DR.MOIKOM ZEQO: MEHMET ALIU, SHQIPTARI I EGJIPTIT

Tiranë, 18. 02. 2013 – (Shënime për “Mehmet Ali Pasha, kapedani shqiptar që ja ktheu dinjitetin Egjiptit” nga Shyqri Nimani, Prishtinë 2012) – Dijetari frëng Andrea Morua (Morois) ka shkruar se personalitetet në histori tipologjizohen jo aq nga ngjarjet konkrete se sa nga konceptualiteti i këtyre ngjarjeve. Sipas tij, Gjergj Washingtoni ose Abraham Linkolni krijuan një vend të ri, SHBA-në në një pikë nistore, kurse Mehmet Aliu i Egjiptit ringjalli një shtet me qytetërim shumë të vjetër, pra e ribëri atë që ishte dikur duke e europianizuar.
Pra është shtetar i madh i llojit tjetër.
Jules Verne (1828-1905) në librin e tij “Aventurat mahnitëse të Mjeshtër Antigerit” përshkruan Egjiptin e Mehmet Aliut.
Gerard de Nerval (1808-1855) në veprën “Udhëtim në Orient” ka përshkrime të gjalla për pallatin e Mehmet Aliut. Këto shkrime (të panjohura për shqiptarët deri më sot) janë një lloj parathënie për të folur për këtë subjekt tashmë në terrenin shqiptar. Pra për një libër të plotë në shqip të prof. Shyqyri Nimanit.
Shyqri Nimani është një personalitet sui generis kulturologjik – gjë jo shumë e shpeshtë tek shqiptarët. Po ai është!

Prof.Shyqyri Nimani, autori i librit: “Mehmet Ali Pasha,

kapedani shqiptar që ja ktheu dinjitetin Egjiptit”

*   *   *

Profili i tij shumërrafshësh të grish, të çudit, të imponon respekt të plotë. Piktor, mjeshtër i hollë i dizanjit artistik është edhe poet, përkthyes i haikave japoneze dhe poet amerikan Carl Sadbergut, studiues i Onufrit gjenial dhe heraldikës mesjetare, historian i përkorë arti dhe zbulues i miniaturistëve famëmëdhenj të kodikëve të Perandorisë Osmane – vërtet një risi e habitshme, madje edhe kompozues muzike, tekstesh poetike, një figurë me plotëri të admirueshme.
Pse e quajta personalitet sui generis?
Pse sui generis?
Sepse nuk ngjan me të tjerët, i largohet rebelshëm rëndomësisë dhe standardeve të rreme pseudoakademisë dhe standardeve të rreme pseudoakademike, sepse ka një vizion europian dhe global. Këto janë atribute, jo lëvdata. E kam për nder që jam mik i tij, por konsideratat janë autonome, përtej subjektivitetit.
Korpusi i botimeve të profesor Shyqri Nimanit është i pangjashëm me të tjerët.
Monografitë dhe albumet të botuara sipas artit grafik të standardeve botërore janë në hullinë e së ardhmes.
Studiues i pasionuar i substancës kombëtare etnike, anglofon, qytetar i botës e ka kuptuar sekretin e ndërlikuar të gjithëmbarshmërisë dhe matricës antropologjike të qytetërimeve jo si mohime, por si pjesë komplementare, sinteza pohuese dhe frymëzues.
Ky vizion është suksesi i tij jetik. Me këtë vizion portat vetëm hapen, për të mos u mbyllur kurrë. Këto janë koordinatat e dijes dhe të fuqisë rikonstruktuese. Sepse botimet e tij janë rikonstruksione të kujtesës së shekujve.

Mehmet Ali Pasha (1769 – 1849)

*   *   *

Botimi i tij më i fundit “Mehmet Ali Pasha, kapedani shqiptar që ia ktheu dinjitetin Egjiptit” Albanica, Prishtinë 2012 është peng dhe monument i dinjitetit. Pikërisht edhe për arsye të genit shqiptar të padyshimtë. 
Vlerat hulumtuese me një burimologji bibliografike përqasin figurën madhështore dhe epokale të Mehmet Aliut, pak i njohur për ne shqiptarët.
Për të ka shkruar Sami Frashëri i pavdirë, enciklopedisti brilant, por për të ka shkruar edhe gjuhëtari Aleksandër Xhuvani në 1921. Dhe kaq! Por boshllëkun absurd e mbulon tashmë ky botim i Shyqyri Nimanit. Dhe jo rastësisht! Por shumë mençurisht!
Mehmet Aliu i lindur në 1769 – ka të njëjtin vit të lindjes me Napolonin dhe Wellingtonin – në këtë rast rastësia, ose rendi providencial mund të kishte një simbolikë metaforike, duke qenë një piramidë apo sfinks kronologjik.
Me origjinë shqiptare, nga fshati Zemblak i Korçës, i shkuar në Kavallë për t’u shfaqur si luftëtar i jashtëzakonshëm në Egjipt mbas Betejës napoleonike te Piramidatër ta kthyer Kaosin e frikshëm në një unitet historik të pazakontë, për të europianizuar Egjiptin modern në mënyrë ekskluzive, pa një të dytë në botë. Me të drejtë arsyetohet për sindronim paradoksal shqiptar. Konstandini i Madh, me origjinë ilire zyrtarizoi krishterimin botëror, nipi i tij Julian Apistati riktheu paganizmin, Diokleciani i Madh reformoi mbijetesën e Perandorisë Romake. Geni i racës iliro-shqiptare në përmasat globale tregon çuditërisht plotfuqishmëri marramendëse.
Por aksidentalisht brenda kombit shqiptar plogështia provinciale ka qenë dhe është shpesh kaq fatale. Përjashto Gjergj Kastriotin që përmasa shqiptare e çoi tek përmasa europiane dhe jo ndërsjelltas. Figura e Mehmet Ali Pashës është post-skënderbeiane, si ajo e Ali Pashë Tepelenës dhe Bushatllinjve sfidantë. Por mund të thuhet me siguri se Mehmet Ali Pasha i Egjiptit është shqiptari ndoshta më i njohur dhe më i historiorizuar nga bota moderne.
Botimi i Shyqri Nimanit është ndërthurës: peligrinazh historik dhe historiografik, hulumtues në Zemblak, në Kavallë dhe në Kajro, madje edhe një reportazh egzotik në pjesëmarrjen në dy simpoziume ndërkombëtare për këtë personazh vëmendjethithës në kryeqytetin egjiptian. Por ajo që ka një rëndësi substanciale është dimensioni i jashtëzakonshëm i imazheve në libër.
Nimani flet për zbulime të vërteta, për piktorë të huaj europianë që kanë pikturuar Mehmet Ali Pashën e Egjiptit dhe gardën e tij pretoriane prej shqiptarësh. Kreun e vendit e zë piktori i jashtëzakonshëm francez Jean Leon Gèrome (1824-1904). Që në rini ai pikturoi kapelen e “shën Jeronimit” në Paris.
Për të Theophile Gantier ka thënë: “Ka lindur një piktor. E ka emrin Gèrome: po e them emrin e tij sot, parashikoj se do të jetë i famshëm nesër.” Ciklet pikturike të Gerome me shqiptarët në Egjipt janë një nga dukuritë më fantazmagorike të artit europian në tërë kohërat. Gerome krijoi një ikonografi shqiptare të pashembullt, gjeniale.
Kjo është arsyeja e thukët që ne mund të flasim edhe për një aspekt albanologjik të imazhit, të ikonografisë institucionale të botës së pafundme pikturike. Krejt e kundërta e albanofobisë.
Ja një tjetër zbulim, një portë tjetër e hapur: albanologjia e imazhit, si substancë e pashlyeshme.
Shqiptarët e pikturuar nga Gerome kanë qytetarinë e shekujve, janë popull me bukuri, shkujdesje, antropologji dhe me kostumologji mahnitëse. S’janë populli i zhdukur i Atlantidës. Ishin por edhe janë. Por që të jesh duhet përherë të identifikohesh.
Pasaportat e shteteve po bëhen konvencionale, por nuk është kurrë e tillë pasaporta e shpirtit! Kjo nuk është utopike.

Mehmet Ali Pasha 

*   *   *

Është mbijetuese.
Së fundi le të më lejohet të them se poeti frëng parnasian José-Maria Heredia (1824-1905) e ka shkruar një sonet të famshëm për tablonë e mrekullueshëm “Robi” të Leon Gerome-it. Ja një përkthim i lirë:
ROBI
Për Gerome
Tej në skaj myzeinet e pushuan këngën,
Prarohet qielli jeshil i perëndimit,
Krokodilët fshihen mes llucave
Dhe përgjumen thurmat e Nilit.
Këmbëkryq kapedani ëndërron
I trullosur nga tymi i hashashit,
Ndërsa barkën e shtyjnë me ngulm
Dy negër gjokszbuluar me rrema.

Në barkë plot klithma dhe gazmor
Duke i rënë egër mandolinës
Një shqiptar me sy të rreptë dhe të prapë.
Duarlidhur me prangat në kyçe
Një sheik plak sheh i hutuar
Minaret e holla që dridhen mbi Nil.

Ky sonet pasqyron mjedisin e kohës së Mehmet Aliut, por ende jo bëmat e tij të pabesueshme.

=================================

Gjenealogjia e Fronit të familjes së Mehmet Ali Pashës (1805 – 1953)

…………………………………………..

===============================

(Ilustrimet i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura