DR.MUHAMET PIRRAKU: TEZA E GJYKIME TË PROF.DR.HAKIF BAJRAMIT NË LIBRIN: “EPOKA E ADEM DEMAҪIT”

Pashtriku.org, 29. 02. 2016: (Në 80 vjetorin e lindjes) – Lideri është personi komplet që ka karakter të pathyeshëm, që e njeh detyrën deri në profesion të përkryer, që ka kompetenca dhe ambicie për t’i realizuar vizionet, i cili nuk merret fort me faktin se si të punojë, por me imperativin çka të punojë, duke e vërejtur realitetin me një guxim që vrojton jo vetëm me sy, por vëren dhe punon me syrin e mendjes dhe të shpirtit për të bërë ndryshime kolosale në dobi të kombit dhe të njerëzimit;
– Lideri si Adem Demaçi kurrë nuk vepron në bazë të instinkteve, por gjithmonë mbështetet në analiza të cilat i studion në lëvizje me një aftësi që krijon realizëm, por jo emocione dhe metafora politike;
– Adem Demaçi – fenomen evropian;
– Demaçi – politikan dhe strateg i Çështjes kombëtare;
– Adem Demaçi ishte një njeri që kërkonte liri për një komb, pa ia rrezikuar askujt lirinë;
– Adem Demaçi ishte një personalitet serioz, para të cilit edhe kundërshtarët më të mëdhenj do të ecnin përtokë;
– Adem Demaçi doli nga burgu i parë (1958 – 1963) me një edukatë dhe fjalor me të cilin mund t’i jepte këshilla çdokujt;
– Filozofia dhe gnoseologjia e veprës së Demaçit janë një fushë të cilën duhet ta hulumtojnë institucionet ose akademitë e shkencave;
– Adem Demaçit – institucion kombëtar shqiptar që ka vepruar personalisht edhe brenda burgut, sidomos për kauzën e lirisë në përgjithësi dhe njëkohësisht për kauzën kombëtare;
– Koha tregoi, se praktika e gjeti udhërrëfyesin e vet më dinjitoz;
– Demaçi nuk ishte vetëm dinjitoz, por ishte edhe vizionar, ishte lider politik e shpirtëror i pjesës më të mirë të popullit, sidomos i asaj pjese të rinisë;

– Adem Demaçi edhe sot është luftëtari më i madh në botë për mos urrejtje dhe për drejtësi universale;
– Adem Demaçi është njëri ndër liderët më të mëdhenj shqiptar në këtë shekull;
– Adem Demaçi në vitet pesëdhjetë të shekullit XX do të paraqitet si meteor në skenën politike shqiptare, për ta shpëtuar një popull nga shfarosja totale, siç synonte okupatori serb (1945 – 1966);
– Demaçi është njëherësh njeriu më i vuajtur dhe më i sakrifikuari për të drejta të kombit të vet dhe të njeriut në Evropë;
– Adem Demaçi nuk është historia e Ballkanit, por është metafora e të gjitha pësimeve të tij, është kryqëzata më fitimtare dhe më dinjitoze e luftës dhe sakrificës, është simboli më sublim i daljes së historisë shqiptare nga inferioriteti;
– Demaçi është amaneti i Bajram Currit, është mësues i gjeneratës së Fehmi Lladrovcit: “Nuk ka nder ma i madh për mua se me vdekë për Kosovë!«
– Adem Demaçi ka bërë me burgun e tij, me sakrificën dhe qëndresën e tij politike, me diplomacinë e tij që historia dhe ardhmëria shqiptare mos të mbeten të kontrolluara;
– Nëse Rene Dekarti i solli civilizimit filozofinë: “cogito, ergo sum” – mendoj, pra jam, Adem Demaçi i solli kulturës botërore filozofinë:“mendoj dhe veproj, pra jam, për lirinë universale”;
– Nëse ilegalja shqiptare ishte universitet për shembjen e Jugosllavisë, Adem Demaçi ishte rektori i tij;
– Nëse politika shqiptare udhëhiqet në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Shkup-Tiranë, atëherë Adem Demaçi është Pitagora i saj;
– Tito me »Marrëveshjen Xhentëlmene 1953« në bashkëpunim me Turqinë në mënyrë perfide planifikonte shfarosjen (spastrimin) e shqiptarëve përmes dy metodave përnjëherë, ose në disa etapa, deri më 1961.
– Shqiptari i sojit të Adem Demaçit nuk ka mundur t’i vërente këto krime mbi popullin e vet pa një reagim, pa një program ku shpalohej rruga se si të shpëtohej populli nga një shfarosje e sigurt;
– Adem Demaçit që nga viti 1954 kultivoi vizionin për ndarjen e Kosovës, përgjithmonë, nga Jugosllavia, por si strategji e qartësoi më 1964;
– Adem Demaçi, do ta konceptojë një doktrinë të re dialektike, do ta përpilojë një strategji të mirëfilltë kombëtare, për ta përballuar dhunën, për ta ruajtur substancën kombëtare, për ta ruajtur çdo pëllëmbë të truallit arbëror;
– Adem Demaçi ligjet jugosllave të »drejtësisë« me kohë dhe në shkallë vizionare i konsideroi si ligje diverzive, të padrejta, koloniale dhe ligje që mbillnin urrejtje;
– Programi i Adem Demaçit e çmonte realitetin, por e respektonte mbi të gjitha luftën
për drejtësi si synim i civilizimit;
– Për Bacë Ademaçin mbetej fare racionale që të hapet shansi dhe e drejta për ta hapur portën tjetër, për të hyrë shqiptarët në kalanë gjithëkombëtare të lirisë me luftë;
– Okupatori në fillim kishte iluzione se Adem Demaçin do ta blinte me një çmim shumë të volitshëm, me pak premtime dhe me disa ekzaminime teatrale, me disa molerime të drejtësisë;
– Adem Demaçi besonte në inteligjencien, por kurrë ai nuk e ka anashkaluar në spekulimet e tij politiko-filozofike çështjen e katundarisë, çështjen e punëtorisë, çështjen e zejtarëve, çështjen e qytetit dhe fshatit për t’u ngulitur populli sovran në fronin e luftës për liri universale;
– Adem Demaçi në familjen shqiptare ishte bërë informata më e »ndaluar« dhe më e përfolur, ishte bërë ora kombëtare që rrah më sigurt se kudo në botë, që nuk e huq asnjë sekondë për Çështjen madhore kombëtare të lirisë dhe bashkimit;
– Në gjykatore Adem Demaçi, në vend që të pendohej, do të shpërthente me tërë fuqinë e argumenteve kundër një sistemi gjakatar;
– Adem Demaçi nuk do të kalkulonte fare, me tërë aftësinë do të vërsulej në kërkesën që Kosova me vetëvendosje të orientohet nga dëshiron populli;
– Orientimi që Kosova përmes rrugës paqësore t’i bashkohet Shqipërisë, ishte kërkesa sublime e orientimit politik të luftëtarit më të devotshëm të kombit, për lirinë e tokave shqiptare, të cilat ishin rirobëruar më 1912;
– Adem Demaçi në pozicionin e LIDERIT i njihte aftësitë e personaliteteve shqiptare, i njihte mirë orientimet politike në Evropë, prandaj në fillim do të tregohej individualist i madh në luftë, por ai individualizëm nuk ishte filozofia e tij strategjike, por ishte ajo luftë, ishte dobësia e përgjithshme e pjekurisë politike të popullit;
– Adem Demaçi e dinte fare mirë se politika serbe mbi Kosovën kishte bërë plane një kohë të gjatë për t’i asgjësuar të gjitha gjurmët kombëtare shqiptare nga kjo pjesë e Shqipërisë etnike;
– Adem Demaçi e dinte fare mirë se hapja e fakulteteve dhe shkollave të larta në Prishtinë, nuk e amortizonte luftën e tij, por, përkundrazi, e forconte dhe e ashpërsonte, sepse deficiti më problematik për politikën e Demaçit më 1958 ishte ai i mungesës totale të një politike intelektuale;
– Adem Demaçi kurrë nuk e ka mohuar se edhe para tij ka pasur politikanë patriotë shqiptarë. Do të dallohej prej të tjerëve që përpos sakrificës, do të kërkonte luftë intelektuale;
– Ka pasur lëvizje cikcake,deri me dukjen e Adem Demaçit se Kosova duhet në rend të parë të nxirret nga gjiri i Serbisë, ndërsa nga gjiri i Jugosllavisë kërkohej niveli republikan;
– Në ilegalen shqiptare ka pasur edhe zëra të atillë të cilët qysh më 1951/2 kishin nxjerrë zërin se Kosova duhet ta ndryshojë statusin e saj drejt bashkimit me Nënën Shqipëri;
– Mirëpo, Zgjidhje e zgjidhjeve për ilegalen shqiptare ishte dhe mbeti statusi përfundimtar i Kosovës;
– Lideri shpirtëror i shqiptarisë, Adem Demaçi, është bashkuesi i ilegales shqiptare ne një Programit politik, udhërrëfyes historik i Bashkimit politik shqiptar, nën emrin “Programi i Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve«;
– »Lëvizja revolucionare për bashkimin e shqiptarëve«, e vitit 1963, ka një histori e cila lidhet drejtpërdrejt me emrin e Adem Demaçit;
– “Programi i Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” kishte katër pika që nuk mund të mos përmenden, si Betim i brezave:
“1. Qëllimi i parë dhe i fundit i Lëvizjes sonë është sigurimi në shumicë prej shqiptarësh, që gjinden ende nën administrimin e Jugosllavisë d.m.th. qëllimi i parë dhe i fundit i Lëvizjes sonë është çlirimi i krahinave shqiptare të aneksuara prej Jugosllavisë dhe bashkimi i këtyre krahinave me nënën e vet – Shqipërinë.
2. Lëvizja jonë për me mbërritur qëllimin e lartpërmendur ka me përdorur të gjitha mënyrat dhe mjetet që i vijnë përdorë – prej atyre politikopropagandistike – mjetet paqësore e deri te lufta e armatosur dhe kryengritja e përgjithshme popullore.
3. Në realizimin e së drejtës së patjetërsueshme të popullit shqiptar për çlirim dhe bashkim, Lëvizja jonë do të pranojë, me miradije të madhe, çdo ndihmë e përkrahje të sinqertë, materiale dhe morale – prej ngado dhe kujtdo që i vijnë e t’i ofrohen.
4. Lëvizja jonë nuk drejton aktivitetin dhe luftën e vet kundër Jugosllavisë dhe sistemit të saj shoqëroro – ekonomik si tërësi, por aktiviteti dhe lufta e saj do të vazhdojë, do të shkojë deri në atë shkallë, sa t’i çlirojë dhe t’i bashkojë me Shqipërinë krahinat shqiptare të aneksuara prej Jugosllavisë”.
– Ky program ngërthen kërkesat historike legale dhe ilegale jetësore të kombit shqiptar në të gjitha etapat e historisë, si dje edhe sot ende i copëtuar me dhunë ndërkombëtare;
– Lëvizjes ilegale revolucionare për bashkimin e shqiptarëve, e përshkonte pra shqiptaria dhe jo ngjyrat politike;
– Demonstratat e vitit l968 me emrin e Adem Demaçit i kishin vënë në strategjinë filozofike qytetare evropiane, ndërsa Demonstratat e vitit l98l, gjithashtu Lëvizja shqiptare i kishte vënë në ballë të luftës politike shqiptare për zgjidhje.
– Lidhur me këtë rrugë të vështirë për liri dhe bashkim të Kosovës me Shqipërinë, në rend të parë do të shkëlqejë Adem Demaçi me një lagje të re patriotësh, lufta e të cilëve ishte e programuar deri në detalin më sublim;
– Në një dokument të qarqeve jugosllave më 1967, do të thuhej decidivisht: «Adem Demaçi paraqet rrezikun më të madh që problemi Kosovar të na dalë një ditë prej dore«;
– Metoda paqësore e luftës në Programin e “Lëvizjes revolucionare për bashkimin e shqiptarëve”, është koncentruar si doktrinë politike. Lidhur me këtë në Program nuk janë caktuar limitet e saj kohore, as mjetet e saj të luftës, sepse konsiderohet se ishin të njohura;
– Lëvizja revolucionare, sipas shumë të dhënave, kishte në plan grumbullimin e »armëve«, por ai grumbullim kurrë me asnjë argument nuk është dëshmuar;
– Metoda paqësore për Lëvizjen, le të kuptohet se krijuesit dhe ideatorët nuk ishin fanatikë-militantë, por ishin filantropë, aq më parë kur dëshmojnë se nuk janë kundër Jugosllavisë dhe sistemit të saj, por janë që Kosova t’i bashkohet Shqipërisë, sepse lufta e tyre ishte e drejtë, sepse kërkesa e tyre ishte legjitime;
– Filozofia e Adem Demaçit nuk kishte shans që të dilte humbëse historike;
– Me Programin e »Lëvizjes revolucionare për bashkimin e shqiptarëve« lufta paqësore dhe kryengritja e armatosur e kishin një karakter, i cili i kishte dy pika të drejtpeshimit të hapërimit historik;
– Po mos të kishte në mes të luftëtarëve të ilegales ndonjë konflikt strategjik, po mos të kishte në luftën e legales iluzione fikse, koha e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të vinte më shpejt;
– Fuqia politike, sakrifica morale dhe shpirtërore e Adem Demaçit, në Çështjen kombëtare, se nga do të shkojë Kosova, ka dominuar afro një gjysmë shekulli, për t’u pozicionuar aty ku duhet, në embrion;
– Kastave politike në Shqipëri, nuk kanë sakrifikuar asgjë për Çështjen e Kosovës si e shtronte Adem Demaçi;
– Adem Demaçi është personalitet i veprave të mëdha dhe sakrificave që të tjerët nuk mund t’i durojnë;
– Adem Demaçi e filloi burgimin më 1958, si »individualist«, kur e mbaroi burgun e fundit më 1990, i tërë populli brohoriste emrin e tij, e tërë Kosova ishte në këmbë;
– Në vitet e 90-ta Demaçi do të bëhet vizionar dhe kreator i NEOLUFTËS me UÇK-në në ballë;
– Demontimi i sistemit dhe demontimi i shtetit të Jugosllavisë, ishin konceptet më të njohura që burojnë nga filozofia ekliptike e Adem Demaçit;
– Adem Demaçi e filloi burgun vetëm, por e mbaroi me disa »divizione« shqiptarësh nëpër burgje, të cilët u bënë universiteti më i organizuar në luftë për liri. E vërteta Adem Demaçi nuk ishte »rektor« i atij universiteti, por ishte ideolog dhe prijës shpirtëror i asaj shkolle kombëtare, në luftë për liri. Në këtë shkollë çdo shqiptar i vërtetë ka luftuar të bëhej nxënës i Demaçit;
– Adem Demaçi do të lajmërohet në demonstratat e vitit 1968 përmes atyre patriotëve që ishin të nxitur prej tij. Ajo gjeneratë kishte për qëllim demontimin e sistemit të Jugosllavisë;
– Frytet e para legale nga Programi i Adem Demaçit, i cili e drejtonte Lëvizjen revolucionare ishin demonstratat e vitit 1968 dhe 1981 për liri dhe bashkim të shqiptarëve;
– Asgjë nuk do ta ndalte gjeneratën e Adem Demaçit në anën tjetër se më 1981 do të fillonte shkalla tjetër e demontimit të shtetit Lidhur me këtë itinerar të vijave të thella politike më 1 tetor 1997 Adem Demaçi do të ndahej përgjithmonë nga metoda paqësore dhe do të vërsulej në aplikimin e metodës së luftës së armatosur, më vonë edhe si shef i Zyrës politike të UÇK-së;
– Mbi të gjitha Adem Demaçi do të mbetej luftëtari më i devotshëm i fjalës së lirë;
– Në luftën e Adem Demaçit kanë hise edhe dhjetëra e dhjetëra intelektualë patriotë që ishin survejuar për të njëjtën çështje para tij , dhe me të e deri më 10 qershor 1999;
– Karakteri i çlirimit kombëtar, i kuptuar sipas Adem Demaçit, nuk është vetëm luftë për bashkim, por është dhe mbetet kërkesë për çlirimin shpirtëror, për ta krijuar populli një dinjitet stoik se nuk ka fuqi që do të mund ta qesë fare, se nuk ka fuqi që do ta ndalë atë popull drejt pjekurisë politike kombëtare, kur e mënjanon frikën dhe kur e vendos për të rezistuar;
– Mësimi i Adem Demaçit për formimin e kombit është mësim dialektik, është koncept i hollë shkencor që i ka qëndruar kritikës, edhe asaj me pendë, edhe asaj me armë;
– Në Programin e Lëvizjes, Adem Demaçi e shtron analizën dinjitoze lidhur me kryengritjen e Drenicës më 1945.
– Në Program, gjithashtu, i bëhet analizë gjendjes politike, kulturore, sociale dhe shëndetësore në Kosovë;
– Të ashtuquajturit Kuvendit të Prizrenit më 10 korrik 1945, Adem Demaçi e quan me të drejtë »llakërdi«;
– Adem Demaçi është filozof i perspektivës, i racionalizmit dhe i apriorizmit në përgjithësi, sepse me guxim të pashoq i hyn problemit i cili në shikimin e parë »nuk kishte zgjidhje«;
– Ky luftëtar është politikani i parë shqiptar që e nxjerr doktrinën filozofike racionale, duke iu shmangur transcendentalizmit dhe fokusimit të »realitetit për vete«;
– Demaçi i qorton të gjithë ata që ia kishin copëtuar Shqipërinë, që e kishin kthyer një pjesë të kombit të tij në pozicion të mundshëm për shfarosje;
– Demaçi e qorton edhe kombin e vet, se po nuk veproi, po nuk lëvizi, po nuk reagoi paqësisht përmes një evolucionizmi psikologjik, duke iu afruar kështu substratit filozofik të demonstratës, e cila do të ngjajë më 1968;
– Adem Demaçin është fat kombëtar sepse është karakter i pathyeshëm, sepse është në rend të parë filantrop dhe misionar i lirisë universale;
– Adem Demaçi me orientimin e tij patriotik do t’ia ndezë kombit zemrat, do t’ia ngrohë shpirtin popullit për sakrificën që e bënte, edhe pse hapur nuk kishte guxim të solidarizohej me të;
– Në veprën e tij »Gjarpijtë e gjakut« Adem Demaçi e lufton vajtimin dhe rënkimin, e kërkon nga populli pozicionin e njeriut që qesh, që është i gëzuar, që e do lirinë;
– Adem Demaçi kërkon që populli të bashkëqëndrojë, të veprojë me forcë koncentrike kundër çdo prapambetjeje;
– Adem Demaçi lufton që tërë populli të ndihet përgjegjës për atë gjendje që është, për atë pozicion që ka, ta pranojë kritikën dhe të edukohet në të;
– Adem Demaçi edhe më 1992 në TV-në e Beogradit ishte vizionar, por askush nuk deshi ta dëgjonte dhe tash, të gjithë po i numërojmë viktimat, po i shërojmë plagët, por mjerisht shumëkush është bërë patriot dhe po e politizon livadhin e vet;
– Demaçi: Luftën tonë, po dëshiruam sukses të plotë, duhet ta përqafojnë të gjitha shtresat e popullit;
– Për Adem Demaçin, mbetet aksioma se lufta jonë është e drejtë!;
– Demaçi, Lideri për Shqipërinë etnike;
– Lideri shqiptar jo vetëm më parë, por edhe gjatë tërë shekullit njëzet, e kishte vështirë të promovohej me të gjitha vetitë që i duheshin.
– Lufta e Adem Demaçit në Forumin Demokratik në vitin 1990 ishte largpamëse dhe vizionare, sepse prej të gjithëve kërkonte politikë aktive e jo konservim dhe frikësim të popullit;
– Edhe sigurimi i Shqipërisë në anën tjetër nuk kishte interes që Adem Demaçi t’i kalojë kufijtë e Kosovës me autoritetin e tij, sepse edhe atje kishte frikë se një ditë do të »demaçizohej« e tërë Shqipëria, sikurse Kosova;
– Ademi: Kosova duhet të nxirret nga Serbia. Së këndejmi ngritja e Kosovës republikë e kishte qëllimin e fitimit të statusit nga vetëvendosja në Shkëputje;
– Jugosllavinë do ta shtrojnë përdhe dhe do ta komprometojnë deri në humnerë, pikërisht nxënësit e Adem Demaçit dhe Metush Krasniqit, shkolla kombëtare demaçiane e ilegales dhe legales, për të shpërthyer me tërë vrullin revolucionar gjithëpopullor në demonstrata më 1981;
– Shkolla e Adem Demaçit me këto ngjarje kthese tanimë kishte fituar të drejtë qytetare. Më nuk kishte dilemë, demonstratat nuk patën të ndalur, e vunë Çështjen e Kosovës në krye të çështjeve politike evropiane;
– Rinisë shqiptare i duhej vetëm një muaj për t’i përgatitur demonstratat, ndërsa qarqeve në pushtet i duheshin vite për t’i kuptuar ato;
– Me emrin e Adem Demaçit filloi Lëvizja e Pajtimit Kombëtar të cilës i printe profesori i urtë Anton Çetta;
– Në nëntor të vitit 1998 Adem Demaçi do t’u drejtohet këshilltarëve politikë: është nder të vritemi për liri të këtij populli;
– Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte nevojë për afirmim të mëtejmë politik dhe diplomatik. Adem Demaçi do të bëhej ai që për çdo ditë edhe nga gjashtë ekipe të gazetarëve do t’i drejtonte nëpër viset e ndryshme të Kosovës. Nënshkrimi i Adem Demaçit ishte pasaporta më valide për ta shkelur tokën e Kosovës çdo diplomat dhe gazetar i huaj;
– I pyes disa shkrimtarë dhe zhurnalistë që iu kanë vërsulur Demaçit për qëndrimin ndaj Konferencës së Rambujesë, e kuptojnë ata politikën e filozofisë?;
– Për mospjesëmarrjen e Adem Demaçit në Konferencën e Rambujesë, anash vuajtjet shpirtërore të tij, sepse nuk mund të pajtohej me 3000 policë serbë dhe dyfish më tepër ushtarë serbë që të mbeten në Kosovë; Adem Demaçi i dinte fare mirë kornizat e tubimit të Rambujesë, i njihte më mirë se çdo politikan shqiptar prapaskenat serbe, në anën tjetër;
– Projekti i Rambujesë ishte evropian. Por, në qarkullim ishte edhe projekti amerikan. Ky projekt parashihte vendosjen e forcave të NATO’s në Serbi; nga Kosova largoheshin të gjithë ushtarët dhe policët serbë. Në Kosovë vendosej protektorati me afat. Pa “kryeneçësinë” e Demaçit nuk do të vihej në jetë Projekti Amerikan;
– Edhe tashti diikush do të pyeste: “Pse nuk po e merr sërish Adem Demaçi pozitën e prijësit.?!?”
– E them me kompetencë, se sot shqiptarizmi është mbushur me demagogë dhe personalitete të korruptuar, saqë edhe një herë po të lindte Demaçi, nuk do të kishte çka të bënte. Çështja shqiptare i ngjason asaj vjershës së Vaso Pashës;
– Adem Demaçit pra duhet t’i ndihmohet në të gjitha fushat politike, por edhe ai duhet të zbresë paksa në kooperim me liderët e vegjël, pa të cilët nuk mund të mbahet në fronin e vërtetë asnjë lider i mirëfilltë;
– Lideri ka të bëjë me faktin se ai duhet të bëhet produkt për të sjellë dobi për të tjerët, e jo për vete, pothuajse nuk po mund të gjendet lider shqiptar që komunikon me opinionin e vet me sy, me shpirt dhe me mendje, duke parandier me një intuitë tërë peshën e detyrave se çka duhet bërë për momentin dhe në të ardhmen;
– Ka ardhur koha që idealin e ardhmërisë mos ta shprehë vetëm Lideri, por atë ideal ta shprehë populli për t’u bërë kombi shqiptar ai që është dhe
duhet të jetë;
– Do të përmbyllja: “S’janë jo të huajt që e shpëtojnë Shqipninë, Janë shqiptarët e askush tjetër, Mbani ne mend se është fjalë e vjetër…!”

I zgjodhi dhe i klasifikoi Prof.Dr. Muhamet Pirraku
Prishtinë, 23. 06. 2010

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura