DR.MOIKOM ZEQO: SAGA E MAHNITSHME E AMOS OZ’it

Tiranë, 27. 01. 2014 – Në ditët e sotme leximi i vërtetë është kthyer më tepër në një mit. Idea e (vdekjes së leximit) skajëzohet, përhapet si një mjegull. Nëse përjetojmë epokën e spektakleve, perandorinë e pakufishme të imazheve, duket sikur leximi vetiak i librave është jashtë kohës. Leximi është bërë i vështirë. Por kjo nuk vërteton zhdukjen e tij. Leximi është një proçes i ndërlikuar dhe i jashtëzakonshëm i intelektit njerëzor që përherë ka të ardhme. Në kaosin e pafund të tregut botëror të librave, librat e vërtetë mund të quhen libra soterikë, dmth shpëtimtare. Të orientohesh në kaos do të thotë të lexosh libra të vërtetë. Rrallë herë në jetën time prej lexuesi kureshtar dhe të babëzitur më ka qëlluar të njihem me një libër të tillë siç është romani “Rrëfim për Dashurinë dhe Errësirën” të shkrimtarit Amos Oz.
E mirënjohura Nadime Gordimer e ka thënë diçka proverbiale: “Amos Oz është zëri i qartë mes kaosit”. Ky është një zë i artikuluar me shkronja, për t’u përkthyer në gjuhë të ndryshme po nëpërmjet shkronjave. Një hollësi: Fjalët e shkruara në hebraisht duken pak të çuditshme dhe komike, kanë vetëm bashkëtingëllore dhe jo zanore. Modernizimi i gjuhës së shkruar hebraishte, duke futur shkronja të veçanta për zanoret është një proçes, ku zanoret (sipas shprehjes së babait të Amos Oz-it) “janë policia rrugore e të lexuarit”.

(Kopertina e librit) – “Rrëfim për dashurinë dhe errësirën” është një sagë familjare dhe një nga librat autobiografikë më të bukur të shkruar ndonjëherë në historinë e letërsisë. Është historia e një fëmije që rritet në një qytet të ndarë nga lufta…(sh.b)

Amos Oz është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të kohës. Ai është kandidat për çmimin Nobël, jo vetëm për Letërsinë por dhe për Paqen. Diçka krejt e rrallë dhe e veçantë. Kjo për shkak të humanizmit të tij universal. Mundet të jesh hebre dhe njëkohësisht të jesh pjesëtar i të gjithë popujve. Kështu matrica etnike, në vend që të mbyllet në vetvete hapet, sepse për shkrimtarin ka në të vërtetë një matricë, atë të njerëzimit në tërësi, ku dallimet etnike dhe gjuhësore sfumohen dhe humbin.
Amos Oz megjithatë e ka identitetin e tij të padyshimtë. Ai shkruan ato që di dhe kupton shumë gjëra, shumë thelbe që u përkasin dhe të tjerëve dhe botës në përgjithësi. Ai duket se është klasik, nuk kërkon të bëjë revolucione të shterpta të formës. Ai është i thellë në analizat e tij, pa mëtuar të krijojë botë onirike, apo të shtegtojë në perandoritë e tymta të metafizikës.
Amos Oz shkruan një roman ashtu si dikur Shën Augustini shpalosi “Rrëfimet” e tij. Kështu u krijua një tipologji letrare e frytshme dhe përherë e lakmuar. Amos Oz, me një kulturë koncentrike, me një talent zhbirues të pazakontë, shkruan historinë e familjes të të afërmve të tij, të të njohurve duke ndërtuar një univers ekzotik, hebraik, njerëzor, konkret dhe shpirtëror.
Që ky roman është një sagë, ose një ep, kjo nuk ka asnjë dyshim. Ka qenë e vështirë vendosja e një ekuilibri të artë në tërësinë e detajeve të rëndomta, befasuese dhe të paharrueshme dot. Ndihet në roman institucioni i kujtesës vetiake që mbart koefiçientët e kujtesave kolektive, të makrokozmove dhe mikrokozmove të njeriut në vetvete, si popull dhe si njerëzim. Ky është sekreti i patjetërsueshëm i artit shkrimor të Amos Oz-it. Kur them se ka krijuar një sagë ekzotike kam parasysh një botë referenciale. Kam parasysh gjithashtu mjeshtërinë e pabesueshme të komunikimit.
Rrëfimi i tij është sa linear aq kaleidoskopik. Vizionet e tij ripërtërijnë kujtimet, duke krijuar vorbuj mozaikësh, ku fragmentet kanë një pushtet të plotë, plotësojnë njëri tjetrin deri në infinit.
Duhet thënë se Amos Oz beson si askush tjetër shkrimtar sot në botë në tipologjinë e personazheve, kaq shpesh të anatemuar dhe të përbuzur nga estetë dhe shkrimtarë të tjerë. Kjo tipologji e personazheve në të vërtetë është një kozmogoni e shpirtit.
Kam lexuar shumë libra për hebrenjtë dhe hebraizmin. Edhe vetë kam shkruar disa herë për figurat e mëdha kulturore, ose religjioze të hebrenjve, për Kabalën, për talmudizmin, për poetët dhe mendimtarët, filozofët.
E kam studiuar teologjinë negative dhe antinjerëzore të antisemetizmit, formulat apokaliptike, teoritë e komplotit, urrejtjen e përbindshme racore etj, etj. Kam shkruar për Sabatai Zevin, por edhe për Martin Buberin. Kam shkruar gjithashtu edhe për disa dëshmi të lashta të pranisë së hebrenjve që në shekujt e parë të erës sonë në brigjet e Shqipërisë, si në krahinën e Vlorës, në Orikum, në Onhezmi, në Elbasan, në Durrës etj. Në këtë qytet të fundit e kam zbuluar një monument mbivarror që i takon një hebreu dhe që ka një mbishkrim të çuditshëm.
Natyrisht që të gjitha këto më çonin tek një njohje asnjëherë përfundimtare. Më ndihmonin por nuk më sqaronin plotësisht. Më grishnin por nuk më jepnin një dije përfundimtare.
Fakti që shqiptarët u shquan gjatë Luftës së II-të Botërore si mbrojtës të hebrenjve të persekutuar, pra si kundërshtarë të Holokaustit, më ka krijuar ndjesinë e një miqësie dhe nderimi. Poezitë e poetit Jahuda Amikai, (poet shumë i madh) më kanë bërë që ta ndjek prej vitesh emrin dhe librat edhe të Amos Oz-it.
Saga e Amos Oz-it i afron të gjithëve pa përjashtim një kujtesë të shekujve. Persekutimi i hebrenjve është i lashtë, babilonik, egjyptian, në tërsi biblik. Historia e tyre e shtegtimeve është një histori e mallkuar për një kohë shumë të gjatë, frikërisht të gjatë. Kjo është arsyeja që Amos Oz shkruan “Isha një fëmijë i mrekulluar nga historia. Tentoja të rregulloja gabimet e komandantëve të së shkuarës. E ngrita dhe një herë revoltën e madhe hebreje kundër romakëve, e shpëtova Jeruzalemin nga shkatërrimi nga duart e ushtrisë së Titusit, i çova trupat e Bar Kohbas në muret e Romës, e mora Koloseun me sulm dhe ngrita flamurin hebre në majë të Kapitolit. Për këtë, e transferova Brigadën Hebreje të ushtrisë britanike në shek. I-rë para Krishtit dhe në ditët e Tempullit të Dytë dhe u gëzova me rrënimin që dy mitralozë u shkaktuan legjioneve madhështore të Adrianit dhe të Titusit të mallkuar. Një avion i vogël, një Piper i vetëm, e uli në gjunjë perandorinë kryelartë romake. Unë e shndërrova luftën e destinuar për të humbur të mbrojtësve të Masadës në një fitore bindëse të hebrenjve me ndihmën e një mortaje të vetme dhe disa granatave dore. Dhe në fakt e njëjta dëshirë e çuditshme që kisha kur isha i vogël-dëshira për ti dhënë një shans të dytë diçkaje që nuk mund t’a kishjte kurrë një të tillë-m është ende nja nga dëshirat që më shtyn akoma, sa herë që ulem të shkruaj një histori apo tregim”. Mund të them se “shansi i dytë” është vërtetë vetëm letërsia.
Amos Oz e di shumë mirë se urrejtja ndaj popujve të tjerë është vetshkatërrimi i çdo populli që urren. E di se dashuria midis popujve është një strategji e fuqishme dhe reale. Ashtu si Martin Buberi edhe Amos Oz flet me artin e tij për miqësinë përfundimtare me palestinezët dhe arabët, por dhe me të tjerët. Për këtë qëndrim si kampion i humanizmit tërë ekstremistët sionistë e kanë parë vëngër dhe me mohim Amos Oz-in. Por letërsia e çoi Amos Oz-in në të gjitha kontinentet. I dha një shtrirje të paimagjinueshme në hapësirë. Por ajo që është më substancialja, i dha një shtrirje edhe në kohë.
Amos Oz e pasaportizon historinë dhe realitetin sipas optikës humaniste. Ai është sot më shumë se kurrë një qytetar i botës. Jo rastësisht ai tregon historinë e familjes së tij. Të gjithë janë njerëz të çuditshëm, plot ëndrra. Të gjithë janë njerëz që lexojnë libra në shumë gjuhë. Madje duken tuafë dhe të çmendur mbas librave. Kanë paragjykime, kanë të meta, bëjnë dhe marrëzira si të gjitha qëniet njerëzore. Por e njohin përkatësinë e lidhjeve. Nuk i mohojnë as dashurinë, as vetmohimin dhe altruizmin.
Amos Oz është shprehur se “familja është institucioni më misterioz në botë, më paradoksal në botë, më i çuditshmi në botë dhe më interesanti në botë. Nëqoftëse do më jepnin mundësinë të zgjidhja mes dy dëshirash, mundësia e parë që të jem në satelitin e parë që do të shkojë për në planetin e Marsit dhe mundësia e dytë që të kalojë një ditë vetme dhe një natë të vetme në shtëpinë e cilësdo familjeje, nuk ka rëndësi se e kujt familjeje, si një mizë në mur, unë do të zgjidhja të isha miza dhe jo astronaut”. Kjo tingëllon madhështore, pikërisht se është harruar çdo gjë e rëndomtë njerëzore por që është absolutisht më jetike.
Letërsia është antropolgji e një niveli tjetër të lartë. Letërsia nuk është thjesht një shpikje mendore. Nuk është diçka e jashtme. Letërsia është përherë e brendshme dhe infinitisht njerëzore.
Amos Oz është brenda njeriut që është kështjella e tij më e pamposhtur e artit. Amos Oz është Njeriu që kështu të jetë Shkrimtari.
Ai nuk shpik formula erudite të ekzistencës sepse mëton të jetë vetë ekzistenca. Ai nuk troket nëpër porta sepse e di që zemrat e njerëzve nuk kanë porta. Ai nuk mburret dhe as nuk mban poza të bujshme. Ai nuk i aktron fantazitë e tij, as nuk kërkon të na çudisë në aventura stilistike. Ai është i natyrshëm, pra është një ekologji letrare.
Bota e sotme globale konceptohet në mënyra nga më të ndryshmet dhe më absurdet. Politikanët, ekonomistët, strategët, filozofët, mediat etj krijojnë përfytyrime të rreme jashtë njeriut për të qenë një skllavëri, ose vetëskllavëri e njeriut modern dhe postmodern.
Funksioni i patjetërsueshëm i letërsisë është të bëjë të kundërtën; të rikthehet gjithmonë tek njeriu. Kjo duket një herezi e përhershme dhe ndoshta një utopi. Por letërsia e Amos Oz-it na bind, na kthjellon, na fuqizon.
Libri i tij i përkthyer në shqip nga Etleva Pushi dhe Sokol Bega dhe botuar nga shkrimtarja dhe botuesja e njohur Flutura Açka e “Scanderbeg Books” është jo vetëm një ngjarje kulturore por dhe një kumt i mbijetesës së njeriut.

———————————-

Culture Buzz’s Hebrew Writers-Readers’ series!

Amos Oz reads from “A Tale of Love and Darkness”.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura