Tiranë, 21. 10. 2014: (Në 200 vjetorin e lindjes së Jeronim De Radës, 1814 – 2014) – Vincens Toreli – Studiuesi Vincens Toreli boton në Napoli më 1836, në “Omnibus” një studim për De Radën. Në fillim ai flet për familjet shqiptare që kanë populluar të Dy Sicilitë. Ai merret me tipologjinë e arbëreshëve të cilët ndonëse nuk vishen njëlloj me fqinjët, kanë një guxim që u duket në sy, por edhe një vetëkontroll në zemër që ruan një kujtim fatkeqësish, një imazh historik që s’mund ta transplatojë, por as ta zbehë. Arbëreshi i Dy Sicilive duket i vetmuar dhe i veçantë, klerikët e virtytshëm të fshatrave arbëreshe me anë të krishterimit universal janë përpjekur t’i afrojnë arbëreshit me vendasit, këta të fundit mbajnë një qëndrim të ftohtë dhe me fjalë talljeje, kurse arbëreshët karakterizohen nga një përbuzje e qetë. Pikërisht në këtë mjedis, De Rada bëhet i dukshëm si këngëtari i Osianit, fsheh me modesti disa mënyra të guximshme, të çuditshme, ndoshta dhe të pakuptueshme të poezisë orientale, të shartuara në një kujtim të amshuar dhe të natyrshëm të trishtimit dhe dashurisë. Poezia e De Radës përdor, operacionalizon natyrën dhe frytet e saj. Ajo është një poezi pasionante që buron nga një fantazi e pandashme, që duket se nuk kënaqet me mendimet e zakonshme të jetës, ndaj shpërndahet në krejt gjithësinë për të gjetur një madhështi të panjohur dhe për ta bërë atë të vetën. De Rada krahas tekstit arbërisht nuk i reziston tundimit për t’i vënë përballë përkthimin në prozë në italisht, por ky tekst i dytë ka përherë humbje. Alfabeti i shkrimit të De Radës ka germa latine por edhe të alfabetit grek. Toreli mendon se De Rada duhet të formojë dhe të përdorë vetëm një alfabet shqip, një alfabet që do t’i nxjerrë elementet nga gjuha shqipe, pra as nga italishtja e as nga greqishtja. Por sipas Torelit, De Rada ka përdorur alfabetin e greqishtes dhe të latinishtes për të arritur te shqipja. “Sidoqoftë kjo mungesë metode nënvizon Toreli nuk ia heq dot meritat odeve poetike të De Radës”.
Vincenzo Dorsa – mbi fillimet poetike të De Radës
Vincenzo Dorsa më 1847 boton në Napoli librin “Su gli Albanesi richer pensieri”. Ai rreket të bëjë një sintesë të fillimeve poetike të De Radës. Sipas Dorsas, De Rada në moshë të re vendosi të krijonte një letërsi shqipe. I patundur në këtë qëllim u mbështet në këngën popullore nga që prej andej nis letërsia e çdo kombi. Studioi natyrën dhe ecurinë e gjuhës së lashtë, për të bërë diçka të re dhe të pëlqyeshme. Nëse e ka bërë punën e tij mirë apo keq le ta gjykojnë gjeneratat e ardhshme. Dorsa thotë se vepra e De Radës është një jehonë e poezisë epike shqiptare të shekullit XV, ku është përzierja e të gjitha cilësive të një populli me një të kaluar lavdie, me një të tashme të trishtuar dhe me një të ardhme vetëm të ëndërruar. Sipas Dorsës De Rada e ka një problem, të metën e mendimeve të tepruara dhe të errëta që pengon qartësinë e procesit të kthjelltësisë së mendimeve dhe ideve.
Nikolla Tomazeo
Niccollo Tommaseo boton në Napoli më 1877 një libër studimor kushtuar poezisë deradiane. Ky është një libër tejet i rëndësishëm në pikëpamje kritike dhe estetike. Vlera e këtij studimi është tepër aktuale edhe për sot. Tomazeo vëren me të drejtë se në fjalët e De Radës lexuesi ndjen të vërtetën. Në vargje shfaqet një kasolle mes lumit dhe malit, zogu që cicëron mes kallëzave mbi bulat e pemëve, ndihet era që humbet mbi gjurmët e bishave mbi fushën e shkretë, një veçori kjo që nuk mund ta vërejnë dot poetët dhe novelistët të mbyllur në strofujt e amshuar të sqimësisë qytetare. Sipas Tomazeos shkrimtarët e kultivuar të kohës nuk kanë fuqi dot të arrijnë në këto përfytyrime. Ai mrekullohet për djaloshin Milosao që me duart e përgjakura largon prej flokëve të së dashurës dhe prej fytyrës së saj manaferrat e dendura në shteg. Ai sheh gjahtarin që i pikon vesa nga tufa e gemave në agim, ndjen fëshfërimën e lehtë të degëve që i përgjigjet tingullit që lëshon të venitur prej së largu prej kodrave kambana e kishës së fshatit. Deti i parë nga kodrat sipër është një kujtim i gëzuar i rinisë së dikurshme. “Por mua nuk më kishte ndodhur kurrë që ta vërej borën që duke zbritur mbi leshterikët mbulon krahët e pulëbardhave tek fluturojnë mbi detin e madh. Asnjëherë nuk do të më shkonte në mendje se ujërat e detit, kohë mbas kohe mund të ripërtërihen edhe ato, shkruan Tomazeo.”. Tomazeo me të drejtë vëren se të folurit eliptik (elipsi është një gjë e domosdoshme për poezinë dhe ligjërimin bisedor) do të ishte kaq magjik te De Rada. Tek vargjet e De Radës deti i buzëqesh kodrave si një valle, gjengjat kërcejnë si një psalm. Dhe kjo është një gjë që nuk ngjason me vallet e gracieve dhe nimfave nën dritën e hënës tek Horaci. Tomazeo citon Danten: “Tri vija, ne, pleminumii sereni lideretra le nimfe eterne che dipingono il ciel per tutti i seni – tri vija – përpjekje triudhëshe – ndër netët e kthjellëta me hënë të plotë, duke qeshur në mes të nimfave të përjetshme, që e pikëzojnë qiellin nëpër të gjitha anët e tij.”. Për Tomazeon vargjet “Afërdita që ndrit nëpër pjergullën e rrushit agurrillës i bën hije dritares kanë diçka të madhërishme. Vashëza e vargjeve është e dyzuar kur i afrohet të dashurit duke ia ngulur sytë herë njërit yll dhe herë yllit tjetër në qiell. Ajo do edhe të largohet, por më shumë të qëndrojë aty.” Ndaj lind vetvetiu dëshira e poetit për ullinjtë dhe vreshtat që kanë marrë ngjyrën e hënës që pikërisht të mos zhgënjejë shpresën e njerëzve të këtij vendi. Djaloshi i dashuruar përngjasohet në gjendje gëzimi duke u rritur si një hënë e madhe, më i mirë se ylli i Cezarit “Velut inter ignes luna minors” – sikurse Hëna në mes të zjarreve të vogla. Poeti i krahason vashat e katundit me kallinjtë e pjekur. “Si dallgët kundrejt një anije të vogël ashtu janë fjalët e grave”. Fjalët kanë shumë këngëzim dhe piktura brenda. Drurët janë si tek Virgjili “felices olivae” (ullishte të lumtura). Koha që rrethon sendet ka një thjeshtësi të sqimtë. Lulet i ndrisin festat e Pashkëve, dheu nuk hesht kurrë nga fjalët njerëzore. Dashuritë e denja i japin fluturimin shpirtit të të gjallit, ndërsa trupat e të vdekurit janë të mbuluar me pluhur. Doket e arbëreshërve i duken Tomazeos të pazakonta: vajzat ecin nëpër gemba të pemëve, endin pëlhurë në shtëpi, qepin këmishat dhe pjekin bukë, ndihet puna e fushës, të qethurit e deleve, të dhënit e ujit në krua të kuajve, gjithçka ngjan në adhurimin e një paqeje dhe mëshire hyjnore. Kjo të kujton thënien e Virgjilit “Its inter flumina nota et fontes sacros” (këtu ndërmjet lumenjve të njohur e gurrave të shenjta). Për Tomazeon emërimin “zonja mëmë” është gati diçka e befasishme, por edhe një dokument historik. Dashuria e ndrojtur dhe mendime e lira janë si një ëndërr e shkurtër që zhduken në agim. Djaloshi i dashuruar ëndërron që kali i tij të ikë nga freri dhe të hyjë në mes të grumbullit të vajzave e ato të shpërndahen të gjitha, përveç të dashurës së tij që e kap frerin e kalit dhe me fuqinë e syrit njerëzor e bën kalin të zbutet. Ky portret i së dashurës është më i kthjellët se në “doretenë” kaq shumë të pëlqyer të Gëtes. Vajza e ndrojtur ka dhe guxim të shikojë detin, mbi të cilin fluturojnë dallëndyshet dhe të këndojë lehtë këngën e dashurisë. Të gjitha këto përshkruhen nëpër këngë që duken si të thërrmuara dhe të copëtuara. Por jo më kot De Rada përmend pëllumbeshën e pavdekshme të Anakreontit dhe me një mjeshtëri magjike përçon fillin retorik, lëvizjet e saj të lira të fluturimit. Dashuria te De Rada është një mall, është një ngulm është një vijimësi për jetën e amshuar.
Albert Stratikoi
Stratikoi boton në Milano më 1888 librin “Letteratura Albanese” ku pikëzohet tek poezia origjinale e De Radës që për të ka një ndjenjë të gjallë e delikate të natyrës, një konceptim pozitiv të jetës, një gjallëri përshkrimesh dhe një shumëllojshmëri magjepsëse figurash dhe shëmbëllimesh që të tërheqin dhe të mbajnë lart në një sferë të ndritshme. Te Milosao poezia është e vërtetë dhe e lartë, rrezaton nga fjala e parë tek e fundit. Stratikoi flet për Këngët e Serafina Topisë, të përkthyera në gjermanisht nga Teofil Shtiri. Ai konstaton se De Rada trillon dhe se karakteri luftarak dhe melankolik i poezive ravijëzon sfondin e një tragjedie. Te “Skënderbeu i pafan” epopeja shkrihet me dramën. Stratikoi flet edhe për stilin. “Shumë vetë e kanë qortuar De Radën për një errësi të tepruar në formë, dhe ne, ndonëse jemi admirues të mëdhenj të tij e pranojmë këtë gjykim, sidomos për sa i përket variantit italisht të veprave të tij. sintaksa aty është aq e ndërlikuar, shumë shprehje janë aq të guximshme dhe eliptike sa mundohemi shumë për të asimiluar konceptet e shprehura, që për këtë arsye herë-herë e humbasin efektshmërinë.”. Dora D’istria ka një mendim të saj: ia atribuon errësirën e shkrimeve të De Radës frymës kombëtare të poezive të tij, duke pohuar se: “Gjenia shqiptare ka prirje për shprehjet e holla”, por ne megjithëse pjesërisht e pranojmë vlerësimine shkrimtares së shquar, mendojmë se shkaku kryesor i errësirë së mësipërme është njohja e paktë e italishtes nga ana e De Radës, që nuk e studioi kurrë seriozisht, duke e quajtur vetën gjithnjë të huaj në Itali dhe duke iu kushtuar kultivimit dhe fisnikërimit të gjuhës amtare shqipe.
Mikel Markianoi
Ky studiues botoi më 1902 veprën “L’Albania e l’opera di Girolamo De Rada”. Është një nga studiuesit më seriozë. Ky libër ka ndikuar në përhapjen e famës së madhe të De Radës. Markianoi pa mëdyshje e sheh ftillëzimin e veprës deradiane te këngët popullore arbëreshe, të përbërë nga vargjet tetërrokëshe dhe shtatërrokëshe të strukturuara dhe në trajtë dramatike. Në këtë poezi përfytyrimet janë të freskëta, mendimet shkëlqejnë me dritë orientale, të zgjedhura dhe të skalitura. Por Markianovi shtesat dhe përpunimet e mëvonshme të Milosaos nuk i quan të goditura. Dhe ka të drejtë. Ndonëse dhe në botimin e parë të Milosaos edhe frymëzimi nuk është gjithmonë i ekuilibruar se në tërësi përzihen skena të vogla rastesh pa universalitet dhe forcë shprehëse. Por Markianoi gabon kur thotë se poeti duhet t’i kishte dhënë fund poemës pikërisht aty, ku pas martesës dhe lindjes së djalit, himnizohet lumturia e tij e plotë, për të mos vazhduar më tej me skenat e ikjes së Milosaos në betejë, që idili të mos errësohet, për të mos humbur përshtypja e këndshme e lumturisë, që u jep shpirtrave të zgjedhur parajsa e jetës. De Rada nuk bën apologjinë e gëzimit. Markianoi e vret mendjen pse ka ndodhur kjo gjë. Ai mendon, ka të drejtë ta mendojë këtë gjë, se ideja për ta ndërtuar poemën sipas poezisë popullore e dëmton harmoninë e tërësisë, sepse ndryshe është poezia popullore dhe ndryshe është poezia e menduar, sepse populli e hedh si në basoreliev dashurinë dhe mendimet e veta, në një formë më spontane, shpesh edhe të shthurur, por janë poetët që e pastrojnë dhe i stolisin ato. Poezia e kultivuar është më individuale, imtësirat diktohen nga shija e poetit dhe ambienti letrar. Këtë corganizim të tërësisë e vuri re edhe poeti vetë, i cili duke e punuar disa herë Milosaon u orvat ta organizonte më shumë me shënimet kronologjike dhe me shtesat për të mbushur zbrazëtinë dhe mangësitë e papëlqyera. Milosao është si Kanconieri i dashurisë së Petrarkës. Po te Petrarka nuk ka ndërprerje artificiale, përveç disa intermexove të rralla, sepse nga subjekti dashuronjës te objekti i dashuruar poeti nuk lë boshllëqe në thurjen e hollë psikologjike, nuk shënon pikëpyetje mbi hollësitë e ngjarjeve. Kancioneri i Petrarkës është një zinxhir i artë përpëlitjesh, por që janë një harmoni. Kancioneri i De Radës është nisja e një zinxhiri të artë portretesh, por shpesh të ndërprera. Duket sikur gjithçka e ndërlidh pëllumbesha e Anakreontit, por fluturimi i saj ndihet vetëm në fillim. Ajo që të bën përshtypje te De Rada është freskia e detajeve, parfumi i tokës, piktura e jetës arbëreshe me zakonet e moçme dhe të papërdhosura. Është e habitshme, por Markianoi këngën e fundit të Milosaos e konsideron si një tingull të hidhur dhe të zymtë, si pjesa e dobët e poemës, që tregon një artificë thurjeje dhe një shmangie të gjenisë së tij, për një poezi meditative. Sa shumë gabon Markianoi në këtë pikë. Dhe sa lart qëndron kuptimshmëria e këngës së fundit të Milosaos nga të gjitha pikëpamjet. Është e kuptueshme që kritikët mundohen të përafërsohen, por përgjithësisht nuk janë shumë të identifikueshëm me poetin. Sidoqoftë shënimet e Markianoit për detajet e natyrës në poezinë e De Radës janë tërheqëse. Natyra është përshkruar në mënyrë të kulluar, me konture të thjeshta dhe lakonike, “realja brof sipër një dallge të sigurtë që ravijëzon tipare të përsosura”. Tiparet e reales godasin me një habi të ëmbël. Gjërat e rëndomta rishfaqen krejt ndryshe. Frymëzimi vërshon me një humbësi virgjërore, malli për dashurinë e njerëzve, është si ai i lëvizjes së stinëve dhe frutave të tokës dhe madhështisë së detit. Përfytyrimet janë të zgjedhura sepse mund të kuptohen nga një pikëshikim i poshtëm ose i njësueshëm me natyrën. Poeti nuk synon tek artificialja. Tek Milosao ka një varg tablosh lirike dhe rrëfimi është i ndërprerë me intermexo në formë dramatike. Poeti përdor edhe dialogun. Kjo gjë duket sikur e ndërpret ritmin, por në fakt e gjallëron. Por gjithsesi fragmentarizmi për Markianoin është shpesh edhe shkujdesje, diçka penguese dhe e pashpjegueshme për koherencën e mendimit. Markianoi mendon se studimi biblik ka lënë gjurmë të pashlyeshme te De Rada. Ashtu si Dantja nxori nga Bibla një material biblik të fuqishëm, ashtu De Rada spërkati me virgjërinë dhe luksin oriental po të Biblës krijimet e veta. Ai vuri në piedestalin e veprimeve njerëzore jo aq shfaqjet e ndryshme teokratike, por ai kupton se në besimet popullore në fuqinë e Perëndisë ka disa susta fataliste që i sundojnë ngjarjet. Shpagimi për mëkatin, mallkimi dhe hakmarrja e Zotit, që edhe pse vonon mbërrin janë një shumëllojshmëri fytyrash të fatit të lashtë që i frymëzojnë De Radës konceptime të mrekullueshme. Këtu e ka bazën harmonia morale që ekziston si koncept te De Rada jo pa ndikim edhe nga Ciceroni, filozof romak që i quante njerëzit e ndershëm forca që konstruktojnë konceptimet e tij. Për Markianoin virtyti më i shquar dhe më i qartë i De Radës është origjinaliteti në kuptimin më të gjerë të kësaj fjale. Psikeja e poetit shqiptar ruan ato pak gjëra të mitit të Apulit, aq sa mjafton të tregojë shëmbëllimin, ndërkaq në shumë konture është aq larg nga imitimi sa nuk përputhet me bërthamën e legjendës. Origjinaliteti shfaqet mbi gjithçka, në konceptimet dhe figurat. Mund të bëhet një listë e gjatë vlerësimesh, por me përparësi janë figurat që ngjajnë biblike dhe rrezatojnë aq hir dhe aq dashuri “sa shpesh na duket se ua kalojnë edhe Librave të Shenjtë”. Duke lexuar poezitë e De Radës ne i ndeshim ato si vargje bletësh në një valle të vazhdueshme tek parakalojnë të shpejta dhe të qeshura e duke na lënë në shpirt një ndjenjë të gëzueshme dhe duke nxitur ndjenjën tonë estetike në një shpërthim çudie që na ripërtërin e na freskon pambarimisht shpirtin.