Tiranë, 12 nëntor 2017: Në përgjithësi ka një lloj dialektike: në cakun kur analiza arrin të ketë një rezultante logjike, për të krijuar një fund të ligjërimit, në vend që të kemi cilësinë e ngopjes dhe të përmbushjen, rikthehemi sërish tek një Fillim i Ri.
Pra nuk mund të ketë një Post Scriptum epilog për Lasgush Poradecin.
Lasgushi i Panjohur nuk është se bëhet në mënyrë përfundimtare i Njohur.
Kjo ka të bëjë me pakufishmërinë e semiotikës letrare, madje dhe me ambikuitetin e atributeve të saj.
Me të drejtë harrojmë Bloom-in, që ka bërë një nga studimet më monumentalë të Shekspirit shkruan, se çdo studim në vend që të plotësojë, krijon sërish një mangësi.
Për “Hamletin” janë shkruar afro 27.000 libra, studime, doktoratura dhe teza për Grada Shkencore.
Ndërkohë që ky numër vazhdon të rritet, vetë teksti i “Hamletit” nuk është më shumë se 80 faqe libri, dhe as nuk shtohet, por as nuk pakësohet, për më tepër është polivalent në thelbin e vet, ftillzues, dhe asnjëherë i shpjegueshëm deri në fund.
Pse ndodh kështu me veprat e mëdha letrare?
Ja një enigmë që ka të bëjë me një nga format më të epërme të intelektit njerëzor, ndoshta edhe me ndonjë nga ligjet të paformulueshme të vet universit, kuptohet dhe të mendimit.
Kjo është dhe një provë që si në shekuj krijuesi bën krijime, që e kapërcejnë vet autorin, në mënyrë që lexuesi, por dhe kritikët e specializuar dhe profesionistë, të krijojnë një binjakëzim botërash të interpretimeve dhe të rileximeve.
Lasgush Poradeci i jep menjëherë ndjesinë e një pafundësie të artikulimeve për lexuesit e gjeneratave.
Vepra e tij është njëkohësisht e mbyllur në strukturën dorëshkrimore, e mbyllur në caqet përfundimtare të tekstit.
Por njëkohësisht është e hapur pafundësisht.
Edhe teoria e Roland Barthes për “Vdekjen e Autorit” është një konceptim, për shkak të semiologjisë, për t’u koncentruar në substancën e tekstit, duke abstraguar nga vetë qenia origjinale dhe e brishtë njerëzore e autorit, por dhe nga raportet e tij reale dhe kalimtare, të lëvizshme me hapësirën dhe kohën.
Por a nuk mundet që dhe disa sekrete të biografisë vetiake të hapin ide dhe të grishin kuptimin?
Pse duhet të ketë një ndalim?
Pse duhet të ketë rregulla qarkullimi për një trafik që lidhet me mendjen kur natyrisht semaforët janë përherë konvencionalë.
Vepra e Lasgush Poradecit në të vërtetë lidhet me poetikën e tij.
Ai nuk është një Poet që ka shkruar shumë në raport të drejtë me jetën e tij të gjatë.
Ai është Poeti i thellësive.
Në këtë jetë ai nuk ka shumë etapa të shkrimit, apo të evolucionit ,plot të papritura, me ulje dhe ngritje të poezive të tij.
Ai ka shkruajtur në thelb dy libra por që përbëjnë në kuintesencë vetëm një libër.
Lasgushi është me të vërtetë Poeti me një libër emblematik.
S’ka ç’i duhet më tepër!
Nga kjo pikëpamje ai mund të jetë i krahasueshëm deri diku me Bodlerin në Francë i cili shkroi tërë jetën vetëm një libër “Lulet e së Keqes”.
Ky libër jo vetëm që qe një unicum, por për arsye të forcës konceptuale u ngrit më lart se të gjithë librat e pafund të poetëve të shquar të Francës dhe u bë libri më përfaqësues i një poetike të re.
Tërë librat e tjerë të Bodlerit, studimet e tij për artet figurative, përkthimet e tij të poetit amerikan Edgar Allen Poe etj., fare mirë mund të mos ishin, ose mund të mos ekzistonin, por kryevepra e tij poetike, që ka pak a shumë një vëllim faqesh, aqsa dhe koleksioni i poezive të Lasgush Poradecit, në sensin e mbijetesës është e pazëvendësueshme, pra edhe pa e tjetërsueshme.
Bodleri bashkëkohësi i Viktor Hygoit, i parë në një raport midis Lotreamonit dhe Malarmesë e ka një sekret hipnotik të poezisë.
Ai spikat me sarkazmin luçiferrik të realitetit.
Nonkonformizmi i tij estetik është përherë në velën e tejdukshme dhe vezulluese të Bukurisë, sepse për të Poezia është vërtetimi më i gjallë i pavdekshmërisë njerëzore.
Ai nuk e sheh shpresën tek religjoni. Ashtu si Niçja i cili mendon se religjioni nuk është gjë tjetër veçse “një mashrim deladent i trurit”, Bodleri nuk i beson as “Urtisë së rreme” të shkencave.
Për Bodlerin Poezia nuk ka pasur kurrë ndonjë qëllim tjetër veçse duke u themeluar në vetvehten, të përjetësojë kujtimet e veta sakrale.
Ai kërkon që frazën ta ngrejë në sakrament, por e di se relativiteti i të vërtetave morale nuk e zbeh dot ndjenjën që është gjëja më sublime në botë.
Ai vërtitet në thetësira si një “peshk blasfemik”, megjithatë në Ferrin e metaforave gjithmonë e lë të hapur një deriçka për t’u ngritur në qiell.
Ndaj poezia e tij u quajt “La Foile Baudelaire”. (Cmenduria Bodleriane)
Fuqia komunikuese e Bodlerit, ose Pionerizmi i tij lidhet me lëvrimin e shkëlqyer të lirikës.
Bodleri qe Poet i Madh Lirik.
Por Bodleri, nuk mund të qe gjithshka.
Që në vitin 1917 Apolineri (Apollinaire) që ish marrë me ribotimin e përmbledhjes “Fleurs du Mal” e ka shkruajtur një parathënie, ku kishte shqyrtuar epokën ,por dhe fundin e Bodlerizmit, të cilin e kritikonte në pikëpamje të një poetike të re, për një kapërcim të ankthit mistik dhe të daljes nga mbretërie sterile e metafizikës.
Tërë arsyetimi i mësipërm i jep një premisë: Lasgush Poradeci padyshim që nuk është një Bodler Shqiptar.
Por është Lasgushi Shqiptar në poezinë europiane dhe botërore.
Poetika Lasgushiane është e mëvetëshme, është e ndryshme, është e një tjetër krijuesi të një kapaciteti të shquar dhe i aftë për të konstruktuar universin e vet.
Askush nuk mund të thotë, ose të imagjinojë, se si Lasgushi, i cili e ka njohur mirë kulturën poetike franceze të shekullit XIX, por edhe atë të shekullit XX, t’i shmangte ndikimet, apo shenjat e epigonizmit dhe të modes dhe të krijojë më tepër nga vetvetja dhe jo nga të tjerët.
Për çdo studiues që merret me vëzhgimin krahasimtar të letërsive por edhe të madhësive linguistike, fakti se Lasgushi ka studiuar disa vite në frëngjisht do ta kishte një shtysë formale për të kërkuar analogji dhe ndikime paraprake.
Por ja që nuk ndodh kështu me Lasgushin.
Një hulli tjetër për të patur të mundur shpjegimin e gjenezës poetike të Lasgushit do të ishte padyshim dhe poezia moderne gjermane.
Ai ishte bashkëkohësi i shpërthimit të poetëve të mëdhenj gjermanë në vitet ’20 dhe ’30 të shekullit XX.
Lasgushi është bashkëkohës i Rilkes, Celanit dhe Traklit.
Këta poetë jo vetëm zotëruan skenën poetike gjermane por këta u bënë simbolet e një firmamenti në qiellin europian dhe në botë.
Ndërkohë nuk gjej në shënimet e Lasgushit t’i përmend veçmas këta poetë.
Di që ai citon një poet të njohur gjerman Gotfrid Keller (1819-1890).Kelleri është poeti i subjekteve rurale të mitizuara,ai e ka shtjelluar talentin e tij edhe në pikturë, në pejsazhet e ndjera.
Valter Beniamini,kritik dhe estet maksist, një nga intelektualët më të shquar dhe përparimtarë të shekullit XX ka shkruar se poezia gjermane që në shekullin XIX është “estetika e qytetit të madh”.
Kelleri ,përkundrazi është poet i nostalgjive dhe mbijetesë e romantizmit.Lasgushi citon baladat e Kellerit.
Po jo më shumë.
Në librat e tij Lasgushi mban veprën e poetit shumë të madh gjerman Holderlinit (Friedrich Holderlin, Gedichte – Stuttgart, 1924.)
Holderlini jo vetëm që është një poet i jashtëzakonshëm, por edhe më i adhuruari nga të gjithë, të quajturit romantik, ekspresionistë apo modernë.
Një kryevepër e tij është “Vdekja e Empedoklit”.
Është fjala për filozofin kozmogonik Empedoklin nga Agrixhenti i Sicilisë, i cili duke besuar në tezën e panteizmit universal, më saktë të metamorfozave të gjendjeve të pafundme të trupave të ndryshëm, të të njëjtit shpirt, nuk e pati fare frikë vdekjen dhe me vetëdije të plotë u hodh mbi kraterin e ndezur të Vezuvit.
Thuhet se Vezuvi hodhi lart në qiell mbasi e kapërdiu Empedoklin vetëm njërën nga sandalet e tij prej bronzi.
Holderlini besonte në pavdekësinë e shpirtit.
Vdekja është një nga format të lëvizjes së materies, përderisa materia nuk mund ta zhdukë dot vetvehten, as dhe vdekja nuk e zhduk dot vetvehten. Ahere Shpirti është i përjetshëm dhe i pakapshëm nga asgjë.
Po të shikojmë me kujdes, kjo ide e pavdekësisë së shpirtit është gjithashtu një ide kryesore e poetikës lasgushiane.
Ai e ka pothuaj në pikën ku kryqëzohet aksi vertikal dhe horizontal i poetikës së tij.
Shpirti është i pashpërbërshëm dot.
Kjo ide në fund të fundit i jep më tepër kuptueshmëri Jetës.
Kemi të bëjmë me atë që Niçja e quante Kthimi i Përjetshëm.
Por a mjafton kjo që të themi se kultura poetike gjermane pati një ndikim vendimtar tel Lasgushi?
Unë mendoj që jo.
Ai ka përkthyer poetë shumë të mëdhenj gjermanë si Gëten, Hajnen, Nikolaus Lenaun, Brehtin etj., por asgjëkundi nuk shoh qoftë dhe në formën eksperimentale një ndikim mbushamendës tek Poetika Lasgushiane.
Gjëndjet e drithëruar emocionale që shperthejnë tek poezia e Rilkes (1875-1926) dhe që Rilke i mbiquan si “psikograme” kanë ndoshta një farë përngjasimi paralel tek emocionet, përherë në “vlim” edhe tek Lasgushi, por jo në tematikat strukturore.
Që në vitet 30 të shekullit të kaluar nga Branko Marxhani është hedhur idea se poezia e Lasgushit ngjan me poezine e poetit gjerman Stefan George (1868-1933).Stefan George është një talent i jashtëzakonshem , madje fantazmagorik .
Ai është në hullinë e Nices (1844-1900) i cili thgonte se jeta është e rësyeshmë si fenomen estetik.Nice beson në autonominë e artit ( l’art pour l’art), se estetika është një dimension më i epërm se sa etika.se estetizmi është një reaksion kundër natyralizmit vulgar.Stefan George është poetika e artit ezoterik.
Edhe George ka botuar relativisht pak, i beson vertikalitetit dhe jo horizontalitetit.
Te George cdo gjë është rreptësisht e matur, e stilizuar, madje dhe veymia merr frymë me solemnitet të madh.
Vargu i tij është mishërim i estetizmit.
Te George mund të gjesh dicka të ngjashme me ornamentet mistike në piktura e artistit vjenez, ekspresionizmit Gustav Klimt.
Poema e George-it kushtuar perandorit romak Algabalit, që e tregon krejt indiferent mes thesareve të tij marramëndës, reflekton figurën bizare të Mbretit të cmendur të Bovarisë, Ludvigut të Iipër të cilin ka shkruar një mrekulli shkrimtari italian Claudio Magris.
Kaq shuëm i jep rëndësi formës George-i, sa dhe gërmat e poemave të tij i boton sipas stilit të piktorit Melkior Rehterit.
Po a ka lidhje poetika e Stefan George me poetikën e Lasgushit-ja një cështje e hapur.
Lasgushi e ka përkëthyer Hajnen dhe poezitë e tij nga “Kënga e Këngëve”,por jo baladën gazmore dhe filozofike kushtuar Mbretit të Bovarisë, më halucinanti, por edhe më i dituri i mbretërve reliktuarë të Europës.
Por Lasgushi në gjeometrizmin e tij muzikor të vargjeve nuk është aspak një klonim i Stefan George-it-
Mbetet për t’u vërtetuar edhe teza e një ndikimi më kryesor i Emineskut, poet i parapëlqyer dhe shumë i dashur për Lasgushin, të cilit ai i kushtoi dhe studimin për Gradën Shkencore të Doktorit.
Ndikimi i Emineskut duket dhe ndihet.
Ashtu siç e kam shkruajtur në këtë libër figura e Luçiferrit të Emineskut është edhe një parapëlqim por dhe një afeksion, një grishje me ndjeshmëri të lartë tek vepra poetike e Lasgushit.
Ylli i Zemrës nuk është gjë tjetër veçse forma astrale, miti universal i Luçiferrit.
Lasgushi është i pari dhe i vetmi Poet i letrave shqipe që e bën një vetidentifikim të tillë, por në një botë shqiptare, krejt të ndryshme nga bota rumune e letrave.
Tërë poezitë e tij ndonëse janë kapërcyell në pik-takim dhe në pik-ndarje edhe të realitetit edhe të metafizikës, kanë një origjinalitet vezullues, burimor dhe autentik të botës shqiptare.
Në këtë kuptim Lasgushi është Poeti i lartësive dhe thellësirave të Atdheut të tij Poetik, që nuk është gjë tjetër veçse sublimi i atdheut të tijgjoografik dhe historik, që është Shqipëria.
Poetika Lasgushiane përbëhet nga Letër- kredencialet e Shqipërisë.
Më ka bërë përshtypje se si Lasgushi me një urtësi tipike bën përpunimin, përzgjedhjen e motiveve në funksion të idesë së një centrifugizmi mendor për Shqipërinë.
Askush si ai nuk i ka kënduar jo thjeshtë në rrafshin e një manifesti atdhetar, por në thellësirat shpirtërore dhe konceptuale gjuhës shqipe që është “Verbë i Kombit”:
O këngë e shenjtëruar,o verb i larë në ar,
O zjarr që më përflakesh si yll vetëtimtar.
O fshetësirë e ndezur në fill prej shkrepëtime.
Kur të këndoj me gojë, kur të kuptoj në kartë,
Posi një krahëruar ti dhëmb, o Gjuhë e Zjarrtë,
Posi kullim i gjakut që rreh në zemrën tike.
Për studiuesin serioz që do të bëjë skanerin e krijimtarisë së Lasgushit ndikimet nga poezia rumune do të ishin deri dku të pamohueshme, por deri në atë masë, deri në atë kuptim, që as të mbivlerësoheshin, as të mos hiperbolizoheshin dhe as të mos krijonin idenë se krijimtaria e Lasgushit nuk është gjë tjetër veçse një dyzim linguistik shqiptar, apo një dioskorizëm, (dyzim ) i një Eminesku shqiptar.
Një gjë e tillë do të ishte krejt e pabesueshme.
Por le t’i kthehem edhe një herë dy poemave të famshme të Lasgushit “Naim Frashëri”.
Po e përsëris, ndoshta nuk do të shkruhen kurrë poema të tilla.
Pra ndikimi i Naim Frashërit është kryesor.
Por ky është një ndikim tipologjik shqiptar dhe rilindas, një ndikim madhështor si frymë.
Por në të vërtetë larg çdo epigonizmi që karakterizon poetët me talente mesatar, kaq të shumtë dhe kaq të pafundmë në këtë botë. Lasgush Poradeci ishte vetë Poet i Madh.
Ai e kuptoi që një Poet i Madh si Naimi kërkon gjithashtu të Mëdhenj, të një gjaku, të një etnie, por dhe të ndryshëm, komplementarë.
Një tjetër detyrë e vështirë për studiuesin është fakti pse kulmi dhe shkëlqimi më i madh poetik i Lasgushit shfaqet në rininë e tij të hershme dhe në rininë e plotë në moshën më të fuqishme krijuese dhe pastaj zbehet. Poezitë që ka shkruajtur mbas vitit 1938 nuk janë më me atë befasi tronditëse ,që kanë krijimet që ai kish realizuar.
Nga 1939 deri 1944 Lasgushi botoi cikle poezish, pati një kompleks të motërzimeve , të varianteve, të rishkrimeve, të ribotimeve të poezisë të dikurshme, por me shtesa të reja vargjesh, por jo të rikonceptimeve të mëdha poetike.
Pse ka ndodhur kështu?
A kemi një lloj ” muzgu të bardhë” të Poetit?
Pse një fazë e mëvonshme nuk e arrin më shkëlqimin e një faze të mëparshme?
Kemi të bëjmë me një nga enigmat e poetëve të mëdhenj botërorë. Edhe Bodleri mbas botimit të librit të tij, shkroi dhe bëri plotësime, deri sa vdiq, por nuk është se pati përveç premierës së parë poetike edhe një premierë të dytë, po aq të bujshme.
Edhe poetë të tjerë e kanë shpërthyer tërë karburantin e tyre shpirtëror për të krijuar gjithçka, paçarë kokën, pa u interesuar më për t’u përsëdytur.
Kështu ka ndodhur me Lasgushin.
Dhe në të vërtetë, në të gjitha kuptimet e mundëshme, në të gjitha arsyetimet e infinitëshme Lasgushi nuk kish fare nevojë të përsëdytej.
Ai ngjan me përgjigjen që Jahovai i tha Moisiut të madh kur e pyeti Zotin se kush qe, “Unë jam ai që jam”.
Nuk duhet as të na pikëllojë kjo gjë as të hamendësojnë arsyetime politiko-fobike, jashtë letrare.
Nga viti 1944 deri në vitin 1987 Lasgushi jetoi kohën politike, socializmin, dhe të një triumfi të bujshëm dhe propogandistik të Realizmit Socialist, madje me struktura hierarkike tepër të ngulitura.
E kam thënë në këtë libër, se kohërat polike, të otomanizmit, të Pavarësisë, të Mbretërisë, të nazi-fashizmit dhe komunizmit nuk ishin kohërat adekuate në kuptimin doktrinor ideologjik, por dhe nga pikëpamja ekonomike sociale, kohërat e vërteta të Lasgushit.
Ai kish zgjedhur që në fillim vetëm një kohë: Kohën Poetike, ku ai kish hyrë dhe nuk mund të dilte dot më jashtë saj.
Padyshim që Lasgushi nuk e ka kuptuar dhe honepsur letërsinë e realizmit socialist, pavarësisht arritjeve të saj të pamohueshme.
Estetikisht ai qëndronte më lart, si krijuesi i një sistemi të mëvetshëm, ai qe më origjinal, më universal dhe gjithashtu shumë shqiptar.
Një shkrim i botuar në gazetën “Drita” entuziast, por dhe tejet dashamirës , ku thuhej, se socializmi i kishte përtërirë forcat dhe rinuar tërësisht shpirtin edhe një poet klasik si Lasgush Poradeci, qe më tepër një shprehje e ngrohtë nderimi për figurën e Poetit, por në të vërtetë realiteti në këtë pikë qe i papërputhshëm dhe jo identik.
Po Lasgushi e njihte frymën e kohës politike.
Kur botoi tek “Dita “ poemën për Heroin e Popullit Muharrem Collaku, që e shkroi në 1974 ,vargjet e fundit të poemës:
Lum, bre Muharrem luani,
Dif me zemër e shpirt vigani.
Gjak të rridhte jatagani
Së preri koka Gjermani.
Kryeredaktori i “Dritës” ja hoqi me të padrejtë këto vargje.
Lasgushi u rebelua dhe reagoi plot zemërim.Kam qenë i pranishëm kur erdhi në redaksi dhe pyeti pse i janë hequr vargjet,I thanë se heroi nuk luftonte me jatagan.”Po poezia ka logjikës e saj, tha Lasgushi.Pse kënga thotë dhe ju e pranoni se “Enver Hoxha e mprehu shpatën,dhe njëherë per situatën”.
Toni i Lasgushit qe plot ironi dhe sinqeritet.
Vetëm ai fliste kështu.
***
Ndërkohë nuk është parë seriozisht një analizë shkencore dhe e thelluar e koleksionit të përkthimeve të tij cilësore.
***
Poemat për Antifashizmin Shqiptar janë autentike tek ai siç janë dhe rapsoditë me frymë popullore për 28 Nëntorin e vitit 1912, kurse dy poemat që duket se e përjashtojnë cakun e vitit 1938 si një lloj piramide hapësirore dhe kohore ,në botën e krijimit Lasgushian, poema për Sokratin dhe për Kamadevën, janë me rrënjë të thella që para vitit 1938.
Por klasifikimet janë më teper kllapa të lëvizëshme.Konvencionaliteti i tyre ka një farë roli kompozicional, si në rregullat artificiale të trafikut.
Lasgushi është demiurgu dhe shpikësi i paimitueshëm dot i një poetike dhe lirike të re në letrat shqipe.
Ai e arriti atë që nuk e arrijnë të tjerët
.Është e pamundur takapërcejnë këtë shkëlqim.
Ai është dhe liriku i një metafizike universale.
Ai ka shkruar:
Nër shteg bashkimi,që ti s’di se si,
Bashkohesh brënda në përjashtësi,
Bashkohesh jasha në përbrëndësi,
Bashkohesh tretesh në përjetësi.
Por metafizika Lasgushiane nuk është e shkëputuar nga jeta e gjallë. Në tetor të vitit 1938 në një librari të Tiranës u bë një bisedë “ad hoc” e Lagushit me një prift jezuit, studiues, te njohur të quajtur Cordigniano, që e kishte mohuar eposin naimian “Historia e Skënderbeut” në një pikë , se kishte dicka banale, se aty thuhet se Skëndërbeu bije dhe bën dashuri.Lasgushi i flet Cordingianos për dashurinë si nevojë e jetës dhe i thotë kritikut jezuit thënien e Krishtit “Shumëzohuni!”.
Porosia ungjillore është jetë e ripërtëritur,që nuk e mohon mistika.
Lasgushi është Poet i jetës!
***
Një çështje tipologjike për historinë e letërsisë shqipe është se krijuesit e saj të mëdhenj kanë qënë gjithashtu edhe Vetmitarë të Mëdhenj.
Kjo do të ishte tepër interesante të studiohej jo thjesht në formën e një sociologjie letrare, apo të një psiko sociologjie të individit.
De Rada është një Vetmitar i Madh.
Përgjithësisht ai nuk i përmend bashkëkohësit e vet që ishin gjithashtu poetë të shquar si fjala vjen Seremben.
Kjo vjen nga fakti se bota krijuese e De Radës qe e vetmjaftueshme dhe një monadë më vete.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Naim Frashërin i cili është gjithashtu një tjetër monadë.
Lasgushi është gjithashtu monada e vetvehtes.
Tek ai nuk kanë shumë rëndësi fakti se ka edhe poetë shqiptarë bashkëkohorë rreth tij.
Pikërisht sepse është i vetmjaftueshëm.
Ai shpirtërisht mund t’i vlerësojë bashkëkohësit por universi poetik i tij nuk kapse të rëndohet nga preferenca të universeve të tjerë poetik. Tipologjik është dhe Ndre Mjeda i madh.
Edhe Ndre Mjeda është një Vetmitar i Madh.
Duket sikur ai s’ka lidhje fare me poetët dhe shkrimtarët e kohës së tij. Ndonëse i ka takuar, ka biseduar, ka shkëmbyer me ta mendime, por gjithsesi Mjeda është koncentruar tek stili tij, tek monada e tij.
Lasgushi i ka disa fotografi sëbashku me Azdrenin,Koliqin,Fishtën-si një lloj posteri për katër poetët kombëtarë ,Po në këto fotografi “ mungon “ përherë ai që ishte jo më pak i vogël si poet, por ndoshta me një origjinalitet akoma më ta madh,që është Ndre Mjeda, ndonëse ai që akoma gjallë,por edhe më i vetmuar se sa katër të tjerët.
Tani në 2017 është 100 vjetori i botimit të Vjenë i “Juvenilia-s” kryeveprës së patjetersueshme të Mjedës-por ne Shqipëri ka vec një heshtje frikërisht banale.
Migjeni akoma më i pangjashëm, është pa paraardhës dhe pa pasardhës. Ai është gjithashtu tek monada shpërthyese e vetvehtes, të jep idenë se megjithëse ka jetuar me poetë bashkëkohorë, prapëseprapë ai është një tjetër Vetmitar i Madh.
Çfarë ka ndodhur kështu me letrat shqipe?
Lasgushi fare mirë mund ti referohej De Radës, të mrekullohej nga lirika e Serembes apo nga stili apokaliptik i Fan Nolit. I njeh, por nuk është e nevojshme për të t’i artikulojë në meditimet e tij.
Por edhe Fan Noli kur Skënder Luarasi i dërgon veprën e botuar të Migjenit e falënderon duke u shprehur me një vlerësim fare të përgjithshëm.Kjo ështa befasuese.
Dikur Kadareja është shprehur se Fan Noli, Lasgushi dhe Migjeni të tre sëbashku e përbënin një Gjeni.
Në të vërtetë secili prej tyre i ka atributet e Gjeniut të vetëm ,të plotë.
Ata, po e vë përsëri në reliev këtë ide ishin që të tre të vetmjaftueshëm, dhe vetëm në një kuadër kronologjik dhe një koncept sintetik janë krijues të mëdhenj të letërsisë shqipe.
Lasgush Poradeci është dhe do të mbetet një nga lirikët shqiptar më të mëdhenj të të gjitha kohërave.
Të gjitha persiatjet tona, as nuk e ndriçojnë më tepër, por as nuk e mjegullojnë terrshëm figurën e tij.
Lasgushi metaforikisht është i Plagosuri i Madh nga Dashuria.
Dua t’i mbyll këto rrjeshta me një poezi të jashtëzakonshme të ËHITMAN-it:
I AM HE THAT ACHES WITH LOVE
I am he that aches with amorous love;
Does the earth gravitate? Does not all matter, aching,
Attract all matter?
So the body of me to all i meet or know.
Në shqip kjo poezi tingëllon kështu:
UNË JAM I PLAGOSUR NGA DASHURIA
Jam Unë Ai, as vuan ndër dhimbje dashurie;
Rëndon vallë toka? E plagosur shkon më një anë dhe Gjithësia?
Kështu, me gjoksin e hapur, shkoj drejt njerëzve, që njoh.
Dhe takohem rishtas me ta.
Postime të Lidhura
PRESHEVARI FEHMI RAMADANI ME MONOGRAFINË PËR HOXHË MAXHEREN…
PRESHEVARI FEHMI RAMADANI ME MONOGRAFINË PËR HOXHË MAXHEREN… Doli nga shtypi Monografia me titull “Hoxhë Maxherja – figurë…
DR.AVZI MUSTAFA: RECENSION PËR LIBRIN E PROF.REMZI NESIMIT ‘PËR GJUHËN SHQIPE’
Tetovë, 11 dhjetor 2019: RECENSION – për librin e prof. Remzi Nesimit “Për gjuhën shqipe”, botuar nga Instituti…
BESIM CENGU: ‘AS-I NËN MËNGË’ NË KËRKIM TË IDENTITETIT KRIJUES…
Tiranë, 30. 11. 2016: (Rreth vëllimeve të poetes Trëndafile Visha: “M’i kanë vjedhur sytë…” dhe “I njëjti fat…
GJEKË GJONAJ: DR. ZYLFIJE GJONI DURAKU, MJEKJA E PARË E ANËS SË MALIT
Ulqin, 02. 06. 2015 – Kushdo që e njeh punën dhe veprimtarinë e deritashme të dr. Zylfije Gjonit…