DR.MOIKOM ZEQO: SAGA PIKTURIKE DHE APOTEOZA E BASHKIM AHMETIT

Tiranë, 01. 11. 2016: Të shkruash diçka të vërtetë, ftillëzuese dhe zbulimtare për pikturën është jashtëzakonisht e vështirë. Gati e pamundur.
Është e vërtetë thënia e vjetër se historianë të letërsisë lindin me shumicë, kurse historianë të artit pikturik lindin rrallë dhe tepër rrallë.
Sepse nuk kemi të bëjmë me një narrativë treguese, analizuese dhe të mërzitshme pafundësisht për të komentuar diçka që shihet qartë.
Kjo është një arsye madhore për t’u stepur, pra për të qenë dhe më i shqetësuar nëse dëshiron të thuash diçka për veprat pikturike.
Piktorët janë artistë, që natyrisht qenia antropologjike i bashkon me të gjithë mjeshtrit e arteve të tjera në këtë planet.

Por piktorët janë edhe të ndryshëm. Xixëllonjat lëshojnë drita të vogla nga brendësia e vetes në terr. Në krahët e fluturave ka piktura të mahnitshme, por flutura nuk nxjerr asnjë lloj drite nga trupi. Piktorët në një kuptueshmëri metaforike me xixëllonjat, nxjerrin nga vetja, përhapin, rrotullojnë, fiksojnë piktura. Dhe kjo është diçka e mrekullueshme!
Sapo është hapur në Galerinë Kombëtare të arteve ekspozita më e re e piktorit Bashkim Ahmet Izano (do të qëndrojë e vizitueshme nga data 28 tetor deri në 25 nëntor 2016).
Kjo ekspozitë është e vetëkuptueshme si një vijmësi por njëkohësisht dhe si një sintezë.
Për mua është Apoteoza e imazhit të tij pikturim. Është sinteza e arritjeve të tij, e dilemave, e reflektimeve të mëdha.
Unë jam moshatar me Bashkimin dhe mik i tij shumë i vjetër.
Në 2007 në New York në ceremoninë e botimit të librit tim të parë me poezi të përkthyer nga poeti i madh amerikan Waynne Miller, ishte i pranishëm midis personaliteteve të mëdha të kulturës amerikane ,edhe miku im Bashkim Ahmeti. Këtë nuk mund ta harroj dot kurrë.
Ditë më pas kam fjetur në shtëpinë e tij në Pensilvania së bashku me vajzën time Kleitja. Në këtë shtëpi Bashkimi me të shoqen e tij të mrekullueshme Pranverën më tregoi studion e pikturave “të tejmbushur” me Shqipërinë “– shprehja është e Bashkimit.
Një ditë më pas shkuam në Pitsburg, në qytetin e shkencëtarëve tek shtëpia e Albert Ajnshtajnit ku biseduam për kohën dhe hapësirën. Gjatë dialogut të dy ishim të qartë se hapësira dhe koha përbëjnë dy sekrete të magjishme dhe të jashtëzakonshme të vetë pikturës.
Bashkimi është bërë një poet i famshëm sot jo vetëm në Shqipëri por edhe në mjediset dhe galeritë amerikane. Për të kanë shkruar disa specialistë të mëdhenj të artit dhe me të drejtë kanë përcaktuar origjinalitetin e tij të spikatur të profilit artistik.
Bashkim Ahmeti u bë piktor me emër në Shqipëri që në vitet ’70 të shekullit të kaluar. Kanë kaluar 55 vjet të një pune të tendosur dhe proverbiale.
Askush si Bashkimi nuk është një mjeshtër kaq i motivuar.
Duke parë pikturat tashmë ciklike të cilat po të bashkohen njëra pas tjetrës do të krijonin idenë e një udhëtimi përrallor dhe shpesh mitik dhe shpirtëror, çdo njohës i artit do të bënte disa pyetje për ta përballuar tundimin.
Piktura është përtej fjalës. Pyetjes “Cila është përmbajtja e fjalës?” i duhet përgjigjur “Në fakt kemi të bëjmë me një proces mendor, në vetvete jo verbal!”. Një pikturë përfaqëson nj shfaqje të drejtëpërdrejtë të proceseve mendore krijuese, njësoj siç mund të shfaqen ato në diagramet e një kompjuteri të sofistikuar.
Nëse letërsitë kombëtare janë të padeshifrueshme për shkak të mungesës së përkthimit, piktura nuk ka nevojë të përkthehet. Dhe kjo është një përparësi e hatashme që krijon një perceptim po aq të shpejtë sa shpejtësia e dritës.
Nuk di pse më kujtohen vargjet e Shakespeare-it tek “Romeo dhe Zhuljeta”:
“But soft! What light throught yonder ëindoë breaks!
It speaks and yet sars nothing!”
që shqipërohen si :
“Ngadalë! Ç’është ajo dritë që vjen nga dritarja atje tej?
Flet dhe duhet sikur nuk thotë asgjë!”
Tablotë e pikturave të Bashkimit janë si këto dritare me dritë të përcaktuara nga Shakespeare. Historiani i artit Kenneth Boulding (tek libri “The image”) ka thënë: “domethënia e një mesazhi qëndron tek ndryshimi që shkakton në vetvete dhe mbart imazhi.” Kjo është optika për të parë pikturat e Bashkimit. Imazhet e tij të kujtojnë lëvizjet koreografike të baleteve me muzikë të Stravinskit apo të Alfred Shnitkes.
Tek pikturat e Bashkimit zotërojnë strukturat e mëdha dhe të ndërthurura të Gjirokastrës dhe të New York-ut. Walter Beniamini ka shkruar se “qyteti është strukturë ikonografike.” Gjirokastra ka një ikonografi mesjetare gati postbizantine që unë mund ta quaja dhe onufriane.
NewYork-u është diçka tjetër po Bashkimi ka krijuar një ide të ndërthurjes njëlloj “centaurizmi”, një sintezë të kumtesave të tij të brendshme të nostalgjisë dhe të mbijetesës.
Në doktrinën e piktorëve pre-rafaelianë të shek.XIX theksohej mistika e komunikimit ët imazheve dhe kjo krijoi në pikturë një Edward Lear dhe në letërsi një Lewis Caroll.
Jo rastësisht një nga pikturat më të bukura të Bashkimit është “Edwart Lear në Gjirokastër”. Më tepër se sa një ndërthuje fizike e ngjyrave dhe subjektit është një muzikë shpirtërore e ngrirë në telajo. Bashkimi ka spikatur si një skenograf nga më të shquarit të Shqipërisë.
Është pikërisht skenografia sekreti i suksesit të tij të padiskutueshmë. Në skenografi kompozimi përcaktohet nga një raport semantik i objekteve apo imazheve me ngarkesë simbolike, pra konvencionaliteti ndërton një rend të tërë mendor.
Kjo e bën narrativën kompozicionale të spiralizuar ose të koduar. Abstragimi i brendshëm që çon te një simbolizëm i lexueshmë në mënyrë polifonike e bën piktorin Bashkim Ahmeti shpikësin dhe mjeshtrin më të rëndësishëm të pikturës shqiptare në kohën tonë.
Ai është padyshim një artist i madh dhe jo siç thuhet rëndom një artist shqiptar, por një artist që e di se ç’është integrimi i mënyrave artistike në të gjithë botën për të krijuar një piar të stilit dhe të kumtit. Historianë gjigantë të artit si E. H. Gombrich dhe Williams M. Ivins e kanë theksuar shpesh se si në bashkësinë e artit botëror, artistët edhe mund të humbasin, të shkatërrohen dhe të zbehen nga ngjashmëritë, por edhe mund të dalin në krye të katrahurës nëse ruajnë subjektivitetin origjinal të genit krijues dhe të sinkretizmit kulturor për të mos humbur asnjëherë karakterin e tyre të domosdoshëm identitar.
Dikur filozofi romak Ciceroni shkruante: “Magna civitas, magna solitudo” – “qyteti i madh, vetmi e madhe.” Kjo është një e vërtetë e thekshme dhe torturuese.
Mundet që në xhunglën urbane në epokën e ankthit dhe të tjetërsimit që po përjeton planeti të zotërohemi nga anonimati apo të jemi Robinsonë. Ajo që na shpëton është ajo që na bën të kuptojmë se ç’jemi. Kemi kredenciale të identiteti, apo kemi harruar dhe emrat dhe origjinën dhe gjithçka tjetër që lidhet me arritjet e mëdha të qytetërimit dhe humanizmit?
Është pikërisht Gombrich i cili është shprehur qartë se jo çdo lloj arti modern është art i madh. Ai ka artikuluar idenë se largimet nga forma tradicionale mund të mos përbëjnë një blasfemi, por as format tradicionale njëkohësisht nuk janë aspak një blasfemi.
Shembujt janë të pakundërshtueshëm.
Rembrandi, ky Shakespeare i kulturës gjithë kryeveprat e veta i bëri nëpërmjet portreteve që i ktheu në arta të shpirtit të njerëzimit.
Revolucionari më i beftë, më sanguin dhe njëkohësisht më strategjik, i çmedur dhe i mrekullueshmi Van Gogh nëpërmjet peizazhit bëri revolucionin e tij të pashembullt, duke pikturuar lule dielli, këpucët, shtratin, fushën me korba etj.
Nga kjo pikëpamje Bashkim Ahmeti ngjan se nuk lëviz nga të ashtuquajturat zhanre të përjetshme të pikturës. Në kompozimet e tij ai të kujton diçka që ndodhet në ikonat më të famshme bizantine.
E kam fjalën për konceptin e simultanizmit në pikturë. Simultanizmi është mënyra se si artisti në një telajo fut pjesë të ndryshme kohore të një subjekti ose subjekte që ngujohen në një hapësirë dhe që në vetvete ka ndodhur në kohëra të ndryshme.
Kështu tek ikonat e shkëlqyera të Onufrit i kemi të tëra momentet edhe të Shën Mërisë shtatëzënë me Kryeengjëllin, edhe të lindjes së foshnjes të shenjtë, edhe të paraqitjes së Krishtit ët rritur, dhe të kryqëzimit dhe të ringjalljes.
Kisha këto ditë në duar librin “The silent language” të Edwuard T. Hall. Në një pasazh të këtij libri ai e krahason ndjenjën tonë të kohës me atë të indianëve nativë Hopi të Amerikës. Për këta indianë koha nuk kupton një vazhdimësi të njëtrajtshme apo kohëzgjatje, por një pluralizëm momentesh brenda të cilit bashkëpunojnë shumë kohë, shumë gjëra, shumë thënie.
Ka një shumësi kohësh siç ka dhe një pafundësi jetësh. Kjo kuptueshmëri e kohës është e njëjtë me atë të simultanizmit pikturim të kohës te Onufri dhe te Bashkim Ahmeit ynë.
Piktura, që nga koha e Cezanne-it ka rizbuluar “imazhin pikturim”, përmes të cilit ët gjitha ndjenjat ekzistojnë së bashku sipas modelit të njësuar, të sinkretizuar.
Çdo objekt, apo grup objektesh gjenerojnë hapësirat dhe kohërat përkatëse me anë të raporteve pamore në pikat e përtej orbitave të imazheve që shohim.
Kur kjo vetëdije u shfaq për herë të parë në botën perëndimore, ajo u kritikua se “i shkrimte të gjitha gjërat në një fluks të vetëm”.
Por sot ne kuptojmë plotësisht se kjo qe një arritje e madhe konceptuale dhe shumim moderne. Nga ana tjetër konceptimi i hapësirës dhe kohës në një imazh ka të bëjë me atë që quhet lëvizja e imazhit për krijuar idenë e një sage pikturike.
Bashkim Ahmeti ka krijuar një sagë pikturike të imazheve që lidhen me historinë dhe mitologjinë shqiptare, ballkanike, bizantine, orientale, evropiane dhe atlantike.
Kjo lëvizje e paramenduar dhe e vijimësuar e imazhit për t’u subjektuar në një tërësi të veçantë mua më kujton vëmendjen e tendosur dhe kuriozitetin e pamatshëm të Picassos për librat vizatimorë amerikanë apo dhe idenë e një paperback-u intelektual.
Në pikturat e Bashkim Ahmetit arkitektura dhe figura e njeriut përbën një unitet të çuditshëm. Kjo të habit.
Një piktor italian tashmë i harruar i shek.XVII Monsu Desiderius ka mbetur megjithatë në kujtesën e historisë botërore të pikturës, për arkitekturat e tij fantastike të ndërthurura dhe të pabesueshme. Për të kulla e Babilonisë qëndron përballë pallateve dukale të Firences pranë arkitekturave madhështorë të Romës perandorake apo dhe të kanaleve me gondola të Venecias.
Mendoj se këtë e ka arritur dhe miku im, artisti pa një të dytë Bashkim Ahmeti.
Mbasi e pashë ekspozitën në GKA së bashku me mikun tim gjithashtu një nga piktorët më të mëdhenj shqiptar të sotëm, por i një natyre dhe formati tjetër, Gazmend Leka u ulëm për të pirë një kafe. Ai kishte hapur një ekspozitë vetiake në Paris me një sukses të plotë.
Ndër të tjera ai më tregoi përshtypjet për një ekspozitë retrospektive të artit modern meksikan që bëri gjithashtu nj bvujë të madhe në Paris. Ishin piktorët e jashtëzakonshëm meksikanë si Diego Riviera, si Sikierosi dhe Frida Kohlo etj.
Ata u bënë artistë të pashembullt sepse u mbështetën në kujtesën e shekujve dhe ringjallën hijet e pavdekshme të qytetërimit dhe kulturës së inkasve të lashtë.
Gazi më tregoi se periudha mbas këtyre gjigantëve të pikturës meksikane ishte kalimi në një abstraksionizëm tërësor dhe të pakuptimtë, në imitime banale të të ashtuquajturit art konterporan duke humbur tërësisht adresën etnike dhe antropologjike të artit të madh meksikan.
A nuk ndodhi një gjë e tillë dhe në Shqipërinë e pas viti 1990?
Në këto 25 vjet a nuk janë hapur ekspozita të vetëquajtura moderniste të cilat janë harruar menjëherë dhe nuk i kujton askush?
Por artin e Bashkim Ahmetit dhe të Gazmend Lekës nuk mund t’i harrosh dot sepse kemi të bëjmë me diçka tjetër, substanciale sa ekzistenciale aq dhe artistike, sa misterioze aq dhe madhështore dhe me origjinalitete të spikatura të secilit.
Dua të shtoj dhe diçka për Bashkim Ahmetin.
Vërtetë struktura skenografike të çon drejt abstraksionit simbolik por Bashkimi ka bërë një mrekulli me ngjyrat. Mjafton të shikoni peizazhin e tyre me male, strukturat dhe shpatet e të cilave janë kolonizuar me ngjyra të forta, të ndryshme.
Këto male të pikturuara, përrallorë dhe të pangjashëm në asnjë pikturë të ndonjë artisti tjetër të botës, janë shpikja e vërtetë e Bashkimit.
Për piktorin ka një raport që mund të jetë i rrezikshëm dhe mund ta çojë drejt dështimit ose ngadhënjimit. Është raporti i realitetit me imagjinatën.
Piktura parakupton përherë imazh. Kjo nuk ka asnjë diskutim.
Por shpesh imagjinata e kolonizon, e pushton, e transformon madje dhe e tjetërson realitetin. Të gjitha ndryshimet kanë të bëjnë me perceptimin dhe rikonceptimin.
Meqenëse piktura është gjithmonë e heshtur, shpjegimi i saj duam apo nuk duam bëhet me fjalë. Unë do të thoja bëhet me mendim.
Por mendimi e shkronjëzojmë.
Piktura nuk ka nevojë të komentohet thjesht në mënyrë subjektore, të dekonstruktohet dhe t’i nënshtrohet një analize të gramatikës. Ndonëse piktura e ka gramatikën e vet të brendshme. Por krejt të ndryshme nga linguistika.
Në dekadën e dytë të shek.XXI një piktor si Bashkim Ahmeti Izano duket sikur bashkon Amerikën me Shqipërinë kulturalisht po ashtu si bën ngjizjen e dyfishtë dhe dioskurizmin midis New York-ut dhe Gjirokastrës dhe ndërsjelltas.
Në malet e theluara, në terthoret e hatashme të shpateve, në urat, në çatitë prej guri, në kalldrëmet, qeleshet labe duket sikur emërtojnë koka të padukshme, tërë peizazhi vishet me kostumin popullor të shekujve dhe pa dyshim nëpër re, midis ylbereve dhe humnerave lëvizin edhe dhitë me ngjyra të ndryshme si nga një grigjë e pabesueshme e Edenit.
Dëgjojini këmborat e këtyre dhive të pavdekshme dhe në çastin e vdekjes, ju lutem mos vdisni! Amen!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura