Çikago e të tjerë. Të gjithë ata e dinin se kam qenë në detyrën e ministrit regjional në një krahinë potencialisht eksplozive të Kosovës dhe që të gjithë ata i shmangeshin me urtësi temave “të nxehta”. Ndërkaq Steven Larabee, një njeri inteligjent i moshës sime, me të cilin edhe shoqërohesha më së shumti dhe i cili atëherë ishte caktuar në Stejt Department në detyrën e shefit të Drejtorisë për Ballkanin, madje edhe ai i shmangej bisedave serioze në këtë temë. Nuk e di se përse e ka braktisur Stejt Departmentin dhe ka shkuar në Institucionin “Rand” pas arrestimit tim të parë, por e di se pikëpamja që amerikanët më me dëshirë do ta shihnin Shqipërinë të bashkuar me Kosovën dhe jo Kosovën me Shqipërinë ishte e përhapur gjerësisht midis emigracionit politik shqiptar në SHBA. Disa pjesë të caktuara, sidomos ato të bashkuara rreth Legalitetit, një parti zogiste që kërkonte kthimin e Leka Zogut në fronin e Shqipërisë, gjë të cilën vazhdon ta bëjë edhe sot, si dhe pjesë të caktuara të Ballit Kombëtar, të bashkuara rreth Xhafer Devës, flisnin, por edhe shkruanin, se me shumë dëshirë do t’ia hiqnin kokën së pari Enver Hoxhës e pastaj edhe Fadil Hoxhës. Ata mendonin se këta ishin fajtorë për mosbashkimin e Shqipërisë menjëherë pasë luftës. Nuk i përgjigjeshin dot pyetjes, përse të ishte më shumë fajtore Shqipëria se sa Kosova apo Jugosllavia për një rezultat të tillë negativ për shqiptarët menjëherë pas lufte? Përgjigjet e autorëve tanë në këto pyetje që u shfaqën pas vitit 1990 nëpër faqet e shtypit tonë e fajësojnë ish-regjimin komunist në Shqipëri, sipas logjikës së shtetësisë: “ata ishin shtet dhe jo ne.” Nuk është e nevojshme të komentohet se një rezonim i tillë është më së paku naiv. Nuk ishte e vështirë që të konkludoja se një rezonim i tillë i emigracionit shqiptar në atë kohë ishte në realitet thjesht një reflektim i disponimit antikomunist të administratës amerikane e cila nuk kishte asnjë lidhje me nevojën e zgjidhjes së çështjes shqiptare. Lidhur me këtë çështje ata rezononin nga pozita e superfuqisë dhe nga pozita e politikës globale. Ata e dinin se qëndrimi i Kominternës (Internacionales Komuniste) lidhur më këtë çështje, që nga viti 1926 e këtej, deri te Kongresi i V i PKJ me 1941, ishte që Kosova do të duhej t’i bashkohej Shqipërisë, prandaj ranë në konkluzionin e kundërt d.m.th. se do të duhej që Shqipërinë t’ia bashkonin Kosovës, në mënyrë që edhe më tej të mund t’i shisnin botës sllave 300 milion këmisha në vend të vetëm 5 milion këmishave sa do të mund t’u shisnin shqiptarëve po t’i mbështesnin. Lidhur më këtë ndonjëri prej tyre fliste hapur si me shaka. I kuptoja mirë atëherë parametrat e arsyetimeve të tyre sipas të cilëve gjithçka ishte e shndërruar në kuantitet, por nuk mund të them edhe se më pëlqente një gjë e tillë. Edhe më pak më pëlqente realiteti ynë politik i cili ato pyetje, me metodën e raprezaljeve policore, i kishte shpallur si tema tabu. U desh tepër shumë kohë, punë, djersë dhe gjak që këto çështje më në fund të hapeshin. Qysh atëherë e kisha fituar përshtypjen se autonomia e Kosovës në ish-Jugosllavinë titiste ishte në të vërtetë refleksion i ndeshjes së dy politikave globale pas të cilave qëndronin dy shoqëri globale dhe ky fakt më pati tronditur. Duke mos u futur më thellë në elaborimin e zbulimeve lidhur më këtë pyetje, duke iu drejtuar këtij gjyqi, vetëm mund t’i theksoj bindjet e mia të cilat s’janë obligative për askend, por të cilat përmbajnë kërkesën që lidhur me këto të mendohet, madje edhe nga ana e qeverisë së SHBA-ve në Washington, apo qeverisë Ruse në Moskë, në Beograd, Tiranë apo në Prishtinë:
Populli shqiptar duhet bashkuar Këtë e dijnë të gjithë dhe askush më nuk e konteston. Ai duhet të bashkohet për shkak se është i njësuar në planin shpirtëror: e ka një gjuhë, një kulturë dhe një histori. Për shkak se është një popull i vjetër evropian i Ballkanit, i cili që heret e ka demonstruar pjekurinë e vet shtetformuese; për shkak se gjithashtu që herët e ka arritur nivelin e duhur të vetëdijes politike për veten, për vendin dhe për interesat e veta në regjion, dhe për shkak se e ka dëshmuar në mënyrë të lavdishme dobishmërinë e vet në të gjitha planet e bashkësisë evropiane të popujve. Nuk i duhet që ta dëshmojë përkatësinë e vet në këtë bashkësi, sepse pavarësisht nga pozita e vet gjeopolitike dhe e pranisë së religjionit islamik në shumicën e pjesëtarëve të tij, ai ka qenë dhe ka mbetur popull evropian. Ai duhet të bashkohet edhe për shkak se e drejta për vetëvendosje është njëra ndër arritjet qenësore të qytetërimit evropian, e drejtë të cilën vetë ajo e ka proklamuar dhe e cila më asnjë populli në Evropë nuk mund t’i refuzohet a t’i mohohet. Popullit shqiptar i duhet një gjë e tillë që të mund të zhvillohet vetë më tej për ta arritur nivelin e përgjithshëm të kësaj bashkësie. E drejta e popullit shqiptar për t’u bashkuar buron edhe nga fakti se ai nuk ka qenë ndonjëherë i pyetur për caktimin e kufijve që e cungojnë nga të gjitha anët. Kur u bë një gjë e tillë në Konferencën e Ambasadorëve të gjashtë fuqive të mëdha evropiane në Londër, premieri i atëhershëm britanik, sër Edward Grey, që e kryesonte atëbotë atë konferencë, pati deklaruar publikisht se ishin të detyruar që ta flijonin këtë popull për shkak të ruajtjes së paqes evropiane. Mirëpo paqja me këtë nuk u ruajt as atëherë dhe as më vonë. Misionarë të ndryshëm të Lidhjes së Kombeve nga ajo kohë (1919-20) i propozonin popullit shqiptar që gjeniun e vet krijues ta orientonte në drejtim të rritës së brendëshme e të krijimit, ndërkaq Evropa, nga ana e vet, do të dinte që këtë gjë në një kohë të caktuar ta shpërblente. Ai një gjë të tillë e bëri. Dekada të tëra ai e duroi me dinjitet politikën e asimilimit me dhunë dhe të spastrimit etnik të regjimeve të ndryshme serbe. Vetëm në mes dy luftërash botërore e lëshuan përdhunisht këtë hapësirë më se 240 000 njerëz. Në vitet e pasluftës shkuan dhe 600 000 të tjerë të cilëve iu bashkuan edhe po aq kosovarë në kohën e sotme, në kohën e ndryshimeve demokratike. Nuk ka të dhëna të sakta për numrin e të vrarëve e të dëbuarve, por ai sillet diku rreth dhjetëra mijërave. Shkenca bën të njohur se vetëm gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe menjëherë pas saj, janë vrarë më shumë se 40 000 shqiptarë. Ekzistojnë madje edhe marrëveshje ndërshtetërore për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi si turq, por Evropa pati heshtur. Asnjëherë nuk i pati gjykuar, ndonëse ua pati premtuar shqiptarëve mbrojtjen e vet.

AKTGJYKIMI K. Br. 28 / 94 dt. 28. IX. 1994. fq.1, 2 dhe 7. (KUNDËR UKSHIN HOTIT)

Ne e dijmë që kufijtë ndërkombëtarë Evropa i ka shpallur të pandryshueshëm, mirëpo e ka lënë të hapur mundësinë e ndryshimit të tyre me pranimin e palëve të interesuara. Prandaj bashkimi i popullit shqiptar duhet të realizohet në rrugë institucionale dhe me metoda demokratike. Shkenca konstaton se një territor kompakt me 115 mijë km2, nga Kongresi i Berlinit -1878, gjer më sot, është ngushtuar në 55 gjer 65 mijë km2 në të cilat populli shqiptar tani është në shumicë. Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër 1912-13, shteti shqiptar u krijua në një sipërfaqe prej pak më shumë se 28 mijë km2. Dallimi midis kësaj shifre dhe 65 mijë km2 në të cilat jeton sot në shumicë populli shqiptar në trojet e veta historike, duhet të inkuadrohet në shtetin e njësuar shqiptar.
Në luftën e vet për bashkimin e tij, populli shqiptar ka të drejtë të presë ndihmë jo vetëm nga Evropa dhe bashkësia ndërkombëtare, por pikë së pari prej atyre popujve të ish-Jugosllavisë me të cilët ka jetuar bashkërisht, dhe në rend të parë nga serbët. Serbët duhet ta kuptojnë se koha e dominimit mbi shqiptarët ka përfunduar. Ata që e njohin mirë historinë sigurisht që tashmë e kanë kuptuar se gjer me ardhjen e turqve në këto hapësira nuk kishte dominim të njërit mbi tjetrin. Me pranimin e islamizmit nga ana e feudalëve shqiptarë dhe me inkuadrimin e tyre në sitemin turk të administrimit, ka ardhur deri te një proces të cilin serbët kanë mundur ta kuptojnë si dominim të shqiptarëve mbi ta, gjë që s’ishte e vërtetë, sepse inkuadrimi në sistemin e administrimit të Perandorisë Turke dhe pranimi i religjionit islamik nuk ishte vetëm një veçori shqiptare. Me largimin e turqve nga Ballkani, me forcimin e Rusisë dhe pastaj edhe të ish-BRSS-së, në fillim erdhi gjer ke ndarja e popullit dhe e territorit shqiptar, pastaj edhe tek një politikë e gjenocidit sui generis ndaj shqiptarëve që mbetën jashtë kufijve të shtetit të tyre. Që nga viti 1844, d.m.th. që nga “Naçertania” e Ilia Garashaninit dhe gjer më sot, politika serbe ndaj shqiptarëve ishte në thelb sub-imperialiste. Ajo ka shkuar linjës së nënçmimit dhe të denigrimit të shtetit shqiptar si dhe të asimilimit të dhunshëm të popullatës shqiptare nën jurisdiksionin e saj. Me fjalë të tjera, forcimi i animozitetit shqiptaro-serb apo serbo-shqiptar ka qenë gjithmonë i lidhur me ndryshimet në rrethimin e tyre ndërkombëtar.
Në pjesën I të artikullit tim studimor “Viti 81 dhe proceset e demokracisë” pastaj dhe në pjesën II të artikullit “Bëje ose vdis” (Alternativa 7/8, 1991, dhe “Fjala”, mars 1992) unë jam përpjekur të përkujtoj se këta dy popuj gjenden në një nivel të përafërt ose të njëjtë të madhësisë demografike, dhe të zhvillimit të gjithëmbarshëm. Pa ndikimin e jashtëm historia e tyre do të mund të zhvillohej në drejtim të rivalitetit të shëndoshë në bashkëpunim dhe në zhvillim. Për këtë shkak gjithmonë kam insistuar që politika të heq dorë nga instrumentalizimi i vet për interesa të huaja. Mirëpo me politikën e terrorit shtetëror ndaj shqiptarëve Serbia sikur synon t’i detyrojë shqiptarët që të heqin dorë nga kërkesat e tyre legjitime dhe nga aspiratat e tyre historike. Kjo sikur arsyetohet me faktin nga që edhe asaj vetë i është e qartë tashmë se një politikë e tillë është absurde dhe jashtë kohës. Me ritualizimin e vrasjeve, siç ndodhi me rastin e Hasan Ramadanit nga fshati Shajkovc, të cilin e përshkruan shtypi në gjuhën shqipe, nuk mund të arrihet asgjë pozitive. Ritualizimi i vrasjeve ka qenë veçori e kanibalizmit, ndërkaq dihet se ai është çrrënjosur. Vdekjet janë tragjike me faktin se na përkujtojnë përkohshmërinë e jetës sonë. Për këtë shkak indiferentizmi ndaj jetës njerëzore nuk mund të jetë përmbajtje e asnjë lloj politike dhe e asnjë ardhmërie. Për këtë shkak politika që ndalet në gjykimin formal të rasteve të tilla, ndërsa më vonë prej tyre, me të gjitha mjetet e mundshme përpiqet të kapitalizojë dhe të mbledhë poena për veten, një politikë e tillë, e cila, veç tjerash, mbështetet ekskluzivisht në faktorët e jashtëm në dëm të faktorit të brendshëm, nuk mund të ketë asgjë të përbashkët me popullin shqiptar. Në qoftë se ajo nuk është shprehje e tradhtisë së interesave nacionale atëherë ajo është edhe vetë viktimë e ndonjë komploti, gjë që nuk e zvogëlon përgjegjësinë e saj për gabimet dhe për lëshimet e bëra. Mirëpo, gjykuar sipas faktit se si njëra më arreston e tjetra më sulmon vetëm për shkak se unë po insistoj në zbulimin e së vërtetës dhe të vërtetave, është shumë afër mendësh se politikat e tilla në të dy anët synojnë në zgjidhje shumë specifike dhe të përcaktuara në këtë pjesë të Ballkanit. Përndryshe, përse si këtu ashtu edhe në Shqipëri po burgoset dhe po gjykohet një profil shumë i përcaktuar intelektualësh, pikërisht ai që ka përvojë të caktuar prej burrështeti, nën akuza që tingëllojnë cinike, dhe që nuk i kanë hije askujt, as kohës dhe as vendit?
Në letrën time të hapur drejtuar ish-bashkëshortes dhe një segmenti të inteligjencisë së Kosovës në Prishtinë, në tekstin me nëntitull “Shqipëri e reduktuar apo republikë e barabartë” ia kam tërhequr vërejtjen atij segmenti të inteligjencisë për atë që nuk më pëlqente. Letra u botua në revistën «Doruntina» nr. 3, 1993, në Kumanovë, dhe jo në «Bujkun» apo në gazetat tjera të Prishtinës. Aty kam tërhequr vërejtjen edhe për problemin e marrëdhënieve me Greqinë, lidhur me ortodoksët e Shqipërisë Jugore, mirëpo këta zotërinj atëherë u shtirën si të mençur. Ndërkaq tani, kur ky problem ka shpërthyer në sipërfaqe, ata paraqiten si të befasuar. Zbrazin nëpër gazeta ndjenjen e një “patriotizmi zemërak”, duke e fshehur dyfytyrësinë e vet. Vërtet nuk është gjë e vështirë që të bësh karagjozllëk nga politika me metodën e masakrimit të integralizmit të çfarëdo mendimi, me kombinimin e gënjeshtrës dhe të harresës ose me ndrrimin e tezave. Mirëpo kur një gjë e tillë bëhet në disa kushte specifike të caktuara, dhe për një kohë të caktuar, me rrugë sistematike, atëherë dëshirohen të arrihen qëllime mjaft të përcaktuara, ndonëse nuk e di akoma se për çfarë qëllimesh është fjala, por nuk është e vështirë të konstatohet se janë në lidhje të caktuar me zgjidhjen e çështjes shqiptare. Për këtë shkak edhe më tej do t’i saktësoj pikëpamjet e mia lidhur me këtë çështje, dhe këtë për shkak se gjithë deri më sot ato përbënin një lëndë për shpjegime kontradiktore, ndërkaq unë kam qenë dhe jam akoma i sulmuar nga të gjitha drejtimet e mundshme:
Bashkimi i popullit shqiptar nuk mund të realizohet si zgjerim territorial as i Jugosllavisë dhe as i Serbisë. Kjo nuk do të ishte zgjidhje e çështjes shqiptare por një imponim i një zgjidhjeje të tillë për të, që do të duhej të ishte rezultat i ndonjë lufte. Kjo gjithashtu do ta implikonte përzierjen e faktorëve të tjerë. Greqia tashmë i ka shfaqur hapur pretendimet e saj ndaj Jugut të Shqipërisë, dhe kundrejt një imponimi të tillë të zgjidhjes as Turqia s’do të mund të ishte indiferente, por as Italia. Bashkimi i popullit shqiptar si zgjerim territorial i Jugosllavisë do të ishte në esencë zgjerim territorial i Serbisë, po qe se kjo do ta nënkuptonte mbetjen e Kosovës nën çfarëdo ingjerence të Serbisë. Populli shqiptar diçka të tillë nuk do të mund ta pranonte, dhe as që do të mund të pajtohej ndonjëherë me të. Propozimet që po shfaqen tani për lidhje konfederale me Shqipërinë pa u zgjidhur paraprakisht çështja e njohjes së Kosovës de jure mund të jenë shprehje e dëshirës që kjo çështje të përshpejtohet, por mund të duket edhe si një çështje tejet e diskutueshme. Nuk ka dyshim se këto propozime janë shprehje edhe e besimit absolut në bashkësinë ndërkombëtare, por ajo në zgjidhjen e këtyre çështjeve rendom i ndjek interesat vetjake, ndërsa interesat e palëve të interesuara i merr parasysh vetëm në masën në të cilën ato palë janë të zonjat vetë që t’i mbrojnë e t’i sigurojnë.
Pikërisht për shkaqe të tilla, bashkimi i popullit shqiptar duhet t’i paraprijë çfarëdo forme të bashkimit federal ose konfederal, ose formave të tjera të bashkimit në tërësi më të mëdha, gjersa vetë akti i bashkimit duhet të jetë shprehje e vullnetit të tij që nuk bën të prejudikohet në asnjë mënyrë. Vetë akti i bashkimit të popullit shqiptar për shkak të karakterit të ndarjes së tij, bazohet në esencë në ndarjen e qetë dhe dinjitoze me fqinjët. Çfarëdo politike që nuk e merr parasysh përparësinë e kësaj çështjeje nuk mund të jetë në realitet shprehje e interesave nacionale shqiptare.
Shqipëria është vendi i vetëm në Evropë që kufizohet pothuajse nga të gjitha anët me vetveten, d.m.th. me popullin e vet dhe me trojet e veta historike. Për këtë shkak një çështje prioritare ose një çështje me rëndësi prioritare për Republikën e Kosovës, është ndarja e qetë dhe dinjitoze me RFJ dhe me Republikën e Serbisë, dhe jo bashkimi ose njësimi me Shqipërinë, për shkak se kjo do të kuptohej si zgjerim territorial i Serbisë në drejtim të Shqipërisë, gjë e cila do të nxiste pretendime të ngjashme edhe në Greqi. Kjo do të thoshte natyrisht luftë. Nuk është aspak e pamundur që në qarqet e caktuara në të gjitha qendrat e interesuara të fuqisë, nga Beogradi në Athinë dhe gjer në Washington, dëshirohet një zhvillim i tillë i situatës. Ata shpresojnë për një fitore minimale d.m.th., për një zgjidhje të përkohshme të çështjes shqiptare në bazë religjioze në të cilën ndonjë shtet i bashkuar eventual shqiptar musliman do të figuronte ose si një shtet i veçantë, ose si një anëtar i një tërësie më të madhe.
Dihet se, për dallim nga popujt tjerë të Evropës, religjioni tek shqiptarët gjithmonë ka qenë mënyrë e mbijetesës dhe jo mënyrë e jetesës. Përkatësinë e vet religjioze shqiptarët asnjëherë nuk e kanë identifikuar me përkatësinë e vet kombëtare. Elementi i tyre kryesor përbashkues ka qenë gjuha dhe vetëdija tradicionale për veten. Ata i kanë tri religjione, ndërsa asnjeri prej tyre nuk ka lindur tek këta dhe nuk është kthyer në gjendjen e tyre të natyrshme. Të gjitha ato kanë ardhur bashkë me zgjerimet imperiale (Roma dhe Islamizmi) ose me forcimin e qendrave të fuqisë (Bizanti). Ky fakt (tri religjione) i përgjigjet pozitës gjeostrategjike të vendit ku jetojnë – në trekufirin e tri kontinenteve. Ky fakt e shton pasurinë shpirtërore të kulturës së tyre dhe i kontribuon perspektivës së tyre. Ndarja e tyre në bazë të përkatësisë religjioze, për vetë shqiptarët do të ishte e dëmshme, për shkak të varfërimit të shpirtit dhe të kulturës, për shkak të humbjes së territoreve, etj. Por edhe për praktikën dhe për teorinë e marrëdhënieve ndërkombëtare kjo do të ishte tragjike, sepse në këtë mënyrë do të afirmoheshin kriteret të cilat ajo i ka tejkaluar që moti, si dhe për shkak se ky do të ishte një tregues i qartë i konfrontimit global të shoqërive globale.
Nuk e besoj se mund të ketë midis shqiptarësh shumë të tillë që do të pajtoheshin qysh më parë me një mundësi të tillë. Politika ndërkombëtare ndërkaq është një gjë e ndjeshme. Ajo ofron mundësi të shumta të manipulimeve të ndryshme përmasash kolosale pikërisht për shkak se pas tyre qëndrojnë shtetet. Ato mendojnë se me këtë mund të arrihen qëllimet e caktuara dhe nuk hezitojnë fare kur është fjala për shfrytëzimin e metodave të tilla. Në anën tjetër ekziston një numër i madh njerëzish nostalgjikë për kohërat e shkuara të cilët ndryshimet demokratike në Evropën e Lindjes i përjetojnë si kthim në të kaluarën. Ata mendojnë se është realizuar gjermanizimi i Evropës e jo evropeizimi i Gjermanisë. Është pak e besueshme që në disa qarqe të mos mendohet që me anë të pazarllëkut me trojet shqiptare të zënë pushtetin dhe është pothuajse e pa mundshme që një perspektivë e tillë e zgjerimit territorial në llogari të shqiptarëve të mos u pëlqejë qarqeve të caktuara si në Beograd, ashtu dhe në Athinë. Këto qarqe mbase mendojnë se kjo do të ishte fare në rregull, fare shik, dhe në frymën e ndryshimeve demokratike në Evropë. Bile ndoshta ato shpresojnë se do të bëjnë një salto mortale politike si në vitin 1937, dhe me ndihmën e miqve të forcuar t’i rikompensojnë sërish interesat e humbura gjatë luftës së pandershme politike për pushtet. Ndoshta ata kanë të drejtë. Për mua ndërkaq ata kanë të drejtë në masën në të cilën do të kuptohet se ndryshimet politike në Evropë e mundësojnë deklarimin e parimit të vetëvendosjes politike. Atëherë kur një popull deklarohet politikisht për zbatimin e këtij parimi, asgjë nuk mund ta ndalojë gjer në realizimin e tij të plotë. Ndryshimet politike në Evropë e favorizojnë këtë. Me fjalë të tjera, as vetë nuk e besoj se instrumentalizimi politik i kombit vetjak përbën një rrugë të drejtë për arritjen e qëllimeve afatgjata. Ai detyrimisht e nënkupton karakterin autoritativ të pushtetit dhe përkrahjen e këtij pushteti nga pjesët më reaksionare të popullit. Unë jam ithtar i nevojës së forcimit të identitetit nacional dhe jo i instrumentalizimit të tij. Vetë procesi i forcimit të këtij identiteti nuk mund të realizohet si kthim në të kaluarën por si ecje progresive drejt së ardhmes. Një ecje që nuk i mohon vlerat pozitive të së kaluarës por i inkuadron në vetvete dhe i kuptimëson në kohë. E di se dikur, për shkak të rivalitetit të fuqive imperiale për territore dhe për tregje të reja, instrumentalizimi i popujve të vegjël ose të ndonjë pjese të tyre të caktuar, ishte një gjë fare e rëndomtë. Popujt lidheshin për këtë ose për atë fuqi, dhe për këtë shkak, tek popujt e vegjël lindën bindje dhe paragjykime për predispozitat miqësore të kësaj ose të asaj fuqie. Kjo është në fuqi edhe sot por tani ka ndryshuar konteksti i përgjithshëm i gjërave. Sistemet imperiale janë bërë të shtrenjta, sklerotike dhe joefikase, prandaj janë lënë që moti. Rivaliteti i fuqive gjithnjë e më tepër do të realizohet si konkurrim i zhvillimeve intensive të brendëshme dhe për prodhimin e zbulimeve sa më cilësore tekniko teknologjike si dhe për tregjet që do të dijnë të konsumojnë prodhime të tilla. Ky fakt i vë në pozicion të njëjtë si serbët, ashtu dhe shqiptarët. Serbët ndërkaq, do të duhej të hiqnin dorë nga ëndrrat imperialiste; ata duhet ta njohin edhe de jure Republikën e Kosovës, për t’iu kthyer kështu ardhmërisë së tyre. Këtu qëndron shkaku i theksimit tim se Republika e Kosovës duhet krijuar në raport me veten dhe jo për inat të serbëve; se nuk ka kthim në komunizëm, por as marshim drejt fashizmit, se demokracia nuk plotësohet me përmbysjen e klasave por me luftën konkurrente të ideve dhe të vlerave për gjëra më të mira dhe më cilësore. Me fjalë të tjera kam kërkuar që përmbajtja e shqiptarizmit të mos nxirret nga antiserbizmi ashtu si përmbajtja e serbizmit të mos nxirret nga antishqiptarizmi. Kjo natyrisht nënkupton mirëkuptimin dhe jo luftën, por as luftërat nuk janë zhveshur nga logjika sepse me atë rast do të ktheheshim në kohërat e barbarizmit dhe jo të civilizimit. Duke e njohur edhe de jure Republikën e Kosovës, serbët nuk bëhen popull më i vogël dhe as shqiptarët popull më i madh. Në këtë mënyrë ata do të bëheshin të tillë çfarë janë në të vërtetë. Përse do të duhej luftuar për t’u dëshmuar ajo që tashmë po shihet dhe që ekziston? Populli shqiptar thjesht është deklaruar për shtetin e vet sepse e ka ndjerë nevojën për zhvillimin e mëtejshëm vetjak. Në emër të çkafit serbët do të mund t’i pengonin? Edhe sikur vërtetë të besonin në atë që ua ofron një pjesë e historisë në formë të mitit mbi Kosovën, tani kjo është e parëndësishme. Nuk është miti udhërrëfyes i mirë për ardhmërinë por e vërteta. Pastaj nuk është tërësisht e sigurt se luftërat mund të përfundojnë gjithmonë ashtu siç paramendohen dhe siç dëshirohen. Tani është pothuajse e qartë se ekzistojnë qendra të largëta të caktuara të cilat i mbajnë në kontroll proceset e luftës e të paqes si dhe rezultatet e tyre në të gjitha regjionet që kanë rëndësi për paqen botërore. Tashmë është plotësisht e qartë se ato nuk dëshirojnë që në këto hapësira të vijë gjer ke lufta. Ato e dijnë që populli shqiptar është dëmtuar në të kaluarën dhe se këtë gjendje e ka edhe sot. Ata e dijnë se ai ka të drejtë të zhvillojë luftë mbrojtëse ose çlirimtare, sepse luftërat e tilla konsiderohen, dhe janë, një e drejtë e natyrshme e popullit për vetëmbrojtje dhe për ekzistencë. Si të tilla ato merren si legjitime edhe nga dokumentat e OKB. Ato e dijnë gjithashtu se populli shqiptar, në territorin e vet kompakt, është i vetmi që është sakatosur kryq e tërthor me kufij artificialë ndërshtetërorë, i nënshtruar ndaj organeve shtetërore të disa shteteve, gjersa në shtetin e vet e ka pjesën më të vogël; se është i përndjekur dhe se në disa vende, si në Kosovë, për një kohë të gjatë po i nënshtrohet politikës së terrorit shtetëror. Pikërisht sepse e dijnë një gjë të tillë, ata e mbështesin politikën paqësore të alternativës shqiptare në Kosovë; e lavdërojnë dhe e shpërblejnë, por njëkohësisht edhe e kontrollojnë dhe ia tërheqin vërejtjen, edhepse këto vërejtje në të vërtetë i adresohen Serbisë, sepse ata mbase vlerësojnë se vetëm Serbia është ajo që mund të zhvillojë luftëra në këto hapësira. Ata e dijnë se populli shqiptar në këto hapësira, që ka të drejtë të mbrohet dhe të luftojë për të drejtat e veta legjitime, është plotësisht i paarmatosur. Nga shtypi në gjuhën shqipe lexojmë se shpeshherë zhvillohen aksione brutale për mbledhjen e armëve. Të vetmet armë që ndonjëherë i gjejnë aty-këtu, janë ndonjë pushkë automatike, ndonjë revolver, dhe në raste shumë të rralla, edhe ndonjë bombë dore. Në rrethanat e luftës, këto do të quheshin armatim i lehtë i këmbësorisë. Në një luftë bashkëkohore këto do të quheshin si armë për spastrimin e terrenit, por këto nuk janë armë për zhvillimin e çfarëdo lufte në kushtet bashkëkohore. Vetë këmbësoria qysh moti është shndërruar në një forcë përcjellëse të njësive tankiste, ndërsa vetë ai armatim së shpejti do të mbetet vetëm një relikt i së kaluarës nga kohërat e gangster-dueleve të tipit të Al Kapones. Populli shqiptar askund tjetër, përveç në Shqipëri, nuk e ka ushtrinë e vet të armatosur apo njësitë e veta paramilitare. Ajo që gjendet në Shqipëri thonë se është akoma në procesin e riorganizimit dhe të modernizimit. Kam dëgjuar se pikërisht tani, në këtë kohë të të gjitha rreziqeve të mundshme, paska qenë e nevojshme të zëvendësohet komplet kuadri i shkolluar i oficerëve të armatës e të policisë me të tjerë që tani sapo kanë filluar shkollën. S’mund të ekzistojë një indikacion më i qartë i qëllimeve të një pushteti politik mbi rrugën paqësore të zgjidhjes së problemeve dhe për lëshimin pa asnjë rezervë të vendit të vet në duart e faktorit ndërkombëtar. Ky është faktori që dikur na ka ndarë. Tani do të na bashkojë, nëse jo për shkak të ndonjë paqeje të mundshme, atëherë mbase për shkak të dëshirës për eksperiment! Për këtë shkak, ne shqiptarët e Kosovës, që dikur e kemi luajtur rolin e dorës së parë në themelimin e shtetit shqiptar, tani iniciativën për bashkim ua kemi lënë atyre, të cilëve u mbetet që fillimisht të modernizohen, ndërsa në ndonjë të ardhme edhe të bashkohemi! Sa të mençura që janë këto qendra të largëta të fuqisë! Atyre gjithmonë u shkon përdore që përmes vetë nesh të na mashtrojnë, ndërsa pas kësaj edhe të na shpërblejnë e të na i rrahin miqësisht shpatullat.

VIJON…

__________________________________

MBROJTJA E UKSHIN HOTIT PARA TRUPIT GJYKUES SERBË NË PRIZREN – SHTATOR 1994 (I)
HAPE: http://www.pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=2770
***
MBROJTJA E UKSHIN HOTIT PARA TRUPIT GJYKUES SERBË NË PRIZREN – SHTATOR 1994 (II)
HAPE: http://www.pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=2771
***
MBROJTJA E UKSHIN HOTIT PARA TRUPIT GJYKUES SERBË NË PRIZREN – SHTATOR 1994 (III)
HAPE: http://www.pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=2772

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura