Pashtriku.org, 20. 11. 2014 – Konkurrenca e egër zgjedhore për marrjen e pushtetit qeverisës në Shqipëri shndërrohet në duele kryetarësh, amplifikohet vetëm nëpërmjet emrave të tyre personalë, pra individualizohen ngushtësisht dhe marrëzisht proceset reale politike mbarëshqiptare, një konceptualitet përherë vertikal, duke harruar bazën dhe horizontalitetin jetik të elektorateve të mëdha. Kështu partitë bëhen trukime dhe performanca të kryetarëve dhe subjektiviteteve të tyre të mangëta. Në këtë konceptim jemi shumë larg karakterit shkencor dhe vizionar të politikës dhe klasa politike shqiptare tregon një miopizëm dhe efemerizëm të padyshimtë. Por të mbyllësh sytë nuk do të thotë të zhdukësh dhe realitetin, çdo fitore elektorale nuk është fitore e vërtetë po nuk qe edhe fitore konceptuale.
Duke rishfletuar librin “Histoire des idees politiques” (“Historia e ideve politike”) të studiuesve të mirënjohur Ives Guchet dhe Jean – Marie Demaldent, u fokusova te çështja se teoria (më saktë teoritë) demokratike në rrafshin shkencor dhe teorik nuk përbëjnë një homogjenizim doktrinor shterues, të një sociologjie demokratike të patjetërsueshme, përfundimtare, por një cikël referues të disa parimeve kryesore, që janë në substancë veprimtari juridike dhe politike të kushtetutshmërisë së përparuar të proceseve evolutive të historisë në kohërat moderne. Kjo shpreh një relativizëm dhe kërkesën e përsosjes së mëtejshme në mënyrë të pashmangshme. Kjo do të thotë se konceptualizimi i demokracisë nuk ka fund. Historia e sistemeve të ideve politike ka lidhje të ngushta me zhvillimin e mendimit shkencor botëror, kurse në vende të ndryshme reflekton shkallën adekuate shkencore të përparuar ose të prapambetur të secilit vend dhe popull përkatës. Kësaj të vërtete është e vështirë që t’i shmangesh dot.
Parë nga kjo optikë, tradita demokratike në Shqipëri paraqitet frikërisht e mangët historikisht. Ndryshe nga Europa dhe bota perëndimore, ne mund të quhemi një vend parademokratik në thelbin e fjalës dhe të kuptimit. Para rënies së Murit të Berlinit ne trashëgojmë një përvojë të shkurtër të debatit demokratik parlamentar, pastaj vjen parlamentarizmi fals dhe i komanduar i monarkisë zogiste, për të përfunduar për 50 vjet në diktaturën enveriste me një parlamentarizëm akoma më qesharak, ideologjik, dekorativ si një teatër politik shurdhë-memecësh. Këto 20 vjetët e fundit, shqiptarët e aspirojnë demokracinë, po pa e përvetësuar thelbin e saj për shumë arsye. Ajo që quhet “tranzicion” është një fjalë eufemike dhe justifikuese dhe tregon më shpesh moskuptimin dhe vonesat e tmerrshme dhe të pajustifikuara.
Pa mohuar ndryshimet, por edhe përparimet për shkak të fuqisë ndikuese të madhe të integrimit si proces europian, globalizues si tërësi, në fushën serioze studimore do të vëmë re se demokracia tejet e brishtë shqiptare është më shpesh një simbiozë e konceptit të vertikalitetit pushtetor të totalitarizmit me traditën rurale shekullore të patriarkalizmit provincial që i shndërron partitë politike në parti klanore me kryetarë autoritaristë të plotfuqishëm. Ky nuk është vetëm një gabim teorik i mirëfilltë, jo vetëm një keqkuptim shumë i kushtueshëm perceptues, por stimulon pareshtur një praktikë të shtrembëruar të veprimit konkret politik.
Kjo bën që konkurrenca e egër zgjedhore për marrjen e pushtetit qeverisës të shndërrohet në duele kryetarësh, amplifikohet vetëm nëpërmjet emrave të tyre personalë, pra të individualizohen ngushtësisht dhe marrëzisht proceset reale politike mbarëshqiptare, një konceptualitet përherë vertikal, duke harruar bazën dhe horizontalitetin jetik të elektorateve të mëdha. Kështu partitë bëhen trukime dhe performanca të kryetarëve dhe subjektiviteteve të tyre të mangëta. Në këtë konceptim jemi shumë larg karakterit shkencor dhe vizionar të politikës dhe klasa politike shqiptare tregon një miopizëm dhe efemerizëm të padyshimtë.
Por të mbyllësh sytë nuk do të thotë të zhdukësh dhe realitetin, çdo fitore elektorale nuk është fitore e vërtetë po nuk qe edhe fitore konceptuale. Të dy autorët e librit që citova në krye të shkrimit në konkluzione shprehin disa shqetësime për sfidat e demokracisë në një kuotë më të lartë. Ata me të drejtë thonë se demokracia përfaqësuese është një përparim botëror në raport me regjimet jodemokratike të shekullit XIX. Por teoria demokratike, ndonëse e përparuar, nuk mund t’u japë më përgjigje të gjitha pyetjeve të modernitetit aktual dhe në perspektivë. Këtu nuk duhet harruar argumenti i llojit të Rusoit lidhur me mospajtimin e pashmangshëm midis vullnetit të përfaqësuesit dhe vullnetit të të përfaqësuarit, që çon përherë e më tepër në idenë se qytetari bashkëkohor nuk ka pse të votojë gjithnjë për qeveritarë, nëse nuk ekziston kontrolli i votuesve mbi të votuarit.
Pyetja është:
si vallë, me çfarë modalitetesh të organizohet jo një kontroll simbolik, por një kontroll real dhe efikas i qytetarëve mbi partitë politike dhe qeveritë e konvertuara prej fitoreve numerike të zgjedhjeve elektorale politike? Çështja më madhore është përtej rrafshit mekanicist votiv të zgjedhjeve. Në të gjitha shoqëritë e quajtura demokratike, pavarësisht rritjes së koeficientit konceptual demokratik është gati e pamundur të zhduken ose të sfumohen pabarazitë shoqërore, që në fakt po shtohen kudo. Që nga Aristoteli, më pas te shumë mendimtarë të tjerë politikë, kjo kryeçështje ka qenë në krye të vëmendjes.
Sipas Rusoit dhe Bodenit etj., dallimet shumë të mëdha të pasurive mund të vënë në rrezik homogjenitetin e shtetit ose të trupit shoqëror. Shprehja e thekshme e filozofit P. Burdie për “barbarinë e liberalizmit të egër” tregon se demokracia votive është formale nëse nuk përputhet me një demokraci shoqërore për të gjithë, pra të finalizohet në një demokraci përmbajtësore. Kjo gjë kërkon një tendosje jo thjesht të imagjinatës teorike, sepse është një sfidë konkrete të zhvillimit dhe të së ardhmes. Përsiatjet e reja, konceptualiteti i ri për sfidat e së ardhmes nuk mund të anashkalohen.
Klasa politike provinciale shqiptare, duke mos kuptuar politikën, në fakt nuk kupton historinë dhe është gjithmonë post festum, ose posteriore fatalisht. Praktika shoqërore përparon shumë më shpejt se politika refraktare dhe e prapambetur. Njerëzit e thjeshtë dinë shumë më tepër se sa “kampionët” partiakë, ata i kapërcejnë mendërisht kryetarët e partive të mëdha, të cilët i shpërfillin, i nënvleftësojnë ritualisht, por kjo nuk do të thotë asgjë. Historia është çmitizimi i idhujve dhe kujtesa historike koleksionon më shpesh “idhuj pa krena” siç do të thoshte Migjeni i madh.
Tiranë, 01. 12. 2010