HAMZA KOKOLLARI: HALIL ALIDEMA, PERSONALIETET I SHQUAR I LËVIZJES SONË KOMBËTARE

 Pforzheim, 07. 02. 2014 – Halil Bexhet Alidema u lind më 15 Mars 1936 në fshatin Pozharan të Komunës së Vitisë. Halili ishte fëmiu i gjashtë nga tetë fëmijët, nga nëna Mirzade dhe babai Bexheti, pra kishte tri motra dhe katër vëllezër. Fëmiu më i madh ishte i moshës 13 vjeç kur mbetën pa babanë Bexhetin. Familje e madhe në të cilën u rritë e cila në atë kohë kishte në bollëk të mira materiale dhe një emër të respektuar në shoqëri dhe e cila shquhej për patriotizëm.
Në vitin 1942 – në vlugun e Luftës së Dytë Botërore, Halili vijoi klasën e parë të shkollës fillore. Ishte kohë e pushtimit Italo – fashist në anën e Anamoravës, pushtuesi ndërrohej dita-ditës. Periudha e vitit 1943/44, pushtuesi Italian u ndërrua me atë gjermanë e pas tyre erdhën njësitet partizane serbo – çetnike që në emër të çlirimit apo më mirë të themi të mos lejimit të lirimit të Kosovës dhe bashkimit të tij me të gjitha trojet Etnike të tija bënin së fundi spastrimin – Masakrimin e popullatës Shqiptare të kësaj ane.
Rezistenca e Anamoravasve për mbrojtjen e Karadakut të Preshevës dhe Anamoravës ishte mundësia e fundit e vetëmbrojtjes. Ndër ta ishin edhe shumë kushërinj të familjes Alidema siç ishin; Zukajt, Kurteshi, Pirrajt. Nga familja Alidema veçohen; Bexhet Hazir Alidema babai i Halilit, sekretari i parë i Komunës së Pozharanit, Bejtullahu, Izeti, Jonuzi, Sadiku, Rizai, Osmani, Ademi, Tefiku etj.

Mr.Halil Alidema (1936 – 1996)

Edhepse dy vëllezërit, babi dhe axha i Halilit u inkuadruan në brigadën e katërt Partizane, për shkak të pjesmarrjes së mëhershne në Rezistenc ndaj Serbo-çetnikve, babai i Halilit, me disa Shqiptarë të tjerë u pushkatuan nga Partizanët. Familjes Alidema iu vranë dhe persekutuan shumica, apo thujase të gjithë meshkujt gjatë kësaj periudhe e deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1946. Të vetmit që shpëtuan dhe që ishin pjestarë të lëvizjes Kaçake, ishin dy axhallarët e Halilit, Bejtullahu dhe Izeti të cilët me shpalljen e Shtetrrethimit në Kosovë, së bashku me qindra Kaçak të tjerë, u detyruan ta lëshojnë Kosovën dhe të vendosen në shtetet Perëndimore, me një koencidencë për ditët e sotme, tubimi i këtyre Kaçakve u bë në Tanushevc duke vazhduar për Maqedoni, Greqi e gjetiu.
Izeti jetoi deri në vitin 1995 në Gjermani ku edhe vdiq pa të drejt kthimi asnjëherë në Kosovë, ndërsa Bejtullahu pas Amerikës jetoi në Turqi ku edhe vdiç pa pasur mundësi të kthehet në Atdhe. Mediat, shtypi dhe radio, në atë kohë familjen Alidema e shpallën Balliste, Kullake e çkamos tjetër duke ia nacionalizuar pasurinë e tundshme dhe atë të patundshme nga Shtetit Jugosllav. Në këto rrethana Politiko-Shoqërore të luftës dhe të pasluftës u formua dhe u frymëzua personaliteti i Halilit. Poezit “Vratishnica“, „Qëndresa“, “Shqiptarët“, „Kuja e Shekujve“, “Vurrata“, “Pran varrit të birit“ i kanë rrënjët qysh nga kjo kohë.
Frymëzimi patriotik dhe revolta ndaj padrejtësive vërehen që në rinin e hershme, kur në klasën e tetë Halili e hoqi fotografin e Titos nga Klasa e mësimit, apo më vonë kur denohet me gjashtë Muaj burgim vetëm për arsye se dëshron ta kaloj Kufirin Jugosllavo-Shqiptarë të cilin kufi ai qysh atëherë nuk e njihte.
Ai përveç tjerash dallohej edhe për lojëra sportive; futboll, e pastaj hendboll, i cili më vonë, në shkollën e mesme do të bëhej sinonim dhe simbol i hendbollit kombëtar në tërë Kosovën.
Më 1952 regjistrohet në Normalen e Prishtinës të cilën e kryen me sukses dhe pastaj kreu Albanologjinë në Fakultetin Filozofik. Në frymën e përhapjes së ideve patriotike në masë e sidomos atje ku populli nga Shteti ishte i denuar dhe nga „Perëndia i harruar“ pra në fshatrat shqiptare, Halili së bashku me bashkshorten dhe bashkluftëtaren e tij të jetës Teuta Kryeziu (e cila rridhte nga një familje Patriotike e Gani beg Kryeziut dhe Sahit beg Kryeziut të cilët poashtu u flijuan dhe u vranë nga barbarët Serb), ju dhanë fillet e para të diturisë dhe frymëzimin patriotik, më se katër vite me rradhë gjeneratave të tëra të rinisë duke punuar si Mësues në fshatrat e izoluara, si në Firajë, Malishevë e poashtu në vendlindjen e tij në Malishevë. Ngritjen e vetëdijes Kombëtare në popull Halili e shfaqte edhe me vepra markante, sikurse me 28 Nëntor 1968, kur në shtëpinë e tij si Mësues që ishte, në fshatin Pozharan ngriti Flamurin Kombëtar dhe për një muj rresht e la të valoj. Përcjellja dhe përndjekja e vazhdueshme nga shërbimet sekrete Serbe, sipas mendimit të Halilit edhe nuk ju rëndua me këtë gjest pasi që ajo edhe ashtu ishte në vazhdimsi dhe e pandërprerë.
Viti 1968 e gjeti si Student të Juridikut dhe të Albanologjisë. Në kohën kur popullit të Kosovës iu kishin cunguar shumë të drejta Nacionale si; Universiteti, i cili deri në atë kohë ishte nën tutoren e Universitetit të Beogradit; e drejta e përdorimit të Flamurit Kombëtar si dhe shumë të drejta të tjera, pra të drejtat themelore njerzore të një populli.
Filozofia Politike dhe Kombëtare e Halilit u manifestua me vrullin më të madhë në Demonstaratat e përgjakshme të atij viti për të drejtat themelore njerëzore dhe Kombëtare, kundrejt Sistemit robërues. Pjesmarrja në Demonstrata i solli edhe një vit burgim në Kazamatet Serbe. Shkrimet e tij përkrah veprimtarisë së tij Politike dhe punës Arsimore nuk u ndërprenë asnjëherë, por përkundër u shtuan, siç ishin; „Rrëmihësit e varreve“, „Rrënjët e trollit tim“ apo punimet; „Filozofia e së vërrtetës“, „Vjersha të kohës së Nxënësve“, si dhe shumë punime të botuara nëpër gazeta aktuale të kohës.
Për shkak të interesimit mbi çështjet Juridike, të të drejtave të cunguara apo krejtësisht të marra të Shqipëtarve, Halili më 1973 kreu edhe Fakultetin Juridik. Politikisht jo adekuat për Sistemin Serbo-Sllav i ndjekur vazhdimisht nga shërbimet sekrete Serbe, nuk iu lejua të punoj si Edukator-Profesor, por me shumë mund iu lejua të punoj vetëm si Referent. Me 1978 Magjistron me Temën „Paqja e Shën Stefanit dhe Ballkani“. Punimet siç ishin: “Kongresi i Berlinit dhe Ҫështja Shqiptare”, “Diplomacia fuqitë e mëdha dhe Ballkani në gjysmën e dytë të shekullit XIX”, “Roli i Sami Frashërit në hartimin e Projektkushtetutës së Shtetit Shqiptarë”, ishin si rrjedhojë e punës shumëvjeçare në Arkivat më të mëdha të Europës si në Sofje, Stamboll, Vjenë, Tiranë etj. Poashtu edhe botime të punimeve të ndryshme në gazetat e kohës aktuale kur Halili jetoj, kurorëzuan këtë periudhë të veprimtarisë Shkencore të tij.
Viti 1981 Halilin e gjeti në ballë të Studentëve, në ballë të popullit, në ballë të Kohës, atëherë kur prapë popullit Shqiptarë të Kosovës i arriti thika e okupatorit Serb deri në asht, atëherë kur popullit Shqiptarë të Kosovës prapë iu mohuan të drejtat themelore të jetës, liria e lëvizjes së lirë, liria e mendimit dhe shprehjes, si dhe më e rëndësishmja e drejta e vetëvendosjes. Halili nuk ngurroi përsëri të vihet në ballë të Kohës duke e mbrojtur me vendosmëri të drejtën Etnike të popullit Shqiptarë; Nacionalen dhe Nacionalisten Kombëtare.
Filozofia Politike e tij ishte një Filozofi Kombëtare, e cila mbijetoi me gjenerata në gjakun e popullit Shqiptarë dhe e cila i mundësoi popullit Shqiptarë të mbijetoj dhe të korrë fitore deri më sot.
Nuk ishte e rastit që Halili në vitin 1981 u dënua përsëri me 11 vite Burgim, si Organizatorë i këtij “Revolucioni Demokratik” i bartur në vrullin e Inteligjencës Studentore dhe gjoksin e popullit Shqiptarë, dhe jo rastësisht duke qenë pranë tij, të palëkundshëm për asnjë moment, në Filozofinë Politike të tyre Kombëtare shokët, miqtë, bashkmendimtarët; Mr.Ukshin Hoti, Ekrem Kryeziu, Ali Kryeziu, Shemsi Reçica, Mentor Kaqi etj., të cilët poashtu u dënuan dhe i vuajtën shumë vite burgim të rënd. Të quajtur, jo pa qëllim nga Shteti Jugosllav, “Grupi Intelektual”, pasi që defakto edhe paraqitnin Inteligjencën përparimtare Shqiptare, e cila me çdo kusht si shumë herë në Historin tonë kombëtare, mbronte Nacionalen dhe Nacionalisten Kombëtare.

Doktoratura e përgatitur me titull “Fuqitë e mëdha dhe Ballkani” i mbetet Halilit e parealizuar për shkak të burgosjes së tij.
Veprimtaria e tij shkencore dhe Politike nuk iu ndal as në burgjet e Prishtinës, Mitrovicës, CZ- së Beogradit apo të Pozharevcit, burg i cili përkundrazi edhe më tepër ia forcoj moralin Kombëtar.
Pas torturave makabre nëpër kazamatet e Serbisë, ku vetëm në vetmi, pesë kate nën tokë i kaloi 36 muaj në një çeli ferri, ku të vetmit bashkëvuajtës ishin dy minj me të cilët e ndante edhe atë të vetmen kafshatë të mykur, e të cilin dita ditës thuase ato tortura e kalitnin edhe më tepër. U lirua pas shtatë vite e gjysmë në një gjendje të rënd shëndetsore, me shtatë brinj të thyera e melqi të lënduar.
Nga frika e regjimit Serb se do të vdes në burg, çfarë do të ishte një presedan politik për kohën, pasi që për fuqit perëndimore emri i Halil Alidemës paraqitte një simbol Kombëtar të rezistencës Shqiptare dhe nga ana tjetër duke qenë më se të sigurt se nuk do të jetoj më shumë se disa ditë pasi që ata do ta lironin!
Duke iu referuar mendimit të Halilit për kohën, edhe këto Kazamate ishin më të lehta se sa distancimet e Iteligjencës Shqiptare në pozit, kundrejt burgosjes së “Grupit Intelektual”, e pas tyre të qindra e mijra Intelektualëve të tjerë anembanë Kosovës që morën guximin gjithnjë e më tepër t’i kundërvihen regjimit okupator Serbosllav.
Kazamatet Serbe Halilit thuaja se i dhanë krahë dhe i treguan diçka që edhe ai e dinte, se një shtazë e plagosur në përpëlitjet e saja para vdekjes është më e tërbuara, dhe zgjidhja e vetme është që asaj bishe të tërbuar ti jepet goditja e fundit në agonin e saj. Pra kishte ardhur koha. Dhe definitivisht Halili angazhoi forcat më të mëdha që kishte në aktivitetin e tij Politiko-Teorik si dhe praktik. U vu prapë në Ballë të Kohës; hyri në Lëvizjen Demokratike të Popullit të Kosovës, lëvizjen e të cilës e inicoi qysh në vitin 1981, në kohën kur nga populli shqiptar u krijua forca e parë Demokratike zyrtare që në fund të viteve të tetëdhjeta u riorganizua në form të “Lidhjes Demokratike”.
Duke qenë se shteti serb e kishte ende fuqinë edhe pse finale, në mënyrë indirekte përmes shërbimeve të saja sekrete ndikoi në ndryshimin e këtyre rrjedhave Demokratike. Halili duke qenë një Vizionar i Kombëtares dhe si gjithnjë duke e mbrojtur të drejtën elementare njerëore si dhe atë Kombëtare, ia hudhi përsëri Akademisë dhe Akademikëve serb, elaborateve dhe programeve gjenocide serbe dhe formoi “Partinë e Unitetit Kombëtar”, parti e cila me programin e saj teorik dhe praktik duke e mbrojtur nacionalen, në programin e vetë nuk e përjashton Vetëmbrojtjen për realizim të Ҫështjes Kombëtare dhe kështu duke ia sjell edhe fundin bishës së tërbuar serbe. Gjithnjë duke u bazuar në refrenin dhe punimet e tija shkencore “Demokracia mbrohet me ligje e liria fitohet dhe mbrohet me luftë”.
Trimëria, guximi dhe largpamësia politike ishin virtytet të cilat Halilit nuk i munguan asnjëherë. Programi i Bashkimit Kombëtar që ishte synim gjeneratash për Halilin ishte arma e parë dhe më e fortë që ai, si dhe të gjithë patriotët paraardhës të tij, e paramendoi në luftë kundër okupatorit, gjithnjë por sidomos pasi doli nga burgu qysh në vitin 1988, kur në popullin shqiptar përherë demokratik, për të parën herë iu realizua kjo demokraci, por pa një program të mirëfillt Panshqiptar, i cili do të ishte një Alfabet Politik për të gjithë shqiptarët, por edhe një definim i mirëfillt i vullnetit mbarëshqiptarë të cilin e definon mirëfilli punimi “Projktteza për një program Politik Unik Shqiptar”, ose “Zgjidhja e çështjes Shqiptare rajonale apo Globale”, duke u bazuar gjithnjë në “Dështimin politik dhe Ideologjik të Shqiptarëve gjatë historisë” e gjithnjë duke u bazuar në “Konsiderata e ndërgjegjes së bashkëpunimit Kombëtarë të popullit të ndarë Shqiptarë”.
Halil Alidemën, në kuadër të veprimtarisë kombëtare, e shohim si pjesëmarrës aktiv edhe në Lëvizjen Gjithëpopullore për Pajtimin e Gjaqeve, Plagëve dhe Ngatërresave, që filloi punën e vet më 2 shkurt 1990 me iniciativën e rinisë studentore e të një grupi intelektualësh të prirë nga plaku i urtë profesor Anton Çetta.
“Nëse do të ndodhte të humbnim shansin e fitoreve të cilat ende i kemi në duart tona, faji do ti mbetet Nacionalizmit Shqiptar, sepse kurrnjëherë gjatë historisë nuk hartoi një program të mirëfillt Panshqiptarë, kurrnjëherë gjatë Historisë nuk krijoi një Organizëm Nacional të qëndrueshëm dhe Operativ deri në bashkim. Nacionalisti i mirëfillt nuk njef kufij të ndarë të një etniteti, përderisa Nacionalja e tij është e ndarë në pesë shtete. Politika e zgjidhjes së çështjes Nacionale me metoda dhe dialog paqësor është një nostalgji e shpresave të humbura dhe eufori foshnjarake e programeve partiake që bëjnë zhurmë vetëm për marrjen e pushtetit, andaj edhe bëjnë Politik Antinacionale. Populli Shqiptarë asnjëherë nuk mundi të krijoi shtet të tij, shtet të tërsishëm Nacional në Etnitetin e tij autokton. E kemi humbur këtë verdikt të sovranitetit Nacional, sepse gjithnjë kemi qenë në politik për opcione paqësore, opcioni i cili asnjëherë askund në botë nuk e zgjidhi Ҫështjen Kombëtare.
Gjenerata të tëra u edukuan me ndjenjën e urrejtjes Nacionaliste kundër sistemeve brendashtetërore për shkak se na mungoi edukimi i Nacionalizmit me përkushtim Nacional, siç ishin dhe janë ata Nacionalist që luftuan gjatë Historisë së lashtë të popullit shiptarë për Kosovën, amërin për shqiptarët e Maqedonisë, për trojet etnike të ndara” – Citate nga Shkrimet dhe Noticat e Halilit.
Duke mos u ndalur asnjëherë edhe me punimet e tija teoriko-praktike dhe shkencore, trimëria dhe guximi i këtij vizionari dhe strategu politik u realizua me finalizimin praktik të krijimit të filleve të “Shtabit Operativ”, të njësive Guerile “Shqipet e Lirisë”, në koordinim të ngusht me patriotët e shumtë. Kështu duke i krijuar bazat e para Stërvitore në Shqipëri e Kosovë, duke filluar qysh në vitin 1990. Profesor Halil Alidemaj arriti me sukses të krijoj baza stërvitore në Shqipëri, në Palestrën Sportive “Partizani” në Tiranë, ku udhëheqës i grupit stërvitor ishte me pseudonimin “Agron Ligata”, pastaj Qendra e Shkollës së Bashkuar të Oficerëve “Skënderbeu” poashtu në Tiranë, njëra nga këto baza, ku nën Komandën e Shtabit Operativ të asaj kohe është stërvitur Komandanti Legjendar i UÇK-ës Adem Jashari dhe Zahir Pajaziti.
Njëherit dhe praktikisht Halil Alidema u bë pararendës i UÇK-ës. Ai u mor me organizimin dhe vendosjen e ushtarëve shqiptarë nga Kosova në disa qendra stërvitore në Shqipëri, duke u emëruar komandant i parë i grupeve të njësiteve guerile, që do të vinin nga trojet shqiptare për t’u stërvitur në Shqipëri. Halil Alidema bënte edhe sigurimin e kuadrit të oficerëve, pedagogëve dhe ushtarakëve, në organizimin ushtarak të gueriljes. Siguronte mjete financiare nga burimet mbrenda dhe jashtë vendit, në kuadër të UNIKOMB’i por edhe jashtë saj që ishin të nevojshme për teknikën luftarake, uniformat dhe logjistikën e tërë, duke përfshirë këtu, përveç strehimit, ushqimit dhe veshmbathjes, që ishte e domosdoshme gjatë ushtrimeve pesë javore të rinisë shqiptare të të gjitha trevave shqiptare.
Meritë e veçantë e Halil Alidemës në fushën e propagandës politike e shkencore është edhe botimi i “Libri i Bardhë” në 11.000 ekzemplarë, me emrin “Zani i Kombit”. E botuar në pesë gjuhë: shqip, anglisht, frangjisht, italisht dhe serbisht.
Punimet shkencore në kuadër të Partisë së UNIKOMBIT ishin të vazhdueshme dhe për asnjë moment nuk i munguan proklamimet e tij me punime shkencore, apele në mediat Nacionale dhe ato Internacionale si dhe pjesëmarrja aktive në Konferenca dhe tryeza të shumta ndërkombëtare gjithnjë duke iu referuar ndërkombëtarizimit dhe zgjidhjes finale të Ҫështjes Kombëtare Shqiptare, jo vetëm në fund të veprimtarisë së tij shkencore dhe politike, por vazhdimisht gjatë gjithë jetës së tij.
Halil Alidema për asnjë moment nuk e kurseu asnjë qelizë të tij por as të familjes së tij, ashtu siç ia mësuan paraardhësit e tij, për zgjidhjen përfundimtare të çështjes kombëtare, duke iu referuar një parimi të tij mund të kuptojmë filozofin e tij të mendimit Kombëtar; “Nuk e kuptoj pse ne shqiptarët i frigohemi luftës, kur nga lufta ne mund të humbim vetëm robërin”, ose devizës së tij të përjetshme “Atdheu është si një trup njeriu, kudo që ta coptosh rrjedh gjakë”.
Me 19.03.1996 vdiq fizikisht duke ua lënë dritën e ndezur në udhën e realizimit të Ҫështjes Gjithëkombëtare, gjeneratave të tëra patriotësh, trimash dhe vizionarësh Shqiptarë, që gjithnjë i pati në gjirin e tij populli shqiptarë, në historinë e lashtë dhe të lavdishme të saj.
Fatkeqësisht për popullin shqiptarë, deri më sot, jo vetëm që nuk përmendet nga institucionet shtetërore por edhe ato joshtetërore, për të cilat sakrifikoi qenjen e tij personale dhe të familjes së tij të ngusht dhe asaj të gjerë anekënd atdheut, të cilët pësuan bashkë me te nga regjimi Serbo-Sllav, nëse jo për veprimtari të drejtpërdrejtë atëherë vetëm se i takuan asaj familje, si dhe ata që e njohën dhe bashkëvepruan me te, por edhe anashkalohet duke mos ia njohur varrin e tij dhe bashkëluftëtares së tij Teutës, që gjenden në varrezat e Sharrës në Tiranë, pasi që nuk u lejuan nga regjimi Serb të varrosen në “vendlindje”. Vendlindja apo vendvarrimi për ta është edhe vendi ku ata pushojnë, vendi për të cilin ata përjetësisht luftuan dhe ia kushtuan qenjen e tyre të tërë, pa e menduar por edhe pa e ndarë, në asnjë moment të jetës së tyre atdheun etnik në jetën, punën dhe veprimtarin e tyre atdhedashëse teorike dhe praktike, Intelektuale dhe Shkencore.
Në vitin 2004, në rrjedhën e botimeve që do të pasojnë, u bë botimi i një vëllimi me tri vepra origjinale të punës dhe veprimtarisë Shkencore dhe Letrare të Halilit. Paqa e Shën Stefanit dhe Kongresi i Berlinit; Shkencore, nga historiani Hakif Bajrami, Pakoha; Prozë dhe Poezi, nga Hysen Matoshi dhe Dialogu me Kohën; Drama, nga Hysen Matoshi, një vëllim me tri Vepra origjinale nga krijimtaria Shkencore dhe letrare e Halil Alidemës.
Këtë vëllim librash e pasoi botimi i veprës “Meteorë Lirie” në vitin 2006, nga Prof.Sabit Alidema. Në punim e sipër është Monografia e Halilit e cila do të ketë rëndësi të madhe shkencore dhe politike për popullin Shqiptarë në të gjitha trevat etnike, të cilës do t’i vijnë prapa disa vepra me punime shkencore dhe politike të veprimtarisë jetësore të madhe, shumë të rëndsishme për ne sot ashtu edhe për gjeneratat e tëra që vijnë, të këtij gjigandi poliedrik i cili do të na jetë gjithnjë pranë si udhërrëfyes i Ҫështjes Kombëtare, ashtu siç ishin pararendësit e mëdhenj të tij dhe tanët, në historinë tonë të lashtë dhe të lavdishme, përmes punës dhe veprës së tij të palodhshme jetësore.

————————–

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura