DR.MOIKOM ZEQO: PËR ALFRED UÇIN PËRTEJ VDEKJES

Tiranë, 27. 10. 2016: “Kur vdes një njeri, varroset një bibliotekë”, ka thënë Borgesi. Po kur vdes një njeri i ditur si Alfred Uçi?…
Alfred Uçi mbylli sytë (në mëngjesin e 26 shkurtit 2016-sh.b). Kjo është një metaforë të shprehuri. Ose semantika e një rrugëtimi tashmë jo fizik, por shpirtëror. Dhe Homeri i quante qeniet njerëzore si vdekëtarë, por që mund të kenë cilësi dhe aftësi të pakufishme sa për të zilepsur edhe hyjnitë.
Vdekja e mikut tim të vjetër Alfred Uçi. Një personalitet i shquar i kulturës shqiptare në rrafsh kombëtar, – më shkaktoi dhimbje.
Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe.
Dhembja e një njeriu që e ke njohur dhe e ke respektuar të krijon një shqetësim të madh.
Duke cituar filozofin e famshëm Emanuel Kant se “ajo që ka rëndësi është vitaliteti i jetës, jo jeta e amshuar”, mund të kuptojmë, të reflektojmë se vitaliteti i jetës mendore tek një njeri si Alfred Uçi, e tejkalon qetësisht vdekjen.
Vdekja është ndoshta një pushim, një tranqullitas (qetësim), krijon një mungesë, por nuk duhet të harrojmë versetin e vjetër që thotë se “ata që mungojnë, janë të pranishëm”.
Alfred Uçi lindi 86 vjet më parë në Korçë. Gjyshi i tij, Kristo Shqiptari (Uçi) qe nga fshati Oçisht i Devollit. Mori pjesë si veprimtar në Rilindjen Kombëtare.
Në 1912 Ismail Qemali i dërgoi një letër Kristos të kthehej nga Rumania në Shqipëri.
Djali i tij Mina Uçi u bë babai i Alfred Uçit. Gjatë luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare kontribuuan të dy, edhe babai, edhe djali qe partizan në moshën 14 vjeç në Brigadën e IX Sulmuese. Mua më ka treguar vetë Alfredi një revistë amerikane të vitit 1945 , që kishte botuar një fotografi të Alfredit si partizan, një fotografi që kishte një bukuri të brendshme.

Lamtumirë Alfred Uçi!

Alfredi në vitin 1954 mbaroi Universitetin Lomonosov në Moskë ku studioi filozofi.
Ai ka qenë pedagog universitar për shumë vjet, më pas Drejtor i Institutit të Kulturës Popullore, kurse në vitet 1987-1990 qe edhe Kryetar i Komitetit i Kulturës dhe Artit.
Nga viti ’90 e deri në fund ai jetoi si një krijues i lirë, botoi në mënyrë të pabesueshme shumë libra, sistemoi krijimitarinë e tij kryesisht estetike dhe të kritikës letrare.
Ai qe akademik dhe një njeri nga më të lexuarit dhe të diturit që ka sendërtuar kulturë në librat e tij.
Është gjithmonë e vështirë të flasësh për mikun, sidomos kur ende je i shokuar nga lajmi i trishtë, por dhe i pashmangshëm i vdekjes. Madje duket sikur të mungojë fjalët epigramatike për një momento mori.
Ndërkohë me shpejtësi vë në lëvizje kujtesën.
Alfred Uçi ka qenë profesori im i estetikës në universitet. Në shumë pikëpamje ai është një pionier i disiplinës dhe estetikës në arsimin e lartë. Shqiptarët janë një komb disi i vonuar në shtjellimin e estetikës në formë institucionale.
Mund të përmendim vetëm veprën e njohur të De Radës “Aspektet e estetikës” në shek.XIX. Pastaj kemi një hiatus (boshllëk). Për herë të parë disiplina e estetikës u krijua në aspektin programor nga Alfred Uçi dhe kjo nuk është një meritë e vogël.
Por natyrisht nuk është as një rastësi. Alfredi qe një mjeshtër i hollë i suksesshëm i didaktikës dhe i klasifikimit dhe zbërthimit të kategorive estetike sipas traditës kulturore të botës.
Librat të tillë si “Estetika, jeta, arti”, “Problemet e estetikës”, “Estetika”, “Universi estetik” etj., formojnë masshtabin e tij kulturor.
Para një viti në ceremoninë për 85 vjetorin e lindjes së prof. Alfred Uçit unë fola për profilin e tij të thugët, për njeriun dhe krijimtarinë.
Ai kishte botuar librin që mund të quhet “sumumi” i jetës së tij “Estetika meta-teorike mbi artin”. Mbi 1000 faqe. Ky është një libër që s’e ka shkruar askush deri më sot përveç atij.
Interesat kulturore të Alfredit qenë padyshim të shumta. Ai shkroi libra për mitologjinë, folklorin dhe letërsinë, për Dostojevskin, Danten, Kadarenë, Migjenin, si dhe për Jani Vreton, De Radën dhe Kavaliotin. Të habisin përmasat e kësaj pune të gjerë dhe të shtruar studimore.
Me Alfred Uçin kam pasur një miqësi të vjetër, pa harruar dhe gruan e tij të mrekullueshme dhe të jashtëzakonshme, Rozeta Uçin -së bashku me të cilën në vitin 1985 përgatita një botim kryesor dhe të plotë të veprave të Migjenit.
Idetë në biseda janë ato që shpesh nuk regjistrohen. Janë ide që humbasin në erë. Por janë shumë interesante. Fjala vjen kemi biseduar për estetikën e Hegelit si një pasqyrim evolucionar të qytetërimeve dhe për triadën: teza-antiteza-sinteza.
Diskutonim se estetika është një ngjizje shumë e ndërlikuar, ndoshta dhe misterioze e realitetit dhe më tepër (shpesh e abstraguar dhe hipertrofizuar) e imagjinatës. Biseda na çonte tek filozofi gjerman Friedrich Schegel (1877-1929) që e konceptonte artin poetik si një gjenalitet fragmentar, ndaj parapëlqehej shumë dhe nga De Rada.
Subjektet e diskutimeve lidheshin me idenë se si identiteti kulturor shndërrohet dhe në identitet shkencor dhe se estetika është “laboratori i poetëve të epërm”, ose dhe “klinika e të paarriturve”. Bashkimi më i plotë i të brendshmes me të jashtmen krijon atë që quhet “teokracia e të bukurës” – enkaipanit (Gjithçka në Një).
Frytshmëria dhe kuptueshmëria e fjalëve çon padyshim tek estetika, por kjo kërkon një tendosje dhe universalitet të madh të intelektit njerëzor.
Më shpesh me Alfred Uçin kemi biseduar për Migjenin si shkrimtari më konceptual i letrave shqipe. Alfred Uçi qe një njeri punëtor dhe i palodhur.
Mua ai më kujtonte vargun e Shekspirit “Tomorrow and tomorrow and tomorrow” – “Nesër dhe nesër dhe nesër”.
Ajo çka duhet të arrijë një njeri është të tejkalojë mundësitë e tij, përndryshe pse do na duhej metafora apo dhe estetika?
Në të gjitha studimet e tij letrare Alfred Uçi mendonte se rendi estetik është përcaktues. Janë pikërisht atributet estetike që e bëjnë një vepër që të mbijetojë.
“Kur vdes një njeri, varroset një bibliotekë”, ka thënë Borgesi. Po kur vdes një njeri i ditur si Alfred Uçi?
Jam i sigurt se kujtimi i tij do të mbijetojë jo vetëm tek njerëzit e familjes, tek të njohurit, tek lexuesit, por dhe tek studiuesit e ardhshëm.
Njeriu që ka shkruar kaq shumë libra arrin në vetvete një qetësi të llojit të Nirvanës.
Lamtumirë Alfred Uçi!
Pushofsh në paqe!
E di që mungesa jote do të trazojë përherë shpirtrat, por janë librat e tu ata të cilët tashmë të përfaqësojnë.

ALFRED UCI VEPRAT ABCNews 17 Janar 2014

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura