DR.NEBI DERVISHI: E VËRTETA MBI MAQEDONINË ANTIKE (1)

Pashtriku.org, 21. 05. 2015 – Kohët e fundit ka pasur një rritje të vëmendjes e të veprimtarive mbi maqedonasit antikë, e shoqëruar me angazhime, prononcime e deklarata të shumta, kryesisht të akademikëve, studiuesve, antropologëve, linguistëve e politikanëve dhe ca “dr shkencash”, si V. Tuperkovski e Fërckovski e të tjerë. Ky angazhim mund të ketë shumë arsye e mund të lidhet me veprimin dhe ndikimin e shumë faktorëve, e në radhë të parë të kontestit rreth emrit në mes republikës së Greqisë dhe republikës së Maqedonisë, me dëshirën që sa më parë të jetë e mundur një zgjidhje përfundimtare. Të gjithë faktorët marrë si tërësi kanë ndikuar në krijimin e një klime të nxehtë këtu në Maqedoni, çka u ka dhënë mundësi çarqeve ekstreme apo dhe grupeve kriminale për të ndërmarrë herë pas here veprime, siç qenë rastet në 2001 në Manastir, Prilep, Strugë, etj., dhe ditëve të fundit në një fshat të Manastirit (duke u bazuar në raportin e gazetarit, zot. Qenan Hasani), veprime të cilat shkojnë në dëm të stabilitetit, të harmonisë e të ardhmërisë në Maqedoni, duke rrezikuar këtu proçesin e nisur për ndërtimin e një Maqedonie multietnike, ashtu siç duhej të ishte në realitetet demokratike, bile siç parasheh edhe Marrëveshja Kornizë e Ohrit. Në pështjellimin (anarkinë) e në padurimin që po përjetojnë të gjitha palët politikanët, studiuesit dhe ndonjë ekspert, si: profesorët Turpukovski e Fërckovski me shokë, e kanë quajtur të arsyeshme që të nxjerrin nga arsenali i tyre i vjetër e ta hedhin përsëri në qarkullim tezën mbi të drejtën historike që gjoja sllavomaqedonasit paskan mbi Maqedoninë. Kësaj here ishin disa akademikë e historianë në Institutin e Historisë Nacionale Maqedonase në Shkup, deklaratat dhe disa botime të kohëve të fundit, duke iu rikthyer përsëri kësaj teze të vjetër, duke deklaruar se maqedonasit paskan të drejtën e vet historike mbi Maqedoninë. E zbërthyer me pak rrjeshta kjo do të thotë se: “Maqedonia antike historikisht paska qenë tokë sllavomaqedonase“, ndërkohë që shqiptarët na qenkan të ardhur e të vendosur aty gjatë shekujve të fundit, si rrjedhojë e shpërthimit demografik si dhe përkrahjes së dhënë nga Perandoria Osmane”.

Unë, Nebi Dervishi pedagog në Universitetin Shtetëror të Tetovës, që nga viti 1996 e kam ligjëruar “Historinë e Maqedonisë Antike” prandaj, duke u bazuar në dokumente, burime të autorëve antikë dhe të arriturat më të reja të historiografisë botërore, e në këtë kuadër edhe të asaj shqiptare, do të shprehem në formën lakonike, këto të gjitha janë: gënjeshtra me bisht! Sepse, faktet historike që përbëjnë të drejtën dhe të vërtetën historike janë kokëforta. Ato, nuk mund të ndryshohen as të interpretohen sipas interesave dhe dëshirave të historianëve, akademikëve, studiuesve dhe politikanëve sllavomaqedonas. Referimi dhe pretendimi për një të drejtë që nuk e kanë pasur kurrë dhe nuk u takon, tregon më së paku miopi ose shkurtëpamësi politike dhe varfëri intelektuale, mungesë guximi për t’u përballur me historinë, por edhe me problemet e sotme që e preukupojnë Maqedoninë.
Besoj, se as vetë akademikët Bllazhe Ristevski e Dr.Turpukoski dhe studiues e historianë të tjerë maqedonas nuk mund ta mohojnë faktin se sllavomaqedonët, ashtu si edhe sllavët e tjerë të jugut (serbë, kroatë, sllovenë, malazezë e bullgarë), kanë ardhur në Ballkan në shekullin VI-VII, ndërkohë që shkencat arkeologjike, gjuhësore e historike si dhe historiografia botërore e ka provuar më se njëherë se shqiptarët janë pasardhës të ilirëve, e këta të fundit të pellazgëve, “popull të mbirë nga toka”, sipas babait të historisë Herodotit (shek V. p.e.s ), kanë qenë të pranishëm në këto treva që në periudhën e lashtë historike, ashtu si në mesjetën e hershme e të vonshme, me një vazhdimësi të pandërprerë të jetës e të qytetrimit të tyre. Është e vërtetë se në shekujt e mesjetës një pjesë e trevave etnike shqiptare u pushtuan nga Serbia, por ky pushtim qe i përkohshëm dhe zgjati për një pjesë të territorit rreth dy shekuj e gjysmë, që nga viti 1195 deri më 1455. Edhe pushtimi turk ndonëse solli një tëkurrje të trevave të tjera lindore dhe Kosovës, nuk mundi të ndryshojë strukturën etnike shqiptare e të popullsisë së saj. Edhe për këtë periudhë kohore disa studiues maqedonas si Jovan Trifunoski në radhë të parë në “studimin” “Albanskoto stanovnishtvo u Makedoniji “, Beograd 1988, bënë përpjekje me argumenta bajate se gjoja shqiptarët në Maqedoni, janë të ardhur, sepse e vërteta sado e hidhur qoftë për atë edhe për të tjerët, por JO nuk mund të mbulohet “dielli me shoshë”.
Kësaj radhe nuk do të merrem me Jovan Trifunoskin, i cili bënë punën e argatit me porosi të “Francuska 7” dhe të Akademisë së shkencave të Serbisë që u ka kaluar koha.
MAQEDONIA NË PIKËPAMJE GJEOGRAFIKE, ETNIKE DHE GJUHËSORE
Sot, kur themi Maqedoni, kuptojmë pjesën qëndrore të Siujdhesës Ballkanike që formon një trekëndësh, kryet e të cilit ndodhet në Grykën e Kaçanikut, dhe baza formohet në bregun e detit Egje, nga ana perëndimore ka malet e Pindit, nga lindja e ka lumin Mesta (Karasu), të cilit që moti i thoshin Nestos, nga jug-perëndimi ka malet e Olimpit. Por, para se të formohet mbretëria e Filipit II dhe e Lekës së Madh, Maqedoni i thoshin vetëm asaj cope që ndodhet midis Vardarit (Axios), lumit të Janinës dhe kodrinave të Vodenës, Negoshit e të Karaferjes (Mehdi Frashëri, Historia e Lashtë e Shqiperisë , Tiranë 2000, f .166).  Tri vëllazëritë më të mëdha të Arbërisë, janë:  1. Iliria,  2. Epiri dhe 3. Maqedonia  Këto tri fjalë janë shqip: “I lirë“ është mbiemër që s’ka nevojë ta shqipërojmë veçanërisht, se kuptimi i saj është Qiltrazi. “Epir” është fjala “E epër”. Sikur themi edhe sot: Dibër e Epër, Reka e Epërme , Pollogu i Epër etj. Me dialektin toskërisht “e sipërme”, po forma e vjetër duhet të ketë qenë ajo që është në gegërishte, “E epër”.
Emri Maqedoni siç thonë historiografët grekë, vjen nga fjala “emathja”, që ka qenë emër i krahinës, ku është formuar shteti i Maqedonisë antike. Fjala shqip “E madhe “ ose nga “Ematje” si dhe Matja ose Mati në Shqipërinë e Mesme, mbiemrat e gjuhës shqipe kanë një karakteristikë që asnjë gjuhë evropiane nuk i ka: çdo mbiemër ka një shenjë përpara, kur emri është i gjinisë femërore përdoret “e” , kur emri është i gjinisë mashkullore përdoret “i”. Arbëria e vjetër: pasi që emri Shqipëri është emër i ri , ndaj lashtësisë së kombit tonë, për Shqipërinë e vjetër përdorim fjalën Arbëri, sepse kjo fjalë i përfshinë të gjitha viset ku kanë jetuar (banuar) gjithë vëllezërit arbërorë.
Arbëria ndahet në tri pjesë të mëdha:
1. Iliria,
2. Epiri,

3. Maqedonia.
A. ILIRIA, shtrihej që nga lumi Shkumbin e arrinte gjer në Fjume (Rijeka e sotme), dhe kjo ndahej në disa pjesë: Iliria e poshtme, Dalmacia, Peonia dhe Dardania. Iliria e poshtme shtrihej nga Shkumbini e gjer në Kotorrin e sotëm, prej andejmi e gjer në Fjume, si edhe sot quhet Dalmaci. Që nga Qupërlia e sotme e deri në malet që u thoshin “Skardos”, quhej Peoni, e që nga Drini e deri në Serbi, quhej Dardani.
B. EPIRI, që quhej edhe Pellazgji që në lashtësi ndahej në:
1. Molosia – që sot formojnë malet e çarkut të Pogonit e të Kurendës,

2. Thesprotia – që është Çamëria e sotme me lumin Thiami, lumin e Kallamasë,
3. Kaonia – që përfshinë Labërinë deri në Vjosë. Bregu i Vjosës së epërme, quhej Atiantanija.
C. MAQEDONIA, nga jugu shtrihej prej maleve të Olimpit dhe nga gjiu i Thermaik, d.m.th. nga limani i Selanikut dhe nga Halqidhiqia. Nga ana perëndimore fillonte me malet e Pindit, nga lindja malet e Rodopit dhe nga veriu malet Skarde. Maqedonia, atëherë ndahej në disa pjesë të cilat janë këto:
1. Pieria, që shtrihej nga kufiri i Thesalisë, nga degët e Olimpit që ishin afër detit, dhe vinte gjer në Haliakmonin e poshtëm (Bistrica e Sotme) dhe përfshinte viset jugperëndimore të golfit Thermaik. Qytetet më me rëndësi të kësaj zone ishin, duke filluar nga veriu për në jug: Methone, Pydna, Dioni, Pempleia, Labetneon dhe Heraklion.

2. Elime, shtrihej në perëndim të Pierias dhe përfshinte bërrylin e madh të Haliakmonit të mesëm (Bistricës), në jug kishte malet që u thoshin Kambunia, në perëndim malet e Gramozit të cilëve u thoshin edhe Boion dhe ato male që u thoshin Tymphe. Qytetet më me rëndësi ishin: Aeane, Eratira dhe Elimee.
3. Emathia, quhej edhe Maqedoni. Kjo zonë shtrihej nga ana e jugut kishte Haliakmonin e poshtëm, nga lindja e verilindja kishte lumin Ludia dhe nga perëndimi malet Bermion. Qytetet më të rëndësishme ishin: Edhise, Kition, Beroea.
4. Eordee, kjo zonë shtrihej në perëndim të zonës së tretë , d.m.th. e Matjes, përfshinë edhe liqenin që i thoshin Begoritti . Në breg të këtij liqeni gjendej qyteti Arnissa.
5. Oresti, që formonte pjesën perëndimore , përfshinte Haliakmonin e Epërm dhe ndodhej midis maleve të Gramozit dhe vargut të Pelisterit. Qytetet më me rëndësi të kësaj zone janë: Celetron dhe Argos.
6. Bottiee, gjendej në mes lumit Aksios (Vardar) dhe Kudies. Kjo zonë shtrihej deri në Liqenin e Janiës. Qytet më me rëndësi ishin: Pella, Amidon, Kyrros, Europos, Atalantee, Gortinie, Idomen, katër qytetet e fundit ndodheshin në bregun e lumit Akcios(Vardar).
7. Lynkesti: shtrihej në lindje të maleve të Pelisterit në fushën e Manastirit e të Follorinës . Qytet më i rëndësishëm ishte Heraklee.
8. Almopie: kjo zonë shtrihej midis maleve Pajkon dhe Lincestit. Dy qytetet me rëndësi ishin Apsalo dhe Orma.
9. Pellagonia: shtrihej në veri të Lyncestit. Qytete me rëndësi ishin Stimvara, Atalkomen , Bryani dhe Stobi.
10. Mikdonia: formonte bregun lindor të Vardarit, përreth këtij lumi përfishinte dhe golfin (gjiun) Thermaik që në antikitet i thoshin Gjiut të Selanikut , dhe zgjatej deri në Halqidiqje, ku përfshinte edhe dy liqenet, Bolbe dhe Korones. Qytetet më me rëndësi ishin: Thesaloniqi, Therma, Apolonia, Arthusa.
11. Halqidiqia: kjo zonë përbëhej prej siujdhesës me këtë emër e cila lidhej në tokë – vargmalet që quheshin me ermin Anthemus. Qytetet më me rëndësi ishin: Olynthi , Potida dhe Stagiri.
12. Bizalti: kjo zonë ndodhej midis lumit Strimon dhe maleve që u thoshin Bertisko. Qytetet më me rëndësi ishin: Berge, Ossa, Cedili dhe Argili.
13. Sintiku: shtrihej në veri të Bizaltit, e rethuar me malet Orbel e Mesapi e Cercim Disoro. Qytetet më me rëndësi ishin: Herakle dhe Garesko.
14. Odomantiku: shtrihej midis Nestros dhe Strimonit. Qytetet më me rëndësi ishin Skotussa dhe Sirio.
15. Edonidi: shtrihej midis buzës së detit Odmantikut dhe lumit Nestos. Malet e Pangjes që nxirrej ari përfshiheshin në këtë zonë. Kjo zonë kishte shumë koloni greke. Qytetet më me rëndësi ishin: Amfipoli, Eion, Pergama, Filipes.
Para se të arrijmë në thelbin e çështjes, për të mos e ngatërruar çështjen (tezën) pikë së pari duhet të dimë se në Maqedoni që nga kohët e vjetra ka pasur koloni greke, për të cilat nuk ka aspak dyshim nga askush. Këto koloni janë më tepër afër detit dhe dallohen nga emrat e qyteteve menjëherë, sepse kanë ngjyrime greke. Qytetet e Maqedonisë që ndodheshin në brendësinë e këtij vendi, kanë emra që i afrohen më tepër shqipes se sa greqishtes.
Së pari fillojmë nga emrat e kryeqyteteve të Maqedonisë, e para ka qenë: Evise , emër i cili është thjesht shqip dhe që i përgjigjet traditës historike sipas së cilës stërgjyshi i Filipit II dhe Aleksandri duke qenë pranë një princi ilirian, u ndanë me lejen e këtij dhe sipas dhuratës që i bëri princi duke i thënë se do t’u jepet një dhi dhe gjer ku të qendronte kjo, atë tokë do t’ua falte atyre d.m.th se fusha e dhisë u bë vendi i kryeqytetit maqedonas. Kryeqyteti i dytë i Maqedonisë ka qenë Pela. Dhe, kjo një fjalë shqipe për të cilën s’ka nevojë ta zbërthejmë. Disa thonë se ajo shkruhet me dy “LL” prandaj nuk rrjedh nga “Pela”, por sido që të jetë gjuha shqipe ka dhe “L”-në e trashë, pra “LL”- në. Veç kësaj, rrënja e fjalës “pelë” i afrohet më tepër rrënjës shqipe, kemi fjalën “pjell”, “pjellore” dhe fjalët “pellet“, “pellon” që përdoret vetëm në Myzeqe. Tani do t’i marrim emrat e krahinave me rradhë: ELIME: çuditërisht fjalë shqipe, se në librat klasike greke shkruhet me “y” e cila mund të këndohet edhe “Elyne, fjalë që ka formën shqipe dhe me shenjën e mbiemrit femëror “e” lyme ose lime, njëra nga të lyerat, tjetra nga të limuarit . Edhe emri i qytetit Eane, rrjedhë nga fjala Anë. Vargu i kodrinave dhe i maleve që shtrihen mbi Vodenë, Negoshë, Karaferie, quheshin që moti brigje. Emri i vjetër i Karaferjes është shkruar Beroja, e cila në gjuhën shqipe ka kuptimin e një dhie ose dele që nuk ka pjellë. Emri i liqenit që ndodhet në veri të maleve të Halqidiqjes, është Bolbe. Në gjuhën shqipe e sidomos në djalektin (të folmen) e Elbasanit ka kuptimin e njollës, leqes ose gjësë së turbullt. Sipas mendimit të Louis Beloev-it, fjalët (emrat) Pellagonia dhe Argo janë shqipe. Pellagonia vjen nga plakomia dhe Argo nga argoma. Të këtillë emra janë shumë, që kanë një karakter më shumë shqip se sa greqisht.
Shpesh herë në historiografinë botërore shtrohet pyetja:
Kush ishin Maqedonët e lashtë?
Kësaj çështjeje të ndieshme më së miri i përgjigjet studiuesi dhe historiani i madh kroat Dr. Petar Lisiar, në veprën “Grçi i Rimjani” (Greqia e Roma), ku midis tjerash thotë: “Maqedonët e lashtë janë popull indoevropianë që janë formuar nga grupe etnike ilire dhe pjesërisht nga fise trake dhe më pak helene, rreth shekullit të VIII p.e.s, të cilët formuan shtetin e tyre në territorin: në veri të Tesalisë rreth lumit Haliakomona, (Bistrica e sotme), në prapashpinën e gjirit të Termeit (Selanikut)”, ndërsa në ” Historinë e Popujve Jugosllavë ” (Historia Naroda Jugosllavie ), V. I, Zagrep 1953 f. 21 lexojmë se: “maqedonët e lashtë janë padyshim me prejardhje ilire ndërsa më vonë helenizohen.” Pra, maqedonët antikë (greqisht Makedones) janë popull i ri indoevropian të cilët u formuan nga grupet etnike ilire dhe të tjera dhe rreth shek. VIII p.e.s, themelojnë shtetin e tyre në territorin: në veri të Thesalisë, rreth lumit Haliakomona dhe në prapashpinë të gjirit të Termeit. Në veri kufizoheshin me fiset tjera ilire të Linkestëve, Pellagonëve dhe Peonëve, në lindje arrinin deri tek lumi Struma, ndërsa në perëndim deri te malet e Pindit.
Maqedonët e lashtë nuk përmenden në këngët (Epet) e Homerit në “Iliadën” as në “Odisea”. Dëshminë më të vjetër letrare të emrit “maqedon“, e gjejmë në shënimet mitike të Hesiodit se: “Maqedoni është i biri i Eolit”. Kjo është gojëdhënë mitike mbi lidhjet e maqedonëve me eolët grekë, ndoshta me emrin e Tesalëve fqinjë. Sipas Herodotit, Doret rrëzë Malit Pind, dikur quheshin Maqedon. Nuk është pa vlerë (rëndësi) thënia e Herodotit mbi vëllezërit Temenidë , të cilët vijnë nga Arga e vendosen në Iliri e me pas në Maqedoni, dhe aty falë rrethanave momentale themelojnë shtetin e tyre maqedonas. Sipas një legjende thuhet se aty nga fundi i shekullit VII p.e.s në atë kënd të Ilirisë së lashtë, ku sot gjendet kufiri mes Bullgarisë, Greqisë dhe Shqipërisë, jetonin tre vëllezërit Temenid: Gauani, Eropi dhe Perdika. Ata, pretendonin se kishin prejardhjen nga heroi i Argivit, Temeni i biri i Aristomakut, i Kleodemit, i Hylosit i Herakliut të fuqishëm ose i Herkulit siç e thërrisnin romakët, pra biri i perëndisë më të lartë, i Zeusit. Thuhet, se tre vëllezërit kishin ardhur nga Argosi që ndodhej në bregun lindor të Peloponezit. Përderisa edhe në këtë pjesë të Ilirisë gjendej një vend i quajtur Argos emër që në gjuhën maqedonase d.m.th, “fushë” ka mundësi që lidhja me Argosin e Peloponezit t’i përkas një faze më të hershme të historiesë së familjes. Vëllezërit Timenidë, shtegtojnë drejt lindjes në kërkim të fatit. Më në fund arritën në një vend sipër në veri të gjirit të Tesalonikit, hynë në shërbim të sundimtarit të një qyteti të vogël të quajtur Lebea, të cilit nuk mund t’i përcaktohet vendndodhja . Sipas gojëdhënës, Gauni ruante kuajt e sundimtarit, Eropi ruante lopët dhe Perdika më i riu dhe me i zoti i të treve mbikqyrte dhitë, derrat dhe kafshët tjera të imta . Pas disa kohësh ranë në sy se kulaqi i Perdikës së hijshëm, racioni i ushqimit qe edhe më i madh se sa i shërbyesve të tjerë. Sundimtari i fisit dyshoi për ndonjë (lidhje) hatërllëk dhe e pyeti të shoqen e cila piqte dhe ndante bukën, se si t’a shpjegonte këtë?! Ajo, iu përgjigj me gjakftohtësi se edhe asaj i kishte rënë në sy kjo dhe i dukej një mrekulli!… Kulaqi zmadhohej, sa po e prekte dora magjiplote e djaloshit. Sundimtari i Lebeas u përgjigj ftohë se atij nuk i pëlqenin magjitë dhe urdhëroi djaloshin e hijshëm (Perdiken) dhe vëllezërit e tij të shporreshin që andej sa më parë. Tre vëllezërit, thanë pothuaj se njëzëri se ishin gati të niseshin po t’ua paguante hakun e premtuar. Në vend të përgjigjes sundimtari i fisit duke treguar një njollë dielli që binte në tokë prej oxhakut të rrumbullakët të çatisë u tha me ironi: “ky është i tëri shpërblimi që meritoni”! Merreni po ua jap! Legjenda në vazhdim thotë se: dy vëllezërit më të mëdhenj shtangën nga kjo përgjjigje e poshtër (e pa pritur), ndërsa Perdika që ishte shkaktari, e vizatoi një çark (rreth) në tokë dhe e rrethoi njollën e diellit. Pastaj, i tha sundimtarit se qe i kënaqur me pagën dhe se tani e tutje, ai dhe vëllezërit do t’a mbanin veten si zotrinj dhe pronarë të asaj toke brenda viseve që i përkisnin sundimtarit. Që ta merrte në dorëzim, ai hyri brenda rrethit u këthye me fytyrë nga dielli dhe e zbuloje tri herë “parzmin”. Sundimtari i Lebeas nuk e vuri re gjestin kuptimplot të Perdikës. Sapo të tre vëllezërit u nisën për në rrugë, dikush i tregoi atij çfarë kishte ndodhur. Sundimtari menjëherë dërgoi në ndjekje të tyre, njerëzit e tij me urdhër që t’i sulmonin dhe t’i vrisnin, por pasi ata e kishin kapërcyer lumin një stuhi që shpërtheu papritur e bëri të pamundur kalimin. Kështu, ndjekësit u detyruan që të hiqnin dorë nga ndjekja e mëtejshme. Vëllezërit u ndalën në një breg të përmendur i cili për shkak të trandafilave plotë erë kishte marrë emrin “Lulishtet e Midas”, rrëzë Malit Bermion ku shtrihej një rrip toke e mrekullueshme. Këtu vëllezërve u vajti mbarë, ata u bënë njerëzit më të rëndësishëm të bregut. Perdika u zgjodh udhëheqës i asaj treve, e cila sa vinte e zgjerohej dhe menjëherë mori në zotërim pronat e sundimtarit të Lebeas. Ka të ngjarë që Perdika u martua me të bijën e mbretit të vdekur. Jo vetëm miti, por edhe gojëdhëna tregon se shtëpia mbretërore e Maqedonisë antike, pra dinastia e Argeadëve e ka zanafillën te Perdika. Ka qenë i fuqishëm edhe mendimi tradicional mbi elementin grek në përbërjen etnike të maqedonasëve të lashtë. Për këtë, disa studiues mendojnë se maqedonasit e lashtë kanë qenë grekë të cilët për shkak të izolimit të tyre në aspektin kulturor ngelën pas grekëve që shtriheshin në jug. Disa të tjerë janë të mendimit se maqedonasit antikë janë një përzierje e fiseve ilire dhe helene. Paraprakisht, populli i lashtë maqedonas nuk ka qenë grek ose helen e cila gjë provohet me argumentet e poshtëshënuara:
1. Në fjalimet e oratorit grek me famë Demostenit, shohim shpeshherë fjalën “barbar” e cila në greqisht është sinonim me fjalën “i huaj”. Kjo fjalë kundër maqedonasve është përdorur dy herë nga ana e historianit grek Tucididit, si një fjalë që ka dalur nga goja e Bresidas në kohën e luftës së Peloponezit (431-404 p.e.s.)
2. Në kohën kur persianët sulmuan Greqinë duke kaluar prej Maqedonisë, mbreti i këtij vendi megjithëse mbeti asnjanës, neutral, i vëllai natën u dha lajmin grekëve për lëvizjen ushtarake të persianëve të Darit të I-ë. Si shpërblim kundrejt këtij shërbimi grekët i dhanë titullin: Philohelen, d.m.th filogrek, titull që u jepej të huajve kur i shërbenin Greqisë.
3. Grekët, sado që të kishin qeveri të ndryshme, pra polise (Qytet-shtete) por kishin edhe mbledhje fetare e nacionale të ndryshme, ku merrnin pjesë të gjithë grekët, por, të huajt ishin të ndaluar të merrnin pjesë. Në këtë mënyrë maqedonasit si të huaj nuk figuronin në mbledhjet panhelenike (gjithë greke) që quhej “Amphyction”. Filipi II, i ati i Lekës së Madh me fuqinë e armëve u bë anëtar i kësaj mbledhjeje.
4. E tërë popullata që formote kombin Helen (grek) kanë pasur tradita, mitologji, histori, etj,. Maqedonasit antikë të tilla gjëra nuk kanë pasur.
5. Në kohën e Aleksandrit kur dënohej ndonjë gjeneral, sipas zakonit lipsej të gjykohej para ushtrisë dhe të mbronte veten, kur gjenerali Filota u gjykua përpara ushtrisë deshi të fliste në dialektin e athinës d.m.th me dialektin atik, por Leka i Madh i tha të fliste maqedonisht. Nga kjo merret vesh se populli i Maqedonisë i përfaqësuar në këtë rast prej ushtrisë ka pasur në gjuhë të veçantë dhe kësisoji gjuhën kulturale të Athinës nuk e merrnin vesh.

Atëherë, del çështja se ç’janë maqedonasit kur nuk kanë qenë grekë?
Gjeografi dhe historiani i madh grek, Straboni nga Ponti (63 p.e.s.-20 e.s.) thotë se: ,,Maqedonia formon një paralelogram, i cili zgjatet deri në adriatik, duke marrë edhe korfuzin brenda e duke vazhduar udhën egnatia”. Sipas thënieve të Strabonit: ,,Ndenjësit e këtyre vendeve përdorin një gjuhë, një rrobe dhe njësoj kësule”. Profesor Oto Muleri thotë: ,,mbretërit e këtyre tri provincave: Epir, Iliri dhe Maqedoni: vishnin një lloj rrobash dhe ishin lidhur me krushqi e me gjini përherë në mes tyre, kështu nunela e Aleksandrit të Madh ishte iliriane dhe e ëma, Olimpia, prej Epiri nga dera e Pirros”. Historiani romak, Kurt Rufi, që jetoi dhe punoi në shekullin I-rë të e.s., në veprën e tij ,,Historia e Aleksandrit të Madh”, në 10 libra, në mes tjerash gjejmë të dhëna shumë interesante për studimin e periudhës së Lekës së Madh, ku ndër të tjera mësojmë se: ,,Gjuhën e Aleksandrit ushtarët e tij helenë nuk e merrnin vesh. Ndërkaq, përsëri, Straboni, thotë: … Akoma edhe sot, Maqedoninë dhe një pjesë të thesalisë e mbajnë barbarët si molosë dhe thesprotë e të tjerë”. Dion Kasi (155 – 235 e.s.), histirian i madh grek i epokë së Perandorisë Romake, me veprën ,,Historia Romake”, në 80 libra, që dallohet për pasuri faktesh dhe pë pëshkrimin e gjërave. Për historinë e Ilirisë vepra e Dion Kasit, ka një rëndësi të madhe sepse në të gjejmë një mal të dhënash mbi fushatën e Pirros në Itali, mbi luftërat iliro-romake qëndresën e ilirëve kundër pushuesve romakë. Ndër të tjera po veçojmë: … vetëm ky vend që quhet Maqedoni ish i ndenjur (banuar – n.d.) prej barbarëve: ilirinj dhe bardhë”.
Kronisti bizantin Halkokondili thotë, KËTA TRIMA QË QUHEN ARBANË JANË NJË POPULL MAQEDONAS”. Sa i përket gjuhës maqedone Otfried Muller në veprën e tij ,Ueber die Wohnsitz, die Abstammung und die altere Geschicht des Makedonischen Volkes” (1825), thotë: “maqedonasit në vend që të flasin si grekët e tjerë, shkronjave: f, h, th u thonë b, g, d ashtu si popujt barbarë, fqinjët e maqedonasve, e sidomos ilirianët”. Historia e lashtë e Maqedonisë antike është pak e njohur. Megjithatë, veprat e pakta të shkruara burimore, si edhe materialet e gjetura arkeologjike na japin dëshmi e mundësi për të gjykuar për historinë e Maqedonisë së lashtë.
Historia e Maqedonisë antike kryesisht ndahet në dy periudha:
a. periudha legjendare (që mbështetet kryesisht në të dhënat gojore (deri në vitin 500 p.e.s.),
b. periudha historike fillimi i shek. V p.e.s. – ( deri në vitin 148 p.e.s.).

Rrënjët e popullit të lashtë maqedonas, zënë fill në fillim të mijëvjeqarit të parë p.e.s., por ende janë të mbuluara me misteriozitetin e parahistorisë. Për fat të mirë shumë shkrimtarë të antikitetit i kanë shënuar ose evidentuar gojëdhënat, mitet dhe legjendat, që megjithëse janë pak narrative (përshkruese), o pak a shumë me karakter mitik (legjendar), megjithatë ato na japin të dhëna tepër me rëndësi për errësirën parahistorike maqedonase. Sipas gojëdhënës, Eponimi-udhëheqësi fisnor i maqedonasve të lashtë është Maqedoni. Për origjinën e tij, burimet ofrojnë versione me bollëk e të llojllojshme si: Heroi mitik (legjendar), themeluesi i Maqedonisë ishte bir i Perëndisë së Zeusit të fuqishëm (mendimit, trurit), zotit suprem të të gjithë hyjnive dhe perëndeshës së kohës, Hronosit. Legjenda thotë se: nëna e tij ka qenë Tija, e cila ishte e bija e Denkalionit dhe Pirit. Këta të dy (Denkalioni dhe Piri), i lindën Amfiktion, Helenin dhe Magnetin. Edhe Maqedoni ka pasur dy djemë: Pierin dhe Emat – in, heronjt eponim të dy krahinave në Maqedoninë antike, Pieria dhe Ematia. Sipas një legjende të dytë: Maqedoni, ka qenë biri i Perëndisë së Egjyptit, Ozirisit, ndërsa për vëlla ka pasur Anubisin. Atributi karakteristik i Maqedonit ka qenë Ujku, ndërkaq i vëllai i tij Anubisi ka pasur Qenin. Ozirisi, ia lëshoi pushtetin e Egjyptit Izidës, duke u nisur për pushtime të reja, i shoqëruar nga dy djemtë e tij, Maqedonin e Anubisin. Në Thraki, Ozirisi arriti të vras mbretin Likurg, të cilin e zëvendësoi me të birin Makedonin, i cili u bë mbret i kësaj treve. Vendi ku sundonte i biri i Ozirisit u quajt MAQEDONI.

(VIJON…)

_____________
PJESA E PARË:
DR.NEBI DERVISHI: E VËRTETA MBI MAQEDONINË ANTIKE (1)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=4085
***
PJESA E DYTË:
DR.NEBI DERVISHI: E VËRTETA MBI MAQEDONINË ANTIKE (2)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=4086

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura