DR.ERMIRA YMERAJ: ARSIMI ËSHTË ÇELËSI PËR NJË TË ARDHME MË TË MIRË

Shkodër, 05. 06. 2014 – “Arsimi” në kuptimin e përgjithshëm është çdo veprim apo përvojë që ka një efekt formues në mendje, që ndikon në karakterin apo aftësitë fizike të një individi. Në kuptimin e saj teknik, arsimi është procesi me të cilin shoqëria ka për qëllim të transmetojë dijet e akumuluara, shkathtësi dhe vlera nga një brez në tjetrin. Arsimimi është shumë i rëndësishëm sepse të ndihmon për të përmirësuar njohuritë dhe të ndihmon që të bëhesh një person më i mirë. Për të mbërritur te arsimimi i mirë dhe për ta parë atë si çelësin e të ardhmes, zinxhiri nis me të kuptuarin e disa fakteve: bindjen se arsimi kaloi në kanale “euforike dhe eksperimentale”, u mbush me modele të papërshtatshme për traditën dhe specifikat e arsimit shqiptar, u zhyt në atmosferën e një lirie të pafund, të një vlerësimi dhe mbivlerësimi të modeleve të brendshme, nga “grupe të lodhura” dhe në të njejtën kohë i dha reformës panoramën e një “lulëzimi kombëtar” në arsim.
Fjalë kyçe: efekt formues; përmirëson njohuritë; çelësi i të ardhmes; modele të papërshtatshme; vlerësim dhe mbivlerësim.
Pyesim dhe parashtrojmë:
1) A kemi gjetur mospërputhje në mes elementeve domethënës që nxisin arsimin drejt suksesit: teksti dhe nxënësit nga njëra anë dhe mësuesit dhe ambjentit nga ana tjetër, dhe a kemi nevojë për hetim të mëtejshëm?
2) A kemi gjetur konsensus brenda shkollës mes artikujve të tillë si: Kurrikula e zbatuar; Mësimdhënia dhe të nxënët; Klima dhe etika në shkollë; Kujdesi ndaj nxënësit; Drejtimi i shkollës; Zhvillimi i burimeve njerëzore dhe financiare; Vlerësimi dhe arritjet e nxënësve, që mbështesin një veprim të caktuar suksesin e arsimit? Sepse shkolla nuk është ishull as dhe ishullizim i infromacionit.
Çfarë duhet të ketë një tekst? Nëse teksti është një realitet social, psikologjik, pedagogjik e shkencor, atëherë ai duhet të jetë në shërbim të përdoruesit të tij që është nxënësi dhe mësuesi, ndaj për këtë duhen parë këto raporte.

Teksti dhe Publiku
Çdo tekst ka publikun e vet ai është:
1. Mësuesi i cili duhet të jetë efektiv, sa më efektiv të jetë mësuesi, aq më të suksesshëm janë nxënësit! Mësuesi beson tek nxënësi që ai mund të mësojë dhe ka pritshmëri pozitive: Mësuesi duhet të jetë bashkëautor i tekstit; interpretues i tekstit; menaxhues i klasës që i referohet të gjitha gjërave që një mësues bën për organizimin e nxënësve, hapësirës, klasës, kohës dhe të materialit e kështu nxënësit mund të nxënë më tepër; dhe lehtësues sepse: “Mësuesi i mirë është thjesht ndihmës i nxënësit”:
2. Nxënësi i cili duhet të prodhojë atë që mësuesi pret që ai të prodhojë.
3. Prindërit, të cilët janë të përfshirë në edukimin e fëmijëve të tyre, një gjë e tillë sjell shanse më të mëdha tek fëmijët për sukses.

Teksti dhe Përmbatja
Tekstet janë materiale të domosdoshme pune, janë burim informacioni që nxit e mbështet nxënësit në formimin e opinionit dhe gjykimit të tyre. Parakusht për punën me tekstet është kompetenca e nxënësve për të lexuar, pra aftësia për të lexuar dhe kuptuar tekste, për të marrë prej tyre në mënyrë të pavarur informacione si dhe për t’i lidhur ato me njëri-tjetrin dhe me dijet ekzistuese. Nje tekst kërkon një përmbajtja gjuhësore – metodike – psikologjike, që të orienton dhe menaxhon ndryshimet në një kontekst transformimesh dinamike, globale e shumëpalëshe. Përmbatja shkencore të formojë drejtë një nxënës.
Ndaj teksti duhet të ketë: një përmbajtje që i përgjigjet nevojave të një popullate nxënësish, që është e larmishme dhe në ndryshim, ti përshtatet ndryshimeve të shpeshta të teknologjisë dhe kërkesave për cilësi si dhe ndryshimeve të vetë shoqërisë, të zhvillojë aftësi të ndryshme, të zotërojë konceptet, të asimilojë, të integrojë njohuritë me praktikën e përditshme e cila arrihet kur ka përfshirje universale dhe përvojë evropiane.
Nevojat e tekstit
Duke u ndalur në përvojën 18 vjecare si mësimdhënëse dhe në përballjen e përditshme me tekstin, duhet të hartojmë tekste që ndihmojnë nxënësit për të arritur aty ku duhet dhe ne si mësues të ndikojmë në jetën e nxënësve pavarësisht nga prejardhja e tyre, të formojmë qytetarë, të cilët mund të jetojnë dhe të punojnë me produktivitet në një shoqëri me një dinamizëm kompleks në rritje, ndaj mendojmë se një teksti i nevojitet:
1. Të ruajë domethënien në tërësinë e saj;
2. T’i përshtaten qëllimit qendror të njësisë mësimore;
3. Të përshtaten me fazat mësimore si: Hyrja, (prezantimi i problemit – me evokimin; Zhvillimi me ndërtimin e njohurive; dhe Mbyllja me përforcimin e informacionit);
4. Të sigurojë informacionet bazë (rrethana, problemet, kundërshtitë etj.), të përjashtojë ndikimet e njëanshme;
5. Që pozicionet kontroverse, duhet të paraqiten nga tekstet njësoj bindshëm,
6. Aplikimi dhe përgjithësimi i njohurive të fituara,
7. Problematizimi të jetë shtysë drejt formimit të një gjykimi të pavarur,
8. Integrimi i njohurive me praktikën e përditshme.

“Shkolla është ndërmarrje prodhuese”
Ajo duhet të mbështetet te një arsimim i shëndetshëm, funksional, dobiprurës, afatgjatë, cilësor, frytdhënës që garanton:
– Formimin e individit;
– Ushqimin ë tij cilësor
– Sukses.

Ndaj duhet që:
– të shmangim numrin e madh të autorëve dhe shtëpive botuese,
– të zvogëlojmë numrin e mësuesve në komisionet përzgjedhëse të tekstit,
– të kemi numër të reduktuar të teksteve,
– të kemi unifikim programesh nga klasa e dhjetë te e dymbëdhjeta që të krijohet një zingjir tematik,
– të arrihet ndarja lëndore mes gjuhës dhe letërsisë, secila të zhvillohet si modul më vete.

Të garantojnë:
1. Një kurrikul tematike që formon njeriun praktik dhe jo teorik,
2. Përshtatshmërinë e kulturës që nxënësve ua afrojmë me kulturën tradicional-psikologjike të kulturës shqiptare.
3. Shmangien e trajtimin ndryshe të të njëjtave njohuri tematike.
4. Paraqitjen e ndryshimit të mendimit (lëvizja dhe ndryshimi i informacionit) në vite .
5. Shmangien e informacioneve jo të plota.
6. Rritjen e shkallës së vështërsisë të ushtrimeve, teksti të mos ndërtohet më me ushtrime të nivelit mesatar, teksti duhet të nxitë të gjitha nivelet e formimit.
7. Kuptueshmërinë e gjuhës akademike me atë të nxënësit.
8. Shmangien e materialeve jashtë programit lëndor, çdo material shtese të jepet në formën e informacionit plus.
9. Minimizimin e papërshtatshmërive mes kërkesës lëndore dhe kërkesave të Maturës Shtetërore.
10. Pajisjen e çdo teksti me një faqe të posaçme për vlerësim.
11. Afate kohore më të gjata për analizimin e teksteve të propozuara si altertekste.

Një tekst i mirë, i dhënë me mjeshtëri e pasion, mbërrin të zgjojë interesin te nxënësi.
Në lidhje me pyetjen e dytë shkencore se: A kemi gjetur konsensus brenda shkollës mes artikujve të tillë si: Kurrikula e zbatuar; Mësimdhënia dhe të nxënët; Klima dhe etika në shkollë; Kujdesi ndaj nxënësit; Drejtimi i shkollës; Zhvillimi i burimeve njerëzore dhe financiare; Vlerësimi dhe arritjet e nxënësve, që mbështesin një veprim të caktuar suksesin e arsimit?
Përgjigjja është se të përshtatesh në një botë që është vazhdimisht në ndryshim, do të thotë të ndeshesh dhe të menaxhosh forcat e ndryshimit të vazhdueshëm.
Kurrikula e zbatuar
1. Dokumentet kurrikulare zyrtare për hartimin e planit mësimor vjetor janë: programi lëndor miratuar nga MASH-i; udhëzuesi për zhvillimin e kurrikulës së re të gjimnazit; standardet e fushës së të nxënit; udhëzuesi kurrikular lëndor; teksti mësimor i përzgjedhur. Vlerësojmë se kurrikula e klasës së dhjetë në gjimnazin “Jordan Misja”, lënda Gjuhë shqipe dhe letërsi gjen zbatim. Mësuesit të mbledhur sipas ekipeve lëndore studiojnë programet lëndore, standardet e lëndës, udhëzuesin lëndor dhe materialet e fillimvitit në mënyrë që të jenë të aftë të përgatitin plane mësimore vjetore lëndore në përputhje me kërkesat. Plani mësimor lëndor vjetor hartohet duke u mbështetur në programin përkatës dhe tekstin alternativ të përzgjedhur si një nga mjetet për realizimin e tij. Në plan shtjellohen konceptet kryesore mësimore, aftësitë ndërkurrikulare dhe ato specifike lëndore, edukimi i qëndrimeve dhe vlerave, parimet kryesore të procesit të mësimdhënies e të nxënies, vlerësimi i nxënësve si dhe ndarja në njohuri të reja dhe përpunim njohurish. Pikërisht plani mësimor është konkretizimi i programit nëpërmjet tekstit të zgjedhur. Planet mësimore duhet të respektojnë formatin standard të udhëzuesit të gjimnazit, i cili përmban: – synimet vjetore të lëndës; – objektivat e përgjithshme; – objektivat e linjave dhe nënlinjave; – tabelën përmbledhëse ku përcaktohet ndarja në njohuri të reja dhe përpunim njohurish; – planet e kapitujve me titujt e kapitujve, orët, objektivat e programit dhe temat mësimore. Të dhënat e hartimit të planeve vjetore lëndore dhe interpretimi i tyre nxjerrin në pah domosdoshmërinë e ndarjes që në ngjizje të modulit të gjuhës me atë të letërsisë.
Studiojmë rastin. Lënda: Gjuha shqipe dhe letërsia X; Orë gjithsej: 108; Teksti tregimtar 15%/Teksti poetik 20%/Teksti dramatik 10%/Teksti bindës/argumentues 15% /Teksti përshkrues 15% /Teksti shpjegues 15%/Teksti informativ 10%, Njohuri të reja në %, total 73%; Përpunim njohurish në % total – 23%. Nga kjo ndarje kuptohet vetiu se emërtesa e lëndës “Gjuhë shqipe dhe Letërsi”, nuk parashtron asnjë përqindje mirfillë për gjuhën shqipe. Sasi më e madhe i është lënë formimit joletrar, duke minimizuar formimin letrar të nxënësit.
Mësimdhënia dhe të të nxënit
“Udhëtimi i vërtetë për zbulim nuk ka të bëjë me kërkimin e peisazheve të reja, por me nevojën për sy të tjerë”. thotë Marcel Proust.
Ndaj: Mësuesi duhet të hartojë çdo ditë planin ditor në përputhje me dokumentet kurrikulare, sipas veçorive të nxënësve të klasës. Diskutimet e nxënësit të bazohen në teknikat e përzgjedhura që nxitin të menduarin krijues e krijojnë besim tek nxënësit. Kur ndeshen vështirësi në të nxënë, mësuesi bën përpjekje efikase për të identifikuar dhe ndrequr gabimet pa kaluar në fazën tjetër të mësimit. Mësuesi duhet të tregojë se i njeh problemet sociale të komunitetit, të ndërthurë komunikimin, sociologjinë dhe psikologjinë, ku nxënësi mendon, shkruan, lexon, flet.
Klima dhe etika, kujdesi ndaj nxënësit
Shkolla nuk është vendi ku nxënësit mund të marrin informacion, por edhe vendi ku ata shoqërohen, komunikojnë në mënyrë efikase, lindin miqësitë, konkurojnë ose punojnë në grupe.
Qëllimi është të ecim drejt një shkolle pa konflikte. Shkolla sot për shkak të lëvizjes demografike ka kolorit të shumtë profilesh psikologjike dhe sociale ndaj nxënësit duhet të mësohen për të përballuar konfliktet jo vetëm në klasë, por edhe gjatë aktiviteteve jashtë programit, prandaj ata duhet të dinë mekanizmat e konfliktit që të jenë në gjendje për ta zgjidhur situatën.
“Fëmijëve sot u pëlqen luksi, sillen keq, përçmojnë autoritetin, nuk tregojnë respekt për të moshuarit dhe u pëlqen të merren me llafe në vend që të mësojnë. Fëmijët janë shndërruar në tiranë, jo shërbëtorë të familjes së tyre. Ata nuk ngrihen më kur hyn në dhomë më i madhi. Ata kundërshtojnë prindërit, ulen mbi bankë dhe hanë ëmbëlsira, rrinë me këmbët mbledhur dhe tiranizojnë mësuesit.” Sokrati (filozof athinas 469 – 399 p.e.s.).
Aspak i largët ky pohim edhe pse shekujt na ndajnë. Mendimi i parë thua koha s’lëviz dhe ç’po ndodh me njerëzit? Përgjigjet i jep po vetë zhvillimi i njeriut, thelbi i tij, natyra e tij. Njeriu dhe koha janë në lidhje zinxhir, po njëkohësisht të shtërnguar të ndajnë një raport, atë të “rebelimit” ndaj njëra – tjetrës. Disiplina është procesi i të mësuarit ose trajnimit të një personi që t’u bindet rregullave ose një kodi sjelljeje në një kuadër afatshkurtër dhe atë afatgjatë
Rasti i parë: Klasa e XI (ora e Fizikës)
Ida caktohet nga mësuesi të mbledhë punën me projekte. Mësuesi orën tjetër vjen në klasë dhe jep përgjigjet e punimeve. Punimi i Jozefinës ishte vlerësuar me 4. Jozi është nxënëse shumë e mirë, marrja e kësaj note e shqetëson dhe e drejton menjëherë pyetjen mësuesit: Mësues, pse kam marrë këtë notë, unë kam punuar shumë për këtë projekt? Mësuesi i përgjigjet: Ju nuk e keni dorëzuar punimin. Jozi reagon menjëherë duke i kërkuar shoqes që kishte mbledhur punmet, se ku është punimi i saj, dhe pse ajo ia kishte fshehur? Ida, nga kjo akuzë ngrihet menjëherë dhe ngre zërin duke i thënë: Unë e kam kryer detyrën me korrektësi, dhe këtë akuzë të ulët nuk e pranoj, ti je idiote që mendon se unë e kam bërë një veprim të tillë, nuk kam asnjë interes ta fsheh punimin tënd. Jozi: ti më ke inat, ti je smirzezë ndaj rezultateve të mia, do e shohësh mirë këtë gjë. Situata degradon në akuza e kundërakuza. Mësuesi i lëndës kërkon nga vajzat që të sjellin prindërit në shkollë dhe të sqarojnë këtë situatë. Mbas mbarimit të orës së mësimit, ngjarja ka degraduar deri në grindje familjare. Prindi i Idës për të mbrojtur dinjitetin e së bijës, akuzon dhe kërcënon dhe me jetë familjarët e Jozit. Të nesërmen drejt shkollës vijnë për të sqaruar më tutje familjarët duke u takuar me mësuesen kujdestare.
Zgjidhja
Krijoj kushte për një marrëdhënie pozitive dhe mbështetëse mes meje dhe nxënësit, që bazohet te të kuptuarit dhe të mirëkuptuarit. Në këtë rast përpiqem të kuptoj pse nxënëset u sollen në këtë mënyrë, kuptoj se mes tyre ka pasur një konflikt të hershëm, ndaj njohja paraprake e nxënësit është e nevojshme.
Duke u nisur nga këndvështrimi i tyre, konteksti i situatës kishte precipetuar për arsye mosbesimi te njera – tjetra. Ndaj duhet të garantojmë paanësi, të njohim nga ku vijnë si dhe rëndësinë që ka familja në edukimin e sjelljes së fëmijës së vet. Kjo për të inkurajuar te secila nxënëse detyrimin që kanë ndaj statusit. Vë në pah se mungesa e vetëkontrollit i çoi vajzat këtu, qëndrim duhej mbajtur ndaj të dyjave. Nxis ndjenjën e solidaritetit duke i inkurajuar, dhe premtuar se përmësimi i sjelljes së tyre do shpërblehej. Secila nga nxënëset do stimulohej sepse pas çdo përpjekjeje ka një shpërblim.
Rasti i dytë: (ora e kimisë)
Juli është nxënës i klasës së XI, vjen nga zonat e thella malore, dhe rri në bankën e fundit vetëm me shoqen e vet. Mësuesja hyn në klasë, fton nxënësit të përqëndrohen, të nxjerrin librat dhe të ndjekin orën e mësimit. Shoku para bankës së tij prek pa dashje dhe e shtyn bankën ku qëndronte Juli, ky i fundit ia fut një të share dhe ia shtyn më me potere bankën e tij. Mësuesja ndërhyn duke u afruar në bankën e Julit dhe i thotë: Ç’ke mor djalë, hape atë libër dhe të paktën mos bëj zhurmë. Juli, ngrihet në këmbë, shtyn mësuesen, i bërtet duke i thënë se s’kam punë me ty dhe mos më acaro dhe kërcënon djalin para bankës së tij duke i thënë: Të kam thënë 100 herë me e mbajtë bankën tënde shumë larg nga banka ime dhe mos guxo ta kthesh kokën mbrapa. Andi nxënësi tjetër i përgjigjet: Pse në shtëpinë tënde jemi këtu? Kaq mjaftoi dhe të dy nxënësit konfliktohen me grushta, duke e kthyer klasën në një fushbeteje.
Zgjidhja
Shqyrtimi i këtij rasti më nxiti si mësuese së pari të kërkoj a donin këto nxënësa të zgjedhin? Çfarë duan të fitojnë dhe çfarë mendojnë se humbasin? Kështu përmes kësaj teknike mendoj se do ju jap atyre aftësinë e vetëkontrollit në jetë, që është një element kyç për një vlerësim të shëndetshëm të vetes. Hapi i dytë: t’i ofroj këtyre nxënësve alternativa pozitive, çfarë i bënte ato të humbisnin arsyen? Hapi i tretë: Udhëheqje konstante dhe e vendosur nga ana ime, vazhdimisht përgëzoj përpjekjet për sjellje të mirë nga secili. Mungesa e vetëdisiplinimit bëhet burim i humbjes së vetkontrollit. Lypi që konfliktet t’i zgjidhin duke biseduar pa shqetësuar të tjerët.
Rasti i tretë: (ora e letësisë)
Sa herë fillonte ora e letërsisë, Edona shfaqte përherë pakënaqësi, nervozizëm, dhe sa herë fillonte rubrika një pyetje shumë përgjigje, ajo nxitonte të bënte pyetje që nuk kishin lidhje fare me pyetjen e drejtuar nga mësuesja. Mësuesja shpesh i është përgjigjur duke i thënë se pyetjet e saj nuk kanë lidhje me orën e mësimit dhe se ajo duhet të ketë vemëndjen e duhur për t’u përfshirë në procesin mësimor me përgjigje nëse ka. Kjo gjë u përsërit disa herë dhe mësuesja mendoi se kjo sjellje e Edonës po kthehej në një ndëshkim përsonal që ajo i bënte asaj, ndaj sa herë merrte të fliste, ajo vendosi të mos i kthente përgjigje, të vazhdonte mësimin duke iu drejtuar nxënësve të tjerë. Po atë ditë Edona ndërhyn duke i thënë: Se ti nuk je mësuese e mirë, ti kurrë nuk na kupton, nuk e di se ç’nënë je, ti nuk bën për mësuese.
Zgjidhja
Shqyrtimi i rastit: Pyetjet e Edonës ishin sfida që i bëheshin autoritetit dhe njohurive të mësuesit, por a mund të ketë lidhje me vështirësinë e nxënësit për të formuluar siç duhet pyetjen dhe me takt?: Ky keqidentifikim apo keqkuptim krijonte zemërim te Edona, dhe hapte një telash të vërtetë disipline. Rëndësinë e shmangies së rutinave dhe standardeve të sjelljes si dhe përfshirjen e nxënësit e mësova në këtë rast. Edona kishte nevojë për besimin në vetvete dhe krijimin e një mendimi të mirë për vetveten.
Ndaj zgjodha të motivoj Edonën dhe të kuptoj botëkuptimin e saj.
E nxita veten të respektoj kërkesat e zhvillimit të Edonës dhe të ndryshoj format e mësimdhënies. I kërkova të më shkruante një Letër përsonale, me mundësi përgjigje po përsonale nga ana ime. I shkruajta po përsonalisht se ç’mendoja unë për të, dhe i tregova historinë time të jetës, dramën time familjare dhe e nxita të më përgjigjej. Padyshim që ky lloj komunikimi zbuti raportet mes nesh dhe më bëri të kuptoj se bota e fëmijës është shumë e madhe dhe e brishtë plot pasiguri që kërkojnë të drejtohen si duhet. Ndaj ne s’jemi veç mësues, jemi heronjtë e tyre. Ky rol lyp shumë përgjegjësi dhe durim, njohje dhe studim.
Drejtimi i shkollës, vetëvlerësimi i shkollës për cilësinë e shërbimit të ofruar
Gjimnazi “Jordan Misja” është një nga shkollat e Shkodrës, në të cilën ndjekin mësimin 780 nxënës.
Fusha: Mësimdhënia dhe të nxënit.
Treguesi 1. Gjatë orës mësimore mësuesi si parësore ka përvetësimin nga ana e nxënësit të koncepteve kryesore të lëndës dhe zbulimin e lidhjeve mes tyre, po nën presionin e indiferencës dhe keqkuptimit të rolit të nxënësit në shkollë.
Treguesi 2. Mësuesi zotëron anën shkencore të lëndës përballë një nxënësi me probleme të thella sociale, psikologjike, kulturore.
Treguesi 3. Metodat, teknikat dhe strategjitë e janë përvetësim i mësuesit përballë kushteve mjerane të shkollës, mungesës së bazës didaktike, teknike dhe laboratorike.
Treguesi 4. Mësuesi realizon përsëritjen efektive me në qendër nxënësin, duke e ndarë atë vetëm me një grup minimal nxënësish për shkak të prurjeve me nivel të ulët arsimor.
Vlerësimi dhe arritjet e nxënësve, që mbështesin një veprim të caktuar suksesin e arsimit
“Besimi i përbashkët për një veprim të përbashkët”
Duhet kombinimi i zhvillimit individual të mësuesve me zhvillimin e bashkësisë për një rikulturim të nxënësit Duhet kualifikimi dhe trajnimi i stafit, ndërgjegjësim për qëllimet dhe prioritetet e trajnimit dhe kualifikimit. Duhet të hartohet një plan trajnimi me qëllim krijimin e një mjedisi shkollor të hapur për nxënie dhe stimulues për mësuesit dhe nxënësit.
Vlerësimi i nxënësve, arritjet, kompetenca profesionale, produkti përfundimtar.
Produkti përfundimtar i shkollës nuk matet thjesht me arritjet e nxënësve, por me kompetencat që ata demonstrojnë gjatë marrjes së dijes. Vlen mirorientimi për nga nevojat për punësim që ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në përshtatjen e tij me tregun e punës. Kjo kërkon që njohuritë, shprehitë, qëndrimet dhe vlerat e domosdoshme për punësim të tyre, të shoqërohen nga ata me një përfshirje të gjerë dhe të integruar të veprimtarive gjithnjë e më cilësor të nxënësve, krijimi i shprehive praktike sa më të qëndrueshme, edukimi i tyre me disiplinë, të lidhura me veçoritë e shkollës, interesat dhe diversitetin e nxënësve.
Konkluzion:
“Arsimi” në kuptimin e gjërë është çdo vëprim apo përvojë që ka një efekt formues mendor, në karakter dhe rrit aftësinë fizike të një individi. Në kuptimin e saj teknik, arsimi është proces me të cilin shoqëria transmeton dituritë e akumuluara, shkathtësitë dhë vlerat nga një brez në tjetrin. Të jesh një nxënës i mirë do të thotë të kesh mundësi për të menduar. Fuqia e arsyetimit nuk vjen automatikisht së bashku me inteligjencën tuaj. Ata janë një entitet i veçantë. Kompleksiteti i problematikave tashmë të njohura nuk duket se ka ndjeshmërinë e duhur në lidhje me reflektimet, të cilat janë të dobëta, shpesh nga mosdëshira për t’i pranuar dukuritë negative dhe shpesh nga pamundësitë për t’i zgjidhur problemet. Ata duhet të ballafaqohen me realitetin paralizues të varfërisë së bashku me problemet që paraqet çdo ditë. Dhë rreziqet për to janë edhe më të larta. Arsimi është bileta për t’u shkëputur nga varfëria. Reforma të tilla si reforma e kurrikulës, e vlerësimit, e metodave, e arsimit profesional, gjithpërfshirja, përfshirja e të drejtave të njeriut etj., të vlerësohen për ndryshimet që kanë sjellë, por nëse nuk do të njohim edhe problematikën që i shoqëron, kjo sigurisht do të thotë se ende në shtatin e edukimit ka probleme që cënojnë cilësinë e nxënësit, të shkollës dhe suksesin e tyre. Ndaj nëse dëshirojmë të kemi një sistem shkollor autonom, dhe ligje arsimore të decentralizuara është e rëndësishme që shteti të krijoje kushte për një autonomi institucionale, organizative dhe pedagogjike nëpër shkolla. Për të patur një autonomi pedagogjike është e rëndësishme që sistemet arsimore që përgatisin mësues që të jenë në dijeni të kompetencave të tyre. Shtetet që kanë krijuar mekanizma vlerësimi për nevojat dhe kompetencat e tregut, përgatisin kapitale humane të përshtatshëm për vendet e kërkuara të punës.
______________
Literatura:
MASH, Standardet e Përformancës, Raporti përfundimtar dhe plani i rivlerësimit, projekti për reformën në arsim, Tiranë, 12 Tetor 2004.
MASH & Telos group Ltd, Standardet e Performancës dhe Vlerësimi i Performancës, Tiranë, Tetor 2004.
Sina, Irida, Kapitali human përballë ligjit të centralizimit të arsimit, Tiranë, Mars 2011.
ILO-IPEC, “Manual për mësuesin”, Mësimdhënia dhe të nxënit në edukimin joformal, Tiranë 2006.
MASH, Udhëzim nr 5. dt. 25. 02. 2013, për Standardet e përgjithshme të mësuesit
Gjokutaj, Mimoza, Shqipëria, Situata në arsimin parauniversitar, raport vlerësimi, Koalicioni për arsimin e fëmijëve në Shqipëri, Tiranë, Mars 2013.
UNESCO. “Të pranojmë diversitetin: Manual për krijimin e mjedisive
gjithëpërfshirëse e mësimdashëse”. Bangkok, 2004.
UNESCO. Broshura 3: Thithja e të gjithë nxënësve në shkollë dhe mësim: “Të pranojmë diversitetin: Manual për krijimin e mjediseve gjithëpërfshirëse e mësimdashëse”. Bangkok, 2004.
UNESCO. Broshura 4: “Të krijojmë mjedise gjithëpërfshirëse e mësimdashëse. Të pranojmë diversitetin”: Manual për krijimin e mjediseve gjithëpërfshirëse e mësimdashëse. Bangkok, 2004.

=================================
KUSH ËSHTË ERMIRA YMERAJ

(Dr.Ermira Ymeraj: [email protected])

ERMIRA YMERAJ ka lindur në Shkodër me 18.12.1972. Në vitin 1995 mbaron Universitetin e Shkencave Filologjike në degën “Gjuhë – Letërsi” po në Shkodër. Mbas një ndërprerjeje të shkurtër rinis sudimet pasuniversitare në SHPU, në vitin 2005 dhe në 2010 mbaron masterin shkencor në degën “Etnokulturë dhe letërsi shqipe” në universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër me tezën“Ringjallja në epos”. Viti 2013 shënon një tjetër hap drejt karrierës akademike. Në QSA (Qëndra e Studimeve Albanologjike), mbron titullin “Doktore Shkence”, fusha: Studime Letrare, specialiteti: Letërsia dhe baladat. Nën udhëheqjen e prof. dr. Shaban Sinanit mbron tezën “Balada si paratekst në letërsinë shqipe – vështrim krahasues. Ka botuar artikuj shkencor dhe studime në revista të njohura brenda dhe jashte vendit. Në fushën e studimeve shkencore ka botuar monografinë: “Shtegtimi i Miteve: nga religjioni e folklori, në letërsi”, Shtëpia botuese “Naimi”, Tiranë 2013, ISBN 978-9928-109-52-1. Në krijmatrinë poetike ka botuar dy vëllime me poezi “Zemër diptike” , Shtëpia botuese “Naimi”, Tiranë 2013, ISBN 978-9928-109-51-4, dhe “Pirg dhimbjesh”, Shtëpia botuese “Naimi”, Tiranë 2011, ISBN 978-9928-109-17-0….

———————————————-

DR.ERMIRA YMERAJ: KOMUNIKIMI I KODIT TË FLIJIMIT SI TEKST ORIGJINAL

(I.KADARE, I.ANDRIQ, K.VARNALI, R.QOSJA)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=2852

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura