PROF.DR.ABDULLA MEHMETI: DOMOSDOSHMËRIA E RIORGANIZIMIT TERRITORIAL TË MAQEDONISË

Tetovë, 24. 01. 2017: Njëra nga detyrat më të ngutshme, të domosdoshme dhe dobiprurëse për shtetin, të gjithë qytetarët e tij pa dallim përkatësie etnike, besimi fetar, gjuhe e veçorie tjetër, në veçanti për popullin shqiptar, është ndryshimi i Ligjit për organizimin territorial të Republikës së Maqedonisë*, me këtë edhe të disa ligjeve të tjera të po këtij korpusi, siç janë: Ligji për vetëqeverisjen lokale* dhe Ligji për financimin e njësive të vetëqeverisjes lokale*, si dhe aktet të tjera ligjore e nënligjore me të cilat rregullohen këto çështje tepër të rëndësishme për funksionimin normal të shtetit, respektimin e parimeve themelore të demokracisë, sigurimin e barazisë së plotë të qytetarëve, zhvillimin ekonomik të vendit dhe progresin e gjithmbarshëm të shoqërisë, duke marrë si model shumicën e shteteve fqinje dhe disa shtete të tjera të botës me demokraci të zhvilluar, të cilat kanë përbërje të ngjashme shumetnike, ose çështjen e organizimit territorial të shtetit e kanë rregulluar në mënyrë më efikase dhe më funksionale.
Në lidhje me këtë iniciativë dhe procedurën për zbatimin e saj, sigurisht që janë të domosdoshme edhe ndryshime përkatëse kushtetuese, të cila duhet t’u paraprijë ndryshimeve të kësaj pakoje ligjore, me të cilën rregullohet çështja e organizimit territorial, ndarja administrative e njësive të qeverisjes lokale, financimi i njësive të qeverisjes lokale dhe çështje të tjera lidhur me këtë problematikë, e cila kërkon angazhim të shumanshëm dhe vullnet politik nga i tërë spektri politik në vend, por edhe angazhimi i domosdoshëm i faktorit ndërkombëtar, pa ndihmën e të cilit vështirë se mund të realizohen këto ndryshime në këtë fazë të zhvillimit të demokracisë, në rrethana të krizës aktuale politike dhe të kundërthënieve të brendshme mes faktorëve politikë në vend.

Duke marrë parasysh se një nga çështjet më të rëndësishme të pushtetit demokratik duhet të jetë decentralizimi i tij, është në interes të shtetit dhe qytetarëve të tij që praktika e derisotme të ndryshohet, si në rrafshin horizontal, përmes ndarjes administrative, edhe në rrafshin vertikal, përmes ndarjes së pushtetit qendror dhe lokal, me qëllim të organizimit territorial më efikas dhe të decentralizimit më funksional të pushtetit, të njësive të qeverisjes lokale, në nivel të komunave, qyteteve dhe rretheve, përkatësisht të rajoneve administrative më të pavarura, autonome dhe të decentralizuara të pushtetit.
Riorganizimi territorial, ndarja administrative më efikase dhe decentralizimi i njëmendtë i pushtetit do të ndikojë pozitivisht edhe në ndarjen e barabartë të buxhetit të shtetit, në shpërndarjen e barabartë të investime për zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor të rajoneve përkatëse, gjithsesi edhe si formë më funksionale dhe efektive në organizimin e pushtetit në krahasim me përvojën e derisotme të organizimit territorial dhe funksionimin e pushtetit.
Aktualisht, Republika e Maqedonisë është e ndarë në 80 njësi të qeverisjes lokale, 70 komuna dhe qytetin e Shkupit, si njësi e veçantë e qeverisjes lokale, të cilën e përbëjnë 10 komuna në kuadër të këtij qyteti.
Në krahasim me vendet fqinje dhe disa shtete evropiane me demokraci të zhvilluar, organizimi territorial dhe ndarja administrative në njësi të qeverisjes lokale në Maqedonisë është tepër e centralizuar, që vërehet nga vetë niveli i këtij organizimi, vetëm në një nivel ndarës mes pushtetit qendror dhe lokal, pushtet qendror-komuna, ndërsa në vendet tjera kjo ndarje kalon përmes disa niveleve të ndarjes së pushtetit lokal nga ai qendror, së paku në 3, 4 dhe 5 nivele, siç është theksuar në vazhdim të kësaj analize, përmes përvojave të shteteve të tjera në lidhje me organizimin territorial dhe ndarjen administrative të këtyre shteteve.
Aktualisht, përveç komunave si njësi të qeverisjes lokale, Maqedonia në aspektin administrativ është e ndarë edhe në 8 rajone për planifikim rajonal, por ato nuk kanë status të njësive të veçanta administrative, dhe si të tilla nuk janë funksionale, meqë janë krijuar vetëm si rajone për planifikimin kinse më efikas të zhvillimit ekonomik të vendit.
Me ndryshimin e këtij ligji dhe pakos së ligjeve për organizimin territorial dhe ndarjen administrative të njësive të qeverisjes lokale, me të cilat rregullohet kjo çështje në Maqedoni, do të përcaktohet më drejtë dhe më qartë organizimi territorial i këtyre njësive të qeverisjes lokale, komunave, qyteteve dhe rretheve, përkatësisht rajoneve administrative autonome, duke pasur parasysh dështimet e derisotme në ndarjen administrative të shtetit, në interes të zhvillimit kinse më efikas ekonomik të rajoneve të shtetit. Sipas gjendjes së tanishme, me ndarje të panatyrshme, ku vendbanime të një komune i kalojnë kufijtë e një komune tjetër fqinje, për t’iu bashkëngjitur një ose disa vendbanime të një komune tjetër, në bazë të parimit etnik, i cili këtë ndarje e bën të panatyrshme dhe jofunksionale.
Me organizimin e ri territorial dhe ndarjen e re administrative, përmes ndryshimit të ligjit ekzistues, përveç komunave dhe qytetit të Shkupit (me 10 komuna në kuadër të tij), do të ishte tepër e dobishme dhe funksionale të bëhet ndarja e re territoriale e Maqedonisë edhe në njësi më të mëdha administrative, në nivel të Rretheve, përkatësisht rajoneve administrative autonome.
Sipas propozimit tonë, i cili mund të pasohet edhe me ide të reja, ndryshime dhe plotësime nga ekspertë të kësaj fushe dhe nga organet kompetente të pushtetit, riorganizimi territorial i Maqedonisë, përveç komunave ekzistuese dhe qytetit të Shkupit duhet të përfshijë edhe njësi më të mëdha administrative, rrethe ose qarqe, me disa qytete dhe komuna të një rajoni me karakteristika të ngjashme gjeografike, historike, ekonomike, kulturore, sociale dhe të tjera, siç janë paraqitur në vazhdim:
1. Rrethi i Tetovës, me qytetet: Tetovë dhe Gostivar (me Mavrovën);
2. Rrethi i Ohrit, me qytetet: Ohër, Strugë, Dibër, Kërçovë, Brodi i Maqedonisë, Krushevë, Demir Hisar dhe Resnjë;
3. Rrethi i Manastirit, me qytetet: Manastir, Prilep dhe Veles (Qupërli);
4. Rrethi i Shkupit, me qytetet: Shkup dhe Kumanovë, me komunat e tyre përreth;
5. Rrethi Shtipit, me qytetet: Shtip, Pallankë, Kratovë, Probishtip, Shën Nikollë, Koçanë, Kamenicë, Dellçevë dhe Vinicë;
6. Rrethi i Strumicës, me qytetet: Strumicë, Berovë, Radovish, Gjevgjeli, Kavadar, Negotinë dhe Dojran.

Në pakon e këtyre ndryshimeve të domosdoshme ligjore mund të shqyrtohen edhe modele të tjera për organizimin territorial dhe ndarjen administrative sipas modelit të propozuar më lartë, edhe atë, mund të shqyrtohet mundësi e bashkimit të dy rretheve të propozuara në rrethe më të mëdha, kështu që, i tërë territori i Maqedonisë do të ndahej në tri njësi të veçanta administrative, ku nga gjashtë rrethet e propozuara do të formoheshin tri rrethe, me atë që: Rrethi i Shkupit dhe Rrethi i Tetovës do ta përbënin një Rreth të veçantë, Rrethi i Manastirit dhe Rrethi i Ohrit do ta përbënin rrethin e dytë, ndërsa Rrethi i Prilepit dhe Rrethi i Strumicës do ta përbënin rrethin e tretë.
Me këtë rast, ua përkujtojmë të gjithë faktorëve vendimmarrës në vend se kjo ide nuk paraqet diçka të re në formën e organizimit territorial dhe ndarjen administrative të shtetit, por mbështetet në traditën e mëhershme të Republikës së Maqedonisë, e cila me disa ndryshime minimale ka funksionuar nga viti 1957 deri në vitin 1965, kur ish republika socialiste jugosllave e Maqedonisë ka qenë e ndarë administrativisht në 4 rrethe, përkatësisht në katër rajone kryesore të Maqedonisë.
Përmes këtij organizimi të ri territorial të Republikës së Maqedonisë do të tejkalohen të gjitha tendencat për ndarjen politike-territoriale të shtetit, si idetë për organizimin e vendit në formë federate ose konfederate, të cilat aktualisht janë tema tepër të ndjeshme për opinionin e brendshëm, duke marrë parasysh mundësinë e riorganizimit më efikas territorial dhe ndarjen administrative të shtetit në njësi më të mëdha dhe më funksionale, në nivel të rretheve, përkatësisht të rajoneve autonome, të cilat do të funksionojnë në formë identike si kantonet në disa shtete evropiane, siç paraqiten në këtë analizë.
Me këtë ndarje do të sigurohet zhvillim i barabartë ekonomik i të gjitha rajoneve të vendit, ndarje e drejtë dhe proporcionale e buxhetit, zbatim më i plotë i përdorimit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në nivel lokal, rajonal dhe në nivel shtetëror, si dhe do të rregullohen shumë çështjeve të tjera, të cilat në mënyrë të veçantë kanë të bëjnë me barazinë dhe të drejtat e popullit shqiptar në Maqedoni.
Modeli i Shqipërisë
Në bazë të Ligjit për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes lokale, të vitit 2000, Republika e Shqipërisë administrativisht ndahet në 12 qarqe, të cilat i përbëjnë 36 rrethe dhe 361 njësi administrative, nga të cilat 61 bashki dhe 300 komuna. Qarqet dhe rrethet përfaqësojnë një unitet administrativ-territorial të përbërë nga disa komuna dhe bashki me lidhje gjeografike, tradicionale, ekonomike, sociale dhe interesa të përbashkëta. Kufijtë e qarqeve dhe rretheve përputhen me kufijtë e komunave dhe të bashkive që i përbëjnë ato. Qendrat e qarqeve dhe rretheve vendosen në një nga bashkitë e tij. Shtrirja territoriale, emri dhe qendra e qarqeve dhe rretheve përcaktohen me ligj.
Modeli i Bullgarisë
Nga viti 1999, Republika e Bullgarisë administrativisht ndahet në 28 rrethe, 264 komuna dhe 354 qytete.
Modeli i Greqisë
Sipas ndarjes administrative territoriale të vitit 2011, Republika e Greqisë ka gjithsej 13 njësi administrative të quajtura periferi (rajone) dhe një regjion autonom, Mali i shenjtë Athos (Agion Oros) – një shtet klerik nën sovranitetin e Greqisë. Këto 13 rajone ndahen në 54 njësi të nivelit më të ulët, si njësi të nivelit të dytë, të cilat po ashtu ndahen në 147 njësi të tjera, kurse ato ndahen në 1.033 njësi më të vogla, nga të cilat 900 njësi janë urbane dhe 133 njësi janë rurale.
Modeli i Zvicrës
Forma e tashme federative e sistemit zviceran, e cila daton që nga viti 1848, e ndanë territorin e Zvicrës në 26 njësi administrative të quajtura kantone, ku secili kanton ka veçoritë e tij sipas përbërjes etnike, karakteristikave gjeografike, historike, ekonomike, kulturore e sociale.
Modeli i Belgjikës
Sipas kushtetutës dhe ligjit, Belgjika ndahet në pesë njësi administrative. Përpos njësive administrative në bazë të kushtetutës ka dhe disa forma të tjera që janë krijuar në baza praktike. Belgjika është një shtet federal dhe përbëhet nga tri komunitete, tri regjione administrative dhe tri regjione gjuhësore. Dy nga tri regjionet kanë nga pesë krahina, kështu që Belgjika ka dhjetë krahina. Pos ndarjes në krahina ajo ndahet edhe në 589 komuna të cilat ndahen në bashkësi të komunave (të cilat para reformës së vitit 1977 kanë qenë komuna të pavarura). Të gjitha format tjera janë lidhje komunale elektorale, politike, juridike, si dhe forma të tjera të lidhjeve në bazë të shërbimeve të veçanta të pushtetit (si shërbimi policor i vendit etj.).
Tradita e mëhershme e ndarjes administrative të Maqedonisë
Nga tradita e mëhershme e ndarjes administrative territoriale të Maqedonisë dallohen periudhat nga viti 1952 deri më 1965, kur Republika Popullore e Maqedonisë ka qenë e ndarë administrativisht në më shumë nivele. Republika e atëhershme ish jugosllave është ndarë në disa rrethe (zakonisht në 7 njësi administrative të këtij niveli), në qytete, komuna urbane (qytetesh) dhe komuna rurale.
Përfundimisht, pa riorganizimin e ri territorial dhe pa ndarjen adekuate administrative të njësive të qeverisjes lokale, Republika e Maqedonisë do të përballet vazhdimisht me pabarazi të theksuar mes rajoneve të vendit, do të shënojë ngecje dhe pabarazi të theksuar në zhvillimin ekonomik, ndërtimin infrastrukturor, investimet kapitale, ndarjen e barabartë të buxhetit për kokë banori, zhvillimin kulturor, mbrojtjen shëndetësore, organizimin e pushtetit ekzekutiv dhe gjyqësor efikas, dhe vazhdimisht do të prodhojë krizë politike dhe ekonomike, duke e rrezikuar sigurinë e vendit, stabilitetin e rajonit dhe paqen ndërkombëtare.
—————————————–
* Ligji për organizimin territorial të vetëqeverisjes lokale në Republikën e Maqedonisë („Gazeta zyrtare e RM”, nr. 55/2004, 12/2005, 98/2008 dhe 106/2008);
* Ligji për vetëqeverisjen lokale (,,Gazeta zyrtare e RM”, nr. 52/1995, 60/1995 dhe 5/2002);
* Ligji për financimin e njësive të vetëqeverisjes lokale („Gazeta zyrtare e RM”, nr. 61/2004, 96/2004, 67/2007, 156/2009, 47/2011 dhe 192/2015).
(23 janar 2017)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura