DR.MOIKOM ZEQO: SHTETI I ARBËRIT, ASPEKTE KULTUROLOGJIKE

Tiranë, 01. 06. 2014 – Shteti i Arbrit është një subjekt historik, por çdo subjekt historik është sinkretik, i shumëfishtë në semantikat e tij. Para disa ditësh vdiq në Paris në moshën 90 vjeçare Mesjetorologu më i madh ndoshta i botës Jacqus Le Goff i cili përdori optika të reja ndriçuese dhe një kod të ri interpretues të mesjetës europiane. Le Goff duhet nderuar edhe nga ne shqiptarët për shënimet analitike ku përmend Shqipërinë dhe mesjetën tonë në integrim të çuditshëm me kulturën universale të orbus cristianitatis. Libri i Le Goff-it për shekullin XII si pikë kthese konceptuale të mesjetës në aspektin global urban dhe qytetar është i dobishëm edhe për studimet shqiptare të mesjetës.
– Në këtë pikëpamje a mund të bëjmë edhe ne një rikonceptualizim të historisë së Shtetit të Arbrit?
– Për t’i dhënë rëndësinë e duhur jo në mënyrë fragmentare? Për të lidhur pikat e këputura?
– Pse në shekujt XII-XIII sendërtohet tek arbrit një vetëdije etatiste, koncept ky i një moduli juridik të pushtetit?
– Pse shteti i Arbrit përkon edhe me krijimin e Regnum Albaniae të anzhuinëve në bregun lindor të Adriatikut?
– Pse Kryqëzatat jo thjesht si instrumente strategjike të militarizimit katolik në Lindje fermentuan shpërbërjen e forcës qendërzuese të Bizantit dhe si ndikuan ato tek arbrit dhe në konfliktin e dy kishave të Perëndimit dhe të Lindjes?

Jacques Le Goff (1 Janar 1924 – 1 Prill 2014)

Këto pyetje kërkojnë përgjigje.
1. Dokumentet për shtetin e Arbrit janë të pakta. Dokumenti më substancial, më i pazëvendësueshëm është mbishkrimi i famshëm i Gziqit, që sot është ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Mbishkrimi, e theksoj është në latinisht, element kulturologjik i patjetërsueshëm i ritualit roman. Ai u zbulua nga Ippeni në 1901, pra 113 vjet më parë.
U rigjet më 1966 nga Shuteriqi. Mbishkrimi për shkak të pjesëve të thyera u kompozua linearisht dhe kuptimisht nga Koço Zheku.
Teksti u studiua edhe nga Injac Zamputi. Teksti ka një logjikë unitare. Informacioni është i jashtëzakonshëm.
Analiza kaligrafike dhe paleografike kërkon një studim më vete. Le të ritheksojmë disa pika.
2. OPTIMUS LEGATUS TRIBUNUS ANTONIUS ILUSTRISIMI GEORGI – dmth I SHKËLQYESHMI LEGATI TRIBUN ANTON I TË PËRNDRITURIT GJERGJ.
– Ç’është ky Anton i Gjergjit të Gentës?
Titulli i tij është katolik, titullaturë e Selisë Papnore, është pra një ndërmjetës i tretë midis Gentòs dhe Arbërisë dhe kjo ka konkluzionin e një nyje traktati të tri palëve me përparësinë e Selisë Papnore padyshim, por që tregon një pozitë më të fortë të Gentës në Arbëri në rrafshin e ritit latin.
Kjo të paktën nënkuptohet dhe ndërvaret prej disa dokumenteve të tjerë.
Në dokumentin e 28 shkurtit 1208 Papa Inocenti III i drejtohet Dhimitrit “princit të arbërve (“arbanensi principi”), i cili me një letër të vet i kërkonte Selisë Apostolike një Legat për ta ndihmuar të ushtrojë pastërtinë e besimit, ku e njofton se po dërgon në Arbëri Nikollën arkidiakonin e latinëve të Durrësit dhe të Arbërisë që bashkë me peshkopin e Arbërisë Palin (arbanensi episcopo) që “të stërvitin” për pranimin e ritit latin, kur të vijë Legati (nuk shënohet emri i tij).
Në 3 korrik 1208 Gjergji, mbret i Zetës dhe aleat i Venedikut i premton Pjetër Zianit, dukës së Venedikut, nëpërmjet Danielit, nuncit të dukës se do t’i japë ndihmë nëse “Dhimitri (i Arbërisë) nuk do të kthehet në besnikërinë e Zotit Dukë dhe do ta sulmojë”. Konflikti me Venedikun është i hapur.
Më 16 gusht 1209 Papa Inocenti III “e urdhëron abatin e shën Pjetrit të Langaricës dhe Nikollën, arkidiakon e Durrësit që “Dhimitrin, gjykatësin e arbërve (“Iudicem Albanorum”) për të përdorur censurën apostolike për kthimin e disa pronave që Dhimitri ja kishte rrëmbyer kryepeshkopit të Durrësit. Këtë përballje, mendoj, e kanë përgatitur si përfundimi i një marrëveshjeje ardhjen e Legatit Tribun Anton, identitetin etnik të të cilit nuk e dimë, pa përjashtuar se edhe mund të jetë arbër i hierarkisë së lartë të kishës katolike.
3. Në mbishkrim flitet për “shpenzimet private të lëna me kusht” edhe më pas “sipas testamentit të Dhimitrit”, që ndërkohë ka vdekur por që në testament ja premton beneficet Progon Protosevastit, nipit.
Tempulli i pajtores Shna Premtes (“Patrona e sanctae Venerandae”) e Ndërfandës në Mysjen e epërm ja blatua me gjithë qejf kombit të denjë “Laeto animo dignae nationi abtulit”) Kjo fjali ka një rëndësi të veçantë. Kombi i denjë janë arbrit. Kjo nënkupton një formim arketipal etnik të dallueshëm por edhe si një kujtesë e rikthimit të ritit latin të mëparshëm ndaj tërheqjes së ritit bizantin.
Në mbishkrimin latin janë fiksuar terminologji të kishës romane: shën Premtja quhet “sancta Venerandae”, titulli bizantin e Progon Protosevast thuhet në latinisht “Progono Sevastoproto”.
Fundi i mbishkrimit është gjithashtu i qëllimshëm dhe kupton një perspektivë tashmë homogjene fetare “mbasi mblodhi kolektivin e kësaj bazilike të zotit (Legati) e gjykoi se ishte nevoja të bëheshin të gjitha gjërat” (“Congregatione hvivs basilice Domini cvneta opus ivssiti fieri”)
Rreshti i fundit ka fjalët “Memento Domine famulo tuo iqest Abbate” (“Kujto o Zot shërbëtorin tënd Abatin”). Nuk ruhet emri i Abatit, ndërsa formula që nis me “Memento Domine” është e rëndomtë me epitafet funerale, ndaj duket si një shtesë më vete e mbishkrimit të mësipërm.
Nga kjo kuptojmë se bazilika ka qenë Abaci kryesore.
Deri më sot nuk janë gjendur rrënojat arkeologjike të bazilikës.
Si ka mundësi?
Injaz Zamputi mendon se bazilika në fjalë mund të ketë qenë e ngjashme me abacitë e mitruara të legalizuara nga Roma si psh ajo e shën Palit të Kabashit të Pukës apo më vonë ajo e Oroshit. Një bazilikë në Nderfande duket e çuditshme, ndaj Zamputi hamendëson një transferim të titullit bazelikal nga një pikë tjetër në Gziq. Kjo duket gati e pabesueshme.
A mundet arkeologët ta sqarojnë këtë enigmë? Vështirësia është e madhe. Sancta Veneranda – shën Premtja, ose shën Parashqevia e ritit grek, në fillim hyjneshë e një tradite të parakrishterimit (e njësuar me kultin e Afërditës, Venerës me kalimin e kohës u njësua me Kishën Katolike me shën Anën, nënën e shën Marisë.)
Nga 275 kisha katolike të regjistruara nga Fulvio Cardignano në shekullin XVII 33 kishin emrin e Soncta Venerandae-s.

Mbishkrimi i Gziqit sot është si emri që i mungon trupi. Bazilika do ketë qenë madhështore. Mbishkrimi i gdhendur në mermer e pasqyron në fakt të tillë.
Ka edhe atribute estetike dhe artistike. Mbishkrimi kornizohet nga motivi ornamental i motivit gërshetë tepër i njohur që nga Antikiteti i Vonë.
Ndërkaq ka të skulpturuar edhe figurën e shqiponjës heraldike me një kokë. Është një vepër arti me semantikë përfaqësuese pushteti dhe identiteti. Shqiponja i ka krahët e ngjitur lart e kokën e kthyer djathtas dhe në sqep ka një unazë, simbolin e pushtetit më të lartë. Kjo stemë heraldike është të paktën që nga fillimi i shekullit XI ose X.
Ajo të kujton një stemë heraldike të shqiponjës po me unazë në sqep, por me krahë të ulur që dokumentohet që në shekullin e VI të Justinianit.
Një shqiponjë të tillë modulare unë kam zbuluar të murosur në formë relievi të epokës justiniane në kështjellën e Ulqinit.
Pra stema e Arbrit ka origjinë bizantine.
Ngjashmëri por edhe dallim. Titujt bizantinë janë mbijetues. Stema e shqiponjës u vu dukshëm në mbishkrim si identitet autonom. Shuteriqi thotë se këtë stemë e përjetësuan princërit dukagjinas – ç’ka duket logjike. Inocenti III qëllimisht e quan Dhimitrin herë princ dhe herë gjykatës të arbërve për shkak të një purizmi katolik.
Por në mbishkrimin e Gziqit stema reziston, por edhe titujt tashmë vendas. Mbishkrimi e ka të fokusuar në substancë historinë e konfliktit. Kjo është dëshmi e dorës së parë si në kuptimin sinkretik por edhe ndarës, si pika ku takohen dhe përplasen kisha e Perëndimit dhe e Lindjes. Mbishkrimi nuk ka dublikatin e vet në greqishten bizantine, asnjë formulë bizantine ndërsa formula Momento Domine është ekskluzivisht latine katolike.
Ndikimi perëndimor zotëron juridikisht në mbishkrim. Mbishkrimi i Gziqit është monumenti shkrimor në latinisht më i rëndësishëm i shekullit XIII në mesjetën shqiptare siç është mbishkrimi në greqisht i shekullit XIV të Epitafit, e përfaqësojnë dy kultura të diferencuara të krishterimit në Shqipëri.
Cili qe skulptori, mjeshtri që e skaliti në mermer mbishkrimin e Gziqit? Ku u gdhend? Arësyet anojnë nga qyteti i Durrësit, ku duhet të ketë ardhur mermeri i importuar e mbase është skalitur aty – këtë e përforcon fakti se motivi ornamentik i gërshetës, siç thashë më sipër, gjendet në disa monumente që ruhen ende sot.
Në rrafshin e jurisprudencës testamentare theksimi i testamentit të Dhimitrit për nipin e tij Progonin tregon edhe ekzistencën e “gjykatësve të cilëve ju shtoftë nderi” (“cedit Ivdicibus quibus honor”) – formë kjo e organizimit juridik në shtetin e Arbrit, që nuk e kemi të qartë si ka funksionuar në aspektin e dyfishtë civil dhe kishtar. Ky institucion dëshmohet për herë të parë në mesjetën shqiptare dhe paraqet interes të veçantë. Roma është e kënaqur me këtë gjykatës të cilit i lavdëron haptas “t’u shtohet nderi”.
Është fjala edhe për një kompromis historik. Dhimitri i Arbrit ka sunduar në vitet 1208- 1216.
Më 1216 ka vdekur edhe Inocenti III, Papa që Jacques Le Goff e quan “me shpirt juridik tepër të ngurtë”, autor i “Contempla mundi” (“Mbi përbuzjen e botës”) që pretendoi ndërmjet epërsisë shpirtërore (“plenitudo potestatis spiritualis”) të vepronte si zëvendës i Krishtit, si mbreti i mbretërisë “res regnum” sipas metaforës “pushteti i Papës është si Dielli, pushteti i mbretërve është si Hëna që e merr dritën nga i pari” dmth primati i Kishës mbi shtetin.
Dhimitri i ka rezistuar Inocentit III, pas vdekjes nipi i tij Progoni ka një tërheqje për një koncept tjetër teologjikokratik.
Kjo hapi rrugën politike e ndërtimit të një formacioni të ri shtetëror i Regnum Albaniae me kryeqytet Durrësin nën sundimin anzhuin me një farë autonomie lokale (Karli Anzhui i njeh titujt zyrtarë të aristokracisë arbëre).
Karli Anzhu ëndërronte projektin e tij perandorak të një Bizanti latin me Durrësin si ftillesë.
Kështu Shteti i Arbrit ravizohet në sfondin e historisë europiane, në ekuacionet e saj. Në këtë pikë mund të ngulmohet më shumë konceptualisht.
5. Shteti i Arbrit na paraqet kulturën e dinastisë, e kalueshmërisë së pushtetit në trashëgimtarët biologjikë Progoni I – 1190-1199, Gjini 1199-1208, Dhimitri 1208-1216, Progoni II 1216. Gjini, Duka sundoi në 1280 etj. Nga kjo pikëpamje martesat kishin karakter politik. Nga pikëpamja kulturologjike Shteti i Arbrit është i lidhur me Jurisprudencën bizantine. Ky është një fakt. Kemi një korpus dokumentesh që restaurojnë situatat autentike.
Dihet që dinastia e Shtetit të Arbrit, një dinasti arbërore, vazhdoi në tre breza sundimin e vet.
– I pari kryezot arbëror është Progoni.
– Pas Progonit, kryezot i Arbërisë bëhet Dhimitri.
– Vëllai i Dhimitrit është Gjini.
Dhimitri u martua me Komnenën, që i takonte familjes perandorake të Aleksit III Engjëlli.
Dhimitri vdiq më 1216 dhe gruaja e tij Komnena, mbeti e vé.
Që të mbijetonte trashëgimia e Shtetit të Arbrit, Komnena u martua me një bujar arbëresh, të quajtur Grigor Kamona.
Por Grigori qe martuar më përpara me vajzën e Gjinit, që ishte i vëllai i Dhimtrit. Grigori qe ndarë ligjërisht me gruan e parë, për të marrë si grua të dytë të venë e Dhimitrit.
Pikërisht ky veprim shpërtheu një konflikt të madh dhe të pabesueshëm. Kryepeshkopi i Krujës, e quajti martesën e dytë të Grigorit si një martesë të paligjshme, që nuk respekton rregullat kanonike kishtare.
Grigori e kuptoi se sulmi ndaj tij qe politik, kurse argumenti i këtij sulmi gjoja qe teologjik. Por në mesjetë, politika dhe teologjia kanë qenë përherë bashkë.
Nuk mund të ndaheshin në pjesë përbërëse dhe autonome.
Konflikti për martesën, qenë substancë konflikt për ligjshmërinë e trashëgimisë së kreut të shtetit. Grigori u mbrojt, por dhe peshkopi i Krujës me protestën e tij përfaqësonte një grup kundërshtarësh të rreptë, madje edhe nga rrethi familjar i Dhimitrit të Arbrit.
Ka mundësi që edhe gruaja e parë e Grigorit, që ishte vajza e Gjinit dhe që e kishte xhaxha Dhimitrin, ta ketë kundërshtuar me forcë martesën e Grigorit me vejushën Komnena, e cila ishte gruaja e xhaxhait të gruas së parë të Grigorit.
Çështja duket tepër e komplikuar dhe hyri në hullinë e një diskutimi të tmerrshëm. Rolin e arbitrazhit juridik dhe teologjik e luajti kryepeshkopi i Ohrit, i quajtur Dhimitër Komationi.
Po kush është ky Dhimitër Komationi? Çfarë dimë për këtë Dhimitër Komationin?
Dhimitër Komationi ka jetuar në shekullin XIII. Mbaroi studimet e larta universitare për jurisprudencë në Konstandinopojë.
Në vitin 1200 u dërgua në Ohër, si kryearkivist i kryepeshkopatës. Në 1215 bëhet Kryepeshkop, këtë detyrë të lartë e mbajti deri në 1234.
Si intelektual, ai ka lënë shumë vepra të shkruara.
Në vitin 1891 studiuesi J.B.Pitra, botoi librin e quajtur “Analecta Sacra”, ku janë botuar gati dhjetë letra të Dhimitër Komationit që lidhen drejtpërdrejtë ose tërthorazi, me historinë mesjetare të shqiptarëve.
Në letrat e tij jepen përgjigje mbi probleme të ndryshme ekonomiko-shoqërore, deri dhe për çështje të ndërlikuara familjare.
Letrat mbështeten në ligjet e kohës, kanë vlera të përgjithshme dhe mbështeten te korpusi bizantin “Bazilikat”, që është kodi i sistemuar i së Drejtës Juridike Justiniane dhe të rregullave kodifikuese të bëra nga juristët bizantinë të shekujve VI dhe VII.
Si klerik i lartë Komationi nuk injoron asnjëherë kanunet kishtare. Është tepër interesante të japim disa fragmente nga letrat e kryepeshkopit të Ohrit.
Në një letër të vitit 1215 drejtuar Grigor Kamonës, kryepeshkopi riprodhon letrën origjinale të Grigorit, në formën e një pyetjeje për ligjshmërinë e martesës së tij me të venë e Dhimitrit të Arbrit.
Kryepeshkopi i Ohrit tregon se sipas ligjit ekziston pengesa ligjore e martesës me vajzën e vëllait ose të motrës, madje edhe me mbesat e tyre. Po kështu ndalohet me vajzën e xhaxhait, të hallës dhe të tezes, por dhe me ata që konsiderohen kushërinj të dytë.
Kjo ndalesë është kufiri i martesave të ndaluara prej gjakut, ligjësuar nga Sinodi i Konstandinopojës i vitit 1126.
Kryepeshkopi i Ohrit jep disa shembuj nga historia e rasteve të ndaluara.
Me rastin e martesës së Grigorit me fisniken Komnena, sipas letërshkruesit ekzistojnë tre persona, Gjini që është vëllai i tretë i Dhimitrit të vdekur si dhe vajza e Gjinit, që së bashku e bëjnë të gjerë distancën ndërmjet Grigorit me Komnenën, duke e treguar martesën e tyre si të padëmshme, kështu kjo martesë nuk identifikohet me atë që ndalohet prej ligjit.
Sipas ligjit xhaxhai ose nipi, që qoftë se përzihen me kushërira të para të një fisi tjetër, martesat i kanë të ligjshme, sepse distancohen ndërmjet tyre me hapësirën ligjore dhe nga ko nuk e ndotin farefisin. Xhaxhai dhe nipi mund të jenë bashkëdhëndurrë te një fis tjetër, dhe martesat e tyre të jenë të ligjshme.
Si rrjedhim, sipas kryepeshkopit të Ohrit, Grigori ka një martesë të ligjshme, prandaj sulmi kundër tij del jashtë kuadrit ligjor dhe kanonik.
Kjo letër zyrtare e kryepeshkopit të Ohrit, e ka qetësuar Kryezotin e Arbërisë, Grigorin. Pa dyshim që Grigori e ka përdorur këtë letër si një argumenti përfundimtar.
Mund të kuptojmë se martesën e tij Grigori me Komnenën të vénë e Dhimitrit, duhet ta ketë kurorëzuar në kryekishën e peshkopatës së Ohrit, dhe jo në atë të peshkopatës së Krujës.
Por konflikti nuk përfundon. Kryepeshkopi i Krujës reagon përsëri.
Ne njohim letrën që kryepeshkopi i Ohrit i dërgon atij të Krujës në vitin 1215.
Dhimitër Kamationi shkruan: “Prej kohësh është paraqitur nga ne një letër lidhur me martesën e përfolur që përmban gjerësisht mendimin tonë lidhur me këtë, që e konsideron legale kryerjen e kësaj martese, në bazë të vëzhgimeve të nxjerra nga vendime dhe kanune të lashta”.
Pasi citon emra juristësh në letër përmendet dhe sundimtari i Krujës i quajtur Pliti. Pliti emërtohet me të njëjtën shkallë hierarkie “pansevast” po ashtu si Grigor Kamona. Asnjë historian nuk është thelluar dhe nuk ka folur për Plitin e Krujës.
Kuptohet që Pliti është ai që ka shtyrë kryepeshkopin e Krujës në këtë luftë për pushtet kundër Grigorit. Fakti që Pliti është qeveritar që ka rezidencë Krujën, tregon se është shumë i rëndësishëm.
Kruja qe rezidencë e dyfishtë, peshkopale dhe shtetërore. Ajo qe kryeqendra e Shtetit të Arbrit. Pliti, të cilit nuk ia dimë mbiemrin mund të ketë qenë një nga bujarët arbëreshë, që ka pretenduar të bëhet kryezot i Arbrit.
Ai ka përfaqësuar partinë politike kundërshtare, kundër partisë tjetër të përkrahur më shumë dhe më qartë nga Komnena e veja e Dhimitrit.
Kjo është arsyeja që nismën e martesës mund ta ketë marrë Komnena si një aleancë politike me Grigorin, i cili deri në atë moment, pra para martesës, qe guvernatori i Despotatit të Epirit.
Kjo martesë me karakter absolut politik, bëri të mundur që partia politike e të vesë së Dhimitrit të fuqizohet me anë të të Grigor Kamonës, duke i dhënë kështu këtij të fundit privilegjin e shtetarit të parë, të kryezotit të Arbrit.
Nga guvernator i Despotatit të Epirit, Grigori triumfon në luftë politike, ndonëse ka kundërshtarë shumë të fuqishëm dhe kryesorë si Pliti dhe kryepeshkopi i Krujës.
Por është fakt që sundimi i Grigorit në vitet e ardhshme, është plot kontradikta dhe shprehje e një dekadence të shtetit.
Për fat të keq emri i Plitit i cili qe një “pansevast” me titull të madh hierarkik dhe pretendues për fronin, nuk del më në kronikat historike.
Dua të shtoj dhe diçka tjetër të veçantë nga letrat e Dhimitër Kamationit. Kështu, në një letër të shkruar në maj 1223, kryepeshkopi i Ohrit shtjellon një teori për ligjshmërinë e një testamenti ku përfshihen të gjithë ata, që gëzojnë sipas ligjit të drejtën e trashëgimit.
Rasti i testamentit lidhet me një familje nga qyteti i Durrësit. Një banor durrsak me peshë të madhe në qytet, i quajtur Gjergj Alyati i shkroi një letër kryepeshkopit të Ohrit, ku i shpjegon se i ndjeri Gjon, babai i vjehrrit të tij Tanushit, kishte qenë baba i shtatë djemve. Katër prej tyre, që i lidhi me ë të ndryshme, u dha nga pasuria e tij pjesë të përshtatshme.
Gjithashtu martoi dhe Tanushin dhe Thomain dhe që në fejesë u bëri marrëveshje martesore, për t’u ndarë edhe atyre pjesët përkatëse të pasurisë etj., etj.
Gjoni para vdekjes e shkruan testamentin dhe cakton kujdestar të pasurisë, gruan dhe djalin e tij Tanushin.
Pas një kohe të shkurtër, disa katastrofa dhe trazira ngjajnë në jetën e Tanushit, të cilat e bëjnë atë të banojë afër Dibrave, për një kohë të shkurtër si parik.
6. Këto aspekte kulturologjike të kohës tregojnë jetën e arbërve, të aristokracisë, hibridizimin fetar.
Teza e Shuflait se mesjeta shqiptare është e nivelit europian është e besueshme. Faktori europian i kryeqyteteve prishi qendërzimin tradicional bizantin.
Shteti i Arbrit është paradhoma etatiste për krijimin e formacioneve shtetërore të Balshajve dhe Topiajve, Arianitëve, Muzakajve, Dukagjinëve, Kastriotëve. Shteti i Arbrit e ka këtë konotacion zanafillor paraprijës.
Shteti i Arbrit krijoi traditën e Kanunit të Lekë Dukagjinit, me arketipe zakonore jo pa lidhje me Nomon Gjeorgjikon të shekullit VI, ku e drejta zakonore bizantine krijon mutacion me të drejtën zakonore shqiptare, traditë vendase e inflirtuar nga elemente të Perëndimit dhe të Lindjes me një matricë arbërore – ballkanike.
Tabuja e mungesës së aftësive shtetëformuese të shqiptareve besoj është e rrëzuar, si një mitologji negativiste.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura